Mbështetjate Vetja
Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta


Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta

Diskutimi i Sotëm:

4 Kurseni dhe Investoni për Të Ardhmen

Pamja
grafiku i shtëpisë

Harta e Suksesit për Kujdestarinë Financiare

Lexoni:Kur njerëzit dëgjojnë termin investim, ata mund të mendojnë për një sallë burse të zhurmshme dhe kaotike me njerëz që shesin aksione dhe bonde. Ndonëse mund të jetë pjesë e investimit, investimi është gjithashtu akti i dhënies së kohës, përpjekjeve ose parave për diçka dhe pritja e njëfarësoj fitimi. Në këtë kuptim, investimi është një element i mbështetjes te vetja.

Në këtë kapitull, ju do të zbuloni tri mënyra se si të investoni:

  1. Kurseni para

  2. Merreni parasysh pronësinë e shtëpisë

  3. Kërkoni të arsimoheni

1. Kurseni Para

Përsiatni:Shpenzoni dy minuta për të menduar rreth pyetjes vijuese dhe hidhini në letër mendimet tuaja: Për çfarë do të më pëlqente më shumë që të kurseja?

Lexoni:Një nga mënyrat më të lehta për të investuar është të kurseni para. Ju keni punuar që të mblidhni një fond për raste të ngutshme, duke filluar me vlerën e shpenzimeve të një muaji dhe më pas duke e mbledhur që të arrijë vlerën e shpenzimeve të tre deri gjashtë muajve. Përfytyrojini mundësitë [që do të kishit] po të vazhdoni të kurseni edhe pas krijimit të një fondi të qëndrueshëm për raste të ngutshme.

Plaku L. Tom Peri dha mësim: “Paguajini vetes një shumë të paracaktuar për ta kaluar direkt te kursimet. … Për mua është e habitshme që kaq shumë njerëz punojnë gjithë jetën e tyre për pronarin e dyqanit, qiradhënësin, kompanitë elektro-energjetike, shitësit e makinave dhe bankën e prapëseprapë mendojnë kaq pak për vetë përpjekjet e tyre saqë nuk i paguajnë asgjë vetes” (“Becoming Self-Reliant”, Ensign, nëntor 1991, f. 66).

Siç u shpjegua më parë me shembullin e kavanozit, është shumë e rëndësishme të “paguajmë për veten” së pari duke vendosur para te kursimet. Kjo do t’ju ndihmojë të krijoni një siguri financiare.

Pamja
kavanozat sipas qasjes së zakonshme
Pamja
kavanozat sipas qasjes me mbështetjen te vetja

Diskutoni:Harxhoni një minutë kohë për ta shqyrtuar përsëri shembullin me kavanozin. Çfarë është më domethënëse për ju rreth këtij shembulli? Si po e tregoni besimin me vepra duke ndjekur qasjen e mbështetjes te vetja?

2. Merreni Parasysh Pronësinë e Shtëpisë

Lexoni:Blerja e një shtëpie mund të jetë një mënyrë tjetër investimi. Pronësia e shtëpisë nuk është për këdo, sidoqoftë, dhe shpesh qiraja mund të jetë një mundësi më e mirë.

Lexoni:Për ata që po marrin parasysh pronësinë e shtëpisë, mbajini mend këto dy parime:

  • Blini një shtëpi vetëm kur dhe ku t’ju duket e përshtatshme.

  • Blini vetëm atë që mund ta përballoni lehtësisht.

Tani le të diskutojmë për disa faktorë që mund të ndikojnë te këto parime.

Diskutoni:Përse janë të rëndësishme këto pyetje që t’ia bëni vetes përpara se të blini një shtëpi?

Lexoni:Shumë njerëz blejnë një shtëpi duke përdorur një hua që quhet kredi. Kjo kredi është një borxh dhe do t’ju kërkojë interes. Nga ju pritet që të bëni pagesat mujore dhe ta shlyeni huan.

Për një qëndrueshmëri financiare afatgjate, pagesa mujore për kredinë tuaj nuk duhet ta kalojë 25 përqind të të ardhurave tuaja mujore. Përdoreni këtë si udhërrëfim për atë që mund të përballoni ta paguani, në vend të asaj që huadhënësi është i gatshëm t’jua japë hua.

Diskutoni:Çfarë do të thotë për ju të blini një shtëpi që mund ta përballoni lehtësisht?

Lexoni:Mbajeni në mendje se ka shpenzime të tjera për pronësinë e shtëpisë përveç kredisë. Kur keni në pronësi një shtëpi, ju jeni përgjegjës për mirëmbajtjen. Gjërat thyhen, vjetrohen dhe ndonjëherë kanë nevojë të zëvendësohen. Këshilluesit financiarë në përgjithësi rekomandojnë të kursehet të paktën 1 përqind e vlerës së shtëpisë suaj çdo vit për mirëmbajtje.

Dilni nga Borxhi i Kredisë

Lexoni:Siç u shpjegua më parë, një kredi është një hua – është borxh – dhe ju kushton edhe shumën e interesit. Duke përsëritur mësimet e Presidentit J. Ruben Klark, Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Secili nga krerët e familjes le të synojë të lirohet nga kredia e shtëpisë së vet” (“Prepare for the Days of Tribulation”, Ensign, nëntor 1980, f. 33). Shlyerja e kredisë sa më shpejt mund të kërkojë pak sakrificë, por sa më shpejt ta shlyeni aq më shumë para të paguara për interesin kurseni. Ka dy mënyra për ta paguar kredinë tuaj:

  • Paguani shtesë

  • Krijoni një hua afatshkurtër me një normë më të ulët interesi

Pagesa shtesë për shumën themelore mund t’ju kursejë shumë vite pagesash dhe dhjetëra mijëra dollarë interes. Për shembull, nëse keni pasur një kredi 30-vjeçare prej 150 000 dollarësh me një normë interesi 4,5 përqind, ju do të paguanit 123 610 dollarë interes gjatë gjithë kohëzgjatjes së huas. Shikoni tabelën më poshtë për të parë se sa kohë dhe para mund të kurseni duke paguar 100 ose 200 dollarë shtesë në muaj.

