Mësime të Presidentëve
Kapitulli 22: Mësimdhënia e Ungjillit


Kapitulli 22

Mësimdhënia e Ungjillit

“Qëllimi i mësimdhënies … [është] që ne të mund të jemi një instrument në duart e Zotit për ndryshimin e zemrës së një individi.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Në konferencën e përgjithshme të prillit 1972, Plaku Hauard W. Hanter, atëherë një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ishte një nga folësit e fundit të një prej sesioneve. Ai pati përgatitur një bisedë, por nuk pati mbetur mjaft kohë në sesion për të që ta jepte. “Duke vërejtur orën”, tha Plaku Hanter, “i palosa shënimet që pata përgatitur dhe i vura në xhepin tim të brendshëm. Por më lejoni të marr një çast për të përmendur një incident të vogël që la një mbresë tek unë kur isha djalë i ri. Kjo më erdhi në mendje kur u përmend se këtë pasdite janë me ne një grup njerëzish të përkushtuar që i japin mësim rinisë sonë.

Ishte një ditë vere herët në mëngjes. Unë po qëndroja pranë dritares. Perdet më pengonin të shihja dy krijesa të vogla jashtë në lëndinë. Njëri ishte një zog i madh dhe tjetri një zog i vogël, dukej i sapodalë nga çerdhja. Pashë zogun e madh që kërceu në lëndinë, pastaj nguli këmbët dhe ngriti kokën. Ai nxori një krimb të madh të majmë nga lëndina dhe u kthye duke u hedhur. Zogu i vogël e hapi gjerë sqepin e vet, por zogu i madh e gëlltiti krimbin.

Pastaj e pashë zogun e madh të fluturonte lart në një pemë. Ai çukiti lëvoren për një farë kohe dhe u kthye me një insekt të madh në gojën e vet. Zogu i vogël e hapi gjerë sqepin e vet, por zogu i madh e gëlltiti insektin. Pati klithma proteste.

Zogu i madh fluturoi tutje dhe nuk e pashë përsëri, por vërejta zogun e vogël. Pas pak, zogu i vogël u hodh jashtë në lëndinë, nguli këmbët, ngriti kokën dhe tërhoqi një krimb të madh nga lëndina.

Perëndia i bekoftë njerëzit e mirë që i japin mësim fëmijëve tanë dhe rinisë sonë.”

Mesazhi i shkurtër i Plakut Hanter u botua më vonë nën titullin “Një Mësues”.1

Hauard W. Hanteri e theksonte shpesh rëndësinë e mësimdhënies së mirë në Kishë. Ai paraqiti parime – të tilla si rëndësia e mësimdhënies me anë të shembullit, ilustruar me historinë e zogjve – që mund t’i ndihmojnë mësuesit të bëhen më të efektshëm në bekimin e jetës së atyre që u japin mësim. Shpesh ai u foli mësuesve të fëmijëve dhe të rinjve, duke i ndihmuar të kuptojnë përgjegjësinë e tyre të shenjtë për ata të brezit të ri. Në një mjedis të tillë, ai tha:

“Përpara meje tani unë shoh disa nga shpirtrat e zgjedhur të tokës. … Unë përpiqem të përfytyroj secilin [nga ju mësues] në punë në vetë detyrën tuaj konkrete. Unë pyet veten se çfarë lloj fryti do të sjellë puna juaj. A do të dëmtohet një pjesë e atij fryti ngaqë ju nuk e keni punuar apo kultivuar tokën që i është besuar kujdesit tuaj; apo e gjithë toka do të kultivohet në mënyrë të tillë që do të japë maksimumin e frytit të mirë?

Jashtë në lagjet dhe kunjet tuaja përkatëse … janë shumë nga fëmijët e Atit tonë. Sikurse ju, ata janë të zgjedhur në vështrimin e tij; por, ndryshe nga ju, shumë janë pa përvojë dhe shumë janë të rinj në Ungjill. Përgjegjësia juaj ndaj tyre është vërtet e madhe. Jeta e tyre mund të ndikohet, mund të përkulet lehtësisht, të modelohet lehtësisht, të udhëhiqet lehtësisht, nëse ju mund të fitoni besimin e tyre dhe t’u fitoni zemrat. Ju jeni ‘bariu’ i tyre. Ju duhet t’i udhërrëfeni te ‘kullota[t] me bar të njomë’. …

Ç’sfidë, ç’detyrë e gëzueshme, ç’përgjegjësi e shenjtë është tuaja tani! … Sa të vëmendshëm, sa respektues, sa të mirë, sa të ndjeshëm, sa të pastër në zemër, sa të zotëruar nga ajo dashuri vetëmohuese siç Zoti ynë e kishte, sa të përulur, sa të devotshëm duhet të jeni ndërsa merrni përsëri punën tuaj për të kullotur qengjat siç Zoti po ju thotë të bëni!”2

Pamja
familje duke mësuar së bashku

Mësimi i fëmijëve në Kishë mbështet mësimdhënien nga prindërit në shtëpi.

