Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: Ndiqni Profetin e Gjallë


Kapitulli 11

Ndiqni Profetin e Gjallë

“Profeti më i rëndësishëm, për aq sa na përket ne, është ai që jeton në kohën dhe epokën tonë.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Një natë kur Ezra Taft Bensoni ishte 15 vjeç, ai u ul tek tavolina e darkës me pjesën tjetër të familjes së tij dhe e dëgjoi babanë e tij duke lexuar një letër nga Presidenti Jozef F. Smith dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë. Pjesërisht, letra tha: “Ne e këshillojmë dhe e nxitim krijimin e një ‘Mbrëmjeje të Shtëpisë’ në mbarë Kishën, kohë në të cilën etërit dhe nënat të mund t’i mbledhin së bashku djemtë dhe vajzat e tyre në shtëpi dhe t’u mësojnë atyre fjalën e Zotit. … Nëse shenjtorët i binden kësaj këshille, ne premtojmë se do të vijnë bekime të mëdha. Dashuria në shtëpi dhe bindja ndaj prindërve do të rriten. Besimi do të zhvillohet në zemrat e rinisë së Izraelit dhe ata do të fitojnë fuqi për t’i luftuar ndikimet dhe tundimet e liga që i rrethojnë ata.”1

Presidenti Benson më vonë kujtoi: “Kur [babai im] e përfundoi letrën, ai tha: ‘Presidenca ka folur dhe kjo është fjala e Zotit për ne!’ Që nga ajo kohë e tutje, ne e mbajtëm me zellshmëri mbrëmjen familjare në shtëpinë e fëmijërisë sime.”2

Kur Presidenti Benson pati familjen e vet, ai dhe gruaja e tij e vazhduan traditën që ai e kishte mësuar nga prindërit e tij. Ai tha: “Unë dëshmoj prej kësaj përvoje [në shtëpinë e prindërve të mi] dhe prej përvojës së netëve familjare në vetë shtëpinë time se mund të vijnë bekime të mëdha shpirtërore”.3

Në vitin 1947 Presidenca e Parë i drejtoi anëtarët e Kishës për t’i ripërtërirë përpjekjet që të mbanin mbrëmje të shtëpisë. Presidenti Benson, në atë kohë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e theksoi atë temë në një fjalim në konferencën e përgjithshme. Ai dëshmoi për familjen si “një institucion hyjnor”4 dhe ua kujtoi shenjtorëve bekimet që do të vinin nëse do ta ndiqnin këshillën e profetit për t’i forcuar familjet e tyre dhe për të mbajtur mbrëmje të shtëpisë. Ai dëshmoi: “Lumturia jonë këtu dhe pas kësaj jete lidhet me plotësimin të suksesshëm prej nesh të kësaj përgjegjësie të madhe. Ajo meriton, vëllezërit dhe motrat e mia, planifikimin dhe vëmendjen tonë plot lutje dhe unë kam mirëbesim në zemrën time se përfitime të mëdha do të rrjedhin, se gëzim dhe kënaqësi e madhe do të vijnë nëse ia vëmë veshin kësaj, sikurse të gjitha këshillave të tjera që na janë dhënë nga Presidenca e Kishës.”5

Ngaqë i kishte përjetuar bekimet që vijnë prej ndjekjes së këshillës së shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit, Ezra Taft Bensoni shpesh i nxiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme t’i mbanin sytë te profeti i gjallë. Ai dëshmoi me guxim për thirrjen hyjnore të secilit President të Kishës me të cilët ai shërbeu.6 Kur Presidenti Spenser W. Kimball, i cili qe shuguruar Apostull në të njëjtën ditë me Presidentin Benson, u mbajti fjalimin e tij të parë si President i Kishës një grupi udhëheqësish të Kishës, Presidenti Benson “u ngrit dhe me një zë të mbushur me emocion, duke shprehur ndjenjën e të gjithë të pranishmëve, tha, në thelb: ‘Presidenti Kimball, përgjatë gjithë viteve që janë mbajtur këto mbledhje, ne kurrë nuk kemi dëgjuar një fjalim të tillë, si ai që ju sapo keni dhënë. Me të vërtetë, ka një profet në Izrael.’”7 Dhe kur ajo thirrje hyjnore i erdhi Presidentit Benson, pas vdekjes së Presidentit Kimball, ai e pranoi atë me përulësi dhe vendosmëri. Ai tha: “Gruaja ime, Flora dhe unë jemi lutur vazhdimisht që ditët e Presidentit Kimball të zgjateshin në këtë tokë dhe që një mrekulli tjetër të kryhej në emër të tij. Tani që Zoti ka folur, ne vërtet do të bëjmë më të mirën, nën drejtimin e tij udhërrëfyes, për ta çuar përpara punën në tokë.”8

Pamja
Inside the Conference Center duing General Conference. October 2011.

