2010–2019
Aftësia Shpirtërore
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Aftësia Shpirtërore

Si dishepull besnik i Jezu Krishtit, ju mund të merrni frymëzim dhe zbulesë vetjake në përputhje me urdhërimet e Tij që janë përshtatur për ju.

Teksa po largohesha nga një kamp i Të Rejave këtë verë, një e re e këndshme më dha një shënim. Në të, ajo pyeste: “Si mund ta kuptoj kur Perëndia po përpiqet të më thotë diçka?” Më pëlqen shumë pyetja e saj. Shpirtrat tanë digjen nga dëshira për një lidhje me shtëpinë tonë qiellore. Ne duam të ndihemi të nevojshëm e të dobishëm. Por me raste ne hasim vështirësi për të bërë dallimin midis vetë mendimeve tona dhe mbresave të buta të Shpirtit. Profetë, të lashtë e bashkëkohorë, kanë dhënë mësim se “nëse diçka ju fton dhe ju nxit të bëni mirë, ajo vjen nga Krishti”1.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka bërë një ftesë të thjeshtë e të fuqishme: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. … Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë.”2

Dëshira ime këtë mëngjes është t’ju flas nga zemra rreth katër mënyrave për ta rritur aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë.

1. Jini të Qëllimshëm në Krijimin e Kohës dhe të Hapësirës për ta Dëgjuar Zërin e Perëndisë

Teksa përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes që të kushtoni kohë çdo ditë për t’iu afruar zërit të Perëndisë, veçanërisht në Librin e Mormonit, me kalimin e kohës, zëri i Tij do të bëhet më i qartë e më i njohur për ju.

Në të kundërt, shpërqendrimet dhe zhurma që mbushin botën dhe shtëpitë tona e jetën tonë, mund të na e bëjnë më të vështirë për ta dëgjuar zërin e Tij. Këto shpërqendrime mund të na e pushtojnë kaq shumë mendjen dhe zemrën, sa nuk lëmë vend për nxitjet e buta të Frymës së Shenjtë.

Profeti Jozef Smith dha mësim se më shpesh Perëndia ia zbulon Veten “individë[ve] në mënyrë vetjake, në dhomën e tyre; në shkretëtirë apo fusha dhe kjo në përgjithësi pa zhurmë ose gurgule”3.

Satani do të na shkëpusë nga zëri i Perëndisë duke na mbajtur jashtë atyre vendeve të qeta. Nëse Perëndia flet me një zë të qetë e të ulët, unë dhe ju duhet të afrohemi për ta dëgjuar Atë. Thjesht përfytyroni se çfarë do të ndodhte nëse do të ishim po aq të vendosur për të qëndruar të lidhur me qiellin sa jemi për të qëndruar të lidhur me valët e internetit! Zgjidhni një kohë dhe një vend dhe mbani vesh për zërin e Perëndisë çdo ditë. Dhe mbajeni këtë takim të shenjtë me përpikëri, sepse kaq shumë gjëra varen prej kësaj!

2. Veproni pa Vonesë

Kur merrni nxitje dhe më pas veproni me qëllim, Zoti mund t’ju përdorë. Sa më shumë të veproni, aq më i njohur bëhet zëri i Shpirtit. Ju gjithnjë e më shumë do ta dalloni udhërrëfimin e Perëndisë dhe se Ai është “i gatshëm … për ta zbuluar mendjen dhe vullnetin e Tij”4. Nëse vonoheni, ju mund ta harroni nxitjen ose të humbni mundësinë për ta ndihmuar dikë në emër të Perëndisë.

