Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Vështirësia – Pjesë e Planit të Perëndisë për Përparimin Tonë të Përjetshëm


Kapitulli 3

Vështirësia – Pjesë e Planit të Perëndisë për Përparimin Tonë të Përjetshëm

“Kur [vështirësitë e moralshmërisë] na përulin e na përmirësojnë dhe na mësojnë e na bekojnë, ato mund të jenë mjete të fuqishme në duart e Perëndisë për të na bërë njerëz më të mirë.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Në konferencën e përgjithshme të prillit 1980, Plaku Hauard W. Hanter, atëherë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi për bashkimin me një turmë të madhe për të parë garat me barka të gjata në Samoa. “Turma ishte e paduruar”, tha ai, “dhe shumica e vështrimeve qenë drejtuar nga deti, duke ruajtur për shenjën e parë të [barkave]. Befas pati një gjëmim nga turma ndërsa barkat u dukën në largësi. Secili prej tyre kishte një ekuipazh prej pesëdhjetë rremtarësh të fuqishëm që zhytnin dhe tërhiqnin rremat me ritëm që i shtynte barkat përmes valëve dhe duke shkumëzuar ujin – një pamje e mrekullueshme.

Barkat dhe burrat shpejt qenë në pamje të plotë ndërsa garonin drejt fundit. Edhe pse këta burra të fuqishëm tërhiqnin me forcën e tyre, pesha e barkës me pesëdhjetë burra lëvizte kundër një force të madhe të kundërt – rezistencës së ujit.

Brohoria e turmës arriti kulmin kur barka e gjatë e parë kaloi vijën e fundit.”

Pas garës, Plaku Hanter shkoi te doku ku qenë lidhur barkat dhe foli me një nga rremtarët, që i shpjegoi se bashi i barkës së gjatë “është ndërtuar në mënyrë të tillë që pret dhe ndan ujin përmes për të ndihmuar mposhtjen e rezistencës që ngadalëson shpejtësinë e barkës. Ai më tej shpjegoi se tërheqja e rremave kundër rezistencës së ujit krijon forcën që e bën barkën të lëvizë përpara. Rezistenca krijon edhe kundërshtim edhe lëvizje përpara.”1

Plaku Hanter e përdori garën e barkave në Samoa për fillimin e një bisede rreth qëllimeve të vështirësisë. Gjatë shërbesës së tij si Apostull, ai foli shumë herë rreth vështirësisë, duke dhënë këshillë, shpresë dhe nxitje. Ai foli nga përvoja vetjake, që kishte duruar sëmundje që kërcënonin jetën dhe sprova të tjera. Ai dëshmoi me bindje të palëkundur se në kohë shqetësimesh, “Jezu Krishti zotëron fuqinë për të lehtësuar barrët tona dhe për t’i bërë më të lehta ngarkesat tona”.2

Pamja
Krishti te pellgu i Betesdës

Gjatë sprovave tona, Shpëtimtari i drejton secilit prej nesh ftesën që Ai i drejtoi burrit te pellgu i Betesdës: “A dëshiron të shërohesh?” (Gjoni 5:6).

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Vështirësia është pjesë e planit të Perëndisë për përparimin tonë të përjetshëm.

Unë kam vërejtur se jeta – çdo jetë – ka një pjesë të plotë ngritjesh dhe uljesh. Vërtet, ne shohim shumë gëzime dhe hidhërime në botë, shumë plane të ndryshuara dhe drejtime të reja, shumë bekime që jo gjithmonë duken ose ndihen si bekime dhe shumë që na përulin dhe na e përmirësojnë durimin tonë dhe besimin tonë. Ne të gjithë i kemi ato përvoja herë pas here dhe unë mendoj se gjithmonë do t’i kemi. …

… Presidenti Spenser W. Kimball, që dinte shumë rreth vuajtjes, zhgënjimit dhe rrethanave përtej kontrollit të tij, një herë shkroi:

“Duke qenë njerëzorë, ne do të largonim nga jeta jonë dhimbjet fizike dhe ankthin mendor dhe do ta siguronim veten me lehtësi dhe rehati të vazhdueshme, por nëse do të duhej të mbyllnim dyert për dëshpërimin dhe brengën, ne mund të jemi duke përjashtuar miqtë dhe mirëbërësit tanë më të mëdhenj. Vuajtja mund t’i bëjë shenjtorë njerëzit kur ata mësojnë durimin, vuajtjen dhe vetëpërmbajtjen” [Faith Precedes the Miracle (1972), f. 98].

