Kapitulli 16
Të Moshuarit në Kishë
“Qofshin këto vite të arta, vitet tuaja më të mira teksa jetoni e jepni dashuri dhe shërbeni me plotësinë tuaj. Dhe Perëndia i bekoftë ata që japin shërbesë për nevojat tuaja – familjen tuaj, miqtë tuaj dhe bashkanëtarët dhe udhëheqësit tuaj të Kishës.”
Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit
Ezra Taft Benson ishte 86 vjeç kur u bë President i Kishës. Ai i kuptonte gëzimet dhe sfidat që vijnë gjatë viteve të vona të jetës. Një gëzim për të ishte shoqërimi i tij i vazhdueshëm me të shoqen, Florën. Çifti festoi përvjetorin e vet të 60-të të martesës gjatë vitit të tij të parë si President. Ata gëzoheshin në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe shkonin në tempull së bashku pothuajse çdo të premte në mëngjes. Në festën e ditëlindjes së tij të 87-të, dikush e pyeti Presidentin Benson për sekretin e jetës së tij të gjatë e të lumtur. “Përpara se ai të mundej të përgjigjej, motra Benson tha duke e ngacmuar, por në mënyrë kuptimplote: ‘Ai ka një grua të mirë’”1.
Në vitet e tyre të pleqërisë, Presidentit dhe motrës Benson iu pëlqente shumë të kalonin kohë me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre dhe familja vazhdoi të mësonte nga shembulli i tyre. “Një mbesë jetoi me gjyshërit gjatë pjesës më të madhe prej tetëmbëdhjetë muajve të parë të tij si president dhe, me kërkesën e tyre, shpesh udhëtonte me ta për t’i ndihmuar e për t’i plotësuar nevojat e tyre vetjake. Dhe ajo i vëzhgonte nga afër gjyshërit e saj në shtëpi – daljet e tyre në takim te një lokal akulloreje; të ndenjurit ulur në kolltuk e duke u kapur për dore teksa sillnin kujtime ndër mend, këndonin dhe qeshnin së bashku; bisedat e ngrohta që kishin me mësuesit e shtëpisë dhe të tjerë që vinin për vizitë.”2
Nipërit e mbesat e kuptuan se çfarë bekimi është të kesh ndikimin e gjyshërve të mençur e të dashur. “Një mbesë shkroi falënderimet e saj pasi Presidenti Benson e kishte këshilluar atë dhe të shoqin lidhur me një vendim të vështirë. ‘Ne të pyetëm se çfarë mendimi kishe dhe ti the: “Lutuni rreth kësaj. Kam besim se do të merrni vendimin e duhur.” Besimi yt te ne, na dha më tepër siguri.’”3
Për konferencën e përgjithshme që vijoi menjëherë pas ditëlindjes së tij të 90-të, Presidenti Benson përgatiti një fjalim drejtuar “ndaj të moshuarve në Kishë dhe familjeve të tyre si dhe atyre që u shërbejnë nevojave të tyre”. Në hyrje, ai shprehu lidhjen e tij vetjake me temën: “Kam ndjenja të veçanta për të moshuarit – për këtë grup të mrekullueshëm burrash e grash. Ndiej se i kuptoj deri diku, pasi jam një prej tyre.”4
Mësime të Ezra Taft Bensonit
1
Zoti i njeh dhe i do të moshuarit dhe ka vënë shumë nga përgjegjësitë e Tij më të mëdha mbi ta.
Zoti i njeh dhe i do të moshuarit mes njerëzve të Tij. Ka qenë përherë kështu dhe mbi ta Ai ka vënë shumë nga përgjegjësitë e Tij më të mëdha. Në periudha të ndryshme ungjillore, Ai e ka udhërrëfyer popullin e Tij nëpërmjet profetëve që qenë të shkuar në moshë. Ai kishte nevojë për urtësinë dhe përvojën e moshës, drejtimin e frymëzuar nga njerëzit me vite të gjata besnikërie të vërtetuar ndaj ungjillit të Tij.