Sot, shenjtorët e ditëve të mëvonshme mblidhen në Qendrën e Konferencave dhe në mbarë botën për ta dëgjuar profetin e gjallë.

Mësime të Ezra Taft Benson

1

Presidenti i Kishës është zëdhënësi i Zotit në tokë.

Mësoni ta mbani syrin tuaj te profeti. Ai është zëdhënësi i Zotit dhe i vetmi njeri që mund të flasë për Zotin sot. Le të marrë përparësi këshilla e tij e frymëzuar. Le të jenë fjalët e tij të frymëzuara bazë për vlerësimin e këshillës së të gjithë autoriteteve të tjera më të ulëta. Më pas jetoni pranë Shpirtit që ju të mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave.9

Zëdhënësi dhe profeti i Zotit mbi faqen e tokës sot e mori autoritetin e tij nëpërmjet një linje profetësh që shkon deri te Jozef Smithi, i cili u shugurua nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, të cilët u shuguruan nga Krishti, i cili ishte dhe është kreu i Kishës, Krijuesi i kësaj toke dhe Perëndia përpara të cilit të gjithë njerëzit duhet të qëndrojnë përgjegjës.10

Kjo Kishë nuk po drejtohet nga urtësia e njerëzve. Unë e di këtë. Fuqia dhe ndikimi i Perëndisë së Plotfuqishëm po e drejtojnë Kishën e Tij.11

2

Profeti më i rëndësishëm për ne është profeti i gjallë.

Perëndia i di të gjitha gjërat, fundin që nga fillimi, dhe askush nuk bëhet president i kishës së Jezu Krishtit në mënyrë të rastësishme ose mbetet atje rastësisht, apo thirret në shtëpi në mënyrë të rastësishme.

Profeti më i rëndësishëm, për aq sa na përket ne, është ai që jeton në kohën dhe epokën tonë. Ky është profeti që ka udhëzimet e ditës së sotme nga Perëndia për ne. Zbulesa e Perëndisë dhënë Adamit nuk e udhëzoi Noeun se si të ndërtonte arkën. Çdo brez ka nevojë për shkrimin e shenjtë të lashtë, së bashku me shkrimin e shenjtë të tanishëm nga profeti i gjallë. Si rrjedhim, leximi dhe përsiatja më e rëndësishme që duhet të bëni është ajo e fjalëve më të fundit, të frymëzuara nga zëdhënësi i Zotit. Kjo është arsyeja përse është thelbësore që ju të keni mundësi t’i gjeni fjalët e tij dhe t’i lexoni ato me kujdes. …

Po, të falemi, Zot, për profetin që rrugën ne sot na ndriçon [shih Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 36].12

Jini vigjilentë ndaj atyre që do t’i ngrenë profetët e vdekur kundrejt profetëve të gjallë, sepse profetët e gjallë gjithmonë marrin përparësi.13

Secili President është zgjedhur në mënyrë të pashoqe për kohën dhe gjendjen në të cilën bota dhe Kisha kishin nevojë. Të gjithë ishin “njerëzit e kohës së duhur”, sikurse e kemi dëshmuar te Presidenti Spenser W. Kimball. Mendoni për mrekullinë e atij parashugurimi dhe asaj përgatitjeje! Edhe pse u thirr dhe çelësat iu dhanë shumë vite përpara kohës që manteli të binte mbi të, Presidenti ishte përherë njeriu i duhur në vendin e duhur për kohërat. Kjo mrekulli, e vetme, është një nga shenjat e shenjtërisë së Kishës.14

