Mësime të Presidentëve
Jeta dhe Shërbesa e Ezra Taft Bensonit


Jeta dhe Shërbesa e Ezra Taft Bensonit

Udhëtarët në autostradën midis Loganit në Juta dhe Uitnit në Ajdaho, dëshmuan diçka të pazakontë më 4 qershor 1994. Ata panë njerëz që qëndronin në këmbë përgjatë pjesëve të asaj shtrirjeje prej 39 kilometrash të rrugës. Të nesërmen, Plaku Robert D. Hejls i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi përse ishin mbledhur njerëzit atje. Ata kishin qenë duke pritur kortezhin e përmotshëm, që ishte duke transportuar trupin e Presidentit Ezra Taft Benson për në varrezën e vendlindjes së tij, pas shërbimeve përkujtimore në Solt-Lejk-Siti të Jutës. Plaku Hejls e përshkroi skenën:

“Rruga e kortezhit për në Uitni të Ajdahos, ishte një shfaqje prekëse nderimi për një profet të Perëndisë.

Pati një shfaqje nderimi nga anëtarët e Kishës teksa u rreshtuan përgjatë autostradës dhe qëndruan në mbikalimet përgjatë udhës. Disa ishin veshur me veshjet e tyre më të mira të së dielës në një pasdite të shtune. Të tjerë qëndruan në heshtje në shenjë respekti duke i ndalur makinat e tyre dhe duke qëndruar në këmbë me nderim, duke pritur që të kalonte profeti. Fermerët qëndruan në fushat e tyre me kapela të vëna mbi zemër. Ndoshta më kuptimplotët ishin djemtë e vegjël që i hoqën kapelat e tyre të bejsbollit dhe i vendosën mbi zemër. Edhe flamujt valëviteshin në përshëndetjen e lamtumirës teksa profeti kalonte pranë. Kishte tabela që shkruanin: ‘Ne e duam Presidentin Benson’. Tek të tjerat lexohej: ‘Lexojeni Librin e Mormonit’”.1

Kjo derdhje dashurie qe me të vërtetë një shprehje nderimi, por ishte më tepër se kaq. Ishte fakt i dukshëm se jeta e njerëzve kishte ndryshuar, ngaqë e kishin ndjekur këshillën e një profeti. Dhe njerëzit që u mblodhën përgjatë autostradës përfaqësonin shumë më tepër njerëz. Që nga koha kur Ezra Taft Bensoni u lind pranë Uitnit në Ajdaho e deri në kohën kur trupi i tij i vdekshëm u varros atje, ai shërbeu si mjet në duart e Zotit, duke udhëtuar nëpër të gjithë botën dhe duke ndihmuar miliona njerëz të vijnë te Krishti.

Mësimet e Nxjerra në Fermën e Familjes

Më 4 gusht 1899, Sara Dankli Benson dhe Xhorxh Taft Benson i Riu mirëpritën fëmijën e tyre të parëlindur në familjen e tyre. Ata ia vunë emrin Ezra Taft Benson, si stërgjyshi i tij, Plaku Ezra T. Benson, i cili kishte shërbyer si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Ezra lindi në një shtëpi ferme dydhomëshe që i ati e kishte ndërtuar një vit më parë. Lindja qe e gjatë dhe e vështirë, dhe mjeku i pranishëm mendoi se foshnja prej 5.3 kg nuk do të mbijetonte. Por gjyshet e foshnjës patën një ide tjetër. Ato mbushën dy legenë me ujë – njërin me ujë të ngrohtë, tjetrin me ujë të ftohtë – dhe e futën nipin e tyre me radhë nga njëri legen në tjetrin derisa ai filloi të qante.

Pamja
Ezra Taft Benson at three months old.

Ezra Taft Benson foshnjë, 1900

I vogli Ezra Taft Benson, i thirrur shpesh “T” nga pjesëtarët e familjes dhe shokët, gëzoi një fëmijëri përmbushëse në fermën që rrethonte shtëpinë ku kishte lindur ai. Presidenti Gordon B. Hinkli, që shërbeu me Presidentin Benson për pothuajse 33 vjet në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe në Presidencën e Parë, tregoi për mësimet që mësoi Ezra i vogël:

“Ai ishte një djalë ferme, në plot kuptimin e fjalës, dhe me të vërtetë një djalë i regjur nga dielli, i veshur me kominoshe, i cili në një moshë shumë të njomë arriti të njihte ligjin e të korrave: ‘Ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë’ (Galatasve 6:7).

Ai arriti të dinte në ato kohë skamjeje se, pa punuar fort nuk rritet asgjë përveç barërave të këqija. Duhet të ketë punë të pashtershme e të qëndrueshme, nëse do të ketë të korra. Dhe kështu bëhej lërim në vjeshtë dhe lërim në pranverë – puna djersitëse e të ecurit në një hulli gjithë ditën e ditës prapa një çifti kuajsh të fuqishëm. Në atë kohë, përdorej një plug dore dhe ishte e nevojshme që tʼi mbaje tërë kohën dorezat që rrotulloheshin e dridheshin, teksa maja e mprehtë e plugut çante tokën dhe e kthente me kujdes nga ana tjetër. Pas një dite të tillë, një djalë ishte i rraskapitur dhe flinte mirë. Por mëngjesi vinte shumë shpejt.

Fusha kishte nevojë për lesë, që tërhiqej prapë nga kuajt, për të copëtuar plisat e për të përgatitur një shtrat për farën. Mbjellja qe një punë drobitëse, që të thyente kurrizin. Dhe pastaj bëhej vaditja. Ferma e familjes Benson ishte në një fshat të thatë, që shpëtohej nga magjia e vaditjes. Duhej pasur kujdes për ujin, jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë gjithë natës. Nuk kishte elektrikë dore apo fenerë me gaz propani. Kishte vetëm llamba vajguri që lëshonin një ndriçim të verdhë, të mekur e të dobët. Ishte e domosdoshme që uji të shkonte në fund të rreshtit. Ai ishte një mësim për të mos u harruar kurrë.

Mund ta shoh në mendjen time djaloshin e vogël me lopatë mbi sup, duke ecur nëpër hendeqe dhe nëpër fusha për t’i dhënë lagështi gjallëruese tokës së tharë.

Shpejt vinte koha për të prerë kashtën, me hektarë të tërë me kashtë. Çifti i kuajve lidhej në krah të kositëses, djali hipte mbi një ulëse të vjetër prej çeliku dhe llozi i draprit shkonte sa para mbrapa duke prerë një brez toke prej 1.5 metrash, ndërkohë që kuajt ecnin përpara. Me mizat dhe mushkonjat, me pluhurin dhe nxehtësinë përzhitëse, ajo ishte punë e rëndë. Kashta pastaj duhej mbledhur me krehër, më pas duhej hedhur me një pirun dore në mullarë që të thahej. Koha e duhur ishte e rëndësishme. Kur arrinte fazën e duhur, ajo hidhej në një transportues kashte, një vagon me një shtrat të madh e të sheshtë. Në vendin e mullarëve, një vinç i tërhequr nga kali, e ngrinte atë nga vagoni për të krijuar një mullar gjigant kashte. Nuk kishte bërës dengjesh në ato ditë dhe as ngarkues mekanikë. Kishte vetëm sfurqe dhe muskuj.

“… Nuk është për t’u çuditur që shtati i tij u bë i lartë dhe trupi i tij u bë i fortë. Ata prej nesh që e njohën në vitet më të vona të jetës së tij, bënin vazhdimisht komente për përmasën e kyçeve të duarve të tij. Shëndeti i fortë, themeli për të cilin u hodh në djalërinë e tij, qe një nga bekimet e mëdha të jetës së tij. Deri në pak vite afër fundit, ai ishte një burrë me energji të jashtëzakonshme.

Përgjatë viteve të jetës së tij të pjekur, kur ecte me presidentë e mbretër, ai nuk e humbi kurrë lidhjen me kohën e tij të djalërisë në fermë. Ai nuk e humbi kurrë aftësinë e tij për punë. Nuk e humbi kurrë vullnetin për t’u ngritur në agim e për të punuar deri natën.

Por pati më tepër se një prirje të jashtëzakonshme për punë që rrodhi nga ajo shtëpi e djalërisë. Kishte njëfarë force që vjen nga dheu. Kishte një kujtues të përhershëm të thënies që iu dha Adamit dhe Evës kur u dëbuan nga kopshti: ‘Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe’ (Zanafilla 3:19). Një frymë e mbështetjes te vetja u ndërtua tek ata që e punuan dheun. Në atë kohë nuk kishte programe qeveritare për fermat, as ndonjë subvencion të ndonjë lloji. Duhej të pranoheshin tekat e stinëve. Acaret shkatërrues, stuhitë jashtë stinëve të duhura, era dhe thatësira pranoheshin të gjitha si rreziqet e jetës kundrejt të cilave nuk kishte asnjë sigurim të gjindshëm. Vendosja në ruajtje e prodhimeve për një ditë nevoje ishte e domosdoshme, përndryshe do të kishte uri. Burimi i vetëm i qëndrueshëm kundër rreziqeve të jetës ishte lutja, lutja ndaj Atit tonë të përjetshëm e të dashur, Perëndisë së Plotfuqishëm të universit.

Kishte mjaft lutje në atë shtëpizë në Uitni të Ajdahos. Kishte lutje familjare, në mbrëmje dhe në mëngjes, në të cilat shprehej falënderimi për jetën me sfidat dhe mundësitë e saj, dhe në të cilat bëheshin përgjërime për forcë për të kryer punën e ditës. Kujtoheshin njerëzit në nevojë dhe kur familja ngrihej së gjunjëzuari, nëna, që ishte presidentja e Shoqatës së Ndihmës së lagjes, e ngarkonte kaloshinën për ta ndarë ushqimin me njerëzit në nevojë, me birin e saj më të madh si karrocier. Ato mësime nuk u humbën kurrë.”2

Mësime të Fituara nga Prindërit Besnikë

Ato mësime për të punuarin shumë, bashkimin familjar, shërbimin dhe për të jetuarin e ungjillit filluan të përforcohen një ditë kur prindërit e Ezras 12-vjeçar erdhën në shtëpi nga një mbledhje e Kishës me lajme të papritura. Presidenti Benson më vonë kujtoi:

“Teksa babai e ngiste kalin drejt shtëpisë, nëna hapi postën dhe, për befasinë e tyre, kishte një letër nga Kutia B në Solt-Lejk-Siti – një thirrje për të shkuar në mision. Nuk pyetej nëse dikush ishte gati, i gatshëm, ose i aftë për të shkuar. Peshkopi supozohej që e dinte dhe peshkopi ishte gjyshi Xhorxh T. Benson, ati i babait tim.

Teksa nëna dhe babai u futën në oborr, ata të dy po qanin – diçka që nuk e kishim parë kurrë në familjen tonë. Ne u mblodhëm rreth kaloshinës – ishim shtatë veta në atë kohë – dhe i pyetëm se çfarë nuk shkonte.

Ata thanë: ‘Gjithçka në rregull’.

‘Po përse po qani atëherë?’ i pyetëm.

‘Ejani në dhomën e ndenjes dhe do t’ua shpjegojmë.’

U mblodhëm rreth divanit të vjetër në dhomën e ndenjes dhe babai na tregoi për thirrjen e tij të misionit. Pastaj nëna tha: ‘Jemi krenarë të dimë se babai shihet i denjë për të shkuar në mision. Po qajmë pakëz, sepse kjo do të thotë dy vjet ndarje. Ju e dini, babai juaj dhe unë, nuk jemi ndarë kurrë më tepër se dy net rresht që nga martesa jonë – dhe kjo ishte kur babai kishte ikur në kanion për të marrë trungje, hunj dhe dru zjarri.’”3

Me të atin në mision, Ezra mori përsipër shumë prej përgjegjësisë për të drejtuar fermën e familjes. Ai “bëri punën e një burri, edhe pse ishte vetëm një djalosh”, kujtonte më vonë motra e tij, Margarita. “Ai zuri vendin e babait për afro dy vjet”.4 Nën udhëheqjen e Sarës, Ezra dhe vëllezërit e motrat e tij punonin së bashku, luteshin së bashku dhe lexonin letrat e babait së bashku. Shtatëdhjetë e pesë vite më vonë, Presidenti Benson reflektoi mbi bekimet që i erdhën familjes së tij për shkak se i ati shërbeu në një mision:

“E marr me mend se disa njerëz në botë mund të thonë se pranimi i asaj thirrjeje ishte vërtetim i asaj se ai nuk e donte me të vërtetë familjen e tij. Të lësh vetëm shtatë fëmijë dhe një grua shtatzënë në shtëpi për dy vjet, si mund të ishte ajo dashuri e vërtetë?

