Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1: Jezu Krishti – Udha Jonë e Vetme për te Shpresa dhe Gëzimi


Kapitulli 1

Jezu Krishti – Udha Jonë e Vetme për te Shpresa dhe Gëzimi

“Nëse jeta jonë dhe besimi ynë përqendrohen te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, asgjë nuk mund të shkojë përherë keq.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Një temë e rëndësishme në mësimet e Presidentit Hauard W. Hanter është se paqja e vërtetë, shërimi dhe lumturia vijnë vetëm kur një person përpiqet ta njohë dhe ta ndjekë Jezu Krishtin. Presidenti Hanter dha mësim se “udha e Krishtit nuk është vetëm udha e drejtë, por në fund të fundit e vetmja udhë për te shpresa dhe gëzimi”1.

Presidenti Hanter ishte po kështu i spikatur në dëshmimin për misionin hyjnor të Shpëtimtarit. “Si një Apostull i shuguruar dhe dëshmitar i veçantë i Krishtit, unë ju jap dëshminë time solemne se Jezu Krishti është në fakt Biri i Perëndisë”, deklaroi ai. “Ai është Mesia i parashikuar në mënyrë profetike nga profetët e Dhiatës së Vjetër. Ai është Shpresa e Izraelit, për ardhjen e të cilit fëmijët e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit qenë lutur gjatë shekujve të gjatë të adhurimit të përcaktuar me kujdes. …

Është me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë që unë ndaj dëshminë time. Unë di për vërtetësinë e Krishtit sikur ta kisha parë me sytë e mi dhe ta kisha dëgjuar me veshët e mi. Unë e di gjithashtu se Shpirti i Shenjtë do të pohojë vërtetësinë e dëshmisë sime në zemrat e të gjithë atyre që dëgjojnë me besim.”2

Duke ndjerë dëshirën për të vizituar vendet ku Jezusi shërbeu, Presidenti Hanter udhëtoi për në Tokën e Shenjtë më shumë se njëzetë e katër herë. Plaku Xhejms E. Faust, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, tha se “Jerusalemi ishte si magnet për të. … Dëshira e tij që të ishte atje ku Shpëtimtari eci dhe dha mësim dukej e pangopur. Ai i donte të gjitha pamjet dhe tingujt. Ai donte veçanërisht Galilenë. Por ai donte një vend më shumë nga të gjithë. Ai gjithmonë thoshte: ‘Le të vemi te Varri në Kopsht edhe një herë të vetme, siç kemi bërë më parë’. Atje ai do të ulej dhe meditonte sikur po ndiente përmes velit që ishte mes tij dhe Shpëtimtarit.”3

Pamja
Krishti duke mbajtur një qengj

“Sa shpesh mendojmë ne për Shpëtimtarin? Sa thellë dhe sa mirënjohës dhe sa me adhurim mendojmë ne mbi jetën e Tij? Sa në qendër të jetës sonë dimë të jetë Ai?”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Ne duhet ta njohim Krishtin më mirë sesa ne e njohim tani dhe ta kujtojmë Atë më shpesh sesa e kujtojmë tani.

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme këndojnë me nderim:

Jezus, vetë mendimi për Ty

Me ëmbëlsi gjoksin ma mbush;

Por shumë më e ëmbël fytyrën Tënde të shoh

Dhe në praninë Tënde të prehem. …

Sa shpesh mendojmë ne për Shpëtimtarin? Sa thellë dhe sa mirënjohës dhe sa me adhurim mendojmë ne mbi jetën e Tij? Sa në qendër të jetës sonë dimë të jetë Ai?

Për shembull, sa nga një ditë e zakonshme, një javë pune ose një muaj i shkurtër i kushtohet “Jezus, vetë mendimi për Ty”? Ndoshta për disa prej nesh, jo mjaftueshëm.

Sigurisht jeta do të ishte më paqësore, martesat dhe familjet e sigurta do të ishin më të forta, sigurisht lagjet dhe kombet do të ishin më të sigurta e më bujare dhe më konstruktive nëse më shumë nga ungjilli i Jezu Krishtit do të mund të mbushte gjokset tona “me ëmbëlsi”.

Vetëm nëse u kushtojmë më shumë vëmendje mendimeve të zemrës sonë, unë pyet veten çfarë shprese kemi të pretendojmë gëzim më të madh, atë çmim më të ëmbël: një ditë “fytyrën [e Tij të dashur] të shoh[im] / Dhe në praninë [e Tij] të prehem[i]”.

