Mësime të Presidentëve
Kapitulli 19: Udhëheqja


Kapitulli 19

Udhëheqja

“Nëse ju do të siguroni udhëheqje të ardhshme për Kishën, për vendin [tuaj] dhe për vetë shtëpitë tuaja, ju duhet të qëndroni të vendosur në besim, të palëkundur përpara së ligës.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Ezra Taft Bensoni filloi të mësonte të ishte një udhëheqës në rininë e tij. Kur ishte thuajse 13 vjeç, babai i tij u thirr për të shërbyer në një mision. Si fëmija më i madh në familje, Ezra mori shumë përgjegjësi udhëheqjeje në fermën e familjes gjatë mungesës së të atit. Disa vite më vonë, kur u thirr në Misionin e Britanisë, ai shërbeu si president dege dhe si president i Konferencës së Njukasëllit (e ngjashme me një distrikt sot). Më vonë, ai shërbeu në tri presidenca kunji – një herë si këshilltar, një herë për një periudhë të shkurtër kohe si president kunji, dhe një herë për një periudhë më të gjatë si president kunji. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai punoi në shumë pozicione udhëheqëse në industrinë e bujqësisë. Për shkak se u bë udhëheqës dhe specialist në fushën e bujqësisë, Presidenti Duajt D. Ajzenhauer i kërkoi atij të shërbente në pozicionin më të lartë të bujqësisë në Shtetet e Bashkuara. Për tetë vjet ai punoi me Presidentin Ajzenhauer si sekretari i Shteteve të Bashkuara për bujqësinë.

Përpara se të bëhej President i Kishës, Presidenti Benson shërbeu për 12 vjet si Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Anëtarët e kuorumit kishin respekt të madh për të si udhëheqësi i tyre. Plaku Brus R. Mek-Konki “shpesh u thoshte anëtarëve të familjes se nuk kishte parë kurrë administrim që të barazohej me atë të Presidentit Benson në Kishë”1.

Gjatë drejtimit të Të Dymbëdhjetëve, Presidenti Benson i nxiste anëtarët e kuorumit t’i shprehnin mendimet e tyre haptas edhe sikur ai të kishte një opinion të ndryshëm. Kur Plaku Rasëll M. Nelson ishte një anëtar i ri i kuorumit, ai mendonte se ndoshta nuk duhet të fliste. “Por [Presidenti Benson] nuk e pranonte këtë”, tha ai. “Në fakt, nëse heshtja për diçka, ai më bindte që t’i ndaja mendimet për të.”2

Megjithëse Presidenti Benson kërkonte opinione nga të gjithë, ai nuk e linte diskutimin që të shpërqendrohej. Presidenti Hauard W. Hanter tha se ai “dinte se si të merrte një diskutim të hapur e të sinqertë nga Vëllezërit dhe [qe] në gjendje ta drejtonte dhe kontrollonte atë, dhe të arrinte në një vendim të njëzëshëm me gjithsecilin të bashkuar”3. Kur “ai ndiente se kishte ndodhur një diskutim i mirë, ai zakonisht thoshte: ‘Mendoj se kemi pasur mjaft diskutim. Le të marrim një vendim’ duke e sjellë çështjen te vendimi”.4

Presidenti Benson kujdesej për ata që drejtonte, dhe dha mësim me anë të shembullit. “Unë nuk njoh njeri më të kujdesshëm për kolegët e tij ose më shumë të shqetësuar për mirëqenien e tyre”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli. “Ai nuk u kërkon të tjerëve të bëjnë atë që ai vetë nuk është i gatshëm ta bëjë, por në vend të kësaj, jep shembullin e shërbimit që të tjerë prej nesh ta ndjekim.”5 Presidenti Benson ishte gjithashtu i efektshëm në kalimin e punëve te të tjerët, duke u dhënë mësim dhe duke i lartësuar ata gjatë atij procesi.

