Shkrimet e Shenjta
Moisiu 3


Kapitulli 3

(Qershor–tetor 1830)

Perëndia i krijoi të gjitha gjërat shpirtërisht përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi tokë—Ai e krijoi njeriun, mishin e parë, mbi tokë—Gruaja është një ndihmëse e përshtatshme për burrin.

1 Kështu qielli dhe toka përfunduan dhe tërë ushtria e tyre.

2 Dhe në ditën e shtatë unë, Perëndia, e përfundova veprën time dhe të gjitha gjërat që i kisha bërë; dhe u çlodhaditën e shtatë nga gjithë vepra ime dhe të gjitha gjërat që kisha bërë, u mbaruan dhe unë, Perëndia, pashë se ato ishin të mira;

3 Dhe unë, Perëndia, e bekova ditën e shtatë dhe e shenjtërova atë; ngaqë në të isha çlodhur nga gjithë vepra ime të cilën unë, Perëndia, e kisha krijuar dhe bërë.

4 Dhe tani, vini re, unë të them se këto janë brezat e qiellit dhe të tokës, kur ata u krijuan, në ditën që unë, Zoti Perëndi, bëra qiellin dhe tokën,

5 Dhe çdo bimë të fushës përpara se të ishte në tokë, dhe çdo barishte të fushës përpara se të rritej. Sepse unë, Zoti Perëndi, i krijova të gjitha gjërat, për të cilat kam folur, shpirtërisht, përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi faqen e tokës. Sepse unë, Zoti Perëndi, nuk kisha bërë të binte shi mbi faqen e tokës. Dhe unë, Zoti Perëndi, i kisha krijuar të gjithë fëmijët e njerëzve; dhe ende jo një njeri që të lëronte tokën; sepse në qiell i krijova ata dhe nuk kishte ende mish mbi tokë, as në ujë, as në ajër;

6 Por unë, Zoti Perëndi, fola dhe u ngrit avull nga toka dhe ujiti tërë faqen e tokës.

7 Dhe unë, Zoti Perëndi, formova burrin nga pluhuri i tokës dhe i fryva në vrimat e hundës frymën e jetës; dhe burri u bë një qenie e gjallë, mishi i parë mbi tokë, njeriu i parë gjithashtu; megjithatë, të gjitha gjërat u krijuan më përpara; por shpirtërisht u krijuan dhe u bënë ato sipas fjalës sime.

8 Dhe unë, Zoti Perëndi, mbolla një kopsht në lindje të Edenit dhe atje vendosa njeriun që kisha formuar.

9 Dhe nga toka bëra unë, Zoti Perëndi, të rritej çdo pemë, në mënyrë të natyrshme, që është e këndshme për shikimin e njeriut; dhe njeriu mund ta shihte atë. Dhe ajo u bë gjithashtu një shpirt i gjallë. Sepse ishte shpirtërore në ditën që unë e krijova; sepse mbetet në sferën që unë, Perëndia, e krijova, po, madje të gjitha gjërat që i përgatita për përdorimin e njeriut; dhe njeriu e pa se ishte e mirë për ushqim. Dhe unë, Zoti Perëndi, mbolla gjithashtu pemën e jetës në mes të kopshtit dhe gjithashtu pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes.

10 Dhe unë, Zoti Perëndi, bëra një lumë të dalë nga Edeni për ta ujitur kopshtin; dhe nga ai u nis dhe u nda në katër degë.

11 Dhe unë, Zoti Perëndi, e quajta të parin Pishon, dhe ai e rrethoi tërë tokën e Havilahut, ku unë, Zoti Perëndi, krijova shumë flori;

12 Dhe floriri i atij vendi ishte i mirë dhe kishte bdel e gurë të oniksit.

13 Dhe emri i lumit të dytë u quajt Gihon; po ai që rrethon tërë tokën e Etiopisë.

14 Dhe emri i lumit të tretë ishte Hidekeli; ai që rrjedh drejt lindjes së Asirisë. Dhe lumi i katërt ishte Eufrati.

15 Dhe unë, Zoti Perëndi, e mora njeriun dhe e vendosa në kopshtin e Edenit, për ta veshur dhe për ta ruajtur atë.

16 Dhe unë, Zoti Perëndi, e urdhërova njeriun: Nga çdo pemë e këtij kopshti ti mund të hash lirisht,

17 Por nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, ti nuk do të hash prej saj, megjithatë, ti mund të zgjedhësh vetë, sepse të është dhënë ty; por, kujto që unë ta ndaloj atë, sepse në ditën që do të hash prej saj, ti me siguri do të vdesësh.

18 Dhe unë, Zoti Perëndi, i thashë të Vetëmlindurit tim, se nuk ishte mirë që njeriu të ishte i vetëm; si rrjedhim, unë do të bëj një ndihmës të përshtatshëm për të.

19 Dhe nga dheu unë, Zoti Perëndi, formova çdo egërsirë të fushës dhe çdo shpend të ajrit; dhe urdhërova që ata të vinin tek Adami, për të parë se si do t’i quante ata; dhe ata ishin gjithashtu shpirtra të gjallë; sepse unë, Zoti Perëndi, fryva në ta frymën e jetës dhe urdhërova që, sidoqë Adami ta quante çdo krijesë të gjallë, ai do të ishte emri i saj.

20 Dhe Adami u vuri emra tërë bagëtisë dhe shpendëve të ajrit, dhe çdo krijese të fushës; por sa për Adamin, nuk u gjend një ndihmë e përshtatshme për të.

21 Dhe unë, Zoti Perëndi, bëra që një gjumë i thellë të binte mbi Adamin; dhe ai fjeti dhe unë mora një nga brinjët e tij dhe e mbylla mishin në vendin e saj;

22 Dhe brinjën që unë, Zoti Perëndi, ia kisha hequr njeriut, e bëra një grua dhe ia solla njeriut.

23 Dhe Adami tha: Këtë tani e di që është kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim; ajo do të quhet Grua, sepse u nxor nga burri.

24 Prandaj do të lërë një burrë babanë dhe nënën e tij dhe do të kapet pas gruas së tij; dhe ata do të jenë një mish.

25 Dhe ata që të dy ishin lakuriq, burri dhe gruaja e tij, dhe nuk kishin turp.