Mbështetjate Vetja
Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta


Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta

Diskutimi i Sotëm:

Buxheti

Lexoni:Përgëzime për mbledhjen e buxhetit! Buxheti mund të jetë një mjet i fuqishëm për të kontrolluar situatën tuaj financiare dhe për të ulur stresin në jetën tuaj. Në shkrimet e shenjta ne mësojmë se “e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (DeB 93:24).

Diskutoni:Si mund të zbatohet ky varg nga Doktrina e Besëlidhjet për financat tuaja dhe përdorimin e një buxheti?

Lexoni:Dijenia se cila është vërtet gjendja financiare e familjes tuaj, është thelbësore për kujdestarinë e suksesshme financiare. Plaku Jozef B. Uirthlin dha mësim: “Ata që jetojnë brenda mundësive të tyre e dinë se sa para u vijnë çdo muaj dhe ndonëse është e vështirë, ata e disiplinojnë veten që të shpenzojnë më pak se ajo shumë” (“Earthly Debts, Heavenly Debts”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 42).

Të qëndrosh brenda buxhetit mund të jetë e vështirë. Ajo kërkon zotim, disiplinë dhe këmbëngulje – mund të nevojiten përpjekje të shumta për ta bërë siç duhet! Ndërsa përpiqeni t’i ndryshoni sjelljet tuaja për shpenzimet, kujtoni që të këshilloheni me Zotin dhe bashkëshortin/en tuaj ose një partner përgjegjës. Me përpjekje të vazhdueshme dhe përkrahje dashamirëse, ju mund të bëheni më shumë si fëmijët që pritën gjatë eksperimentit me bonbone (e diskutuar në kapitullin e kaluar).

Diskutoni:Si mund të na ndihmojë Zoti të zhvillojmë cilësi si të Krishtit, duke përfshirë vetëdisiplinimin dhe zellin?

Lexoni:Sot do të diskutojmë katër parime për të qëndruar brenda buxhetit.

  1. Vendosni synime financiare reale e shtytëse.

  2. Gjeni një sistem plani financiar dhe përdoreni atë.

  3. Jini përgjegjës për veten.

  4. Kërkoni ndihmën e Zotit dhe vazhdoni të përpiqeni!

1. Vendosni Synime Financiare Reale e Shtytëse

Lexoni:Vendosja e synimeve është një mjet i fuqishëm që na ndihmon të zhvillojmë dhe të mbajmë një këndvështrim afatgjatë.

Plaku M. Rasëll Ballard dha mësim: “Më lejoni t’ju tregoj diçka rreth vendosjes së synimeve. Unë jam plotësisht i bindur se në qoftë se ne nuk vendosim synime në jetën tonë dhe nuk mësojmë si ta përvetësojmë teknikën e të jetuarit për t’i arritur synimet tona, mund të arrijmë në një moshë të vjetër dhe të hedhim vështrimin pas në jetën tonë veç për të parë se kemi arritur vetëm një pjesë të vogël të potencialit tonë të plotë. Kur një njeri mëson ta përvetësojë parimin e vendosjes së një synimi, atëherë ai do të jetë në gjendje të bëjë një ndryshim madhor në rezultatet që arrin në këtë jetë” (“Do Things That Make a Difference”, Ensign, qershor 1983, f. 69–70).

    Diskutoni:
  • Si ju kanë ndihmuar synimet të përparoni në të kaluarën?

  • Në ç’mënyrë është vendosja e synimeve një vepër besimi?

Lexoni:Është e rëndësishme të vendosim synime financiare që janë si reale dhe shtytëse. Gjatë disa kapitujve të tjerë, ne do të mësojmë rreth shumë synimeve dhe përparësive financiare, duke përfshirë mbledhjen e një fondi njëmujor për raste të ngutshme, daljen nga borxhi, mbledhjen e një fondi afatgjatë për raste të ngutshme, investimin për pensionin dhe kursimin për shpenzime të tjera të vlefshme. Veprimtaria në vijim do t’ju ndihmojë të përcaktoni se cila nga këto duhet të jetë prioriteti juaj aktual financiar.

Lexoni:Ju mund të zgjidhni të punoni për synime të tjera afatgjate përveç përparësisë suaj aktuale financiare, që mund të përfshijë kursimin për arsimin, një mision, një makinë, një shtëpi ose pushime familjare apo shpenzime për veprimtari të tjera. Do të ketë shumë tundime për të zgjedhur këndvështrimin afatshkurtër mbi këndvështrimin afatgjatë. Synimet mund t’ju japin një arsye për të thënë “jo” duke ju dhënë diçka për të parë drejt së ardhmes.

Diskutoni:Çfarë ju jep shtysë juve personalisht që të dëshironi të qëndroni brenda buxhetit tuaj?

2. Gjeni një Sistem Plani Financiar dhe Përdoreni Atë

Lexoni:Ka shumë mjete dhe sisteme në dispozicion që t’ju ndihmojnë për administrimin e buxhetit dhe për kontrollimin e shpenzimeve tuaja. Sistemet e efektshme për planin financiar variojnë nga sisteme të thjeshta me laps e letër tek telefonat celularë dhe programet kompjuterike.

Ka dy mënyra kryesore për të paguar për të mira materiale dhe shërbime: me të holla në dorë ose pagesa elektronike. Secila nga këto metoda të përgjithshme ka të mirat dhe të këqijat e veta dhe do të ndikojë te mënyra se si ju e administroni buxhetin tuaj dhe i kontrolloni shpenzimet tuaja. Te disa pjesë të tjera, ne do të shqyrtojmë dy sisteme të zakonshme për planin financiar. Një nga zotimet tuaja të kësaj jave do të jetë të gjeni sistemin e duhur për vete.

