Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Liria e Zgjedhjes, një Parim i Përjetshëm


Kapitulli 3

Liria e Zgjedhjes, një Parim i Përjetshëm

“Liria e zgjedhjes na është dhënë të gjithëve për të marrë vendime të rëndësishme që do të kenë lidhje me shpëtimin tonë. Ato vendime ndikojnë te lumturia jonë në përjetësi.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Duke punuar dhe jetuar në një fermë, Ezra Taft Bensoni mësoi rreth pasojave nga vendimet e mira. Ai kujtonte: “Unë u rrita duke besuar se gatishmëria dhe aftësia për të punuar është elementi bazë i të qenit i suksesshëm në bujqësi. Puna këmbëngulëse, inteligjente është çelësi. Bëjeni këtë dhe shanset tuaja për sukses janë të mira”.1 Në moshë të re, Ezra mësoi se ai dhe familja e tij do të kishin më shumë për të ngrënë nëse do të zgjidhnin të kujdeseshin për kopshtin e tyre. Ai mësoi se nëse donte që familja të ishte e suksesshme në biznesin e bulmetit, ai duhej të vendoste të ngrihej herët nga shtrati çdo ditë për të mjelë lopët.2 Ai pa se kur bënte zgjedhjen për të punuar me këmbëngulje, fermerët vendas e merrnin me pagesë për të rralluar panxharin dhe ngarkuar kashtën e tyre.3 Ai shihte që sprovat u vinin besnikëve, por shihte edhe se individët dhe familjet mund të vendosnin t’u përgjigjeshin sprovave në një mënyrë që do t’i ndihmonte të ishin të lumtur dhe të suksesshëm.4

Për të rinë Ezra Taft Benson, disa pasoja nga vendimet e mira mund të mateshin me kova qumështi, kamionë të ngarkuar me kashtë dhe me pagesë bujare për një ditë pune këmbëngulëse. Të tjerat ishin më të vështira për t’u matur, por më të qëndrueshme. Për shembull, kur i vëzhgonte prindërit e tij, ai shihte gëzim, paqe dhe forcë që vinin kur anëtarët e familjes zgjidhnin të ishin besnikë ndaj njëri-tjetrit dhe Zotit.5 Ai mësoi se ligji i të korrave – “ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Galatasve 6:7) – vlen si për sferën shpirtërore ashtu edhe për punën fizike.

Me këtë përvojë si themel, Presidenti Ezra Taft Benson shpesh u kujtonte shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe të tjerëve për rëndësinë e lirisë së zgjedhjes – lirisë “për të zgjedhur drejtimin që duhet të ndjekin”.6 Mësimet e tij rreth parimit të lirisë së zgjedhjes përfshinin më shumë se vetëm një kujtesë për të “zgjedhur midis së drejtës dhe së gabuarës”.7 Ai fliste për lirinë e zgjedhjes si aftësinë për të “marrë vendime me rëndësi që do të lidheshin me shpëtimin tonë” dhe që do të “ndikonin te lumturia jonë në përjetësi”.8 Ai i nxiste shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe të tjerët që ta përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes për të “vepruar për veten”, pa pritur që të urdhërohen në të gjitha gjërat.9 Parimi i lirisë së zgjedhjes, thoshte ai, “vepron si një fill i artë nëpër gjithë planin e ungjillit të Zotit për bekimin e fëmijëve të Tij”.10

Pamja
Jesus Christ in the pre-mortal life. Christ is depicted wearing white robes. He is teaching people who are gathered around Him.

Jezu Krishti në jetën para lindjes ndoqi planin e Atit Qiellor për shpëtimin, që e ruante lirinë tonë të zgjedhjes.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Liria – e zgjedhjes – është një parim i përjetshëm i dhënë nga Perëndia.

Unë dëshmoj se ne jemi fëmijë shpirtërorë të një Perëndie të dashur, Atit tonë Qiellor (shih Veprat e Apostujve 17:29; 1 Nefi 17:36.). Ai ka një plan të madh shpëtimi me të cilin fëmijët e Tij mund të përsosen siç është Ai dhe mund të kenë plotësi gëzimi siç e ka Ai. (Shih 1 Nefi 10:18; 2 Nefi 2:25; Alma 24:14; 34:9; 3 Nefi 12:48; 28:10.)

