Mësime të Presidentëve
Kapitulli 6: Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit


Kapitulli 6

Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit

“Ne do të ngrihemi nga vdekja tokësore për të pasur jetë të përjetshme në saje të sakrificës shlyese dhe ringjalljes së Shpëtimtarit.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Më 20 mars 1934, lindi fëmija i parë i Hauard dhe Kler Hanterit, një djalë që ata e quajtën Hauard Uilliam Hanter i Riu dhe e thërritnin Billi. Gjatë verës ata vunë re se Billi dukej i përgjumur. Mjekët e diagnostikuan me anemi dhe Hauardi dha dy herë gjak për transfuzion, por gjendja e Billit nuk u përmirësua. Testet e mëtejshme zbuluan një problem serioz me zorrët që i shkaktonte Billit humbje gjaku. Mjekët i bënë operacion, me Hauardin shtrirë përbri djalit të vet për të dhënë gjak, por rezultatet nuk ishin shpresëdhënëse. Tri ditë më vonë, më 11 tetor 1934, Billi i vogël vdiq qetësisht ndërsa prindërit e tij ishin ulur pranë shtratit të tij. “Ne ishim të goditur nga brenga dhe të mpirë ndërsa u larguam nga spitali nëpër natë”, shkroi Hauardi.1

Në përjetimet e vdekjes së Billit dhe të vdekjes së njerëzve të tjerë të dashur, Presidenti Hanter u mbështet nga dëshmia e tij për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit. “Është besimi ynë i fortë se [Shlyerja] është një realitet”, dëshmoi ai, “dhe asgjë nuk është më e rëndësishme në të gjithë planin hyjnor të shpëtimit sesa sakrifica shlyese e Jezu Krishtit. Ne besojmë se shpëtimi vjen për shkak të shlyerjes. Në mungesë të saj i gjithë plani i krijimit do të bëhej i paqëllimtë. … Pa këtë sakrificë shlyese, vdekja tokësore do të ishte fundi dhe nuk do të kishte ringjallje dhe as qëllim në jetën tonë shpirtërore. Nuk do të kishte shpresë për jetë të përjetshme”2.

Gjatë konferencave të përgjithshme të prillit, që mbahen rreth kohës së Pashkës, Presidenti Hanter shpesh foli rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Në konferencën e përgjithshme në prill 1983, ai tha:

“Në këtë stinë pashke, unë e ndiej fort rëndësinë e autorizimit tim për të dëshmuar realitetin e ringjalljes së Shpëtimtarit. Vëllezër dhe motra, ka një Perëndi në qiell, i cili na do dhe kujdeset për ju dhe për mua. Ne kemi një Atë në Qiell, që dërgoi të Parëlindurin nga fëmijët shpirtërorë, të Vetëmlindurin e Tij në mish, që të jetë një shembull tokësor për ne, për të marrë mbi vete mëkatet e botës dhe më pas të kryqëzohej për mëkatet e botës dhe të ringjallej. …

Është vërtet një mesazh i mrekullueshëm – do të ketë jetë pas vdekjes; ne mund të rikthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell përsëri, në saje të sakrificës që Shpëtimtari bëri për ne dhe të vetë pendesës dhe bindjes sonë ndaj urdhërimeve.

Në agimin e lavdishëm të mëngjesit të pashkës, kur mendimet e botës së krishterë janë drejtuar nga ringjallja e Jezusit për disa çaste të shpejta, le të shprehim vlerësimin tonë ndaj Atit tonë Qiellor për planin e madh të shpëtimit që është bërë për ne.”3

Pamja
varr në kopsht

Varri i zbrazët i Shpëtimtarit “i shpall gjithë botës: ‘Ai nuk është këtu, por është ringjallur’” (Lluka 24:6).

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Shlyerja ishte një veprim i epërm dashurie nga Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti.

Shlyerja e Jezu Krishtit ishte një detyrë e parashuguruar nga Ati ynë Qiellor për të shëlbuar fëmijët e Tij pas gjendjes së tyre të rënë. Ai ishte një veprim i epërm dashurie nga Ati ynë Qiellor për t’i mundësuar të Vetëmlindurit të Tij të bënte një sakrificë shlyese. Dhe ai ishte një veprim i epërm dashurie nga Biri i Tij i dashur për të kryer Shlyerjen.

