Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23: ‘[Jo] Më Pak Të Dobishëm’


Kapitulli 23

“[Jo] Më Pak Të Dobishëm”

“Shumica prej nesh do të jenë njerëz të heshtur, relativisht të panjohur që … bëjmë punën tonë pa trumbetim. Atyre prej jush që mund ta shikojnë këtë si … jo mbresëlënës[e], unë ju them, ju jeni ‘[jo] më pak [i] dobishëm’ sesa më mbresëlënësit e kolegëve tuaj.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Presidenti Hauard W. Hanter ishte i njohur jo vetëm si një udhëheqës i përkushtuar dhe profet i dashur, por gjithashtu për mënyrën e qetë me të cilën shërbeu. Ai e dinte se vetë shërbimi ishte i rëndësishëm, jo se do të merrte ndonjë njohje. Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dikur tha për të: “Presidenti Hauard W. Hanter është një njeri i duruar. … Ky është po ai njeri i përulur, kur unë u zgjova pas një dite të lodhshme dhe me pluhur bashkë me të në një detyrë në Egjipt, që po lustronte qetësisht këpucët e mia, një punë që pati shpresuar ta mbaronte pa rënë në sy.”1

Presidenti Tomas S. Monson e vuri re për herë të parë mënyrën e përulur të shërbimit të Presidentit Hanter kur u përkushtua Tempulli i Los Anxhelosit në Kaliforni në 1956-ën, disa vite përpara se ata të thirreshin Apostuj. Ai kujtoi:

“Prezantimi im … me Presidentin Hanter ishte kur ai shërbeu si president i Kunjit të Pasadenas në Kaliforni dhe kishte përgjegjësinë të bashkërendonte punët vendore për përkushtimin e Tempullit të Los Anxhelosit (Kaliforni). Unë pata privilegjin të shtypja biletat. Detyra e tij ishte gjigante. Unë pashë vetëm atë pjesë që lidhej me biletat, që ishin me kod ngjyre, të etiketuara në mënyrë të ndërlikuar dhe me numra në mënyrën më të rregullt që kisha parë ndonjëherë. Ai i jepte bujarisht besim të tjerëve dhe sigurohej që emri i tij të mos përdorej me tepri, edhe pse ai kishte qenë një forcë shtytëse prapa këtyre ngjarjeve monumentale.”2

Plaku Xhejms E. Faust, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, vërejti më tej: “Ai nuk kishte nevojë ta lavdëronin. Me gjithë urtësinë e tij, ai mund të rrinte ulur midis vëllezërve të tij dhe të fliste shumë pak. Ai ishte në paqe të plotë me veten.”3

Presidenti Hanter e kuptonte se çdo vepër shërbimi është e rëndësishme në sytë e Perëndisë, pavarësisht sa e panjohur apo e pavënëre. Disa javë përpara se Presidenti Hanter të vdiste, një mik e pyeti: “I dashur President, cili është pozicioni apo thirrja më e lartë – ajo e një miku të dashur dhe të besuar, apo ajo e një profeti të Perëndisë?” Pasi e dëgjoi pyetjen, “Presidenti përsiati qetësisht ndërsa u dukën si minuta; mandej duke kapur ngadalë dorën e mikut të tij dhe duke e kthyer kokën pikërisht drejt tij, me një lot që rrëshqiste poshtë faqes së tij të dobët, u përgjigj: ‘Ato janë të dyja thirrje të shenjta mirëbesimi’”.4

Pamja
një burrë dhe një djalë me top bejsbolli

Shërbimi që ndryshon jetën tregohet nga shumë njerëz “që nuk dalin në dritë të fortë, që nuk tërheqin vëmendjen e botës”.

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Ata që shërbejnë qetësisht dhe pa rënë në sy janë “[jo] më pak të dobishëm” sesa ata që marrin brohoritjet e botës.

Ishte thënë për kapiten Moronin e ri dhe të guximshëm: “Në qoftë se të gjithë njerëzit kishin qenë dhe ishin, ose do të jenë ndonjëherë, sikurse Moroni, vini re, fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; po, djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve”. (Alma 48:17.)

