2010–2019
I Gjetur nëpërmjet Fuqisë së Librit të Mormonit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


I Gjetur nëpërmjet Fuqisë së Librit të Mormonit

Të gjithë duhet ta përjetojnë dhe të gjenden me anë të fuqisë së të vërtetave që përmbahen në Librin e Mormonit.

Kur i vizitoj të kthyerit në besim në shtëpitë e tyre, një nga pyetjet që më pëlqen tʼu bëj më shpesh, është mënyra se si ata dhe familjet e tyre mësuan rreth Kishës dhe se si ndodhi që u pagëzuan. Nuk ka rëndësi nëse personi në atë çast është një anëtar aktiv apo nëse nuk e ka frekuentuar kishën për shumë vjet. Përgjigjja është gjithmonë e njëjta: me një buzëqeshje dhe me pamje rrezatuese në fytyrë, ata fillojnë të tregojnë historinë se si u gjetën. Në fakt, duket sikur historia e kthimit në besim është gjithmonë historia se si u gjetëm.

Vetë Jezu Krishti është Zoti i gjërave të humbura. Ai kujdeset për gjërat e humbura. Me siguri kjo është arsyeja pse Ai dha mësim tri shëmbëlltyrat që i gjejmë te kapitulli 15 te Lluka: shëmbëlltyra e deles së humbur, monedhës së humbur dhe, në fund, e djalit plëngprishës. Të gjitha këto histori kanë një emërtues të përbashkët: nuk ka rëndësi se përse kishin humbur. Nuk ka rëndësi, madje, as nëse ishin të vetëdijshëm që kishin humbur. Atje mbizotëron sublime një ndjenjë gëzimi që jehon: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur”.1 Në fund, asgjë nuk është vërtet e humbur për Të.2

Më lejoni t’ju tregoj këtë pasdite, një nga gjërat më të çmuara për mua – historinë se si unë vetë u gjeta.

Pak kohë para se të mbushja 15 vjeç, mora një ftesë nga daja im, Manuel Bustosi që të kaloja pak kohë me të dhe familjen e tij këtu në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për mua që të mësoja pak anglisht. Daja im ishte kthyer në besim në Kishë shumë vite më parë dhe ai kishte një shpirt të shkëlqyer misionari. Ndoshta, prandaj nëna ime, pa dijeninë time, foli me të dhe tha se do të binte dakord për ftesën me një kusht: që ai të mos përpiqej të më bindte për t’u bërë një anëtar i Kishës së tij. Ne ishim katolikë, dhe kishim qenë për breza, dhe nuk kishte arsye për të ndryshuar. Daja im iu përmbajt plotësisht marrëveshjes dhe e mbajti fjalën deri në pikën sa nuk dëshironte t’iu përgjigjej madje as pyetjeve të thjeshta rreth Kishës.

Sigurisht, atë që nuk e shmangnin dot daja dhe bashkëshortja e tij e dashur, Marxhëri, ishte ajo që ata ishin.3

Më dhanë një dhomë që përmbante një bibliotekë të madhe me libra. Mund të shihja se në këtë bibliotekë kishte afërsisht 200 kopje të Librit të Mormonit në gjuhë të ndryshme, 20 prej tyre në spanjisht.

Një ditë, nga kureshtja, mora në dorë një kopje të Librit të Mormonit në spanjisht.

Pamja
Libri i Mormonit në Spanjisht

Ishte një nga ato kopje me një kapak të butë bojë qielli, me figurën e engjëllit Moroni përpara. Kur e hapa, në faqen e parë aty ishte shkruar premtimi vijues: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”.

Dhe pastaj shtonte: “Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave”.4

Është e vështirë të shpjegosh ndikimin që patën në mendjen dhe zemrën time këto shkrime të shenjta. Të jem i sinqertë, nuk po e kërkoja “të vërtetën”. Isha thjesht një adoleshent, i lumtur me jetën e vet, duke shijuar këtë kulturë të re.