3. Merreni Punën Tuaj nga Zoti

Lutja që Ati Qiellor duket se pret me padurim t’i përgjigjet, është përgjërimi ynë për t’u drejtuar te dikush që ka nevojë për ndihmën tonë. Presidenti Henri B. Ajring na ka mësuar të kërkojmë zbulesë duke i kërkuar Perëndisë se kë mund të ndihmojmë në emrin e Tij. “Nëse bëni pyetje si kjo, Fryma e Shenjtë do të vijë dhe ju do të ndieni shtytje të lehta rreth gjërave që mund të bëni për njerëz të tjerë. Kur shkoni dhe i bëni ato gjëra, ju jeni në punën e Zotit dhe kur jeni në punën e Zotit, ju kualifikoheni për dhuratën e Frymës së Shenjtë.”5

Ju mund të luteni dhe t’i kërkoni Zotit për një punë [që ta kryeni]. Teksa e bëni këtë, Ai mund t’i përdorë aftësitë tuaja të zakonshme për të përmbushur veprën e Tij të jashtëzakonshme.

Pamja
Gjyshi i Motrës Krejg, Fric Lundgren

Gjyshi im, Fric Hjalmar Lundgreni, emigroi nga Suedia kur ishte 19 vjeç. Mbërriti në Amerikë i vetëm, me një valixhe dhe gjashtë vjet shkollë. Në pamundësi për të folur anglisht, ai udhëtoi drejt Oregonit dhe punoi atje si sharrëxhi dhe, më vonë, u bashkua me Kishën me gjyshen e nënën time. Ai kurrë nuk kryesoi në një lagje, por si një mësues besnik i shtëpisë, ai shkaktoi aktivizimin e më shumë se 50 familjeve të ndryshme në Kishë. Si e bëri ai atë?

Pas vdekjes së gjyshit, po kontrolloja një kuti me letrat e tij dhe gjeta një letër të shkruar nga një njeri që ishte kthyer në Kishë për shkak të dashurisë së gjyshit. Në letër shkruhej: “Sekreti i vëllait Fric, besoj, është se ai është gjithmonë duke bërë punë për Atin Qiellor.”

Kjo letër ishte nga Vëllai Uejn Simonis. Gjyshi i bëri një vizitë atij dhe u njoh me secilin pjesëtar të familjes. Më vonë, gjyshi u tha atyre se ata ishin të nevojshëm dhe i ftoi të merrnin pjesë në kishë. Por atë të diel, Vëllai Simonis u zgjua me një mëdyshje – ai nuk e kishte përfunduar vënien e çatisë së re në shtëpinë e tij dhe atë javë pritej shi. Vendosi që do të shkonte në kishë, do t’i shtrëngonte duart gjyshit, por pastaj do të largohej dhe do të shkonte në shtëpi për të përfunduar çatinë. Familja e tij mund të merrte pjesë në mbledhjen e sakramentit pa të.

Plani i tij po funksiononte mirë, derisa, mbi çati, ai dëgjoi dikë që po ngjiste shkallët. Sipas fjalëve të tij: “Kur ngrita sytë … në majë të shkallës po qëndronte Vëllai Fric. Ai thjesht më buzëqeshi fort. Fillimisht isha në siklet dhe u ndjeva si një fëmijë i vogël që kapet duke lënë orët e mësimit. Pastaj… ndjeva zemërim. [Por, Vëllai Fric thjesht] hoqi xhaketën e kostumit dhe e vari në shkallë. Teksa përvishte mëngët e këmishës së tij të bardhë, ai u kthye nga unë dhe tha: ‘Vëllai Simonis, a ke një çekiç tjetër? Kjo punë duhet të jetë shumë e rëndësishme përndryshe nuk do ta kishe lënë familjen tënde dhe, nëse është kaq e rëndësishme, dua të të ndihmoj.ʼ Ndërsa shikoja sytë e tij, pashë vetëm dashamirësi dhe dashuri si të Krishtit. Zemërimi m’u largua. … I lashë veglat atë të diel dhe zbrita shkallët pas mikut tim të mirë dhe vajta përsëri në godinën kishtare.”

Gjyshi e kishte marrë punën e tij nga Zoti dhe e dinte se duhej të kërkonte delet e humbura. Ashtu si të katër burrat që e ngritën shokun e tyre të paralizuar në një çati dhe më pas e zbritën poshtë për t’u shëruar nga Jezu Krishti6, kështu edhe puna e gjyshit e çoi atë majë një çatie. Zoti u dërgon zbulesë atyre që kërkojnë t’i ndihmojnë të tjerët.