Në atë deklaratë, Presidenti Kimball i referohet dyerve të mbyllura për disa përvoja në jetë. … Dyert mbyllen rregullisht në jetën tonë dhe disa nga këto mbyllje shkaktojnë dhimbje të vërtetë dhe dëshpërim. Por unë vërtet e besoj se atje ku një derë e tillë mbyllet, një tjetër hapet (dhe ndoshta më shumë se një), me shpresë dhe bekime në fusha të tjera të jetës sonë që ndryshe mund të mos i kishim zbuluar.

… Disa vite përpara, [Presidenti Marion G. Romni] tha se të gjithë burrat dhe gratë, përfshirë më besnikët dhe të përkushtuarit, do të gjejnë vështirësi dhe hidhërim në jetën e tyre, ngaqë, sipas fjalëve të Jozef Smithit: “Njerëzit duhet të vuajnë që të mund të vijnë në malin Sion dhe të ekzaltohen mbi qiejt” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 242; shih Conference Report, tetor 1969, f. 57].

Presidenti Romni pastaj tha:

“Kjo nuk nënkupton se ne kërkojmë të vuajmë. Ne shmangim gjithçka që mundemi. Sidoqoftë, ne tani e dimë, dhe ne të gjithë e dinim kur u zgjodhëm të vinim në vdekshmëri, se këtu do të provoheshim në rrethana vështirësie dhe hidhërimi. …

[Për më tepër,] plani i Atit për të provuar [dhe përmirësuar] fëmijët e tij nuk përjashtoi as vetë Shpëtimtarin. Vuajtja që ai mori përsipër të duronte, dhe të cilën e duroi, barazohej me vuajtjen e ndërthurur të të gjithë burrave [dhe grave kudo. Duke u dredhur e duke i dalë gjak dhe duke mos dashur ta pinte kupën, ai tha:] ‘Unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve’ (DeB 19:18–19)” (në Conference Report, tetor 1969, f. 57).

Të gjithë ne duhet t’i përfundojmë “përgatitjet [tona] për fëmijët e njerëzve” [DeB 19:19]. Përgatitjet e Krishtit qenë krejt të ndryshme nga tonat, por ne të gjithë kemi përgatitje për të bërë, dyer për të hapur. Për të bërë përgatitje të tilla të rëndësishme shpesh kërkohet dhimbje, disa ndryshime të papritura në udhën e jetës dhe një nënshtrim, “madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij” [Mosia 3:19]. Mbarimi i përgatitjeve të shenjta dhe hapja e dyerve çelestiale mund të na çojnë – vërtet, padyshim do të na çojnë – drejt e në orët e fundit të jetës sonë në vdekshmëri.3

Ne erdhëm në jetën në vdekshmëri për të ndeshur rezistencë. Ajo ishte pjesë e planit për përparimin tonë të përjetshëm. Pa tundim, sëmundje, dhembje dhe hidhërim, nuk do të ketë mirësi, virtyt, vlerësim për mirëqenien apo gëzim. … Ne duhet të kujtojmë se po ato forca rezistence që pengojnë përparimin tonë na ofrojnë neve gjithashtu mundësi për t’i kapërcyer.4

2

Fatkeqësitë tona në vdekshmëri janë për rritjen dhe përvojën tonë.

Kur [vështirësitë e vdekshmërisë] na përulin e na përmirësojnë dhe na mësojnë e na bekojnë, ato mund të jenë mjete të fuqishme në duart e Perëndisë për të na bërë njerëz më të mirë, për të na bërë më mirënjohës, më të dashur dhe më vlerësues për njerëzit e tjerë në kohët e veta të vështirësisë.