Çdo ditë të jetës sonë dhe në çdo stinë të vitit … , Jezusi pyet secilin nga ne, siç bëri pas hyrjes së Tij ngadhënjimtare në Jerusalem shumë viteve përpara: “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?” (Mateu 22:42.)

Ne deklarojmë se Ai është Biri i Perëndisë dhe realiteti i atij fakti duhet të gjallërojë shpirtrat tanë më shpesh.4

Ne duhet ta njohim Krishtin më mirë sesa ne e njohim tani; ne duhet ta kujtojmë Atë më shpesh sesa e kujtojmë; ne duhet t’i shërbejmë Atij më trimërisht sesa i shërbejmë tani. Atëherë ne do të pimë ujë që gufon në jetë të përjetshme dhe do të hamë bukën e jetës.5

Pamja
Krishti duke mësuar një grup

“Qofshim ndjekës më të përkushtuar dhe më të disiplinuar të Krishtit. E mbajtshim gjallë në mendimet tona dhe e përmendshim emrin e Tij me dashuri.”

2

Jezusi është burimi ynë i vetëm i vërtetë i shpresës dhe gëzimit të përjetshëm.

O shpresë e çdo zemre të penduar,

O gëzim i gjithë zemërbutëve,

Për ata që bien, sa i mirë je!

Sa i mirë për ata që të kërkojnë!

Çfarë strofe e dashur për muzikë dhe ç’mesazh shprese e fiksuar në ungjillin e Krishtit! A ka ndonjë ndër ne, në çfarëdo shtrese të jetës, që nuk ka nevojë për shpresë dhe nuk ka nevojë të kërkojë për gëzim më të madh? Këto janë nevoja universale dhe dëshira të shpirtit njerëzor dhe ato janë premtimet e Krishtit për ndjekësit e Tij. Shpresa shtrihet te “çdo zem[ër e] penduar” dhe gëzimi vjen te të “gjithë zemërbutë[t]”.

Pendesa është e kushtueshme – ajo na kushton krenarinë tonë dhe pandjeshmërinë tonë, por veçanërisht na kushton mëkatet tona. Sepse, siç babai i mbretit Lamon e dinte njëzet shekuj përpara, ky është çmimi i shpresës së vërtetë. “O Perëndi”, thirri ai, “a do të më shfaqesh dhe unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur … që të mund të ngrihem së vdekuri dhe të shpëtohem në ditën e fundit”. (Alma 22:18.) Kur ne, gjithashtu, jemi të gatshëm të heqim dorë nga të gjitha mëkatet tona për ta njohur Atë dhe për ta ndjekur Atë, ne, gjithashtu, do të mbushemi me gëzimin e jetës së përjetshme.

Dhe ç’bëhet me zemërbutët? Në një botë tepër të shqetësuar për fitore me anë të frikësimit dhe që kërkon të jetë në krye, asnjë turmë e madhe populli nuk qëndron në rresht për të blerë libra që ftojnë thjesht për zemërbutësi. Por zemërbuti do të trashëgojë tokën, që është një veprim mbresëlënës – dhe e bërë pa frikësim! Herët a vonë, dhe ne lutemi më mirë herët sesa vonë, secili do të dijë se udha e Krishtit nuk është vetëm udha e drejtë, por në fund të fundit e vetmja udhë për te shpresa dhe gëzimi. Çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se butësia është më e mirë se brutaliteti, se dashamirësia është më fisnike se shtrëngimi, se zëri i butë e fashit zemërimin. Në fund, dhe madje sa më shpejt që është e mundur, ne duhet të jemi më shumë si Ai. …

Jezus, gëzimi ynë i vetëm ji,

Si shpërblimi ynë Ti do jesh;

Jezus, ji lavdia jonë tani,

Dhe në përjetësi.

Kjo është lutja ime vetjake dhe urimi im për të gjithë botën. … Unë dëshmoj se Jezusi është i vetmi burim i vërtetë gëzimi të përjetshëm, se paqja jonë e vetme e përjetshme është në Të. Unë vërtet dëshiroj që Ai të jetë “lavdia jonë tani”, lavdi të cilën secili prej nesh e dëshiron individualisht dhe çmimi i vetëm që njerëzit dhe kombet mund ta mbajnë përherë të shtrenjtë. Ai është çmimi ynë për kohën dhe përjetësinë. Çdo çmim tjetër është në fund të fundit pa dobi. Çdo formë madhështie venitet me kohën dhe shpërbëhet në gjëra të kësaj bote. Në fund, … ne nuk do të njohim gëzim të vërtetë përveç gëzimit që është në Krisht.