Por babai im dinte një këndvështrim më të gjerë të dashurisë. Ai e dinte se ‘të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë’ [Romakëve 8:28]. Ai e dinte se gjëja më e mirë që mund të bënte për familjen e tij ishte t’i bindej Perëndisë.

Edhe pse na mori malli jashtë mase për të gjatë atyre viteve dhe edhe pse mungesa e tij i solli sfida të shumta familjes sonë, pranimi i tij u vërtetua se ishte një dhuratë e dashurisë hyjnore. Babai shkoi në misionin e tij, duke e lënë nënën në shtëpi me shtatë fëmijë. (I teti u lind katër muaj pasi ai mbërriti në terrenin e misionit.) Por në atë shtëpi erdhi një frymë e punës misionare që nuk u largua kurrë më. Kjo nuk u bë pa disa sakrifica. Babait iu desh të shiste fermën tonë të vjetër pa sistem ujitës për të financuar misionin e tij. Atij iu desh të vendoste një çift të martuar në një pjesë të shtëpisë sonë që ata të kujdeseshin për të lashtat dhe u la djemve dhe gruas së tij përgjegjësinë për fushat e kashtës, kullotat dhe një kope të vogël me lopë qumështi.

Letrat e babait qenë vërtet një bekim për familjen tonë. Ne fëmijëve na dukej sikur ato vinin nga ana tjetër e botës, por ato vinin thjesht nga Springfildi në Masaçusets; dhe Çikago në Ilinois; dhe Sidër Rapids dhe Marshalltaun në Ajoua. Po, në shtëpinë tonë, si rrjedhim i misionit të babait, erdhi një frymë e punës misionare që nuk u largua kurrë më.

Më vonë familja u rrit deri në njëmbëdhjetë fëmijë – shtatë djem dhe katër vajza. Që të shtatë djemtë kryen misione, disa prej tyre dy ose tre misione. Më vonë, dy vajza dhe bashkëshortët e tyre kryen misione kohëplotë. Dy motrat e tjera, të dyja vejusha – njëra nënë e tetë fëmijëve dhe tjetra nënë e dhjetë fëmijëve – shërbyen si shoqe misioni në Birmingam të Anglisë.

Ajo është një trashëgimi që vazhdon ende ta bekojë familjen Benson, madje deri në brezat e tretë dhe të katërt. A nuk ishte kjo me të vërtetë një dhuratë dashurie?”5

Shërbimi në Kishë Kur Ishte i Ri

I frymëzuar nga shembulli i prindërve të tij dhe i shtyrë nga vetë dëshira e tij për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Zotit mbi tokë, Ezra Taft Bensoni i pranoi me entuziazëm thirrjet për të shërbyer. Kur ishte 19 vjeç, peshkopi i tij, i cili ishte edhe gjyshi i tij, i kërkoi të shërbente si njëri prej udhëheqësve të rritur për 24 të rinj të lagjes. Të rinjtë merrnin pjesë në organizatën e Skautistëve të Amerikës dhe Ezra shërbeu si ndihmësmësues i Skautistëve.

Në këtë thirrje, njëra nga përgjegjësitë e shumta të Ezrës ishte që t’i ndihmonte të rinjtë të këndonin në kor. Nën udhëheqjen e tij, të rinjtë fituan një konkurs me koret nga lagje të tjera në kunjin e tyre, duke u kualifikuar kështu për një konkurs krahinor. Për t’i shtyrë ata që të bënin prova dhe të këndonin sa më mirë që mundeshin, Ezra u premtoi se nëse do ta fitonin konkursin krahinor, ai do t’i çonte në një ngjitje 56 km në malet drejt një liqeni. Plani pati sukses – të rinjtë nga Uitni fituan.

“Ne filluam të planifikonim ngjitjen tonë”, rrëfeu Presidenti Benson, “dhe gjatë mbledhjes një djalë i vogël 12-vjeçar ngriti dorën dhe tha shumë zyrtarisht: ‘… Do të doja të bëja një propozim’. … I thashë: ‘Dakord, çfarë?’ Ai tha: ‘Do të doja të bëja një propozim, që të gjithë ne t’i qethim flokët që të mos bezdisemi me krehra e furça flokësh në këtë udhëtim’.”

Si përfundim, të gjithë të rinjtë ranë dakord që t’i prisnin flokët shkurt në përgatitje për ngjitjen e tyre. Ata u bënë më entuziastë për idenë kur njëri prej tyre sugjeroi që edhe mësuesit skautistë t’i pritnin flokët e tyre. Presidenti Benson vazhdoi:

“Dy mësuesit skautistë zunë vend në karrigen e berberit ndërkohë që berberi me shumë gaz kalonte gërshërët në secilën kokë. Teksa iu afrua fundit të punës, ai tha: ‘Tani, nëse ju djema do të më lini t’jua rruaj kokat, unë do ta bëja atë falas’. Dhe kështu u nisëm në atë ngjitje – 24 djem me koka të qethura dhe dy mësues skautistë me koka të rruajtura.”

Duke reflektuar për përvojat e tij me të rinjtë në lagjen e tij, Presidenti Benson tha: “Një prej gëzimeve të të punuarit me djemtë është fakti se e merr vërtet shpërblimin tënd ndërkohë që kryen punën. Ke mundësi t’i vëzhgosh rezultatet e udhëheqjes sate çdo ditë teksa punon me ta përgjatë viteve dhe i shikon të rriten drejt burrërisë së fuqishme, duke i pranuar me dëshirë sfidat dhe përgjegjësitë e saj. Një kënaqësi e tillë nuk mund të blihet kundrejt asnjë çmimi; ajo duhet të fitohet përmes shërbimit dhe përkushtimit. Ç’gjë e lavdishme është të kesh qoftë edhe një pjesë të vogël në të ndihmuarit e zhvillimit të djemve drejt të bërit burra, burra të vërtetë.”6

Presidenti Benson nuk i harroi kurrë ata të rinj dhe bëri përpjekje që t’i ruante lidhjet me ta. Shumë vjet pas asaj ngjitjeje prej 56 km, ai e vizitoi lagjen e Uitnit si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe foli me një grup të vogël prej tyre. Ata qenë në gjendje t’i thonin se 22 nga 24 vetat kishin qëndruar besnikë në Kishë. Ata i kishin humbur lidhjet me dy të tjerët. Presidenti Benson si përfundim i gjeti ata dy burra, i ndihmoi të ktheheshin në aktivitet në Kishë dhe kreu vulosjet e tyre në tempull.7

Shoqërimi me Florën

Në vjeshtën e vitit 1920, Ezra shkoi në Logan të Jutës, rreth 40 km larg nga Uitni, për t’u regjistruar në Kolegjin Bujqësor të Jutës (tani Universiteti Shtetëror i Jutës). Ai ishte me disa shokë kur i kapi syri një vajzë të re. Më vonë ai kujtoi:

“Ishim pranë godinave të baxhos kur një e re – shumë tërheqëse dhe e bukur – kaloi pranë me makinën e saj të vogël rrugës për në dyqanin e bulmetit që të merrte ca qumësht. Kur djemtë ia bënë me dorë, ajo ua ktheu përshëndetjen. U thashë: ‘Kush është ajo vajzë?’ Ata thanë: ‘Ajo është Flora Amusen’.

U thashë: ‘E dini, sapo pata përshtypjen se do të martohem me të’.

Miqtë e Ezrës qeshën me deklaratën e tij duke thënë: “Ajo është tepër e njohur për t’u shoqëruar me një djalë ferme”. Por ai ishte i palëkundur. “Kjo e bën gjithçka më interesante”, u përgjigj ai.

Pamja
Flora Smith Amussen at college graduation Mrs. Ezra Taft Benson

Flora Amusen, përpara se të martohej me Ezra Taft Bensonin

Jo shumë kohë pas kësaj bisede, Flora dhe Ezra u takuan për herë të parë në Uitni, ku ajo ishte ftuar për të ndenjur me një nga kushërirat e Ezrës. Dhe shpejt pas kësaj, Ezra e ftoi atë një mbrëmje vallëzimi. Ajo pranoi dhe dalje të tjera në takime çuan në atë që ata më pas e quajtën një “shoqërim i mrekullueshëm”. Por shoqërimi i tyre u ndërpre – dhe, në shumë mënyra, u forcua – kur Ezra mori një thirrje për të shërbyer si misionar kohëplotë në Misionin Britanik.

Gjatë përgatitjes për misionin e Ezrës, ai dhe Flora folën rreth marrëdhënies së tyre. Ata dëshironin që miqësia e tyre të vazhdonte, por e pranonin gjithashtu edhe nevojën që kishte Ezra për të qenë një misionar i përkushtuar. “Përpara se të ikja, unë dhe Flora kishim vendosur të shkruanim [letra] vetëm një herë në muaj”, tha ai. “Ne vendosëm edhe që letrat tona të ishin letra inkurajimi, besimi dhe lajmesh të reja. Ne bëmë pikërisht atë.”8

Dy Misionarë

Misioni Britanik, i cili kishte qenë një terren kaq frytdhënës për misionarët e hershëm shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ishte i ndryshëm për Plakun Benson dhe shokët e tij. Kundërshtarë në Ishujt Britanikë, përfshirë disa klerikë, kishin nxitur një urrejtje të shpërndarë gjerësisht drejt shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, duke botuar artikuj, novela, drama e filma kundër mormonëve. Plaku Benson ishte pa dyshim i trishtuar nga ndjenjat e hidhura të njerëzve rreth ungjillit të rivendosur, por ai nuk lejoi që sprova të tilla t’ia dobësonin besimin. Në fakt, ai shkroi në ditarin e tij rreth të rinjve të vendit që i përqeshnin atë dhe shokët e tij duke bërtitur: “Mormonë!” Përgjigjja e tij e pathënë ishte: “Falë Zotit që jam një i tillë.”9

Përveç ndarjes së ungjillit me njerëz që nuk ishin anëtarë të Kishës, Plaku Benson shërbeu si udhëheqës i priftërisë dhe si nëpunës mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Britaninë e Madhe. Këto mundësi të larmishme për të shërbyer çuan në përvoja të ëmbla, në kundërshtim të hapur me vështirësitë që hasi shpesh. Plaku Benson pagëzoi e konfirmoi disa njerëz dhe ndihmoi shumë të tjerë të vinin më pranë Zotit. Për shembull, ai tregoi për një rast kur, në një mbledhje të veçantë, të organizuar nga anëtarë besnikë të Kishës, ai u drejtua nga Shpirti që të fliste në një mënyrë që i ndihmoi miqtë e anëtarëve të merrnin dëshmi se Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë.10 Ai shënoi se ai dhe një shok i misionit i dhanë njëherë një bekim priftërie një gruaje të sëmurë rëndë e cila e mori veten rreth 10 minuta më vonë.11 Ai u gëzua kur, si nëpunës, zbuloi shenjtorë, emrat e të cilëve ishin në dokumentet e Kishës, por që u kishin humbur udhëheqësve vendorë.12 Ai mori trajnim të vlefshëm udhëheqjeje, duke shërbyer nën drejtimin e dy presidentëve të misionit që ishin edhe anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: Plakut Orson F. Uitni dhe Dejvid O. Mek-Kei.