Po, ne të gjithë kemi çaste të vështira, individualisht dhe kolektivisht, por edhe në kohët më të ashpra, në lashtësi dhe në kohët moderne, ato probleme dhe profeci nuk synuan kurrë të bënin gjë tjetër veçse të bekonin të drejtët dhe të ndihmonin ata që janë më pak të drejtë të lëvizin drejt pendimit. Perëndia na do ne, dhe shkrimet e shenjta na thonë se Ai “dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” [Gjoni 3:16].5

Patriarku i madh i Librit të Mormonit, Lehi, i foli në mënyrë nxitëse birit të tij Jakobit, bir i lindur në vendin e shkretë në një kohë mundimi e kundërshtie. Jeta e Jakobit nuk ishte siç mund të kishte pritur të ishte dhe jo siç mund ta kishte përvijuar kursi ideal i përvojës. Ai pati vuajtur hidhërime dhe zhgënjime, por Lehi i premtoi se hidhërime të tilla do të shenjtëroheshin për të mirën e birit të tij (shih 2 Nefi 2:2).

Pastaj Lehi shtoi këto fjalë që janë bërë klasike:

“Pasi, është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat. Po të mos ishte kështu, … drejtësi nuk mund të kishte, as ligësi, as shenjtëri ose mjerim, as të mirë ose të keqe” (2 Nefi 2:11).

Unë jam ngushëlluar shumë ndër vite me këtë shpjegim të disa prej dhimbjeve dhe zhgënjimeve të jetës. Unë jam ngushëlluar edhe më shumë që më të mëdhenjtë e burrave dhe grave, përfshirë Birin e Perëndisë, janë përballur me një kundërshti të tillë me qëllim që të kuptojnë më mirë ndryshimin midis drejtësisë dhe ligësisë, shenjtërisë dhe mjerimit, së mirës dhe së keqes. Nga izolimi në errësirë e në lagështi në burgun Liberti, Profeti Jozef Smith mësoi se në qoftë se jemi thirrur të kalojmë përmes fatkeqësisë, është për rritjen dhe përvojën tonë dhe përfundimisht do të jetë për të mirën tonë (shih DeB 122:5–8).

Atje ku një derë mbyllet, një tjetër hapet, madje edhe për një profet në burg. Ne nuk jemi gjithmonë mjaft të urtë, as me mjaft përvojë për të gjykuar siç duhet të gjitha hyrjet e daljet e mundshme. Shtëpia e madhe që Perëndia përgatit për secilin nga fëmijët e Tij të dashur mund të ketë vetëm korridore dhe parmakë të caktuar, qilima dhe perde të veçanta në të cilat Ai do që ne ta bëjmë udhën tonë për ta zotëruar atë. …

Në kohë të ndryshme në jetën tonë, ndoshta në kohë të përsëritura në jetën tonë, ne vërtet duhet ta pranojmë se Perëndia di atë që ne nuk e dimë dhe sheh atë që ne nuk e shohim. “‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti” (Isaia 55:8).

Nëse keni shqetësime në shtëpi me fëmijë arrakatë, nëse vuani dështime financiare dhe lodhje emocionale që kërcënojnë shtëpitë tuaja e lumturinë tuaj, nëse duhet të përballeni me humbjen e jetës ose shëndetit, paqe pastë në shpirtin tuaj. Ne nuk do të tundohemi përtej aftësive tona për të duruar [shih 1 Korintasve 10:13; Alma 13:28; 34:39]. Rrugët e tërthorta e zhgënjimet tona janë shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar drejt Tij.6

Pamja
Jozef Smithi në burg

Kur Jozef Smithi ishte në burgun Liberti, Zoti i zbuloi atij se vështirësia mund të na japë përvojë dhe të jetë për të mirën tonë.

3

Ne kemi çdo arsye të jemi optimistë dhe të sigurt edhe në kohë vështirësie.

Gjithmonë ka pasur disa vështirësi në jetën në vdekshmëri dhe gjithmonë do të ketë. Por duke ditur atë që dimë, dhe duke jetuar siç duhet të jetojmë, vërtet nuk ka vend, nuk ka justifikim, për pesimizëm dhe dëshpërim.

Gjatë jetës sime kam parë dy luftëra botërore, plus Korenë, plus Vietnamin dhe [më shumë]. Unë e kam bërë udhën time përmes Depresionit dhe ia kam dalë të shkoj në shkollë për drejtësi ndërsa kisha krijuar një familje të re në të njëjtën kohë. Unë kam parë bursat dhe ekonominë botërore të kalojë në çmenduri dhe kam parë disa despotë e tiranë të çakërdisen, gjithçka nga ato që shkaktuan nëpër botë një goxha trazirë gjatë procesit.