Zoti e bekoi Sarën, në moshë të vjetër, që t’i lindte një fëmijë Abrahamit. Ndoshta predikimi më i shkëlqyer i Mbretit Beniamin u dha kur ai ishte shumë i moshuar dhe në prag të vdekjes. Ai ishte me të vërtetë një mjet në duart e Zotit teksa qe në gjendje ta udhëhiqte dhe të vendoste paqen mes popullit të tij.
Shumë burra e gra të tjerë përgjatë epokave kanë arritur gjëra të mëdha teksa shkuan përpara për t’i shërbyer Zotit dhe fëmijëve të tij, madje edhe në moshë të thyer.
Në periudhën tonë ungjillore, nga [ata] profetë që janë thirrur prej Zotit, shumë u thirrën kur ishin në të shtatëdhjetat ose të tetëdhjetat, madje edhe më të mëdhenj. Sa i njeh dhe i do Zoti fëmijët e Tij që kanë dhënë kaq shumë gjatë viteve të tyre të përvojës!
Ne ju duam ju që jeni të moshuar në Kishë. Ju jeni segmenti me rritjen më të shpejtë i popullimit tonë në botë sot, ashtu si edhe brenda Kishës.
Dëshirat tona janë që vitet tuaja të arta të jenë të mrekullueshme dhe shpërblyese. Ne lutemi që ju ta ndieni gëzimin e një jete të kaluar mirë dhe një jete të mbushur me kujtime të dashura e pritshmëri akoma më të mëdha përmes shlyerjes së Krishtit. Ne shpresojmë se ju do ta ndieni paqen që Zoti u premtoi atyre që vazhdojnë të përpiqen t’i mbajnë urdhërimet e Tij dhe të ndjekin shembullin e Tij. Ne shpresojmë që ditët tuaja të jenë plot me gjëra për të bërë dhe mënyra në të cilat ju mund t’iu jepni shërbim të tjerëve që nuk janë aq fatlumë sa ju. Të qenit më të vjetër, thuajse gjithmonë do të thotë të qenit më të mirë, pasi bollëku i urtësisë dhe përvojës suaj mund të vazhdojë të zgjerohet e rritet teksa i ndihmoni të tjerët.5
2
Ne mund të përfitojmë shumë nga vitet tona të pleqërisë.
Na lejoni t’ju sugjerojmë tetë fusha në të cilat ne mund të përfitojmë shumë nga vitet tona të pleqërisë:
1. Punoni në tempull dhe shkoni shpesh atje. Ne që jemi më të moshuar, duhet t’i përdorim energjitë jo vetëm për të bekuar paraardhësit tanë, por për t’u siguruar se, deri sa të jetë e mundur, të gjithë pasardhësit tanë të mund të marrin ordinancat e ekzaltimit në tempull. Punoni me familjet tuaja; këshillohuni me ta dhe lutuni për ata që mund të mos jenë ende të gatshëm ta përgatitin veten.
Ne i nxitim të gjithë [ata] që munden, që të shkojnë vazhdimisht në tempull dhe të pranojnë thirrjet për të shërbyer në tempull kur shëndeti e forca dhe largësia e lejojnë. Ne mbështetemi te ju për ndihmë për shërbimin në tempull. Me numrin e rritur të tempujve, ne kemi nevojë për më tepër nga anëtarët tanë që ta përgatitin veten për këtë shërbim të ëmbël. Motra Benson dhe unë, jemi mirënjohës që pothuajse çdo javë mund të shkojmë në tempull së bashku. Çfarë bekimi ka qenë ky në jetën tonë!
2. Mblidhini dhe shkruajini historitë familjare. Ne ju bëjmë thirrje që ta ndiqni me zell mbledhjen dhe shkrimin e historive vetjake dhe familjare. Në shumë raste, vetëm ju e keni brenda jush historinë, kujtimin e njerëzve tuaj të dashur, datat dhe ngjarjet. Në disa situata, ju jeni historia familjare. Ka vetëm pak mënyra në të cilat trashëgimia juaj do të ruhet më mirë sesa me anë të mbledhjes dhe shkrimit të historive tuaja prej jush.