Plaku Benson ishte mirënjohës për mbrojtjen e Zotit ndërkohë që predikonte ungjillin. Një natë, ai dhe shoku i tij u rrethuan nga një turmë burrash që i kërcënuan se do t’i hidhnin në lumë. Ai u lut në heshtje për ndihmë. Pastaj, siç raportoi ai më vonë, “një i huaj muskuloz çau rrugën përmes turmës drejt meje. Më pa drejt e në sy dhe tha me një zë të fortë e të qartë: ‘Djalosh, unë e besoj çdo fjalë që ti the sonte’. Kur ai foli, rrethi i vogël rrotull meje u boshatis. Kjo për mua qe një përgjigje e drejtpërdrejtë për lutjen time. Pastaj ia behu një polic britanik.”13

Kur Plaku Benson nuk ishte duke u shërbyer të tjerëve gjallërisht, ai “vazhdonte të përparonte duke ‘përpirë Librin e Mormonit’, veçanërisht përvojat misionare të bijve të Mosias.”14 Ai mori ngushëllim dhe mbështetje edhe nëpërmjet letrave nga shtëpia, të cilat tha se i “lexonte në mënyrë të përsëritur”. Duke sjellë ndërmend misionin e tij, ai komentoi: “Nëna dhe babai ma derdhnin zemrën e tyre në letra dhe ishin një forcë e vërtetë për mua si i ri. [Letrat] e Florës ishin plot shpirt dhe inkurajim, kurrë me ndonjë përmbajtje sentimentale. Mendoj se ai fakt e shtoi dashurinë dhe vlerësimin tim për të më tepër se çdo gjë.”15

Plaku Benson e mori lirimin e tij nga shërbimi misionar kohëplotë më 2 nëntor 1923. Ai qe ngurrues për t’u larguar, duke thënë se dhënia e lamtumirës “shenjtorëve të mirë e të dashur” në Britaninë e Madhe ishte “pjesa më e vështirë e misionit të [tij].”16 Prapëseprapë, ishte i lumtur me perspektivën për t’u bashkuar me familjen e tij dhe mezi priste të shihte Florën.

Edhe Flora mezi priste ta shihte Ezrën. Por ajo bëri më tepër sesa të priste me dëshirë të ardhmen e afërt të kalimit të kohës me të. Ajo me të vërtetë mezi e priste – të ardhmen e tij dhe potencialin e tij. Që nga koha kur ishte adoleshente, ajo kishte pohuar se do t’i “pëlqente të martohej me një fermer”17 dhe ishte e lumtur me dëshirën e dukshme të Ezrës për t’u vendosur në fermën e familjes në Uitni të Ajdahos. Sidoqoftë, ajo ndiente se fillimisht ai duhej të përfundonte arsimimin e tij. Ajo tha më vonë: “[Unë] u luta dhe agjërova që Zoti të më ndihmonte për të ditur se si mund ta ndihmoja atë që të jepte shërbimin më të madh ndaj bashkëqenieve të tij. U bëra e ndërgjegjshme se nëse peshkopi mendonte se isha e denjë, [ai do të] më thërriste në mision. Kisha ishte e para për Ezrën, ndaj e dija që ai nuk do të thoshte asgjë kundër tij.”18

Ezra u habit kur, pasi ai dhe Flora filluan daljen në takime sërish, ajo i tha se kishte pranuar një thirrje për të shërbyer një mision në Ishujt Havajanë. Ajo u veçua më 25 gusht 1924 dhe u nis të nesërmen. Pikërisht pas largimit të saj, Ezra shkroi në ditarin e tij: “Ishim të dy të lumtur, sepse e ndienim që e ardhmja ruante shumë gjëra për ne dhe se kjo ndarje do të na shpërblehej më vonë. Megjithatë, është e vështirë ta shikosh shpresën tek copëtohet. Por, edhe pse ndonjëherë qamë për atë, ne morëm siguri nga Ai, i cili na tha se do të ishte e gjitha për më të mirën.”19

E gjitha ishte vërtet për më të mirën. Flora ishte, sipas fjalëve të presidentit të saj të misionit, “një misionare shumë e mirë dhe energjike”20 që ia dha “zemrën, shpirtin, kohën dhe talentet e saj punës së Zotit”21. Ajo mbikëqyri organizatën e Fillores në disa zona të misionit, u dha mësim fëmijëve në një shkollë fillore, shërbeu në tempull dhe mori pjesë në përpjekjet për t’i forcuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme të vendit. Ajo madje shërbeu për njëfarë kohe si shoqe misioni për nënën e saj të ve, Barbara Amusenin, e cila u thirr për një mision afatshkurtër. Së bashku, kjo dyshe nënë e bijë takuan një burrë që ishte bashkuar me Kishën vite më parë në Shtetet e Bashkuara për shkak të përpjekjeve të babait të Florës, Karl Amusenit. I kthyeri në besim që nga ajo kohë ishte larguar nga aktiviteti në Kishë, por Flora dhe e ëma e shoqëruan atë dhe e ndihmuan të kthehej në Kishë.22

Ndërkohë që Flora ishte larg, Ezra e mbajti veten të zënë me punë. Ai dhe vëllai i tij, Orvali, blenë fermën e familjes dhe vazhduan arsimimin e tyre. Për një kohë, Ezra ndoqi Universitetin Brigam Jang në Provo të Jutës, ndërkohë që Orvali qëndroi në Uitni për t’u kujdesur për fermën. Ata ranë dakord se pasi Ezra të mbaronte shkollën, ai do të kthehej në fermë ndërkohë që Orvali do të shërbente në mision dhe përfundonte shkollimin e tij. I vendosur për ta mbaruar shpejt UBJ-në, Ezra ndoqi një program të ngjeshur orësh mësimore. Ai mori pjesë edhe në veprimtari shoqërore në universitet, përfshirë mbrëmje vallëzimi, festa dhe shfaqje teatrale.

Pamja
President Ezra Taft Benson in cap and gown, graduation

Ezra Taft Bensoni kur u diplomua nga Universiteti Brigam Jang në vitin 1926

Edhe pse Ezra u votua “Djali më i Njohur i UBJ-së” gjatë vitit të tij të fundit të shkollës, askush nuk mundi t’ia rrëmbente vëmendjen nga Flora. Më vonë ai tha se kur ajo e mbaroi misionin në qershor 1926, ai ishte në “ankth” për ta parë, megjithëse këmbëngulte se nuk kishte qenë duke “pritur” që ajo të kthehej.23 Ai u diplomua me nder vetëm pak muaj përpara se ajo të kthehej.

Fillimi i Jetës së Bashku

Një muaj pasi Flora u kthye nga misioni, ajo dhe Ezra shpallën fejesën e tyre. Disa njerëz vazhduan ta vinin në dyshim gjykimin e Florës. Ata nuk e kuptonin përse dikush kaq e arritur, e pasur dhe e njohur do të mjaftohej me një djalë ferme. Por ajo vazhdonte të thoshte se kishte “dëshiruar gjithnjë të martohej me një fermer”24. Ezra “ishte praktik, i ndjeshëm dhe i fortë”, thoshte ajo. Dhe, ajo vëzhgoi: “Ai ishte i dashur me prindërit e tij dhe e dija se, nëse i respektonte ata, do të më respektonte mua”.25 Ajo e dalloi se ai ishte “një diamant i papërpunuar” dhe tha: “Do të bëj gjithçka që është brenda fuqisë sime që ta ndihmoj atë të njihet e të dëgjohet për mirë, jo vetëm në këtë komunitet të vogël, por që ta njohë e gjithë bota.”26

Flora dhe Ezra u vulosën më 10 shtator 1926 në tempullin e Solt-Lejk-Sitit nga Plaku Orson F. Uitni i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Festimi i vetëm pas martesës ishte një ngrënie mëngjesi me familjen dhe miqtë. Pas mëngjesit, çifti i ri u largua menjëherë me kamionin e tyre Model T-Ford për në Ejms të Ajouas ku Ezra ishte pranuar në një program masteri për shkencën e ekonomisë bujqësore në Kolegjin e Bujqësisë dhe të Shkencave Mekanike të Shtetit të Ajouas (tani Universiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë i Shtetit të Ajouas).

Shumica e udhëtimit të tyre qe nëpër rrugë të pluhurosura dhe nëpër krahinave rrallë të banuara. Përgjatë rrugës, ata kaluan tetë net në një tendë që pikonte. Kur mbërritën në Ejms, ata morën me qira një apartament që ishte rreth 100 metra larg godinave të kolegjit. Apartamenti ishte i vogël dhe çifti Benson e ndante vendin me një familje të madhe buburrecësh, por Ezra tha se “shpejt ajo u duk si shtëpiza më e rehatshme që dikush mund ta përfytyronte ndonjëherë”.27 Ezra iu përkushtua sërish arsimimit të tij. Më pak se një vit më vonë, pas orësh të panumërta studimesh, leksionesh dhe shkrimi, ai e mori diplomën e masterit. Çifti, që tani po priste foshnjën e parë, u kthye në fermën e familjes Benson në Uitni.

Drejtpeshimi i Mundësive Profesionale dhe i Thirrjeve në Kishë

Kur çifti Benson u kthyen në Uitni, Ezra u përfshi plotësisht në punët e përditshme të fermës, që përbënin mjeljen e lopëve, rritjen e derrave dhe të pulave, si dhe rritjen e panxharit të sheqerit, grurit, jonxhës dhe drithërave të tjera. Orvali u thirr për të shërbyer një mision kohëplotë në Danimarkë.

Në më pak se dy vjet më vonë, udhëheqësit vendorë të qeverisë i ofruan Ezrës një punë si përgjegjësi i kontesë për bujqësinë. Me nxitjen e Florës, Ezra e pranoi vendin e punës, edhe pse kjo nënkuptonte largimin nga ferma dhe shpërnguljen në qytetin e afërt të Prestonit. Ai punësoi një fermer vendor për ta drejtuar fermën derisa të kthehej Orvali.

Përgjegjësitë e reja të Ezrës përfshinin këshillimin me fermerët vendorë mbi çështje që preknin prodhimtarinë e tyre. Më shumë se gjithçka, ai ndiente se fermerët kishin nevojë për aftësi më të mira reklamimi – diçka që u bë gjithnjë e më e rëndësishme pas fillimit të Depresionit të Madh dhe diçka që ai, me arsimimin e tij për ekonominë bujqësore, ishte në gjendje ta siguronte. Ai i nxiti fermerët të merrnin pjesë në shoqëri bashkëvepruese fermerësh, që do t’i ndihmonin ata të shkurtonin kostot dhe të merrnin çmimet më të mira për punën.28

Aftësitë e Ezras si drejtues bujqësie prodhuan mundësi të tjera punësimi. Nga viti 1930 deri në 1939, ai punoi si ekonomist dhe specialist për bujqësinë në Sektorin e Zgjerimit të Universitetit të Ajdahos në Boisi, kryeqytetin e shtetit të Ajdahos. Ato përgjegjësi u ndërprenë në periudhën midis gushtit 1936 dhe qershorit 1937, kur Bensonët u shpërngulën për në Kaliforni, në mënyrë që Ezra të mund të studionte shkencën e ekonomisë bujqësore në Universitetin e Kalifornisë në Bërkli.

Edhe me përgjegjësitë e ngutshme në punë e në shtëpi, Ezra dhe Flora Benson gjetën kohë për të shërbyer në Kishë. Në Uitni, Preston dhe Boisi, ata u thirrën për t’i dhënë mësim rinisë dhe për ta udhëhequr atë.29 Ata i përqafuan këto thirrje me entuziazëm, duke besuar se “të rinjtë janë e ardhmja jonë”30. Ezra pati edhe mundësi për të ndihmuar në punën misionare vendore.31 Në Boisi, Ezra u thirr që të shërbente si këshilltar në një presidencë kunji. Ai madje vazhdoi në atë pozicion gjatë kohës që ai dhe familja e tij jetuan në Kaliforni. Kunji i Boisit u rrit me shpejtësi dhe në nëntor 1938, Plaku Melvin J. Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve e ndau kunjin në tre kunje. Ezra Taft Benson u thirr për të shërbyer si njëri prej presidentëve të kunjit.

Në janar të vitit 1939, Ezra u befasua kur iu ofrua pozicioni i sekretarit ekzekutiv për Këshillin Kombëtar të Kooperativave të Fermerëve në Uashington të D. K.-së. Ai u këshillua me Florën rreth kësaj mundësie. Ngaqë ishte veçuar si president kunji vetëm dy muaj më parë, ai komunikoi edhe me Presidencën e Parë për t’iu kërkuar këshillë. Ata e nxitën ta pranonte pozicionin, ndaj ai dhe familja e tij u thanë lamtumirë miqve të tyre në Boisi në mars të vitit 1939 dhe u shpërngulën në Bethesda të Merilendit, pranë Uashington të D. K.-së. Në qershor të vitit 1940, ai u thirr për të shërbyer si president kunji përsëri, këtë herë në kunjin e sapoorganizuar të Uashingtonit në Uashington të D. K.-së.