Kështu shpresoj se ju nuk do të besoni se gjithë vështirësitë e botës janë ngjeshur vetëm në dekadën tuaj, ose se gjërat nuk kanë qenë kurrë më keq sesa janë për ju personalisht, apo se ato nuk do të bëhen kurrë më mirë. Unë ju siguroj edhe një herë se gjërat kanë qenë më keq dhe ato do të bëhen gjithmonë më mirë. Ato bëhen gjithmonë kështu – veçanërisht kur ne e jetojmë dhe e duam ungjillin e Jezu Krishtit dhe i japim mundësinë të lulëzojë në jetën tonë. …

Në të kundërt me atë që mund të thonë disa, ju keni çdo arsye në këtë botë për të qenë të lumtur dhe për të qenë optimistë dhe për të qenë të sigurt. Çdo brez qysh kur koha filloi ka pasur disa gjëra për të kapërcyer dhe disa probleme për t’i zgjidhur.7

4

Kur ne vijmë te Shpëtimtari, Ai do t’i lehtësojë barrët tona dhe do t’i bëjë më të lehta ngarkesat tona.

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28–30.) …

… Kjo ofertë e mrekullueshme ndihme dhënë nga vetë Biri i Perëndisë nuk ishte kufizuar te galileasit e kohës së Tij. Kjo thirrje për të marrë mbi vete zgjedhën e Tij të ëmbël dhe për të pranuar barrën e Tij të lehtë nuk është kufizuar vetëm për breznitë e shkuara. Ajo ishte dhe është një thirrje universale për të gjithë popujt, për të gjithë qytetet dhe kombet, për çdo burrë, grua dhe fëmijë kudo.

Në vetë kohët tona të mëdha të nevojës nuk duhet ta shpërfillim këtë përgjigje që nuk mungon kurrë për andrallat dhe telashet e botës sonë. Këtu është premtimi për paqe dhe mbrojtje vetjake. Këtu është fuqia për të falur mëkatet e të gjitha periudhave kohore. Ne, gjithashtu, duhet të besojmë se Jezu Krishti zotëron fuqinë për të lehtësuar barrët tona dhe për t’i bërë të lehta mundimet tona. Ne, gjithashtu, duhet të vijmë tek Ai dhe atje të marrim prehje nga punët tona.

Sigurisht, detyrimet shkojnë me premtime të tilla. “Merrni mbi vete zgjedhën time”, lutet Ai. Në kohët biblike zgjedha ishte një pajisje që i ndihmonte shumë ata që lëronin fushën. Ajo lejonte forcën e një kafshe të dytë që të lidhej dhe të çiftohej me përpjekjen e një kafshe të vetme, duke e ndarë dhe pakësuar punën e rëndë të plugut apo qerres. Një barrë që ishte dërrmuese ose ndoshta e pamundur të mbahej nga një kafshë, mund të mbahej arsyeshëm dhe rehatshëm nga dy kafshë të lidhura së bashku në një zgjedhë të përbashkët. Zgjedha e Tij kërkon një përpjekje të madhe dhe të zellshme, por për ata që janë vërtet të kthyer në besim, zgjedha është e ëmbël dhe barra bëhet e lehtë.

Përse t’i përballojmë barrët vetëm, pyet Krishti, ose përse t’i përballojmë ato me mbështetje tokësore që shpejt do të ligështohet? Për të ngarkuarit rëndë është zgjedha e Krishtit, është fuqia dhe paqja e të qëndruarit krah për krah me Perëndinë, që do të sigurojë mbështetjen, drejtpeshimin dhe forcën për t’iu përgjigjur sfidave tona dhe për të duruar detyrat tona këtu në tokën e fortë të vdekshmërisë.

Është e qartë, barrët vetjake të jetës ndryshojnë nga individi tek individi, por secili nga ne i ka ato. … Sigurisht, disa hidhërime sillen nga mëkatet e një bote që nuk ndjek këshillën e Atit [tonë] në Qiell. Cilido qoftë shkaku, asnjë nga ne nuk duket të jetë tërësisht i lirë nga sfidat e jetës. Secilit dhe të gjithëve, Krishti në fakt u tha: “Përderisa të gjithë duhet të mbajmë një barrë dhe të tërheqim një zgjedhë, përse nuk duhet të mbajmë barrën e Tij dhe zgjedhën e Tij? Premtimi im për ju është që zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë”. (Shih Mateu 11:28–30.)8

Pamja
i ri duke buzëqeshur

“Dishepujt e Krishtit në çdo brezni ftohen, në të vërtetë urdhërohen, të mbushen me një shkëlqim të përsosur shprese.”

