Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14: Përshpejtimi i Punës së Historisë Familjare dhe i Punës në Tempull


Kapitulli 14

Përshpejtimi i Punës së Historisë Familjare dhe i Punës në Tempull

“Sigurisht që Zoti do të na mbështetë nëse ne i përdorim përpjekjet tona më të mira në kryerjen e urdhërimit për të bërë kërkimin e historisë familjare dhe punën në tempull.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Presidenti Hauard W. Hanter e kishte gjithmonë shumë për zemër historinë familjare. Që nga koha kur ishte djalë i vogël, ai i dëgjonte historitë rreth paraardhësve të tij me interes të madh. Kur u rrit, ai i kushtoi kohë të konsiderueshme kërkimit të historisë së tij familjare.1 Në vitin 1972, ndërkohë që ishte në Europë me një detyrë të caktuar nga Kisha, ai dhe gruaja e tij, Klera, vizituan vende në Danimarkë ku kishin jetuar paraardhësit e tij. Në një prej fshatrave, ata e gjetën kishën ku ishte pagëzuar stërgjyshi i Presidentit Hanter, Rasmuseni, dhe ku kishte adhuruar familja. Kjo përvojë e thelloi vlerësimin e Presidentit Hanter për paraardhësit nga ana e nënës së tij. Ai bëri vizita të ngjashme në zonat e Norvegjisë dhe të Skocisë, ku kishin jetuar paraardhës të tjerë.2

Biri i Presidentit Hanter, Riçardi, tregoi për dashurinë e babait të tij për historinë familjare:

“Ai ishte një kërkues i etur gjatë gjithë jetës së tij. Shpesh do të harxhonte kohë nga praktika e tij ligjore për të shkuar në bibliotekën publike të Los Anxhelosit që të bënte kërkim në seksionin e saj të zgjeruar të gjenealogjisë. Ai i mbajti kërkimin e tij, fletët e grupeve familjare, hartat e prejardhjes familjare dhe historitë e treguara, që ai vetë i shkroi, në libra shënimesh.

Me raste unë do të udhëtoja me të për caktime në konferenca të ndryshme. Ai do t’i vendoste disa prej librave të shënimeve në bagazhin e makinës dhe pas konferencës së kunjit do të thoshte: ‘Le të shkojmë te shtëpia e [këtij] kushëriri për pak minuta. Ka disa të dhëna që dua t’i verifikoj’. Ne do të shkonim te shtëpia e kushëririt. Ai do t’i nxirrte librat e shënimeve nga bagazhi dhe shpejt tavolina e dhomës së ngrënies do të mbulohej me fletët e grupeve familjare.

Nëse pjesëtarët e familjes dëshironin të siguroheshin që e kishin informacionin e duhur për vetë kërkimin e tyre, ata do ta merrnin në telefon ose do t’i shkruanin babit për t’i verifikuar faktet, sepse e dinin se ai do ta kishte atë siç duhej. Puna që ai kreu ishte e jashtëzakonshme.”3

Një herë, ndërsa Presidenti Hanter po shërbente në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, mësuesit e tij të shtëpisë e vizituan dhe i thanë: “Donim të të tregonim fletët e grupeve tona familjare, që ne i kemi përgatitur. … Nuk kemi kohë t’i shohim fletët e tua sonte, por herën tjetër kur të vijmë do të donim t’iu hidhnim atyre një sy.”

“Tani, kjo ishte tepër interesante për mua”, tha Presidenti Hanter. “Unë punova një muaj duke u bërë gati për vizitën e ardhshme të mësuesve të shtëpisë.”4

Nga viti 1964 deri në vitin 1972, Hauard W. Hanteri kryesoi mbi Shoqatën Gjenealogjike të Jutas (shih faqen 19). Në vitin 1994, në një mbledhje për nderimin e Presidentit Hanter dhe festimin e 100 vjetorit të Shoqatës Gjenealogjike, ai tha:

“Në prag të ditëlindjes sime të tetëdhjetë e shtatë, e hedh vështrimin pas plot habi te tapiceria e thurur nga Zoti në çuarjen përpara të punës në tempull dhe të punës së historisë familjare. Kur isha president i Shoqatës Gjenealogjike të Jutas, ne patëm vegime se si ajo do të çohej përpara fuqimisht. Tani ne po vëzhgojmë diçka të lavdishme që po ndodh anembanë botës. Ungjilli po çohet përpara për të përfshirë çdo komb, fis, gjuhë dhe popull. Tempujt gjenden anembanë botës dhe shpirti i Elijas po i prek zemrat e shumë anëtarëve, të cilët po i bëjnë punën e historisë familjare dhe punën e ordinancave të tempullit me një hap të pashembullt.”5

Pamja
Xhon dhe Neli Hanter

Prindërit e Hauard W. Hanterit, Xhon Uilliam (Uill) Hanteri dhe Nelli Mari Rasmusen Hanteri

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Tempujt ndërtohen për kryerjen e ordinancave që janë thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Perëndisë.