… Qofshim ndjekës më të përkushtuar dhe më të disiplinuar të Krishtit. E mbajtshim gjallë në mendimet tona dhe e përmendshim emrin e Tij me dashuri. U gjunjëzofshim përpara Tij me zemërbutësi dhe mëshirë. I bekofshim dhe u shërbefshim të tjerëve që ata të mund të bëjnë të njëjtën gjë.6

3

Nevoja më e madhe në të gjithë botën është një besim aktiv dhe i sinqertë te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij.

Ka nga ata që e deklarojnë se është e dalë mode të besosh në Bibël. A është e dalë mode të besosh te Perëndia, te Jezu Krishti, Biri i Perëndisë së Gjallë? A është e dalë mode të besosh te sakrifica e Tij shlyese dhe te ringjallja? Nëse është, unë e deklaroj veten si të dalë mode dhe Kishën si të dalë mode. Me thjeshtësi të madhe Mësuesi dha mësim parimet e jetës së përjetshme dhe mësimet që sjellin lumturi tek ata me besimin për të besuar. Nuk duket e arsyeshme të pretendojmë nevojën e modernizimit të këtyre mësimeve të Mësuesit. Mesazhi i Tij lidhej me parimet që janë të përjetshme.7

Në këtë epokë, si në çdo epokë përpara nesh dhe në çdo epokë që do të pasojë, nevoja më e madhe në të gjithë botën është një besim aktiv dhe i sinqertë në mësimet bazë të Jezusit të Nazaretit, Birit të gjallë të Perëndisë së gjallë. Ngaqë shumë njerëz i kundërshtojnë ato mësime, kjo është një arsye madhore përse besimtarët e sinqertë në ungjillin e Jezu Krishtit duhet të shpallin të vërtetën e saj dhe të tregojnë me anë të shembullit fuqinë dhe paqen e një jete të drejtë, fisnike. …

Si supozohet të veprojmë ne kur ofendohemi, keqkuptohemi, trajtohemi padrejtësisht apo ashpërsisht, ose bëhet mëkat ndaj nesh? Çfarë supozohet të bëjmë ne nëse jemi dëmtuar nga ata që i duam, ose nuk ngrihemi në poste të punës, ose akuzohemi në mënyrë të rremë, apo sulmohen padrejtësisht shtysat tona?

A përgjigjemi me të njëjtën mënyrë? A e përshkallëzojmë përplasjen? A i kthehemi parimit sy për sy dhe dhëmb për dhëmb, apo … arrijmë të kuptojmë se kjo në fund të fundit na lë të verbër dhe pa dhëmbë? …

Në madhështinë e jetës së Tij dhe të shembullit të mësimeve të Tij, Krishti na dha shumë këshilla me premtime të sigurta gjithmonë bashkëngjitur. Ai dha mësim me dinjitet dhe autoritet që mbushte me shpresë të edukuarit dhe të paditurit, të pasurit dhe të varfrit, të shëndoshët dhe të sëmurët.8

Përpiquni të ndërtoni një dëshmi vetjake për Jezu Krishtin dhe shlyerjen. Një studim për jetën e Krishtit dhe një dëshmi për realitetin e Tij është diçka që secili prej nesh duhet ta kërkojë. Kur arrijmë ta kuptojmë misionin e Tij dhe shlyerjen që Ai kreu, ne do të dëshirojmë të jetojmë më shumë si Ai.9

Pamja
Krishti në një barkë me Apostujt

Shpëtimtari mund të qetësojë stuhitë në jetën tonë.

4

Ndërsa ushtrojmë besim te Shpëtimtari, Ai do t’i qetësojë ujërat e trazuara të jetës sonë.

Të gjithë ne kemi parë disa stuhi të befasishme në jetën tonë. Disa prej tyre … mund të jenë të dhunshme e frikësuese dhe potencialisht shkatërrimtare. Si individë, si familje, si bashkësi, si kombe, madje si kishë, neve na kanë dalë shtrëngata të befasishme që na kanë bërë të pyetim në një mënyrë apo një tjetër: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” [Marku 4:38.] Dhe në një mënyrë apo një tjetër ne gjithmonë dëgjojmë në qetësi pas shtrëngatës: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?” [Marku 4:40.]