4. Besoni dhe Mirëbesoni

Kohët e fundit, në shkrimet e shenjta lexova rreth një tjetër misionari të shkëlqyer që e mori punën e tij nga Zoti. Aaroni po mësonte mbretin e lamanitëve, i cili u çudit se përse nuk kishte ardhur edhe vëllai i Aaronit, Amoni, që t’i jepte mësim. “Dhe Aaroni i tha mbretit: Vër re, Shpirti i Zotit e ka thirrur gjetiu.7

Shpirti më foli në zemër: secili prej nesh ka një mision të ndryshëm për të kryer dhe me raste Shpirti mund të na thërrasë “gjetiu”. Ka shumë mënyra për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë si dishepuj të Jezu Krishtit që bëjnë besëlidhje e që i mbajnë besëlidhjet. Si dishepull i Tij besnik, ju mund të merrni frymëzim dhe zbulesë vetjake në përputhje me urdhërimet e Tij që janë përshtatur për ju. Ju keni misione dhe role unike për të kryer në jetë dhe do t’ju jepet udhërrëfim unik për t’i përmbushur ato.

Nefi, vëllai i Jaredit, dhe madje Moisiu, të gjithë kishin një hapësirë të madhe ujore për të kaluar – dhe secili e kaloi atë ndryshe. Nefi punoi “trarë prej druri me mjeshtëri të çuditshme”8. Vëllai i Jaredit ndërtoi barka që ishin “të puthitura sikurse një tas”9. Dhe Moisiu “ec[i] në tokë të thatë në mes të detit”10.

Secili prej tyre mori udhëzime të personalizuara, të përshtatura për ta, dhe secili mirëbesoi e veproi sipas tyre. Zoti është i vëmendshëm ndaj atyre që i binden dhe, sipas fjalëve të Nefit, “do të përgatit[ë] një udhë për [ne], që [ne] të plotësoj[m]ë gjënë, që ai [na] urdhëron”11. Vini re se Nefi thotë “një udhë” – jo “udhën”.

A i lëmë pa bërë ose i shpërfillim punët vetjake nga Zoti ngaqë Ai ka përgatitur “një udhë” të ndryshme nga ajo që presim?

Gjyshi im u udhëhoq drejt një vendi të pazakontë – veshur me kostum, në majën e një çatie, një të diel. Mirëbesojini Perëndisë që t’ju udhëheqë, edhe nëse kjo udhë duket ndryshe nga ajo që prisnit ose është e ndryshme nga të tjerat.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme vijnë në shumë forma dhe madhësi, por “të gjithë janë njësoj para Perëndisë” – “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra”, beqarë dhe të martuar, të pasur dhe të varfër, të rinj dhe të moshuar, anëtarë tërë jetën dhe të kthyer në besim kohët e fundit.12 Pavarësisht se kush jeni ose me çfarë po përballeni, ju jeni të ftuar në tryezën e Zotit.13

Teksa kërkimi dhe bërja e vullnetit të Atit bëhen kadenca e jetës suaj të përditshme, ju, natyrisht, që do të udhëhiqeni për të ndryshuar e për t’u penduar.

Programi i ri i Kishës për fëmijët dhe rininë është ndërtuar mbi bazën e të mësuarit për të kërkuar zbulesë, duke zbuluar se çfarë do Zoti që ne të bëjmë, dhe pastaj duke vepruar sipas atij udhëzimi. Secili prej nesh, pavarësisht nga mosha apo rrethanat, mund të përpiqet fort për të kërkuar, marrë dhe vepruar. Teksa e ndiqni këtë model të përjetshëm të shuguruar për kohën tonë, ju do të afroheni më shumë me Jezu Krishtin – dashurinë e Tij, dritën e Tij, drejtimin e Tij, paqen e Tij dhe fuqinë e tij shëruese e mundësuese. Dhe ju do ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për t’u bërë një mjet i përditshëm në duart e Tij për kryerjen e veprës së Tij madhështore. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.