3. Filloni të përfshiheni në shërbimin misionar. Ne kemi nevojë për numra më të mëdhenj misionarësh në moshë në shërbimin misionar. Atje ku shëndeti dhe të ardhurat e bëjnë të mundur, ne u bëjmë thirrje qindra më shumë çifteve tona që ta sistemojnë jetën dhe punët e tyre dhe të shkojnë në misione. Sa nevojë kemi për ju në terrenin e misionit! Ju jeni në gjendje të kryeni shërbim misionar në mënyra që misionarët tanë të rinj nuk munden.
Jam mirënjohës që dy prej vetë motrave të mia të veja qenë në gjendje të shërbenin si shoqe misioni së bashku në Angli. Ato ishin gjashtëdhjetë e tetë dhe shtatëdhjetë e tre vjeç kur u thirrën dhe të dyja patën një përvojë të mrekullueshme.
Çfarë shembulli dhe bekimi është për pasardhësit e një familjeje kur gjyshërit shërbejnë në misione. Shumica e çifteve të moshuara që shkojnë në mision, forcohen dhe rigjallërohen nga shërbimi misionar. Përmes kësaj mënyre të shenjtë shërbimi, shumë njerëz shenjtërohen dhe ndiejnë gëzimin e sjelljes të të tjerëve në njohurinë e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit. …
4. Jepni udhëheqje me anë të ndërtimit të bashkimit familjar. Ne i nxitim të gjithë anëtarët në moshë, kur kanë mundësi, që t’i mbledhin së bashku familjet e tyre. Organizojini ato në njësi të lidhura. Udhëhiqni në mbledhjet familjare. Caktoni ribashkime familjare ku mund të ndihet dhe mësohet miqësia dhe trashëgimia familjare. Disa nga kujtimet më të ëmbla që kam, janë nga ribashkimet dhe mbledhjet e vetë familjes sonë. Zhvilloni tradita të mrekullueshme familjare që do t’ju lidhin së bashku përjetësisht. Duke e bërë këtë, ne mund të krijojmë një copëz qiell pikërisht këtu mbi tokë brenda familjeve individuale. Përpos së gjithash, përjetësia do të jetë veçse një zgjatim i jetës së drejtë familjare.
5. Pranojini dhe përmbushini thirrjet e Kishës. Ne kemi mirëbesim se të gjithë anëtarët në moshë që kanë mundësi, do t’i pranojnë thirrjet në Kishë dhe do t’i përmbushin me dinjitet. Jam mirënjohës që vetë njoh vëllezër që janë në të shtatëdhjetat dhe të tetëdhjetat e tyre të cilët po shërbejnë si peshkopë e presidentë dege. Sa nevojë kemi për këshillën dhe ndikimin e juve që keni ecur shumë në shtegun e jetës! Ne të gjithë kemi nevojë të dëgjojmë për sukseset tuaja dhe mënyrën se si i keni mposhtur vuajtjen, dhembjen apo zhgënjimin, duke u bërë më të fortë ngaqë i keni përjetuar ato.
Ka mundësi të pasura për ju që të shërbeni në shumicën e organizatave të Kishës. Ju keni kohën dhe themelin e fortë të ungjillit që ju mundësojnë të bëni një punë të shkëlqyer. Në kaq shumë mënyra ju jeni përgjegjës për shërbim besnik në Kishë. Ne ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe lutemi që Zoti t’ju forcojë për të bërë më tepër.
6. Planifikojeni të ardhmen tuaj financiare. Teksa shkoni përpara në jetë drejt daljes në pension dhe dhjetëvjeçarëve që pasojnë, ne i ftojmë të gjithë anëtarët në moshë që të planifikojnë duke kursyer për vitet që pasojnë punën me kohë të plotë. Le ta shmangim borxhin e panevojshëm. Ne këshillojmë gjithashtu kujdes në nënshkrimin e përbashkët të dokumenteve financiare, madje edhe me pjesëtarë të familjes, kur të ardhurat e pensionit mund të vihen në rrezik.
Jini edhe më të kujdesshëm në moshë të shkuar lidhur me skemat “e pasurimit”, hipotekimin e shtëpive ose investimin në sipërmarrje të pasigurta. Vazhdoni me kujdes që planifikimi i një jete të tërë të mos prishet nga një apo një seri vendimesh të gabuara financiare. Planifikojeni të ardhmen tuaj financiare që herët, më pas ndiqni planin.