100 dollarë shtesë në muaj

200 dollarë shtesë në muaj

Koha e kursyer

Pothuajse 7 vjet

Pothuajse 11 vjet

Paratë e kursyera

29 715

47 462

Një mundësi tjetër për ta shlyer kredinë më shpejt, është të merrni një kredi afatshkurtër. Kreditë afatshkurtra zakonisht vijnë me norma interesi më të ulëta. Pagesa juaj mujore është më e lartë por ju do të kurseni vite pagesash dhe mijëra dollarë për interesin.

Le ta krahasojmë të njëjtën kredi si më parë, por këtë herë me një hua 15-vjeçare. Shembulli i parë ishte një kredi 30-vjeçare prej 150 000 dollarësh me një normë interesi prej 4,5 përqind. Le ta krahasojmë atë me një kredi 15-vjeçare me normë interesi prej 3,5 përqind.

Kredi 30-Vjeçare

Kredi 15-Vjeçare

Norma e interesit

4,5%

3,5%

Pagesa mujore

760

1 072

Totali i interesit të paguar

123 610

43 018

Koha për ta shlyer

30 vjet

15 vjet

Në këtë rast, një kredi 15-vjeçare do të thotë një pagesë mujore prej rreth 312 dollarë më shumë, por do t’ju kursente:

  • 15 vjet pagesa kredie.

  • Më shumë se 80 000 dollarë interes.

Diskutoni:Nga çfarë do të ishit i gatshëm të hiqnit dorë me qëllim që të paguanit shtesë për kredinë tuaj ose për të marrë një kredi afatshkurtër që të liroheshit më shpejt nga borxhi?

3. Kërkoni të arsimoheni

Lexoni:Arsimimi është një formë tjetër investimi. Zakonisht, trajnimet shtesë ose arsimimi do të kenë një kosto. Nëse do të investoni në arsimim, sigurohuni që t’ju çojë drejt një pune më të mirë, që të mund të merrni fitime të mira nga investimi juaj. Presidenti Gordon B. Hinkli këshilloi se “bota në masë të madhe do t’ju paguajë aq sa mendon se vleni dhe vlera juaj do të rritet ndërsa merrni një arsimim dhe zotësi në fushën që keni zgjedhur” (“A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Ensign, janar 2001, f. 4).

Ndonjëherë mund të jetë e përshtatshme që të hyni në borxh për të marrë një arsimim por ka edhe shumë mënyra të tjera për ta paguar shkollën. Shqyrtojini të gjitha mundësitë e tjera përpara se t’i drejtoheni borxhit. Nëse atëherë hyni në borxh për arsimimin, përpiquni ta shlyeni sa më shpejt të jetë e mundur.

Grupi i mbështetjes te vetja Arsimim për Punë më të Mirë mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për ju kur të merrni parasysh që të investoni për arsimimin.

Diskutoni:Në ç’mënyrë arsimimi është një investim për ju?

Diskutoni për Kursimin e Parave, Synimin për Pronësinë e Shtëpisë dhe Investimin për Veten nëpërmjet Arsimimit në Këshillin Tuaj Familjar

Lexoni:Një nga zotimet tuaja të kësaj jave do të jetë të diskutoni për kursimet, pronësinë e shtëpisë dhe investimin për arsimimin tuaj gjatë këshillit familjar. Diskutoni për gjërat që do të donit të kurseni, nëse duhet të merrni me qira një shtëpi apo do ta blini atë (ose si mund të filloni ta shlyeni kredinë tuaj) dhe për çfarë synimesh për arsimimin, duhet të punoni nëse ka ndonjë. Ju mund të doni të përdorni përvijimin më poshtë “Model Diskutimi Në Këshillin Familjar”.

Model Diskutimi Në Këshillin Familjar

Sigurohuni që të filloni dhe të mbaroni me një lutje për ta ftuar Shpirtin.

Pjesa 1: Shqyrtoni

  • Për çfarë do të donit të kursenit në një ditë të ardhme? Shqyrtojeni përgjigjen tuaj për pyetjen me përsiatje në faqen 167.

  • Cilat janë disa nga gjërat pozitive dhe negative për pronësinë e një shtëpie kundrejt marrjes me qira? Shqyrtojeni veprimtarinë në faqen 169.

Pjesa 2: Planifikoni

  • Si mund të kurseni për dëshirat tuaja në të ardhmen?

  • Nëse nuk keni një shtëpi në pronësi aktualisht, a duhet ta merrni parasysh ta blini një të tillë? Apo duhet të vazhdoni ta merrni me qira për momentin?

  • Nëse keni në pronësi një shtëpi aktualisht, si mund të punoni për ta paguar më shpejt kredinë tuaj? A do të jetë më e përshtatshme për situatën tuaj aktuale shitja e shtëpisë dhe marrja e saj me qira për një kohë?

  • Për çfarë lloj arsimimi ose arsimimi shtesë, nëse ka ndonjë, duhet të investoni për të pasur një punë më të mirë?