Unë dëshmoj se në gjendjen tonë paratokësore Vëllai ynë i Madh në shpirt, madje Jezu Krishti, u bë Shpëtimtari ynë i parashuguruar në planin e Atit për shpëtim. (Shih Mosia 4:6–7; Alma 34:9.) Ai është kapiteni i shpëtimit tonë dhe mjeti i vetëm nëpërmjet të cilit ne mund të kthehemi tek Ati ynë në Qiell për të marrë atë plotësi gëzimi. (Shih Hebrenjve 2:10; Mosia 3:17; Alma 38:9.)

Unë dëshmoj se Luciferi ishte gjithashtu në këshillin e qiellit. Ai u përpoq ta shkatërronte lirinë e zgjedhjes të njeriut. Ai ngriti krye. (Shih Moisiu 4:3.) U bë luftë në qiell, dhe një e treta e ushtrive u flakën në tokë dhe iu mohua të pasurit e një trupi. (Shih Zbulesa 12:7–9; DeB 29:36–37.) Luciferi është armiku i të gjithë të drejtësisë dhe kërkon mjerimin e gjithë njerëzimit. (Shih 2 Nefi 2:18, 27; Mosia 4:14.)11

Çështja qendrore në atë këshill paratokësor ishte: A do të kenë fëmijët e Perëndisë zgjedhje të lirë pa pengesa për të zgjedhur drejtimin që duhet të ndjekin, qoftë i mirë apo i keq, apo do të jenë të shtrënguar dhe detyruar të jenë të bindur? Krishti dhe të gjithë që e pasuan Atë ishin për propozimin e parë – liri zgjedhjeje; Satani ishte për të dytin – shtrëngim dhe detyrim.12

Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se u bë një luftë e madhe në qiell, një përpjekje mbi parimin e lirisë, të drejtën e zgjedhjes. (Shih Moisiu 4:1–4; DeB 29:36–38; 76:25–27; Zbulesa 12:7–9.)13

Lufta që filloi në qiell për këtë çështje nuk ka mbaruar ende. Konflikti vazhdon në fushën e betejës së vdekshmërisë.14

Liria e zgjedhjes është një parim i përjetshëm i dhënë nga Perëndia. Plani i madh i lirisë është plani i ungjillit. Nuk ka shtrëngim lidhur me të; as detyrim, as frikësim. Njeriu është i lirë ta pranojë ungjillin ose ta kundërshtojë atë. Ai mund ta pranojë dhe pastaj të kundërshtojë ta jetojë atë, ose mund ta pranojë dhe ta jetojë atë plotësisht. Por Perëndia nuk do të na detyrojë kurrë që ta jetojmë ungjillin. Ai do të përdorë bindjen nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Ai do të na thërrasë dhe do të na drejtojë dhe Ai do të na bindë dhe do të na nxitë dhe Ai do të na bekojë kur ne i përgjigjemi, por Ai kurrë nuk do ta detyrojë mendjen njerëzore. (Shih Hymns, 1985, nr. 240.)15

2

Kjo jetë është një kohë prove në të cilën ne jemi të lirë të zgjedhim midis së mirës dhe së keqes.

Abrahamit i ishin treguar fëmijët shpirtërorë të Atit tonë Qiellor përpara se ata të vinin në tokë. Atij, gjithashtu, i ishte treguar krijimi i tokës dhe Zoti i tha atij: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”. (Abraham 3:25.) Në atë thënie hyjnore është mishëruar edhe e drejta e zgjedhjes.16

Kjo jetë është një provë: një provë në të cilën ju dhe unë vërtetojmë karakterin tonë, një provë që ka pasoja të përjetshme për secilin prej nesh. Dhe tani është koha dhe stina jonë – siç ka pasur çdo brez të vetën – për të mësuar detyrat tona dhe për t’i bërë ato.17

Që Zoti është i pakënaqur me ligësinë, është e vërtetë. Që Ai dëshiron që ajo të mos ndodhë, është gjithashtu e vërtetë. Që Ai do t’i ndihmojë ata që e kundërshtojnë, është e vërtetë. Por që Ai lejon që ligësia të ndodhë kudo te gjithë fëmijët e Tij këtu në vdekshmëri, është një provë se Ai u ka dhënë lirinë e tyre për të zgjedhur, duke krijuar për Vete një bazë për gjykimin e tyre të fundit.18

Nuk ka ligësi që [Jezu Krishti] nuk mund ta ndalë. Të gjitha gjërat janë në duart e Tij. Kjo tokë është zotërimi i Tij i ligjshëm. Dhe përsëri Ai e lejon ligësinë që ne të mund të bëjmë zgjedhje midis së mirës dhe së keqes.19