Çfarë komplimenti për një burrë të famshëm dhe të fuqishëm! Nuk mund të përfytyroj një vlerësim më të shkëlqyer nga një burrë për një tjetër. Dy vargje më poshtë është një thënie për Helamanin dhe vëllezërit e tij, që luajtën një rol më pak të spikatur sesa Moroni: “Tani vini re, Helamani dhe vëllezërit e tij nuk ishin më pak të dobishëm ndaj popullit, sesa ishte Moroni”. (Alma 48:19.)

Me fjalë të tjera, edhe pse Helamani nuk binte po aq në sy apo nuk ishte po aq i spikatur sa Moroni, ai ishte po aq i dobishëm; që do të thotë, ishte po aq ndihmues ose me vlerë sa Moroni.

Siç shihet, ne mund të përfitojmë shumë duke studiuar jetën e kapiten Moronit. Ai është një shembull besimi, shërbimi, devotshmërie, përkushtimi dhe shumë cilësi të tjera besimtare. Në vend që të përqendrohem te ky njeri i mrekullueshëm, gjithsesi, unë kam zgjedhur të shoh tek ata që nuk dalin në dritë të fortë, që nuk tërheqin vëmendjen e botës, dhe përsëri janë “[jo] më pak të dobishëm”, siç e formuloi shkrimi i shenjtë.

Jo të gjithë ne do të jemi si Moroni, duke marrë brohoritjet e kolegëve tanë gjithë ditën, çdo ditë. Shumica prej nesh do të jenë njerëz të heshtur, relativisht të panjohur që vijmë e shkojmë dhe bëjmë punën tonë pa trumbetim. Atyre prej jush që mund ta shikojnë këtë [mendim] si vetmi apo frikë, ose thjesht jo mbresëlënës, unë ju them, ju jeni ‘[jo] më pak [i] dobishëm’ sesa më mbresëlënësit e kolegëve tuaj. Ju, gjithashtu, jeni pjesë e ushtrisë së Perëndisë.

Merrni parasysh, për shembull, shërbimin e vazhdueshëm që një nënë ose baba jep në anonimitetin e qetë të një shtëpie të denjë shenjtorësh të ditëve të mëvonshme. Mendoni për mësuesit e Doktrinës së Ungjillit dhe drejtueset e muzikës në Fillore dhe udhëheqësit e skautizmit dhe mësueset vizitore të Shoqatës së Ndihmës, që u shërbejnë dhe bekojnë miliona njerëz, por emrat e të cilëve nuk do të duartrokiten publikisht apo nxirren në mediat kombëtare.

Dhjetëra mijëra njerëz të panjohur bëjnë të mundura shanset dhe lumturinë tonë çdo ditë. Sikurse e thonë shkrimet e shenjta, ata janë “[jo] më pak të dobishëm” sesa ata jeta e të cilëve është nëpër faqet e para të gazetave.

Qendra e vëmendjes së historisë dhe përkujdesja bashkëkohore përqendrohen aq shpesh te një [i vetëm] sesa te të shumtët. Individët shpesh veçohen nga shokët e tyre dhe lartësohen si heronj. Unë e pranoj se kjo lloj vëmendjeje është një mënyrë për të përcaktuar atë që njerëzit e admirojnë ose e mbajnë si të njëfarë vlere. Por ndonjëherë ajo njohje nuk meritohet, ose madje mund të ngazëllejë vlerat e gabuara.

Ne duhet t’i zgjedhim urtësisht heronjtë dhe shembujt tanë, ndërsa japim gjithashtu falënderime për miqtë dhe qytetarët e shumtë që nuk janë aq të famshëm por që janë “[jo] më pak të dobishëm” sesa moronët e jetës sonë.5

2

Në shkrimet e shenjta, shumë njerëz që shërbyen në hijen e të tjerëve dhanë ndihmesa të rëndësishme.

Ndoshta mund të shqyrtoni me mua disa njerëz interesantë nga shkrimet e shenjta që nuk e patën dritën e fortë të vëmendjes por që, me tejqyrën e historisë, e kanë provuar veten të jenë vërtet heroikë.

