Kapitulli 8
Fuqia e Fjalës
“Fjala e Perëndisë, siç gjendet në shkrimet e shenjta, në fjalët e profetëve të gjallë dhe në zbulesën vetjake, ka fuqinë që t’i përforcojë shenjtorët e t’i armatosë me Shpirtin, në mënyrë që të mund t’i bëjnë ballë së ligës, të kapen fort pas së mirës dhe të gjejnë gëzim në këtë jetë.”
Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit
Kur Presidenti Tomas S. Monson po shërbente si Këshilltari i Dytë i Presidentit Ezra Taft Benson në Presidencën e Parë, vërejti: “Presidenti Benson i rrok shpejt çështjet që i vijnë në vëmendje. Ai nuk ka nevojë ta shqyrtojë gjerë e gjatë një gjë, para se të gjejë frymëzimin e Zotit që e drejton në vendim. Me prirjen zgjeruese të Kishës sonë sot, anembanë botës, dhe me një mori çështjesh që vijnë para Presidencës së Parë, kjo aftësi për të çarë përmes hollësive e për të arritur në zemër të çështjes, është jetike për kryerjen e punës administrative të Kishës.”1
Më 4 prill 1986, në bashkëlidhje me konferencën e tij të parë të përgjithshme si President i Kishës, Presidenti Benson kryesoi në një mbledhje të veçantë për udhëheqës të priftërisë. Vëllezërit e pranishëm e panë aftësinë e tij “për të çarë përmes hollësive e për të arritur në zemër të çështjes”. Kur u foli të mbledhurve, ai përmendi shumë prej sfidave që hasnin shenjtorët e ditëve të mëvonshme – si tundim, vështirësi familjare dhe vështirësi në zbatimin e urdhërimeve dhe përmbushjen e detyrave të Kishës – dhe tregoi se çfarë shihte ai si zgjidhje për këto probleme.
Presidenti Benson dha vetëm një pjesë të bisedës së tij në atë mbledhje të udhëheqjes së priftërisë, prandaj kërkoi që i gjithë predikimi të përfshihej në numrin e konferencës të revistave të Kishës. Ky kapitull e përmban të plotë atë bisedë. Ndonëse Presidenti Benson vërejtjet e tij ua drejtoi udhëheqësve të priftërisë, ai la mësim parime që vlejnë për të gjithë anëtarët e Kishës.
Mësime të Ezra Taft Bensonit
1
Kur përballemi me sfidat e mëdha të kohës sonë, ne duhet të mbahemi fort te fjala e Perëndisë.
Vëllezër të mi të dashur, sa pamje emocionuese që është ta shohësh këtë trupë të udhëheqjes së priftërisë dhe të dish se sa mijëra shenjtorëve ju u shërbeni dhe sa përkushtim e besnikëri përfaqësoni ju bashkërisht! Nuk ka ndokund në botë sot trupë tjetër që të mblidhet për të njëjtin qëllim të drejtë sikurse ky grup as nuk ka ndonjë grup tjetër – politik, fetar apo ushtarak – që të mbajë fuqinë që ju mbani këtu sonte.
Ne jetojmë në një kohë sfide të madhe. Jetojmë në atë kohë për të cilën foli Zoti, kur tha: “Paqja do të merret nga toka dhe djalli do të ketë pushtet mbi sundimin e tij”. (DeB 1:35.) Jetojmë në atë ditë që parashikoi Gjon Zbuluesi, kur “dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit”. (Zbulesa 12:17.) Dragoi është Satani; gruaja përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit. Satani po zhvillon luftë kundër anëtarëve të Kishës të cilët kanë dëshmi e po përpiqen të zbatojnë urdhërimet. E ndërkohë që shumë prej anëtarëve tanë po qëndrojnë besnikë dhe të fortë, disa po lëkunden. Disa po bien. Disa janë duke përmbushur profecinë e Gjonit që, në luftë me Satanin, disa shenjtorë do të mposhteshin. (Shih Zbulesa 13:7.)
Profeti Lehi e pa gjithashtu kohën tonë në ëndrrën e tij të famshme vegimtare të pemës së jetës. Ai pa se shumë njerëz do të endeshin verbërisht në mjegullat e errësirës, të cilat simbolizonin tundimet e djallit. (Shih 1 Nefi 12:17.) Ai i pa disa të zhdukeshin “nëpër shtigje të ndaluara”, të tjerë të mbyteshin në lumenj fëlliqësie dhe ende të tjerë të endeshin në “udhë të panjohura”. (1 Nefi 8:28, 32.) Kur lexojmë për mallkimin në përhapje të drogave ose lexojmë për përmbytjen e ligë të pornografisë dhe të imoralitetit, a dyshon ndokush nga ne se këto janë shtigjet e ndaluara dhe lumenjtë e fëlliqësisë që përshkroi Lehi?