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Ndihmojini të tjerët të zhvillojnë mirëbesim në shkrimet e shenjta.

Unë ju nxit fort që t’i përdorni shkrimet e shenjta në mësimdhënien tuaj dhe të bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj për t’i ndihmuar studentët që t’i përdorin ato dhe të mësohen me to. Do të doja që të rinjtë tanë të kenë mirëbesim në shkrimet e shenjta dhe do të doja që ju ta kuptoni atë frazë në dy mënyra.

Së pari, ne dëshirojmë që studentët të kenë mirëbesim në forcën dhe të vërtetat e shkrimeve të shenjta, mirëbesim se Ati i tyre Qiellor po u flet vërtet atyre përmes shkrimeve të shenjta dhe mirëbesim se ata mund t’u drejtohen shkrimeve të shenjta dhe të gjejnë përgjigje për problemet dhe lutjet e tyre. Ky është një lloj mirëbesimi që do të shpresoja se ua jepni studentëve tuaj dhe mund t’ua jepni nëse u tregoni çdo ditë, çdo orë, se ju besoni në shkrimet e shenjta po ashtu. Tregojuni atyre se ju vetë keni mirëbesim se shkrimet e shenjta mbajnë përgjigjet për shumë – vërtet për shumicën – nga problemet e jetës. Kështu që kur jepni mësim, jepni mësim nga shkrimet e shenjta.

Kuptimi [i dytë] i përfshirë në frazën “mirëbesim në shkrimet e shenjta” është që t’u mësoni studentëve veprat standarde aq tërësisht saqë ata të mund të lexojnë nëpër to me mirëbesim, duke mësuar shkrimet e shenjta, predikimet dhe tekstet thelbësore që përmbahen në to. Ne do të shpresonim se asnjëri prej studentëve tuaj nuk do të largohet nga klasa i frikësuar ose në siklet apo i turpëruar që nuk mund të gjejë ndihmën që i nevojitet pasi nuk i njeh shkrimet e shenjta aq mirë sa të gjejë fragmentet e duhura. Jepuni këtyre të rinjve përvojë të mjaftueshme nga Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe që ata t’i kenë të dy llojet e mirëbesimit që sapo përmenda.

Unë kam menduar shpesh se të rinjtë tanë në Kishë do të ngjasonin shumë me të rinjtë e tjerë jashtë Kishës nëse nuk do të krijonin njëfarë mjeshtërie dhe zotërimi të veprave standarde. Të gjithë ju i kujtoni vargjet që Profeti Jozef shkroi në izolimin e tij në burgun Liberti. Ndër to ai shkroi: “Sepse ka shumë vetë akoma mbi tokë, mes të gjitha sekteve, grupimeve dhe besimeve, të cilët janë të verbuar nga dinakëria e hollë e njerëzve, me anë të së cilës ata rrinë në pritje për të mashtruar, dhe të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (DeB 123:12; theksimi i shtuar).

Ne kemi një përgjegjësi të madhe si [mësues] në Kishë që të sigurojmë se vetë anëtarët tanë, të rinjtë tanë, nuk do të bien në atë kategori të pafat të të qenit të verbuar, të të qenit të reja dhe të rinj të mirë, të përsosur, të denjë, që mbahen larg të vërtetave të shkrimeve të shenjta, ngaqë nuk dinë ku t’i gjejnë ato të vërteta dhe ngaqë ata nuk kanë mirëbesim [në përdorimin] e veprave të tyre standarde.3

2

Jepni Mësim me Anë të Shpirtit.

Përgatituni dhe jetoni në mënyrë të tillë që të keni Shpirtin e Zotit në mësimdhënien tuaj. Ka aq shumë në botën tonë që shkatërron ndjesinë e Shpirtit dhe aq shumë që do të na mbante larg pasjes së Shpirtit me ne. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për këta të rinj që sulmohen dhe pengohen nga botësia rreth e qark tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka të mundur që t’u mundësojmë të ndiejnë praninë e ëmbël dhe siguruese të Shpirtit të Zotit. …

Në një nga zbulesat më themelore të kësaj periudhe ungjillore, Zoti tha: “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim” (DeB 42:14).

