2010–2019
Dy Urdhërimet e Mëdha
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Dy Urdhërimet e Mëdha

Ne duhet të përpiqemi t’i zbatojmë që të dy urdhërimet e mëdha. Që ta bëjmë këtë gjë, ne ecim nëpër një vijë të hollë ndarëse midis ligjit dhe dashurisë.

Motrat e mia të dashura në ungjillin e Jezu Krishtit, ju përshëndet ju si kujdestaret e caktuara në mënyrë hyjnore për familjen e përjetshme. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka mësuar: “Kjo Kishë u rivendos në mënyrë që familjet të mund të krijohen, vulosen dhe ekzaltohen përjetësisht”1. Ai mësim ka rrjedhoja të rëndësishme për njerëzit që e përcaktojnë veten si lesbike, gej, biseksualë ose transgjinorë, zakonisht të njohur si LGBT.2 Presidenti Nelson gjithashtu na ka kujtuar se nuk na “duhet të biem dakord gjithmonë me njëri‑tjetrin që ta duam njëri‑tjetrin”3. Këto mësime profetike janë të rëndësishme që diskutimet familjare t’u japin përgjigje pyetjeve të fëmijëve dhe rinisë. Plot lutje kam kërkuar frymëzim që t’i flas këtij publiku, sepse ju ndikoheni në mënyrë të pashoqe nga këto pyetje, të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ndikojnë te çdo familje në Kishë.

I.

Po filloj me ato që Jezusi e dha mësim se ishin dy urdhërimet e mëdha.

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde’.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”4

Kjo do të thotë se ne urdhërohemi ta duam çdo njeri, pasi shëmbëlltyra e Jezusit për Samaritanin e mirë na mëson se çdo njeri është i afërmi ynë.5 Por zelli ynë për ta zbatuar këtë urdhërim të dytë nuk duhet të shkaktojë që ne të harrojmë të parin, ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë. Ne e tregojmë atë dashuri kur i “zbato[jmë] urdhërimet e [Tij]”6. Perëndia na kërkon që t’u bindemi urdhërimeve të Tij, sepse vetëm nëpërmjet asaj bindjeje, përfshirë pendimin, ne mund të kthehemi për të jetuar në praninë e Tij dhe mund të bëhemi të përsosur siç është Ai.

Në bisedën e tij të kohëve të fundit me të rinjtë në moshë madhore të Kishës, Presidenti Rasëll M. Nelson foli për atë që ai e quajti “lidhjen e fuqishme ndërmjet dashurisë së Perëndisë dhe ligjeve të Tij”7. Ligjet që gjejnë; zbatim në mënyrën më domethënëse ndaj çështjeve që lidhen me ata që e përcaktojnë veten si LGBT, janë ligji i Perëndisë për martesën dhe ligji shoqërues i tij për dëlirësinë. Që të dy janë thelbësorë në planin e Atit tonë në Qiell për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Siç dha mësim Presidenti Nelson: “Ligjet e Perëndisë nxiten tërësisht nga dashuria e Tij e pafundme për ne dhe nga dëshira e Tij që ne të bëhemi gjithçka që mund të bëhemi”8.

Presidenti Nelson dha mësim: “Shumë shtete … e kanë ligjëruar martesën mes të njëjtës gjini. Si anëtarë të Kishës, ne i respektojmë ligjet e tokës … , përfshirë martesën civile. Gjithsesi, e vërteta është se në fillim … martesa u shugurua nga Perëndia! Dhe deri më sot ajo përkufizohet nga Ai se është midis një burri e një gruaje. Perëndia nuk e ka ndryshuar përkufizimin e Tij për martesën.”

Presidenti Nelson vazhdoi: “Perëndia gjithashtu nuk e ka ndryshuar ligjin e Tij për dëlirësinë. Kërkesat për të hyrë në tempull nuk kanë ndryshuar.”9

Presidenti Nelson na kujtoi ne të gjithëve se “detyra jonë si Apostuj është të mos japim mësim asgjë tjetër përveç së vërtetës. Ajo detyrë nuk [u] jep [Apostujve] autoritetin që ta ndryshojnë ligjin hyjnor.”10 Prandaj, motrat e mia, udhëheqësit e Kishës gjithmonë duhet të japin mësim rëndësinë e pashoqe të martesës midis një burri e një gruaje dhe ligjin e dëlirësisë që lidhet me të.