Me lejoni të pyes, a kemi nevojë për një profet të vërtetë të Zotit në tokë sot? A kishin nevojë njerëzit në kohën e Noeut për një profet që t’i paralajmëronte ata për gjërat shpirtërore dhe materiale? Nëse një njeri nuk do të pranonte ta ndiqte Noeun, a do të ishte shpëtuar ai nga përmbytja? Prapëseprapë Bibla na thotë se në ditët e fundit, në të cilat ne jetojmë, ligësia e njerëzve do të bëhet e krahasueshme me ligësinë e njerëzve në kohën e Noeut, kur Perëndia e pastroi tokën me anë të përmbytjes [shih Mateu 24:37–39]. A mendoni se kemi nevojë për një profet sot që të na paralajmërojë dhe përgatitë për pastrimin që Perëndia premtoi se do të vijë, këtë herë me anë të zjarrit?15

Nëse duam të dimë se sa i mirë është qëndrimi ynë me Zotin, atëherë le ta pyetim vetveten se sa i mirë është qëndrimi ynë me kapitenin e Tij në vdekshmëri – sa ngushtë përputhet jeta jonë me të vajosurin e Zotit – Profetin e gjallë – Presidentin e Kishës dhe me Kuorumin e Presidencës së Parë.16

Pamja
President Ezra Taft Benson speaking.

Si President i Kishës, Ezra Taft Benson foli me dashuri dhe ngutje të madhe.

3

Profeti i gjallë na tregon atë që ne duhet të dimë, jo detyrimisht atë që duam të dëgjojmë.

Një tipar tregues i një profeti të vërtetë është se ai shpall një mesazh nga Perëndia. Ai nuk jep asnjë shfajësim për mesazhin, as nuk ka frikë për ndonjë pasojë shoqërore që mund të çojë drejt talljes dhe përndjekjes.17

Nganjëherë ka nga ata që mendojnë se dituria e tyre tokësore për një çështje të caktuar është më e madhe sesa dituria qiellore, të cilën Perëndia ia jep profetit të tij për të njëjtën temë. Ata mendojnë se profeti duhet të ketë të njëjtat kualifikime ose të njëjtën përgatitje tokësore që kanë pasur ata, përpara se të pranojnë ndonjë gjë që profeti ka për të thënë, e cila mund të bjerë në kundërshtim me shkollimin e tyre tokësor. Sa shkollim tokësor pati Jozef Smithi? Megjithatë, ai dha zbulesa për tema të llojeve të ndryshme. … Ne e nxitim diturinë tokësore në shumë fusha, por mbani mend se, nëse ka ndonjëherë ndonjë mosmarrëveshje midis diturisë tokësore dhe fjalëve të profetit, qëndroni me profetin dhe ju do të bekoheni e koha do t’ju tregojë se keni bërë atë që duhet.

… Profeti nuk ka pse të thotë: “Kështu thotë Zoti”, që të na japë shkrim të shenjtë.

Nganjëherë ka nga ata që debatojnë rreth fjalëve. Ata mund të thonë se profeti na dha këshillë, por se ne nuk jemi të detyruar ta ndjekim atë, në qoftë se ai nuk thotë se është një urdhërim. Por Zoti thotë për Profetin: “Ju duhet t’u vini veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij, që ai do t’jua japë”. (DeB 21:4.)

… Profeti na tregon atë që kemi nevojë të dimë, jo gjithmonë atë që dëshirojmë të dimë.

“Ti na ke shpallur gjëra të rënda, më shumë sesa ne mund të durojmë”, u ankuan vëllezërit e Nefit. Por Nefi u përgjigj duke thënë: “Fajtorët e marrin të vërtetën të jetë e rëndë, pasi i godet ata drejt në qendër”. (1 Nefi 16:1–2.)

Presidenti Harold B. Li tha:

“Ju mund të mos e pëlqeni atë që vjen nga autoriteti i Kishës. Ajo mund të bjerë në mosmarrëveshje me pikëpamjet tuaja politike. Ajo mund të bjerë në kundërshtim me pikëpamjet tuaja shoqërore. Ajo mund të ndërhyjë në një pjesë të jetës suaj shoqërore. … Siguria juaj dhe e jona është në varësi të faktit nëse e ndjekim apo jo. … Le ta mbajmë syrin tonë te Presidenti i Kishës.” (Conference Report, tetor 1970, f. 152–153.)

Por është profeti i gjallë i cili me të vërtetë e mërzit botën. “Edhe në Kishë”, tha Presidenti Kimball, “shumë janë të prirur t’i zbukurojnë varret e profetëve të djeshëm dhe me mendje t’i vrasin me gurë profetët e gjallë”. (Instructor, 95:257.)