5

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk duhet të frikësohen nga fatkeqësitë e ditëve të fundit.

Shkrimet e shenjta … tregojnë se do të ketë periudha kohe kur e gjithë bota do të ketë disa vështirësi. Ne e dimë se në periudhën tonë ungjillore padrejtësia, fatkeqësisht, do të jetë shumë e dukshme dhe do të sjellë vështirësi të pashmangshme dhe dhimbje e ndëshkim. Perëndia do ta ndërpresë këtë padrejtësi në vetë kohën e Tij, por detyra jonë është të jetojmë plotësisht dhe besnikërisht dhe jo të shqetësohemi për fatkeqësitë e botës apo kur bota do të mbarojë. Detyra jonë është ta kemi ungjillin në jetën tonë dhe të jemi një dritë e shkëlqyer, një qytet i ngritur mbi një kodër, që pasqyron bukurinë e ungjillit të Jezu Krishtit dhe gëzimin e lumturinë që gjithmonë do të vijë te çdo popull në çdo epokë kur mban urdhërimet.

Në këtë periudhë ungjillore të fundit do të ketë mundim të madh. (Shih Mateu 24:21.) Ne dimë se do të ketë luftëra dhe ushtima luftërash (shih DeB 45:26) dhe e gjithë toka do të jetë në rrëmujë (shih DeB 45:26). Të gjitha periudhat ungjillore kanë pasur kohët e tyre të rrezikshme, por koha jonë do të përfshijë rrezik të mirëfilltë. (Shih 2 Timoteut 3:1.) Njerëz të ligj do të lulëzojnë (shih 2 Timoteut 3:13), por atëherë njerëzit e ligj kanë lulëzuar shumë shpesh. Katastrofa do të vijnë dhe ligësia do të shumohet. (Shih DeB 45:27.)

Është e pashmangshme që përfundimi i natyrshëm i disa prej këtyre lloj profecive është frika dhe ajo nuk është frikë e kufizuar te një brez më i ri. Ajo është frikë që tregohet prej të gjitha moshave të cilët nuk e kuptojnë atë që kuptojmë ne.

Por dua të theksoj se këto ndjenja nuk u nevojiten shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme dhe ato nuk vijnë nga Perëndia. Izraelit të lashtë, Jehovai i madh i tha:

“Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur. …

Përveç kësaj Zoti vetë ecën para teje; ai do të jetë me ty; nuk do të të lërë dhe s’ka për të të braktisur; mos u tremb dhe mos u tmerro.” (Ligji i Përtërirë 31:6, 8.)

Dhe juve, brezit tonë të mrekullueshëm në Izraelin bashkëkohor, Zoti i ka thënë:

“Prandaj, mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë. …

Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.” (DeB 6:34, 36.)

Një këshillë e tillë gjendet nëpër të gjitha shkrimet tona të shenjta bashkëkohore. Mbani vesh këtë sigurim: “Mos kini frikë, fëmijë të vegjël, sepse ju jeni të mitë dhe unë e kam mundur botën e ju jeni prej atyre që Ati im m’i ka dhënë”. (DeB 50:41.) “Në të vërtetë unë ju them juve, miqve të mi, mos kini frikë, zemrat tuaja duhet të ngushëllohen; po, gëzohuni më shumë se kurrë dhe në gjithçka jepni falënderime.” (DeB 98:1.)

Në dritën e një këshille të tillë të mrekullueshme, unë mendoj se është detyra jonë të gëzohemi pak më shumë dhe të dëshpërohemi pak më pak, të falënderojmë për atë që kemi dhe për rëndësinë e bekimeve të Perëndisë për ne dhe të flasim pak më pak për atë që mund të mos e kemi ose atë që ankthi mund ta shoqërojë në kohë të vështira në këtë ose në çfarëdo breznie.