Unë kam qëndruar te kopshti i Gjetsemanit në shumë raste. Kam vështruar me mendjen time vuajtjen, agoninë e Shpëtimtarit – atë agoni që u përjetua kur Ati ynë Qiellor e lejoi atë, në një mënyrë që mendja jonë as mund ta kuptojë, që të merrte përsipër dhimbjen dhe mëkatet e gjithë njerëzimit. Shpirti im u mbush me dhimbje kur mendoja për sakrificën e Tij të madhërishme për njerëzimin.

Unë kam qëndruar nën Golgota, vendi i kafkës, dhe kam medituar poshtërimin e kryqëzimit që e çoi Shpëtimtarin tonë në vdekje tokësore, por që bëri të ndodhte pavdekësia e Tij dhe e gjithë njerëzimit. Dhe përsëri shpirti im ishte ndrydhur.

Dhe unë qëndrova përpara varrit në kopsht dhe përfytyrova atë ditë të lavdishme të ringjalljes kur Shpëtimtari u ngrit nga varri i gjallë, i ringjallur, i pavdekshëm. Në atë meditim zemra ime u mbush me gëzim.

Nga këto përjetime unë kam ndier shpirtin tim të falënderojë dhe të përlëvdojë Atin tonë Qiellor për dashurinë që Ai dhe Biri i Tij na kanë dhënë nëpërmjet sakrificës së lavdishme shlyese. Në fjalët e Çarlz Gabrielit: “Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do, i shtangur nga hiri që ai kaq shum’ më dërgon. Unë dridhem kur di se për mua ai shkoi në kryq, për mu’ mëkatarin ai vojti, u gjakos dhe vdiq. Kaq shum’ t’kujdeset për mua, o ç’mrekulli! Aq shum’ sa u bë fli! Për mua ç’mrekulli, Zot, o ç’mrekulli! …

Unë jap dëshminë time, vëllezër dhe motra të mia, që Ati ynë Qiellor dërgoi Birin e Tij të dashur, Jezu Krishtin, në botë për të përmbushur kushtet me të cilat plani i shpëtimit do të zbatohej. Shlyerja përfaqëson dashurinë e Tij të madhe për ne.4

2

Shpëtimtari mori mbi Vete të gjitha mëkatet, dobësitë, brengën dhe dhimbjen tonë.

Ndërsa ata qenë takuar për të festuar Pashkën, Jezusi dhe Apostujt e Tij morën simbolet e sakramentit që Ai i filloi së bashku në këtë darkë të fundit dhe pastaj shkoi te Mali i Ullinjve.

Gjithmonë mësues deri në fund, Ai e vazhdoi fjalën e Tij mbi temën e qengjit të sakrifikuar. Ai u tha atyre se Ai do të goditej dhe se ata do të shpërndaheshin si delet pa bari (shih Mateu 26:31). “Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile” (Mateu 26:32).

Në orët që pasuan, ai djersiti pika gjaku, u fshikullua nga vetë udhëheqësit që pretendonin se ishin roja të ligjit të Tij dhe u kryqëzua bashkë me hajdutët. Ishte mbreti Beniamin në Librin e Mormonit që profetizoi: “Ai do të durojë tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje, madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje; pasi shikoni, gjaku del nga çdo por, kaq e madhe do të jetë dhembja e tij për ligësinë dhe neveritë e popullit të tij. …

Dhe vini re, ai vjen mes popullit të tij, që shpëtimi të mund të vijë te fëmijët e njerëzve … ; dhe madje pas gjithë kësaj, ata do ta konsiderojnë atë një njeri dhe do të thonë se ai ka një djall dhe do ta fshikullojnë, dhe do ta kryqëzojnë atë” (Mosia 3:7, 9).

Ne i detyrohemi profetit Alma për njohurinë që kemi mbi përmasën e plotë të vuajtjes së Tij: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:11–12).