Përse? Ngaqë profeti i gjallë arrin tek ajo që kemi nevojë ta dimë tani dhe bota parapëlqen që profetët të jenë ose të vdekur, ose të merren me vetë punët e tyre. …

Se si u përgjigjemi fjalëve të një profeti të gjallë kur ai na thotë atë që kemi nevojë të dimë, por që më mirë do të donim të mos e dëgjonim, është provë e besnikërisë sonë. …

Njerëzit e shkolluar mund të mendojnë se profeti frymëzohet vetëm kur ai bie dakord me ta, përndryshe profeti thjesht po jep mendimin e tij – po flet si një njeri. Të pasurit mund të mendojnë se nuk kanë nevojë të marrin këshillë nga një profet i përulur. …

… Profeti nuk do të ketë domosdoshmërisht popullaritet me botën apo njerëzit e botës.

Kur një profet zbulon të vërtetën, ajo i ndan njerëzit. Të ndershmit në zemër ua vënë veshin fjalëve të tij, por të padrejtët ose e shpërfillin profetin, ose e luftojnë atë. Kur profeti i vë në dukje mëkatet e botës, njerëzit e botës ose duan t’ia mbyllin gojën profetit, ose në të kundërt veprojnë sikur profeti të mos ekzistonte, në vend që të pendohen për mëkatet e tyre. Popullariteti nuk është kurrë provë e të vërtetës. Më shumë se një profet është vrarë ose dëbuar. Ndërsa i afrohemi më shumë ardhjes së dytë të Zotit, ju mund të prisni që, teksa njerëzit e botës bëhen më të ligj, profeti do të bëhet më pak popullor mes tyre.18

4

Ne vërtet do të bekohemi kur e ndjekim profetin e gjallë.

Për t’iu ndihmuar t’i kaloni sprovat themelore që shtrihen përpara jush, unë do t’ju jap … një çelës të madh që, nëse e respektoni, do t’ju kurorëzojë me lavdinë e Perëndisë dhe do t’ju nxjerrë fitimtarë pavarësisht nga tërbimi i Satanit.

… Si Kishë ne këndojmë himnin “Të Falemi, Zot, për Profetin” [Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 36]. Këtu, pra, është çelësi i madh – Ndiqni profetin. …

… Profeti është i vetmi njeri që flet për Zotin në gjithçka.

seksionin 132 vargun 7 të Doktrina e Besëlidhjeve, Zoti flet për profetin – presidentin – dhe thotë:

“Kurrë nuk ka përveçse një njeri mbi tokë gjatë një kohe, mbi të cilin kjo fuqi dhe çelësat e kësaj priftërie jepen”.

Më pas në seksionin 21 vargjet 4–6, Zoti thotë:

“Si rrjedhim, domethënë kisha, ju duhet t’u vini veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij, që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato, duke ecur gjithë shenjtëri përpara meje;

Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.

Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush.”19

Profeti nuk do ta udhëheqë kurrë Kishën në udhë të gabuar.

Presidenti Uillford Udraf shpalli: “Unë i them Izraelit, Zoti kurrë nuk do të më lejojë mua ose dikë tjetër që qëndron si president i Kishës, që t’ju drejtojë në udhë të gabuar. Kjo nuk bën pjesë në program. Nuk është në mendjen e Perëndisë” [shih Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 199].

Presidenti Marion G. Romni tregon për këtë ngjarje që i ndodhi atij:

“Më kujtohet që vite më parë kur isha peshkop, unë e ftova Presidentin Hibër J. Grant që t’i fliste lagjes sonë. Pas mbledhjes, e çova me makinë në shtëpi. … Duke qëndruar pranë meje, ai ma hodhi krahun në sup dhe tha: ‘Djali im, mbaje gjithmonë syrin te Presidenti i Kishës dhe nëse ai ndonjëherë të thotë të bësh diçka, dhe është e gabuar, dhe ti e bën atë, Zoti do të të bekojë prej kësaj’. Më pas, me një shkëlqim në sy, ai tha: ‘Por nuk ke nevojë të shqetësohesh. Zoti nuk do ta lejojë kurrë zëdhënësin e tij që t’i drejtojë njerëzit në udhë të gabuar.’” (Conference Report, tetor 1960, f. 78.)20

