Mësime të Presidentëve
Kapitulli 7: Jozef Smithi, një Mjet në Duart e Zotit


Kapitulli 7

Jozef Smithi, një Mjet në Duart e Zotit

“Jozef Smithi, Profeti i ditëve të mëvonshme, ishte mjet në duart e Zotit për çeljen e një periudhe të re ungjillore, e fundit dhe më e madhja e të gjitha periudhave ungjillore.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Kur Plaku Ezra Taft Benson shërbeu në Angli si misionar kohëplotë nga fillimi i viteve 1920, ai dhe shokët e tij të misionit përjetuan atë që ai e quajti “kundërshtim i madh ndaj Kishës”. Më vonë tregonte:

“Gazetat, revistat, deri edhe [filma] kundër mormonëve gjendeshin në mbarë Britaninë e Madhe”. Ngaqë kundërshtimi ishte kaq i madh, disa forma të punës misionare, si zhvillimi i mbledhjeve nëpër rrugë dhe shpërndarja e broshurave, u ndërprenë. “Por lart në Anglinë veriore ku ne po punonim”, tha ai, “patëm një grup njerëzish te Dega Sauth Shilds që ishin shumë besnikë dhe shumë të përkushtuar e shumë të besës, dhe na kishin ftuar mua dhe shokun tim të misionit të shkonim andej e të flisnim te mbledhja e tyre e sakramentit. Ata thanë: ‘Shumë prej fqinjëve tanë nuk u besojnë gënjeshtrave që po shkruhen në shtyp. Nëse do të na vini, do ta mbushim kishën e vogël.’

“Dhe kështu, e pranuam ftesën e nisëm të përgatiteshim dhe unë fillova të studioja mbi braktisjen. Ishte temë që më pëlqente dhe mendova që kishin nevojë për të; dhe punova e studiova, dhe mendova se mund të flisja mbi temën pesëmbëdhjetë minuta.

Shkuam te kisha e vogël atje dhe qe mbushur. Çdokush ishte i lumtur. Dhe, pas ushtrimeve të hapjes, foli shoku im, pastaj unë fola me një liri që nuk e kisha shijuar asnjëherë në të gjithë jetën time. E, kur u ula dhe pashë orën, kisha folur njëzet e pesë minuta dhe nuk e kisha përmendur braktisjen, madje as që kisha menduar për braktisjen. Kisha folur për Jozef Smithin dhe kisha dhënë dëshmi se ishte profet i Perëndisë dhe që e dija këtë. Kisha treguar për ardhjen e Librit të Mormonit si një dëshmitar i ri për Krishtin dhe kisha dhënë dëshmi. Kur e kuptova se ç’kishte ndodhur, nuk mund t’i ndalja lotët.

Në fund të mbledhjes, shumë prej shenjtorëve erdhën përpara dhe shprehën mirënjohjen se u tha diçka për Jozef Smithin. Ata thanë: ‘Disa nga fqinjët tanë thonin: ‘Mund të pranojmë gjithçka për Kishën, përveç Jozef Smithit’.’ Dhe, më pas, disa prej po atyre fqinjëve erdhën dhe thanë: ‘Tani jemi gati. Jemi gati sonte. Kemi marrë dëshminë se Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë.’”1

Presidenti Benson gjatë gjithë jetës vijoi të gjente mundësi për të shprehur dëshminë e tij për thirrjen e Jozef Smithit. Për shembull, kur po shërbente si sekretar i Shteteve të Bashkuara për bujqësinë, një radiostacion e ftoi të zgjidhte një fragment të parapëlqyer të shkrimit të shenjtë që të lexohej i transmetuar drejtpërdrejt, dhe ai zgjodhi një pjesë nga Joseph Smith – Historia te Perla me Vlerë të Madhe.2

Mbi të gjitha, ai u dha rregullisht një dëshmi të vendosur e të fuqishme bashkëshenjtorëve të tij. “Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë të Gjallë”, shpalli ai, “një nga profetët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë mbi tokë. Ai ishte mjeti në dorën e Perëndisë për fillimin e një periudhe të madhe ungjillore, më të madhes ndonjëherë, dhe e fundit e të gjithave në përgatitje për ardhjen e dytë të Mjeshtrit.”3

Pamja
Joseph Smith, Jr. depicted kneeling in the Sacred Grove during the First Vision. A ray of light can be seen coming from the sky down through the trees toward Joseph.

