Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9: Ligji i së Dhjetës


Kapitulli 9

Ligji i së Dhjetës

“Dëshmia për ligjin e së dhjetës vjen nga të jetuarit e tij.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Pak përpara se Hauard W. Hanteri dhe Kler Xhefsi duhej të martoheshin, Hauardi shkoi te peshkopi i tij për të marrë një rekomandim tempulli. Ai u befasua se gjatë intervistës, peshkopi e pyeti nëse ai mund të mbante një bashkëshorte dhe familje me të ardhurat e tij. Hauardi kujtonte: “Kur i tregova se sa fitoja, ai tha se shkaku për dyshimin e tij mbi aftësinë time për mbajtjen një bashkëshorteje bazohej te shuma e së dhjetës që pata paguar”.

Deri në atë kohë, Hauardi nuk pati qenë pagues i së dhjetës së plotë ngaqë nuk e pati kuptuar rëndësinë e pagimit të një të dhjete të plotë. Ai shpjegoi: “Ngaqë babai im nuk kishte qenë anëtar i Kishës gjatë viteve të mia në shtëpi, e dhjeta nuk qe diskutuar kurrë në familjen tonë dhe unë nuk e pata shqyrtuar rëndësinë e saj”.

Hauardi tha se ndërsa ai dhe peshkopi vijuan të bisedonin, peshkopi “në mënyrën e tij të këndshme … më mësoi rëndësinë e ligjit dhe kur i thashë se këtej e tutje do të jem një pagues i së dhjetës së plotë, ai e vazhdoi intervistën dhe e çliroi ankthin tim duke plotësuar dhe nënshkruar një rekomandim tempulli”.

Kur Hauardi i tregoi Klerës për këtë përvojë, ai mësoi se ajo pati paguar gjithmonë një të dhjetë të plotë. “Ne vendosëm që do ta jetonim këtë ligj gjatë gjithë martesës sonë dhe e dhjeta do të vinte e para”, tha ai.1

Pamja
i ri duke plotësuar një mandat dhurimi

“Pagimi i së dhjetës forcon besimin, rrit shpirtshmërinë dhe aftësinë shpirtërore dhe forcon dëshminë.”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Përkufizimi i Zotit për ligjin e së dhjetës është i thjeshtë.

Ligji [i së dhjetës] deklarohet thjesht si “një [e] dhjet[a] e gjithë interesit të tyre” (DeB 119:4). Interes do të thotë përfitim, dëmshpërblim, rritje. Është rroga e një të punësuari, fitimi nga puna e një biznesi, rritja e dikujt që rrit apo prodhon ose e ardhura e një personi nga çfarëdo burimi tjetër. Zoti tha se ai është një ligj i qëndrueshëm “përgjithmonë” njësoj si në të kaluarën.2

Si të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit, [ligji i së dhjetës] është i thjeshtë nëse kemi pak besim. Zoti me një fjalë tha: “Zhvendoseni presjen dhjetore një shifër më majtas”. Ai është ligji i së dhjetës. Kaq i thjeshtë është.3

2

Ligji i së dhjetës ekzistonte qysh nga fillimi dhe vijon sot.

Përmendja e parë konkrete e fjalës “e dhjetë” në Bibël është në librin më të parë të Dhiatës së Vjetër. Abrami … u takua nga Melkizedeku, mbreti i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi. Melkizedeku e bekoi atë dhe Abrami “i dha një të dhjetën e çdo gjëje”. (Zanafilla 14:20.)

Disa kapituj më pas në po atë libër, Jakobi në Bethel bëri një betim me këto fjalë: … “Dhe nga të gjitha ato që do të më japësh, unë do të japë të dhjetën”. [Zanafilla 28:20–22.]

Përmendja e tretë është në lidhje me ligjin e Levitikut. Zoti foli nëpërmjet Moisiut:

“Çdo e dhjetë e tokës, qoftë nga prodhimet e tokës, qoftë nga pemët e drurëve, i takon Zotit; është një gjë e shenjtëruar Zotit”. (Levitiku 27:30.)

Sipas ligjit të Levitikut të dhjetat u jepeshin levitëve për mbajtjen e tyre dhe atyre u ngarkohej për shlyerje pagimi i të dhjetave mbi atë që ata kishin marrë siç tregohej nga fjalët e Zotit kur Ai udhëzoi Moisiun:

“Folu Levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t’i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës”. (Numrat 18:26.)

Kjo tregon qartë se ligji i së dhjetës ishte pjesë e ligjit levitik dhe paguhej nga të gjithë njerëzit – madje nga vetë levitët që qenë udhëzuar të paguanin të dhjetën për të dhjetat që merrnin për vete.