Unë kuptoj se ky varg do të thotë jo vetëm që ne nuk duhet të japim mësim pa Shpirtin, por gjithashtu se ne vërtet nuk mund të japim mësim pa të. Të mësuarit e gjërave shpirtërore thjesht nuk mund të bëhet pa praninë udhëzuese dhe vërtetuese të Shpirtit të Zotit. Jozef Smithi do të dukej se ishte dakord: “Të gjithë duhet ta predikojnë Ungjillin, me anë të fuqisë dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë; dhe asnjë njeri nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 355].

… Shqetësohem kur duket se emocioni i fortë ose rrjedhja e lotëve barazohen me praninë e Shpirtit. Sigurisht që Shpirti i Zotit mund të sjellë ndjenja të forta emocionale, përfshirë lot, por kjo shfaqje e jashtme nuk duhet të ngatërrohet me praninë e vetë Shpirtit.

Unë kam vërejtur një masë të madhe vëllezërish të mi ndër vite dhe ne kemi ndarë së bashku disa përvoja shpirtërore të rralla dhe të pashprehura. Ato përvoja kanë qenë të gjitha të ndryshme, secila e veçantë në mënyrën e vet dhe çaste të tilla hyjnore mund të shoqërohen ose jo me lot. Shumë shpesh ato shoqërohen, por ndonjëherë ato shoqërohen me qetësi të plotë. Herë të tjera ato shoqërohen me gëzim. Gjithmonë ato shoqërohen nga një shfaqje e madhe e së vërtetës, e zbulesës në zemër.

Jepuni studentëve tuaj të vërtetën e ungjillit me mësimdhënie të fuqishme; ajo është mënyra për t’u dhënë atyre një përvojë shpirtërore. Le të vijë natyrshëm dhe siç do të vijë, ndoshta me derdhje lotësh, por ndoshta jo. Nëse ajo që thoni është e vërteta dhe ju e thoni me pastërti dhe me bindje të ndershme, ata studentë do ta ndiejnë shpirtin e së vërtetës që po u mësohet dhe do të dallojnë se frymëzimi dhe zbulesa ka ardhur në zemrat e tyre. Kjo është mënyra se si e ndërtojmë besimin. Kjo është mënyra se si ne i forcojmë dëshmitë – me fuqinë e fjalës së Perëndisë të dhënë mësim me pastërti dhe me bindje.

Mbani vesh për të vërtetën, dëgjoni doktrinën dhe lëreni shfaqjen e Shpirtit të vijë ashtu si të mundet në të gjitha format e saj të shumta dhe të ndryshme. Qëndroni me parime të forta; jepni mësim me një zemër të pastër. Atëherë Shpirti do të depërtojë në mendjen dhe zemrën tuaj dhe në çdo mendje dhe zemër të studentëve tuaj.4

3

Ftojini studentët ta kërkojnë Perëndinë, Atin dhe Jezu Krishtin drejtpërdrejt.

Jam i sigurt se ju e njihni rrezikun e mundshëm … që studentët tuaj të ndërtojnë një besnikëri ndaj jush më shumë sesa ndaj ungjillit. … Kjo është arsyeja që ju duhet t’i ftoni studentët tuaj te vetë shkrimet e shenjta, jo thjesht t’u jepni interpretimin dhe paraqitjen tuaj për to. Kjo është arsyeja që ju duhet t’i ftoni studentët tuaj të ndiejnë Shpirtin e Zotit, jo thjesht t’u jepni atyre mendimin tuaj vetjak për këtë. Përfundimisht, kjo është arsyeja që ju duhet t’i ftoni studentët tuaj drejtpërdrejt te Krishti, jo thjesht te një person që jep mësim doktrinat e tij, edhe pse i aftë. Ju nuk do të jeni gjithmonë në dispozicion për këta studentë. …

Detyra jonë e madhe është që t’u japim këtyre studentëve një themel njohurie të asaj që mund t’i shoqërojë gjatë jetës, t’i orientojmë ata drejt Atij që i do dhe që [vetëm Ai] mund t’i drejtojë ata atje ku askush nga ne nuk do të shkojë. Ju lutem, siguroni që besnikëria e këtyre studentëve është ndaj shkrimeve të shenjta dhe Zotit dhe doktrinave të Kishës së rivendosur. Orientojini te Perëndia, Ati dhe Biri i Tij i Vetëmlindur, Jezu Krishti, dhe tek udhëheqja e Kishës së vërtetë. … Jepuni atyre dhuratat që do t’i mbështetin ata kur t’u duhet të qëndrojnë vetëm. Kur ju e bëni këtë, e gjithë Kisha është e bekuar për brezat që vijnë.5

Pamja
klasa e Fillores

“Bëni më të mirën që mundni për të menduar për [studentët] individualisht, që t’u mundësoni të ndiejnë diçka vetjake dhe të veçantë në lidhje me ju, mësuesi i tyre.”