II.

Puna e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përfundimisht lidhet me përgatitjen e fëmijëve të Perëndisë për mbretërinë çelestiale dhe në mënyrën më të veçantë për lavdinë e saj më të lartë, ekzaltimin ose jetën e përjetshme. Ai fat më i lartë është i mundshëm vetëm nëpërmjet martesës për përjetësinë.11 Jeta e përjetshme përfshin fuqitë krijuese të qenësishme në lidhjen e mashkullit dhe të femrës12 – gjë që zbulesa moderne e përshkruan si “vazhdimësi[në] e farës përherë e përgjithmonë”13.

Në bisedën e tij drejtuar të rinjve në moshë madhore, Presidenti Nelson dha mësim: “Veprimi në përputhje me ligjet e Perëndisë do tʼju mbajë të sigurt teksa përparoni drejt ekzaltimit përfundimtar”14 – kjo është që të bëhemi si Perëndia, me jetën e ekzaltuar dhe potencialin hyjnor të Prindërve tanë Qiellorë. Ky është fati që e dëshirojmë për të gjithë njerëzit që i duam. Për shkak të asaj dashurie, ne nuk mund të lejojmë që dashuria jonë të zëvendësojë urdhërimet, planin dhe veprën e Perëndisë, të cilat e dimë se do t’u sjellin njerëzve që i duam, lumturinë e tyre më të madhe.

Por ka shumë njerëz që i duam, përfshirë disa që e kanë ungjillin e rivendosur, të cilët nuk besojnë tek urdhërimet e Perëndisë rreth martesës dhe ligjit të dëlirësisë ose të cilët zgjedhin të mos i ndjekin ato urdhërime. Po ata?

Doktrina e Perëndisë tregon se ne të gjithë jemi fëmijët e Tij dhe se Ai na ka krijuar që të kemi gëzim.15 Zbulesa moderne na mëson se Perëndia ka siguruar një plan për një ekzistencë në vdekshmëri, në të cilën të gjithë mund të zgjedhin bindje për t’i kërkuar bekimet e Tij më të larta ose të bëjnë zgjedhje që çojnë drejt njërës prej mbretërive më pak të lavdishme.16 Për shkak të dashurisë së madhe të Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij, ato mbretëri më të ulëta janë gjithsesi më të mrekullueshme sesa mund t’i kuptojnë njerëzit e vdekshëm.17 Shlyerja e Jezu Krishtit e bën gjithë këtë të mundur, sepse Ai “përlëvdon Atin dhe i shpëton gjithë veprat e duarve të tij18.

III.

Kam folur për urdhërimin e parë, por çfarë të them për të dytin? Si mund ta zbatojmë urdhërimin për t’i dashur të afërmit tanë? Ne përpiqemi t’i bindim anëtarët tanë se ata që ndjekin mësimet dhe veprimet e lesbikeve, gejve, biseksualëve ose transgjinorëve duhet të trajtohen me dashurinë që Shpëtimtari ynë na urdhëron ta tregojmë ndaj të gjithë të afërmve tanë. Si rrjedhojë, kur martesa mes së njëjtës gjini u shpall e ligjshme, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetë shpalli: “Ungjilli i Jezu Krishtit na mëson t’i duam dhe t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me mirësi dhe njerëzi – edhe kur nuk jemi dakord. Ne pohojmë se ata që përfitojnë nga ligjet ose vendimet e gjykatave që autorizojnë martesën mes së njëjtës gjini, nuk duhet të trajtohen pa respekt.”19

Për më tepër, ne kurrë nuk duhet tʼi përndjekim ata që nuk kanë të njëjtat besime dhe zotime si ne.20 Është për të ardhur keq që disa njerëz që përballen me këto çështje, vazhdojnë të ndihen si të lënë mënjanë dhe të papranuar nga disa anëtarë dhe udhëheqës në familjet, lagjet dhe kunjet tona. Ne të gjithë duhet të përpiqemi fort që të jemi më të mirësjellshëm dhe më të njerëzishëm.