Shumë njerëz që e lexojnë historinë e profetit të madh Nefi thuajse tërësisht e harrojnë një bir tjetër të guximshëm të Lehit, emri i të cilit ishte Sam. Nefi është një nga figurat më të famshme në gjithë Librin e Mormonit. Po Sami? Emri i Samit përmendet atje vetëm dhjetë herë. Kur Lehi këshilloi dhe bekoi pasardhësit e tij, ai i tha Samit:

“I bekuar qofsh ti dhe fara jote; pasi ti do të trashëgosh tokën si vëllai yt Nefi. Dhe fara jote do të numërohet me farën e tij; dhe ti madje do të jesh si vëllai yt dhe fara jote si fara e tij; dhe ti do të jesh i bekuar në të gjitha ditët e tua”. (2 Nefi 4:11.)

Roli i Samit ishte në thelb të përkrahte dhe të ndihmonte vëllanë e tij më të vogël që ishte më i brohoritur dhe përfundimisht ai mori të njëjtat bekime që iu premtuan Nefit dhe pasardhësve të tij. Asgjë që i ishte premtuar Nefit nuk iu ndalua Samit besnik, madje ne dimë shumë pak nga hollësitë e shërbimit dhe ndihmesës së Samit. Ai ishte një person thuajse i panjohur në jetë, por ai është qartazi një udhëheqës dhe fitimtar triumfues në analet e përjetësisë.

Shumë njerëz japin ndihmesat e tyre në mënyra të pabujshme. Ishmaeli udhëtoi me familjen e Nefit me një sakrificë vetjake të madhe, duke vuajtur “shumë pikëllim, uri, etje dhe lodhje”. (1 Nefi 16:35.) Pastaj në mes të gjithë këtyre pikëllimeve, ai vdiq në vendin e shkretë. Pak prej nesh mund edhe të fillojnë ta kuptojnë sakrificën e një burri të tillë në ato kohë dhe kushte primitive. Ndoshta nëse do të ishim më perceptues dhe mirëkuptues, ne gjithashtu do të vajtonim, siç bënë bijat e tij në vendin e shkretë, për atë që dha një burrë si ky – dhe dha veten! – që ne të mund të kemi Librin e Mormonit sot.

Emrat dhe kujtimet e burrave dhe grave të tilla, që ishin “[jo] më pak të dobishëm” janë të shumtë në Librin e Mormonit. Qoftë Nënë Saria apo virgjëresha Abish, shërbëtore te mbretëresha lamanite, secila dha ndihmesa që ishin të panjohura për sytë e njerëzve por jo të papara për sytë e Perëndisë.

Ne kemi vetëm dymbëdhjetë vargje nga shkrimi i shenjtë që merren me jetën e Mosias, mbretit të tokës së Zarahemlës dhe babait të mbretit të famshëm Beniamin. Dhe prapë shërbimi i tij ndaj popullit ishte i domosdoshëm. Ai e udhëhoqi popullin me “shumë predikime dhe profeci” dhe e “paralajmër[oi] vazhdimisht nga fjala e Perëndisë”. (Omni 1:13.) Limhi, Amuleku dhe Pahorani – i fundit prej të cilëve pati fisnikërinë e shpirtit për të mos kundërshtuar kur qe akuzuar shumë padrejtësisht – janë shembuj të tjerë njerëzish që shërbyen me vetëmohim në hijen e dritës së fortë të të tjerëve.

Ushtari Teankum, që sakrifikoi vetë jetën e tij, ose Lakoneusi, kryegjykatësi që i mësoi njerëzit të pendoheshin gjatë sfidës së Gadiantonëve, apo misionarët thuajse të papërmendur Omneri dhe Himni, qenë të gjithë “[jo] më pak të dobishëm” sesa shokët e tyre, madje ata morën shumë pak vëmendje në shkrimet e shenjta.