4

Përpiquni të arrini individin.

Mua më ka bërë përshtypje gjithmonë që Zoti merret me ne personalisht, individualisht. Ne bëjmë shumë gjëra në grupe në Kishë, dhe kemi nevojë për organizata me njëfarë madhësie që na lejon ta administrojmë mirë Kishën, por në kaq shumë gjëra të rëndësishme – gjërat më të rëndësishme – janë bërë individualisht. Ne bekojmë foshnja një nga një, madje edhe nëse janë binjakë ose trinjakë. Ne pagëzojmë dhe konfirmojmë fëmijë një nga një. Ne e marrim sakramentin, shugurohemi në priftëri, ose kalojmë nëpër ordinancat e tempullit si individë – si një person që krijon një marrëdhënie me Atin tonë në Qiell. Mund të ketë të tjerë pranë nesh në këto përvoja, ashtu sikurse ka të tjerë në klasën tuaj, por theksimi i qiellit është te çdo individ, te çdo person i vetëm.

Kur Krishti iu shfaq nefitëve, Ai tha:

“Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia. …

Dhe ndodhi që turma shkoi përpara dhe i vunë duart në anën e tij, dhe ndien gjurmët e gozhdëve në duart e tij dhe në këmbët e tij; dhe këtë e bënë duke vajtur një nga një derisa ata të gjithë shkuan përpara dhe panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, dhe mësuan me siguri, dhe dëshmuan” (3 Nefi 11:14–15; theksimi i shtuar).

Ajo përvojë kërkoi kohë, por ishte e rëndësishme që secili individ të kishte përvojë, që çdo palë sy dhe çdo palë duar ta kishte atë ripohim, dëshmi vetjake. Më vonë Krishti i trajtoi fëmijët e nefitëve saktësisht në të njëjtën mënyrë. “A i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta” (3 Nefi 17:21; theksimi i shtuar).

Do të jetë e vështirë për ju që t’u jepni gjithë vëmendjen vetjake disa prej studentëve tuaj që e duan dhe kanë nevojë, por bëni më të mirën që mundni për të menduar për ta individualisht, që t’u mundësoni të ndiejnë diçka vetjake dhe të veçantë në lidhje me ju, mësuesi i tyre. Lutuni për të ditur se cili student ka nevojë dhe për çfarë lloj ndihme dhe jini i ndjeshëm ndaj atyre nxitjeve atëherë kur ato vijnë. … Kujtoni që mësimdhënia më e mirë është ajo një për një dhe shpesh kryhet jashtë klasës. …

Në kërkimin tuaj për ta mësuar individualisht çdo student, ju me shumë gjasa do të zbuloni se disa nuk po ecin aq mirë sa të tjerët dhe se disa nuk po vijnë fare në klasë. Interesohuni personalisht për studentë të tillë; bëni përpjekje shtesë për ta ftuar dhe ndihmuar delen e humbur të vijë në tufë. “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (DeB 18:10). Një çmim i pallogaritshëm është paguar nga Shpëtimtari ynë për secilin nga ne dhe është detyra jonë të bëjmë gjithçka mundemi për ta ndihmuar Atë në punën e Tij. Është detyra jonë që të sigurojmë se dhurata e Shlyerjes ka shkuar te çdo i ri apo e re për të cilin ne kemi përgjegjësi. Në situatën tuaj, kjo do të thotë t’i mbash ata në aktivitet të plotë në klasën tuaj.

U kushtoni vëmendje të veçantë atyre që mund të jenë duke luftuar dhe dilni sipas nevojës për të gjetur delen e humbur. Një kartolinë e shkruar, një telefonatë, ose, nëse është e mundur, një vizitë vetjake në shtëpi në shumë raste do të kenë rezultat të mrekullueshëm. Vëmendja personale ndaj një të riu që sapo fillon të dalë nga udha, mund të kursejë orë dhe orë – vërtet, vite dhe vite – përpjekjesh më vonë në orvatjen tonë për ta rikthyer atë person në aktivitet. Bëni gjithçka që mundeni për të përforcuar të fortin dhe për të forcuar sërish të paqëndrueshmit në këtë kohë.6

5

Jepni mësim me anë të shembullit.