Mesazhi i Vegimit të Parë ishte “i parashikuar për mbarë fëmijët e Atit tonë që jetojnë mbi faqe të tokës”.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Vegimi i Parë i Jozef Smithit ishte ngjarja më e madhe në botë që nga Ringjallja e Jezu Krishtit.

Kur ishte i ri, Jozef Smithi qe një kërkues i së vërtetës. Rrëmuja mes kishave ekzistuese e bindi t’i kërkonte Perëndisë se cila prej tyre ishte e vërtetë. Në përgjigje të asaj lutjeje, ai pohoi se iu shfaq një shtyllë drite madhështore. Këto janë fjalët e tij:

“Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17.)

Jozefi e pyeti personazhin e dytë, i cili qe Jezu Krishti, se cili nga sektet e krishtera ishte i saktë. Iu tha që nuk duhej të bashkohej me ndonjë prej tyre, që asnjëri nuk ishte i saktë.4

Kur Perëndia Atë dhe Biri i tij Jezu Krishti erdhën në tokë, sikurse vepruan më 1820 kur iu shfaqën të riut profet, Jozef Smithit, kjo nuk është diçka që lidhet vetëm me një grusht njerëzish. Është një mesazh dhe një zbulesë të parashikuara për mbarë fëmijët e Atit tonë që jetojnë mbi faqe të tokës. Ishte ngjarja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në këtë botë që nga ringjallja e Mjeshtrit. Nganjëherë mendoj se ne jemi kaq ngjitur me të, sa nuk e çmojmë plotësisht domethënien, rëndësinë dhe madhësinë e saj.5

Vegimi i Parë i Profetit Jozef Smith është doktrinë themelore për Kishën.6

E vërteta më e qartë që doli nga përvoja e Profetit më 1820, ishte vërtetësia e ekzistencës së Perëndisë dhe fakti që Jezu Krishti ishte ringjallur me të vërtetë. Ai i pa ata si Personazhe të veçuar, të dallueshëm, të përlëvduar, të cilët i folën sikurse një njeri i flet një tjetri.7

Jam përulësisht mirënjohës për dijen që kam se Perëndia Atë dhe Biri i tij, Jezu Krishti, si qenie të përlëvduara kanë ardhur rishtas në këtë tokë në kohën tonë, në këtë periudhë ungjillore; se ata me plot të vërtetën iu shfaqën djalit profet. … Kjo ishte shpërfaqja më e lavdishme e Perëndisë Atë dhe e Birit për të cilën kemi dokumentim.8

2

Në pajtueshmëri me profecinë e Dhiatës së Re, Jozef Smithi mori zbulesë të re dhe vizita engjëllore.

Përgjithësisht, është marrë vesh se besimi i anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bazohet në pretendimin se Jozef Smithi është profet i Perëndisë e gjithashtu se ai shpalli që dalja e Librit të Mormonit ishte rezultat i vizitave engjëllore që iu bënë ndërmjet viteve 1823 dhe 1827.

Kur mësojnë për këtë pretendim, disa njerëz debatojnë se duket absurde që engjëjt të vizitojnë tokën në këtë epokë moderne.

Bibla përmban dëshminë se Perëndia për më shumë se katër mijë vjet i drejtoi punët e kishës së Tij në tokë nëpërmjet zbulesës dhe, kur nevojitej, nëpërmjet shërbesave qiellore.

Duke e përshkruar gjendjen e ditëve të fundit, karakteristike për ardhjen e dytë të Jezu Krishtit, Gjoni profetizoi në Dhiatën e Re se, para kthimit të Shpëtimtarit, bota do të merrte një paralajmërim se ora e gjyqit të Perëndisë ishte pranë. Ai paralajmërim do të vinte me një engjëll nga qielli që deklaronte një “ungjill të përjetshëm”. Dëgjojini fjalët e tij:

“Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,

dhe thoshte me zë të madh: ‘Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave’.” (Zbulesa 14:6–7.)