Ne nuk dimë shumë rreth Shiblonit, birit besnik të Almës, historia e të cilit gjendet midis atyre të Helamanit, udhëheqësit të ardhshëm, dhe Koriantonit, shkelësit; por është me rëndësi se ai është përshkruar si “njeri i drejtë [që] eci drejt para Perëndisë”. (Alma 63:2.) Profeti i madh Nefi, që përmendet te libri i Helamanit, pati një vëlla të quajtur Lehi, i cili dukshëm është përmendur vetëm kalimthi, por është shënuar se nuk ishte “aspak prapa [Nefit] përsa i takon drejtësisë”. [Helamani 11:19; shih edhe vargun 18.]6

Pamja
Beniamini dhe Mosia

Pasi Abishi (majtas) preku dorën e mbretëreshës lamanite, mbretëresha u ngrit nga toka (shih Alma 19:15–29).

3

Edhe pse mund të mos jemi të mirënjohur, ne mund të kryejmë shërbim të madh në mbretëri.

Sigurisht, ka shembuj si këta individë të dobishëm edhe në periudhën tonë ungjillore. Oliver Grangeri është lloji i personit të qetë e mbështetës në ditët e mëvonshme që Zoti e kujtoi në seksionin 117 te Doktrina e Besëlidhjeve. Emri i Oliverit mund të jetë i panjohur për shumë njerëz, prandaj do t’ju tregoj për këtë të fuqishëm të hershëm.

Oliver Grangeri ishte njëmbëdhjetë vjet më i madh nga Jozef Smithi dhe, si Profeti, ishte nga veriu i Nju-Jorkut. Për shkak të të ftohtit të madh dhe daljes kur ishte tridhjetë e tre vjeç, Oliveri humbi një pjesë të shikimit. Me gjithë shikimin e kufizuar, ai shërbeu tre misione kohëplota. Ai punoi gjithashtu në Tempullin e Kirtlandit dhe shërbeu në këshillin e lartë të Kirtlandit.

Kur shumë nga shenjtorët u përzunë nga Kirtlandi në Ohajo, Kisha la disa borxhe të pashlyera. Oliveri qe caktuar të përfaqësonte Jozef Smithin dhe Presidencën e Parë duke u kthyer në Kirtland për të rregulluar punët e Kishës. Për këtë detyrë, Doktrina e Besëlidhje shënon: “Si rrjedhim, ai duhet të përpiqet me dëshirë për shëlbimin e Presidencisë së Parë të Kishës sime, thotë Zoti”. (DeB 117:13.)

Ai e kreu këtë detyrë me një kënaqje të tillë të kreditorëve të përfshirë, saqë njëri prej tyre shkroi: “Administrimi nga Oliver Grangeri i rregullimit të borxheve të pashlyera të njerëzve që shkuan në Far Uest, duke shlyer detyrimet e tyre dhe pra, duke mbrojtur nderin e tyre, ishte vërtet për t’u lavdëruar dhe ka merituar vlerësimin tim më të lartë dhe çdo përkujtim mirënjohës”. (Horace Kingsbury, siç citohet te Joseph Smith, History of the Church, 3:174.)

Gjatë kohës së Oliverit në Kirtland, disa njerëz, përfshirë anëtarë të pakënaqur të Kishës, po përpiqeshin të diskreditonin Presidencën e Parë dhe të vinin në dyshim ndershmërinë e tyre duke përhapur akuza të rreme. Oliver Grangeri, me veprimet e tij, “e shëlboi Presidencën e Parë” nëpërmjet shërbimit të tij besnik. … Zoti tha për Oliver Gangerin: “Emri i tij do të mbahet në kujtesë të shenjtë nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë”. (DeB 117:12.) “Unë do ta ngre shërbëtorin tim Oliver, dhe do të krijoj për të një emër të madh në tokë dhe midis popullit tim, për shkak të ndershmërisë së shpirtit të tij.” (History of the Church, 3:350.)

Kur ai vdiq në 1841-shin, edhe pse kishin mbetur vetëm pak shenjtorë në zonën e Kirtlandit dhe madje edhe më pak miq të shenjtorëve, funerali i Oliver Grangerit pati një numër shumë të madh njerëzish nga qytetet fqinjë.