Tempujt janë të shenjtë për komunikimin më të afërt midis Zotit dhe atyre që marrin ordinancat më të larta dhe më të shenjta të priftërisë së shenjtë. Është në tempull që gjërat e tokës bashkohen me gjërat e qiellit. … Familja e madhe e Perëndisë do të bashkohet nëpërmjet ordinancave shpëtuese të ungjillit. Puna me mëkëmbës për të vdekurit dhe ordinancat për të gjallët janë qëllimet e tempujve.6

Ungjilli i shpallur botës nëpërmjet shenjtorëve të ditëve të mëvonshme është ungjilli i Jezu Krishtit, sikurse u rivendos në tokë në këtë periudhë ungjillore dhe është për shëlbimin e të gjithë njerëzimit. Zoti vetë e ka zbuluar atë që është thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Tij. Një nga këto gjëra thelbësore është që tempujt duhet të ndërtohen për kryerjen e ordinancave që nuk mund të kryhen në asnjë vend tjetër.

Kur kjo iu shpjegohet njerëzve nga mbarë bota, të cilët vijnë dhe i shohin tempujt tanë, pyetja që këta njerëz bëjnë më shpesh është: “Cilat janë ordinancat që kryhen brenda në tempuj?”

Pagëzimi për të vdekurit

Si përgjigje, ne shpesh fillimisht i shpjegojmë ordinancën e njohur si pagëzimi për të vdekurit. Ne vërejmë se shumë të krishterë besojnë që në kohën e vdekjes, gjendja jonë përpara Zotit përcaktohet për gjithë përjetësinë, sepse a nuk i tha Krishti Nikodemit: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5)? Përsëri ne e dimë se shumë njerëz kanë vdekur pa ordinancën e pagëzimit dhe kështu, sipas thënies së Krishtit drejtuar Nikodemit, ata do të përjashtoheshin nga hyrja në mbretërinë e Perëndisë. Kjo ngre pyetjen: “A është Perëndia i drejtë?”

Përgjigjja është: “Sigurisht që Perëndia është i drejtë”. Është e dukshme që thënia e Shpëtimtarit drejtuar Nikodemit parakupton se pagëzimet mund të bëhen për ata që kanë vdekur, të cilët nuk janë pagëzuar. Profetët e ditëve të mëvonshme na kanë thënë se pagëzimi është një ordinancë tokësore që mund të kryhet vetëm nga njerëzit e gjallë. Atëherë, si mund të pagëzohen ata që kanë vdekur, nëse vetëm të gjallët mund ta kryejnë ordinancën? Kjo ishte tema për të cilën Apostulli Pal u shkroi korintasve kur iu bëri këtë pyetje:

“Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?” (1 Korintasve 15:29.)7

A duket e arsyeshme që njerëzit, të cilët kanë jetuar në tokë dhe vdiqën pa mundësinë e pagëzimit, duhet të lihen pa të gjatë gjithë përjetësisë? A ka ndonjë gjë të paarsyeshme rreth të gjallëve që kryejnë pagëzimet për të vdekurit? Ndoshta shembulli më i madhërishëm i punës me mëkëmbës për të vdekurit është vetë Mësuesi. Ai e dha jetën e Tij si një shlyerje mëkëmbëse, me qëllim që të gjithë ata që vdesin, të jetojnë përsëri dhe të kenë jetë të pafundme. Ai bëri për ne atë që ne nuk mund ta bënim për veten tonë. Në një mënyrë të ngjashme ne mund të kryejmë ordinanca për ata që nuk e kishin mundësinë t’i bënin ato gjatë jetës [së tyre].8

Dhurimi [indaumenti]

Dhurimi [indaumenti] është një ordinancë tjetër e kryer në tempujt tanë. Përbëhet nga dy pjesë: së pari, një seri udhëzimesh, dhe së dyti, premtimet ose besëlidhjet që i bën njeriu, i cili po e merr dhurimin [indaumentin] – premtimet për të jetuar drejtësisht dhe për t’u pajtuar me kërkesat e ungjillit të Jezu Krishtit. Dhurimi [indaumenti] është një ordinancë për bekimin e madh të shenjtorëve – si për të gjallët ashtu edhe të vdekurit. Prandaj ajo është gjithashtu një ordinancë e kryer nga të gjallët në emër të individëve të vdekur; ajo kryhet për ata për të cilët puna e pagëzimit tashmë është kryer.

