Seminari
Njësia 2: Dita 3, 1 Nefi 3–4


Njësia 2: Dita 3

1 Nefi 3–4

Hyrje

Zoti e urdhëroi Lehin që t’i dërgonte bijtë e tij sërish në Jerusalem, për t’i marrë Labanit fletët prej tunxhi. Ndërkohë që Lamani dhe Lemueli nuk e kuptuan mënyrën se si do ta përmbushnin këtë urdhër, Nefi pati besim se Zoti do të siguronte një mënyrë për ta përmbushur atë që Ai kërkoi. Pavarësisht vështirësive të përsëritura, Nefi ngulmoi me besnikëri në bërjen e asaj që Zoti kishte kërkuar. Si rezultat, ai u udhëhoq nga Shpirti i Shenjtë dhe i mori fletët me sukses. Përvoja e Nefit tregon se bindja e vazhdueshme na kualifikon për ndihmën e Zotit në situata të vështira.

1 Nefi 3:1–9, 19–20

Bijtë e Lehit kthehen në Jerusalem

A jeni përballur ndonjëherë me një situatë të vështirë dhe e keni pyetur veten se si do të zgjidhej? Mësimi i sotëm mund t’ju ndihmojë ta forconi besimin dhe vendosmërinë tuaj për të qenë i bindur, teksa përballeni me situata të vështira. Filloni duke lexuar 1 Nefin 3:1–6 dhe nënvizoni në shkrimet tuaja të shenjta urdhrin që Zoti i dha Lehit për t’u përmbushur nga bijtë e tij. Gjithashtu vini re ndryshimin në mënyrën se si Lamani dhe Lemueli reaguan ndaj urdhrit të Zotit, në krahasim me reagimin e Nefit.

Për të kuptuar vështirësinë e asaj që Zoti urdhëroi, është e dobishme të dimë se distanca nga Jerusalemi për në Detin e Kuq (Gjiri i Akabës) është rreth 290 kilometra përmes një vendi të nxehtë, të thatë, të mbushur me shumë hajdutë. Lehi dhe familja e tij kishin bërë një udhëtim treditor përtej kësaj pike (shih 1 Nefi 2:5–6) dhe tani Zoti po thoshte se bijtë e tij duhej të ktheheshin në Jerusalem. Lexoni 1 Nefin 3:7–8 dhe gjeni arsyen që dha Nefi për gatishmërinë e tij për t’iu bindur urdhrit të Zotit.

Nefi dëshmoi për parimin që nëse vërtet do të bëjmë atë që Zoti urdhëron, atëherë Ai do të përgatitë një udhë që ne ta plotësojmë atë. Ndërsa vazhdoni ta studioni 1 Nefin 3, mendoni rreth asaj se si shembulli i kurajës dhe i vendosmërisë së Nefit, mund t’ju frymëzojë të jeni më të bindur dhe të tregoni besim më të madh te Zoti. Kushtojini vëmendje të veçantë mënyrës se si reagoi Nefi ndaj vështirësive. Megjithëse Nefi do të haste vështirësi ndërsa ai dhe vëllezërit e tij përpiqeshin të merrnin fletët prej tunxhi, ai zgjodhi të mos mërmëriste (shih 1 Nefi 3:6).

Fletët prej tunxhi përmbanin “analin e judenjve” (1 Nefi 3:3), të cilat ishin shkrimet e tyre të shenjta. Ato përmbanin disa nga shkrimet dhe informacionin që aktualisht gjenden në Dhiatën e Vjetër, si edhe shkrime të tjera profetike. Lexoni 1 Nefin 3:19–20 dhe nënvizoni se çfarë përmbanin fletët prej tunxhi, që i bëri ato kaq të rëndësishme për familjen dhe pasaardhësit e Lehit.