Në konferencën e përgjithshme, kur Presidenti Benson u mbështet si President i Kishës, Presidenti Gordon B. Hinkli shprehu bindjen e tij se Zoti e kishte zgjedhur dhe përgatitur Presidentin Benson për të udhëhequr Kishën:

“Ju jap dëshminë time se është Zoti që e zgjodhi Ezra Taft Bensonin për t’u bërë anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve pothuaj dyzet e tre vjet më parë. Është Zoti, i cili përgjatë këtyre viteve e ka vënë në provë dhe e ka disiplinuar atë, e ka arsimuar dhe përgatitur atë. …

Si një njeri që e njeh dhe qëndron përkrah tij, unë dëshmoj se ai është një njeri i besimit, i udhëheqjes së provuar, i dashurisë së thellë për Zotin dhe punën e Tij, i dashurisë për bijtë dhe bijat e Perëndisë kudo. Ai është një njeri me aftësi të vërtetuara.”6

Pamja
President Ezra Taft Benson with his counselors Gordon B. Hinckely and Thomas S. Monson.

Presidenti Ezra Taft Benson dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë: Presidenti Gordon B. Hinkli (majtas) dhe Presidenti Tomas S. Monson (djathtas)

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Udhëheqësit e efektshëm qëndrojnë të vendosur në besim dhe japin një shembull të mirë.

Fuqia e udhëheqjes së Krishtit u rrit nga ftesa e shembullit të Tij. Kushtrimi i tij qe: “Eja, më ndiq!” … [Suksesi i tij në arritjen] e besnikërisë dhe përkushtimit të njerëzve ndaj parimeve të drejtësisë var[ej] nga dashuria, si faktori i madh shtysës. Ai na ndihmoi të kuptojmë se cilësitë e perëndishme në secilin prej nesh, që presin të shprehen, mund të bëhen realitete të lavdishme të gjalla. Shembulli i Tij vazhdon si shpresa dhe forca më e madhe e njerëzimit.7

Nëse do të siguroni udhëheqje të ardhshme për Kishën, vendin [tuaj] dhe vetë shtëpitë tuaja, ju duhet të qëndroni të fortë në besim, të palëkundur përpara së ligës dhe, siç tha Pali: “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që ju të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës së kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.” (Efesianëve 6:11–12.)8

Të rinjtë tanë kanë nevojë për më pak kritika dhe më shumë shembuj. Ju jeni shembujt te të cilët ata do të shohin për një model në jetë, të cilin ata mund ta ndjekin dhe mbështetin. Ata do të kenë nevojë për frymëzimin që mund të vijë prej jush, ndërsa i jetoni jetët tuaja sipas mësimeve të ungjillit.9

2

Njerëzit i përgjigjen udhëheqjes së efektshme.

Përulësia

Një nga shenjat e udhëheqjes së madhërishme gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë shpirti i përulur.10

Forca shpirtërore

Forca shpirtërore nxit mendimin pozitiv, ideale pozitive, zakone pozitive, sjellje pozitive dhe përpjekje pozitive. Këto janë cilësi që nxitin urtësi, mirëqenie fizike e mendore dhe pranim e përgjigje entuziaste nga të tjerët.11

Vetëm ata që janë të shëndetshëm shpirtërisht e kanë kapacitetin për ta lartësuar dhe për ta nxitur njëri-tjetrin për shërbim më të madh, arritje më të mëdha, forcë më të madhe.12

Frymëzimi është thelbësor për një udhëheqje të duhur. … Ne duhet të kemi shpirtin e frymëzimit nëse jemi duke dhënë mësim (DeB 50:13–14) apo duke administruar punët e mbretërisë (DeB 46:2).13

Nuk ka zëvendësues të kënaqshëm për Shpirtin.14

Njohuria

Një udhëheqës i vërtetë përpiqet të qëndrojë i mirinformuar. Ai është një individ që vepron mbi parime se sa në bazë të interesit vetjak. Ai përpiqet të mësojë nga e gjithë përvoja njerëzore e matur përkundrejt parimeve të zbuluara të urtësisë hyjnore.15

Një nga mënyrat më të mira për udhëheqësit që të kuptojnë parimet e sakta është të kenë një njohuri e kuptueshmëri të thellë të shkrimeve të shenjta dhe të manualit të duhur. Shumica e situatave tashmë kanë ndodhur më parë, ndoshta shumë herë, dhe rregulli e procedura tashmë janë vendosur për ta trajtuar problemin. Prandaj, është gjithmonë [diçka] e urtë që t’u drejtohesh e të jesh në dijeni të udhëzimeve ekzistuese të shkruara dhe rregullores së Kishës për pyetjet ndërsa ato ngrihen.16