Shihni:“The Envelope System” [“Sistemi me Zarf”], në dispozicion te srs.lds.org/videos. (Nuk keni material filmik? Lexoni faqen 83.)

Pamja
ikona e materialit filmik

Shihni:“Digital Systems” [“Sistemet Dixhitale”], në dispozicion te srs.lds.org/videos. (Nuk keni material filmik? Lexoni faqen 84.)

Pamja
ikona e materialit filmik

Lexoni:Me cilëndo metodë, sigurohuni që ju:

  • Të mos mashtroni duke e ndryshuar shumën e vendosur nga ju apo t’i merrni hua nga kategoritë e tjera. Të këshilloheni me bashkëshortin/en tuaj ose partnerin përgjegjës nëse nevojiten rregullime.

  • T’i kontrolloni mirë të gjitha shpenzimet dhe t’i rregulloni kategoritë e buxhetit tuaj muajin tjetër sipas nevojës.

3. Jini Përgjegjës për Veten

Lexoni:Ju mund t’ia dilni mbanë që të qëndroni brenda buxhetit vetëm duke qenë përgjegjës për veten. Këshilli juaj i përjavshëm familjar mund të shërbejë si një mënyrë për t’i shqyrtuar synimet dhe buxhetin tuaj dhe për të bërë rregullime nëse është e nevojshme. Nëse e keni të vështirë që të jeni përgjegjës për veten, do të ishte gjë me mend t’ia raportonit përparimin tuaj dikujt tjetër – një miku, partnerit në veprim, këshilluesit ose këshilltarit financiar. Gjëja e rëndësishme është që ju të gjeni kohë për ta vlerësuar vazhdimisht përparimin tuaj dhe që të bëni ndryshime sipas nevojës.

Diskutoni:Përse është e rëndësishme që të jeni përgjegjës për veten? Si do të jeni përgjegjës për veten ndaj buxhetit tuaj?

4. Kërkoni Ndihmën e Zotit dhe Vazhdoni të Përpiqeni

Lexoni:Kujtoni se kujdestaria financiare me besnikëri mund t’ju kërkojë që të ndryshoni këndvështrimin, zakonet dhe sjelljet tuaja. Besimi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij do t’ju ndihmojë ta tejkaloni këtë shndërrim. Për shkak se këto ndryshime mund të çrrënjosin zakone të ngulura thellë dhe për shkak se plani financiar është një proces mësimi, ju mund të mos ia dilni hera-herës që të qëndroni brenda buxhetit tuaj.

Përveç kësaj, ju mund ta lëshoni dorën dhe të bëni blerje të rrëmbyera ose të hasni kriza financiare si humbja e punës, raste të ngutshme mjekësore ose kosto të paparashikuara për mirëmbajtjen. Ju do të mësoni se si të mblidhni një fond për raste të ngutshme dhe të përballoni kriza financiare në kapitujt e mëtejshëm por, tani për tani, është e rëndësishme të kujtoni se buxheti është i rregullueshëm dhe se për të qëndruar brenda buxhetit kërkohet këmbëngulje.

Kur të hasni pengesa te buxheti juaj, diskutojini ato në këshillin tuaj familjar dhe shqyrtojini pikat në buxhetin tuaj që kanë nevojë të rregullohen. Ndonëse mund të ndiheni i shkurajuar dhe gati për të hequr dorë nga qëndrimi brenda buxhetit, kujtoni se ju mund të vazhdoni të përpiqeni dhe duke u këshilluar me Zotin dhe duke kërkuar ndihmën e Tij, ju do të merrni fuqinë dhe aftësinë për të këmbëngulur në përpjekjet tuaja.

Diskutoni:Çfarë do të bëni kur të hasni pengesa te buxheti juaj?

Diskutoni se si të Qëndroni Brenda Buxhetit në Këshillin Tuaj Familjar

Lexoni:Për të qëndruar brenda buxhetit kërkohet unitet me bashkëshortin/en dhe me familjen tuaj. Këtë javë, diskutoni rreth sistemeve të mundshme për planin financiar që mund të përdorni dhe mënyrat se si mund ta rregulloni buxhetin kur hasni vështirësi. Përveç kësaj, diskutoni për përparësinë tuaj financiare aktuale dhe synime të tjera afatgjate dhe planet tuaja për t’i arritur ato. Ju mund të doni të përdorni përvijimin më poshtë “Model Diskutimi Në Këshillin Familjar”. Kujtoni, nëse nuk jeni i/e martuar, këshilli juaj familjar mund të përfshijë një shok/shoqe të dhomës, mik/mikeshë, pjesëtar/e të familjes ose këshillues/e.

Model Diskutimi Në Këshillin Familjar

Sigurohuni që të filloni dhe të mbaroni me një lutje për ta ftuar Shpirtin.

Pjesa 1: Shqyrtoni

  • Çfarë mund të bëni për ta përmirësuar buxhetin tuaj?

  • Cila është përparësia juaj financiare aktuale? Diskutoni për vlerësimin në faqen 76.

Pjesa 2: Planifikoni

  • Cilat janë përparësitë financiare dhe synimet tuaja afatgjate?

  • Çfarë sistemi për planin financiar do të përdorni për të mbajtur një buxhet dhe për t’i kontrolluar shpenzimet?

  • Si do t’i përmbaheni buxhetit tuaj dhe çfarë do të bëni nëse e kaloni atë?