Mendoni për këtë! Kur trupi i Tij u hoq nga kryqi dhe u vendos me shpejtësi në një varr të huazuar, Ai, Biri i pamëkatë i Perëndisë, pati marrë tashmë mbi vete jo vetëm mëkatet dhe tundimet e çdo shpirti njerëzor që do të pendohet, por të gjitha sëmundjet dhe brengat dhe dhimbjen e çdo lloji. Ai i vuajti këto pikëllime sikurse i vuajmë ne, sipas mishit. Ai i vuajti ato të gjitha. Ai e bëri këtë për të përsosur mëshirën e Tij dhe aftësinë e Tij për të na ngritur ne mbi çdo sprovë tokësore.5

Ne mundemi, në fakt, të bëjmë zgjedhje të gabuara, zgjedhje të këqija, zgjedhje të dëmshme. Dhe ndonjëherë ne bëjmë pikërisht këtë, por është këtu ku misioni dhe mëshira e Jezu Krishtit vjen në fuqi dhe lavdi të plotë. … Ai ka dhënë një shlyerje ndërmjetësuese për zgjedhjet e gabuara që bëjmë. Ai është avokati ynë tek Ati dhe ka paguar, qysh më parë, për gabimet dhe marritë që ne i shohim shpesh në ushtrimin e lirisë sonë. Ne duhet ta pranojmë dhuratën e Tij, të pendohemi për ato gabime dhe të ndjekim urdhërimet e Tij me qëllim që të përfitojmë plotësisht nga ky shëlbim. Oferta është kurdoherë atje; udha është kurdoherë e hapur. Ne mundemi kurdoherë, edhe në orën tonë më të errët dhe gabimet më shkatërruese, ta shohim Birin e Perëndisë.6

3

Jezu Krishti u ngrit nga varri dhe ishte rezultati i parë i Ringjalljes.

Le të shkojmë së bashku në kohë në ato skena përfundimtare në Tokën e Shenjtë. Fundi i jetës së vdekshme të Zotit tonë ishte afër. Ai kishte shëruar të sëmurë, kishte ngritur të vdekur dhe kishte shpjeguar shkrime të shenjta, përfshirë ato profeci për vetë vdekjen dhe ringjalljen e Vet. Jezusi u tha dishepujve të Tij:

“Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.

Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet” (Mateu 20:18–19). …

Ndërsa agimi i asaj dite të tretë po fillonte, Maria Magdalena dhe “Maria tjetër” kishin ardhur te varri ku ishte shtrirë trupi i Tij pa jetë [Mateu 28:1; shih edhe Marku 16:1; Lluka 24:10]. Më herët, kreu i priftërinjve dhe farisenjtë patën shkuar te Pilati dhe e bindën atë të vendoste rojë te dera e varrit, “se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: ‘U ringjall së vdekuri’” (Mateu 27:64). Por dy engjëj të fuqishëm e patën rrokullisur gurin nga dera e varrit dhe dy rojat qenë zhdukur të tmerruar nga pamja.

Kur gratë erdhën te varri, ato e gjetën të hapur dhe të zbraztë. Engjëjt patën qëndruar për t’u thënë atyre lajmin më të madh që ishte dëgjuar ndonjëherë nga veshi njerëzor: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë” (Mateu 28:6).7

Asnjë doktrinë në shkrimet e shenjta të krishtera nuk është më e rëndësishme për të gjithë njerëzimin sesa doktrina e ringjalljes së Birit të Perëndisë. Nëpërmjet Tij erdhi ringjallja e të gjithë burrave, grave dhe fëmijëve që janë lindur ndonjëherë – ose që do të linden ndonjëherë – në botë.