Udhëheqësit këshillohen t’i studiojnë doktrinat e Kishës që të jenë në gjendje t’i përfaqësojnë siç duhet doktrinat tona tek të tjerët. Për të përdorur shprehjen e Apostullit Pal, ne presim që të jeni si një “punëtor që nuk ka pse të turpërohet” (2 Timoteut 2:15).17

Besnikëria

Një udhëheqës i mirë pret besnikëri. Ai në kthim jep besnikërinë e tij. Ai i mbështet ata të cilëve u ka dhënë një punë. Besnikëria shtrihet te çështje përtej thirrjes së detyrës. Ai është besnik kur u vijnë nderime atyre me të cilët ai shërben. Ai krenohet me suksesin e tyre. Ai nuk anulon vendim pa u këshilluar më parë me atë, të cilit ia anulon atë. Ai nuk e turpëron një koleg përpara të tjerëve. Ai është i qartë dhe i hapur me të.18

Bashkimi

Ka një “bashkim të kërkuar nga ligji i mbretërisë çelestiale; Dhe Sioni nuk mund të ndërtohet, po të mos jetë përmes parimeve të ligjit të mbretërisë çelestiale”. (DeB 105:4–5.) Midis parimeve dhe cilësive të kërkuara është një bashkim i mendjes dhe i zemrës. “Unë ju them, jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”, është urdhri i Shpëtimtarit për Kishën e Tij të ditëve të sotme (DeB 38:27; Gjoni 17:20–23). Askund nuk është më thelbësore kjo kërkesë sesa midis atyre të cilët Ai i ka thirrur për të kryesuar kudo në mbretërinë e Tij.19

Pamja
Two women welcoming another woman to Relief Society.

“Dashuria për njerëzit është thelbësore për një udhëheqje të efektshme.”

Dashuria dhe shprehja e besimit

Dashuria për njerëzit është thelbësore për një udhëheqje të efektshme. A i doni ata me të cilët punoni? A e kuptoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë (shih DeB 18:10)? A keni besim te rinia? A e gjeni veten tuaj duke lëvduar virtytet e tyre, duke i lëvduar ata për arritjet e tyre? Ose, a keni një sjellje kritikuese ndaj tyre për shkak të gabimeve të tyre?20

Edhe më e rëndë për t’u mbajtur sesa kritika, shpesh, është mungesa e një fjale nga udhëheqësi ynë për punën e cila na është caktuar. Pak komente ose shënime, të cilat janë të sinqerta ose të veçanta, janë një inkurajim i madh përgjatë rrugës.21

Ne e dimë … se koha që një udhëheqës harxhon në kontakte vetjake me anëtarët është më e frytshme se koha e shpenzuar në mbledhje dhe detyra administrative. Kontakti vetjak është çelësi në kthimin në besim të anëtarit joaktiv.22

Veçanërisht në Kishë, bërja e pyetjeve prodhon rezultate më të mira se dhënia e urdhrave – ndjesi më të mirë, po ashtu. Mbani mend të tregoni përse. Kontrolloni për të parë se si po shkojnë gjërat. Tregoni vlerësim kur njerëzit i zbatojnë mirë udhëzimet. Shprehni mirëbesim kur mund të bëhet me ndershmëri. Kur diçka ngatërrohet është mirë të kontrollosh sërish dhe të gjesh se ku rrëshqitët – dhe mos u frikësoni ta pranoni se e bëtë. Mbani mend, njerëzit tanë janë punëtorë vullnetarë, me vullnet të lirë. Edhe ata e duan Zotin dhe punën e Tij. Duajini ata. Vlerësojini ata. Kur tundoheni për ta qortuar një bashkëpunëtor, mos e bëni. Në vend të kësaj, pranojeni ftesën time për t’u thënë atyre një fjalë të mirë. Fëmijët e Atit tonë kudo në botë janë në thelb të mirë. Ai i do ata. Edhe ne duhet t’i duam.23

Njerëzve nuk u pëlqen që të detyrohen për të bërë ndonjë gjë, edhe sikur të jetë për të mirën e tyre. Por njerëzit i përgjigjen udhëheqjes së efektshme.24

3

Udhëheqësit e mirë i kalojnë detyrat me urtësi.