Jo të gjithë ata që Lehi i pa të mbaronin ishin të botës. Disa kishin ardhur te pema dhe kishin ngrënë nga fruti. Me fjalë të tjera, disa anëtarë të Kishës janë sot mes atyre shpirtrave që pa Lehi, të cilët humbën.
Apostulli Pal e pa gjithashtu kohën tonë. Ai e përshkroi si kohë kur gjëra të tilla si blasfemia, pandershmëria, mizoria, dashuria e panatyrshme, krenaria dhe kërkimi i kënaqësisë do të gëlojnë. (Shih 2 Timoteut 3:1–7.) Gjithashtu profetizoi se “njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë”. (2 Timoteut 3:13.)
Parashikime të tilla të zymta të profetëve të lashtësisë do të bëheshin shkak për frikë dhe shkurajim të madh, në rast se po ata profetë, në të njëjtën kohë, nuk do të kishin ofruar zgjidhje. Në këshillën e tyre të frymëzuar mund të gjejmë përgjigjen për krizat shpirtërore të epokës sonë.
Në ëndrrën e tij Lehi pa një shufër hekuri e cila printe nëpër mjegullat e errësirës. Ai pa se, nëse njerëzit do të mbaheshin fort tek ajo shufër, ata mund t’i shmangnin lumenjtë e fëlliqësisë, të qëndronin larg shtigjeve të ndaluara, të ndalonin së enduri në udhë të panjohura që çonin në shkatërrim. Më vonë biri i tij, Nefi, e shpjegoi qartë simbolikën e shufrës së hekurt. Kur Lamani dhe Lemueli e pyetën “Ç’do të thotë shufra e hekurit”, Nefi iu përgjigj: “Ishte fjala e Perëndisë; dhe [vëreni këtë premtim] të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, [që] t’i çojnë ata në shkatërrim.” (1 Nefi 15:23–24; kursivet e shtuara.) Jo vetëm që fjala e Perëndisë do të na çojë te fruti që është më i dëshirueshëm mbi gjithë të tjerët, por në fjalën e Perëndisë dhe përmes saj ne mund të gjejmë fuqinë për t’i bërë ballë tundimit, fuqinë për të reshtur punën e Satanit dhe të të dërguarve të tij.
Mesazhi i Palit është i njëjtë si i Lehit. Pasi paraqiti ligësinë e tmerrshme të kohëve të ardhshme – të ardhshme për të, por të tanishme për ne! – ai i tha Timoteut këtë: “Por ti qëndro në ato që mësove. …
Që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin.” (2 Timoteut 3:14–15; kursivet e shtuara.)
Vëllezër të mi të dashur, kjo është një përgjigje për sfidën e madhe të kohës sonë. Fjala e Perëndisë, siç gjendet në shkrimet e shenjta, në fjalët e profetëve të gjallë dhe në zbulesën vetjake, ka fuqinë që t’i përforcojë shenjtorët e t’i armatosë me Shpirtin, në mënyrë që të mund t’i bëjnë ballë së ligës, të kapen fort pas së mirës dhe të gjejnë gëzim në këtë jetë.2
2
Kur anëtarët dhe familjet zhyten në shkrimet e shenjta, anë të tjera të veprimtarisë së Kishës vijnë automatikisht.
Tani, ju udhëheqësve të priftërisë ne ju themi: mbështetuni në këshillën profetike të Lehit e të Palit dhe të të tjerëve si ata. Në atë këshillë do të gjeni zgjidhjen për sfidat që përballoni në mbajtjen e tufave tuaja të sigurta nga “ujqërit grabitqarë” që i rrethojnë. (Shih Mateu 7:15; Veprat e Apostujve 20:29.) Ne e dimë se dhe ju keni ankth të madh për anëtarët e lagjeve dhe kunjeve tuaja dhe shpenzoni kohë e përpjekje të mëdha për të mirën e tyre. Është e shumtë ajo që ju kërkojmë juve që jeni zgjedhur për udhëheqje. Ne vendosim shumë ngarkesa mbi supet tuaja. Ju kërkohet t’i drejtoni programet e Kishës, të intervistoni e të këshilloheni me anëtarët, të kujdeseni që çështjet financiare të kunjeve dhe lagjeve të trajtohen siç duhet, të drejtoni projekte mirëqenieje, të ndërtoni godina dhe të angazhoheni në një mori veprimtarish të tjera që shpenzojnë kohë.