Jeta është një kohë prove në ekzistencën e përjetshme të njeriut, gjatë së cilës i është dhënë … e drejta të zgjedhë midis së drejtës dhe së gabuarës. … Nga ato zgjedhje varen pasoja të mëdha, jo vetëm në këtë jetë, por, madje më e rëndësishme, në jetën që do të vijë. Ka kufij përtej të cilëve Satani nuk mund të shkojë. Brenda këtyre kufijve, ai aktualisht po lejohet të ofrojë një alternativë të padrejtë kundrejt parimeve të drejta të Perëndisë, duke u lejuar kështu njerëzve që të zgjedhin midis së mirës dhe së keqes dhe kështu të përcaktojnë vendin që ata do të do të zënë në jetën tjetër.20

3

Ne e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të marrë vendime që përcaktojnë lumturinë tonë tani dhe në të gjithë përjetësinë.

Perëndia ju do ju siç do çdonjërin dhe këdo prej fëmijëve të Tij, dhe dëshira dhe qëllimi dhe lavdia e Tij është që t’ju bëjë të riktheheni tek Ai të pastër dhe të panjollë, pasi të keni vërtetuar se jeni të denjë për një përjetësi gëzimi në praninë e Tij.

Ati juaj në qiell është i vëmendshëm ndaj jush. Ai ju ka dhënë urdhërime që t’ju drejtojë, t’ju disiplinojë. Ai ju ka dhënë gjithashtu – lirinë tuaj të zgjedhjes – që “të [shohë] nëse [ju] do t’i bë[ni] të gjitha gjërat që [Ai] do [t’ju] urdhërojë”. (Abraham 3:25.) Mbretëria e Tij këtu në tokë është e organizuar më së miri, dhe udhëheqësit tuaj janë të përkushtuar që t’ju ndihmojnë. Shpresoj që ta dini se keni dashurinë tonë të përhershme, shqetësimin dhe lutjet tona.

Satani është gjithashtu i vëmendshëm ndaj jush. Ai është i zotuar për shkatërrimin tuaj. Ai nuk ju disiplinon me urdhërime, por në vend të tyre ofron lirinë që “të bëni tuajën”. … Programi i Satanit është “luaj tani dhe të paguaj më vonë”. Ai kërkon për të gjithë që të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë [shih 2 Nefi 2:27]. Programi i Zotit është lumturia tani dhe gëzimi për gjithmonë nëpërmjet të jetuarit të ungjillit.21

Ne jemi të lirë të zgjedhim, por nuk jemi të lirë t’i ndryshojmë pasojat e atyre zgjedhjeve.22

E thënë qartë, do të ketë pak sprovë besimi nëse e kemi marrë shpërblimin tonë të plotë menjëherë për çdo vepër të mirë, ose ndëshkimin e menjëhershëm për çdo mëkat. Por që do të ketë një vlerësim përfundimtar për secilin, nuk ka dyshim.23

Edhe pse një njeri mund të marrë një kënaqësi kalimtare në mëkat, rezultati përfundimtar është mungesa e lumturisë. “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi.” (Alma 41:10.) Mëkati krijon mospërputhje me Perëndinë dhe është dëshpërues për shpirtin. Prandaj, një njeri do të bënte mirë ta shqyrtonte veten për të parë që është në përputhje me të gjitha ligjet e Perëndisë. Çdo ligj i mbajtur sjell një bekim të veçantë. Çdo ligj i shkelur sjell një plagë të veçantë. Ata që janë të ngarkuar rëndë me dëshpërim, duhet të vijnë te Zoti, sepse zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë. (Shih Mateu 11:28–30.)24

Puna më e madhe në jetën e kujtdo është marrja e vendimeve. Edhe pse një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për njeriun është … e drejta për të zgjedhur, atij i është dhënë gjithashtu përgjegjësi për këto zgjedhje. … Ne e vendosim jetën tonë drejt suksesit ose dështimit. Ne jo vetëm mund t’i zgjedhim qëllimet tona përfundimtare, por gjithashtu mund t’i përcaktojmë dhe vendosim vetë, në shumë raste, mjetet me të cilat do të arrijmë tek ato qëllime dhe, sipas zellit apo mungesës së tij, të përcaktojmë shpejtësinë me të cilën mund të arrihen. Kjo kërkon përpjekje dhe energji vetjake dhe nuk do të jetë pa kundërshtim apo konflikt.25

