Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: Madhështi e Vërtetë


Kapitulli 11

Madhështi e Vërtetë

“Bërja e përpjekjes së vazhdueshme në gjërat e vogla në jetën e përditshme çon në madhështi të vërtetë.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Presidenti Hauard W. Hanter na mësoi që madhështia e vërtetë nuk vjen nga suksesi sipas kuptimit të botës, por nga “mijëra akte të vogla … shërbimi dhe sakrifice që përbëjnë dhënien ose humbjen nga jeta e dikujt për të tjerët dhe për Zotin”.1 Presidenti Hanter e jetoi jetën e vet sipas këtij mësimi. Në vend që të kërkonte vëmendjen ose nderimin nga të tjerët, ai kreu akte të përditshme shërbimi dhe sakrifice që shpesh nuk binin në sy.

Një shembull i shërbimit relativisht të pavënëre të Presidentit Hanter ishte kujdesi që ai i kushtoi bashkëshortes së tij ndërsa ajo luftoi me shëndetin që përkeqësohej për më se një dekadë. Në fillimet e viteve 1970, Kler Hanteri filloi të përjetonte dhimbje koke dhe humbje të kujtesës. Ajo vuajti më vonë disa goditje të vogla që ia bënë të vështirë të folurën apo përdorimin e duarve. Kur ajo filloi të kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm, Presidenti Hanter dha sa mundi ndërsa plotësonte gjithashtu përgjegjësitë e tij si Apostull. Ai rregulloi që dikush të qëndronte me Klerën gjatë ditës, por ai kujdesej për të natën.

Një hemorragji cerebrale në vitin 1981 e la Klerën të paaftë për të ecur apo për të folur. Sidoqoftë, Presidenti Hanter e ndihmonte atë herë pas here të shkëputej nga karrigia me rrota dhe e mbante fort që të mund të vallëzonin siç patën bërë vite më parë.

Pasi Klera përjetoi një hemorragji të dytë cerebrale, mjekët këmbëngulën që ajo të vendosej në një qendër përkujdesi dhe ajo qëndroi atje për 18 muajt e fundit të jetës së saj. Gjatë asaj kohe, Presidenti Hanter shkoi për ta parë atë çdo ditë, përveç kur udhëtonte për detyra të Kishës. Kur kthehej në shtëpi, ai shkonte menjëherë nga aeroporti që të ishte me të. Shumicën e kohës ajo ishte ose në gjumë të thellë ose nuk e njihte, por ai vazhdonte t’i tregonte asaj për dashurinë e tij dhe të sigurohej që ajo ishte e patrazuar.

Plaku Xhejms E. Faust, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, më vonë tha se “kujdesi i përzemërt e i dhembshur [i Presidentit Hanter] për bashkëshorten e tij Kler për më se dhjetë vjet kur ajo nuk ishte mirë, ishte përkushtimi më fisnik i një burri ndaj një gruaje që kanë parë shumë prej nesh në jetën e tyre”.2

Pasi Presidenti Hanter vdiq, një biografi te revista Ensign citonte mësimet e tij rreth madhështisë së vërtetë dhe përmblidhte se si e patën udhëhequr ato jetën e tij:

“Edhe pse një modesti plot përulësi do ta ndalonte nga bërja ndonjëherë e krahasimit, Presidenti Hanter iu përgjigj përkufizimit të tij mbi madhështinë. Madhështia e tij u zhvillua në periudhat kur ai nuk ishte me famë ndërsa bënte zgjedhje që ndryshonin jetë, për të punuar fort, për t’u përpjekur përsëri pas dështimit dhe për të ndihmuar bashkëqeniet e tij. Ato cilësi pasqyroheshin në aftësinë e tij të shquar për të arritur sukses në përpjekje aq të ndryshme si muzika, drejtësia, biznesi, marrëdhëniet ndërkombëtare, zdrukthëtaria, dhe, mbi të gjitha, të qenit një ‘shërbëtor i mirë dhe besnik’ i Zotit [Mateu 25:21]. …