7. Jepni shërbim si të Krishtit. Shërbimi si i Krishtit ekzalton. Duke e ditur këtë, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve në moshë që janë në gjendje, ta shtyjnë draprin në shërbim ndaj të tjerëve. Kjo mund të jetë pjesë e procesit të shenjtërimit. Zoti ka premtuar se ata që e humbasin jetën në shërbimin ndaj të tjerëve do ta gjejnë veten e tyre. Profeti Jozef Smith na tha se duhet “t’i shpenzojmë jetët tona” për të bërë të ndodhin qëllimet e Zotit (DeB 123:13).
Paqja e gëzimi dhe bekimet do t’i ndjekin ata që u japin shërbim të tjerëve. Po, ne e përgëzojmë shërbimin si të Krishtit nga të gjithë, por është veçanërisht i ëmbël në jetën e të moshuarve.
8. Qëndroni në formë fizike, të shëndetshëm dhe aktivë. Ne jemi të ngazëllyer nga përpjekjet që po bëhen nga kaq shumë prej të moshuarve, për të siguruar shëndet të mirë në vitet e shtyra në moshë …
Sa na pëlqen t’i shohim të moshuarit tanë të mbeten energjikë dhe aktivë! Përmes të mbeturit aktivë, edhe mendja, edhe trupi funksionojnë më mirë.6
“Qofshin këto vite të arta, vitet tuaja më të mira teksa jetoni e jepni dashuri dhe shërbeni me plotësinë tuaj.”
3
Shërbimi ndaj të tjerëve ndihmon për të shëruar ata që kanë humbur njerëz të dashur ose që tremben nga të qenit vetëm.
Atyre që i kanë humbur bashkëshortët, ne dëshirojmë t’iu shprehim gjithashtu dashurinë tonë. Ndonjëherë për disa nga ju ka një ndjenjë padobishmërie dhe vetmie që mund të jetë thuajse dërrmuese. Në kaq shumë raste, nuk ka pse të jetë kështu. Përveç tetë sugjerimeve të sapopërmendura, këtu keni një shembull veprimtarish që janë vërtetuar të jenë të dobishme për të tjerët.
Disa njerëz që janë vetëm, e mbajnë veten të zënë duke qepur batanije për çdo nip apo mbesë të re që do të martohet ose çdo foshnjë të re që i ka lindur familjes. Të tjerë shkruajnë letra për ditëlindje ose marrin pjesë në ngjarje shkollore dhe atletike të nipërve e mbesave kur munden. Disa përpilojnë albume me fotografi të çdo nipi e mbese për t’ia dhënë për ditëlindje. …
Ne shohim një numër të madh nga vejushat tona që bëjnë punë vullnetare … në spitale ose japin lloje të tjera shërbimi në komunitet. Shumë njerëz gjejnë përmbushje në këto mënyra.
Çelësi për ta mposhtur vetminë dhe ndjenjën e padobishmërisë për dikë që është fizikisht në gjendje, është të dalë nga vetja për të ndihmuar të tjerët që janë me të vërtetë në nevojë. Ne u premtojmë atyre që do të japin këtë lloj shërbimi se, deri në njëfarë mase, ju do të shëroheni nga humbja e njerëzve të dashur ose nga tmerri i të qenit vetëm. Mënyra për t’u ndier më mirë rreth situatës suaj vetjake është të përmirësoni rrethanat e dikujt tjetër.7
4
Në kohë sëmundjeje e dhembjeje, ne mund të mbetemi të fortë në qëndrim dhe shpirt.
Atyre që janë të sëmurë dhe vuajnë dhembjet e peripecitë e jetës, ne u shprehim dashuri dhe interesim të veçantë. Zemrat dhe lutjet tona janë me ju. Kujtoni atë që babai Lehi tha në bekimin e të birit, Jakobit, i cili kishte vuajtur në duart e vëllezërve të tij më të mëdhenj Lamanit dhe Lemuelit. Ai tha: “Ti e di madhështinë e Perëndisë; dhe ai do t’i shenjtërojë hidhërimet e tua për të mirë” (2 Nefi 2:12). Dhe kështu do të bëjë Ai për ju.