Fati i njerëzimit dhe i gjithë qytetërimit do të varet nga fakti nëse njeriu do ta përdorë … lirinë e tij të zgjedhjes për ta qeverisur veten apo do t’i shpërfillë ligjet e përjetshme duke rrezikuar veten dhe korrur pasojat. Çështjet e vërteta të sotme janë, për këtë arsye, jo ekonomike apo politike. Ato janë shpirtërore – domethënë që njeriu duhet të mësojë t’i zbatojë ligjet që Perëndia i ka dhënë njerëzimit.26

Liria e zgjedhjes na është dhënë të gjithëve për të marrë vendime të rëndësishme që do të kenë lidhje me shpëtimin tonë. Ato vendime ndikojnë te lumturia jonë në përjetësi.27

Vendimet tona na kanë bërë ata që jemi. Pikëmbërritja jonë e përjetshme do të përcaktohet nga vendimet që kemi ende për të marrë.28

4

Vendimet me rëndësi kyçe kërkojnë përpjekjen tonë plot lutje.

Nëse duhet të marrim vendimet e duhura, si të Krishtit, duhet së pari të jetojmë në mënyrë të tillë që të mund t’i drejtohemi dhe ta vëmë në përdorim atë fuqi të padukshme pa të cilën askush nuk mund të bëjë më të mirën e vet në marrjen e vendimeve.

Një nga vendimet më të mëdha të kësaj epoke ishte kur djali Jozef Smith vendosi që të ndiqte këshillën te Jakobi: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.” (Jakobi [Bibël] 1:5–6.)

Vetë shpëtimi i miliona burrave dhe grave në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve varet nga ai vendim! Ne duhet të mbajmë në mendje se individët kanë rëndësi dhe se vendimet që marrin ata mund të ndikojnë shumë te jeta e të tjerëve.29

Zoti tha: “Trokitni dhe do t’ju hapet” (3 Nefi 14:7; Mateu 7:7). Me fjalë të tjera, kërkohet përpjekje nga ana jonë.30

Vendimet e urta arrihen zakonisht duke u përpjekur me punë, luftë dhe lutje. Përgjigjja e Zotit lidhur me përpjekjen jo të efektshme të Oliver Kaudrit, e sqaron këtë [parim]: “Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë”. (DeB 9:8.)

Le të fillojmë, pra, duke thënë se kërkimi me zell i Atit tonë në qiell, duke pasur besim se Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona, është një bazë nxitëse me të cilën të fillojmë. … Zoti nuk do të marrë ujë nga një pus i tharë, ndaj ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Ndonjëherë përpjekja për të gjetur një vendim të drejtë kërkon shumë energji, studim dhe durim të madh.31

Në vendimet me rëndësi kyçe, agjërimi i ndërthurur me lutje mund të sjellë mprehtësi të madhe shpirtërore.32

5

Ne jemi përfaqësues të vetes dhe Zoti pret që të bëjmë gjëra të mira sipas vetë vullnetit tonë të lirë.

Në 1831-shin, Zoti i tha këtë Kishës së Tij:

“Sepse vini re, nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; sepse ai që detyrohet në gjithçka, po ai është një shërbëtor i ngathët dhe jo i mençur; si rrjedhim ai nuk merr shpërblim.

Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi;

Sepse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten. Dhe për aq sa njerëzit të bëjnë mirë, ata në asnjë mënyrë s’do ta humbasin shpërblimin e tyre.

Por ai që nuk bën asgjë derisa të urdhërohet dhe e merr një urdhërim me zemër dyshuese dhe e zbaton atë me ngathtësi, po ai mallkohet. (DeB 58:26–29.)

Pamja
Shingling Service Project

Zoti do që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes që “të përfshihe[mi] me zell në një kauzë të mirë” (DeB 58:27).

Qëllimet e Zotit – objektivat e mëdha – vijojnë njësoj: shpëtimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Tij.

Zakonisht Zoti na jep objektiva të përgjithshme për t’u plotësuar dhe disa drejtime për të ndjekur, por ai pret që ne të gjejmë shumicën e hollësive dhe metodave. Metodat dhe procedurat zhvillohen zakonisht nëpërmjet studimit dhe lutjes dhe duke jetuar në mënyrë të tillë që të mund të arrijmë dhe ndjekim nxitjet e Shpirtit. Njerëzit më pak të përparuar shpirtërisht, të tillë si ata në ditët e Moisiut, duhej të urdhëroheshin në shumë gjëra. Sot ata që janë shpirtërisht vigjilentë vështrojnë drejt objektivave, kontrollojnë drejtimet e paraqitura nga Zoti dhe profetët e Tij dhe pastaj me lutje veprojnë – pa iu dashur të urdhërohen “në të gjitha gjërat”. Ky qëndrim i përgatit njerëzit për perëndishmëri. …