IV.

Për arsye që nuk i kuptojmë, ne kemi sfida të ndryshme në përvojat tona në vdekshmëri. Por vërtet e dimë se Perëndia do ta ndihmojë secilin prej nesh që t’i mposhtë këto sfida nëse me çiltërsi e kërkojmë ndihmën e Tij. Pas vuajtjes dhe pendimit për shkeljet e ligjeve të Perëndisë që na janë mësuar, ne të gjithë kemi fat një mbretëri lavdie. Gjykimi përfundimtar dhe i fundit do të bëhet nga Zoti, i cili është i vetmi që ka diturinë, urtësinë dhe hirin e kërkuar për ta gjykuar secilin prej nesh.

Ndërkohë, ne duhet të përpiqemi t’i zbatojmë që të dy urdhërimet e mëdha. Që ta bëjmë këtë gjë, ne ecim nëpër një vijë të hollë ndarëse midis ligjit dhe dashurisë – zbatimit të urdhërimeve dhe ecjes në shtegun e besëlidhjeve, ndërkohë që i duam të afërmit tanë përgjatë udhës. Kjo ecje kërkon prej nesh që të kërkojmë frymëzim hyjnor se çfarë të mbështetim dhe çfarë të kundërshtojmë, dhe për mënyrën se si të duam e të dëgjojmë me respekt dhe të japim mësim në këtë proces. Ecja jonë kërkon që ne të mos bëjmë kompromis me urdhërimet, por të tregojmë një përmasë të plotë të të kuptuarit dhe dashurisë. Ecja jonë duhet të tregojë vëmendje ndaj fëmijëve që nuk janë të sigurt për orientimin e tyre seksual, por nuk e nxit etiketimin e parakohshëm ngaqë, në shumicën e fëmijëve, një pasiguri e tillë pakësohet shumë me kalimin e kohës.21 Ecja jonë e kundërshton përpjekjen për t’i larguar njerëzit nga shtegu i besëlidhjeve dhe ia mohon mbështetjen çdokujt që i udhëheq njerëzit larg nga Perëndia. Në gjithë këtë, ne mbajmë mend se Perëndia premton shpresë, gëzim dhe bekime përfundimtare për të gjithë ata që i zbatojnë urdhërimet e Tij.

V.

Nënat e baballarët dhe ne të gjithë jemi përgjegjës që t’i japim mësim që të dy urdhërimet e mëdha. Për gratë e Kishës, Presidenti Spenser W. Kimball e përshkroi atë detyrë në këtë profeci të madhërishme: “Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të vijë ngaqë shumë prej grave të mira të botës … do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë deri në atë masë që gratë e Kishës të pasqyrojnë drejtësi e aftësi shprehëse në jetën e tyre dhe deri në atë masë që gratë e Kishës të shihen si të dallueshme e të ndryshme … nga gratë e botës. … Pra do të ndodhë që shembujt e grave të Kishës do të jenë një forcë thelbësore si në rritjen numerike, edhe atë shpirtërore të Kishës në ditët e fundit.”22

Duke folur për atë profeci, Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli se “dita të cilën e parashikoi Presidenti Kimball, është sot. Ju jeni gratë që ai parashikoi!”23 Ne që e dëgjuam atë profeci 40 vjet më parë, nuk e kuptuam se mes njerëzve që gratë e kësaj Kishe mund të shpëtojnë, do të jenë miqtë dhe familjet e tyre të dashura, që aktualisht po ndikohen nga përparësitë e botës dhe mashtrimet djallëzore. Lutja dhe bekimi im është që ju do të jepni mësim dhe veproni që ta përmbushni atë profeci, në emrin e Jezu Krishtit, amen.