Mbështetjate Vetja
Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta


Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta

1. Bëhuni një Kujdestar i Mençur dhe Besnik

Përsiatni:Harxhoni një minutë kohë për ta përsiatur në heshtje pyetjen vijuese dhe hidhini në letër mendimet tuaj.

  • Sa i sigurt jam për të ardhmen time financiare?

Lexoni:Te shëmbëlltyra e talentave, Krishti na mëson se ne duhet të kujdesemi për atë që na është dhënë. Zoti na lejon që të jemi rojtarë – ose kujdestarë – për dhuratat që Ai na ka dhënë. Atyre që janë besnikë ndaj dhuratave të Tij, Krishti u premton: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21).

Diskutoni:Çfarë do të thotë për ju se të gjitha gjërat i përkasin Zotit?

Lexoni:Për pjesën e kujdestarisë tonë, ne nxitemi që të jemi të zgjuar me financat tona. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim:

“Unë ju nxit … të shihni gjendjen e financave tuaja. Unë ju nxit të jeni modestë me shpenzimet tuaja; ta disiplinoni veten në blerjet tuaja që ta shmangni borxhin sa më shumë të jetë e mundur. Shlyejeni borxhin sa më shpejt që mundeni dhe çlirohuni nga skllavëria.

Kjo është pjesë e ungjillit material në të cilin ne besojmë. Zoti ju bekoftë që t’i vini shtëpitë tuaja në rregull. Nëse i keni paguar borxhet tuaja, nëse keni një rezervë, ndonëse është e vogël, atëherë, nëse stuhitë ulërijnë mbi kokën tuaj, ju do të keni strehë për [familjen] tuaj dhe paqe në zemrën tuaj” (“To the Boys and to the Men”, Ensign, nëntor 1998, f. 54).

Ndërsa përpiqeni t’i përdorni paratë tuaja me mençuri, besimi juaj në Krisht mund të rritet, duke e hapur rrugën për bekime të mëtejshme.

Diskutoni:Si ju bën kujdestarë më të mirë administrimi i financave tuaja?

Ne Mund t’i Administrojmë Financat Tona me Mençuri

Lexoni:Skema në faqen 8 – Harta e Suksesit për Kujdestarinë Financiare – ilustron parime për një administrim financiar me mençuri dhe besnikëri. Ju do t’i studioni dhe do t’i zbatoni këto parime gjatë 12 javëve të ardhshme. Gjatë gjithë këtij kursi, ju do të punoni për ta rritur besimin tuaj në Jezu Krisht, duke krijuar unitet me bashkëshortin/en tuaj dhe duke e forcuar zotimin tuaj për mbështetjen te vetja. Çdo mësim do të përqendrohet te një pjesë specifike e Hartës së Suksesit për Kujdestarinë Financiare.

Diskutoni:Lexojini me radhë pikat te Harta e Suksesit për Kujdestarinë Financiare (faqe 8). Si mund t’ju ndihmojë secila nga këto në shtegun tuaj drejt kujdestarisë së suksesshme financiare?

2. Këshillohuni me Zotin për Financat Tuaja

Lexoni:Pa dyshim sfida do të dalin teksa ju i zbatoni këto parime të kujdestarisë së suksesshme financiare. Teksa kërkoni ndihmën e bashkanëtarëve të grupit dhe kërkoni vazhdimisht ndihmën e Zotit, ju do të forcoheni për t’i mposhtur ato vështirësi. Kujtoni, Zoti e jep gjithmonë një rrugë për t’i përmbushur urdhërimet e Tij (shih 1 Nefi 3:7).

Amuleku i mësoi të varfrit mes zoramitëve: “Përgjërojuni [Zotit] për bereqetin e fushave tuaja, që ai t’ju sjellë begati. Përgjërojuni atij për tufat e fushave tuaja, që ato të mund të shtohen” (Alma 34:24–25). Ndërsa këshilloheni me Zotin rreth nevojave dhe sfidave tuaja materiale dhe punoni për të qenë të mbështetur te vetja financiarisht, Ai do t’ju bekojë dhe do t’ju forcojë.

Të këshillohesh me Zotin për financat e tua do të thotë që t’i lutesh Atit Qiellor dhe t’i kërkosh udhërrëfim rreth çështjeve financiare. Një nga zotimet tuaja të kësaj jave do të jetë që të këshilloheni me Zotin rreth financave tuaja.

Harta e Suksesit për Kujdestarinë Financiare

Pamja
grafika e hartës së suksesit për financat

3. Kontrollojini të Ardhurat dhe Shpenzimet Tuaja

Lexoni:Hapi i parë për kujdestarinë e suksesshme financiare është ta kuptoni situatën tuaj aktuale financiare. Kur merrni një kuptim më të mirë se ku i shpenzoni paratë tuaja, ju mund të planifikoni më mirë se për çfarë dëshironi t’i shpenzoni. Ju do të filloni duke kontrolluar të ardhurat dhe shpenzimet tuaja për katër javët e para të këtij kursi.

Përsiatni:Harxhoni pak minuta dhe mendoni në heshtje rreth pyetjeve të mëposhtme:

  • A e di se ku i shpenzoj paratë e mia çdo muaj?

  • A mendoj se e kam nën kontroll situatën se për çfarë i shpenzoj paratë?

Diskutoni:Çfarë sfidash mund të keni hasur kur i kontrolloni shpenzimet tuaja?

Përsiatni:Shkruajini disa mënyra për t’i mposhtur këto sfida.