Martesa çelestiale

Një ordinancë tjetër në tempull është ajo e martesës çelestiale, ku bashkëshortja vuloset me bashkëshortin dhe bashkëshorti vuloset me bashkëshorten për përjetësinë. Ne e dimë, sigurisht, që martesat civile mbarojnë me vdekjen; por martesat e përjetshme, të kryera në tempull, mund të ekzistojnë përgjithmonë. Fëmijët që lindin nga një bashkëshort dhe një bashkëshorte pas një martese të përjetshme vulosen automatikisht me prindërit e tyre për përjetësinë. Nëse fëmijët linden përpara se bashkëshortja të vuloset me bashkëshortin e saj, ka një ordinancë vulosjeje në tempull që mund t’i vulosë këta fëmijë me prindërit e tyre për përjetësinë dhe në mënyrë të tillë fëmijët mund të vulosen në mënyrë mëkëmbëse me prindërit që kanë vdekur. …

Të gjitha këto ordinanca të priftërisë janë thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Atit tonë në Qiell.9

Pamja
çift me tempullin në sfond

“Me të vërtetë nuk ka asnjë punë të barabartë me atë që bëhet në tempull.”

2

Synimi i punës së historisë familjare është t’i bëjë të vlefshme bekimet e tempullit për të gjithë njerëzit.

Sigurisht ne, në këtë anë të velit, kemi një punë të madhërishme për të bërë. … Ndërtimi i tempujve ka domethënie të thellë për veten tonë dhe për njerëzimin, dhe përgjegjësitë tona bëhen të qarta. Ne duhet ta kryejmë punën e ordinancave të priftërisë në tempull, të domosdoshme për vetë ekzaltimin tonë; më pas duhet ta bëjmë punën e domosdoshme për ata që nuk e patën mundësinë ta pranojnë ungjillin gjatë jetës. Kryerja e punës për të tjerët realizohet në dy hapa: së pari, me anë të kërkimit të historisë familjare për të përcaktuar paraardhësit tanë; dhe së dyti, me anë të kryerjes së ordinancave të tempullit për t’iu dhënë atyre të njëjtat mundësi që u jepen të gjallëve.

Sidoqoftë, ka shumë anëtarë të Kishës që kanë vetëm mundësi të kufizuar për të shkuar në tempuj. Ata bëjnë më të mirën që munden. Ata punojnë në kërkimin e historisë familjare dhe bëjnë që puna e ordinancave të tempullit të kryhet nga të tjerët. Anasjelltas, ka disa anëtarë që përfshihen në punën në tempull, por nuk ia dalin të bëjnë kërkime për historinë familjare në vetë linjat e tyre familjare. Edhe pse kryejnë një shërbim hyjnor duke i ndihmuar të tjerët, ata humbasin një bekim duke mos kërkuar farefisin e tyre të vdekur, siç udhëzohen në mënyrë hyjnore që të bëjnë prej profetëve të ditëve të mëvonshme.

Më kujtohet një përvojë që e pata pak vite më parë, që është e ngjashme me këtë gjendje. Në mbylljen e një mbledhjeje të agjërimit e dëshmive, peshkopi tha: “Ne kemi pasur një përvojë shpirtërore sot duke i dëgjuar dëshmitë e dhëna nga njëri‑tjetri. Kjo ndodh ngaqë kemi arritur të agjërojmë sipas ligjit të Zotit. Por le të mos harrojmë asnjëherë se ligji përbëhet nga dy pjesë: që ne agjërojmë duke qëndruar pa ushqim e lëngje dhe që ne ia kontribuojmë atë që kemi kursyer në këtë mënyrë, shtëpisë së ruajtjes së peshkopit për përfitimin e atyre që janë më pak fatlumë.” Më pas ai shtoi: “Shpresoj që askush prej nesh nuk do të largohet sot vetëm me një gjysmë bekimi”.

Kam mësuar se ata që përfshihen në kërkimin e historisë familjare dhe më pas e kryejnë punën e ordinancave të tempullit për ata, emrat e të cilëve i kanë gjetur, do të njohin gëzimin e mëtejshëm të marrjes së të dyja gjysmave të bekimit.