Një Familje e Dashur, e Bashkuar

Ezra dhe Flora Benson e kujtonin gjithnjë rëndësinë e përjetshme të marrëdhënies me njëri-tjetrin dhe të marrëdhënieve me fëmijët e tyre, me prindërit e tyre që po plakeshin dhe me vëllezërit e motrat e tyre. Theksi i tyre për mbajtjen e një familjeje të bashkuar ishte më tepër sesa një ndjenjë detyre; ata e donin sinqerisht njëri-tjetrin dhe dëshironin të ishin bashkë – në këtë jetë dhe gjatë gjithë përjetësive.

Përgjegjësitë e shumta të Ezrës në thirrjet e Kishës dhe detyrat profesionale shpesh e çuan atë larg shtëpisë. Ndonjëherë shprehjet e fëmijëve të vegjël e theksonin këtë fakt. Për shembull, kur u nis për një mbledhje në kishë një të diel, e bija, Barbara, i tha: “Mirupafshim, babi. Dhe eja prapë të na vizitosh ndonjëherë.”32 Ishte një sfidë për Florën që t’i rriste gjashtë fëmijët e tyre me të shoqin larg kaq shpesh dhe me raste ajo e pranonte se ishte ndier “e vetmuar dhe paksa e shkurajuar”.33 Prapëseprapë, gjatë gjithë kësaj, ajo u gëzohej roleve të saj si bashkëshorte e nënë dhe ishte e kënaqur me përkushtimin e të shoqit ndaj Zotit dhe familjes. Në një letër për Ezrën, ajo shkroi: “Si zakonisht, ditët duken muaj që kur ike. … [Por] nëse të gjithë njerëzit … do ta donin e jetonin fenë e tyre sikurse ti, do të kishte shumë pak hidhërim [e] vuajtje. … Ti je gjithnjë kaq i përkushtuar ndaj familjes tënde dhe i gatshëm kurdoherë për t’iu dhënë ndihmë njerëzve të tjerë në nevojë.”34

Ezra e tregonte përkushtimin e tij sa herë që ishte në shtëpi. Ai gjente kohë për të qeshur e luajtur me gjashtë fëmijët e tij, për t’i dëgjuar ata, për t’iu kërkuar mendime rreth çështjeve të rëndësishme, për t’iu mësuar ungjillin, për të ndihmuar me punët e shtëpisë dhe për të kaluar kohë me secilin prej tyre më vete. Fëmijët gjetën ngushëllim dhe forcë në dashurinë e përbashkët të prindërve të tyre për ta. (Ngaqë familja ishte kaq e rëndësishme për Ezra Taft Bensonin, ky libër përmban dy kapituj me mësimet e tij mbi këtë temë. Ata kapituj, të titulluar “Martesa dhe Familja – Të Shuguruara nga Perëndia” dhe “Thirrjet e Shenjta të Etërve dhe Nënave”, përfshijnë kujtime nga fëmijët Benson rreth shtëpisë së dashur të fëmijërisë së tyre.)

Thirrja për të Qenë Apostull

Në verën e vitit 1943, Ezra u largua nga Merilendi me birin e tij, Ridin, për të vizituar disa kooperativa fermerësh në Kaliforni, si pjesë e përgjegjësive të tij me Këshillin Kombëtar të Kooperativave të Fermerëve. Ai planifikoi gjithashtu të takohej me udhëheqës të Kishës në Solt-Lejk-Siti dhe të vizitonte pjesëtarë të familjes në Ajdaho.

Më 26 korrik, pasi i kishin përmbushur synimet e udhëtimit të tyre, ata u kthyen në Solt-Lejk-Siti përpara se të niseshin për në shtëpi. Ata mësuan se Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, të cilin Ezra e kishte takuar më pak se dy javë më parë, e kishte kërkuar atë. Ezra e mori në telefon Presidentin Mek-Kei, i cili i tha se Presidenti Hibër J. Grant, Presidenti i Kishës në atë kohë, dëshironte të takohej me të. Ezra dhe Ridi u çuan me makinë në shtëpinë verore të Presidentit Grant pak minuta larg nga qendra e Solt-Lejk-Sitit. Kur mbërritën, “Ezrës i treguan menjëherë rrugën për në dhomën e gjumit të Presidentit Grant, ku po pushonte profeti i moshuar. Me kërkesën e Presidentit, Ezra e mbylli derën dhe iu afrua, duke u ulur në një karrige pranë shtratit. Presidenti Grant e mori dorën e djathtë të Ezrës me dy duart e tij dhe, me lot që i mbushën sytë, tha thjesht: ‘Vëllai Benson, të përgëzoj me gjithë zemër dhe lutem që bekimet e Perëndisë të të ndjekin. Ti je zgjedhur si anëtari më i ri i Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve.’”35

Në ditarin e tij, Ezra rrëfeu përvojën:

“Njoftimi dukej i pabesueshëm dhe shumë prekës. … Për disa minuta, [unë] munda të thoja vetëm: ‘O, Presidenti Grant, s’është e mundur!’, gjë të cilën duhet ta kem përsëritur disa herë përpara se të isha në gjendje ta përmblidhja veten aq sa të kuptoja atë që kishte ndodhur. … Ai ma mbajti dorën për një kohë të gjatë ndërkohë që të dy derdhnim lot. … Për më tepër se një orë ndenjëm vetëm të dy, pjesën më të madhe të kohës me duart tona të shtrënguara ngrohtësisht së bashku. Megjithëse [ishte] i pafuqishëm, mendjen e kishte të kthjellët e vigjilente dhe mua më la mbresa të thella shpirti i tij i ëmbël, i dashur dhe i përulur teksa dukej se shikonte brenda shpirtit tim.

U ndjeva kaq i dobët dhe i padenjë saqë fjalët e tij të ngushëllimit e të sigurimit që pasuan qenë padyshim të mirëpritura. Mes të tjerash, ai pohoi: ‘Zoti ka një mënyrë për t’i lartësuar burrat që thirren në detyra udhëheqjeje’. Kur në dobësinë time isha në gjendje të pohoja se e doja Kishën, ai tha: ‘Ne e dimë këtë dhe Zoti dëshiron burra që do të japin gjithçka për punën e Tij’.”36

Pas kësaj interviste, Ezra dhe Ridi u çuan me makinë në shtëpinë e Presidentit Mek-Kei. Rrugës, Ezra nuk tregoi asgjë rreth përvojës me Presidentin Grant dhe Ridi nuk bëri pyetje. Kur mbërritën në shtëpinë e tij, Presidenti Mek-Kei i tregoi Ridit atë që kishte ngjarë. Pastaj Ezra dhe Ridi u përqafuan.

Ezrën nuk e mbante vendi atë natë ndërsa ai dhe Ridi filluan udhëtimin e tyre me tren për në shtëpi. Të nesërmen, ai i telefonoi Florës dhe i tregoi për thirrjen e tij për t’u bërë Apostull. “Ajo tha se sa e mrekullueshme i dukej dhe shprehu sigurinë e saj të plotë se mund të isha në lartësinë e duhur”, kujtonte ai. “Të folurit me të më dha shumë siguri. Ajo ka treguar gjithnjë më tepër besim tek unë sesa kam unë te vetja ime.”37

Gjatë disa javëve të ardhshme, Ezra dhe Flora morën masat e duhura për tʾu shpërngulur në Juta dhe Ezra bëri gjithçka mundi për të siguruar një kalim të qetë në detyrë për pasuesin e tij në Këshillin Kombëtar të Kooperativave të Fermerëve. Ai dhe Spenser W. Kimball u mbështetën si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 1 tetor 1943 dhe u shuguruan Apostuj më 7 tetor, me Plakun Kimball duke u shuguruar i pari.

Kështu filloi shërbesa e Ezra Taft Bensonit si një nga “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23).

Pamja
Quorum of the Twelve ca. 1950 [Back Row Left to Right: Delbert L. Stapley, Henry D. Moyle, Matthew Cowley, Mark E. Petersen, Harold B. Lee, Ezra Taft Benson, Spencer W. Kimball; Front Row Left to Right: John A. Widtsoe, Stephen L. Richards, David O. McKay, Joseph Fielding Smith, Joseph F. Merrill, A.E. Bowen.

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, diku midis tetorit 1950 dhe prillit 1951. Në këmbë, nga e majta në të djathtë: Delbert L. Stepli; Henri D. Mojli; Metju Kaulli; Mark E. Pitersen; Harold B. Li; Ezra Taft Benson; Spenser W. Kimball. Ulur, nga e majta në të djathtë: Xhon A. Uidtso; Stefën L. Riçards; Dejvid O. Mek-Kei, President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve; Josef Fillding Smith, President Veprues; Xhozef F. Merrill; Albert E. Bouen.

Sigurimi i Ushqimit, Veshmbathjes dhe Shpresës në Evropën e pas Luftës

Më 22 dhjetor 1945, Presidenti Xhorxh Albert Smith, Presidenti i Kishës në atë kohë, mbajti një mbledhje të veçantë për Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Ai njoftoi se Presidenca e Parë ishte ndier e frymëzuar që të dërgonte një Apostull për të kryesuar mbi Misionin Europian dhe për të mbikëqyrur përpjekjet e Kishës atje. Lufta II Botërore kishte përfunduar në fillim të atij viti dhe shumë kombe europiane sa po fillonin ta merrnin veten nga shkatërrimi i kudogjendur e dërrmues i luftës. Presidenca e Parë ndjeu se Plaku Ezra Taft Benson ishte njeriu i duhur për ta bërë punën.

Ky lajm erdhi si një “tronditje e madhe” për Plakun Benson, i cili ishte anëtari më i ri në radhë dhe në moshë i kuorumit. Njësoj si thirrja e të atit për mision 34 vjet më parë, ky caktim do të kërkonte që ai të ndahej nga familja e tij e re. Presidenca e Parë nuk mund të thoshte se për sa kohë do të qëndronte ai larg. Sidoqoftë, ai i siguroi ata se e shoqja dhe fëmijët do ta mbështetnin dhe shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të shërbyer.38 Më vonë ai e përshkroi detyrën që kishte pranuar:

“Përmasa e saj dukej dërrmuese. Ata [Presidenca e Parë] na dhanë një detyrë me katër qëllime: E para, të kujdeseshim për çështjet shpirtërore të Kishës në Europë; e dyta të punonim për të vënë në dispozicion ushqim, veshmbathje dhe shtresa e mbulesa për shenjtorët tanë që vuanin në të gjitha pjesët e Europës; e treta, të drejtonim riorganizimin e misioneve të ndryshme të Europës; dhe e katërta, të përgatiteshim për kthimin e misionarëve në ato vende”.39 Por Presidenti Smith i dha atij këtë premtim ngushëllues: “Nuk jam aspak i shqetësuar për ty. Do të jesh po aq i sigurt atje sa kudo tjetër në botë, në qoftë se kujdesesh për veten, dhe do të jesh në gjendje të përmbushësh një punë të madhe.”40

Plaku Benson e përshkroi përvojën kur ua tregoi të rejat gruas dhe familjes së tij: “Në një bisedë të ëmbël dhe mbresëlënëse me gruan time, të shenjtëruar nga lotët, Flora shprehu mirënjohje plot dashuri ndaj meje dhe më siguroi për mbështetjen e saj të çiltër. Gjatë ngrënies së darkës u tregova fëmijëve, të cilët u befasuan dhe treguan interes e besnikëri të plotë.”41

Kur Plaku Benson dhe shoku i tij, Frederik W. Babeli, mbërritën në Europë, ata u trishtuan nga sëmundja, varfëria dhe shkatërrimi që panë kudo përreth tyre. Për shembull, në një letër për Florën, Plaku Benson tregoi për nëna që ishin mirënjohëse kur u dhurohej sapun, gjilpëra e pe dhe një portokall. Ato nuk kishin parë gjëra të tilla prej vitesh. Plaku Benson mundi të shihte se, me racionet e pakta që iu ishin dhënë në të shkuarën, ato e kishin “lënë veten të vuanin urie në përpjekje për t’u dhënë më tepër fëmijëve të tyre në një frymë të vërtetë nëne”.42 Ai tregonte për mbledhjet e Kishës në “ndërtesa[t] e bombarduara” dhe në “errësirë thuajse të plotë”.43 Ai tregonte për refugjatë – “qenie të varfra, të padëshiruara … të nxjerrë nga shtëpitë e tyre dikur të lumtura nëpër drejtime të panjohura”.44 Ai tregonte edhe për mrekullitë mes pasojave të tmerrshme të luftës.