Me gjithë rëndësinë e madhe që i japim ringjalljes në doktrinën tonë, ndoshta shumë nga ne mund të mos e kenë parë plotësisht rëndësinë shpirtërore dhe madhështinë e përjetshme të saj. Nëse do ta kishim parë, ne do të mrekulloheshim me bukurinë e saj siç ndodhi me Jakobin, vëllanë e Nefit, dhe ne do të tronditeshim nga alternativa që do të ndeshnim nëse nuk do ta kishim marrë këtë dhuratë hyjnore. Jakobi shkroi:

“O, urtësia e Perëndisë, mëshira dhe hiri i tij! Pasi vini re, në qoftë se mishi nuk do të ngrihej më, shpirtrat tanë do t’i nënshtroheshin atij engjëlli që ra nga prania e Perëndisë së Amshuar dhe u bë djalli, për të mos u ngritur më” (2 Nefi 9:8).

Sigurisht ringjallja është fokusi i çdo besimi të krishterë; ajo është mrekullia më e madhe e kryer nga Shpëtimtari i botës. Pa të, ne jemi të lënë vërtet pa shpresë. Më lejoni të huazoj fjalët e Palit: “Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, … predikimi ynë është i kotë, … dhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë; sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin. … Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (1 Korintasve 15:13–15, 17).8

Pa Ringjalljen, ungjilli i Jezu Krishtit bëhet një listë thëniesh të urta dhe mrekullish që duken të pashpjegueshme – por thënie dhe mrekulli pa një triumf përfundimtar. Jo, triumfi përfundimtar është te mrekullia përfundimtare: për herë të parë në historinë e njerëzimit, dikush që kishte vdekur u ngrit vetë në pavdekësi të gjallë. Ai ishte Biri i Perëndisë, Biri i Atit tonë të pavdekshëm në Qiell, dhe triumfi i Tij mbi vdekjen fizike dhe shpirtërore është lajmi i mirë që çdo gjuhë e krishterë duhet të thotë.

E vërteta e përjetshme është se Jezu Krishti u ngrit nga varri dhe ishte rezultati i parë i Ringjalljes. (Shih 1 Korintasve 15:23.) Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje të mrekullueshme nuk mund të vihen në dyshim.

Midis dëshmitarëve të zgjedhur janë Apostujt e Zotit. Vërtet, thirrja në detyrën e Apostullit hyjnor është për t’i sjellë dëshmi botës për shenjtërinë e Zotit Jezu Krisht. Jozef Smithi tha: “Parimet themelore të fesë sonë janë dëshmia e apostujve dhe e profetëve lidhur me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros dhe u ngrit përsëri në ditën e tretë, dhe u ngjit në qiell; dhe të gjitha gjërat e tjera që lidhen me fenë tonë janë vetëm shtesa të kësaj”. (History of the Church, 3:30.) …

Duke i mësuar Apostujt e Tij, Krishti u bëri të ditur “se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet”. (Marku 8:31.) Dhe ashtu ndodhi. Ai u kryqëzua dhe u vendos në varr. Në ditën e tretë, Ai u ngrit për të jetuar përsëri – Shpëtimtari i gjithë njerëzimit dhe rezultati i parë i Ringjalljes. Nëpërmjet kësaj sakrifice shlyese, të gjithë njerëzit do të shpëtohen nga varri dhe do të jetojnë përsëri. Kjo ka qenë gjithmonë dëshmia e Apostujve, së cilës unë i shtoj dëshminë time.9

Pamja
Krishti dhe Maria Magdalena

Jezu Krishti iu shfaq Maria Magdalenës pak pasi ishte ringjallur (shih Gjoni 20:1–18).

4

Jezusi iu shfaq shumë njerëzve pas Ringjalljes së Tij.

Në ditët që pasuan ringjalljen e Tij, Zoti iu shfaq shumë njerëzve. Ai u tregoi atyre pesë plagët e veçanta të Tij. Ai eci dhe foli dhe hëngri me ta, si për të provuar përtej çdo dyshimi se një trup i ringjallur është vërtet një trup fizik prej mishi dhe kockash të prekshme. Më vonë Ai shërbeu te nefitët, të cilët i urdhëroi: “Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës.

Dhe … turma shkoi përpara dhe i vunë duart në anën e tij, dhe ndien gjurmët e gozhdëve në duart e tij dhe në këmbët e tij; dhe këtë e bënë duke vajtur një nga një, derisa ata të gjithë shkuan përpara dhe panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, dhe mësuan me siguri, dhe dëshmuan se ishte ai, për të cilin ishte shkruar nga profetët, se do të vinte” (3 Nefi 11:14–15).