Ndonëse asnjëra nga këto veprimtari nuk mund të shpërfillet e të lihet mënjanë, ato nuk janë gjëja më e rëndësishme që ju mund të bëni për ata të cilëve u shërbeni. Vitet e fundit ju kemi këshilluar vazhdimisht se disa veprimtari sjellin shpërblime shpirtërore më të mëdha se të tjerat. Që në vitin 1970, Presidenti Harold B. Li u tha përfaqësuesve krahinorë:
“Jemi të bindur se anëtarët tanë janë të uritur për ungjillin e paholluar, me të vërtetat dhe perceptimet e tij të bollshme. … Ka nga ata që duken sikur e kanë harruar që mburojat më të fuqishme që Zoti na ka dhënë kundër së ligës, janë deklaratat e Veta, doktrinat e thjeshta e të qarta të shpëtimit ashtu siç gjenden në shkrimet e shenjta.” (Në Regional Representatives’ Seminar, 1 tetor 1970, f. 6.)
Vijnë bekime të mëdha “kur anëtarët dhe familjet zhyten në shkrimet e shenjta”.
Në një mesazh të Presidencës së Parë më 1976, Presidenti [Spenser W. Kimball] tha:
“Jam i bindur që secili nga ne, së paku në ndonjë kohë të jetës sonë, duhet t’i zbulojë për vete shkrimet e shenjta – dhe jo thjesht t’i zbulojë një herë, por t’i rizbulojë vazhdimisht. …
Zoti nuk bën shaka me ne kur na i jep këto gjëra, sepse ‘kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë’. (Lluka 12:48.) Qasja ndaj këtyre gjërave do të thotë përgjegjësi për to. Duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta sipas urdhërimit të Zotit (shih 3 Nefi 23:1–5); dhe duhet t’u lejojmë të na qeverisin jetën.” (Ensign, shtator 1976, f. 4–5.)
Në prill 1982 Plaku Brus R. Mek-Konki u foli përfaqësuesve krahinorë për përparësinë që duhet të marrin shkrimet e shenjta në detyrat tona. Ai tha: “Ne jemi kaq të përfshirë në programe, statistika e zhvillime, në prona, troje dhe mamon e në arritjen e synimeve që do të theksojnë përsosurinë e punës sonë, saqë kemi ‘lënë pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit’. … Sado të talentuar që njerëzit mund të jenë në çështje administrative; sado gojëtarë që mund të jenë në shprehjen e pikëpamjeve të tyre; sado të ditur që mund të jenë në gjëra të botës – atyre do t’u mohohen pëshpëritjet e ëmbla të Shpirtit që ata mund t’i kishin pasur veç nëse paguajnë çmimin e studimit, të përsiatjes e të lutjes lidhur me shkrimet e shenjta.” (Në Regional Representatives’ Seminar, 2 prill 1982, f. 1–2.)
Po atë ditë, Plaku Bojd K. Paker u foli presidentëve të kunjeve dhe përfaqësuesve krahinorë. Ai tha: “Godinat e buxhetet dhe raportet e programet dhe procedurat janë shumë të rëndësishme. Por, në vetvete, ato nuk mbartin atë ushqim shpirtëror thelbësor dhe nuk do ta përmbushin atë që Zoti na ka dhënë për të kryer. … Gjërat e drejta, ato me ushqim të vërtetë shpirtëror, përqendrohen te shkrimet e shenjta.” (Në Meeting with Stake Presidents and Regional Representatives, 2 prill 1982, f. 1–2.)
U shtoj zërin tim këtyre vëllezërve të urtë e të frymëzuar dhe ju them se një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni si udhëheqës të priftërisë, është të zhyteni në shkrimet e shenjta. Hetojini ato me zell. Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit. Mësojeni doktrinën. Zotërojini parimet që gjenden në to. Pak janë përpjekjet e tjera që do t’u sjellin thirrjeve tuaja shpërblime më të mëdha. Pak janë mënyrat e tjera për të fituar një frymëzim më të madh ndërsa shërbeni.