Për Presidentin e katërmbëdhjetë të Kishës, plotësimi i qëllimeve të Zotit erdhi po aq me vetëmohim dhe natyrshëm sikurse punët e tij si nxënës, baba i ri, peshkop i përkushtuar dhe Apostull i palodhur. Vreshti i Zotit, siç e shihte Hauard W. Hanteri, kërkonte mirëmbajtje të vazhdueshme dhe gjithçka që Mësuesi i tij kërkonte prej tij qe që të ishte një ‘shërbëtor i mirë dhe besnik’. Këtë Presidenti Hanter e përmbushi me madhështi të vërtetë, me vëmendje të vazhdueshme ndaj shembullit të Shpëtimtarit, të cilit ai i shërbeu deri në fund.”3

Pamja
Hauard dhe Kler Hanteri

Hauard dhe Kler Hanteri

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Përkufizimi i botës për madhështinë shpesh të drejton gabim dhe mund të nxitë krahasime të dëmshme.

Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme janë të lumtur dhe u gëzohen mundësive që ofron jeta. Prapëseprapë unë jam i shqetësuar se disa midis nesh nuk janë të lumtur. Disa nga ne mendojnë se ne nuk i arrijmë pritshmëritë tona. Unë kam një shqetësim të veçantë për ata që kanë jetuar me drejtësi por mendojnë – ngaqë nuk kanë arritur në botë apo në Kishë atë që të tjerët kanë arritur – se ata kanë dështuar. Secili nga ne dëshiron të arrijë një masë madhështie në këtë jetë. Dhe përse të mos e arrijmë? Siç vërejti dikush një herë: “Ka brenda secilit prej nesh një gjigant që lufton në ankthin e rikthimit të vet në mbretërinë çelestiale”. (Shih Hebrenjve 11:13–16; DeB 45:11–14.)

Të kuptuarit se cilët jemi dhe çfarë mund të bëhemi na siguron se me Perëndinë vërtet asgjë nuk është e pamundur. Nga koha që mësojmë se Jezusi do që ne të jemi një rreze drite deri në kohën që mësojmë më plotësisht parimet bazë të ungjillit, neve na është mësuar të përpiqemi për përsosje. Nuk është e re për ne, atëherë, të flasim për rëndësinë e arritjes. Vështirësia krijohet kur pritshmëritë e fryra të botës e ndryshojnë përkufizimin e madhështisë.

Çfarë është madhështia e vërtetë? Çfarë është ajo që e bën një person të madh?

Ne jetojmë në një botë që duket se adhuron llojin e vet të madhështisë dhe krijon llojin e vet të heronjve. Një studim i kohëve të fundit mbi moshat e të rinjve tetëmbëdhjetë deri në njëzetë e katër vjeç, zbuloi se rinia e sotme parapëlqen personat “e fortë, të pavarur, triumfues” dhe se ata qartas përpiqen ta modelojnë jetën e tyre sipas “pasanikut të madh” dhe joshës. Gjatë viteve 1950, heronjtë përfshinin Uinston Çërçillin, Albert Shvajcerin, Presidentin Hari Truman, Mbretëreshën Elizabet dhe Helen Kellerin – shkrimtaren dhe lektoren e verbër dhe shurdhe. Këto ishin figura që ose ndihmuan në formimin e historisë ose u shquan për jetën e tyre frymëzuese. Sot, shumë nga dhjetë heronjtë kryesues janë yje filmash dhe argëtues të tjerë, gjë që tregon ndryshim në qëndrimet tona. (Shih U.S. News & World Report, 22 prill 1985, f. 44–48.)

Është e vërtetë që heronjtë e botës nuk kujtohen shumë gjatë në mendjen e publikut; por, gjithsesi, nuk ka kurrë mungesë fitimtarësh dhe triumfuesish të mëdhenj. Ne dëgjojmë thuajse çdo ditë për sportistë që thyejnë rekorde; shkencëtarë që shpikin pajisje të reja të mrekullueshme, makineri dhe procese; dhe mjekë që shpëtojnë jetë me mënyra të reja. Ne vazhdimisht ndodhemi përpara muzikantësh dhe zbavitësish jashtëzakonisht të talentuar dhe artistëve, arkitektëve dhe ndërtuesve me talente të pazakonta. Revista, afishe dhe reklama televizive na bombardojnë me portrete individësh me dhëmbë të përsosur dhe paraqitje fizike të përkryer, me rroba të modës dhe duke bërë gjithçka që bëjnë njerëzit “e suksesshëm”.