Për më tepër, të vdekurit po presin me padurim për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që t’i kërkojnë emrat e tyre dhe më pas të shkojnë në tempuj për të vepruar për hir të tyre, që ata të mund të çlirohen nga shtëpia e tyre e burgut në botën e shpirtrave. Ne të gjithë duhet të gjejmë gëzim në këtë punë të madhërishme të dashurisë.10

Synimi i punës së historisë familjare është t’i bëjë bekimet e tempullit të vlefshme për të gjithë njerëzit, si të gjallët dhe të vdekurit. Kur e frekuentojmë tempullin dhe kryejmë punë për të vdekurit, ne plotësojmë një ndjenjë të thellë të aleancës me Perëndinë dhe një kuptueshmëri më të mirë të planit të Tij për shpëtimin e racës njerëzore. Ne mësojmë t’i duam të afërmit tanë porsi veten. Me të vërtetë nuk ka asnjë punë të barabartë me atë që bëhet në tempull.11

3

Qofshim të guximshëm në përshpejtimin e historisë sonë familjare dhe të punës sonë në tempull.

Kur e bëjmë punën në tempull për ata që tashmë kanë ndërruar jetë, ne na kujtohet këshilla e frymëzuar e Presidentit Jozef F. Smith, i cili shpalli: “Nëpërmjet përpjekjeve tona në emër të tyre, zinxhirët e robërimit do të bien prej tyre dhe errësira që i rrethon do të hiqet, që drita të mund të ndriçojë mbi ta; dhe ata do të dëgjojnë në botën e shpirtrave për punën që është bërë për ta nga fëmijët e tyre këtu dhe do të gëzohen” [në Conference Report, tetor 1916, f. 6].12

Kjo punë e shenjtë [puna e historisë familjare dhe puna në tempull] ka një vend të spikatur në zemrat dhe mendjet e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Unë flas në emër të të gjithë Vëllezërve kur i falënderoj ata që kanë dhënë kontribute të vlefshme në sigurimin e ordinancave shpëtuese për ata që janë përtej velit. … Ne jemi mirënjohës për morinë e vullnetarëve që e çojnë përpara këtë punë të fuqishme anembanë botës. Ju falënderojmë të gjithëve për atë që po e bëni kaq mirë.

Profeti Jozef Smith shpalli: “Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne është që të kërkojmë të vdekurit tanë” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 508]. Ai gjithashtu shpalli: … “Ata shenjtorë që nuk e përfillin atë në emër të të afërmve të tyre të vdekur, e bëjnë këtë duke rrezikuar vetë shpëtimin e tyre” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 504].

Duke marrë të njëjtin vegim të kësaj zbulese të rëndësishme, Presidenti Brigam Jang tha: “Ne kemi një punë për të bërë po aq të rëndësishme në sferën e saj, sa ishte puna e Shpëtimtarit në sferën e saj. Etërit tanë nuk mund të bëhen të përsosur pa ne; ne nuk mund të bëhemi të përsosur pa ta. Ata e kanë bërë punën e tyre dhe tani flenë. Ne thirremi tani që të bëjmë punën tonë; e cila duhet të jetë puna më e madhërishme që njeriu e kreu ndonjëherë në tokë” (Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe, Salt Lake City: Deseret Book Co., 1941, f. 406).

Çdo profet i cili e ka udhëhequr këtë kishë që nga ditët e Jozef Smithit deri në të tashmen, e ka përsëritur po të njëjtën të vërtetë madhështore. E udhërrëfyer nga këto të vërteta, Kisha ka qenë, që nga fillimi i kësaj periudhe ungjillore, e përfshirë në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit për të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë, pavarësisht nga koha kur ata jetuan në tokë.

Ne që jetojmë në këtë kohë, jemi ata që Perëndia i caktoi përpara lindjes që të ishin përfaqësuesit e Tij në tokë në këtë periudhë ungjillore. Ne jemi të shtëpisë së Izraelit. Në duart tona gjenden fuqitë e shenjta të të qenit shpëtimtarë në Malin e Sionit në ditët e mëvonshme [shih Abdia 1:21].