Është aq e nevojshme për ne [si mësues] të japim shembullin e duhur, të jemi të zellshëm dhe syçelët në vetë jetën tonë, ta mbajmë Ditën e Shabatit të shenjtë, të respektojmë udhëheqjen e lagjes, të kunjit dhe të Kishës. Asgjë e pahijshme nuk duhet të dalë nga goja jonë që do t’i jepte cilitdo fëmije të drejtën ose privilegjin për të gabuar. Sigurisht nëse themi ose bëjmë diçka gabim, fëmijët kanë leje ta ndjekin.

Shembulli mbart me vete një ndikim shumë më të fortë sesa këshilla morale. Ai që do të bindte të tjerët për të vepruar drejt duhet të veprojë drejt vetë. Është e vërtetë se ai që zbaton këshilla të mira morale ngaqë ato janë të mira dhe nuk vuan vetë duke u ndikuar nga sjellja e padrejtë e të tjerëve, do të shpërblehet më bollshëm sesa ai që i thotë dhe nuk i zbaton. … Fëmijët janë të prirur të imitojnë ata tek të cilët kanë vënë mirëbesimin. Sa më i madh mirëbesimi i tyre, aq më lehtë ndikohen ata për mirë apo për keq. Çdo shenjtor i mirë respekton mirësinë e vërtetë kudo që ajo shihet dhe do të përpiqet të imitojë të gjithë shembujt e mirë.7

Formula për një mësues të mrekullueshëm nuk është që vetëm të jetojë urdhërimet e Zotit dhe të mbrojë urdhërimet e Zotit, por të fitojë shpirtin e të dhënit mësim me anë të lutjes. Kur ne e fitojmë atë shpirt dhe mbajmë urdhërimet e Zotit, duke ecur me bindje përpara Tij, atëherë jeta e atyre tek të cilët ndikojmë do të ndryshohet dhe ata do të jenë të nxitur të jetojnë jetë në drejtësi.8

Çdo mësues duhet të ketë një dëshmi vetjake se Perëndia jeton, për misionin hyjnor të Jezu Krishtit dhe se shfaqja e Atit dhe e Birit Jozef Smithit ishte një realitet. Jo vetëm duhet ta ketë atë njohuri dhe dëshmi, por ai duhet të jetë i dëshiruar ta shprehë besimin e tij pa mëdyshje tek ata që vijnë për të mësuar.9

Pamja
klasë me të rinj në moshë madhore në Kishë

Mësimdhënia e efektshme e ungjillit çon në “transformimi[n e] shpirtit njerëzor”.

6

Jini instrument në duart e Zotit për të ndihmuar studentët të përjetojnë një ndryshim zemre të mrekullueshëm.

Kur një mësues e kryen detyrën siç synonte Zoti, një mrekulli e madhe ngjan. Mrekullia e Kishës sot nuk është shërimi që është aq i përhapur, as që i uloku do të ecë, i verbëri do të shohë, i shurdhri do të dëgjojë, apo i sëmuri do të ngrihet. Mrekullia e madhe e Kishës dhe e mbretërisë së Perëndisë në ditët tona dhe në kohën tonë është transformimi i shpirtit njerëzor. Ndërsa udhëtojmë nëpër kunje dhe misione të Kishës, kjo është ajo që shohim – transformimi i shpirtit njerëzor ngaqë dikush ka dhënë mësim parimet e së vërtetës.

Është ashtu siç Alma shpalli, në kohën e tij duke mësuar popullin, kur ai tha: “Dhe tani vini re, unë po ju pyes, vëllezërit e mi [dhe motrat e mia] të kishës, a keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë? A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj? A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?” (Alma 5:14.) Ky është qëllimi i mësimdhënies. Kjo është arsyeja që ne punojmë kaq fort, që kërkojmë Shpirtin dhe që përgatitim mendjet tona me gjëra të mira siç Zoti ka urdhëruar, që ne të mund të jemi një instrument në duart e Zotit për ndryshimin e zemrës së një individi. Qëllimi ynë është të mbjellim në zemrat e fëmijëve dëshirën për të qenë të mirë, dëshirën për të qenë të drejtë, dëshirën për të mbajtur urdhërimet e Zotit, dëshirën për të ecur me përulësi përpara Tij. Nëse mund të jemi një instrument në duart e Zotit që të ndodhë ky ndryshim i fuqishëm në zemrat e fëmijëve, atëherë ne kemi përmbushur mrekullinë e madhe të një mësuesi. Dhe vërtetë, është një mrekulli. Ne nuk e kuptojmë se si Zoti i ndryshon zemrat e njerëzve, por Ai e kupton. …

