Mësime të Presidentëve
Kapitulli 12: Kthehuni dhe Ushqehuni me Bollëk në Tavolinën e Zotit


Kapitulli 12

Kthehuni dhe Ushqehuni me Bollëk në Tavolinën e Zotit

“Ndihmojini më pak aktivët dhe përjetojeni gëzimin që do t’ju vijë juve dhe atyre që ndihmoni.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Ditën pasi u bë President i Kishës, Hauard W. Hanteri u drejtoi këtë ftesë të dashur anëtarëve të Kishës që nuk merrnin pjesë aktivisht:

“Atyre që kanë bërë shkelje ose janë fyer, ne u themi, kthehuni. Atyre që janë lënduar dhe janë duke hasur vështirësi dhe janë të trembur, ne u themi, na lini të qëndrojmë me ju dhe t’jua fshijmë lotët. Atyre që janë të pështjelluar dhe mbytur nga gabimi në çdo anë, ne u themi, ejani te Perëndia i gjithë të vërtetës dhe te Kisha e zbulesës së vazhdueshme. Kthehuni. Qëndroni me ne. Vazhdoni. Jini besues. Gjithçka është mirë dhe gjithçka do të jetë mirë. Ushqehuni me bollëk në tavolinën e shtruar përpara jush në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe përpiquni të ndiqni Bariun e Mirë që e ka siguruar atë. Kini shpresë, ushtroni besim, merrni – dhe jepni – dashuri hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit.”1

Në bisedën e tij të parë në konferencën e përgjithshme si President i Kishës disa muaj më vonë, Presidenti Hanter tha se ndiente shtysë për ta vijuar këtë theksim. “Kthehuni”, përsëriti ai. “Merreni të mirëfilltë ftesën [e Shpëtimtarit] ‘ejani, më ndiqni’. … Ai është e vetmja udhë e sigurt; Ai është drita e botës.”2

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Hanter ndihmoi shumë anëtarë të Kishës që të riktheheshin në aktivitet. Duke treguar një përvojë të tillë nga fillimet e moshës madhore, ai tha:

“Peshkopi i lagjes sime më caktoi si mësues të lagjes te një vëlla që mburrej se ishte dhjaku më i moshuar në Kishë. Mësimi i shtëpisë ishte mësimi i lagjes në ato kohë. Problemi i tij ishte se atij i pëlqente të luante golf të dielën. Ishte shkurajuese të takoheshe muaj pas muaji me të dhe bashkëshorten e tij dhe të mos shihje ndonjë përparim të dukshëm. Por më në fund, fjala e drejt iu tha dhe ajo ia preku telat. Fjala ishte besëlidhje. Ne e pyetëm: ‘Çfarë do të thotë për ju besëlidhja e pagëzimit?’ Shprehja e tij ndryshoi, dhe për herë të parë ne pamë një anë serioze të tij. Më në fund ai erdhi në klasat tona, hoqi dorë nga golfi dhe e çoi gruan e vet në tempull.”3

Pamja
Krishti me dele

“Secili prej nesh duhet ta lexojë dhe rilexojë shëmbëlltyrën e deles së humbur. … Unë shpresoj se mesazhi i asaj shëmbëlltyre do të ngulitet në zemrat e secilit prej nesh.”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Shëmbëlltyra e deles së humbur na mëson t’i kërkojmë ata që kanë humbur.

Presidenca e Parë [i drejtoi] anëtarësisë së Kishës një ftesë të rëndësishme … :

“Atyre që kanë ndërprerë aktivitetin dhe atyre që janë bërë kritikë, ne u themi: ‘Kthehuni. Ejani dhe ushqehuni me bollëk në tavolinën e Zotit, dhe shijojini përsëri frytet e ëmbla dhe përmbushëse të shoqërimit me shenjtorët’.

Ne jemi të sigurt se shumë janë të dëshiruar për t’u kthyer, por janë ndjerë në siklet për ta bërë këtë. Ne ju sigurojmë se ju do të gjeni krahë të hapura për t’ju pritur dhe duar të gatshme për t’ju ndihmuar.” (Ensign, mars 1986, f. 88.)