Shembulli i Shpëtimtarit për kalimin e detyrave

Themelet e para të botës u vendosën me anë të kalimit të autoritetit. Shumë herë, Jezusi u kujtoi njerëzve se misioni i Tij në tokë ishte nëpërmjet kalimit të autoritetit. Rivendosja e Kishës së Tij e kishte fillimin e saj të parë me kalim të autoritetit.

Kur u foli judenjve në sinagogë, Jezusi u tha atyre se Ai kishte qenë deleguar nga Ati i Tij: “Sepse unë kam zbritur prej qiellit jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38).25

Jezusi na jep shembullin mjeshtëror të administrimit të mirë përmes kalimit të duhur të detyrave. … Shumë prej misionarëve të Tij që u ishin kaluar detyra udhëtuan pa kuleta ose trasta. Burrat vuajtën mundime të mëdha në zbatimin e udhëzimeve të Tij. Disa prej tyre vdiqën me vdekje të tmerrshme në shërbim të Tij. Por dishepujt e tij që u ishin kaluar detyrat, shkuan përpara në botë trima si luanë, me porosinë e Tij. Ata bënë gjëra që kurrë nuk i kishin ëndërruar. Asnjë udhëheqës nuk i ka dhënë shtysë burrave e grave siç bëri Ai.26

Kisha e Jezu Krishtit i ndërton udhëheqësit nëpërmjet përfshirjes së njerëzve që u kalohen detyra përmes autoritetit. Kur [Jezusi] qe në tokë, ai thirri dymbëdhjetë apostuj për ta ndihmuar atë në administrimin e kishës. Ai thirri gjithashtu të shtatëdhjetët. Ai u kaloi detyra të tjerëve. Nuk duhej të kishte spektatorë në kishën e tij. Të gjithë duhej të përfshiheshin për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë. Dhe ndërsa e ndërtuan mbretërinë, ata ndërtuan vetveten.

Jezusi synonte të ekzaltonte individin. …

Jezusi synonte që ta bënte çdo njeri një mbret, që ta ndërtonte në udhëheqje për përjetësi. Në atë natë të paharrueshme pas darkës së fundit, Ai u tha të njëmbëdhjetëve … : “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati im”. (Gjoni 14:12.) Nëpërmjet kalimit të detyave, Jezusi dëshironte që ta lartësonte, në vend që ta shtypte individin. Dhe kudo në Kishë sot, burrat dhe gratë por rriten në aftësi nëpërmjet pozicioneve që u janë kaluar atyre.27

Pamja
One oil painting on wooden panel. Depicts Jesus instructing the Twelve in a rocky landscape beneath a tree. The light suggests early evening. Rmenamts of a small campfire are evident. Jesus extends his right arm while the standing and sitting apostles look at him with a variety of expressions and assumed poses. The subject and title are taken form Matthew Chapter 10.

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti iu kaloi autoritet Dymbëdhjetë Apostujve të Tij.

Kalimi i detyrave në organizatat tona

Drejtim i mirë do të thotë kalim i autoritetit. Kalimi i një pjese të ngarkesës së punës ju ndihmon juve dhe organizatën tuaj. Drejtimi i efektshëm është arti i shumëfishimit të vetes suaj nëpërmjet të tjerëve.28

Kalimi i zgjuar i detyrave kërkon përgatitje plot lutje, ashtu siç kërkon mësimdhënia apo predikimi i efektshëm. Zoti e bën të qartë këtë me këto fjalë: “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim”. (DeB 42:14). Dhe ne mund të shtojmë, ju nuk do të delegoni pa Shpirtin.29

Një administrues i zgjuar në Kishë sot nuk do të përpiqet ta bëjë punën vetë, duke dhënë përshtypjen se asnjë tjetër nuk është dhe aq i kualifikuar. Dhe ndërsa kalon detyra, ai do të japë siguri se ai që i është kaluar detyra ka mbështetjen e tij të plotë.30

Kur është dhënë përgjegjësia, udhëheqësi nuk e harron njeriun e caktuar, as detyrën e tij. Ai ndjek me interes por nuk “rri mbi kokë”. Ai jep lëvdata të veçanta kur meritohen. Ai jep nxitje të dobishme kur nevojitet. Kur ai ndien se puna nuk po bëhet dhe ka nevojë për ndryshim, ai vepron me kurajë e vendosmëri por me mirësi. Kur qëndrimi në një detyrë ka përfunduar, ai jep vlerësim dhe falënderim.31

Asnjë udhëheqës i mençur nuk beson se të gjitha idetë e mira burojnë nga ai vetë. Ai kërkon sugjerime nga ata që udhëheq. Ai i lë ata të ndiejnë se janë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Ai i lë ata të ndiejnë se janë duke zbatuar rregullat e tyre, jo thjesht të tijat.32

4

Udhëheqësit e Kishës janë mjete në duart e Perëndisë dhe duhet të kërkojnë Shpirtin në udhëheqjen e ndërtimin e të tjerëve.