Asnjë nga ne nuk do të donte të mendonte se ne nuk kemi besim, por unë mendoj se qortimi i dashur i Zotit këtu është shumë i merituar. Ky Jehova i madh, tek i cili ne themi se besojmë dhe emrin e të cilit ne kemi marrë mbi vete, është Ai që tha: “Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat”. (Zanafilla 1:6.) Dhe është gjithashtu Ai që tha: “Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera”. (Zanafilla 1:9.) Për më tepër, ishte Ai që ndau Detin e Kuq, duke i lejuar izraelitët të kalojnë përmes tokës së thatë. (Shih Eksodi 14:21–22.) Sigurisht nuk duhet të jetë befasi që Ai mundi të komandonte disa faktorë natyrorë që vrundullonin mbi Detin e Galilesë. Dhe besimi ynë duhet të na kujtojë se Ai mund t’i qetësojë ujërat e trazuara të jetës sonë. …

Ne do të kemi kundërshti në jetën tonë. Unë mendoj se mund të jemi logjikshëm të sigurt për këtë. Disa prej kundërshtive do të ketë potencialin të jenë të dhunshme e dëmtuese dhe shkatërruese. Disa prej tyre mund madje të tendosin besimin tonë në një Perëndi të dashur që ka fuqinë të administrojë lehtësim në emrin tonë.

Për ato ankthe unë mendoj se Ati i ne të gjithëve do të thoshte: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?” Dhe sigurisht ai besim duhet të jetë besim për gjithë udhëtimin, gjithë përvojën, plotësinë e jetës sonë, jo thjesht rreth grimcash dhe copash e çastesh të stuhishme. …

Jezusi tha: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. (Gjoni 16:33.)10

5

Kur e përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari, ne nuk kemi nevojë të trembemi, dhe pikëllimet tona do të kthehen në gëzime.

Unë di mjaft rreth jetës suaj të zënë dhe të ethshme për të ditur se ju ndonjëherë irritoheni. Ju mund madje të pikëlloheni pak herë pas here. Unë di gjithçka rreth kësaj. …

Mesazhi im për ju sot është: “Mos ki frikë, o tufë e vogël”. Është për t’ju nxitur ju të gëzoheni në bekimet e mëdha të jetës. Është për t’ju ftuar të ndieni drithërimën e madhe të të jetuarit të ungjillit dhe dashurinë e Atit tonë në Qiell. Jeta është e mrekullueshme, madje edhe në kohë të vështira, dhe ka lumturi, gëzim dhe paqe disa herë përgjatë gjithë udhës, dhe pjesë pafund të tyre në fund të rrugës.

Sigurisht, ka plot gjëra për t’u pikëlluar – disa prej tyre gjëra shumë serioze – por kjo është arsyeja pse ne flasim me terma të ungjillit si besimi, dhe shpresa, dhe dashuria hyjnore. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, “jeta me bollëk” është e jona, dhe ne përpiqemi të theksojmë bekimet dhe mundësitë tona ndërsa përqendrohemi më pak te zhgënjimet dhe pikëllimet tona. “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë”, thotë shkrimi i shenjtë, “dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj” (DeB 90:24). Unë dua t’ju rikujtoj juve për atë premtim. …

Lutem kujtoni vetëm këtë gjë. Nëse jeta jonë dhe besimi ynë përqendrohen te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, asgjë nuk mund të shkojë përherë keq. Nga ana tjetër, nëse jeta jonë nuk përqendrohet te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij, asnjë sukses tjetër nuk mund të jetë përherë i drejtë. …

Ne të gjithë nganjëherë luftojmë me probleme shëndetësore – të tjerë e bëjnë këtë vazhdimisht. Sëmundja dhe problemet e tilla janë pjesë e barrës së vdekshmërisë. Kini besim dhe jini pozitivë. Fuqia e priftërisë është reale, dhe ka aq shumë të mira në jetë, madje edhe nëse ne luftojmë fizikisht. Është gëzim të dish se nuk do të ketë plagë apo sëmundje në Ringjallje.

Disa nga shqetësimet tona mund të vijnë në formën e tundimeve. Të tjera mund të jenë vendime të vështira që lidhen me arsimin ose karrierën apo paratë ose martesën. Cilado qoftë barra juaj, ju do ta gjeni forcën që ju duhet te Krishti. Jezu Krishti është Alfa dhe Omega, njëmend fillimi dhe mbarimi. Ai është me ne nga fillimi në fund, dhe si i tillë është më shumë se një vëzhgues në jetën tonë. …

Në qoftë mëkat vetë zgjedha nën të cilën luftojmë, mesazhi është po ai. Krishti e njeh peshën e plotë të mëkateve tona, sepse Ai e mbajti i pari. Nëse barra jonë nuk është mëkat apo tundim, por sëmundje apo varfëri ose kundërshtim, është e njëjta gjë. Ai e di. …

Ai vuajti shumë më tepër sesa mëkatet tona. Ai të cilin Isaia e quajti “njeri i dhembjeve” (Isaia 53:3; Mosia 14:3), e di përsosmërisht çdo problem nëpër të cilin kalojmë, sepse Ai zgjodhi të mbajë peshën e plotë të të gjitha shqetësimeve dhe dhimbjeve tona. …