Ngaqë ndodhemi vazhdimisht përpara përkufizimit sipas botës të madhështisë, është e kuptueshme se ne bëjmë krahasime midis asaj çka jemi dhe asaj që të tjerët janë – ose duket të jenë – dhe gjithashtu midis asaj që kemi dhe asaj që të tjerët kanë. Edhe pse është e vërtetë se bërja e krahasimeve mund të jetë e dobishme dhe mund të na nxitë të përmbushim shumë të mira dhe të përmirësojmë jetën tonë, ne shpesh lejojmë krahasime të padrejta dhe të papërshtatshme të na i shkatërrojnë lumturinë tonë kur ato na bëjnë të ndihemi të paplotësuar ose të papërshtatshëm apo të pasuksesshëm. Ndonjëherë, për shkak të këtyre ndjenjave, ne drejtohemi te gabimet dhe jetojmë me dështimet tona ndërsa shpërfillim aspekte të jetës sonë që mund të përmbajnë elementë të madhështisë së vërtetë.4

Pamja
burrë duke ndihmuar një grua të moshuar

“Madhështi[a e] vërtetë [vjen nga] mijëra akte dhe detyra të vogla shërbimi dhe sakrifice që përbëjnë dhënien ose humbjen nga jeta e dikujt për të tjerët dhe për Zotin.”

2

Bërja e përpjekjes së vazhdueshme në gjërat e vogla në jetën e përditshme çon në madhështi të vërtetë.

Në vitin 1905, Presidenti Jozef F. Smith bëri këtë deklaratë shumë të thellë për madhështinë e vërtetë:

“Ato gjëra që ne i quajmë të jashtëzakonshme, të mrekullueshme apo të pazakonta mund të kujtohen në histori, por ato nuk përfaqësojnë jetën reale.

Në fund të fundit, të bësh mirë ato gjëra që Perëndia i krijoi që normalisht të bëhen nga i gjithë njerëzimi, është madhështia më e vërtetë. Të jesh baba i suksesshëm apo nënë e suksesshme është më madhështore sesa të jesh gjeneral i suksesshëm apo shtetar i suksesshëm.” (Juvenile Instructor, 15 dhjetor 1905, f. 752.)

Kjo deklaratë ngre një pyetje: Cilat janë gjërat që Perëndia i krijoi që “normalisht të bëhen nga i gjithë njerëzimi”? Sigurisht ato përfshijnë gjërat që duhet të bëhen me qëllim që të jesh baba i mirë apo nënë e mirë, bir i mirë ose bijë e mirë, student i mirë ose shok dhome i mirë apo fqinj i mirë.

… Bërja e përpjekjes së vazhdueshme në gjërat e vogla në jetën e përditshme çon në madhështi të vërtetë. Konkretisht, janë mijëra akte dhe detyra të vogla shërbimi dhe sakrifice që përbëjnë dhënien ose humbjen nga jeta e dikujt për të tjerët dhe për Zotin. Ato përfshijnë fitimin e një njohurie për Atin tonë në Qiell dhe ungjillin. Ato përfshijnë gjithashtu sjelljen e të tjerëve në besim dhe në shoqëri të mbretërisë së Tij. Këto gjëra zakonisht nuk tërheqin vëmendjen apo nderimin e botës.5

3

Profeti Jozef ishte i interesuar për detyrat e përditshme të shërbimit dhe kujdesit për të tjerët.