Nëse një njeri e pranon dëshminë e Gjon Zbuluesit, duhet pritur një zbulesë e re dhe një vizitë në tokë nga një lajmëtar qiellor.

Dëshmia jonë solemne është se ky lajmëtar qiellor iu shfaq Profetit Jozef Smith në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ky lajmërim se një engjëll nga Perëndia iu shfaq një profeti në kohët tona, është tërësisht në pajtim me profecitë e Dhiatës së Re dhe duhet, pra, të drejtojë interesimin e çdo kërkuesi të sinqertë të së vërtetës.9

Në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823 një engjëll iu shfaq Profetit Jozef Smith. Emri i engjëllit ishte Moroni. Ishte i fundit nga një vazhdë e gjatë profetësh të dy qytetërimeve të mëdha, të cilët jetuan … në Kontinentin Amerikan shekuj më parë.10

Pamja
Joseph Smith kneeling on one knee and holding the gold plates as he looks up at the angel Moroni, who has appeared to him. Foreground and background depict plant and tree foliage.

Moroni erdhi te Jozef Smithi në përmbushje të profecisë.

3

Libri i Mormonit është prova më e shquar e thirrjes së Jozef Smithit si profet.

Prova më e shquar në mbështetje të pohimit të Jozef Smithit se ishte zëdhënës për Perëndinë e Plotfuqishëm, ishte botimi i një dokumenti shkrimesh të shenjta, Librit të Mormonit.

Libri i Mormonit është një shkrim i banorëve të lashtë të kontinentit amerikan dhe dokumenton vizitën dhe shërbesën e Jezu Krishtit te njerëzit e këtij kontinenti mbas ngritjes së Tij në qiell në Jerusalem. Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është të bindë një brez të mëvonshëm se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë. Libri i Mormonit, pra, përbën një dëshmitar shtesë, bashkë me Biblën, për hyjninë e Jezu Krishtit.

Jozef Smithi e mori këtë shkrim të lashtë nga një lajmëtar qiellor, pikërisht siç profetizoi Gjoni. Ky engjëll iu shfaq dhe i zbuloi vendndodhjen e shënimeve të lashta që qenë gdhendur në fletë metalike dhe groposur në një arkë të gurtë. Në kohën e përshtatshme, profetit të ri iu dhanë fletët dhe mjetet me anë të të cilave ato u përkthyen. Libri më pas u botua për botën si shkrim i shenjtë i kanonizuar.

Gjithashtu, në harmoni me dëshminë e Gjonit, libri përmban “ungjillin e përjetshëm”. Ai tani i predikohet botës nga misionarët tanë.

Ne ju ftojmë ta vini në provë vlefshmërinë e dëshmisë sonë për origjinën e Librit të Mormonit. Ju mund ta bëni këtë duke e lexuar e duke i kërkuar Atit tonë Qiellor nëse këto gjëra janë të vërteta. Unë ju premtoj se, nëse jeni të sinqertë, do të merrni një pohim vërtetësie nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Miliona njerëz, me kthjelltësi e sinqeritet, dëshmojnë se e dinë që është nga Perëndia.11

Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë Jezusi është Krishti, Jozef Smithi ishte profeti i Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë dhe drejtohet sot nga një profet që merr zbulesë.12

4

Perëndia e rivendosi mbretërinë e Tij në tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Besimet e krishtera mbarë botës janë lutur për shekuj që të vijë mbretëria e Perëndisë [shih Mateu 6:10]. Sinqerisht dhe hapur ne shpallim: ajo ditë tani është këtu!13

Lutja e një djali katërmbëdhjetëvjeçar, në Korijen e Shenjtë, çeli një periudhë të re ungjillore.14

Perëndia sërish ka vendosur mbretërinë e Tij mbi tokë në përmbushje të profecisë. …

… Jozef Smithi u thirr nga Perëndia që ta rivendoste atë mbretëri – Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dëshmoj se ai e kreu këtë punë, që ai vuri themelet dhe që ai i dorëzoi Kishës çelësat dhe fuqitë për ta vazhduar punën e madhe të ditëve të mëvonshme, të cilën ai e filloi nën drejtimin e Perëndisë të Plotfuqishëm.15