Sidoqoftë, me atë premtim në mendje, unë fillova ta lexoja fshehtas librin. Ndërsa lexova më shumë, kuptova që, nëse doja vërtet të përfitoja diçka nga kjo, do të bëja mirë të filloja të lutesha. Dhe të gjithë ne e dimë se çfarë ndodh kur vendos jo vetëm të lexosh, por edhe të lutesh rreth Librit të Mormonit. E pra, pikërisht kjo gjë më ndodhi mua. Ishte diçka kaq e veçantë dhe kaq unike – po, pikërisht ashtu siç u ka ndodhur miliona të tjerëve anembanë botës. Arrita të dija me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Libri i Mormonit ishte i vërtetë.

Më pas shkova te daja që t’i shpjegoja se çfarë kishte ndodhur dhe se unë isha gati të pagëzohesha. Daja im nuk e përmbajti dot habinë e tij. Ai i hipi makinës, shkoi deri në aeroport dhe u kthye me biletën time të avionit që unë të kthehesha në shtëpi, me një shënim që i drejtohej nënës sime, i cili thoshte vetëm: “Nuk kam fare gisht në këtë punë”.

Në njëfarë mënyre ai kishte të drejtë. Isha gjetur drejtpërdrejt me anë të fuqisë së Librit të Mormonit.

Mund të ketë shumë njerëz që janë gjetur nëpërmjet misionarëve të mrekullueshëm anembanë botës, në çdo rast nëpërmjet mënyrave të mrekullueshme. Ose, ndoshta, janë gjetur nëpërmjet miqve që Perëndia i ka vendosur qëllimisht në shtegun e tyre. Madje mund të jetë që janë gjetur prej dikujt nga ky brez ose nëpërmjet njërit prej paraardhësve të tyre.5 Sido që të jetë rasti, me qëllim që të përparojnë drejt një kthimi të vërtetë vetjak në besim, më mirë shpejt sesa vonë, të gjithë ata duhet ta përjetojnë dhe të gjenden me anë të fuqisë të së vërtetave që përmbahen në Librin e Mormonit. Në të njëjtën kohë, ata duhet të vendosin personalisht që të bëjnë një zotim të thellë ndaj Perëndisë, që ata do të përpiqen fort t’i zbatojnë urdhërimet e Tij.

Kur u ktheva në Buenos‑Ajres, nëna ime e kuptoi se doja vërtet të pagëzohesha. Duke qenë se kisha disi një shpirt rebel, në vend që të më kundërshtonte, ajo plot urtësi mbajti anën time. E madje pa e ditur, ajo ma bëri vetë intervistën e pagëzimit. Në të vërtetë, unë besoj se intervista e saj ishte edhe më e hollësishme sesa ato që bëjnë misionarët tanë. Ajo më tha: “Nëse do që të pagëzohesh, unë do të të përkrah. Por fillimisht do të të bëj disa pyetje dhe dua që të mendohesh mirë dhe të më përgjigjesh me sinqeritet. A zotohesh që ta frekuentosh patjetër kishën çdo të diel?

I thashë asaj: “Po, sigurisht, do ta bëj”.

“A ke ndonjë ide se sa kohë zgjat kisha?”

“Po”, thashë unë.

Ajo u përgjigj: “Atëherë, nëse pagëzohesh, unë do të sigurohem që ta frekuentosh”. Pastaj më pyeti nëse isha vërtetë i gatshëm që të mos pija kurrë pije alkoolike ose duhan.

Unë iu përgjigja: “Po, sigurisht, do të bindem edhe për këtë”.

Për këtë ajo shtoi: “Nëse pagëzohesh, unë do të sigurohem që të ndodhë kështu”. Dhe ajo vijoi në atë mënyrë pothuajse me çdo urdhërim.

Daja im i kishte telefonuar nënës sime për t’i thënë që të mos shqetësohej, që unë do të hiqja dorë shpejt nga e gjithë kjo. Pas katër vjetësh, kur mora thirrjen time për të shërbyer në Misionin e Montevideos në Uruguai, nëna ime i telefonoi dajës tim për ta pyetur saktësisht se kur do të hiqja dorë nga e gjithë kjo. E vërteta është se, që nga koha kur u pagëzova, nëna ime ishte një nënë më e lumtur.