Një mrekulli ishte e dukshme në jetën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në mbarë Europën. Rrugës për atje, Plaku Benson pyeste veten se si do ta prisnin shenjtorët. “A do të ishin zemrat e tyre të mbushura me hidhësi? A do të kishte urrejtje atje? A do të kishte vrer ndaj Kishës?” Ai u frymëzua nga ajo që zbuloi:

“Kur vështrova fytyrat e tyre të drejtuara lart, të zbehta, të dobëta, shumë prej këtyre shenjtorëve të veshur me zhele, disa prej tyre këmbëzbathur, unë mund të shihja dritën e besimit në sytë e tyre, ndërsa jepnin dëshmi për karakterin hyjnor të kësaj pune të madhe të ditëve të mëvonshme dhe shprehnin mirënjohjen e tyre për bekimet e Zotit. …

Ne zbuluam se anëtarët tanë kishin vazhduar më tej në një mënyrë të mahnitshme. Besimi i tyre ishte i fortë, përkushtimi i tyre më i madh dhe besnikëria e tyre e pakalueshme. Ne gjetëm shumë pak, nëse pati, hidhësi apo dëshpërim. Pati një frymë shoqërimi e vëllazërie që ishte zgjeruar nga një mision tek tjetri dhe, teksa udhëtonim, shenjtorët na kërkonin t’u çonim të fala vëllezërve e motrave të tyre në vende të tjera, edhe pse kombet e tyre kishin qenë në luftë veçse pak muaj më parë.” Edhe refugjatët “i këndonin këngët e Sionit me … zjarr” dhe “gjunjëzoheshin së bashku në lutje në darkë e në mëngjes dhe jepnin dëshmi … lidhur me bekimet e ungjillit”.45

Një mrekulli tjetër ishte forca e programit të Kishës për mirëqenien. Kjo përpjekje, e cila kishte filluar 10 vjet më parë, u shpëtoi jetën shumë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Europë. Shenjtorët u bekuan, sepse ata vetë i kishin përqafuar parimet e mirëqenies. Ata e ndihmuan njëri-tjetrin në nevojë, duke ndarë ushqime, veshmbathje e furnizime të tjera dhe madje mbollën kopshte në ndërtesat e bombarduara. Ata u bekuan gjithashtu, sepse shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga anë të tjera të botës dhuruan të mira materiale për t’i ndihmuar ata – përafërsisht 2.000 ton furnizime. Plaku Benson tregoi për udhëheqës të Kishës që qanin kur shihnin ushqime bazë që mund t’ua shpërndanin anëtarëve vendorë dhe ai tha se qëndroi përpara bashkësish në të cilat llogaritej se 80 përqind e të gjitha rrobave të veshura ishin dërguar nëpërmjet programit të mirëqenies.46 Në një fjalim që mbajti në një konferencë të përgjithshme, shpejt pas kthimit në shtëpi, ai tha: “Vëllezërit dhe motrat e mia, a ju duhet ndonjë provë e mëtejshme rreth nevojës për këtë program dhe për frymëzimin ku mbështetet ai? … Unë ju them se Perëndia po e drejton këtë program. Ai [program] është i frymëzuar!”47

Pamja
Ezra Taft Benson in Bergen, Norway. Caption: "Inspecting welfare supplies with Pres. Petersen in mission office basement." Collection Summary: Black-and-white views taken during Benson's February-December 1946 mission to postwar Europe to meet with Latter-day Saints, direct distribution of welfare supplies, and arrange for resumption of missionary work.

Plaku Benson, djathtas, duke këqyrur furnizime nga programi i mirëqenies në Bergen të Norvegjisë

Plaku Benson dhe Vëllai Babel përjetuan një mrekulli tjetër të përsëritur kur Zoti e hapi rrugën që ata të udhëtonin mes kombeve të drobitura nga lufta në Europë. Kohë pas kohe, Plaku Benson u kërkonte oficerëve ushtarakë leje që të hynin në krahina të caktuara për t’u takuar me shenjtorët e për të shpërndarë të mira materiale. Kohë pas kohe, ai merrte pak a shumë të njëjtën përgjigje nga ata udhëheqës e të tjerët: “A nuk e kuptoni se këtu ka pasur luftë? Nuk lejohet të hyjë asnjë udhëtar civil.” Dhe kohë pas kohe, pasi i shikonte ata udhëheqës në sy dhe ua shpjegonte me qetësi misionin e tij, ai dhe Vëllai Babel lejoheshin të udhëtonin nëpër vend dhe të përmbushnin atë që Zoti i kishte dërguar të bënin.48

Pas afro 11 muajve, Plaku Benson u zëvendësua nga Plaku Alma Soni, një Ndihmës i Të Dymbëdhjetëve, që shërbeu në Europë me gruan e tij, Lionën. Vëllai Babel qëndroi për ta ndihmuar çiftin Soni. Që nga koha kur Plaku Benson u largua nga Solt-Lejk Siti më 29 janar 1946, deri në kohën kur u kthye më 13 dhjetor 1946, ai udhëtoi gjithsej 98.550 kilometra. Plaku Benson ndiente se misioni kishte qenë një sukses, por qe i shpejtë për të thënë: “Unë e njoh burimin e suksesit që i shoqëroi punët tona. Kurrë, asnjëherë nuk kam ndier se do të ishte e mundur që unë apo bashkëpunëtorët e mi do ta përmbushnin misionin, në të cilin u caktuam, pa fuqinë drejtuese të të Plotfuqishmit.”49 Suksesi i misionit mund të shihej te forca e Kishës në kombet europiane, e organizuar sërish dhe në rritje. Sukses mund të shihej edhe në jetën e shenjtorëve të veçantë – individëve si një burrë që dikur iu afrua Presidentit Tomas S. Monson shumë vite më vonë në një mbledhje në Cvikau të Gjermanisë. Ai i kërkoi Presidentit Monson që t’i bënte të fala Ezra Taft Bensonit. Më pas ai tha me zë të lartë: “Ai më shpëtoi jetën. Ai më dha ushqim për të ngrënë e rroba për t’i veshur. Ai më dha shpresë. Perëndia e bekoftë atë!”50

Patriotizmi, të Qenit Burrë Shteti dhe Shërbimi në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara

Ndërkohë që Plaku Benson ishte larg shtëpisë, atij iu kujtua diçka të cilën e kishte dashur fort që në të ri: nënshtetësinë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga i ati, Xhorxh Taft Benson i Riu, ai kishte mësuar ta donte mëmëdheun e tij dhe parimet mbi të cilat ai ishte themeluar. Ai kishte mësuar se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – dokumenti që qeveriste ligjet e kombit – ishte përgatitur nga burra të frymëzuar. Ai e mbështeti të drejtën e votës dhe gjithnjë kujtonte një bisedë që pati me të atin pas një zgjedhjeje. Xhorxhi kishte mbështetur haptazi një kandidat të caktuar dhe madje ishte lutur për këtë burrë në lutjet familjare. Pasi Xhorxhi mësoi se kandidati i tij e kishte humbur zgjedhjen, Ezra e dëgjoi atë të lutej për burrin që kishte fituar. Ezra e pyeti të atin përse do të lutej për një kandidat që nuk ishte zgjedhja e tij. “Bir”, u përgjigj Xhorxhi, “mendoj se ai do të ketë nevojë për lutjet tona edhe më tepër se sa do të kishte kandidati im”.51

Në prill të vitit 1948, Plaku Benson mbajti fjalimin e tij të parë, nga shumë të tillë, në konferencat e përgjithshme që u përqendrua në “misionin profetik” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rëndësinë e lirisë. Ai dëshmoi se Zoti i kishte përgatitur Shtetet e Bashkuara [të Amerikës] “si djepin e lirisë” në mënyrë që ungjilli të mund të rivendosej atje.52 “Ne jemi pasuesit e Princit të Paqes”, dha mësim ai afër fundit të ligjëratës, “dhe duhet t’ia rikushtojmë jetën tonë përhapjes së të vërtetës e drejtësisë dhe ruajtjes së … lirisë dhe pavarësisë”.53 Në fjalimet vijuese, ai foli për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “baza e veprimeve të Zotit në këto ditë të mëvonshme”.54

Plaku Benson paralajmëroi për kërcënime ndaj lirisë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Ai foli shpesh me forcë kundër “sistemeve shtypëse të bëra nga njeriu” për qeverisje, “që janë në kundërshtim me parimet e përjetshme”.55 Ai paralajmëroi edhe për ndikime të tjera që e kërcënonin lirinë, përfshirë argëtimin e pamoralshëm, mungesën e respektit ndaj ditës së Shabatit, vetëkënaqësinë dhe mësimet e rreme.56 Ai i nxiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo në botë që ta përdornin ndikimin e tyre për të ndihmuar që të siguronin se do të zgjidheshin njerëz të mençur e të mirë në pozicione publike.57 Ai shpalli: “Predikimi frytdhënës i ungjillit mund të lulëzojë vetëm në një atmosferë lirie. Po, ne të gjithë themi se e duam lirinë. Por ajo nuk mjafton. Ne duhet ta mbrojmë e ta mbajmë të sigurt atë të cilën e duam. Ne duhet ta shpëtojmë lirinë.”58

Më 24 nëntor 1952, fjalët e fuqishme të Plakut Benson për patriotizmin u vunë në provë kur ai mori një ftesë për t’i shërbyer atdheut të tij. Ai kishte udhëtuar për në qytetin e Nju-Jorkut me ftesën e Duajt D. Ajzenhauër, i cili sapo ishte zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara. Ajzenhauëri i sapozgjedhur për president po merrte parasysh që Plaku Benson të shërbente në kabinetin e tij – me fjalë të tjera, të ishte një nga këshilluesit e tij më kryesorë – në pozicionin e ministrit të bujqësisë për të gjithë kombin. Plaku Benson ishte i nderuar nga vëmendja. “Por”, më vonë tha: “Nuk e doja atë punë. … Askush me mend në kokë, i thashë vetes, nuk do të donte të ishte Ministri i Bujqësisë në kohë si këto. … Dija diçka për atë që përmbante posti: shkëmbimet e zjarrta copëtuese të fraksioneve, trysnitë e fuqishme dhe problemet e koklavitura. …

Por nuk ishin vetëm problemet dhe trysnitë që më shqetësonin. Ne të gjithë i kemi ato. Si shumë amerikanë, unë ngurroja të përfshihesha aktivisht në politikë. Sigurisht, dëshiroja të shihja burra me ideale të larta e karakter të mirë të zgjidheshin e të caktoheshin për ta drejtuar qeverinë, por ajo ishte tejet e ndryshme nga të zhyturit vetë në të. …

Mbi të gjitha, sidoqoftë, isha më se i kënaqur me punën që po bëja tashmë si një anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve. … As nuk e dëshiroja dhe as nuk e synoja që të bëja një ndryshim.”59

Përpara se të shkonte për të takuar Ajzenhauërin e sapozgjedhur për president, Plaku Benson kishte kërkuar këshillë nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, Presidenti i Kishës në atë kohë. Presidenti Mek-Kei i kishte thënë: “Vëllai Benson, mendja ime është e qartë lidhur me çështjen. Nëse mundësia vjen, me frymën e duhur, mendoj se ti duhet ta pranosh.”60 Kjo këshillë e drejtpërdrejtë, e ndërthurur me dëshirën themelore të Plakut Benson për të “luftuar me efektshmëri për bindjet [e tij] si një amerikan”, shkaktoi atë që ai e quajti “debat i brendshëm”.61

Kur z. Ajzenhauër dhe Plaku Benson u takuan për herë të parë, presidentit të sapozgjedhur nuk iu desh shumë për t’i ofruar Plakut Benson pozicionin e ministrit të bujqësisë. Plaku Benson renditi menjëherë arsyet përse ai mund të mos ishte njeriu i duhur për detyrën, por Ajzenhauëri i sapozgjedhur për president nuk u prapësua. Ai tha: “Ne kemi një punë për të bërë. Unë nuk dëshiroja të bëhesha president, të them të drejtën, kur filloi shtytja. Por nuk mund të mos pranosh t’i shërbesh Amerikës. Unë të dua në ekipin tim dhe nuk mund të thuash jo.”62

“Kjo i vuri kapakun”, kujtoi Plaku Benson. “Kushtet e këshillës së Presidentit Mek-Kei ishin plotësuar. Edhe pse ndjeva se tashmë e kisha marrë nga Kisha ime atë që në sytë e mi ishte një nder më i madh nga ai që mund të më dhuronte qeveria, dhe ia thashë atij këtë, e pranova përgjegjësinë për t’u bërë Ministri i Bujqësisë e për të shërbyer për jo më pak se dy vjet – nëse ai do të më donte për aq kohë”.63

Menjëherë pas pranimit të pozicionit, Plaku Benson e shoqëroi Ajzenhauërin e sapozgjedhur për president në një konferencë për shtyp, ku caktimi i tij iu njoftua kombit. Sapo mbaroi konferenca, ai u kthye në hotel. I telefonoi Florës dhe i tha asaj se Presidenti i zgjedhur Ajzenauër i kishte kërkuar të shërbente dhe ai e kishte pranuar ftesën.