Jozef Smithi në përgjithësi nuk mbahet mend si gjeneral, kryebashkiak, arkitekt, botues apo kandidat për president. Ne e kujtojmë atë si profet të Rivendosjes, një burrë të angazhuar për të dashur Perëndinë dhe për të çuar përpara punën e Tij. Profeti Jozef ishte një i krishterë i zakonshëm. Ai ishte i interesuar për gjërat e vogla, detyrat e përditshme të shërbimit dhe kujdesit për të tjerët. Kur ishte një djalë trembëdhjetëvjeçar, Lajmën O. Litëllfilldi shoqëronte kampin e Sionit, që shkoi deri në Misuri. Ai më vonë tregoi këtë ngjarje mbi një akt të vogël shërbimi, por prapë personalisht të rëndësishëm në jetën e Profetit:

“Udhëtimi ishte skajshëm i mundimshëm për të gjithë, dhe vuajtja fizike e shoqëruar me dijen mbi përndjekjet e vuajtura nga vëllezërit tanë, për të cilët po udhëtonim për t’i ndihmuar, më bënë të kaloja një ditë në gjendje melankolie. Ndërsa kampi po bëhej gati të nisej, unë isha ulur i lodhur dhe i mërzitur anës rrugës. Profeti ishte burri më i ngarkuar me punë i kampit; dhe prapë kur më pa, ai u shkëput nga presioni i madh i detyrave të tjera për t’i thënë një fjalë ngushëllimi një fëmije. Duke vendosur dorën në kokën time, ai tha: ‘A nuk ke punë këtu, djali im? Nëse jo, ne duhet ta krijojmë një’. Kjo rrethanë la një mbresë në mendjen time që kalimi i gjatë i kohës dhe shqetësimeve të viteve më të pjekura nuk e kanë fshirë.” (Te George Q. Cannon, Life of Joseph Smith the Prophet, Salt Lake City: Deseret Book Co., 1986, f. 344.)

Në një rast tjetër, kur Guvernatori Karlin i Ilinoisit dërgoi Sherifin Tomas King të Kontesë Adams dhe disa të tjerë si forcë policie për të arrestuar Profetin dhe për t’ia dorëzuar të dërguarve të Guvernatorit Bogs të Misurit, Sherifi King u sëmur shumë rëndë. Në Navu, Profeti e mori sherifin në shtëpinë e tij dhe e trajtoi si vëlla për katër ditë. (Po aty, f. 372.) Veprat e vogla, të sjellshme por prapë me rëndësi të shërbimit nuk qenë rastësore për Profetin.

Duke shkruar rreth hapjes së dyqanit [të Profetit Jozef Smith] në Navu, Plaku Xhorxh Q. Kenon shënoi:

“Profeti vetë nuk nguroi të angazhohej në punë tregtie dhe prodhimi; ungjilli që ai predikonte ishte për shpëtim tokësor po aq sa edhe për ekzaltim shpirtëror; dhe ai ishte i gatshëm të bënte pjesën e vet të punës praktike. Këtë ai e bënte pa menduar për fitim vetjak”. (Po aty, f. 385.)

Dhe në një letër, Profeti shkruante:

“[Dyqani Red Brik në Navu] ishte mbushur plot e përplot dhe unë kam ndenjur pas banakut gjithë ditën, duke shpërndarë mallra po aq vazhdueshëm sa çdo shitës që keni parë ndonjëherë, për t’iu shërbyer atyre që qenë shtrënguar ta kalonin pa gostitë e tyre të zakonshme të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, sepse u mungonte sheqeri, melasa, stafidhet etj.; dhe për të kënaqur veten gjithashtu, sepse më pëlqen shumë të kujdesem për shenjtorët dhe të jem shërbëtor për të gjithë, duke shpresuar se mund të ekzaltohem në kohën e duhur të Zotit”. (Po aty, f. 386.)

Rreth kësaj skene, Xhorxh Q. Kenon komentoi:

“Kjo është një pikturë mahnitëse! Një burrë i zgjedhur nga Zoti për të hedhur themelin e Kishës së Tij dhe për të qenë Profeti dhe Presidenti i saj, ndien gëzim dhe krenari duke u shërbyer vëllezërve dhe motrave të tij si shërbëtor. … Jozefi nuk jetoi asnjë ditë pa e ndjerë që po i shërbente Perëndisë dhe po fitonte miratim në sytë e Jezu Krishtit duke shfaqur mirësi dhe vëmendje edhe ndaj ‘më të voglit të këtyre’.” (Po aty, f. 386.)6

Pamja
Jozef Smithi duke ndihmuar një burrë të moshuar

“Profeti Jozef ishte një i krishterë i zakonshëm. Ai ishte i interesuar për gjërat e vogla, detyrat e përditshme të shërbimit dhe kujdesit për të tjerët.”