Tregohet historia se si Brigam Jangu, duke kaluar me makinë përmes një komuniteti, pa një burrë duke ndërtuar një shtëpi dhe thjesht i tha atij ta dyfishonte trashësinë e mureve të tij. Duke e pranuar Presidentin Jang si profet, burri i ndryshoi planet e tij dhe e dyfishoi trashësinë e mureve. Pak kohë më pas, një përmbytje erdhi përmes qytetit, duke përfunduar me shumë shkatërrim, por muret e këtij burri i bënë ballë. Ndërsa po vendoste çatinë e shtëpisë së tij, ai u dëgjua duke kënduar: “Të falemi, Zot, për profetin!”21

Si anëtarë të Kishës, ne kemi disa vende të ngushta përmes të cilave të kalojmë nëse do të arrijmë të sigurt në shtëpi. Neve vërtet do të na jepet mundësia që të zgjedhim midis këshillave ngatërruese të dhëna prej disave. Kjo është arsyeja përse duhet të mësojmë – dhe sa më shpejt që të mësojmë, aq më mirë – që ta mbajmë syrin te Profeti, Presidenti i Kishës.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson tha: “Mësoni ta mbani syrin te profeti” (pjesa 1). Çfarë do të thotë kjo për ju?

  • Si mendoni ju, përse profeti më i rëndësishëm për ne është Presidenti i tanishëm i Kishës? (Shih pjesën 2.) Çfarë këshille kemi marrë kohët e fundit nga profeti i gjallë?

  • Teksa e shqyrtoni pjesën 3, mendoni për një rast kur e keni ndjekur këshillën e profetit, edhe pse nuk e keni kuptuar atë plotësisht. Çfarë mund të mësojmë nga përvoja të tilla?

  • Merrni parasysh “çelësin e madh” që Presidenti Benson përcakton në pjesën 4. Cilat janë disa nga bekimet që keni marrë kur keni qenë të vërtetë ndaj këtij çelësi të madh?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

2 Kronikave 20:20; Amosi 3:7; Efesianëve 2:19–20; 4:11–15; DeB 1:14–16, 37–38; 107:91–92; Nenet e Besimit 1:6

Ndihmë për Mësimdhënien

“Mos u trembni nga heshtja. Njerëzve shpesh u nevojitet kohë të mendojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve apo të shprehin atë që ndiejnë. Ju mund të ndaloni pasi ta keni bërë një pyetje, pasi është treguar një përvojë shpirtërore, apo kur një njeri ka vështirësi për ta shprehur veten” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 67).

Shënime

  1. Joseph F. Smith, Anthon H. Lund dhe Charles W. Penrose, “Home Evening”, Improvement Era, qershor 1915, f. 733–734.

  2. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 528.

  3. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 528.

  4. Në Conference Report, tetor 1947, f. 23.

  5. Në Conference Report, tetor 1947, f. 27.

  6. Shih, për shembull, Conference Report, tetor 1968, f. 17; Conference Report, prill 1970, f. 127; Ensign, janar 1973, f. 57; Ensign, nëntor 1980, f. 34; Ensign, maj 1984, f. 8.

  7. W. Grant Bangerter, “A Special Moment in Church History”, Ensign, nëntor 1977, f. 27.

  8. Cituar në Don L. Searle, “President Ezra Taft Benson Ordained Thirteenth President of the Church”, Ensign, dhjetor 1985, f. 5.

  9. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 134.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 132.

  11. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 132.

  12. “Jesus Christ – Gifts and Expectations”, New Era, maj 1975, f. 16–17.

  13. “Fourteen Fundamentals in Following the Prophet”, Tambuli, qershor 1981, f. 3.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 142.

  15. “Listen to a Prophet’s Voice”, Ensign, janar 1973, f. 59.

  16. “Fourteen Fundamentals in Following the Prophet”, f. 8.

  17. “Joseph Smith: Prophet to Our Generation”, Ensign, nëntor 1981, f. 61.

  18. “Fourteen Fundamentals in Following the Prophet”, f. 3–4, 6; shkrimi kursiv i hequr nga origjinali.

  19. “Fourteen Fundamentals in Following the Prophet”, f. 1–2; shkrimi kursiv i hequr nga origjinali.

  20. “Fourteen Fundamentals in Following the Prophet”, f. 3; shkrimi kursiv i hequr nga origjinali.

  21. “Civic Standards for the Faithful Saints”, Ensign, qershor 1972, f. 61; shih edhe Sidney Alvarus Hanks dhe Ephraim K. Hanks, Scouting for the Mormons on the Great Frontier [1948], f. 78–80.

  22. Në Conference Report, tetor 1966, f. 122.