Pamja
scripture mastery icon
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Nefi 3:7

Lexoni 1 Nefin 3:7 tri herë (ju mund të dëshironi ta ndryshoni mënyrën si e lexoni atë: me zë ose në heshtje). Mbyllini shkrimet tuaja të shenjta dhe përpiquni të shkruani përgjigje për pyetjet vijuese, pa e parë vargun:

  • Kujt po i fliste Nefi?

  • Çfarë u zotua Nefi se do të bënte?

  • Çfarë dinte Nefi se do të bënte Zoti?

Hapini shkrimet tuaja të shenjta dhe rishikoni vargun 1 Nefi 3:7 dhe përgjigjet tuaja.

Profeti Jozef Smith tha: “E bëra këtë rregullin tim: Kur Zoti urdhëron, bëje atë” (në History of the Church, 2:170). Merreni parasysh ta shkruani këtë thënie në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargut 1 Nefi 3:7.

1 Nefi 3:10–31

Labani vjedh pronën e Lehit dhe përpiqet të vrasë Nefin dhe vëllezërit e tij

Perëndia na bekon në mënyra të ndryshme kur ne u bindemi urdhërimeve të Tij. Përvoja e Nefit në marrjen e fletëve prej tunxhi e mbështet dëshminë e tij se Perëndia siguron një mënyrë që fëmijët e Tij t’i përmbushin urdhërimet e Tij (shih 1 Nefi 3:7). Përdorni tabelën e mëposhtme për të studiuar dy përpjekjet e para të bijve të Lehit për të marrë fletët prej tunxhi. Shkruajeni përgjigjen për pyetjet në kolonën për secilën orvatje, ose ju mund ta përfundoni këtë detyrë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Shënim: Në kohën e Nefit, hedhja e shortit (shih 1 Nefi 3:11) ishte një mënyrë e zakonshme për të bërë një zgjedhje. Duke hedhur short, Nefi dhe vëllezërit e tij po kërkonin udhëheqjen e Zotit për përmbushjen e urdhërimit për të marrë fletët prej tunxhi (shih Fjalët e Urta 16:33; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Short”).

Pyetje

Orvatja e Parë
(1 Nefi 3:10–18)

Orvatja e Dytë
(1 Nefi 3:21–31)

  1. Kush shkoi?

  1. Çfarë bënë ata?

  1. Si reaguan vëllezërit pasi dështoi orvatja?

  1. Pas përpjekjes së tyre të parë për të marrë fletët prej tunxhi, Nefi dhe vëllezërit e tij ishin “jashtëzakonisht të brengosur” (1 Nefi 3:14). Rishikoni 1 Nefin 3:15–16 dhe në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani se si ishte i ndryshëm reagimi i Nefit në dështimin e parë, nga ai i vëllezërve të tij.

  2. Pas përsiatjes për orvatjen e dytë (shih 1 Nefi 3:21–31), përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në çfarë mënyrash, zemërimi, mërmëritja dhe mosbesimi, na pengojnë që t’ia vëmë veshin Perëndisë?

1 Nefi 4:1–26

Nefi merr fletët prej tunxhi

Gjeni pyetjet që bënë Lamani dhe Lemueli te 1 Nefi 3:31. Nëse do të ishit Nefi, si do t’u përgjigjeshit pyetjeve të tyre? Lexoni 1 Nefin 4:1–3, duke kërkuar përgjigjet e Nefit për pyetjet e vëllezërve të tij. Si mendoni ju, përse Nefi zgjodhi shembullin e Moisiut dhe të Detit të Kuq për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre? Shkruani një frazë nga përgjigjja e Nefit ndaj vëllezërve të tij, që ju e gjeni lartësuese:

Edhe Moisiu kishte përballuar një detyrë në dukje të pamundur, kur iu tha se duhej t’i nxirrte bijtë e Izraelit nga Egjipti. Pavarësisht orvatjeve të përsëritura, ai nuk qe në gjendje ta bindte faraonin që t’i lironte izraelitët. Megjithatë, Moisiu ngulmoi në bërjen e asaj që Zoti e urdhëroi, dhe Zoti siguroi një mënyrë që ai t’i çlironte izraelitët.

