Seminari
Njësia 4: Dita 2, 1 Nefi 16


Njësia 4: Dita 2

1 Nefi 16

Hyrje

Duke ndier fuqinë e fjalëve të Nefit, vëllezërit e tij u përulën përpara Zotit. Teksa familja udhëtonte në shkretëtirë, Zoti u dha atyre Liahonën për t’i udhëhequr në udhëtimin e tyre. Familja përjetoi shumë vështirësi ndërsa udhëtonin, përfshirë humbjen e kordave të harqeve të tyre dhe thyerjen e harkut të Nefit, gjë që e kufizoi sigurimin e ushqimit. Ndërsa pjesa më e madhe e familjes mërmëriti si rezultat i kësaj humbjeje, Nefi bëri një hark të ri dhe kërkoi këshillën e Zotit se ku të shkonte për gjah. Studimi i 1 Nefit 16 ju jep mundësi që të mendoni se si mund t’i përgjigjeni si korrigjimit, ashtu edhe vuajtjes. Ashtu si Zoti e udhëhoqi familjen e Lehit përmes mundimeve të tyre, Ai do t’ju udhëheqë ju përmes sfidave në jetën tuaj, në qoftë se me përulësi e kërkoni dhe e ndiqni këshillën e Tij.

1 Nefi 16:1–6

Nefi u përgjigjet mërmëritjeve të vëllezërve të tij

A keni parë ndonjëherë dikë që të korrigjohet apo qortohet për sjellje të keqe? Si reagoi ai njeri?

Lamani dhe Lemueli u ndien të qortuar nga Nefi, kur ai u mësoi atyre se të ligjtë nuk do të pranoheshin dhe nuk do të lejoheshin të merrnin nga pema e jetës (shih 1 Nefi 15:36–16:1). Lexoni 1 Nefin 16:1–2 dhe nënvizoni çfarë tha Nefi në lidhje me mënyrën se si reagojnë disa njerëz ndaj dëgjimit të së vërtetës, kur nuk po e jetojnë atë.

Fraza “i godet ata drejt në qendër” do të thotë se zbulon fajin e tyre. Çfarë mendoni se do të thotë “fajtorët e marrin të vërtetën të jetë e rëndë”?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa gjëra që mund të bëni për të qenë të bindur, edhe kur një e vërtetë është e vështirë për t’u dëgjuar dhe “[të] godet drejt në qendër”(1 Nefi 16:2). Përse mendoni se disa të rinj e kanë të vështirë që t’u binden disa të vërtetave? Krahasojeni listën tuaj me atë që Nefi i tregoi Lamanit dhe Lemuelit te 1 Nefi 16:3–4.

Sipas 1 Nefit 16:5, si zgjodhën Lamani dhe Lemueli që t’i përgjigjeshin udhëzimit të Nefit? Cila fjalë ose frazë në këtë varg përshkruan atë që duhet të bëjmë, kur një e vërtetë na godet drejt e në qendër? Shenjojini përgjigjet e këtyre pyetjeve në shkrimet tuaja të shenjta.

1 Nefi 16:7–33

Familja e Lehit udhëhiqet nga Liahona

Pamja
Liahona

Përgjigjiuni thënieve vijuese si të vërteta (V) ose të rreme (Rr) në këtë lojë me pyetje, duke i qarkuar përgjigjet tuaja:

  • Nefi u martua me vajzën më të madhe të Ishmaelit.

  • Lehit iu dha një sferë si një busull, e quajtur Liahona.

  • Sfera e rrumbullakët kishte katër akrepa që u dhanë drejtim Lehit dhe familjes së tij.

  • Pasi familja e Lehit mori sferën, udhëtimi i tyre në shkretëtirë ishte i lehtë.

Ndërsa studioni 1 Nefin 16:7–10 dhe përmbledhjen e kapitullit, rishikoni përgjigjet tuaja për tri pyetjet e para (shih edhe Alma 37:38). Lexoni 1 Nefin 16:17–19 për të përcaktuar nëse iu përgjigjët saktësisht pyetjes së katërt. (Përgjigjet e sakta janë në fund të këtij mësimi.)