Ka disa që besojnë se ligji i së dhjetës ishte vetëm një institucion levitik, por historia vërteton faktin se ai ka qenë dhe është një ligj universal. Ai ishte themelor në ligjin e Moisiut. Ai pati ekzistuar qysh nga fillimi dhe gjendet në ligjin e lashtë egjiptian, në Babiloni dhe mund të gjenden gjurmë gjatë gjithë historisë biblike. Ai qe përmendur nga Profeti Amos [shih Amos 4:4] dhe nga Nehemia që ishte ngarkuar të ndërtonte muret e Jerusalemit [shih Nehemias 10:37–38; 12:44; 13:5, 12]. Pak pas kësaj Malakia filloi një detyrë edhe më të madhe për rindërtimin e besimit dhe të moralit të një kombi. Në përpjekjen e tij të jashtëzakonshme për të kundërshtuar lakminë e atyre që ishin fetarë vetëm sa për emër, ai i akuzoi për krime kundër Perëndisë.

“Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë, ju më vidhni dhe pastaj thoni: ‘Çfarë të kemi vjedhur? Të dhjetën dhe ofertat.

Mallkimi ju ka qëlluar, sepse më vidhni, po, mbarë kombi.

Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini’.” (Malakia 3:8–10.) …

Fjalët e Malakias e mbyllin Dhiatën e Vjetër me një ritheksim të ligjit të së dhjetës, duke treguar se kishte ekzistuar qysh nga fillimi dhe nuk është shfuqizuar kurrë ndonjëherë. Periudha ungjillore e Dhiatës së Re, si rrjedhim, filloi nën këtë këshillë. …

Jo shumë kohë pasi ungjilli u rivendos në këtë periudhë ungjillore, Zoti i dha zbulesë popullit të Tij nëpërmjet një profeti të ditëve të mëvonshme duke e përkufizuar ligjin … :

“Dhe pas asaj, ata që e kanë paguar të dhjetën kështu, do të paguajnë një të dhjetën e gjithë interesit të tyre çdo vit; dhe ky duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm për ta përgjithmonë, për priftërinë time të shenjtë, kështu thotë Zoti”. (DeB 119:4.)4

3

Ne japim një dhuratë dhe gjithashtu paguajmë një detyrim me të dhjetën tonë.

E dhjeta është ligji i Perëndisë për fëmijët e Tij dhe prapë pagesa është tërësisht vullnetare. Në këtë aspekt ai nuk ndryshon nga ligji i Shabatit apo nga ndonjë prej ligjeve të tjera të Tij. Ne mund të kundërshtojmë t’i bindemi ndonjërit prej tyre apo të gjithëve. Bindja jonë është vullnetare, por kundërshtimi ynë për të paguar nuk e anulon apo shfuqizon ligjin.

Nëse e dhjeta është një çështje vullnetare, a është ajo një dhuratë apo pagesë e një detyrimi? Ka një ndryshim thelbësor midis të dyjave. Dhurata është një transferim vullnetar parash apo prone pa shpërblim. Ajo është falas. Askush nuk e ka detyrimin të bëjë një dhuratë. Nëse e dhjeta është një dhuratë, ne mund të japim gjithçka që na pëlqen, kur na pëlqen ose nuk e japim fare dhuratën. Ajo do ta vinte Atin tonë Qiellor në po atë kategori si lypsarin e rrugës të cilit ne mund t’i hedhim një monedhë kur kalojmë.

Zoti ka krijuar ligjin e së dhjetës dhe për shkak se ai është ligji i Tij, ai bëhet detyrimi ynë ta respektojmë nëse e duam Atë dhe kemi dëshirë që të mbajmë urdhërimet e Tij dhe të marrim bekimet e Tij. Në këtë mënyrë ai bëhet një borxh. Njeriu që nuk e paguan të dhjetën e tij ngaqë është në borxh, duhet të pyetë veten nëse nuk është në borxh edhe te Zoti. Mësuesi tha: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”. (Mateu 6:33.)

Ne nuk mund të ecim në lindje dhe në perëndim në të njëjtën kohë. Ne nuk mund t’i shërbejmë edhe Perëndisë edhe mamonit. Njeriu që e kundërshton ligjin e së dhjetës nuk është njeriu që u përpoq vërtet t’i bindej. Sigurisht, ai kushton diçka. Ai kërkon punë dhe mendim e përpjekje për të jetuar cilindo nga ligjet e ungjillit apo cilindo nga parimet e tij. …

Mund të jetë që ne bëjmë një dhuratë dhe gjithashtu paguajmë një detyrim me të dhjetën tonë. Pagesa e detyrimit është ndaj Zotit. Dhurata është ndaj bashkëqytetarëve tanë për ngritjen e mbretërisë së Perëndisë. Nëse dikush shqyrton me kujdes kthimin në besim që bëhet nga misionarët, programin e mësimdhënies të Kishës, sistemin e mrekullueshëm të edukimit dhe programin e ndërtimit për të ngritur shtëpi adhurimi, do të arrihet një kuptim që nuk është barrë të paguash të dhjetën, por një privilegj i madh. Bekimet e ungjillit janë ndarë me shumë njerëz nëpërmjet të dhjetave tona.5

Pamja
grua duke i dhënë zarfin peshkopit

“Nuk është barrë të paguash të dhjetën, por një privilegj i madh.”