Edhe pse Oliver Grangeri nuk është aq i njohur sot sa udhëheqës të tjerë të hershëm të Kishës, ai sidoqoftë ishte një burrë i madh dhe i rëndësishëm në shërbimin që i bëri mbretërisë. Madje edhe nëse askush nuk e pati në kujtesë emrin e tij, përveç Zotit, ky do të ishte një bekim i mjaftueshëm për të – ose për cilindo prej nesh.7

4

Nefi është një shembull i të kujtuarit të Perëndisë si burimi i forcës dhe bekimeve të tij.

Unë mendoj se ne duhet të jemi të vetëdijshëm që mund të ketë një rrezik shpirtëror për ata që e keqkuptojnë veçantinë e të qenit gjithmonë në qendër të vëmendjes. Ata mund të lakmojnë famën dhe kështu ta harrojnë rëndësinë e dhënies së shërbimit.

Ne duhet të mos i lejojmë vetes të përqendrohemi te çasti i shkurtër i popullaritetit ose të kërkojmë atë shkëlqim tërheqës në vend të thelbit të punës së vërtetë, por shpesh të paemër që sjell vëmendjen e Perëndisë, edhe nëse nuk është e mirënjohur. Në fakt, duartrokitja dhe vëmendja mund të bëhen thembra shpirtërore e Akilit edhe për më të talentuarin midis nesh.

Nëse drita e fortë e popullaritetit duhet t’ju bjerë ndonjëherë në jetën tuaj, mund të ishte mirë për ju që të ndiqni shembullin e atyre në shkrimet e shenjta që morën famë. Nefi është një nga shembujt e mëdhenj. Pas gjithçkaje që ai përmbushi duke udhëtuar në vendin e shkretë me familjen e tij, qëndrimi i tij përsëri ishte mbërthyer te gjërat që kanë më shumë rëndësi. Ai tha:

“Dhe kur unë dua të gëzohem, zemra ime rënkon për shkak të mëkateve të mia; megjithatë, unë e di në cilin kam besuar.

Perëndia im ka qenë mbështetja ime; ai më ka nxjerrë prej vuajtjeve të mia në vendin e shkretë; dhe ai më ka ruajtur mbi ujërat e thellësisë së madhe.

Ai më ka mbushur me dashurinë e tij deri në tretjen e mishit tim.

Ai i ka ngatërruar armiqtë e mi duke i bërë që të dridhen para meje.” (2 Nefi 4:19–22.)

Drita e fortë nuk e verboi kurrë Nefin lidhur me burimin e forcës dhe të bekimeve të tij.8

5

Kur e kuptojmë arsyen përse shërbejmë, ne nuk do të shqetësohemi se ku shërbejmë.

Në kohë vëmendjeje dhe dukjeje, mund të jetë gjithashtu e dobishme për ne që t’i përgjigjemi pyetjes: “Përse shërbejmë?” Kur e kuptojmë arsyen, ne nuk do të shqetësohemi se ku shërbejmë.

Presidenti J. Ruben Klark i Riu, dha mësim këtë parim jetik në vetë jetën e tij. Gjatë konferencës së përgjithshme në prill 1951, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei u mbështet si President i Kishës pas vdekjes së Presidentit Xhorxh Albert Smith. Deri në atë kohë, Presidenti Klark pati shërbyer si Këshilltar i Parë i Presidentit Hiber J. Grant dhe mandej i Presidentit Xhorxh Albert Smith. Presidenti Mek-Kei pati qenë Këshilltari i Dytë i të dy burrave.

