2010–2019
Fuqi për të Mposhtur Kundërshtarin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Fuqi për të Mposhtur Kundërshtarin

Si gjejmë paqe, si kujtohemi kush jemi dhe si i mposhtim tri mënyrat e trysnisë nga kundërshtari?

Vëllezër dhe motra, ju falënderoj për gjithçka që bëni për t’u bërë vetë e për të ndihmuar të tjerët të bëhen pasues të vërtetë të Jezu Krishtit dhe të gëzojnë bekimet e tempullit të shenjtë. Ju faleminderit për mirësinë tuaj. Ju jeni të mrekullueshëm; ju jeni të bukur.

Lutja ime është që ne ta njohim ndikimin pohues të Frymës së Shenjtë ndërsa arrijmë të kuptojmë plotësisht që jemi fëmijë të Perëndisë. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” deklaron: “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.”1 Ne jemi “shpirtra të zgjedhur të cilët u ruajtë[m] që të vini[m] në plotësinë e kohëve për të marrë pjesë në ngritjen e themeleve të veprës së madhe të ditëve të mëvonshme”2. Presidenti Rasëll M. Nelson deklaroi: “Ju morët mësim në botën e shpirtrave që të përgatiteshit për çdo gjë dhe gjithçka që do të hasnit gjatë kësaj pjese të mëvonshme në këto ditë të mëvonshme (shih DeB 138:56). Ato mësime qëndrojnë brenda jush!”3

Ju jeni bij e bija të zgjedhur të Perëndisë. Ju e keni fuqinë për ta mposhtur kundërshtarin. Kundërshtari, gjithsesi, e di se cilët jeni. Ai është në dijeni për trashëgiminë tuaj hyjnore dhe përpiqet ta kufizojë potencialin tuaj tokësor dhe qiellor duke përdorur tri mënyra:

  • Mashtrimin

  • Shpërqendrimin

  • Shkurajimin

Mashtrimi

Kundërshtari e përdori mjetin e mashtrimit në ditët e Moisiut. Zoti i shpalli Moisiut:

“Dhe, vër re, ti je biri im; …

Unë kam një punë për ty, … dhe ti je në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit tim.”4

Pak pas këtij vegimi të lavdishëm, Satani u orvat ta mashtronte Moisiun. Fjalët që përdori janë interesante: “Moisi, biri i njeriut, adhuromë mua”5. Mashtrimi nuk ishte vetëm në ftesën për të adhuruar Satanin, por gjithashtu në mënyrën se si ai e përshkroi Moisiun si bir të njeriut. Kujtoni, Zoti sapo i pati treguar Moisiut se ai ishte bir i Perëndisë, i krijuar në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit.

Kundërshtari ishte i paepur në përpjekjen e vet për të mashtruar Moisiun, por Moisiu i bëri ballë, duke thënë: “Largohu prej meje, Satan, sepse vetëm këtë Perëndi unë do ta adhuroj, i cili është Perëndia i lavdisë”6. Moisiu solli ndërmend se cili ishte – një bir i Perëndisë.

Fjalët e Zotit për Moisiun gjejnë zbatim për ju dhe për mua. Ne jemi krijuar në shëmbëlltyrën e vetë Perëndisë dhe Ai ka një punë për ne që ta bëjmë. Kundërshtari përpiqet të mashtrojë duke na bërë të harrojmë cilët jemi vërtet. Nëse nuk e kuptojmë se cilët jemi, atëherë është e vështirë të dallojmë se cilët mund të bëhemi.

Shpërqendrimi

Kundërshtari gjithashtu përpiqet të na largojë nga Krishti dhe shtegu i Tij i besëlidhjeve. Plaku Ronald A. Rasband tregoi sa vijon: “Plani i kundërshtarit është që të na shpërqendrojë nga dëshmitë shpirtërore, ndërsa dëshira e Zotit është të na ndriçojë e të na përfshijë në punën e Tij”7.

Në kohën tonë, ka shumë shpërqendrime, përfshirë Twitter-in, Facebook-un, lojëra në realitet virtual dhe shumë të tjera. Këto përparime teknologjike janë mahnitëse, por nëse nuk jemi të kujdesshëm, ato mund të na shpërqendrojnë nga përmbushja e potencialit tonë hyjnor. Përdorimi i tyre siç duhet mund të na japë fuqinë e qiellit dhe të na lejojë të dëshmojmë mrekulli ndërsa përpiqemi ta mbledhim Izraelin e shpërndarë në të dyja anët e velit.

Le të jemi të kujdesshëm dhe jo rastësorë në përdorimin nga ana jonë të teknologjisë.8 Vazhdimisht kërkoni mënyra se si teknologjia mund të na afrojë më shumë te Shpëtimtari dhe të na lejojë të plotësojmë punën e Tij ndërsa përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë.

Shkurajimi

Së fundi, kundërshtari dëshiron që ne të bëhemi të shkurajuar. Ne mund të shkurajohemi kur e krahasojmë veten me të tjerët ose ndiejmë se nuk po jetojmë sipas pritshmërive, përfshirë tonat.

Kur fillova programin tim të doktoraturës, u ndjeva i shkurajuar. Programi pranonte vetëm katër studentë atë vit dhe studentët e tjerë ishin të shkëlqyer. Ata kishin rezultate provimi më të larta dhe përvojë më të madhe pune në poste kryesuese administrimi dhe ata demonstronin vetëbesim në aftësitë e tyre. Pas dy javëve të mia të para në program, ndjenjat e shkurajimit dhe dyshimit filluan të ndikonin, thuajse duke më pushtuar.