Pamja
Kalimi i Detit të Kuq

Nefi e zbatoi shembullin e Moisiut për rrethanat e tij vetjake dhe ishte i sigurt se Perëndia do të përgatiste një udhë edhe për të që, në një farë mënyre, ai t’i merrte fletët prej tunxhi. Ndërsa studioni pjesën e mbetur të rrëfimit, kërkoni rezultatet e këmbënguljes dhe vendosmërisë së Nefit për të qenë i bindur pavarësisht nga pengesat fillestare.

A ju është dashur ndonjëherë të bëni diçka apo jeni ndier të frymëzuar për të bërë diçka dhe prapë të mos e dini menjëherë përse, kur dhe si? Presidenti Harold B. Li vuri re se shpesh në këto situata, ne “duam ta shohim fundin që nga fillimi”, përpara se ta ndjekim vërtet drejtimin e Zotit, dhe ai ofroi këshillën e mëposhtme: “Ti duhet të mësosh të ecësh deri te skaji i dritës dhe pastaj për pak hapa në errësirë; atëherë drita do të shfaqet dhe do të të tregojë udhën përpara teje” (cituar në Boyd K. Packer, “The Edge of the Light”, BYU Today, mars 1991, f. 23).

Lexoni 1 Nefin 4:4–7 dhe gjeni se si Nefi eci me besim në brendësi të errësirës (të panjohurës).

Çfarë është domethënëse rreth frazës “Megjithatë, vazhdova të ecja” (1 Nefi 4:7)?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani një situatë në të cilën një të riu ose të reje mund t’i kërkohet të bëjë diçka apo të mund të udhëhiqet nga Shpirti i Shenjtë për të bërë diçka dhe të mos e dijë që më parë se cili do të jetë përfundimi. Ndoshta ka një rast kur shkuat përpara me besim pa e ditur që më parë se si ose kur do t’ju ndihmonte Perëndia. Nëse është kështu, shënojeni përvojën në ditarin tuaj. Ju mund të dëshironi ta tregoni atë në klasë.

Nefi mësoi përse, kur dhe si do ta ndihmonte Zoti që të plotësonte urdhërimin për të marrë fletët vetëm pasi ai e lejoi Frymën e Shenjtë që ta drejtonte atë dhe pasi ai vendosi të shkonte përpara me besim. Lexoni 1 Nefin 4:8–26 dhe vini re se si Zoti e ndihmoi atë të merrte fletët prej tunxhi.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni arsyet që Shpirti i dha Nefit për ta vrarë Labanin (shih 1 Nefi 4:8–13).

  2. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë keni mësuar nga përpjekja e fundit e Nefit për të marrë fletët prej tunxhi, që mund t’ju ndihmojë t’ua dilni mbanë sfidave që hasni ose që do të përballoni në jetën tuaj?

Kur përballeni me çaste në jetën tuaj që nuk e dini si, përse dhe kur, kujtoni parimin që ilustron përvoja e Nefit: Kur ushtrojmë besim te Perëndia dhe përpiqemi të bëjmë atë që kërkon Ai, edhe kur nuk mund ta shohim përfundimin, Ai do të na drejtojë nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Pamja
Nefi dhe Labani

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Urdhri për të Vrarë Labanin

Profeti Jozef Smith dha mësim se është Zoti që vendos standardin për të drejtën dhe të gabuarën: “Perëndia tha: ‘Nuk do të vrasësh’ [Eksodi 20:13]; në një rast tjetër Ai tha: ‘Do të vendosësh shfarosjen’ [Ligji i Përtërirë 20:17]. Ky është parimi sipas të cilit drejtohet qeverisja e qiellit – me anë të zbulesës, të përshtatur sipas rrethanave në të cilat ndodhen bijtë e mbretërisë. Çfarëdolloj gjëje që Perëndia kërkon është e drejtë, pavarësisht se çfarë është, edhe pse mund të mos e shohim arsyen për të deri shumë kohë pasi të ndodhin ngjarjet. Nëse kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë, të gjitha gjërat e mira do të na shtohen” (në History of the Church, 5:135).