Ajo u përgjigj: “E dija se ai do ta bënte. Dhe e dija që ti do të pranoje.”

Ai shpjegoi: “Kjo do të nënkuptojë një përgjegjësi të jashtëzakonshme – dhe shumë probleme të mëdha për të dy ne”.

“E di”, tha ajo, “por duket se ai është vullneti i Perëndisë”.64

Pamja
President Ezra Taft Benson being sworn in as the Secretary of Agriculture

Plaku Benson duke u betuar si Ministër i Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara nga Kryegjykatësi Fred M. Vinson, me Presidentin Duajt D. Ajzenhauër duke vështruar

Sikurse e kishte pritur Plaku Benson, administrimi i tij si ministër i bujqësisë ishte një përvojë e trazuar për të dhe familjen e tij. Por ai këmbëngulte se nuk po përpiqej “të fitonte një konkurs popullariteti” – se dëshironte thjesht “t’i shërbente bujqësisë dhe t’i shërbente Amerikës”65 – dhe ai e ndoqi këtë zotim vetjak: “Është një strategji e mirë ta mbrosh të drejtën, edhe kur ajo nuk përkrahet në masë. Ndoshta duhet të them, veçanërisht kur nuk përkrahet në masë.”66 Ishte fat i mirë për të që nuk ishte i shqetësuar nga popullariteti; ndërkohë që ai mbeti i palëkundur dhe i vërtetë ndaj bindjeve të tij, popullariteti i tij mes politikanëve dhe qytetarëve u luhat ndjeshëm. Me raste, njerëzit dëshironin që ai të hiqej nga pozicioni si ministër i bujqësisë.67 Herë të tjera, njerëzit sugjeruan se ai do të ishte një zgjedhje e mirë si zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara.68

Edhe në rolin e tij si udhëheqës i qeverisë, Plaku Benson ishte i hapur rreth idealeve të tij të krishtera, dëshmisë së tij për ungjillin e rivendosur dhe përkushtimin e tij ndaj Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Sa herë që ai drejtonte një mbledhje me kolegët e tij në Ministrinë e Bujqësisë, mbledhja fillonte me një lutje.69 Ai i dërgonte Presidentit Ajzenhauër fragmente nga Libri i Mormonit që profetizonin për fatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidenti më vonë tha se i kishte lexuar “me interesin më të madh”.70 Ai po ashtu u dha kopje të Librit të Mormonit shumë udhëheqësve të tjerë të botës.71 Në vitin 1954, Eduard R. Mërou, një gazetar i mirënjohur i lajmeve televizive në Shtetet e Bashkuara, i kërkoi Plakut Benson leje për ta nxjerrë familjen Benson në një program të mbrëmjes së të premtes, të quajtur “Nga Njeriu te Njeriu”. Plaku dhe motra Benson nuk pranuan në fillim, por më vonë dhanë pëlqimin pasi dëgjuan të birin, Ridin, i cili e pa ftesën si një mundësi të shkëlqyer për punë misionare. Më 24 shtator 1954, njerëzit në të gjithë kombin panë një mbrëmje të drejtpërdrejtë, të papërgatitur, familjare në shtëpinë Benson. Z. Mërou mori më tepër letra nga admiruesit si rrjedhim i atij programi nga ç’kishte marrë për ndonjë program tjetër. Njerëz nga i gjithë vendi dhe nga rrethana të ndryshme fetare shkruan për ta falënderuar familjen Benson për shembullin e tyre të shkëlqyer.72

Plaku Benson shërbeu si ministër i bujqësisë për tetë vjet, gjatë gjithë kohës që presidenti Ajzenhauër i udhëhoqi Shtetet e Bashkuara. Presidenti Mek-Kei tha se puna e Plakut Benson do të “shënohet për të gjithë kohën si një lëvdatë për Kishën dhe kombin”.73 Plaku Benson hodhi vështrimin prapa në ato vite në qendër të vëmendjes kombëtare dhe tha: “E dua këtë tokë të madhërishme. Ka qenë një nder të shërbeja.”74 Ai gjithashtu komentoi: “Nëse do të më duhej ta bëja të gjithën nga e para, do të ndiqja pak a shumë të njëjtën rrjedhë”.75 Duke e hedhur vështrimin përpara në shërbesën e tij në vazhdim si Apostull, ai tha: “Tani [unë] ia përkushtoj kohën time të vetmes gjë që dua më shumë se sa bujqësia”.76

Edhe pse shërbimit në qeveri të Plakut Benson i erdhi fundi në vitin 1961, dashuria e tij për atdheun e tij dhe për parimin e lirisë vazhduan. Në shumë prej fjalimeve të tij në konferencat e përgjithshme, ai u përqendrua në këto tema. Ai iu drejtua Shteteve të Bashkuara të Amerikës si “një tokë që e dua me gjithë zemrën time”.77 Ai tha gjithashtu: “Unë e përkrah patriotizmin dhe atdhedashurinë në të gjitha tokat”.78 Teksa i këshillonte të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ta donin vendin e tyre, ai dha mësim: “Patriotizmi është më tepër sesa valëvitje flamuri dhe fjalë guximtare. Është mënyra se si reagojmë ndaj çështjeve publike. Le ta ripërkushtojmë veten tonë si patriotë në kuptimin më të vërtetë.”79 “Ndryshe nga përfituesi politik, politikani i vërtetë vlerëson parimin mbi popullaritetin dhe punon që të krijojë popullaritet për ato parime politike që janë të urta e të drejta.”80

Një Dëshmitar i Veçantë i Emrit të Krishtit

Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, Plaku Ezra Taft Benson iu bind urdhrit për të “d[alë] … në mbarë botën dhe [për t’i] predik[uar] ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15) dhe për aë “hapur derën me anë të shpalljes së ungjillit të Jezu Krishtit” (DeB 107:35). Ai shërbeu në shumë pjesë të botës, duke vizituar misione e duke u dhënë mësim njerëzve.

Atij i pëlqente fort privilegji i takimit me shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Në fjalimin e një konference të përgjithshme, ai komentoi: “Nganjëherë i kam thënë gruas sime, ndërsa kthehesha nga vizitat nëpër kunje, se nuk e di se si do të jetë me saktësi parajsa, por nuk mund të kërkoja asgjë më të mirë atje se sa të kisha kënaqësinë dhe gëzimin e shoqërimit me llojin e burrave dhe të grave që takoj në udhëheqjen e kunjeve dhe të lagjeve të Sionit dhe të misioneve të tokës. Me të vërtetë ne jemi shumë të bekuar.”81 Në një fjalim tjetër ai tha: “Ka një frymë të vërtetë vëllazërie e shoqërimi në Kishë. Është diçka shumë e fuqishme, diçka e paprekshme, por shumë e vërtetë. E ndiej atë, sikurse bashkëpunëtorët e mi, kur udhëtojmë nëpër të gjitha kunjet dhe lagjet e Sionit dhe nëpër të gjitha misionet e tokës. … Gjendet gjithnjë ajo ndjenjë shoqërimi e vëllazërie. Është një nga gjërat e ëmbla në lidhje me anëtarësinë në Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë.”82

Plaku Benson gjithashtu donte ta ndante dëshminë e tij për Shpëtimtarin me njerëz të besimeve të tjera. Për shembull, në vitin 1959, ai shkoi me motrën Benson dhe katër anëtarë të Ministrisë së Bujqësisë të Shteteve të Bashkuara për të vizituar shtatë vende, përfshirë Bashkimin Sovjetik. Edhe pse ishte atje për meritë të pozicionit të tij si ministër i bujqësisë, dëshmia e tij apostolike preku zemrat e shumë njerëzve. Ai tregoi:

“Rrugës për në aeroport, natën [tonë] të fundit në Moskë, i përmenda … njërit prej udhërrëfyesve tanë zhgënjimin tim që nuk kishim pasur mundësi të vizitonim një kishë në Rusi. Ai i tha disa fjalë shoferit, makina u kthye mbrapa në mes të bulevardit dhe si përfundim ndaluam përpara një ndërtese të vjetër me allçi në një rrugë anësore të errët, të ngushtë, me gurë kalldrëmi jo larg nga Sheshi i Kuq. Kjo ishte Kisha Qendrore Baptiste.

Ishte një natë me shi, e vrenjtur tetori, me një të ftohtë të dallueshëm në ajër. Por kur hymë në kishë, e gjetëm të mbushur; njerëzit po rrinin në këmbë në korridor, te hyrja, madje edhe në rrugë. Mësuam se çdo të diel, të martë dhe të enjte mblidheshin turma të ngjashme.

Pashë fytyrat e njerëzve. Shumë ishin në moshë të mesme e më të thyer, por një numër befasues ishin të rinj. Rreth katër në çdo pesë prej tyre ishin gra, shumica e tyre me koka të mbuluara me shami. Na drejtuan brenda një vendi në krah të foltores. …

Shërbestari tha pak fjalë dhe më pas organoja bëri një apo dy akorde dhe filloi një himn në të cilin të gjithë të pranishmit u bashkuan si një e tërë. Të dëgjoja një mijë deri në 1500 zëra të ngritur atje, u bë një nga përvojat më ndikuese të të gjithë jetës sime. Në besimin tonë të përbashkët si të krishterë, ata na u drejtuan me një mesazh mirëseardhjeje që i kapërceu të gjitha ndryshimet e gjuhës, të qeverisjes, të historisë. Dhe teksa po përpiqesha të rifitoja drejtpeshimin nën këtë ndikim emocional, shërbestari më kërkoi, nëpërmjet një përkthyesi që ndodhej atje, që t’u flisja të pranishmëve.

“M’u desh një çast përpjekjeje të madhe që t’i zotëroja ndjenjat e mia aq sa për të pranuar. Pastaj, pjesërisht thashë: ‘Ishit shumë të sjellshëm që më kërkuat t’ju përshëndes.

Ju sjell përshëndetjet e miliona e miliona njerëzve kishtarë në Amerikë e nëpër botë.’ Dhe papritur ishte gjëja më e natyrshme në botë që t’u flisja këtyre të krishterëve sikurse unë rreth të vërtetave më të shenjta, të njohura për njeriun.

‘Ati ynë Qiellor nuk është shumë larg. Ai mund të jetë shumë afër nesh. Perëndia jeton, unë e di se Ai jeton. Ai është Ati ynë. Jezu Krishti, Shëlbuesi i Botës, përkujdeset për këtë tokë. Ai do t’i drejtojë të gjitha gjërat. Mos kini frikë, mbajini urdhërimet e Tij, duajeni njëri-tjetrin, lutuni për paqe dhe gjithçka do të shkojë mirë.’