Unë jap dëshminë time për fuqinë ripërtëritëse të Shpirtit në jetën e anëtarëve të Kishës. Unë lutem me ju … që të punojmë pareshtur në drejtësi dhe shenjtëri përpara Zotit në përmbushjen e detyrës që ju është caktuar.10

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

Shënim: Ju mund të doni të diskutoni disa nga pyetjet e mëposhtme nga këndvështrimi i prindërve që mësojnë fëmijët e tyre.

  • Presidenti Hanter i nxit mësuesit që t’i ndihmojnë studentët të fitojnë “mirëbesim në shkrimet e shenjta” (pjesa 1). Kur ju kanë ndihmuar shkrimet e shenjta në vetë jetën tuaj? Kur keni gjetur përgjigje për pyetjet tuaja në shkrimet e shenjta? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët, përfshirë ata në shtëpitë tona, të mësojnë t’i duan shkrimet e shenjta dhe të përfitojnë nga fuqia e tyre?

  • Çfarë mund të mësojmë nga pjesa 2 rreth të dhënit mësim me anën e Shpirtit? Çfarë përvojash keni pasur me mësimdhënien dhe të mësuarit me anën e Shpirtit? Cilat janë disa gjëra që mund të bëni që t’ju ndihmojnë të jepni mësim me anën e Shpirtit?

  • Si mundet një mësues t’i ndihmojë studentët të ndërtojnë besnikëri ndaj shkrimeve të shenjta dhe ungjillit, jo ndaj vetë atij ose asaj? (Shih pjesën 3.) Si mund t’ia dalë një mësues që t’i orientojë studentët drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Si mundet një mësues t’i ndihmojë studentët të nguliten fort tek ungjilli që të qëndrojnë të fortë “kur t’u duhet të qëndrojnë vetëm”?

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter rreth rëndësisë së çdo individi (shih pjesën 4). Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim të fitojnë një dëshmi se Perëndia i njeh dhe i do ata individualisht? Shqyrtoni se çfarë mund të bëni ju, si mësues, për t’i ndihmuar individualisht ata që mësoni.

  • Presidenti Hanter thekson rëndësinë e të dhënit mësim me anë të shembullit (shih pjesën 5). Përse shembulli ynë është më i fuqishëm sesa fjalët tona? Si jeni bekuar ju nga një mësues që ishte një shembull i mirë? Si i mëson shembulli i prindërve fëmijët e tyre?

  • Kur e keni përjetuar “mrekullinë e madhe” që Presidenti Hanter përshkruan në pjesën 6, qoftë si mësues apo si nxënës? Reflektoni mbi disa mësues që kanë qenë një ndikim i mirë në jetën tuaj. Çfarë i bëri ata të jenë një ndikim i efektshëm? Si mundemi ta japim mësim ungjillin me fuqi më të madhe – qoftë në shtëpi, në një klasë apo në një mjedis tjetër?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 21:15–17; 1 Korintasve 12:28; 2 Timoteut 3:14–17; 2 Nefi 33:1; Alma 17:2–3; 31:5; DeB 11:21–22; 50:17–22; 88:77–80

Ndihmë për Mësimdhënien

Në copa të ndryshme letre, shkruani pyetje nga fundi i kapitullit ose pyetje të tjera që lidhen me kapitullin. Ftojini anëtarët e klasës të përzgjedhin një pyetje dhe të kërkojnë kapitullin për mësimet që ndihmojnë për përgjigjet. Kërkojuni të tregojnë atë që mësuan.

Shënime

  1. “A Teacher”, Ensign, korrik 1972, f. 85.

  2. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 210–211.

  3. “Eternal Investments” (drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 10 shkurt 1989), f. 2; si.lds.org.

  4. “Eternal Investments”, f. 3–4.

  5. “Eternal Investments”, f. 2–3.

  6. “Eternal Investments”, f. 4–5.

  7. “Formula for a Great Teacher” (bisedë dhënë në konferencën e Fillores, prill 1965), f. 3–4, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  8. “Formula for a Great Teacher”, f. 1.

  9. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 188.

  10. “Formula for a Great Teacher”, f. 4–6.