Për sa i përket punës në tempull dhe punës së historisë familjare, unë kam një mesazh të mbiçmuar: Kjo punë duhet të përshpejtohet. Puna që po pret të bëhet është befasuese dhe nuk arrin të kuptohet nga mendja njerëzore. Vitin që shkoi [1993] ne kryem dhurimet [indaumentet] me mëkëmbës të tempullit për gati pesë milionë e gjysmë njerëz, por gjatë atij viti vdiqën rreth pesëdhjetë milionë njerëz. Kjo mund të sugjerojë kotësinë e punës që shtrihet përpara nesh, por ne nuk mund të mendojmë për kotësinë. Sigurisht që Zoti do të na mbështetë nëse ne i përdorim përpjekjet tona më të mira në kryerjen e urdhërimit për të bërë kërkimin e historisë familjare dhe punën në tempull. Puna e madhërishme e tempujve dhe gjithçka që e përkrah atë duhet të zgjerohen. Është e domosdoshme! …

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, qofshim të guximshëm në përshpejtimin e punës së historisë sonë familjare dhe të punës sonë në tempull. Zoti tha: “Puna për tempullin tim dhe të gjitha punët që ju kam caktuar, duhet të vazhdojnë dhe të mos ndalen; dhe zelli juaj, dhe këmbëngulja juaj, dhe durimi, dhe veprat tuaja duhet të dyfishohen dhe ju në asnjë mënyrë nuk do ta humbisni shpërblimin tuaj, thotë Zoti i Ushtrive” (DeB 127:4).

Unë ju jap kurajë në përpjekjet tuaja me këto fjalë të Profetit Jozef Smith: “Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, vëllezër; dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara. Toka duhet të shpërthejë në këngë. Të vdekurit duhet t’i thonë këngë përlëvdimi të përjetshëm mbretit Emanuel, që ka shuguruar, përpara se bota të ishte, atë që do të na bëjë të aftë për t’i shëlbuar ata nga burgu i tyre; sepse të burgosurit do të lirohen” (DeB 128:22).

Më pëlqen shumë kjo punë. E di se Zoti do të sigurojë gjithçka që do të kërkohet për ta përmbushur atë, kur ne e bëjmë pjesën tonë në mënyrë të përkushtuar. Zoti e bekoftë secilin prej nesh teksa e japim ndihmesën tonë për këtë punë të madhërishme, e cila duhet të përmbushet në kohën tonë.13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përsiatni fjalinë e hapjes në pjesën 1. Si ju ka ndihmuar kryerja e ordinancave në tempull që të afroheni më pranë Perëndisë? Çfarë informacioni në këtë pjesë mund t’ju ndihmojë që t’ia shpjegoni qëllimet e tempujve dikujt që nuk i kupton ato?

  • Si i keni përjetuar “të dyja gjysma[t e] bekimit” të kërkimit të historisë familjare dhe të punës në tempull? (Shih pjesën 2.) Si mund t’i përfshijmë fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes në këtë punë të rëndësishme?

  • Ndërkohë që shqyrtoni mësimet e Presidentit Hanter në pjesën 3, merrni parasysh rëndësinë që vendos Zoti te puna e historisë familjare dhe puna në tempull. Si po përshpejtohen sot puna e historisë familjare dhe puna në tempull? Si mund ta shtojmë pjesëmarrjen tonë në këtë punë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 42:6–7; Malakia 4:5–6; 1 Pjetër 3:18–20; 4:6; DeB 2; 110:12–15; 124:28–30; 128:15–18; 138:57–59

Ndihmë për Studimin

Për t’i përshtatur fjalët e një profeti për veten tuaj, mendoni se si lidhen mësimet e tij me ju (shih Teaching, No Greater Call [1999], f. 170). Gjatë studimit tuaj, merrni parasysh ta pyetni veten se si ato mësime mund t’ju ndihmojnë lidhur me shqetësimet, pyetjet dhe sfidat në jetën tuaj.

Shënime

  1. Shih Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 186.

  2. Shih Francis M. Gibbons, Howard W. Hunter: Man of Thought and Independence, Prophet of God (2011), f. 16–18.

  3. Dorëshkrim i pabotuar nga Richard A. Hunter.

  4. Në Knowles, Howard W. Hunter, f. 192.

  5. “We Have a Work to Do”, Ensign, mars 1995, f. 64.

  6. “The Great Symbol of Our Membership”, Ensign, tetor 1994, f. 2.

  7. “A Temple-Motivated People”, Ensign, shkurt 1995, f. 2.

  8. “Elijah the Prophet”, Ensign, dhjetor 1971, f. 71.

  9. “A Temple-Motivated People”, f. 2, 4.

  10. “A Temple-Motivated People”, f. 4–5.

  11. “We Have a Work to Do”, f. 65.

  12. Teksti i lutjes përkushtuese të Tempullit të Bauntifullit në Juta, te “‘Magnificent Edifice’ Consecrated to [the] Lord”, Church News, 14 janar 1995, f. 4.

  13. “We Have a Work to Do”, f. 64–65.