Mësime të Presidentëve
Hyrje


Hyrje

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësime të Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar t’i afroheni Atit tuaj Qiellor dhe të thelloni kuptimin tuaj mbi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime të reja kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Këto libra janë hartuar që të përdoren për studim vetjak dhe për udhëzim të dielave. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime për mbrëmje familjare, për të përgatitur mësime ose biseda të tjera dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi doktrinën e Kishës.

Ky libër paraqet mësime të Presidentit Hauard W. Hanter, që shërbeu si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga 5 qershori 1994 deri më 3 mars 1995.

Pamja
Hauard W. Hanter
Pamja
nënshkrimi

Studimi Vetjak

Ndërsa i studioni mësimet e Presidentit Hauard W. Hanter, kërkoni plot lutje frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë të përsiatni mbi mësimet e Presidentit Hanter, t’i kuptoni dhe t’i zbatoni ato. Idetë vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:

  • Shkruajini mendimet dhe ndjenjat që ju vijnë nga Fryma e Shenjtë ndërsa studioni.

  • Nënvizoni fragmente që dëshironi t’i mbani mend. Merrni parasysh t’i mësoni përmendsh këto fragmente ose t’i shënoni në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargjeve me të cilat lidhen.

  • Lexojeni mbi një herë një kapitull ose fragment, në mënyrë që të mund ta kuptoni më thellësisht.

  • Bëjini vetes pyetje si këto që vijojnë: Si e rritin mësimet e Presidentit Hanter të kuptuarit e parimeve të ungjillit prej meje? Çfarë dëshiron Zoti që unë të mësoj nga këto mësime?

  • Pyeteni veten se si mund t’ju ndihmojnë mësimet në këtë libër lidhur me sfidat dhe shqetësimet vetjake.

  • Ndajeni atë çfarë mësoni me anëtarë të familjes dhe miq.

Mësimdhënia nga Ky Libër

Orientimet e mëposhtme do t’ju ndihmojnë të jepni mësim nga ky libër qoftë në shtëpi apo në kishë.

Përgatituni të Jepni Mësim

Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Studiojeni plot lutje kapitullin që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Presidentit Hanter. Ju do të jepni mësim me fuqi më të madhe kur fjalët e tij të kenë ndikuar personalisht te ju (shih DeB 11:21).

Disa kapituj përmbajnë më shumë material nga sa do të jeni në gjendje të diskutoni në një mbledhje. Përzgjidhni me lutje mësimet që ndieni se do të jenë më të dobishme.

Nxitini ata që u jepni mësim ta studiojnë kapitullin pasardhës në mënyrë që të jenë më të përgatitur të marrin pjesë në diskutime dhe ta lartësojnë njëri-tjetrin.

Gjatë përgatitjes për angazhimin e atyre që u jepni mësim, i kushtoni vëmendje të veçantë pjesës “Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie” në fund të çdo kapitulli. Në atë pjesë do të gjeni pyetje, shkrime të shenjta dhe ndihmë për studim apo ndihmë për mësimdhënie. Pyetjet dhe shkrimet e shenjta bashkëlidhen me materialin e kapitullit. Studimi dhe mësimdhënia ndihmojnë që ungjilli të gjejë zbatim më të gjerë në nxënie dhe mësimdhënie.

Paraqiteni Kapitullin

Ndërsa e paraqitni kapitullin, përpiquni të krijoni një atmosferë në të cilin Shpirti të mund t’i prekë zemrat dhe mendjet e pjesëmarrësve. Ju mund të dëshironi të përdorni njërën ose më shumë nga idetë vijuese:

  • Lexojeni ose rishikojeni pjesën me titull “Nga Jeta e Hauard W. Hanterit” në fillim të kapitullit dhe pastaj diskutojeni.

  • Diskutoni mbi një citat, figurë ose shkrim të shenjtë nga kapitulli.

  • Këndoni një himn së bashku.

  • Tregoni shkurt një përvojë vetjake mbi temën.

Nxitni një Diskutim mbi Mësimet e Presidentit Hanter

Ndërsa jepni mësim nga ky libër, ftojini të tjerët të shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje, të dëshmojnë dhe të mësojnë njëri-tjetrin. Kur marrin pjesë aktivisht, ata do të jenë më të përgatitur të mësojnë dhe të marrin zbulesë vetjake.

Lejoni të vazhdojnë diskutime të mira në vend që të përpiqeni t’i trajtoni të gjitha mësimet. Drejtojini diskutimet që të përqendrohen te mësimet e Presidentit Hanter.

Pyetjet në fund të çdo kapitulli janë një burim i çmuar për të nxitur diskutimin. Ju gjithashtu mund të hartoni vetë pyetjet tuaja që janë posaçërisht për ata që po u jepni mësim. Disa ide të tjera për të nxitur diskutim jepen më poshtë:

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë se çfarë kanë mësuar nga studimi i tyre vetjak i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të telefononi disa prej tyre më përpara dhe t’u kërkoni të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë kanë mësuar.

  • Caktoni pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit për individë ose grupe të vogla. Thuajuni pjesëmarrësve të kërkojnë në kapitull mësime që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini të ndajnë mendimet dhe pikëpamjet e tyre.

  • Lexojini së bashku disa nga mësimet e Presidentit Hanter në kapitull. Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga vetë përvojat e tyre që lidhen me ato mësime.

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tri vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë për atë që kanë mësuar.

Nxitni Zbatimin dhe Tregimin

Mësimet e Presidentit Hanter do të jenë shumë kuptimplote kur individët i zbatojnë në jetën e tyre dhe ua tregojnë ato të tjerëve. Ju mund të dëshironi të përdorni njërën ose më shumë nga idetë vijuese:

  • Pyetini pjesëmarrësit si mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Hanter në përgjegjësitë e tyre në shtëpi, në Kishë dhe në mjedise të tjera. Për shembull, ju mund t’i ftoni që të përsiatin dhe të diskutojnë se si mund t’i zbatojnë mësimet e tij si bashkëshortë, bashkëshorte, prindër, bij, bija, mësues shtëpie ose mësuese vizitore.

  • Ftojini pjesëmarrësit të tregojnë përvojat e tyre me zbatimin e gjërave që kanë mësuar.

  • Nxitini pjesëmarrësit t’ua tregojnë disa nga mësimet e Presidentit Hanter anëtarëve të familjes dhe miqve.

Përmbylleni Diskutimin

Përmblidheni shkurtimisht mësimin ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Jepni dëshmi për mësimet që keni diskutuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të japin dëshmitë e tyre.

Informacion mbi Materialet Burimore

Mësimet në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga predikimet dhe artikujt e Presidentit Hauard W. Hanter. Citimet nga burime të botuara kanë ruajtur shenjat e pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale, përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Ngaqë citimet ruajnë besnikërinë ndaj burimeve të publikuara, mund të vëreni mospërputhje të vogla stilistike në tekst. Për shembull, përemrat që lidhen me Hyjninë fillojnë me germë të vogël në disa citate dhe me të madhe në të tjera.

Presidenti Hanter i përdorte shpesh termat burra, burrë, dhe njerëzim për të përmendur të gjithë njerëzit, si femrat ashtu edhe meshkujt. Ai shpesh i përdorte përemrat ai, i/e tij dhe atë për të përmendur të dy gjinitë. Këto konvencione gjuhësore qenë të zakonshme në kohën e tij dhe ai zakonisht kishte parasysh gratë dhe burrat kur i përdorte ato.