4

Madhështia e vërtetë vjen nga të qenit i paepur në vështirësitë e jetës dhe nga shërbimi në mënyra që shpesh nuk vihen re.

Të jesh një sekretar i suksesshëm i kuorumit të pleqve ose mësuese e suksesshme e Shoqatës së Ndihmës ose një fqinj i dashur apo mik që dëgjon me vëmendje është shumë nga e gjitha çka madhështia e vërtetë është. Të bësh më të mirën përballë përplasjeve të zakonshme të jetës – dhe ndoshta përballë dështimit – dhe të vazhdosh të durosh dhe të ngulmosh në vështirësitë e herëpashershme të jetës kur ato përpjekje dhe detyra ndihmojnë në përparimin e lumturinë e të tjerëve dhe shpëtimin tënd – kjo është madhështi e vërtetë.

Ne të gjithë duam të arrijmë një masë madhështie në këtë jetë. Shumë kanë arritur tashmë gjëra të mëdha; të tjerë po përpiqen të arrijnë madhështi. Më lejoni t’ju nxit të arrini dhe, njëkohësisht, të kujtoni se cilët jeni. Mos lejoni t’ju mposhtë koncepti i përkohshëm i botës për madhështinë. Shumë njerëz po humbasin shpirtin e tyre nga këto tundime. Emri juaj i mirë nuk është për t’u shitur – për çfarëdo çmimi. Madhështi e vërtetë do të thotë të qëndrosh i vërtetë – “I vërtetë ndaj besimit që prindërit tanë kanë vlerësuar, I vërtetë ndaj besimit për të cilin martirët kanë vdekur”. (Hymns, 1985, nr. 254.)

Unë jam i sigurt se ka shumë heronj të mëdhenj, të pavënëre dhe të harruar midis nesh. Unë po flas për ata nga ju që qetësisht dhe vazhdimisht bëjnë gjërat që ju duhet të bëni. Unë po flas për ata që janë kurdoherë atje dhe gjithmonë të gatshëm. Unë e kam fjalën për vlerën e pazakontë të nënës që, orë pas ore, ditë e natë, qëndron me një fëmijë të sëmurë dhe kujdeset për të ndërsa bashkëshorti i saj është në punë ose në shkollë. Unë përfshij ata që dalin vullnetarë për të dhënë gjak ose për të punuar me të moshuarit. Unë po mendoj për ata nga ju që besnikërisht i përmbushni përgjegjësitë tuaja të priftërisë dhe të kishës, dhe për studentët që i shkruajnë rregullisht shtëpisë për t’i falënderuar prindërit e tyre për dashurinë dhe përkrahjen e tyre.

Unë po flas gjithashtu për ata që rrënjosin te të tjerët besimin dhe dëshirën për ta jetuar ungjillin – ata që punojnë aktivisht për të ndërtuar dhe ndikuar në jetën e të tjerëve fizikisht, shoqërisht dhe shpirtërisht. Unë i referohem atyre që janë të ndershëm e të sjellshëm dhe punëtorë në detyrat e tyre të përditshme, por që janë gjithashtu shërbëtorë të Mësuesit dhe barinj të deleve të Tij.

Tani, nuk dua të shpërfill arritjet e mëdha të botës që na kanë dhënë kaq shumë mundësi dhe që ofrojnë kulturë e rregull dhe gëzim në jetën tonë. Unë thjesht po sugjeroj që ne të përpiqemi të përqendrohemi më qartësisht te gjërat e jetës që do të jenë me vlerë më të madhe. Ju do ta kujtoni se ishte Shpëtimtari që tha: “Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj”. (Mateu 23:11.)7

5

Madhështia e vërtetë kërkon hapa të vazhdueshëm, të vegjël dhe ndonjëherë të zakonshëm për një periudhë të gjatë kohe.