Është përgjegjësia dhe gëzimi i të gjithë burrave dhe grave kudo që “ta kërko[jnë] këtë Jezus për të cilin kanë [dëshmuar] profetët dhe apostujt” (Ethëri 12:41) dhe të kenë dëshmi shpirtërore për shenjtërinë e Tij. Është e drejta dhe bekimi i të gjithë atyre që përpiqen përulësisht të kërkojnë, që të dëgjojnë zërin e Frymës së Shenjtë, duke sjellë dëshmi për Atin dhe Birin e Tij të ringjallur.10

Dëshmia e atyre që e panë [Jezusin] si një person të gjallë pas vdekjes së Tij nuk është kundërshtuar kurrë. Ai u shfaq të paktën dhjetë ose njëmbëdhjetë herë: Maria Magdalenës dhe grave të tjera në kopsht, dy dishepujve në rrugën për ne Emaus, Pjetrit në Jerusalem, apostujve kur Thomai mungonte dhe përsëri kur ai ishte i pranishëm, apostujve në Detin e Galilesë dhe në një mal mbi 500 vëllezërve menjëherë, Jakobit vëllait të Zotit dhe apostujve në kohën e ngritjes.11

Si një i thirrur dhe i shuguruar për të sjellë dëshmi në emër të Jezu Krishtit për gjithë botën, unë dëshmoj në këtë stinë Pashke se Ai jeton. Ai ka një trup të përlëvduar e të pavdekshëm prej mishi e kockash. Ai është Biri i Vetëmlindur i Atit në mish. Ai është Shpëtimtari, Drita dhe Jeta e botës. Pas kryqëzimit dhe vdekjes së Tij, Ai iu shfaq si një qenie e ringjallur Maries, Pjetrit, Palit dhe shumë të tjerëve. Ai iu shfaq nefitëve. Ai iu shfaq Jozef Smithit, djalit profet, dhe shumë të tjerëve në periudhën tonë ungjillore.12

5

Ne do të ngrihemi nga vdekja dhe do të kemi jetë të përjetshme.

Pashka është festimi i dhuratës falas të pavdekësisë që i është dhënë të gjithë njerëzve, duke rivendosur jetën dhe shëruar të gjitha plagët. Edhe pse të gjithë do të vdesin si pjesë e planit të rritjes dhe zhvillimit, gjithsesi ne të gjithë mund të gjejmë ngushëllim në thënien e Psalmistit: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. (Psalmeve 30:5.)

Ishte Jobi që bëri një pyetje që mund të quhet pyetja epokale: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobit 14:14.) Përgjigjja e Krishtit jehon ndër kohëra deri tani që flasim: “Sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni”. (Gjoni 14:19.)13

Ka një ndarje të shpirtit dhe të trupit në kohën e vdekjes. Ringjallja do ta bashkojë sërish shpirtin me trupin, dhe trupi bëhet një trup frymëror, prej mishi dhe kockash, por i gjallëruar nga fryma në vend të gjakut. Prandaj, trupat tanë pas ringjalljes, gjallëruar nga fryma, do të bëhen të pavdekshëm dhe nuk do të vdesin kurrë. Ky është kuptimi i deklaratave të Palit se “ka trup natyror, ka edhe trup frymëror”, dhe “se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” [shih 1 Korintasve 15:44, 50]. Trupi natyror është mish dhe gjak, por i gjallëruar nga shpirti në vend të gjakut, ai mund dhe do të hyjë në mbretëri. …

Unë kam një bindje se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti. Ashtu sikurse Pali u dha dëshmi shenjtorëve të Korintit, me letrën e tij në stinën e Pashkës shumë vite përpara, unë shtoj dëshminë time që ne do të ngrihemi nga vdekja tokësore për të pasur jetë të përjetshme në saje të sakrificës shlyese dhe ringjalljes së Shpëtimtarit. Në mendjen time e përfytyroj atë me duart të shtrira drejt të gjithëve që do të dëgjojnë:

“…Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë”. (Gjoni 11:25–26.)14

Ringjallja e Krishtit shpall bekimin e pavdekësisë dhe mundësinë e jetës së përjetshme. Varri i zbrazët i Tij i shpall gjithë botës: “Ai nuk është këtu, por është ringjallur”. (Lluka 24:6.) Këto fjalë përmbajnë gjithë shpresën, sigurinë dhe besimin e nevojshëm për të na mbështetur në jetën tonë sfiduese dhe ndonjëherë të mbushur me hidhërim.15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Si e demonstron Shlyerja dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit për ne? (Shih pjesën 1.) Si mund të tregojmë mirënjohje për këtë dhuratë dashurie? (Shih DeB 42:29.)

  • Ndërsa shqyrtoni pjesën 2, shihni për mënyrat e shumta me të cilat na bekon Shlyerja. Si e ngrenë mësimet e Presidentit Hanter dhe përdorimi i shkrimeve të shenjta kuptimin tuaj të Shlyerjes? Çfarë përvojash e kanë forcuar dëshminë tuaj për Shlyerjen? Si mundet fuqia e Shlyerjes t’ju forcojë gjatë sfidave tuaja?

  • Cilat janë përshtypjet tuaja ndërsa studioni mësimet e Presidentit Hanter rreth Ringjalljes? (Shih pjesën 3.) Si mundet ta vlerësojmë më mirë rëndësinë e Ringjalljes?

  • Rishikoni pjesën 4, në të cilën Presidenti Hanter jep hollësisht shumë dëshmi për Ringjalljen e Jezu Krishtit. Përse është e rëndësishme dëshmia për këto prova?

  • Shqyrtoni mësimin e Presidentit Hanter që Ringjallja jep “gjithë shpresën, sigurinë dhe besimin e nevojshëm për të na mbështetur në jetën tonë sfiduese dhe ndonjëherë të mbushur me hidhërim” (pjesa 5). Si është Ringjallja për ju një burim shprese dhe ngushëllimi? Si e ka pasuruar jetën tuaj dëshmia për Ringjalljen?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 10:17–18; 2 Nefi 2:6–9, 22–27; 9:19–25; 3 Nefi 27:13–16; DeB 18:10–16; 19:15–20; Moisiu 6:59–60

Ndihmë për Studimin

“Planifikoni aktivitete studimi që do të ndërtojnë besimin tuaj te Shpëtimtari” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 22). Për shembull, ndërsa studioni, ju mund t’i bëni vetes pyetje të tilla si ato që vijojnë: “Si mund të më ndihmojnë këto mësime që ta rrit aftësinë time për të kuptuar Shlyerjen e Jezu Krishtit? Si mund të më ndihmojnë këto mësime që të bëhem më i ngjashëm me Shpëtimtarin?”

Shënime

  1. Në Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 88; shih edhe f. 86–87.

  2. Në Conference Report, tetor 1968, f. 139.

  3. “Evidences of the Resurrection”, Ensign, maj 1983, f. 16.

  4. “The Atonement of Jesus Christ” (bisedë dhënë në seminarin e presidentëve të misioneve, 24 qershor 1988), f. 2–3, 7, Church History Library, Salt Lake City; shih edhe The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 8–9.

  5. “He Is Risen”, Ensign, maj 1988, f. 16–17.

  6. “The Plan of Salvation”, Ensign, nëntor 1989, f. 18.

  7. “He Is Risen”, f. 16–17.

  8. “He Is Risen”, f. 16.

  9. “An Apostle’s Witness of the Resurrection”, Ensign, maj 1986, f. 16–17.

  10. “He Is Risen”, f. 17.

  11. Në Conference Report, prill 1963, f. 106.

  12. “He Is Risen”, f. 17.

  13. “An Apostle’s Witness of the Resurrection”, f. 16.

  14. Në Conference Report, prill 1969, f. 138–139.

  15. “An Apostle’s Witness of the Resurrection”, f. 15–16.