Ne lutemi që ju do të vazhdoni të përpiqeni të mbeteni të fortë në qëndrim dhe shpirt. Ne e dimë se nuk është gjithnjë e lehtë. Ne lutemi që ata të cilët tani bëjnë për ju punë që ju nuk jeni më në gjendje t’i bëni për veten tuaj, ta bëjnë atë me dashuri, me butësi dhe me një shpirt përkujdesjeje.
Ne shpresojmë se ju do të vazhdoni të keni mendime dhe ndjenja të mira në zemër e në mendje dhe shpejt t’i largoni ato që janë të dëmshme dhe shkatërruese për ju. Ne kemi mirëbesim se po i bëni lutjet çdo ditë e madje çdo orë, nëse është e nevojshme. Sikurse na mëson Libri i Mormonit: “Jetoni çdo ditë me falënderime për mëshirat dhe bekimet e shumta që [Perëndia] ju jep” (Alma 34:38).
Ju do të zbuloni se leximi i përditshëm i Librit të Mormonit do t’ju ngrejë moralin, do t’ju afrojë më tepër me Shpëtimtarin dhe do t’ju ndihmojë të jeni student i ungjillit që mund të ndajë të vërteta të mëdha me të tjerët.8
5
Është e rëndësishme që familjet t’u japin prindërve dhe gjyshërve të tyre të moshuar dashurinë, përkujdesjen dhe respektin që meritojnë.
Tani për pak minuta më lejoni t’u flas familjeve të të moshuarve. Ne përsëritim një shkrim të shenjtë nga Psalmet: “Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet” (Psalmeve 71:9).
Ne i nxitim familjet që t’u japin prindërve dhe gjyshërve të tyre të moshuar dashurinë, përkujdesjen dhe respektin që meritojnë. Le ta kujtojmë porosinë e shkrimit të shenjtë që duhet të kujdesemi për njerëzit e shtëpisë sonë që të mos jemi “më [të këqij] se një jo besimtar” (1 Timoteut 5:8). Jam kaq mirënjohës për vetë familjen time të shtrenjtë dhe për përkujdesjen e dashur që ata u kanë dhënë prindërve të tyre për kaq shumë vite.
Mbani mend se prindërit dhe gjyshërit janë përgjegjësia jonë dhe ne duhet të kujdesemi për ta me aftësitë më të mira që kemi. Kur të moshuarit nuk kanë familje që të kujdesen për ta, udhëheqësit e priftërisë dhe të Shoqatës së Ndihmës duhet të bëjnë çdo përpjekje për t’i plotësuar nevojat e tyre në të njëjtën mënyrë të dashur. Ne u japim disa sugjerime familjeve të të moshuarve.
Që nga koha kur Zoti i gdhendi Dhjetë Urdhërimet në pllakat e gurit, fjalët e Tij nga Sinai kanë jehuar poshtë nëpër shekuj, të “nderosh atin tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12).
T’i nderojmë dhe respektojmë prindërit tanë do të thotë që të kemi një konsideratë të lartë për ta. Ne i duam dhe i vlerësojmë ata dhe jemi të shqetësuar për lumturinë dhe mirëqenien e tyre. Ne i trajtojmë ata me mirësjellje dhe interesim të vëmendshëm. Ne përpiqemi ta kuptojmë pikëpamjen e tyre. Sigurisht, bindja ndaj dëshirave dhe urimeve të drejta të prindërve është një pjesë e nderimit.
Për më tepër, prindërit tanë e meritojnë nderimin dhe respektin tonë pasi na kanë dhënë vetë jetën. Përtej kësaj, ata pothuajse përherë bënë sakrifica të panumërta teksa u përkujdesën dhe na ushqyen gjatë foshnjërisë dhe fëmijërisë sonë, na siguruan domosdoshmëritë e jetës dhe na shërbyen gjatë sëmundjeve fizike dhe streseve emocionale të rritjes. Në shumë raste, ata na siguruan mundësinë për të marrë një arsimim dhe në një farë mase, ata na arsimuan ne. Shumë prej asaj që dimë dhe që bëjmë, e mësuam nga shembulli i tyre. Qofshim gjithnjë mirënjohës ndaj tyre dhe e shfaqshim atë mirënjohje.