Jozef Smithit iu shfaqën qenie të tjera, përfshirë Gjon Pagëzorin dhe Pjetrin, Jakobin e Gjonin, të cilët e shuguruan me autoritet për të vepruar në emrin e Perëndisë (shih Joseph Smith – Historia 1:68–72; DeB 27:5–13). Kisha dhe mbretëria e Perëndisë u rivendos në këto ditë të mëvonshme, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me të gjitha dhuratat, të drejtat, fuqitë, doktrinat, funksionarët dhe bekimet e Kishës së ditëve të mëparshme. (Shih DeB 65; 115:3–4.)16

Profeti Jozef qe urdhëruar të shkonte para si një mjet në duart e Perëndisë e të organizonte Kishën, t’i botonte botës si dëshmi shtesë për hyjninë e Jezu Krishtit Librin e Mormonit, i cili u mor nga analet e shenjta. …

Kjo rivendosje e ungjillit, risjellja e dritës dhe e së vërtetës, është paracaktuar për përfitimin dhe bekimin e të gjithë fëmijëve të Perëndisë. E kështu, me përulësi e mirënjohje, misionarët tanë dalin në botë për të shpallur se ka pasur një braktisje të së vërtetës, por që përmes mirësisë së Perëndisë qiejt janë hapur rishtas dhe ungjilli i është zbuluar njeriut nëpërmjet Jozef Smithit, Profetit.17

5

Jozef Smithi ishte besnik e i vërtetë deri edhe në vdekje.

I njëkohshëm me zhvillimin e hershëm të Kishës, qe një shpirt kundërshtimi dhe përndjekjeje. Kudo ku mbillej e imta “farë e sinapit”, bëheshin përpjekje për ta ligështuar rritjen e saj.18

Djali katërmbëdhjetëvjeçar qëndroi i vërtetë kundër botës. Perëndia e njihte birin e tij kur ai u zgjodh. E dinte se ai do të ishte besnik e i vërtetë deri edhe në vdekje.19

Disa e trajtuan dëshminë [e Jozef Smithit] me përbuzje të madhe dhe filluan të ndërsenin ndodhi të rreme dhe përndjekje kundër tij. Profeti i ri, ashtu si Apostulli Pal i lashtësisë, nuk do ta tërhiqte dëshminë e tij, por e mbrojti deklarimin e tij me këto fjalë:

“Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë; të paktën e dija se duke e bërë këtë, do ta fyeja Perëndinë dhe do të isha nën dënim”. (Joseph Smith – Historia 1:25.)20

Jozef Smith Profeti shkoi vullnetarisht drejt vdekjes së tij. Ai e vulosi dëshminë e tij me jetën e tij – gjakun e vet. Atë ditë fatale në Navu të Ilinoisit, ndërsa vështronte pas mbi qytetin dhe njerëzit e tij që i deshi, rrugës drejt Burgut të Kartixhit dhe martirizimit të tij, ai shpalli: “Ky është vendi më i bukur dhe njerëzit më të mirë nën qiell; pak i dinë ata sprovat që i presin” [History of the Church, 6:554].

Më vonë Profeti tha me ndjenjë, por qetësisht e me kurajë: “Unë po shkoj si një qengj për t’u therur; por jam i qetë si një mëngjes vere. Kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve. Nëse ma marrin jetën, unë do të vdes i pafajshëm e gjaku im do të thërrasë nga toka për hakmarrje dhe do të thuhet për mua: ‘Ai u vra me gjak të ftohtë’” [History of the Church, 6:555].21

Me këtë mënyrë Profeti Jozef Smith e përfundoi jetën e tij tokësore dhe përmbushi pjesën në jetën e vdekshme të misionit që iu caktua hyjnisht. Ky mision në jetën e vdekshme, ai e bëri të qartë, nuk do të mbaronte derisa të përfundonte plotësisht. Sikurse misioni i Shpëtimtarit, “qengj që ishte vrarë që nga [para] krijimit të botës” [shih Zbulesa 13:8], Jozefi ishte vërtet i parashuguruar për misionin e tij të madh.22

6

Jozef Smithi qëndron sot si kreu i kësaj periudhe të fundit dhe më të madhes nga të gjitha periudhat ungjillore.