4

Një ofrim për Zotin duhet t’i kushtojë dhënësit njëfarë vlere.

Te 2 Samuelit 24:18–25 ne lexojmë se Davidi nuk do t’i bënte ofertë Zotit gjëra që nuk do t’i kushtonin asgjë. Ai pa dyshim e kuptoi se nëse dhurata nuk do t’i kushtonte dhënësit njëfarë vlere, ajo nuk do të ishte e duhura apo e përshtatshmja për të qenë një ofertë për Zotin.

Krishti tha se është më e bekuar të japësh sesa të marrësh [shih Veprat e Apostujve 20:35], dhe përsëri ka disa që do të japin vetëm nëse kjo nuk do t’u kushtonte asgjë. Kjo nuk është në pajtim me mësimet e Mësuesit, i cili tha: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten” (Mateu 16:24).

Ka disa që nuk do ta jetonin ligjin e së dhjetës për shkak të kostos. Kjo është në kundërshtim me arsyetimin e Davidit që nuk do të bënte një dhuratë për Zotin pa i kushtuar diçka. Parimet e mëdha morale që përfshihen në ligjin e së dhjetës janë anashkaluar nga ata që nuk janë pagues të së dhjetës dhe ata nuk e dinë kuptimin e ligjit dhe arsyet e tij.6

5

Pagimi i së dhjetës sjell bekime të mëdha.

Zoti e dha ligjin [e së dhjetës]. Nëse e ndjekim ligjin e Tij, ne begatohemi, por kur gjejmë një mënyrë për ta jetuar atë që ne mendojmë se është më e mira, ne ndeshemi në dështim. Ndërsa udhëtoj nëpër Kishë dhe shoh rezultatet e pagimit të së dhjetës, unë arrij në përfundimin se ajo nuk është një barrë, por një bekim i madh.7

Paguani një të dhjetë të ndershme. Ky ligj i përjetshëm, i zbuluar nga Zoti dhe i zbatuar nga besnikët që nga profetët e lashtë deri te të tashmit, na mëson ta vendosim Zotin të parin në jetën tonë. Neve mund të mos na kërkohet të sakrifikojmë shtëpitë tona apo jetën tonë, siç ishte rasti i shenjtorëve të hershëm. Ne kemi sfidën në këtë periudhë që ta kapërcejmë egoizmin tonë. Ne e paguajmë të dhjetën sepse e duam Zotin, jo sepse i kemi mjetet për ta bërë këtë. Ne mund të presim që Zoti të hapë “pragjet e qiellit” (Malakia 3:10) dhe të derdhë bekime mbi besnikët.8

Ne e ndjekim parimin e rikthimit te Zoti të një pjese të mirësisë së Tij për ne, dhe këtë pjesë e quajmë e dhjetë. E dhjeta … është tërësisht vullnetare. Ne mund ta paguajmë të dhjetën ose mund të mos e paguajmë atë. Ata që e paguajnë, marrin bekime që nuk janë të njohura për të tjerët.9

Meri Filding Smith [ishte një] nënë pioniere e pamposhtur që ishte bashkëshortja dhe e veja e Patriarkut Hajrëm Smith, vëllait të Profetit. … Një pranverë ndërsa familja hapte kavaletat e patateve, ajo i udhëzoi bijtë e saj të bënin një ngarkesë me patatet më të mira për ta çuar te zyra e të dhjetave.

Ajo u takua te shkallët e zyrës me njërin nga nëpunësit, i cili [protestoi] ndërsa djemtë filluan të shkarkonin patatet. “Vejusha Smith”, tha ai, duke kujtuar padyshim përpjekjet dhe sakrificat e saj, “është turp që ti të paguash të dhjetën”. Ai … e qortoi atë për pagimin e së dhjetës së saj dhe i tha se nuk ishte e urtë dhe e kujdesshme. …