Unë mendoj se të gjithë ne kemi pasur mbresë nga kjo thirrje bujare e ngjashme me atë që profeti Alma shpalli në Librin e Mormonit lidhur me një ftesë që ishte bërë nga Zoti. Ai tha:

“Vini re, ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj.

Po, ai thotë: Ejani tek unë dhe ju do të hani nga fruti i pemës së jetës; po, ju do të hani dhe do të pini lirisht nga buka dhe nga ujërat e jetës;

Po, ejani tek unë dhe sillni vepra drejtësie.” (Alma 5:33–35.)

Secili prej nesh duhet ta lexojë dhe ta rilexojë shëmbëlltyrën e deles së humbur që gjendet në kapitullin e pesëmbëdhjetë të Llukës, duke filluar me vargun e katërt:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur’” [Lluka 15:4–6]. …

Profeti Jozef Smith bëri një ndryshim të rëndësishëm të një vargu te Përkthimi prej Joseph Smith-it. Aty thuhet: “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre i humbet, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat dhe shkon në shkretëtirë pas asaj që humbi derisa ta gjejë?” (PJS, Lluka 15:4; theksimi i shtuar.)

Ai përkthim sugjeron se bariu e lë tufën e tij të sigurt dhe del në shkretëtirë – pra, del jashtë në botë pas asaj që ka humbur. Humbur nga çfarë? Humbur nga tufa ku ka mbrojtje dhe siguri. Unë shpresoj se mesazhi i asaj shëmbëlltyre do të ngulitet në zemrat e secilit prej nesh.4

2

Zoti pret që ne të jemi nënbarinjtë e Tij dhe të shpëtojmë ata që po hasin vështirësi apo kanë humbur.

Çfarë duhet të bëjmë për t’i ndihmuar ata që kanë humbur udhën e tyre në shkretëtirë?

Duke u nisur nga ajo që Mësuesi tha rreth lënies së nëntëdhjetë e nëntave dhe shkuarjes në shkretëtirë për të kërkuar njërën që ka humbur, dhe për shkak të ftesës së Presidencës së Parë për ata që kanë ndërprerë aktivitetin ose kanë qenë kritikë për t’u “kth[yer]”, ne ju ftojmë të përfshiheni në shpëtimin e shpirtrave. Ndihmojini më pak aktivët dhe përjetojeni gëzimin që do t’ju vijë juve dhe atyre që ndihmoni nëse ju dhe ata do të marrin pjesë në bërjen e ftesave për t’u kthyer dhe ushqyer me bollëk në tavolinën e Zotit.

Zoti, Perëndia ynë Bari, pret që ne të jemi nënbarinjtë e Tij dhe të shpëtojmë ata që po hasin vështirësi apo kanë humbur. Ne nuk mund t’ju tregojmë si ta bëni, por kur përfshiheni dhe kërkoni frymëzim, suksesi do të vijë nga përpjekjet në zonat, … kunjet dhe lagjet tuaja. Disa kunje u janë përgjigjur thirrjeve të mëparshme dhe kanë pasur sukses të mrekullueshëm.

Fjalët e një himni të njohur përmbajnë thirrjen e Shpëtimtarit për ne:

“Dëgjoni! Ai po thërret me zell,

Butësisht sot duke u lut’:

‘A s’do t’i kërkoni delet e mia,

Që larg nga streha ime kan’ humb’?’”

Dhe ai himn, i kënduar shpesh, tregon se cila duhet të jetë përgjigjja jonë:

“Na bëj nënbarinjtë e Tu të vërtetë;

Dashuri të thellë na jep.

Dërgona në shkretëtirë,

Delen Tënde që endet t’kërkojmë.”

(Hymns, 1985, nr. 221.)

Nëse e bëjmë këtë, bekime të përjetshme do të na vijnë.5

Kërkimi pas të humburit, të mbrapshtit dhe arrakatit është punë që bëhet për Zotin. … Kërkesa plot lutje e Almës është një kujtesë e mirë për shenjtërinë e detyrës sonë:

“O Zot, na jep mundësi që të kemi sukses për t’i sjellë [shpirtrat] përsëri te ti, në Krisht.