Secili prej nesh ka parë individë të bëhen të pasur ose të suksesshëm thuajse menjëherë – thuajse brenda natës. Por unë besoj se edhe pse ky lloj suksesi mund të vijë pa shumë vështirësi te disa, nuk ekziston diçka e tillë si madhështi e menjëhershme. Arritja e madhështisë së vërtetë është proces afatgjatë. Ajo mund të përfshijë pengesa të rastit. Rezultati i fundit mund të mos jetë përherë qartësisht i dukshëm, por duket se kërkon gjithmonë hapa të rregullt, të vazhdueshëm, të vegjël e ndonjëherë të zakonshëm e të rëndomtë për një periudhë të gjatë kohe. Ne duhet të kujtojmë se ishte Zoti që tha: “Nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe”. (DeB 64:33.)

Madhështia e vërtetë nuk është kurrë rezultat i një ndodhie të rastit ose një përpjekje apo arritje të vetme. Madhështia kërkon zhvillimin e karakterit. Ajo kërkon një mori vendimesh të drejta në zgjedhjet e përditshme midis së mirës dhe së keqes për të cilat Plaku Bojd K. Paker foli kur tha: “Përgjatë viteve këto zgjedhje të vogla do të bëhen bashkë dhe do të tregojnë qartësisht çfarë ne vlerësojmë”. (Ensign, nëntor 1980, f. 21.) Ato zgjedhje gjithashtu do të tregojnë qartë se çfarë jemi ne.8

6

Detyrat e zakonshme shpesh kanë ndikimin pozitiv më të madh te të tjerët.

Kur vlerësojmë jetën tonë, është me rëndësi që të vështrojmë, jo vetëm tek arritjet tona, por gjithashtu te kushtet në të cilat kemi punuar. Secili nga ne është i ndryshëm dhe unik; secili nga ne ka pasur një pikënisje të ndryshme në garën e jetës; secili nga ne ka një përzierje të ndryshme talentesh dhe aftësish; secili nga ne ka kompletin e vet të sfidave dhe sforcove për t’u përplasur. Prandaj, gjykimi ynë për veten dhe arritjet tona duhet jo thjesht të përfshijë përmasën apo rëndësinë dhe numrin e arritjeve tona; ai duhet gjithashtu të përfshijë kushtet që kanë ekzistuar dhe ndikimin që përpjekjet tona kanë pasur te të tjerët.

Është ky aspekt i fundit i vlerësimit të vetes – ndikimi i jetës sonë në jetën e të tjerëve – që do të na ndihmojë të kuptojmë pse disa nga punët e zakonshme, të thjeshta të jetës duhen vlerësuar aq lart. Shpesh janë detyrat e zakonshme që kryejmë të cilat kanë ndikimin më të madh pozitiv në jetën e të tjerëve, krahasuar me gjërat që bota aq shpesh i lidh me madhështinë.9

7

Bërja e gjërave që Perëndia i ka caktuar të jenë të rëndësishme do të çojë në madhështi të vërtetë.

Mua më duket se lloji i madhështisë që Ati ynë në Qiell do të na caktonte të synonim është brenda mundësive të të gjithëve që janë brenda rrjetit të ungjillit. Ne kemi një numër pafund mundësish për të bërë gjërat e shumta të thjeshta dhe të vogla që përfundimisht do të na bëjnë të mëdhenj. Për ata që ia kanë kushtuar jetën e tyre shërbimit dhe sakrificës për familjet e tyre, për të tjerët dhe për Zotin, këshilla më e mirë është thjesht ta bëjnë më shumë të njëjtën gjë.

Për ata që po e çojnë më tej punën e Zotit në mënyra kaq të qeta, por të rëndësishme, për ata që janë kripa e tokës dhe forca e botës dhe shtylla kurrizore e çdo kombi – juve thjesht do t’ju shprehnim admirimin tonë. Nëse duroni deri në fund dhe nëse jeni të guximshëm në dëshminë për Jezusin, ju do të arrini madhështi të vërtetë dhe një ditë do të jetoni në praninë e Atit tonë në Qiell.