Vejusha e imët u drejtua në lartësinë e saj të plotë dhe tha: “Uilliam, juve duhet t’ju vijë turp nga vetja. A do të më ndalonit nga marrja e një bekimi? Nëse nuk do ta paguaja të dhjetën time unë duhet të pres që Zoti t’i ndalë bekimet e Tij për mua; unë e paguaj të dhjetën time, jo sepse është ligj i Perëndisë, por sepse unë pres një bekim duke e bërë këtë. Duke e mbajtur këtë dhe ligje të tjera, unë pres të begatohem dhe të jem në gjendje të siguroj për familjen time.” (Joseph Fielding Smith, Life of Joseph F. Smith [Salt Lake City, 1938], f. 158–159.)10

Parimi i së dhjetës duhet të jetë më shumë se një përputhje matematike dhe mekanike me ligjin. Zoti i ndëshkoi farisenjtë për llogaritje mekanike të së dhjetës së barit pa e bërë këtë një çështje shpirtërore [shih Mateu 23:23]. Nëse e paguajmë të dhjetën tonë nga dashuria jonë për Zotin, me liri dhe besim të plotë, ne e zvogëlojmë largësinë tonë prej Tij dhe lidhja jonë me Të bëhet shumë vetjake. Ne lirohemi nga robëria e hollësive ligjore dhe ndikohemi nga shpirti dhe ndiejmë njësim me Perëndinë.

Pagimi i së dhjetës forcon besimin, rrit shpirtshmërinë dhe aftësinë shpirtërore dhe forcon dëshminë. Ai të jep kënaqësinë e dijes se je duke u pajtuar me vullnetin e Zotit. Ai sjell bekimet që vijnë nga ndarja me të tjerët nëpërmjet qëllimeve për të cilat përdoret e dhjeta. Ne nuk jemi në gjendje t’ia mohojmë vetes këto bekime. Ne nuk mund t’i lejojmë vetes të mos paguajmë të dhjetën tonë. Kjo ndikon te ne jo vetëm tani por edhe në përjetësi. Ajo që japim, dhe se si e japim, dhe mënyra si u përgjigjemi detyrimeve tona ndaj Zotit ka rëndësi të përjetshme.

Dëshmia për ligjin e së dhjetës vjen nga të jetuarit e tij.11

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikoni përkufizimin e ligjit të së dhjetës në pjesën 1. Çfarë është e dhjeta? Çfarë mund të mësojmë nga Presidenti Hanter rreth thjeshtësisë së ligjit të së dhjetës?

  • Çfarë idesh keni fituar nga mësimet prej Presidentit Hanter rreth historisë të së dhjetës? (Shih pjesën 2.) Përse mendoni se Presidenti Hanter donte që ne të kuptojmë se ligji i së dhjetës “ka qenë dhe është një ligj universal”?

  • Si i bëjmë të dyja edhe “japim një dhuratë dhe gjithashtu paguajmë një detyrim” me të dhjetën tonë? (Shih pjesën 3.) Si e tregon të paguarit e së dhjetës dashurinë tonë për Zotin? Si mund të arrijmë të ndiejmë se të paguarit e së dhjetës është një privilegj, jo barrë?

  • Përse duhet që një ofrim për Zotin t’i kushtojë dhënësit njëfarë vlere? (Shih pjesën 4.) Si mund të mposhtet ndonjë vështirësi apo mospëlqim për të paguar të dhjetën?

  • Rishikoni bekimet e shumta që Presidenti Hanter thotë se vijnë nga pagimi i së dhjetës (shih pjesën 5). Si i keni parë këto bekime në jetën tuaj?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Alma 13:15; DeB 64:23; 104:14–18; 119; 120; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dhjeta (Të), Dhjetë (E)”, f. 36–37

Ndihmë për Studimin

Kur lexoni së pari një kapitull, mund të ishte mirë ta lexonit shpejt ose të shihni nëntitujt për një vështrim të përgjithshëm të përmbajtjes. Mandej lexojeni kapitullin disa herë, duke ecur më ngadalë dhe duke e studiuar në thellësi. Mund të ishte mirë gjithashtu ta lexonit çdo pjesë duke pasur në mendje pyetjet e studimit. Ndërsa e bëni këtë, ju mund të zbuloni ide dhe zbatime të thella.

Shënime

  1. Në Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 80–81.

  2. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 105; shih edhe Conference Report, prill 1964, f. 35.

  3. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 105.

  4. Në Conference Report, prill 1964, f. 33–35.

  5. Në Conference Report, prill 1964, f. 35–36.

  6. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 106; shih edhe Conference Report, prill 1964, f. 33.

  7. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 105.

  8. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 105.

  9. “Dedication of Goteborg Chapel” (bisedë dhënë në Goteborg, Suedi, më 10 shtator 1967), f. 1, Church History Library, Salt Lake City.

  10. Howard W. Hunter, That We Might Have Joy (1994), f. 136–137.

  11. Në Conference Report, prill 1964, f. 36.