Vër re, O Zot, shpirtrat e tyre janë të çmueshëm”. (Alma 31:34–35.)6

Pamja
misionarë duke mësuar një familje

“O Zot, na jep mundësi që të kemi sukses për t’i sjellë [shpirtrat] përsëri te ti, në Krisht. Vër re, O Zot, shpirtrat e tyre janë të çmueshëm” (Alma 31:34–35).

3

Objektivi ynë i madh është të ndihmojmë njerëzit të kthehen në praninë e Perëndisë.

Ndër vite Kisha ka bërë disa përpjekje të jashtëzakonshme për të rifituar ata që janë më pak aktivë. … Dhe e gjitha për çfarë qëllimi? Për të shpëtuar shpirtrat e vëllezërve dhe motrave tona dhe për të parë që ata të kryejnë ordinancat e ekzaltimit.

Kur po shërbeja si president kunji në zonën e Los Anxhelosit, këshilltarët e mi dhe unë iu kërkuam peshkopëve tanë që të zgjidhnin me kujdes katër ose pesë çifte që donin ta çonin më tej përparimin e tyre në Kishë. Disa ishin më pak aktivë, të tjerë të porsakthyer në besim – por ata ishin të motivuar të përparonin shpirtërisht. Ne i mblodhëm së bashku në një klasë të kunjit dhe iu mësuam ungjillin. Më shumë sesa të theksonim tempullin, ne u përqendruam te një marrëdhënie më e mirë me Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Procesi ynë i kujdesshëm i përzgjedhjes siguroi sukses, dhe shumica e këtyre çifteve u bënë vërtet aktivë dhe shkuan në tempull.

Më lejoni të jap një [tjetër] përvojë. … Ne kishim një burrë në një nga lagjet që nuk merrte pjesë në asnjë mbledhje. Bashkëshortja e tij nuk ishte anëtare. Ajo ishte disi e ashpër, kështu që ne nuk mund t’u dërgonim në shtëpi mësues shtëpie. Peshkopi iu qas këtij vëllai duke i thënë se ai kishte me Shpëtimtarin një marrëdhënie që duhej ta rriste dhe ta zhvillonte. Vëllai i shpjegoi peshkopit problemin me bashkëshorten joanëtare, kështu që peshkopi bisedoi me gruan e tij, duke i theksuar të njëjtën qasje – një marrëdhënie me Zotin që duhej rritur. Ajo ende nuk ishte pranuese, por ishte e lumtur që mësoi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme besonin në Krisht dhe për rrjedhim pjesërisht u tërhoq nga mbrojtja e saj.

Suksesi nuk erdhi menjëherë, por ata që vizitonin shtëpinë vazhduan të përqendroheshin te marrëdhënia e çiftit me Zotin. Me kohë ajo u bë miqësore dhe më në fund pranoi të vinte me bashkëshortin e saj në klasën e kunjit ku jepej mësim nga anëtarë të këshillit të lartë. Ne u përqendruam te besëlidhja që bën njeriu në pagëzim dhe në besëlidhje të tjera. Përfundimisht ajo u bë anëtare e Kishës dhe ai u bë një udhëheqës i suksesshëm priftërie. …

Më ka bërë përshtypje një deklaratë te faqja e titullit të Librit të Mormonit, e cila përshkruan një nga qëllimet e atij libri të shenjtë: “Që ata [Shtëpia e Izraelit në ditët e mëvonshme] të mund të dinë besëlidhjet e Zotit”. (Theksimi i shtuar.) Ai ishte theksimi që ne si presidencë kunji patëm ndjesinë për t’ua bërë atyre që ishin më pak aktivë. Ne u përpoqëm t’u bënim thirrje atyre mbi bazën e rëndësisë së besëlidhjeve që ata patën bërë me Zotin; pastaj u mësuam atyre rëndësinë e besëlidhjes së pagëzimit dhe besëlidhjeve shtesë që ata mund të bënin, të cilat do t’i bashkonin ata si një familje e përjetshme.7