Le të mësojmë të jemi falës ndaj prindërve tanë, që, ndofta kanë bërë gabime teksa na rritën, po që përherë bënë më të mirën që dinin. I falshim ata gjithmonë sikurse do të uronim të faleshim njësoj nga fëmijët tanë për gabimet që bëjmë.
Edhe kur prindërit bëhen të moshuar, ne duhet t’i nderojmë duke u lejuar lirinë e zgjedhjes dhe mundësinë për pavarësi sa më gjatë të jetë e mundur. Le të mos ua heqim zgjedhjet që mund t’i bëjnë ende. Disa prindër janë në gjendje të jetojnë dhe të kujdesen mirë për veten e tyre gjatë viteve të tyre të shkuara dhe u parapëlqen kjo. Kur munden, lërini ta bëjnë.
Nëse bëhen më pak të aftë të jetojnë në mënyrë të pavarur, atëherë burimet e familjes, Kishës dhe komunitetit mund të nevojiten për t’i ndihmuar. Kur të moshuarit bëhen të paaftë të kujdesen për veten, madje edhe me ndihmë shtesë, përkujdesja mund të jepet në shtëpinë e një pjesëtari të familjes kur është e mundur. Burimet e Kishës dhe komunitetit mund të jenë gjithashtu të nevojshme në këtë situatë.
Roli i kujdestarit është jetik. Ka nevojë të madhe për të dhënë mbështetje dhe ndihmë për një njeri të tillë. Zakonisht personi është një bashkëshort/e i/e moshuar ose një bijë në moshë të mesme që ka fëmijë për t’u kujdesur dhe që kujdeset edhe për prindin e moshuar.9
6
Ata që janë bekuar të jenë afër gjyshërve dhe njerëzve të tjerë të moshuar, kanë një shoqërim dhe marrëdhënie të çmuar.
Ne shpresojmë edhe që ju do t’i përfshini të moshuarit në veprimtaritë familjare kur është mundur. Çfarë gëzimi është për ne të shohim nga afër nipër e mbesa të ëmbla me një gjysh/e të dashur në mesin e tyre. Fëmijëve u pëlqejnë shumë këto raste. Ata kanë shumë qejf të vizitohen nga gjyshërit dhe t’i ftojnë për darkë, për mbrëmje familjare dhe për ngjarje të tjera të veçanta. Kjo siguron mundësi për të dhënë mësim mënyra për t’i nderuar, dashur, respektuar dhe për t’u kujdesur për ata që janë në moshë të thyer.
Gjyshërit mund të kenë një ndikim të thellë te nipërit e mbesat e tyre. Koha e tyre përgjithësisht, nuk është aq e ngarkuar dhe e zënë sa e prindërve, ndaj mund të hapen e të lexohen libra, mund të tregohen histori dhe mund të mësohet zbatimi i parimeve të ungjillit. Fëmijët mund të marrin atëherë një këndvështrim për jetën që është jo vetëm shpërblyes, por mund t’u sjellë atyre siguri, paqe dhe forcë. Mund të dërgohen letra, [regjistrime] dhe fotografi, veçanërisht atje ku largësitë janë të mëdha dhe nuk është e mundur ta shihni njëri-tjetrin shpesh. Ata që janë bekuar të jenë afër gjyshërve dhe njerëzve të tjerë të moshuar, kanë një shoqërim dhe marrëdhënie të çmuar. Mund të ketë raste kur ata mund të marrin pjesë në diplomime, dasma, ekskursione për në tempull … dhe ngjarje të tjera të veçanta me pjesëtarët e familjes.