Sikurse Presidenti Jozef F. Smith ka thënë: “Le të përpiqemi të kemi një jetë të sinqertë dhe të mos jemi sipërfaqësorë”. (Juvenile Instructor, 15 dhjetor 1905, f. 753.) Le të kujtojmë se bërja e gjërave që janë caktuar nga Perëndia për të qenë të rëndësishme e të nevojshme dhe të domosdoshme, edhe pse bota mund t’i shohë si të parëndësishme dhe pa peshë, do të çojë përfundimisht te madhështia e vërtetë.

Ne duhet të përpiqemi të kujtojmë fjalët e Apostullit Pal, veçanërisht nëse jemi të palumtur me jetën tonë dhe ndiejmë se nuk kemi arritur një formë të madhështisë. Ai shkroi:

“Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;

ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme”. (2 Korintasve 4:17–18.)

Gjërat e vogla janë të rëndësishme. Ne nuk kujtojmë shumën e ofruar nga fariseu, por qindarkën e së vesë, nuk kujtojmë fuqinë dhe forcën e ushtrisë filistine, por kurajën dhe bindjen e Davidit.

Mos u shkurajofshim kurrë për të bërë këto detyra të përditshme të cilat Perëndia i ka caktuar të jenë “diçka e zakonshme për njeriun”.10

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse ne ndonjëherë pështjellohemi mbi atë se çfarë është madhështia e vërtetë? (Shih pjesën 1.) Përse përkufizimi i botës për madhështinë i bën disa njerëz të ndihen të paplotësuar dhe të palumtur?

  • Si ndryshon përkufizimi i Presidentit Hanter për madhështinë e vërtetë nga përkufizimi i botës? (Shih pjesën 2.) Si mundet ky përkufizim për madhështinë e vërtetë t’ju ndihmojë në jetën tuaj? Mendoni disa “gjëra [të] vogla” konkrete që do të ishte mirë për t’u kushtuar më shumë kohë dhe vëmendje.

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth veprave të vogla të Jozef Smithit, siç përvijohen në pjesën 3? Cilat janë disa vepra të vogla shërbimi që ju kanë bekuar?

  • Rishikoni shembujt në pjesën 4 mbi çka është madhështia e vërtetë. Si i keni parë njerëzit të manifestojnë madhështi të vërtetë në këto mënyra?

  • Çfarë mund të mësojmë nga mësimet në pjesën 5 rreth mënyrës për të arritur madhështi të vërtetë?

  • Cilët janë disa shembuj që keni parë se si “detyrat e zakonshme që kryejmë … kanë ndikimin më të madh pozitiv në jetën e të tjerëve”? (Shih pjesën 6.)

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter te pjesa 7. Si çojnë shërbimi dhe sakrifica te madhështia e vërtetë? Si na ndihmon të qenit “të guximshëm në dëshminë për Jezusin” për të arritur madhështi të vërtetë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Samuelit 16:7; 1 Timoteut 4:12; Mosia 2:17; Alma 17:24–25; 37:6; Moroni 10:32; DeB 12:8; 59:23; 76:5–6; 88:125

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur përgatiteni plot lutje për të dhënë mësim, ju mund të udhëhiqeni për të theksuar disa parime. Ju mund të arrini një kuptim se si t’i paraqitni sa më mirë disa ide. Ju mund të zbuloni shembuj, mësime të pazakonta dhe histori frymëzuese në aktivitetet e thjeshta të jetës. Ju mund të ndiheni të nxitur për të ftuar një person të veçantë për t’ju ndihmuar me mësimin. Ju mund t’ju kujtohet një përvojë vetjake që mund ta tregoni” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 48).

Shënime

  1. “What Is True Greatness?” Ensign, shtator 1987, f. 71.

  2. James E. Faust, “Howard W. Hunter: Man of God”, Ensign, prill 1995, f. 28.

  3. “President Howard W. Hunter: The Lord’s ‘Good and Faithful Servant’”, Ensign, prill 1995, f. 9, 16.

  4. “What Is True Greatness?” f. 70.

  5. “What Is True Greatness?” f. 70–71.

  6. “What Is True Greatness?” f. 71.

  7. “What Is True Greatness?” f. 71–72.

  8. “What Is True Greatness?” f. 72.

  9. “What Is True Greatness?” f. 72.

  10. “What Is True Greatness?” f. 72.