Mund të na ndihmojë të kuptojmë përse Zoti i kërkoi Nefit që ta vriste Labanin, kur marrim parasysh sa vijon: Zoti i kishte dhënë Labanit të paktën dy mundësi për t’i dhënë vullnetarisht fletët prej tunxhi, por Labani “nuk do t’i dëgjonte urdhërimet e Zotit” (1 Nefi 4:11). Labani ishte gënjeshtar e hajdut dhe kishte kërkuar të vriste Lamanin dhe të katër bijtë e Lehit, gjë e cila, nën ligjin e Moisiut, dënohej me vdekje (shih Eksodi 21:14). Zoti e dinte se ishte thelbësore për Lehin dhe pasardhësit e tij që ta kishin analin e shkrimeve të shenjta, edhe nëse duhej “të mbaro[nte] një njeri” (1 Nefi 4:13) që ajo të ndodhte.

Fletët prej tunxhi jo vetëm që i bekuan njerëzit dhe kombet e Librit të Mormonit, por gjithashtu ruajtën dhe siguruan mësimet e profetëve të lashtë për kohën tonë, kur disa nga shkrimet u kopjuan në fletët e arta prej të cilave u përkthye Libri i Mormonit (të tilla si citime nga Isaia dhe alegoria e Zenosit). Nëpërmjet Librit të Mormonit, ato mësime nga fletët prej tunxhi kanë bekuar dhe vazhdojnë të bekojnë jetën e milionave njerëzve dhe kombet e botës. Në fund të fundit, e gjithë kjo qe në rrezik kur Nefi qëndroi mbi Labanin dhe ndoqi zërin e Shpirtit.

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

Presidenti Ezra Taft Benson sugjeroi “tri prova të shkurtra” që të na ndihmojnë për t’iu shmangur të qenit të mashtruar gjatë situatave të vështira:

“1. Çfarë kanë për të thënë veprat standarde rreth saj? ‘Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë’, tha Isaia. (Isaia 8:20.) …

Ne duhet t’i studiojmë me zell shkrimet e shenjta. Me rëndësi të veçantë për ne janë Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje. …

2. Udhëzuesi i dytë është: çfarë kanë për të thënë Presidentët e ditëve të mëvonshme të Kishës lidhur me çështjen – veçanërisht Presidenti i gjallë? …

Ka vetëm një njeri mbi tokë sot që flet për Kishën. (Shih DeB 132:7; 21:4.) Ai njeri është Presidenti [i Kishës]. Për shkak se ai na jep fjalën e Zotit sot, fjalët e tij kanë një rëndësi madje më të drejtpërdrejtë sesa ato të profetëve të vdekur. Kur flet nën ndikimin e Frymës së Shenjtë, fjalët e tij janë shkrim i shenjtë. (Shih DeB 68:4.) …

Presidenti mund të flasë për çfarëdo çështje që ai e ndien se është e nevojshme për shenjtorët. …

3. Prova e tretë dhe përfundimtare është Fryma e Shenjtë – prova e Shpirtit. Nëpërmjet atij Shpirti ne ‘… mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave’. (Moroni 10:5.) Kjo provë mund të jetë plotësisht frytdhënëse vetëm nëse kanalet e komunikimit të një njeriu me Perëndinë janë të pastra e të virtytshme dhe të zhbllokuara nga mëkati” (në Conference Report, tetor 1963, f. 16–17).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrës së sotme, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Nefin 3–4 dhe e kam përfunduar këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe pikëpamje shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: