Mësime të Presidentëve
Kapitulli 7: Zbulesë e Vazhdueshme nëpërmjet Profetëve të Gjallë


Kapitulli 7

Zbulesë e Vazhdueshme nëpërmjet Profetëve të Gjallë

“Ne drejtohemi nga një profet i gjallë i Perëndisë – një profet që merr zbulesë nga Zoti.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Pasi u mbështet si President i Kishës në konferencën e përgjithshme të tetorit 1994, Hauard W. Hanteri shprehu ndjenjat e tij rreth përgjegjësive të tij të shenjta:

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, faleminderit për votën tuaj mbështetëse. Unë vij përpara jush përulësisht dhe butësisht, i dëshpëruar nga vdekja së fundi e profetit tonë të dashur, Presidentit Ezra Taft Benson. Zemra ime është e ndjeshme për vdekjen e mikut tim të dashur, veçanërisht duke marrë parasysh përgjegjësitë e reja që më kanë ardhur.

Unë kam derdhur shumë lot dhe i kam kërkuar Atit tim në Qiell me lutje të sinqertë e me dëshirë për të qenë i barabartë në këtë thirrje të lartë dhe të shenjtë. Unë jam lutur që të jem i denjë për ta mbajtur detyrën që e kanë mbajtur trembëdhjetë burra të tjerë në këtë periudhë ungjillore. Ndoshta vetëm ata, duke këqyrur nga ana tjetër e velit, mund ta kuptojnë plotësisht peshën e përgjegjësisë dhe vartësinë e thellë nga Zoti, që unë e ndiej me pranimin e kësaj thirrjeje të shenjtë.”

Presidenti Hanter shpjegoi se ai gjeti forcë dhe garanci në bindjen e tij se Kisha udhëhiqet jo vetëm nga burra, por nga Vetë Jezu Krishti, që i përgatit dhe i frymëzon ata që Ai i thërret të kryesojnë:

“Forca ime më e madhe gjatë këtyre muajve të kaluar ka qenë dëshmia ime e patundur se kjo është puna e Perëndisë dhe jo e njeriut. Jezu Krishti është kreu i kësaj kishe. Ai e udhëheq atë me fjalë dhe vepra. Unë jam i nderuar tej fjalëve që jam thirrur për një periudhë për të qenë një mjet në duart e tij për të kryesuar në kishën e tij. Por pa njohurinë se Krishti është kreu i Kishës, as unë as ndonjë burrë tjetër nuk mund ta mbajë peshën e thirrjes që ka ardhur.

Me marrjen e kësaj përgjegjësie, unë njoh dorën e mrekullueshme të Perëndisë në jetën time. Ai e ka ruajtur vazhdimisht jetën time dhe ka rivendosur forcën time, më ka kthyer vazhdimisht nga buza e përjetësisë, dhe më ka lejuar të vazhdoj shërbesën time në vdekshmëri edhe për një periudhë tjetër. Unë kam pyetur veten herë pas here përse jeta ime është kursyer. Por tani e kam lënë mënjanë këtë pyetje dhe kërkoj vetëm besimin dhe lutjet e anëtarëve të Kishës në mënyrë që të mund të punojmë së bashku, unë duke punuar me ju, për të përmbushur qëllimet e Perëndisë në këtë periudhë të jetës sonë. …

U bënë tridhjetë e pesë vjet qysh kur unë u mbështeta si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ato vite kanë qenë të pasura me përgatitje. … Ecja ime është më e ngadaltë tani, por mendja ime është e qartë dhe shpirti im është i ri. …

Si Vëllezërit e mi përpara meje, unë marr me këtë thirrje sigurinë se Perëndia do ta drejtojë profetin e Tij. Unë e pranoj përulësisht thirrjen për të shërbyer dhe deklaroj me psalmistin se ‘Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova’ (Psalmeve 28:7).”1

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

Si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Presidenti Hauard W. Hanter i këshilloi shenjtorët e ditëve të mëvonshme që të ndjekin Presidentin e Kishës.

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Në çdo periudhë ungjillore, Perëndia ka ngritur profetë si zëdhënës të Tij.

Ndërsa shfleton faqet e Dhiatës së Vjetër, atje shfaqen shkrimet e burrave të mëdhenj të epokave të shkuara të cilët përmenden si profetë. Librat e Dhiatës së Re përmbajnë, midis gjërave të tjera, shkrimet, mësimet dhe historinë e burrave të një periudhe ungjillore të mëvonshme, që kanë qenë caktuar si profetë. Ne gjithashtu kemi analet e profetëve të pjesës perëndimore të botës, që ngritën zërin e tyre, duke shpallur fjalën e Zotit, duke protestuar për padrejtësinë dhe duke dhënë mësim parimet e ungjillit. Të gjithë këta kanë lënë dëshminë e tyre.

Një profet është dikush që është thirrur dhe ngritur nga Zoti për të çuar përpara qëllimet e Perëndisë midis fëmijëve të Tij. Ai është një njeri që ka marrë priftërinë dhe flet me autoritet. Profetët janë mësues dhe mbrojtës të ungjillit. Ata sjellin dëshmi për hyjninë e Zotit Jezu Krisht. Profetët kanë parashikuar ngjarje të ardhshme, por kjo nuk është më e rëndësishmja nga përgjegjësitë e tyre, edhe pse mund të jetë një fakt i fuqisë profetike.

Udhëheqja e drejtë është nevojitur në çdo periudhë ungjillore të kohës, dhe Perëndia zgjodhi profetë për këtë qëllim shumë përpara ardhjes së tyre në këtë ekzistencë në vdekshmëri [shih Jeremia 1:5; Abraham 3:23].2

Një studim i zbulesave të Zotit në shkrimin e shenjtë vërteton faktin se ka zbulesë të vazhdueshme që drejton profetët dhe Kishën në çdo epokë. Nëse nuk do të kishte zbulesë të vazhdueshme, Noeu nuk do të qe përgatitur për përmbytjen që përfshiu tokën. Abrahami nuk do të qe drejtuar nga Harani për në Hebron, Tokën e Premtimit. Zbulesa e vazhdueshme i udhëhoqi fëmijët e Izraelit nga robëria përsëri në tokën e premtuar. Zbulesa nëpërmjet profetëve udhëhoqi përpjekjet misionare, drejtoi rindërtimin e tempullit të Solomonit dhe dënoi futjen e praktikave pagane midis izraelitëve.

Përpara ngritjes së Krishtit në qiell, Ai u premtoi njëmbëdhjetë apostujve që mbetën: “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës”. (Mateu 28:20.) Pas ngritjes së Tij në qiell, Ai e udhëhoqi Kishën me anë të zbulesës deri në vdekjen e Apostujve dhe braktisjen e mëpasshme të Kishës së Jezu Krishtit.3

Gjatë gjithë historisë së saj, përfshirë ditën e sotme, Kisha ka pasur një profet, shikues dhe zbulues. Në krye të Kishës është Jezu Krishti, që drejton profetin e Tij. … Këshilltarët [dhe] anëtarët e Tij të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve … janë gjithashtu profetë, shikues dhe zbulues. … Anëtarët e Kishës nuk duhet të dëgjojnë një bori të panjohur. Ata mund t’i besojnë zërit të udhëheqësve të tyre, duke e ditur që ata udhëhiqen nga Zoti.4

2

Perëndia siguron drejtim për fëmijët e Tij nëpërmjet një profeti të gjallë sot.

Një shenjë e dallueshme për ditët e fundit që do t’i paraprijë ardhjes përfundimtare të dytë të Zotit është parë në vegim nga po ai Apostull që shkroi librin e Zbulesave. Ai tha:

“Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli”. (Zbulesa 14:6.) …

Ne i dëshmojmë të gjithë botës se shërbesat qiellore janë shfaqur tashmë në epokën tonë, duke sjellë autoritet nga qielli dhe duke rivendosur të vërtetat e humbura nëpërmjet mësimeve dhe praktikave të korruptuara. Perëndia ka folur përsëri dhe vazhdon të sigurojë udhërrëfim për të gjithë fëmijët e Tij nëpërmjet një profeti të gjallë sot. Ne deklarojmë se Ai, siç është premtuar, është me shërbëtorët e Tij gjithmonë dhe drejton punët e Kishës së Tij kudo në botë. Si në kohët e shkuara, zbulesa drejton punët misionare, ndërtimin e tempujve, thirrjen e drejtuesve të priftërisë dhe paralajmëron kundër ligësive të shoqërisë që mund t’u mohojnë shpëtimin fëmijëve të Atit tonë.

Në një zbulesë drejtuar një orakulli bashkëkohor, Jozef Smithit, Zoti tha:

“Sepse unë jam i paanshëm dhe dëshiroj që gjithë njerëzit do të dinë se dita shpejt vjen; ora nuk është ende, por është afër, kur paqja do të merret nga toka dhe djalli do të ketë pushtet mbi sundimin e tij.

Dhe gjithashtu Zoti do të ketë pushtet mbi shenjtorët e tij dhe do të mbretërojë mes tyre.” (DeB 1:35–36.)

Shpëtimtari po mbretëron mes shenjtorëve sot nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme. Unë dëshmoj se Ai është me shërbëtorët e Tij në këtë ditë dhe do të jetë deri në fund të tokës.

Mos qoftë vegimi ynë aq i ngushtë saqë ne ta lidhnim zbulesën vetëm me të lashtët. Perëndia është i mëshirshëm dhe i do fëmijët e Tij në të gjitha epokat dhe e ka zbuluar Veten deri në këtë kohë gjatë historisë.5

Zoti e ka zbuluar dhe do ta zbulojë mendjen e Vet te profetët e Tij të vajosur. Ka një rrymë pafund zbulese që rrjedh vazhdimisht nga burimet e qiellit për te shërbëtorët e vajosur të Perëndisë në tokë. Qysh prej vdekjes së Profetit Jozef Smith, zëri i Zotit për profetët e Tij ka vazhduar si më parë.6

3

Në këtë ditë urie shpirtërore, ne mund të gjejmë bollëk shpirtëror duke ia vënë veshin zërit të profetit.

Uria ishte një nga fshikullimet e zakonshme të kohëve të Dhiatës së Vjetër dhe njerëzit i kuptuan pasojat shkatërrimtare të dështimit të të korrave dhe të njerëzve që vdisnin nga uria. Amosi e solli këtë kuptim në vëmendje të mprehtë nëpërmjet predikimit të tij për uri shpirtërore. Ai tha: “… jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit” [Amos 8:11]. …

Njoftimet e ditëve të sotme për pështjellim dhe zhgënjim të individëve dhe institucioneve fetare, ndërsa ata përpiqen të zgjidhin dyshimet e konfliktet e tyre fetare, na kujtojnë për këto fjalë të Amosit: “… do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës së Zotit, por nuk do ta gjejnë” [Amos 8:12].

Ata kërkojnë të gjejnë zgjidhje pa ndërtuar mbi shkëmbin e zbulesës, siç Zoti tha se duhet bërë [shih Mateu 16:17–18]. …

… Pështjellimi dhe zhgënjimi nga të cilat po vuan bota nuk janë të zakonshme për anëtarët besnikë të Kishës. … Ka një zë të besueshëm për ata që kanë besim dhe vullnet për të besuar. Sigurisht ne jetojmë në një ditë urie, siç është përshkruar nga Amosi. … Gjithsesi, në atë çka duket të jetë uri shpirtërore, ka shumë njerëz që kanë gjetur një bollëk shpirtëror.

Është … dëshmia ime e përulur se ungjilli në plotësinë e vet është rivendosur në këto ditë të mëvonshme dhe se ka një profet në tokë sot, i cili shpreh mendjen dhe vullnetin e Zotit për ata që do ta dëgjojnë dhe do të kenë besimin për ta ndjekur.7

4

Nëse ndjekim mësimet e profetëve të gjallë, ne nuk do të gabojmë.

Për njerëzit e periudhave ungjillore dhe epokave të kaluara, profeti më i rëndësishëm ishte ai që ndërkohë jetonte, jepte mësim dhe zbulonte vullnetin e Zotit në kohën e tyre. Në çdo periudhë ungjillore të kaluar, profetët janë përgatitur nga Zoti si zëdhënës të Tij për njerëzit e asaj epoke të veçantë dhe për problemet konkrete të asaj epoke.

Është profeti i tanishëm i gjallë që është udhëheqësi ynë, mësuesi ynë. Është ai prej të cilit ne marrim drejtim në botën bashkëkohore. Nga të gjitha këndet e botës, ne që e mbështetim atë si profet të Zotit shprehim vlerësimin tonë për këtë burim udhërrëfimi hyjnor. …

Ndërsa profetët nga fillimi deri në ditën tonë parakalojnë në kujtesën tonë, ne bëhemi të vetëdijshëm për bekimin e madh që na vjen nga ndikimi i një profeti të gjallë. Historia duhet të na mësojë se nëse nuk jemi të gatshëm t’ua vëmë veshin paralajmërimeve dhe të ndjekim mësimet e një profeti të Zotit, ne do t’i nënshtrohemi gjykimeve të Perëndisë.8

Vetëm Presidenti i Kishës ka të drejtën që të marrë zbulesa për të gjithë Kishën ose të bëjë interpretime zyrtare për shkrimet e shenjta apo doktrinat e Kishës:

“Askush nuk do të caktohet të marrë urdhërime dhe zbulesa në këtë kishë përveç [Presidentit të Kishës], sepse ai i merr ato, sikurse edhe Moisiu” (DeB 28:2).9

Nëse ndjekim porosinë, këshillën dhe mësimet e udhëheqësve të Kishës në udhëzimin e tyre për ne, ne nuk do të bëjmë gabim në atë që është e rëndësishme për vetë shpëtimin dhe ekzaltimin tonë vetjak.10

Unë jam i pushtuar nga mirënjohja për zbulesat që kanë krijuar sistemin e mrekullueshëm me të cilin Kisha e Tij qeveriset. Çdo burrë që është shuguruar Apostull dhe është veçuar si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve mbështetet si profet, shikues dhe zbulues. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, të thirrur e të shuguruar që të mbajnë çelësat e priftërisë, kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për ta qeverisur Kishën, për t’i administruar ordinancat e saj, për ta dhënë mësim doktrinën e saj dhe për t’i themeluar e mirëmbajtur praktikat e saj.

Kur Presidenti i Kishës është i sëmurë apo i paaftë për të vepruar plotësisht në të gjitha detyrat e pozitës së tij, dy Këshilltarët e tij, të cilët, me të, përbëjnë Kuorumin e Presidencës së Parë, vazhdojnë punën e Presidencës. Çdo çështje, politikë, program apo doktrinë madhore shqyrtohet me lutje në këshill nga Këshilltarët në Presidencën e Parë dhe në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Asnjë vendim nuk del nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve pa njëzëshmëri të plotë midis të gjithë të interesuarve.

Duke ndjekur këtë model të frymëzuar, Kisha do të përparojë pa ndërprerje. Qeverisja e Kishës dhe ushtrimi i dhuratave profetike gjithmonë do t’u besohen atyre autoriteteve apostolike që mbajnë dhe ushtrojnë të gjitha çelësat e priftërisë.11

Pamja
Qendra e Konferencave

“Koha e konferencës është një periudhë rigjallërimi shpirtëror kur njohuria dhe dëshmia rriten dhe përforcohen.”

5

Në një konferencë të përgjithshme, ne marrim këshillë të frymëzuar nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit.

Ndërsa kam përsiatur mesazhet e konferencës [së përgjithshme], unë i kam bërë vetes këtë pyetje: Si mund t’i ndihmoj të tjerët të marrin nga mirësia dhe bekimet e Atit tonë Qiellor? Përgjigjja gjendet te ndjekja e udhëzimit që merret nga ata që ne i mbështetim si profetë, shikues dhe zbulues dhe të tjerë nga Autoritetet e Përgjithshme. Le të studiojmë fjalët e tyre, të thëna nën frymëzimin e Shpirtit dhe t’u referohemi shpesh atyre. Zoti e ka zbuluar vullnetin e Tij te shenjtorët në këtë konferencë.12

Shumë këshilla të frymëzuara nga profetët, shikuesit, zbuluesit dhe Autoritetet e tjera të Përgjithshme të Kishës janë dhënë gjatë konferencës së përgjithshme. Profetët tanë të kohëve moderne na kanë nxitur ta bëjmë leximin e botimeve të konferencave në revistat e Kishës sonë një pjesë të rëndësishme dhe të rregullt të studimit tonë vetjak. Kështu, konferenca e përgjithshme bëhet, në një kuptim, një shtojcë ose një zgjatim i Doktrina e Besëlidhjeve.13