Ne gëzohemi tek i shohim fëmijët dhe nipërit e mbesat tona të rriten dhe të kenë arritje në mënyra të veçanta teksa ndajmë shumë prej gëzimeve të tyre dhe kënaqemi me fitoret e tyre. Lumturia e bekon jetën tonë teksa fëmijët tanë përpiqen dhe kanë arritje në vetë jetën e tyre. Te 3 Gjoni 1:4 lexojmë: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën”. Dhe të diturit e kësaj mund të sjellë një përtëritje të dashurisë dhe guximit për të vazhduar në mundimet tona vetjake.10
“Gjyshërit mund të kenë një ndikim të thellë te nipërit e mbesat e tyre.”
7
Udhëheqësit e Kishës duhet ta kërkojnë Shpirtin me lutje për t’i ndihmuar anëtarët të plotësojnë nevojat e të moshuarve.
Ne … i nxitim udhëheqësit e priftërisë të të moshuarve që të jenë të ndjeshëm ndaj Shpirtit të Atit tonë në Qiell në vlerësimin dhe plotësimin e nevojave shpirtërore, fizike, emocionale dhe financiare të të moshuarve. Ne kemi mirëbesim se ju do t’i përdorni këshilltarët tuaj, udhëheqësit e kuorumit të Priftërisë Melkizedeke, mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore në këtë përgjegjësi të madhe, sepse ne duhet t’i përmbushim këto detyra pa mëdyshje apo ngurrim.
Ne shpresojmë se udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave ndihmëse do të vazhdojnë t’u japin të moshuarve thirrje në të cilat ata mund t’i përdorin rezervuarët e tyre të urtësisë dhe këshillës. Ne shpresojmë, kur është e mundur, që secili të mund të jetë një mësues shtëpie ose një mësuese vizitore. Edhe ata që janë disi të lidhur pas shtretërve dhe shtëpive të tyre mund të ndihmojnë ndonjëherë në këtë përkujdesje vëzhguese përmes telefonatave, shkrimit të pusullave ose detyrave të tjera të veçanta.
Një udhëheqës priftërie mund të bëjë shumë për t’i ndihmuar dhe nxitur individët dhe çiftet teksa përgatiten për të shërbyer në misione. Përmbledhja e tempullit [e quajtur tani indeksimi i historisë familjare] dhe programet e mirëqenies janë bekuar jashtëzakonisht nga ata që janë në moshë të thyer dhe kanë mundësi për të shërbyer në këto zona.
Ne shpresojmë që secilit prej individëve dhe çifteve të moshuara u janë caktuar mësues shtëpie dhe mësuese vizitore të ndjeshme e përkujdesëse. Ngushëllim i madh dhe paqe mund t’iu vijnë atyre që e dinë se kanë dikë tek i cili mund të drejtohen në rast urgjence apo nevoje. Është e rëndësishme që takti, diplomacia dhe sinqeriteti të jenë të dukshme në vlerësimin dhe plotësimin e nevojave të këtilla.
Ne shpresojmë që ju do t’i përfshini të moshuarit [që janë] të pavarur në detyra të dhembshura shërbimi. Përfshijini ata edhe në veprimtaritë shoqërore të kunjit e të lagjes, veçanërisht anëtarët beqarë dhe ata me bashkëshortë që varen prej tyre. Kaq shumë herë ata lihen në harresë. Veçanërisht në kohën e vdekjes së një bashkëshorti/bashkëshorteje, mund të jepet përkujdesje me dashuri. Kjo është një kohë shumë delikate për shumicën e tyre.
Ndonjëherë, lehtësimi i përkohshëm është shumë i nevojshëm dhe i vlerësuar nga pjesëtarët e familjes që sigurojnë përkujdesje të vazhdueshme fizike dhe emocionale për njerëzit me nevoja të veçanta. Është e rëndësishme të ndihmohet familja që të ruajë funksionet e saj si një familje me liri të herëpashershme nga përgjegjësitë e rënda që mund të sjellin sëmundjet afatgjata ose vdekjeprurëse. Të gjithë kanë nevojë për mbështetje dhe lehtësim të përzemërt nga detyrat dërrmuese të sëmundjeve apo problemeve të rënda.
Transporti është shpesh një shqetësim i madh për të moshuarit. Ne mund t’iu vijmë në ndihmë duke siguruar një mënyrë që ata të marrin pjesë në mbledhjet e tyre të së dielës, të vizitojnë njerëzit e dashur, të bëjnë pazar dhe të shkojnë te mjeku apo në klinikë.