Një kohë shprese dhe emocioni të madh

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme kjo është një kohë shprese dhe emocioni të madh – një nga periudhat më madhështore në Rivendosje dhe si rrjedhojë një nga periudhat më të mëdha në çfarëdo periudhe ungjillore, duke qenë se e jona është më e madhja e të gjitha periudhave ungjillore. Ne duhet të kemi besim dhe shpresë, dy nga cilësitë e mëdha themelore të çdo dishepullimi për Krishtin. Ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë besim në Perëndi, përderisa ai është parimi i parë në kodin tonë të besimit. Ne duhet të besojmë se Perëndia ka gjithë fuqinë, se Ai na do ne, dhe se puna e Tij nuk do të ndalet apo pengohet në jetën tonë individuale ose në botë në tërësi. …

Unë ju premtoj në emrin e Zotit, shërbëtor i të cilit jam, se Perëndia do ta mbrojë dhe do të kujdeset gjithnjë për popullin e Tij. Ne do të kemi vështirësitë tona ashtu sikurse çdo brezni dhe popull ka pasur vështirësi. Por me ungjillin e Jezu Krishtit, ju keni çdo shpresë dhe premtim e sigurim. Zoti ka fuqi mbi shenjtorët e Tij dhe do të përgatitë gjithmonë vende për paqe, mbrojtje dhe siguri për popullin e Tij. Kur kemi besim në Perëndi ne mund të shpresojmë për një botë më të mirë – për ne personalisht dhe për të gjithë njerëzimin. Profeti Ethër dha mësim në lashtësi (dhe ai dinte diçka rreth trazirave): “Prandaj, kushdo që beson në Perëndi, mund të shpresojë me siguri për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë, shpresë e cila vjen nga besimi dhe shërben si një spirancë për shpirtrat e njerëzve, që do t’i bëjë ata të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë”. (Ethëri 12:4.)

Dishepujt e Krishtit në çdo brezni ftohen, në të vërtetë urdhërohen, të mbushen me një shkëlqim të përsosur shprese. (Shih 2 Nefi 31:20.)

Duke u përpjekur të largojë frikën

Nëse besimi dhe shpresa jonë janë ankoruar te Krishti, te mësimet, urdhërimet dhe premtimet e Tij, atëherë ne jemi në gjendje të mbështetemi në diçka vërtet të shquar, realisht të mrekullueshme, që mund të ndajë Detin e Kuq dhe ta udhëheqë Izraelin bashkëkohor për te një vend “atje askush s’[e] tremb e s’[e] nget dot’”. (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, 1985, f. 2.) Frika, që mund të vijë te njerëzit në ditë të vështira, është një armë kryesore në arsenalin që Satani e përdor për ta bërë njerëzimin të palumtur. Ai që trembet humbet forcën për luftën e jetës në ndeshjen kundër së keqes. Prandaj fuqia e të ligut gjithmonë përpiqet të prodhojë frikë në zemrat njerëzore. Në çdo periudhë dhe në çdo epokë, njerëzimi ka ndeshur frikë.

Si fëmijë të Perëndisë dhe pasardhës të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ne duhet të përpiqemi ta largojmë frikën midis njerëzve. Njerëzit e ndrojtur dhe të trembur nuk mund ta bëjnë mirë punën e tyre dhe ata nuk mund ta bëjnë aspak punën e Perëndisë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë për të përmbushur një mision të caktuar shenjtërisht, i cili thjesht nuk duhet të zhytet në frikë dhe ankth.

Një Apostull i Zotit në një kohë më të hershme tha këtë: “Çelësi për mposhtjen e frikës është dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. ‘Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni.’ (DeB 38:30.) Ai mesazh i shenjtë nevojitet të përsëritet sot në çdo kunj dhe lagje.” (Elder John A. Widtsoe, në Conference Report, prill 1942, f. 33.)

A jemi ne të përgatitur t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë? A jemi ne të përgatitur të arrijmë fitore mbi dëshirat tona fizike? A jemi ne të përgatitur t’i bindemi ligjit të drejtë? Nëse ne mundemi ndershmërisht të përgjigjemi po ndaj këtyre pyetjeve, ne mund ta komandojmë frikën që të largohet nga jeta jonë. Sigurisht shkalla e frikës në zemrat tona mundet të matet më së miri nëpërmjet përgatitjes sonë për të jetuar në drejtësi – të jetuarit në një mënyrë që duhet ta karakterizojë çdo shenjtor të ditëve të mëvonshme në çdo epokë dhe kohë.