Vëllezër dhe motra, ju keni dhe do të keni pikëllime dhe sfida të shumëllojshme, por përqafojeni jetën me gëzim dhe plot besim. Studiojini shkrimet e shenjta rregullisht. Lutuni me gjithë zemër. Bindjuni zërit të Shpirtit dhe të profetëve. Bëni gjithçka mundeni për të ndihmuar të tjerët. Ju do të gjeni lumturi të madhe duke vepruar kështu. Në disa ditë të lavdishme gjithë pikëllimet tuaja do të kthehen në gëzime.

Siç Jozef Smithi u shkroi nga qelia e tij në burgun Liberti shenjtorëve që luftonin:

Le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet [DeB 123:17; theksimi i shtuar].

[Në fjalët e Zotit drejtuar Profetit Jozef Smith:]

‘Mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë. …

Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.

Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit [DeB 6:34–37].”11

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Shqyrtoni si do t’u përgjigjeshit pyetjeve të Presidentit Hanter te pjesa 1. Si mund ta vendosim Jezu Krishtin më në qendër të jetës sonë? Si mund ta bëjmë Atë më të rëndësishëm për shtëpinë tonë? Si mund të arrijmë ta njohim Krishtin më mirë nga sa e njohim tani?

  • Çfarë “na kushton” të marrim shpresën, gëzimin dhe paqen që ofron Krishti? (Shih pjesën 2.) Kur e keni ndier shpresën, paqen dhe gëzimin që vijnë nga Shpëtimtari?

  • Përse mendoni se “nevoja më e madhe në të gjithë botën është një besim aktiv dhe i sinqertë në mësimet bazë të Jezusit të Nazaretit”? (Shih pjesën 3.) Si mund ta tregoni besimin tuaj në mësimet e Krishtit kur ndiheni “[i] ofend[uar], [i] keqkupt[uar], [i] trajt[uar] padrejtësisht ose ashpërisht, ose [është bërë] mëkat ndaj [jush]”?

  • Çfarë mund të mësojmë nga mësimet e Presidentit Hanter rreth frikës dhe besimit? (Shih pjesën 4.) Si mund të na ndihmojë besimi për ta mposhtur frikën? Mendoni mbi rastet kur Shpëtimtari ka qetësuar stuhitë në jetën tuaj ndërsa keni ushtruar besim në Të.

  • Si mund të na ndihmojë këshilla e Presidentit Hanter te pjesa 5 për “[ta] përqaf[uar] jetën me gëzim” edhe kur përjetojmë dhimbje, zhgënjime dhe sëmundje? Si mund të zhvillojmë një këndvështrim të përjetshëm? Si ju ka ndihmuar Shpëtimtari që të keni një jetë me bollëk?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 11:28–30; Gjoni 14:6; 2 Nefi 31:19–21; Alma 5:14–16; 7:10–14; 23:6; Helamani 3:35; 5:9–12; DeB 50:40–46; 93:1

Ndihmë për Studimin

“Ndërsa studioni, kushtojini vëmendje të kujdesshme ideve që ju vijnë në mendje dhe ndjenjave që ju vijnë në zemër” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 18). Shqyrtoni mbajtjen e shënimeve për mbresat që merrni, edhe nëse duken sikur nuk kanë lidhje me fjalët që po lexoni. Ato mund të jenë pikërisht gjërat që Zoti do që t’ju zbulojë.

Shënime

  1. “Jesus, the Very Thought of Thee”, Ensign, maj 1993, f. 65.

  2. “An Apostle’s Witness of Christ”, Ensign, janar 1984, f. 70.

  3. James E. Faust, “Howard W. Hunter: Man of God”, Ensign, prill 1995, f. 27.

  4. “Jesus, the Very Thought of Thee”, f. 63–64.

  5. “What Manner of Men Ought Ye to Be?” Ensign, maj 1994, f. 64; shih edhe “He Invites Us to Follow Him”, Ensign, shtator 1994, f. 5.

  6. “Jesus, the Very Thought of Thee”, f. 64–65.

  7. Shih Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 318.

  8. “The Beacon in the Harbor of Peace”, Ensign, nëntor 1992, f. 18.

  9. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 30.

  10. “Master, the Tempest Is Raging”, Ensign, nëntor 1984, f. 33–35.

  11. “Fear Not, Little Flock” (bisedë dhënë në Universitetin “Brigam Jang”, 14 mars 1989), f. 1–2, 4–5; speeches.byu.edu.