Ndërkohë që çdo fjali përkthehej për të pranishmit, pashë gra tek merrnin shamitë e tyre dhe, siç e tregoi një vëzhgues, filluan t’i ‘tundnin si një nënë që i thoshte përgjithmonë lamtumirë birit të saj të vetëm’. Kokat e tyre tundeshin me vrull teksa ofshanin ja, ja, ja! (po, po, po!). Pastaj, për herë të parë vura re se madje edhe galeria ishte mbushur dhe shumë njerëz po rrinin në këmbë të mbështetur te muret. Ula vështrimin te një grua e moshuar përpara meje, kokën të mbuluar nga një shami e vjetër, e thjeshtë, një shall mbi supe, fytyra e saj e plakur, e rrudhosur, e qetë nga besimi. I fola drejtpërdrejt asaj.

‘Kjo jetë është vetëm një pjesë e përjetësisë. Ne jetuam përpara se të vinim këtu si fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Ne vërtet do të jetojmë përsëri pasi të largohemi nga kjo jetë. Krishti i theu prangat e vdekjes dhe u ringjall. Ne të gjithë vërtet do të ringjallemi.

Unë besoj shumë vendosmërisht te lutja. E di se është e mundur të afrohemi e të ta shfrytëzojmë atë Fuqi të Padukshme që na jep forcë dhe një spirancë të tillë në kohë nevoje.’ Me çdo fjali që shqiptoja, koka e moshuar tundej me miratim. Dhe aq e vjetër, e mpakur dhe e rrudhosur siç ishte, ajo grua ishte e bukur në përkushtimin e saj.

Nuk më kujtohet gjithçka që thashë, por më kujtohet se u ndjeva i lartësuar, i frymëzuar nga fytyrat e përqendruara të këtyre burrave e grave të cilat po e vërtetonin me kaq palëkundshmëri besimin e tyre tek Perëndia të cilit i shërbenin dhe e donin.

Në mbyllje thashë: ‘Ju lë dëshminë time si shërbëtor i Kishës për shumë vite se e vërteta do të durojë. Koha është në anën e së vërtetës. Perëndia ju bekoftë dhe ju mbajttë në të gjitha ditët e jetës suaj, unë lutem, në emrin e Jezu Krishtit, Amen.’

Me këtë i dhashë fund asaj bisede të shkurtër të atypëratyshme, sepse nuk mund të thoja asgjë më tepër dhe u ula. Të gjithë të pranishmit kënduan një himn të parapëlqyer të fëmijërisë sime ‘Per’ndia me Ju Qoft’ kur Prap’ t’Tako’emi.’ Ne u larguam nga kisha ndërsa ata këndonin dhe teksa ecnim midis radhëve të karrigeve, ata tundnin shamitë në shenjë lamtumire – dukej sikur që të 1500 njerëzit po na përshëndesnin teksa iknim.

Ka qenë privilegji im të flas përpara shumë grupeve në kisha në të gjitha anët e botës, por ndikimi i asaj përvoje është thuajse i papërshkrueshëm. Nuk do ta harroj kurrë atë mbrëmje për aq sa të kem jetë.

Rrallë, nëse ndonjëherë, e kam ndier unitetin e njerëzimit dhe mallin e pashuar të zemrës njerëzore për liri, aq fort sa në atë çast. …

U ktheva [në shtëpi] i vendosur për ta treguar shpesh këtë ngjarje, sepse ajo tregon se si fryma e lirisë, fryma e vëllazërisë dhe fryma e fesë jetojnë përgjithnjë pavarësisht nga të gjitha përpjekjeve për t’i shkatërruar ato.”83

President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

Më 26 dhjetor 1973, Plaku Benson mori lajmin e papritur se Presidenti i Kishës, Presidenti Harold B. Li, kishte vdekur papritmas. Me vdekjen e Presidentit Li, këshilltarët në Presidencën e Parë zunë vendet e tyre në Kuorumin e të Dymbëdhjetëve. Katër ditë më vonë, Spenser W. Kimball u veçua si President i Kishës dhe Ezra Taft Benson u veçua si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Me këtë përgjegjësi, Presidenti Benson mori përsipër detyra administrative shtesë. Ai kryesoi në mbledhjet javore të kuorumit dhe bashkërendoi punën e vëllezërve të tij, përfshirë caktimet e tyre për të kryesuar në konferenca kunjesh, udhëtime nëpër misione dhe për të thirrur patriarkë kunjesh. Ai kishte edhe disa përgjegjësi mbikëqyrëse mbi Autoritete të tjera të Përgjithshme. Një personel administrativ kujdesej për detyrat e nëpunësve për të ndihmuar atë dhe vëllezërit e tij që ta organizonin punën.84

Në një mbledhje me Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, Presidenti Benson shprehu mendimet e tij rreth shërbimit si Presidenti i tyre: “Kam pasur një shqetësim të ankthshëm rreth kësaj përgjegjësie të madhe – jo një ndjenjë frikësuese, sepse e di se nuk mund të dështojmë në këtë punë … nëse bëjmë më të mirën tonë. E di se Zoti do të na përkrahë, por më shkakton shqetësim të madh të thirrem për të udhëhequr mbi një grup burrash të tillë si ju – dëshmitarë të veçantë të Zotit Jezu Krisht.”85

Presidenti Benson e ndërthuri këtë përulësi me guximin karakteristik dhe me këmbënguljen për të punuar shumë. Ai shpesh u kalonte përgjegjësi të tjerëve që ata të kishin mundësi të shërbenin. Ai priste më të mirën nga ata që udhëhiqte, ashtu sikurse priste më të mirë nga vetja. Por edhe pse ishte kërkues, ai ishte dashamirës. Ai i dëgjonte pikëpamjet e vëllezërve të tij, duke nxitur diskutime të hapura në mbledhjet e kuorumit. Plaku Bojd K. Paker, Plaku Rasëll M. Nelson dhe Dallin H. Ouks, që ishin anëtarë të rinj të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve nën udhëheqjen e tij, thanë se ai gjithnjë i nxiste të shprehnin pikëpamjet e tyre, edhe nëse idetë e tyre ishin të ndryshme nga të tijat.86

Anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve mësuan se udhëheqja e Presidentit Benson bazohej mbi parime të pandryshueshme. Për shembull, ai tha në mënyrë të përsëritur: “Mbani mend, Vëllezër, në këtë punë është Shpirti që është i rëndësishëm”.87 Dhe ai kishte një standard me të cilin i maste të gjitha vendimet e kuorumit. Ai pyeste: “Çfarë është më e mira për Mbretërinë?” Plaku Mark E. Pitersen, që shërbeu me të në Kuorumin e të Dymbëdhjetëve, tha: “Përgjigjja për atë pyetje ka qenë faktori vendimtar në çdo çështje të rëndësishme që i është parashtruar Presidentit Ezra Taft Benson gjatë gjithë jetës së tij”.88

President i Kishës

Presidenti Spenser W. Kimball vdiq më 5 nëntor 1985, pas një sëmundjeje të zgjatur. Udhëheqja e Kishës tani binte mbi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, me Presidentin Ezra Taft Benson si Presidenti dhe anëtari më i vjetër i tyre. Pesë ditë më vonë, në një mbledhje solemne dhe nderuese të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në tempullin e Solt-Lejkut, Presidenti Benson u veçua si Presidenti i Kishës. Ai u frymëzua t’i kërkonte Presidentit Gordon B. Hinkli që të shërbente si Këshilltari i tij i Parë në Presidencën e Parë dhe t’i kërkonte Presidentit Tomas S. Monson që të shërbente si Këshilltari i tij i Dytë.

Pamja
Portrait of President Ezra Taft Benson, President Gordon B. Hinckley, and President Thomas S. Monson

Presidenti Benson me këshilltarët e tij në Presidencën e Parë: Presidentin Gordon B. Hinkli (majtas) dhe Presidentin Tomas S. Monson (djathtas)

Presidenti Benson ishte në dijeni të shëndetit të pasigurt të Presidentit Kimball dhe kishte shpresuar se forca fizike e mikut të tij do të përtërihej. “Kjo është një ditë që nuk e kisha parashikuar”, tha Presidenti Benson në një konferencë për shtyp, pak pasi ishte veçuar si President i Kishës. “Gruaja ime, Flora, dhe unë jemi lutur vazhdimisht që ditët e Presidentit Kimball do të zgjateshin në këtë tokë dhe që një mrekulli tjetër do të kryhej në emër të tij. Tani që Zoti ka folur, ne vërtet do të bëjmë më të mirën tonë, nën drejtimin e Tij udhërrëfyes, për ta çuar përpara punën në tokë.”89

Në konferencën e tij të parë të përgjithshme si President i Kishës, Presidenti Benson tregoi se ku do të ishte theksi i tij kryesor për çuarjen përpara të punës së Zotit. “Në kohën tonë”, deklaroi ai, “Zoti ka zbuluar nevojën për të ritheksuar Librin e Mormonit”.90

Si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, Presidenti Benson kishte predikuar në mënyrë të përsëritur rreth rëndësisë së Librit të Mormonit.91 Si President i Kishës, ai i kushtoi edhe vëmendje më të madhe kësaj teme. Ai deklaroi se “e gjithë Kisha [ishte] nën ndëshkim”, sepse shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk po e studionin mjaftueshëm Librin e Mormonit ose nuk po ia vinin mjaftueshëm veshin mësimeve të tij. Ai tha: “Libri i Mormonit nuk ka qenë, as nuk është ende, qendra e studimit tonë vetjak, e mësimdhënies sonë në familje, e predikimit dhe punës sonë misionare. Për këtë ne duhet të pendohemi.”92 Ai citonte vazhdimisht deklaratën e Profetit Jozef Smith se njerëzit “do t’i afrohe[n] më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”93 dhe dha shpjegime për atë premtim. “Ka një fuqi brenda librit”, tha ai, “që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj që në çastin kur filloni një studim serioz të librit”.94 Ai i nxiti shenjtorët e ditëve të mëvonshme për ta “përmbytur tokën dhe jetën e [tyre] me Librin e Mormonit”.95

Në të gjithë botën, shenjtorët e ditëve të mëvonshme ia vunë veshin kësaj këshille nga profeti i tyre. Si rrjedhim, ata u forcuan, si individë dhe si bashkësi.96 Presidenti Hauard W. Hanter tha: “A do të shohë ndonjë brez, përfshirë ata që ende nuk janë lindur, prapa te drejtimi i Presidentit Ezra Taft Benson dhe të mos mendojë menjëherë për dashurinë e tij për Librin e Mormonit? Ndoshta asnjë President i Kishës që nga vetë Profeti Jozef Smith nuk ka bërë aq shumë për t’i dhënë mësim të vërtetat e Librit të Mormonit, për ta bërë atë një rrjedhë të përditshme studimore për tërë anëtarësinë e Kishës dhe për ta ‘përmbytur tokën’ me shpërndarjen e tij.”97

E lidhur ngushtë me dëshminë e Presidentit Benson për Librin e Mormonit ishte dëshmia e tij për Jezu Krishtin. Në një kohë kur shumë njerëz nuk e pranonin “natyrën hyjnore të Shpëtimtarit”, ai dha siguri se “ky libër i frymëzuar në mënyrë hyjnore është gurthemel për t’i dhënë dëshmi botës se Jezusi është Krishti”.98 Që nga shugurimi i tij si Apostull në vitin 1943, Presidenti Benson kishte shërbyer me zell si dëshmitar i vërtetësisë së gjallë të Shpëtimtarit. Si President i Kishës, ai dëshmoi për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij me fuqi e ngutje të përtërirë. Ai i këshilloi shenjtorët të “kryesohen nga Krishti” dhe “të treten në Krishtin”,99 që të “jetojnë një jetë të përqendruar te Krishti”.100 Duke folur për Shpëtimtarin, ai tha: “Me gjithë qenien time, unë e dua Atë”.101

Presidenti Benson na mësoi edhe për tema të tjera me ngutje dhe fuqi. Ai paralajmëroi për rreziqet e krenarisë. Ai dëshmoi për rëndësinë e përjetshme të familjes. Ai na mësoi parimet e besimit dhe të pendimit dhe theksoi nevojën për punë të përkushtuar misionare.