I gjithë qëllimi i Kishës që vepron lirshëm në nivel vendor është që të kualifikojë individë për t’u kthyer në praninë e Perëndisë. Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet marrjes së ordinancave dhe bërjes së besëlidhjeve në tempull nga ana e tyre.8

Përpjekjet tona përqendrohen te bërja e besëlidhjeve dhe ordinancave shpëtuese të ungjillit të disponueshme për të gjithë njerëzimin: për joanëtarët nëpërmjet punës sonë misionare; për më pak aktivët nëpërmjet shoqërimit dhe përpjekjeve aktivizuese; për anëtarët aktivë nëpërmjet pjesëmarrjes dhe shërbimit në Kishë dhe për ata që kanë vdekur nëpërmjet punës së shëlbimit për të vdekurit.9

Ne po përpiqemi të plotësojmë një objektiv për çdo anëtar të veçantë të Kishës. Që do të thotë për të gjithë që marrin ordinancat e ungjillit dhe bëjnë besëlidhje me Atin tonë Qiellor në mënyrë që të mund të kthehen në praninë e Tij. Ky është objektivi ynë i madh. Ordinancat dhe besëlidhjet janë mjetet për ta arritur atë natyrë hyjnore që do të na kthejë përsëri në praninë e Tij. …

Mbani në mendje qëllimin: t’i ftojmë të gjithë të vijnë në Krisht. …

Unë dëshmoj, vëllezër dhe motra të mia, për shenjtërinë e Tij dhe fuqinë për t’i shpëtuar ata që do të vijnë tek Ai me zemër të thyer dhe shpirt të penduar. Nëpërmjet ordinancave dhe Shpirtit të Tij të Shenjtë, çdo person mund të bëhet i pastër.10

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hanter nxit çdo anëtar të Kishës që të lexojë dhe rilexojë shëmbëlltyrën e deles së humbur (shih pjesën 1; Lluka 15:4–7). Çfarë mesazhesh merrni nga ajo shëmbëlltyrë dhe nga mësime të tjera në pjesën e parë? Shqyrtoni se si ato mësime mund t’ju udhëheqin ndërsa shërbeni në Kishë.

  • Cila është përgjegjësia jonë si nënbarinj të Zotit? (Shih pjesën 2.) Si mund t’i ndihmojmë njerëzit të kthehen tek aktiviteti i Kishës? Si jeni bekuar ju (apo dikush që ju njihni) nga një person që ju ndihmoi kur ju ishit “duke has[ur] vështirësi apo [kishit] humbur”?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvojat që Presidenti Hanter tregon në pjesën 3? Si mundet një theksim i besëlidhjeve t’i ndihmojë anëtarët e Kishës të kthehen në aktivitet?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Ezekiel 34:1–16; Lluka 15:11–32; Gjoni 10:1–16, 26–28; 13:35; 1 Gjon 1:7; Mosia 18:8–10; Helamani 6:3; 3 Nefi 18:32; Moroni 6:4–6; DeB 38:24

Ndihmë për Studimin

Parimi është e vërteta që udhëheq marrjen e vendimeve dhe veprimet. “Ndërsa lexoni, pyetni veten, ‘Cili parim i ungjillit jepet mësim në këtë fragment? Si mund ta zbatoj këtë në jetën time?’” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 17).

Shënime

  1. Në Jay M. Todd, “President Howard W. Hunter: Fourteenth President of the Church”, Ensign, qershor 1994, f. 5.

  2. “Exceeding Great and Precious Promises”, Ensign, nëntor 1994, f. 8.

  3. “Make Us Thy True Undershepherds”, Ensign, shtator 1986, f. 9.

  4. “Make Us Thy True Undershepherds”, f. 7–8.

  5. “Make Us Thy True Undershepherds”, f. 9.

  6. “The Mission of the Church” (bisedë dhënë në seminarin e përfaqësuesve rajonalë, 30 mars 1990), f. 4.

  7. “Make Us Thy True Undershepherds”, f. 8–9.

  8. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 218.

  9. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 245–246.

  10. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 218.