Vendosa që nëse do ta mbaroja këtë program katërvjeçar, duhej ta përfundoja leximin e Librit të Mormonit çdo semestër. Çdo ditë ndërsa lexoja, e dalloja deklaratën e Shpëtimtarit se Fryma e Shenjtë do të më mësonte çdo gjë dhe do të sillte në kujtesën time të gjitha gjërat.9 Më siguroi përsëri se cili jam si bir i Perëndisë, më rikujtoi të mos e krahasoj veten me të tjerët dhe më dha vetëbesimin në rolin tim hyjnor për të pasur sukses.10

Miqtë e mi të dashur, ju lutem, mos lejoni askënd t’jua vjedhë lumturinë. Mos e krahasoni veten me të tjerët. Ju lutem, mbajini mend fjalët plot dashuri të Shpëtimtarit: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”11.

Atëherë si e bëjmë ne këtë? Si e gjejmë këtë paqe, si kujtohemi se kush jemi dhe si i mposhtim tri mënyrat e trysnisë nga kundërshtari?

Së pari, mbajeni mend se urdhërimi i parë dhe i madh është ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.12 Gjithçka që bëjmë, duhet të jetë e nxitur nga dashuria jonë për Atë dhe për Birin e Tij. Kur e rritim dashurinë tonë për Ta duke i zbatuar urdhërimet e Tyre, aftësia jonë për ta dashur veten dhe për të dashur të tjerët do të rritet. Ne do të fillojmë t’i shërbejmë familjes, miqve dhe fqinjëve, sepse do t’i shohim ata sikurse i sheh Shpëtimtari – si bij dhe bija të Perëndisë.13

Së dyti, lutiuni Atit në emër të Jezu Krishtit çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë.14 Është nëpërmjet lutjes që ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe ta tregojmë dashurinë tonë për Të. Nëpërmjet lutjes ne shprehim mirënjohje dhe kërkojmë forcën dhe kurajën për t’ia nënshtruar vullnetin tonë atij të Perëndisë dhe të udhëhiqemi e drejtohemi në të gjitha gjërat.

Unë ju inkurajoj t’i “lut[e]ni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbushemi me këtë dashuri … që ju të mund të bëheni bijtë [dhe bijat] e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai”15.

Së treti, lexojeni dhe studiojeni Librin e Mormonit çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë.16 Studimet e mia të Librit të Mormonit priren të shkojnë më mirë kur lexoj me një pyetje në mendje. Kur lexojmë me një pyetje në mendje, ne mund të marrim zbulesë dhe të dallojmë se Profeti Jozef Smith tha një të vërtetë kur deklaroi: “Libri i Mormonit [është] më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë … dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”17. Libri i Mormonit përmban fjalët e Krishtit dhe na ndihmon të kujtojmë se cilët jemi.

Së fundi, plot lutje merrni sakramentin çdo javë, çdo javë, çdo javë. Është nëpërmjet besëlidhjes dhe ordinancave të priftërisë, përfshirë sakramentin, që fuqia e perëndishmërisë shfaqet në jetën tonë.18 Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Ordinanca e sakramentit është një ftesë e shenjtë dhe e përsëritur për t’u penduar sinqerisht dhe për t’u ripërtërirë shpirtërisht. Veprimi i marrjes së sakramentit, në vetvete, nuk na pastron nga mëkatet. Por ndërsa përgatitemi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe marrim pjesë në këtë ordinancë të shenjtë me një zemër të thyer e shpirt të penduar, atëherë premtimi është që ne mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me ne.”19

Kur e marrim me përulësi sakramentin, ne kujtojmë vuajtjen e Jezusit në atë kopsht të shenjtë, të quajtur Gjetseman dhe flijimin e Tij në kryq. Ne i shprehim mirënjohje Atit për dërgimin e Birit të Tij të Vetëmlindur, Shëlbuesit tonë, dhe tregojmë gatishmërinë tonë për të zbatuar urdhërimet e Tij dhe që gjithmonë ta kujtojmë Atë.20 Ka një ndriçim shpirtëror që shoqërohet nga sakramenti – ai është vetjak, ai është i fuqishëm dhe ai është i nevojshëm.

Miqtë e mi, unë ju premtoj se ndërsa përpiqemi fort ta duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë, lutemi në emër të Jezu Krishtit, e studiojmë Librin e Mormonit dhe marrim plot lutje sakramentin, ne do të kemi aftësinë, me fuqinë e Zotit, që t’i mposhtim praktikat mashtruese të kundërshtarit, t’i zvogëlojmë shpërqendrimet që e kufizojnë potencialin tonë hyjnor, dhe t’i bëjmë ballë shkurajimit që e mpak aftësinë tonë për të ndier dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij. Ne do të arrijmë ta kuptojmë plotësisht se cilët jemi si bij dhe bija të Perëndisë.

Vëllezër dhe motra, unë ju shpreh dashurinë time dhe ju deklaroj dëshminë time që unë e di se Ati Qiellor jeton dhe Jezusi është Krishti. Unë i dua Ata. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë. Ne kemi një detyrë hyjnore për ta mbledhur Izraelin dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Mesias. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.