Edhe kur jemi të bindur, ne ende do të përjetojmë sprova. Shumë nga sprovat që hasim, nuk janë pasojat e bërjes së zgjedhjeve të gabuara. Më tepër, ato vijnë si rezultat i natyrshëm i jetës së vdekshme, por na japin mundësinë për të mësuar dhe për t’u rritur gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri, pikërisht siç bëri Shpëtimtari (shih DeB 122:7–8). Një nga provat tona në jetë është mënyra se si reagojmë ndaj këtyre sprovave.

Bazuar në përshkrimin e Nefit për sferën te 1 Nefi 16:10, si mund të ishte e dobishme një dhuratë e tillë për Lehin dhe familjen e tij, ndërsa udhëtuan drejt tokës së premtuar? Gjeni dhe shenjoni se si Liahona u solli të mira familjes së Lehit te 1 Nefi 16:16.

Kërkoni 1 Nefin 16:20–22 dhe përcaktoni se në ç’mënyrë reaguan disa vetë nga familja e Lehit kur Nefi theu harkun e tij. Studioni 1 Nefin 16:23–25, 30–32, duke kërkuar për reagimin e Nefit ndaj kësaj sprove. Si ndikoi te familja e tij reagimi i tij?

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa gjëra që keni mësuar, duke i krahasuar reagimet e ndryshme të Nefit dhe familjes së tij për të njëjtën sprovë?

Në vend që të ankohej, Nefi bëri një hark të ri dhe pastaj kërkoi udhëzim për të ditur ku të gjente ushqim. Shembulli i Nefit tregon se, nëse bëjmë gjithçka që mundemi dhe gjithashtu kërkojmë drejtimin e Zotit, atëherë Ai do të na ndihmojë përmes vështirësive tona.

Gjatë këtyre ngjarjeve, Zoti i shpjegoi Lehit se si vepronte Liahona. Te 1 Nefi 16:26–29, shikoni për atë që kërkohej nga Zoti për ta udhëhequr familjen e Lehit nëpërmjet Liahonës.

  1. Përfytyroni sikur po i jepni mësim një fëmije të vogël për Liahonën. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, me fjalë të thjeshta, shpjegoni se si Liahona e udhëhoqi familjen e Lehit dhe se çfarë iu desh të bënin me qëllim që ajo të vazhdonte t’i udhëhiqte ata.

  2. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si na tregon Liahona se “nëpërmjet mjeteve të vogla, Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha”? (1 Nephi 16:29).

Si edhe populli i Lehit, Zoti ju ka dhënë shumë dhurata për t’ju ndihmuar të merrni udhëheqje personale. Lexojini tri thëniet vijuese në lidhje me disa nga këto dhurata dhe përsiatni se si secila nga këto dhurata nga Zoti është e ngjashme me Liahonën.

Bekimi Patriarkal

Presidenti Tomas S. Monson iu drejtua bekimeve patriarkale si një Liahonë vetjake:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“I njëjti Zot, i cili i siguroi një Liahonë Lehit, siguron për ju dhe mua sot një dhuratë të rrallë dhe të çmuar për t’i dhënë drejtim jetës sonë, për të shenjuar rreziqet kundrejt sigurisë tonë dhe për të skicuar udhën, madje një kalim të sigurt – jo drejt një toke të premtuar, por drejt shtëpisë sonë qiellore. Dhurata për të cilën e kam fjalën, njihet si bekimi juaj patriarkal. Çdo anëtar i denjë i Kishës ka të drejtë që ta marrë një thesar të tillë, të dashur dhe të paçmuar. …

… Bekimi juaj nuk është për t’u palosur me kujdes dhe për t’u fshehur. Nuk është bërë për t’u vënë në kornizë apo për t’u botuar. Më saktë, është bërë për t’u lexuar. Është bërë për t’u dashur. Është bërë për t’u ndjekur. Bekimi juaj patriarkal do t’ju mbështetë përmes natës më të errët. Ai do t’ju udhëheqë përmes rreziqeve të jetës. … Bekimi juaj patriarkal është për ju një Liahonë vetjake, për të shënuar drejtimin tuaj dhe për të udhëhequr udhën tuaj” (“Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 65–66).