Koha e konferencës është një periudhë rigjallërimi shpirtëror kur njohuria dhe dëshmia rriten dhe përforcohen se Perëndia jeton dhe i bekon ata që janë besnikë. Është një kohë kur kuptimi se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, ndizet në zemrat e atyre që kanë vendosmërinë t’i shërbejnë Atij dhe të mbajnë urdhërimet e Tij. Konferenca është koha kur udhëheqësit tanë na japin drejtim të frymëzuar si ta drejtojmë jetën tonë – një kohë kur njerëzit nxiten dhe vendimet merren për të qenë bashkëshortë dhe bashkëshorte, etër dhe nëna më të mira, bij dhe bija më të bindura, miq dhe fqinjë më të mirë. …

Ne që u takuam këtu sot [në konferencën e përgjithshme] synojmë një njohje të veçantë, unike të ungjillit të Shpëtimtarit. Më e rëndësishmja nga të gjitha, për ata që u njohën për herë të parë me ne, është deklarata jonë ndaj botës që ne drejtohemi nga një profet i gjallë i Perëndisë – një profet që komunikon, frymëzohet dhe merr zbulesë nga Zoti.14

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter te pjesa 1. Përse Perëndia ka siguruar profetë për çdo periudhë ungjillore? Cilat janë disa nga funksionet e profetëve? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët të fitojnë një dëshmi për profetët?

  • Si na bekon pasja e një profeti të gjallë sot? (Shih pjesën 2.) Përse është e rëndësishme që ka “një rrymë pafund zbulese” që rrjedh nga Perëndia për profetët e Tij të gjallë?

  • Cilat janë disa nga të dhënat që ne po jetojmë në një kohë “urie shpirtërore”? (Shih pjesën 3.) Çfarë bekimesh keni marrë duke ia vënë veshin zërit të profetit të gjallë?

  • Presidenti Hanter jep mësim se “vetëm Presidenti i Kishës ka të drejtën që të marrë zbulesa për të gjithë Kishën” (pjesa 4). Përse është e dobishme të dihet kjo? Përse është e dobishme të dihet se “ne nuk do të bëjmë gabim” ndërsa ndjekim profetin?

  • Shqyrtoni rëndësinë e konferencës së përgjithshme në jetën tuaj. (Shih pjesën 5.) Cilat janë disa mësime nga konferenca e përgjithshme që ju kanë bekuar? Si mund të bëni që konferenca e përgjithshme të ketë një ndikim më të fuqishëm në jetën dhe shtëpinë tuaj?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Amos 3:7; Mateu 10:41; Lluka 1:68–70; Përkthimi prej Joseph Smith-it, 2 Pjetër 1:20–21; Mosia 8:15–18; DeB 1:14–16, 37–38; 21:1, 4–6; 43:2–6; 107:91–92

Ndihmë për Mësimdhënien

Si klasë, renditni në tabelë disa pyetje që njerëz të besimeve të tjera mund të kenë rreth temës së kapitullit. Ftojini anëtarët e klasës të rishikojnë kapitullin, duke kërkuar për përgjigje për këto pyetje dhe mandej për ta ndarë atë që gjejnë.

Shënime

  1. “Exceeding Great and Precious Promises”, Ensign, nëntor 1994, f. 7–8.

  2. Në Conference Report, tetor 1963, f. 99.

  3. “No Man Shall Add to or Take Away”, Ensign, maj 1981, f. 65.

  4. “Spiritual Famine”, Ensign, janar 1973, f. 65.

  5. “No Man Shall Add to or Take Away”, f. 65.

  6. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 196.

  7. “Spiritual Famine”, f. 64–65.

  8. Në Conference Report, tetor 1963, f. 101.

  9. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 225.

  10. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 223.

  11. “Exceeding Great and Precious Promises”, f. 7. Presidenti Hanter i tha këto parime të rëndësishme kur ishte President i Kishës.

  12. “Follow the Son of God”, Ensign, nëntor 1994, f. 87.

  13. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 212.

  14. “Conference Time”, Ensign, nëntor 1981, f. 12–13.