Unë e di që Jozef Smithi, megjithëse u vra si martir për të vërtetën, ende jeton dhe që ai, si kreu i kësaj periudhe ungjillore – më të madhes të të gjitha periudhave ungjillore – do të vazhdojë të qëndrojë kështu gjatë gjithë përjetësive që vijnë.23

Mesazhi i Jozef Smithit – mesazhi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mesazhi i mormonizmit – është mesazhi më i rëndësishëm në këtë botë. Dhe Jozef Smith Profeti, i cili jeton sot, vazhdon të ketë një pjesë të rëndësishme në drejtimin e saj këtu mbi tokë.24

Për të marrë një përfytyrim të rëndësisë së misionit tokësor të Profetit, duhet ta shikojmë atë nën dritën e përjetësisë. Ai qe mes “fisnikëve dhe të mëdhenjve” të cilët Abrahami i përshkroi si vijon:

“Tani Zoti më kishte treguar mua, Abrahamit, inteligjencat që u organizuan përpara se bota të ishte; dhe mes gjithë këtyre kishte shumë fisnikë dhe të mëdhenj;

Dhe Perëndia pa se këta shpirtra ishin të mirë dhe qëndroi mes tyre dhe ai tha: Këta unë do t’i bëj sunduesit e mi; sepse ai qëndroi mes atyre që ishin shpirtra dhe pa se ata ishin të mirë; dhe ai më tha: Abraham, ti je një prej tyre; ti u zgjodhe përpara se të lindeshe.” (Abrahami 3:22–23.)

Kështu qe për Jozef Smithin. Edhe ai ishte atje. Edhe ai qëndroi në këshill me fisnikët dhe të mëdhenjtë. Duke zënë një vend të spikatur nderi dhe dallimi, pa dyshim që ai ndihmoi për planifikimin dhe kryerjen e veprës së madhe të Zotit për të “bërë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”, shpëtimi i të gjithë fëmijëve të Atit tonë [shih Moisiu 1:39]. Misioni i tij ka pasur, dhe duhej të kishte, ndikim mbi të gjithë ata që kishin ardhur në tokë, të gjithë ata që banonin atëherë në tokë dhe milionët ende të palindur.

Profeti Jozef Smith e bëri të qartë këtë fakt të përjetshëm me këto fjalë: “Çdo njeri që ka një thirrje për t’u shërbyer banorëve të botës, u shugurua pikërisht për atë qëllim në këshillin e madh të qiellit përpara se të ishte kjo botë. Supozoj se unë u shugurova pikërisht për këtë detyrë në këshillin e madh. Është dëshmia që dua se jam shërbëtor i Perëndisë dhe ky popull, populli i Tij” [shih History of the Church, 6:364]. …

Veprimtaria më e madhe në këtë botë apo në botën që vjen lidhet drejtpërdrejt me punën dhe misionin e Jozef Smithit – njeri i paracaktuar, profet i Perëndisë. Ajo punë është shpëtimi dhe jeta e përjetshme e njeriut. Për atë qëllim të madh është krijuar kjo tokë, thirren profetë të Perëndisë, dërgohen lajmëtarë dhe, në raste të shenjta e të rëndësishme, madje dhe Perëndia, Ati i të gjithëve ne, denjon të vijë në tokë e të paraqitë Birin e tij të dashur.