Privilegji, nderi dhe përgjegjësia e të jetuarit në ditët e mëvonshme

Më lejoni ta mbyll me një nga thëniet më të mëdha që kam lexuar ndonjëherë nga Profeti Jozef Smith, që u ndesh me vështirësi të tilla të mëdha në jetën e tij dhe që, sigurisht, pagoi çmimin e fundit për fitoren e tij. Por ai ishte fitimtar, dhe ai ishte një burrë i lumtur, i fortë dhe optimist. Ata që e njohën atë ndien forcën dhe kurajën e tij, madje në kohët më të vështira. Ai nuk u shkurajua, as nuk mbeti në dëshpërim për shumë kohë.

Ai tha për kohën tonë – tuajën dhe timen – që është çasti ynë “mbi të cil[in] profetët, priftërinjtë dhe mbretërit [në kohë të shkuara] janë ndalur me ëndje të veçantë; [të gjithë këta dëshmitarë të lashtë të Perëndisë] e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; … ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka përzgjedhur për të sjellë lavdinë e ditëve të mëvonshme” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 194].

Çfarë privilegji! Çfarë nderi! Çfarë përgjegjësie! Dhe çfarë gëzimi! Ne kemi çdo arsye në kohë dhe përjetësi të gëzohemi dhe të japim falënderime për cilësinë e jetës sonë dhe premtimeve që na janë dhënë.9

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Si mund të ndihmojë dija se vështirësia është pjesë e planit të Perëndisë për përparimin tonë të përjetshëm? (Shih pjesën 1.) Përse mendoni se vështirësia është një pjesë e nevojshme e vdekshmërisë?

  • Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter te pjesa 2 rreth disa prej qëllimeve të vështirësisë. Si e keni parë ju që vështirësia mund të jetë për të mirën tonë? Si mund të arrijmë ta shohim vështirësinë nga këndvështrimi i përjetshëm i Zotit?

  • Përse, siç tha Presidenti Hanter, ne kemi arsye të jemi të lumtur dhe optimistë madje në kohë vështirësish? (Shih pjesën 3.) Si mund të zhvillojmë optimizëm më të madh në kohë të tilla? Cilat janë disa bekime që vijojmë t’i kemi edhe gjatë vështirësisë më të ashpër?

  • Si e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit për ta lënë Atë të mbajë barrët tona dhe t’i bëjë të lehta ngarkesat tona? (Shih pjesën 4.) Çfarë do të thotë të marrësh mbi vete zgjedhën e Tij? Si ju ka ndihmuar Shpëtimtari në kohë vështirësie?

  • Presidenti Hanter na mëson se ndjenjat e frikës mbi fatkeqësitë e ditëve të fundit nuk vijnë nga Perëndia (shih pjesën 5). Si është e dëmshme të jetuarit me frikë? Si mund të jetojmë më mirë me shpresë dhe besim sesa me frikë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 14:27; 16:33; Hebrenjve 4:14–16; 5:8–9; 1 Nefi 1:20; Alma 36:3; DeB 58:2–4; 101:4–5; 121:7–8; 122:7–9

Ndihmë për Studimin

“Shumë njerëzve u duket se koha më e mirë për të studiuar është në mëngjes pas pushimit të natës. … Të tjerë parapëlqejnë të studiojnë në orët e qeta pasi puna dhe shqetësimet e ditës kanë mbaruar. … Ndoshta ajo që është më e rëndësishme sesa ora e ditës është që të veçohet një kohë e rregullt për studim” (Howard W. Hunter, “Reading the Scriptures”, Ensign, nëntor 1979, f. 64).

Shënime

  1. “God Will Have a Tried People”, Ensign, maj 1980, f. 24.

  2. “Come unto Me”, Ensign, nëntor 1990, f. 17–18.

  3. “The Opening and Closing of Doors”, Ensign, nëntor 1987, f. 54, 59.

  4. “God Will Have a Tried People”, f. 25–26.

  5. “An Anchor to the Souls of Men”, Ensign, tetor 1993, f. 71.

  6. “The Opening and Closing of Doors”, f. 59–60.

  7. “An Anchor to the Souls of Men”, f. 70.

  8. “Come unto Me”, f. 17–18.

  9. “An Anchor to the Souls of Men”, f. 71–73.