Mirëpo, e vetme, sido që është me vlerë, kjo nuk mjafton. Duhet që gjithashtu t’i organizoni përpjekjet tuaja dhe veprimtaritë tuaja për të nxitur studim kuptimplotë të shkrimeve të shenjta mes anëtarëve të Kishës. Shpeshherë ne shpenzojmë përpjekje të mëdha duke u munduar të rrisim nivelet e veprimtarisë në kunjet tona. Ne punojmë me zell për të rritur përqindjet e atyre që marrin pjesë në mbledhjet e sakramentit. Ne punojmë që të marrim një përqindje më të lartë të të rinjve tanë në misione. Përpiqemi fort që të përmirësojmë shifrat e atyre që martohen në tempull. Të gjitha këto janë përpjekje të lavdërueshme dhe të rëndësishme për rritjen e mbretërisë. Por, kur anëtarët dhe familjet zhyten në shkrimet e shenjta rregullisht dhe pareshtur, këto fusha të tjera veprimtarie do të vijnë automatikisht. Dëshmitë do të rriten. Zotimi do të forcohet. Familjet do të bëhen të forta. Zbulesa vetjake do të rrjedhë.3
3
Kur e studiojmë fjalën e Perëndisë, ne marrim udhëheqje në jetën tonë të përditshme, shërim të shpirtit dhe fuqi për të shmangur mashtrimin e për t’i bërë ballë tundimit.
Profeti Jozef Smith tha se “Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”. (Libri i Mormonit, Parathënia; kursivet e shtuara.) A nuk duam ne këtë për anëtarët e lagjeve dhe kunjeve tona? A nuk kemi ne dëshirë që ata të vijnë më afër Perëndisë? Atëherë nxitini me çdo mënyrë të mundshme të zhyten në këtë dëshmitar të mrekullueshëm për Krishtin të ditëve të mëvonshme.
Ju duhet t’i ndihmoni shenjtorët ta kuptojnë se studimi dhe hetimi i shkrimeve të shenjta nuk është një barrë që u vë Zoti, por një bekim e mundësi e mrekullueshme. Vini re ç’ka thënë Vetë Zoti për përfitimet nga studimi i fjalës së Tij. Udhëheqësit profet të madh Jozue, Ai i tha:
“Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh”. (Jozueu 1:8; kursivet e shtuara.)
Zoti nuk po i premtonte Jozueut pasuri materiale dhe famë, por që jeta e tij do të përparonte në drejtësi dhe që do të kishte sukses në atë që ka më shumë rëndësi në jetë, domethënë, kërkimin për gjetjen e gëzimit të vërtetë. (Shih 2 Nefi 2:25.)
A keni ju anëtarë në kunjet tuaja, jetët e të cilëve janë copëtuar nga mëkati ose tragjedia, të cilët janë në dëshpërim dhe pa shpresë? A ishit ju të dëshiruar për ndonjë mënyrë që t’u gjendeshit e t’ua shëronit plagët, t’ua qetësonit shpirtrat e trazuar? Profeti Jakob ofron pikërisht atë, me këtë premtim të jashtëzakonshëm: “Ata janë ngjitur këtu për të dëgjuar fjalën e këndshme të Perëndisë, po, fjalën që shëron shpirtin e plagosur.” (Jakobi 2:8 (LiM); kursivet e shtuara.)
Sot bota është plot me ide joshëse dhe tërheqëse që mund t’i çojnë në gabim e mashtrim edhe anëtarët tanë më të mirë. Studentët në universitete nganjëherë janë kaq të mbushur me doktrinat e botës, sa fillojnë të dyshojnë te doktrinat e ungjillit. Si udhëheqës të priftërisë, si ndihmoni për ta fuqizuar anëtarësinë tuaj kundrejt mësimeve të tilla mashtruese? Shpëtimtari dha përgjigjen në predikimin e Tij të madh në Malin e Ullinjve kur premtoi: “Dhe kushdo që e mbledh fjalën time si thesar, nuk do të mashtrohet”. (Joseph Smith – Mateu 1:37; kursivet e shtuara.)
Shkrimet e shenjta janë plot e përplot me premtime të ngjashme lidhur me vlerën e fjalës. A keni anëtarë që janë të dëshiruar për drejtim dhe udhëheqje në jetën e tyre? Psalmet na thonë: “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmet 119:105) dhe Nefi premton se ushqyerja e bollshme me fjalët e Krishtit “do t’ju tregojë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”. (2 Nefi 32:3.)
A ka anëtarë të tufës suaj të cilët janë thellë në mëkat dhe u duhet të tërhiqen pas? Premtimi i Helamanit është për ta: “Po, ne shohim se kushdo që ka dëshirë mund të mbështetet në fjalën e Perëndisë, që është e shpejtë dhe e fuqishme, e cila do t’i ndajë copë-copë të gjitha dinakëritë dhe kurthet dhe mashtrimet e djallit”. (Helamani 3:29.)