Arrita të dija se Libri i Mormonit ishte vendimtar për procesin e kthimit në besim duke e përjetuar personalisht premtimin që “një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij”.6

Nefi e shpjegoi qëllimin kryesor të Librit të Mormonit në këtë mënyrë:

“Pasi ne punojmë me zell që të shkruajmë, të bindim fëmijët tanë dhe gjithashtu vëllezërit tanë të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë. …

Dhe [kështu që] ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin [dhe] ne profetizojmë mbi Krishtin, … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”7

I gjithë Libri i Mormonit është i mbushur me atë qëllim të shenjtë.

Për këtë arsye, çdo lexues që zotohet ta studiojë me sinqeritet atë, me shpirtin e lutjes, nuk do të mësojë vetëm rreth Krishtit, por do të mësojë nga Krishti, veçanërisht nëse e marrin vendimin që ta “provo[jnë] virtytin e fjalës”8 dhe të mos e hedhin poshtë para kohe për shkak të mosbesimit paragjykues9 nga ajo që të tjerët kanë thënë për gjëra që nuk i kanë lexuar kurrë.

Presidenti Rasëll M. Nelson arsyetoi: “Kur unë mendoj për Librin e Mormonit, mendoj për fjalën fuqi. Të vërtetat e Librit të Mormonit kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë.”10

Ftesa ime këtë pasdite për secilin prej nesh, pavarësisht se për sa kohë kemi qenë anëtarë të Kishës, është që ta lejojmë fuqinë e të vërtetave të Librit të Mormonit që të na gjejë dhe të na rrokë edhe një herë dhe ditë pas dite, ndërsa kërkojmë me zell zbulesë vetjake. Ajo do të veprojë në këtë mënyrë nëse e lejojmë.

Unë dëshmoj solemnisht se Libri i Mormonit përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit dhe se Fryma e Shenjtë do t’ia pohojë vërtetësinë e saj herë pas here kujtdo që me një zemër të sinqertë, kërkon njohuri për shpëtimin e shpirtit të vet.11 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 15:6; shih edhe Lluka 15:9, 32.

  2. Në një kuptim më të gjerë, shkrimet e shenjta përmbajnë tregime mbi profecitë që flasin për mbledhjen e fiseve të humbura të Izraelit (shih Rasëll M. Nelson, “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 79–82, [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 106–110). Ndonëse ato janë të humbura, nuk janë të humbura për Atin (shih 3 Nefi 17:4). Gjithashtu, është interesante kur vë re që ata nuk e kuptojnë se kishin humbur deri në çastin që gjenden, veçanërisht kur marrin bekimin e tyre patriarkal.

  3. Plaku Diter F. Uhtdorf citoi Shën Françeskun e Asisit kur tha: “Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe nëse është e nevojshme, përdorni fjalët” (“Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Liahona, maj 2011, f. 77; shih edhe William Fay dhe Linda Evans Shepherd, Share Jesus without Fear [1999], f. 22).

  4. Moroni 10:4–5.

  5. Historia e kthimit në besim e paraardhësve tanë është edhe vetë historia jonë. Plaku Uilliam R. Uolker dha mësim: “Do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme do t’i njihte historitë e kthimit në besim të paraardhësve të tyre.” (“Jeto i Vërtetë ndaj Besimit”, Liahona, maj 2014, f. 97). Kështu që, të gjithë ne në njëfarë mënyre jemi gjetur drejtpërdrejt ose nëpërmjet paraardhësve tanë, falë Atit tonë Qiellor, i cili e njeh mbarimin që nga fillimi (shih Abraham 2:8).

  6. Parathënia e Librit të Mormonit; shih edhe Alma 31:5.

  7. 2 Nefi 25:23, 26.

  8. Alma 31:5.

  9. Shih Alma 32:28.

  10. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 62.

  11. Shih 3 Nefi 5:20.