Përsëri, ne duhet të kërkojmë frymëzim dhe drejtim plot lutje gjatë përkujdesjes për të moshuarit. Ka gjithnjë një larmi të madhe individësh dhe nevojash individuale.11
8
Vitet tona të vona mund të jenë më të mirët.
Perëndia i bekoftë të moshuarit në Kishë. Jua dua me gjithë zemër. Jam një prej jush.
Ju keni shumë arsye për të jetuar. Qofshin këto vite të arta, vitet tuaja më të mira teksa jetoni e jepni dashuri dhe shërbeni me plotësinë tuaj. Dhe Perëndia i bekoftë ata që u shërbejnë nevojave tuaja – familjen tuaj, miqtë tuaj dhe bashkanëtarët dhe udhëheqësit tuaj të Kishës.
Ju lë dëshminë time për gëzimin e të jetuarit – për gëzimet e të jetuarit të plotë të ungjillit dhe për kalimin në zjarrin e Rafinuesit dhe për procesin e shenjtërimit që ndodh. Siç e tha kaq mirë Apostulli Pal: “Ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” (Romakëve 8:28).
Lë bekimin tim mbi ju. Shpëtimtari jeton. Kjo është Kisha e Tij. Kjo punë është e vërtetë dhe në fjalët e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë: “Shikoni tek unë dhe duroni deri në fund, dhe do të jetoni; pasi atij që duron deri në fund, unë do t’i jap jetën e përjetshme” (3 Nefi 15:9).12.
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Si keni përfituar prej “urtësi[s]ë dhe përvojë[s]” së njerëzve më të moshuar se ju? (Shih pjesën 1.)
Në pjesën 2, Presidenti Benson rendit tetë gjëra që të moshuarit mund të bëjnë për të “përfit[uar] shumë nga vitet [e tyre] të pleqërisë”. Merreni parasysh secilin sugjerim. Si mund të na e pasurojnë jetën këto sugjerime pavarësisht moshës sonë?
Pse mendoni se shërbimi është “çelësi për ta mposhtur vetminë dhe ndjenjën e padobishmërisë”? (Shih pjesën 3.) Kur e keni parë që kjo është e vërtetë?
Përsiatni mbi këshillën e Presidentit Benson për ne kur përjetojmë sëmundje dhe dhembje (shih pjesën 4). Si mund të na ndihmojë kjo këshillë që “të mbetemi të fortë në qëndrim dhe shpirt”?
Merrini parasysh mësimet e Presidentit Benson në pjesën 5. Në çfarë mënyrash fëmijët dhe nipërit e mbesat mund t’i nderojnë prindërit dhe gjyshërit e tyre të moshuar?
Kur i keni parë të rinjtë dhe të moshuarit të gëzohen në shoqërinë e njëri-tjetrit? (Shih pjesën 6.) Çfarë mund të bëjmë në familjet tona dhe në Kishë për të ushqyer marrëdhënie të tilla?
Çfarë janë disa mënyra në të cilat udhëheqësit e Kishës dhe anëtarët e lagjes ose të degës mund të ndihmojnë që të plotësohen nevojat e të moshuarve? (Për disa shembuj, shih pjesën 7.)
Çfarë do të thotë për ju të përjetoni “gëzimet e të jetuarit të plotë të ungjillit”? (Shih pjesën 8.) Çfarë shembujsh keni parë ju të njerëzve që durojnë me besnikëri deri në fund?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Fjalët e Urta 20:29; Isaia 46:3–4; Lluka 2:36–38; Efesianëve 6:1–3; Titit 2:1–5; Jakobit [Bibël] 1:27; DeB 121:7–8
Ndihmë për Studimin
“Të vepruarit sipas asaj që keni mësuar, do t’ju sjellë një kuptim të ri dhe të qëndrueshëm (shih Gjoni 7:17)” (Predikoni Ungjillin Tim [2004], f. 19). Merrni parasysh të pyetni veten se si mund t’i zbatoni mësimet e ungjillit në shtëpi, në punë dhe në përgjegjësitë tuaj të Kishës.