Sukses në drejtësi, fuqi për të shmangur mashtrimin dhe për t’i bërë ballë tundimit, udhëheqje në jetën tonë të përditshme, shërim të shpirtit – këto janë veçse pak nga premtimet që Zoti u ka dhënë atyre që do të vijnë te fjala e Tij. A premton Zoti dhe nuk përmbush? Me siguri, nëse Ai na thotë se këto gjëra do të na vijnë nëse kapemi pas fjalës së Tij, atëherë bekimet mund t’i kemi tonat. Dhe nëse nuk kapemi pas saj, atëherë bekimet mund të humbasin. Sado të zellshëm që mund të jemi në fusha të tjera, bekime të caktuara mund të gjenden vetëm në shkrimet e shenjta, vetëm duke ardhur te fjala e Zotit e duke u mbajtur fort tek ajo ndërsa e përshkojmë udhën tonë nëpër mjegullat e errësirës drejt pemës së jetës.4
4
Fjala e Zotit është një dhuratë me vlerë dhe nuk duhet ta trajtojmë me lehtësi.
Dhe, nëse e shpërfillim atë që na ka dhënë Zoti, mund të humbasim pikërisht fuqinë dhe bekimet të cilat ne kërkojmë. Në një paralajmërim solemn drejtuar shenjtorëve të hershëm, Zoti tha për Librin e Mormonit këtë: “Dhe mendjet tuaja në të shkuarën janë errësuar për shkak të mosbesimit dhe ngaqë i keni trajtuar me lehtësi gjërat që keni marrë.
Kotësi dhe mosbesim të cilat e kanë sjellë tërë kishën nën dënim.
Dhe ky dënim qëndron mbi fëmijët e Sionit, madje të gjithë.
Dhe ata do të mbeten nën këtë dënim derisa të pendohen dhe të kujtojnë besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit.” (DeB 84:54–57.)
Oh, vëllezër të mi, të mos i trajtojmë me lehtësi gjërat e mëdha që kemi marrë nga dora e Zotit! Fjala e Tij është një prej dhuratave më me vlerë që na ka dhënë Ai. Unë ju nxit të zotoheni rishtas për studim të shkrimeve të shenjta. Zhytuni në to çdo ditë, në mënyrë që të keni fuqinë e Shpirtit për t’ju shoqëruar në thirrjet tuaja. Lexojini ato në familjet tuaja dhe mësojini fëmijët që t’i duan e t’i mbledhin si thesar. Më pas, me lutje dhe në këshillim me të tjerë, kërkoni çdo mënyrë të mundshme për t’i nxitur anëtarët e Kishës të ndjekin shembullin tuaj. Nëse veproni kështu, ju do të zbuloni, sikurse Alma, që “fjala [ka] një prirje të madhe ta [çojë] popullin të [bëjë] atë që [është] e drejtë – po, [ka] një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve, sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u [ka] ngjarë atyre”. (Alma 31:5.)
Ashtu si Alma, unë ju them juve: “[Është] e nevojshme që [ju të provoni] virtytin e fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5).5
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Merrni parasysh atë për të cilën Presidenti Benson tha se ishte “një përgjigje për sfidën e madhe të kohës sonë” (pjesa 1). Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë kjo përgjigje t’iu kundërvihemi sfidave që hasim?
Rishqyrtoni rezultatet për të cilat Presidenti Benson tha se do të vijnë “kur anëtarët dhe familjet zhyten në shkrimet e shenjta rregullisht dhe pareshtur” (pjesa 2). Si mendoni, pse studimi i shkrimeve të shenjta çon në rezultate të tilla?
Presidenti Benson tha se studimi i shkrimit të shenjtë është një bekim, jo një barrë (shih pjesën 3). Çfarë bekimesh ju kanë ardhur juve dhe familjes suaj nëpërmjet studimit të shkrimit të shenjtë? Çfarë këshille mund t’i jepnit ju dikujt që mendon se studimi i shkrimit të shenjtë është një barrë?
Cilat janë disa rreziqe të trajtimit me lehtësi të fjalës së Perëndisë? (Shih pjesën 4.) Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe fjalës së Perëndisë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Veprat e Apostujve 17:11; 2 Timoteut 3:16–17; 1 Nefi 19:23–24; Alma 32:21–43; DeB 18:33–36; 21:4–6; 68:1–4
Ndihmë për Studimin
“Shumëkush konstaton se koha më e mirë për të studiuar është në mëngjes, pas gjumit të natës. … Të tjerë parapëlqejnë të studiojnë në orët e qeta, pasi ka mbaruar puna dhe shqetësimet të ditës. … Ndoshta më e rëndësishme se ora e ditës është të vihet mënjanë një kohë e rregullt për të studiuar” (Howard W. Hunter, “Reading the Scriptures”, Ensign, nëntor 1979, f. 64).