Shkrimet e Shenjta dhe Fjalët e Profetëve

Pamja
Plaku W. Ralf Ker

Plaku W. Ralf Ker, që atëherë po shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, pohoi se fjalët e Krishtit dhe të shërbëtorëve të Tij, janë një Liahonë shpirtërore: “Fjalët e Krishtit mund të jenë një Liahonë vetjake për secilin prej nesh, duke na treguar udhën. Le të mos jemi dembelë për shkak të lehtësisë së udhës. Le t’i marrim me besim fjalët e Krishtit në mendjen tonë dhe në zemrat tona, siç shënohen në shkrimin e shenjtë dhe siç shqiptohen nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë. Le të ushqehemi me fjalët e Krishtit me besim dhe zell, sepse fjalët e Krishtit do të jenë Liahona jonë shpirtërore, duke na treguar të gjitha gjërat që duhet të bëjmë” (“The Words of Christ – Our Spiritual Liahona”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 37).

Fryma e Shenjtë

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuromit të Dymbëdhjetë Apostujve, krahasoi Frymën e Shenjtë dhe Liahonën: “Kur përpiqemi t’i rendisim sjelljet dhe veprimet tona me drejtësinë, atëherë Fryma e Shenjtë bëhet për ne sot ajo që Liahona ishte për Lehin dhe familjen e tij në kohën e tyre. Pikërisht faktorët që e bënë Liahonën të punonte për Lehin, në të njëjtën mënyrë do ta ftojnë Frymën e Shenjtë në jetën tonë. Dhe pikërisht faktorët që e bënë Liahonën të mos punonte në kohët e lashta, në të njëjtën mënyrë do të na bëjnë që të largohemi nga Fryma e Shenjtë sot” (“Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 30; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 50).

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dy apo tri mënyra se si një bekim patriarkal, shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, ose Fryma e Shenjtë janë si një Liahonë.

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani një rast kur ndjekja e drejtimit të një prej burimeve të renditura më sipër, ju çoi në marrjen e udhëheqjes nga Zoti.

1 Nefi 16:34–39

Bijat e Ishmaelit vajtojnë vdekjen e tij dhe Lamani komploton për të vrarë Lehin dhe Nefin.

Te 1 Nefi 16:34–38 mësojmë se Ishmaeli vdiq pasi udhëtoi shumë ditë nëpër vendin e shkretë. Bijat e tij e vajtuan jashtëzakonisht shumë humbjen e atit të tyre dhe disa nga familja e tij mërmëritën kundër Lehit e Nefit dhe donin të ktheheshin në Jerusalem. Lamani madje komplotoi për t’i vrarë Nefin dhe Lehin. Edhe një herë, vëllezërit e Nefit treguan dobësinë dhe mosbesnikërinë e tyre, sepse ata nuk e kërkuan vullnetin e Zotit. Ata e kishin refuzuar Frymën e Shenjtë dhe ndihmën që Ai do t’u kishte dhënë atyre.

Lexoni 1 Nefin 16:39 dhe zbuloni çfarë bëri Zoti në këtë situatë. Nga ajo që mësoni në këtë varg, përse na qorton Zoti?

Zoti na udhëheq dhe na qorton për të mirën tonë. Nëse veprojmë sipas drejtimit apo qortimit që marrim nga Zoti, Ai do të na bekojë.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë kam studiuar 1 Nefin 16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

  • Përgjigjet për lojën me pyetje E Vërtetë/ E Rreme: 1) Rr, 2) V, 3) Rr, 4) Rr.