Ndonjëherë Zoti i pret plot shpresë fëmijët e Tij që të veprojnë vetë dhe kur nuk e bëjnë këtë, ata humbasin çmimin më të madh dhe Zoti ose do ta braktisë të gjithë çështjen dhe do t’i lërë të vuajnë pasojat ose Atij do t’i duhet ta zbërthejë atë me hollësi më të mëdha. Zakonisht, druaj se, sa më shumë që Ai duhet ta zbërthejë me hollësi atë, aq më i vogël është shpërblimi ynë.33

Ne duhet “të përfshih[emi] me zell” në kauza të mira dhe t’i lëmë botës një vend më të mirë ku të jetojë.34

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në çfarë mënyrash e keni parë që “lufta që filloi në qiell … nuk ka mbaruar ende”? (Shih pjesën 1.) Çfarë mund të bëjmë ne që të vazhdojmë të qëndrojmë për parimin e lirisë së zgjedhjes?

  • Njerëzit shpesh e pyetin veten përse Perëndia e lejon ligësinë të jetë në botë. Si na ndihmojnë mësimet e Presidentit Benson te pjesa 2 që t’i përgjigjemi asaj pyetjeje?

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë që t’i kuptojnë të vërtetat te pjesa 3? Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë që ta kuptojnë ndikimin e vendimeve që ata marrin?

  • Përsiateni këshillën e Presidentit Benson rreth marrjes së “vendime[ve të] duhura, si të Krishtit” (pjesa 4). Çfarë keni mësuar rreth ndërthurjes së lutjes me përpjekje të zellshme në marrje vendimesh?

  • Ç’do të thotë për ju të jesh “[i] përfshirë me zell në një kauzë të mirë”? Si ndryshon jeta juaj kur bëni gjëra të mira “sipas vetë vullneti [juaj i] lirë” sesa të prisni të urdhëroheni? (Shih pjesën 5.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Ligji i Përtërirë 11:26–28; Jozueu 24:15; 2 Nefi 2:14–16; Alma 42:2–4; Helamani 14:30–31; DeB 29:39–45; 101:78

Ndihmë për Mësimdhënien

Diskutimet në grupe të vogla “u japin një numri të madh njerëzish mundësinë për të marrë pjesë në një mësim. Individët që janë zakonisht ngurrues për të marrë pjesë mund të shprehin në grupe të vogla ide, që nuk do t’i shprehnin përpara gjithë grupit” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 161).

Shënime

  1. Cituar në Gene Allred Sessions, Latter-day Patriots (1975), f. 77–78.

  2. Shih Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 18–19, 34.

  3. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 40–41.

  4. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 19–20.

  5. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 17, 22, 25–26, 29–31, 34–37.

  6. “The Constitution—A Glorious Standard”, Ensign, shtator 1987, f. 6.

  7. God, Family, Country: Our Three Great Loyalties (1975), f. 402.

  8. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 24.

  9. Shih Conference Report, prill 1965, f. 122.

  10. Në Conference Report, tetor 1966, f. 121.

  11. “I Testify”, Ensign, nëntor 1988, f. 86.

  12. “The Constitution—A Glorious Standard”, f. 6.

  13. Në Conference Report, tetor 1966, f. 121.

  14. “The Constitution—A Glorious Standard” f. 6.

  15. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 82.

  16. So Shall Ye Reap (1960), f. 221.

  17. Në Conference Report, prill 1967, f. 59.

  18. Strength for the Battle: An Address Given by Ezra Taft Benson at the New England Rally for God, Family and Country (1966), f. 14–15.

  19. Come unto Christ (1983), f. 132.

  20. God, Family, Country, f. 402.

  21. “A Message to the Rising Generation”, Ensign, nëntor 1977, f. 30.

  22. Come unto Christ, f. 40.

  23. God, Family, Country, f. 326.

  24. “Do Not Despair”, Ensign, tetor 1986, f. 2.

  25. God, Family, Country, f. 145.

  26. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 83–84.

  27. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 24.

  28. God, Family, Country, f. 143.

  29. God, Family, Country, f. 144.

  30. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 451.

  31. God, Family, Country, f. 149.

  32. God, Family, Country, f. 152.

  33. Në Conference Report, prill 1965, f. 121–122.

  34. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 676–677.