Edhe pse nuk fliste aq shpesh sa kishte folur më parë në shërbesën e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai e festoi 200 vjetorin e nënshkrimit të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara duke folur mbi atë temë në konferencën e përgjithshme të Kishës në tetor të vitit 1987. Dhe ai vazhdoi ta donte lirinë dhe patriotizmin e vërtetë në mbarë botën. Nga fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990, ai u gëzua nga lajmi se kishte rënë Muri i Berlinit dhe se njerëzit në Rusi e në Europën Lindore po merrnin liri më të madhe, me qeveri që ishin më të hapura ndaj adhurimit fetar.102

Presidenti Benson dha një sërë bisedash për grupe të caktuara të anëtarëve të Kishës.. Duke nisur në prill të vitit 1986, ai përgatiti predikime që iu drejtoheshin të rinjve, të rejave, nënave, mësuesve të shtëpisë, etërve, djemve në moshë madhore beqarë, vajzave në moshë madhore beqare, fëmijëve dhe të moshuarve. Sikurse tha Presidenti Hauard W. Hanter: “Ai foli për gjithsecilin dhe ishte i shqetësuar për të gjithë. Ai u foli grave të Kishës dhe burrave. Ai u foli të moshuarve. Ai u foli atyre që ishin beqarë, atyre që ishin në rininë e tyre dhe ai donte shumë t’iu fliste fëmijëve në Kishë. Ai i dha këshillë të mrekullueshme, të individualizuar të gjithë anëtarësisë, cilatdo që ishin rrethanat e tyre vetjake. Ato predikime do të vazhdojnë të na përkrahin e udhërrëfejnë teksa reflektojmë për to për shumë vite që do të vijnë.”103

Presidenti Benson vajtoi kur mori një letër nga një familje që ishte ndikuar nga një prej këtyre bisedave. Në atë letër, një baba i ri shpjegonte se ai dhe gruaja e tij e kishin parë konferencën e përgjithshme në televizor. Djali i tyre tre vjeçar po luante në dhomën ngjitur, ku konferenca po jepej në radio. Pasi dëgjuan mesazhin e Presidentin Benson për fëmijët, nëna dhe babai u futën në dhomën ku po luante biri i tyre. Vogëlushi “raportoi me gjallëri: ‘Ai burri në radio tha se edhe kur bëjmë gabime, Ati ynë Qiellor prapë na do’. Ai pohim i thjeshtë”, tha babai, “i ka lënë një mbresë të zgjatur e kuptimplote djalit tonë të vogël. Mund ta pyes ende sot për atë që tha Presidenti Benson dhe të marr të njëjtën përgjigje entuziaste. Është ngushëlluese për të që të dijë se ai ka një Atë të mirë e të dashur në Qiell.”104

Shpejt pas konferencës së përgjithshme të tetorit 1988, Presidenti Benson pësoi një infarkt që e bëri të pamundur që ai të fliste në publik. Për njëfarë kohë ai mori pjesë në konferenca të përgjithshme dhe në grumbullime të tjera publike. Në konferencat e vitit 1989, këshilltarët e tij lexuan predikimet që ai kishte përgatitur. Në fillim të vitit 1990, këshilltarët e tij përçuan dashurinë e tij për shenjtorët dhe citonin nga predikimet e tij të së shkuarës. Konferenca e prillit 1991 ishte konferenca e fundit ku ai mori pjesë. Që nga ajo kohë e në vazhdim, ai nuk ishte më në gjendje fizike për të bërë më tepër sesa t’i shihte zhvillimet në televizor.105

Presidenti Gordon B. Hinkli kujtonte: “Siç mund të pritej, trupi i tij filloi ta linte me moshën. Ai nuk mund të ecte siç eci dikur. Nuk mund të fliste siç foli dikur. Pati një rënie të ngadaltë, por ai ishte ende profeti i zgjedhur i Zotit për sa kohë që jetonte.”106 Presidenti Hinkli dhe Presidenti Tomas S. Monson e drejtuan Kishën me autoritetin që u ngarkoi Presidenti Benson, por Kisha nuk vazhdoi të merrte kurrë nisma të reja pa dijeninë dhe miratimin e Presidentit Benson.107

Ndërkohë që Presidenti Benson dobësohej fizikisht, edhe shëndeti i Florës ligështohej dhe ajo vdiq më 14 gusht 1992. Më pak se dy vjet më vonë, më 30 maj 1994, ai u bashkua me të dhe trupi i tij i vdekshëm u varros pranë saj në Uitnin e tyre të dashur. Në varrimin e Presidentit Benson, Presidenti Monson kujtoi: “Në një rast ai më tha: ‘Vëllai Monson, mbaje mend, pavarësisht nga ajo që mund të sugjerojë dikush tjetër, unë dëshiroj të varrosem në Uitni të Ajdahos’. President Benson, ne po e plotësojmë atë dëshirë sot. Trupi i tij do të kthehet në shtëpi në Uitni, por shpirti i tij i përjetshëm është kthyer në shtëpi te Perëndia. Ai, pa dyshim, po gëzohet me familjen e tij, miqtë e tij dhe të dashurën e tij, Florën. …

Djali i parmendës, që u bë profet i Perëndisë, ka shkuar në shtëpi. Zoti e bekoftë kujtimin e tij.”108

Shënime

  1. Robert D. Hales, “A Testimony of Prophets”, 5 qershor 1994, speeches.byu.edu; shih edhe Twila Van Leer, “Church Leader Buried beside Wife, Cache Pays Tribute as Cortege Passes”, Deseret News, 5 qershor 1994.

  2. Gordon B. Hinckley, “Farewell to a Prophet”, Ensign, korrik 1994, f. 37–38.

  3. Ezra Taft Benson, “Godly Characteristics of the Master”, Ensign, nëntor 1986, f. 46.

  4. Margaret Benson Keller, në Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 34.

  5. Ezra Taft Benson, “Godly Characteristics of the Master”, f. 47–48.

  6. Ezra Taft Benson, “Scouting Builds Men”, New Era, shkurt 1975, f. 15–16.

  7. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 44.

  8. Shih “After 60 Years ‘Still in Love’”, Church News, 14 shtator 1986, f. 4, 10.

  9. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 58.

  10. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 55; shih edhe kapitullin 7 në këtë libër.

  11. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 59.

  12. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 59.

  13. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 62.

  14. Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography, f. 59.

  15. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 53.

  16. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 63.

  17. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 75.

  18. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 79.

  19. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 79.

  20. Eugene J. Neff, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 84.

  21. Eugene J. Neff, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 87.

  22. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 87.

  23. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 87.

  24. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 96.

  25. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 88.

  26. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 89.

  27. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 92.

  28. Francis M. Gibbons, Ezra Taft Benson: Statesman, Patriot, Prophet of God (1996), f. 85–89.

  29. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 99–100, 101, 115.

  30. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 115.

  31. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 100.

  32. Barbara Benson Walker, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 130.

  33. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 121.

  34. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 121.

  35. Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography, f. 174; përfshirë citime nga ditari vetjak i Ezra Taft Bensonit, 26 korrik 1943.

  36. Ezra Taft Benson, ditari vetjak, 26 korrik 1943; cituar në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 174–75; germëzimi i standardizuar.

  37. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 176.

  38. Shih Ezra Taft Benson, A Labor of Love: The 1946 European Mission of Ezra Taft Benson (1989), f. 7.

  39. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 152–153.

  40. George Albert Smith, në A Labor of Love, f. 7.

  41. Ezra Taft Benson, A Labor of Love, f. 7–8.

  42. Ezra Taft Benson, A Labor of Love, f. 120.

  43. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 154.

  44. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 155.

  45. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 153–155.

  46. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 155–156.

  47. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 156.

  48. Shih Frederik W. Babbel, On Wings of Faith (1972), f. 28–33, 46–47, 106–108, 111–112, 122, 131–134, 136, 154.

  49. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1947, f. 152.

  50. Tomas S. Monson, “President Ezra Taft Benson—A Giant among Men”, Ensign, korrik 1994, f. 36.

  51. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 37.

  52. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1948, f. 83.

  53. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1948, f. 86.

  54. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1962, f. 104.

  55. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1948, f. 85.

  56. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1962, f. 104–105.

  57. Ezra Taft Benson, në Conference Report, tetor 1954, f. 121.

  58. Ezra Taft Benson, në Conference Report, tetor 1962, f. 19.

  59. Ezra Taft Benson, Cross Fire: The Eight Years with Eisenhower (1962), f. 3–4.

  60. David L. McKay, në Cross Fire, f. 5.

  61. Ezra Taft Benson, Cross Fire, f. 10.

  62. Dwight D. Eisenhower, në Cross Fire, f. 12.

  63. Ezra Taft Benson, Cross Fire, f. 12.

  64. Ezra Taft Benson, Cross Fire, f. 13.

  65. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 355.

  66. Ezra Taft Benson, në Sheri Dew, “President Ezra Taft Benson: Confidence in the Lord”, New Era, gusht 1989, f. 36.

  67. Shih Ezra Taft Benson: A Biography f. 313, 345.

  68. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 331.

  69. Shih kapitullin 2 në këtë libër.

  70. Dwight D. Eisenhower, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 292.

  71. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 292.

  72. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 297–299.

  73. David O. McKay, në Cross Fire, f. 519.

  74. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1961, f. 113.

  75. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 358.

  76. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 355.

  77. Ezra Taft Benson, “A Witness and a Warning”, Ensign, nëntor 1979, f. 31.

  78. Ezra Taft Benson, “The Constitution—A Glorious Standard, Ensign, maj 1976, f. 91.

  79. Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1960, f. 99.

  80. Ezra Taft Benson, në Conference Report, tetor 1968, f. 17.

  81. Ezra Taft Benson, në Conference Report, tetor 1948, f. 98.

  82. Ezra Taft Benson, në Conference Report, tetor 1950, f. 143–144.

  83. Ezra Taft Benson, Cross Fire, f. 485–488.

  84. Shih Francis M. Gibbons, Statesman, Patriot, Prophet of God, f. 270–271.

  85. Ezra Taft Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 430–431.

  86. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 429–430.

  87. Ezra Taft Benson, në Tomas S. Monson, “A Provident Plan – A Precious Promise”, Ensign, maj 1986, f. 63.

  88. Mark E. Petersen, “President Ezra Taft Benson”, Ensign, janar 1986, f. 2–3.

  89. Ezra Taft Benson, në Church News, 17 nëntor, 1985, f. 3.

  90. Ezra Taft Benson, “A Sacred Responsibility”, Ensign, maj 1986, f. 78.

  91. Shih, për shembull, “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, maj 1975, f. 63–65; “A New Witness for Christ”, Ensign, nëntor 1984, f. 6–8; shih edhe Ezra Taft Benson: A Biography, f. 491–493.

  92. Ezra Taft Benson, “Cleansing the Inner Vessel”, Ensign, maj 1986, f. 5–6.

  93. Jozef Smith, cituar në parathënien e Librit të Mormonit.

  94. Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 7.

  95. Ezra Taft Benson, “Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 4.

  96. Shih kapitullin 10 në këtë libër.

  97. Howard W. Hunter, “A Strong and Mighty Man”, Ensign, korrik 1994, f. 42.

  98. Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, f. 4, 5.

  99. Ezra Taft Benson, “Born of God”, Ensign, korrik 1989, f. 4.

  100. Ezra Taft Benson, “Come unto Christ”, Ensign, nëntor 1987, f. 84.

  101. Ezra Taft Benson, “Jesus Christ: Our Savior and Redeemer”, Ensign, qershor 1990, f. 6.

  102. Shih Russell M. Nelson, “Drama on the European Stage”, Ensign, dhjetor 1991, f. 16.

  103. Howard W. Hunter, “A Strong and Mighty Man”, f. 42.

  104. Tomas S. Monson, “The Lord Bless You”, Ensign, nëntor 1991, f. 87.

  105. Shih Francis M. Gibbons, Statesman, Patriot, Prophet of God, f. 315.

  106. Gordon B. Hinckley, “Farewell to a Prophet”, f. 40.

  107. Shih Francis M. Gibbons, Statesman, Patriot, Prophet of God, f. 317–318.

  108. Tomas S. Monson, “President Ezra Taft Benson – A Giant among Men”, Ensign, korrik 1994, f. 36.