Gjatë sesionit të fundit të konferencës kur po drejtoheshin punët e Kishës, Vëllai Stefen L. Riçards u thirr në Presidencën e Parë dhe u mbështet si Këshilltar i Parë. Presidenti J. Ruben Klark i Riu, qe mbështetur atëherë si Këshilltari i Dytë. Pas mbështetjes së drejtuesve të Kishës, Presidenti Mek-Kei shpjegoi arsyen përse i pati zgjedhur këshilltarët e tij me atë radhë. Ai tha:

“Ndjeva se një parim udhërrëfyes në këtë zgjedhje do të ishte të ndiqet vjetërsia në Këshill [-in e Të Dymbëdhjetëve]. Këta dy burra qenë ulur në vendet e tyre në atë forum kryesues në Kishë dhe pata ndjesinë se do të ishte e këshillueshme që të vijohej po ajo vjetërsi në kuorumin e ri të Presidencës së Parë”. (Në Conference Report, 9 prill 1951, f. 151.)

Presidentit Klark iu kërkua atëherë të fliste pas Presidentit Mek-Kei. Vërejtjet e tij në këtë rast qenë të shkurtra por japin një mësim të fuqishëm: “Në shërbim të Zotit nuk ka rëndësi se ku shërbeni, por si. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njeriu zë vendin tek i cili është thirrur siç duhet, vend të cilin as e kërkon as e kundërshton. Unë i premtoj Presidentit Mek-Kei dhe Presidentit Riçards shërbimin e plotë besnik të përkushtuar në detyrat që mund të caktohen me tërë fuqinë dhe aftësitë e mia dhe për aq sa ata do të më lejojnë t’i kryej ato, sado i papërshtatshëm që mund të jem.” (Po aty, f. 154.)

Mësimi që Presidenti Klark dha është shprehur në një mënyrë tjetër në këtë poemë nga Mid Mek-Guajr [Meade McGuire], që është përsëritur shumë herë:

“Atë, ku do të punoj sot?”

Dhe dashuria ime rrodhi e ngrohtë dhe e lirë.

Pastaj Ai tregoi një vend të vockël

E tha: “Përkujdese atë për mua”.

U përgjigja shpejt: “Oh, jo, jo atë!

Pse, askush s’do e shohë kurrë,

Pavarësisht sa mirë puna ime ishte bërë;

Jo atë vend të vogël për mua.”

Dhe fjala që Ai tha, nuk ishte e ashpër;

Ai m’u përgjigj dhembshurisht:

“Ah, vogëlushe, kërkoje atë zemër tënde.

A po punon për ata apo për mua?

Nazareti ishte një vend i vogël,

Dhe po ashtu Galilea.”

[Shih Best-Loved Poems of the LDS People, përmb. Jack M. Lyon and others (1996), f. 152.]

Mbreti Beniamin shpalli: “Vini re, unë ju them se pasi ju thashë se kisha kaluar ditët e mia në shërbimin tuaj, unë nuk dua të mburrem, pasi kam qenë vetëm në shërbimin e Perëndisë. Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”. (Mosia 2:16–17.)9

Pamja
gra duke shërbyer në konservim

Ne jemi “më [të] lumtur dhe [të] suksesh[ëm] në jetë” kur “interesat [tona] janë të ndërthurura me dhënien e ndihmës për të tjerët dhe të ndihmuarit e tyre që të gjejnë udhën”.

6

Ne duhet të shërbejmë besnikërisht dhe qetësisht, duke qenë të kujdesshëm lidhur me lëvdatat nga të tjerët.

Është më i lumturi dhe i suksesshmi në jetë ai, interesat e të cilit janë të ndërthurura me dhënien e ndihmës për të tjerët dhe të ndihmuarit e tyre që të gjejnë udhën.

Shenja në kryqëzimin e hekurudhës që na paralajmëron të ndalojmë, të shohim dhe të dëgjojmë mund të jetë një udhërrëfyes për ne. Ndaluni ndërsa vërsulemi përmes jetës. Shihni për gjithë gjërat miqësore, të vëmendshme dhe të njerëzishme që mund të bëjmë dhe të gjitha nevojat e vogla njerëzore që mund të plotësojmë. Mbani vesh të tjerët dhe mësoni për shpresat dhe problemet e tyre që të jemi në gjendje të ndihmojmë me mënyra të thjeshta për suksesin dhe lumturinë e tyre.10

Presidenti Ezra Taft Benson tha … : “Shërbimi si i Krishtit ekzalton. … Zoti ka premtuar se ata që e humbasin jetën e tyre duke u shërbyer të tjerëve do të gjejnë vetveten. Profeti Jozef Smith na thotë se ne duhet t’i shpenzojmë jetët tona’ që të realizohen qëllimet e Tij. (DeB 123:13.)” (Ensign, nëntor 1989, f. 5–6.)