Profeti Jozef Smith jo vetëm që ishte “një prej fisnikëve dhe të mëdhenjve”, por ai u kushtoi e vazhdon t’u kushtojë vëmendje edhe sot çështjeve të rëndësishme këtu në tokë, nga mbretëritë e sipërme. Sepse në sytë e Zotit, Perëndisë së kësaj bote nën Atin, e gjitha është një program i madh i përjetshëm në të cilin Profeti Jozef luan një rol të rëndësishëm, gjithçka përmes priftërisë së përjetshme dhe autoritetit të Perëndisë.25

Unë ju dëshmoj se Jozef Smithi ishte dhe është profet i Perëndisë, një nga profetët me të vërtetë të mëdhenj të të gjitha kohëve, njeri i ardhshmërisë, njeri i karakterit, njeri i kurajës, njeri i thellësisë shpirtërore, profet i Zotit në ngjasim me Perëndinë, vërtet një fisnik e një i madh i të gjitha kohëve.26

Po, Jozef Smithi, Profeti i ditëve të mëvonshme, ishte mjet në duart e Zotit për çeljen e një periudhe të re ungjillore, e fundit dhe më e madhja e të gjitha periudhave ungjillore.27

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Si mendoni, përse Vegimi i Parë i Jozef Smithit ishte “ngjarja më e madhe … që nga ringjallja e Mjeshtrit”? (Shih pjesën 1.) Në çfarë mënyrash ka ndikuar në jetën tuaj kjo ngjarje?

  • Si ju ndihmon njohuria se Gjon Zbuluesi profetizoi për vizitat e Moronit te Jozef Smithi? (Shih pjesën 2.)

  • Presidenti Benson tha se Libri i Mormonit është “prova më e shquar” që Jozef Smithi është profet (shih pjesën 3). Si ka ndikuar studimi i Librit të Mormonit në dëshminë tuaj për misionin e Jozef Smithit?

  • Përsiatuni mbi fjalët e dëshmisë së Presidentit Benson te pjesa 4. Cilat janë disa bekime që ju kanë ardhur juve dhe familjes suaj për shkak të Rivendosjes së ungjillit?

  • Çfarë mësoni nga pjesa 5 lidhur me përballimin e përndjekjes? Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit, që do të na ndihmojë kur njerëzit i sfidojnë dëshmitë tona?

  • Duke pasur parasysh parashugurimin e Jozef Smithit, Presidenti Benson tha: “Misioni i tij ka pasur, dhe duhej të kishte, ndikim mbi të gjithë ata që patën ardhur në tokë, të gjithë ata që banonin atëherë në tokë dhe milionët ende të palindur” (pjesa 6). Në ç’mënyrë ka ndikuar misioni i Jozef Smithit tek të gjithë ata që kanë jetuar në tokë? Si ka ndikuar te vetë ju?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 29:13–14; 2 Nefi 3:3–15; 3 Nefi 21:9–11; DeB 5:9–10; 135; Joseph Smith – Historia

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë çfarë kanë mësuar nga studimi vetjak i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të kontaktoni gjatë javës me disa pjesëmarrës dhe t’u kërkoni që të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë kanë mësuar” (faqja vii e këtij libri).

Shënime

  1. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 206, 207.

  2. Në Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 292.

  3. Në Conference Report, prill 1961, f. 114.

  4. “Joseph Smith: Prophet to Our Generation”, Ensign, nëntor 1981, f. 61–62.

  5. God, Family, Country: Our Three Great Loyalties (1974), f. 57.

  6. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 101.

  7. Come unto Christ (1983), f. 74.

  8. Në Conference Report, prill 1958, f. 60.

  9. “Joseph Smith: Prophet to Our Generation”, f. 61.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 46.

  11. “Joseph Smith: Prophet to Our Generation”, f. 61.

  12. “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 4.

  13. “May the Kingdom of God Go Forth”, Ensign, maj 1978, f. 34.

  14. Në Conference Report, tetor 1956, f. 108.

  15. “A Message to the World”, Ensign, nëntor 1975, f. 34.

  16. “I Testify”, Ensign, nëntor 1988, f. 86.

  17. Në Conference Report, tetor 1949, f. 27, 28.

  18. Come unto Christ, f. 81.

  19. God, Family, Country, f. 38.

  20. “Joseph Smith: Prophet to Our Generation”, f. 62.

  21. God, Family, Country, f. 37–38.

  22. God, Family, Country, f. 29.

  23. “A Message to the World”, f. 34.

  24. God, Family, Country, f. 40–41.

  25. God, Family, Country, f. 30–31.

  26. God, Family, Country, f. 37.

  27. God, Family, Country, f. 39.