Nëse ndieni se shumë nga ajo që bëni nuk ju bën shumë të famshëm, mos u shkurajoni. As shumica e njerëzve më të mirë që jetuan ndonjëherë, nuk qenë shumë të famshëm. Shërbeni dhe rrituni, besnikërisht dhe qetësisht. Jini të kujdesshëm lidhur me lavdërimet nga njerëzit. Jezusi tha te Predikimi në Mal:

“Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,

që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.” (Mateu 6:1–4.)

Ju shpërbleftë gjithmonë kështu Ati ynë në Qiell.11

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Çfarë po përpiqet të na ndihmojë të kuptojmë Presidenti Hanter duke theksuar se Helamani dhe vëllezërit e tij qenë “[jo] më pak të dobishëm” sesa kapiten Moroni? (Shih pjesën 1.) Si mund t’ju ndihmojë ky kuptim?

  • Çfarë mund të na mësojnë shembujt nga shkrimet e shenjta te pjesa 2? Si mund të ndikojnë këta shembuj në vetë ndjenjat tona ndërsa shërbejmë? Si jeni bekuar ju nga të tjerë që kanë shërbyer në mënyra të qeta, të pabujshme?

  • Çfarë mund të mësojmë nga historia që Presidenti Hanter tregon rreth Oliver Grangerit? (Shih pjesën 3.) Përse nuk duhet të shqetësohemi për marrje vlerësimi kur shërbejmë?

  • Si mundet që “drita e fortë e popullaritetit” ose fama të jetë e rrezikshme? (Shih pjesën 4.) Çfarë mund t’ju mësojë shembulli i Nefit rreth asaj se si të qëndroni të “mbërthyer te gjërat që kanë më shumë rëndësi”?

  • Rishikoni tregimin e Presidentit J. Ruben Klark i Riu te pjesa 5. Çfarë ju bën përshtypje rreth qëndrimit dhe fjalëve të Presidentit Klark? Shqyrtoni përgjigjen tuaj për pyetjen “Përse shërbejmë?” Si mund të zhvillojmë një qëndrim të dhënies së më të mirës sonë pavarësisht se ku shërbejmë?

  • Te pjesa 6, Presidenti Hanter përmend premtimin e Zotit se “ata që e humbasin jetën e tyre duke u shërbyer të tjerëve do të gjejnë vetveten” (shih Mateu 10:39; 16:25). Çfarë do të thotë kjo? Si e keni zbuluar që kjo të jetë e vërtetë? Si ju ka sjellë shërbimi lumturi?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 6:2–7, 24; 20:25–28; Jakob [Bibla] 1:27; DeB 76:5–7; 121:34–37

Ndihmë për Studimin

“Ndani atë që mësoni. Ndërsa e bëni këtë, mendimet tuaja do të bëhen më të qarta dhe fuqia juaj e ruajtjes do të rritet” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 17).

Shënime

  1. Neal A. Maxwell, “Meek and Lowly” (Takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 21 tetor 1986), f. 8; speeches.byu.edu.

  2. Thomas S. Monson, “President Howard W. Hunter: A Man for All Seasons”, Ensign, prill 1995, f. 31.

  3. James E. Faust, “Howard W. Hunter: Man of God”, Ensign, prill 1995, f. 27.

  4. Jon M. Huntsman Sr., “A Remarkable and Selfless Life”, Ensign, prill 1995, f. 24.

  5. “No Less Serviceable”, Ensign, prill 1992, f. 64–65.

  6. “No Less Serviceable”, f. 65.

  7. “No Less Serviceable”, f. 65–66.

  8. “No Less Serviceable”, f. 66.

  9. “No Less Serviceable”, f. 66–67.

  10. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 267.

  11. “No Less Serviceable”, f. 67.