Sot në Kishë, një udhëheqës përgjithësisht merr nga kryerja e një veprimtarie atë që ai vërtet pret. Ai duhet të ketë pritshmëri të larta. Ai duhet t’i sigurojë ata, të cilëve u jep detyra, se në shërbimin e Zotit ata kanë fuqi edhe më të mëdha sesa në përgjegjësitë e zakonshme. Nuk mund të ketë dështim në punën e Zotit kur [ne] bëjmë më të mirën [tonë]. Ne nuk jemi veçse mjete; kjo është puna e Zotit. Kjo është Kisha e Tij, plani i ungjillit të Tij. Këta janë fëmijët e Tij me të cilët ne po punojmë. Ai nuk do të lejojë që ne të dështojmë nëse bëjmë pjesën tonë. Ai do të na lartësojë, madje përtej vetë talenteve dhe aftësive tona kur është e nevojshme. Këtë unë e di.33

Ne duhet të kujtojmë se … Kisha … nuk është bota e biznesit. Suksesi i saj matet me numrin e shpirtrave të shpëtuar, jo me përfitime dhe humbje. Ne kemi nevojë, natyrisht, të jemi të efektshëm dhe të frytshëm, por ne gjithashtu kemi nevojë ta mbajmë përqendrimin tonë tek objektivat e përjetshme. Jini të kujdesshëm rreth imponimit të metodave dhe terminologjive laike në funksionet e shenjta të priftërisë. Mbani mend se procedurat logjike të zgjidhjes së problemeve, megjithëse të dobishme, të vetme nuk do të jenë të mjaftueshme në punën e mbretërisë. Puna e Perëndisë duhet të bëhet me anë të besimit, të lutjes dhe me anë të Shpirtit, “dhe nëse është me anë të ndonjë mënyre tjetër, nuk është prej Perëndisë” (DeB 50:18).34

I gjithë qëllimi i Kishës është që të ndërtojë burrat dhe gratë, të cilët do të jenë të perëndishëm në sjelljet e cilësitë e tyre dhe në idealet e tyre.35

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson dha mësim se udhëheqësit duhet të japin një shembull të drejtë (shih pjesën 1). Përse shembulli është një ndikim kaq i fuqishëm? Si ju kanë ndikuar shembujt e drejtë të udhëheqësve?

  • Studiojini karakteristikat e udhëheqësve të mirë që janë shpjeguar në pjesën 2. Përse mendoni se njerëzit i “përgjigjen një udhëheqjeje të tillë”? Mendoni për atë që mund të bëni për t’i zhvilluar këto karakteristika.

  • Presidenti Benson dha mësim se udhëheqësit e Kishës duhet të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit si një kalues detyrash (shih pjesën 3). Si ndihmon kalimi i detyrave në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë? Në çfarë mënyrash keni përfituar nga përgjegjësitë që ju janë kaluar?

  • Si mund të ndryshojë shërbimi ynë në Kishë ndërsa kujtojmë se “kjo është puna e Zotit” dhe se “këta janë fëmijët e Tij me të cilët ne po punojmë”? (Shih pjesën 4.) Çfarë keni përjetuar kur keni vepruar si një mjet në duart e Zotit për të ndihmuar njerëz të tjerë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Eksodi 18:13–26; Mateu 5:13–16; Lluka 22:31–32; Alma 17:1–11; DeB 38:23–27

Ndihmë për Mësimdhënien

“Individët preken kur u njihen kontributet. Ju mund të bëni një përpjekje të veçantë për të pranuar komentet e çdo individi dhe, nëse është e mundur, bëjini komentet pjesë të diskutimeve të klasës” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 35–36).

Shënime

  1. Në Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 429.

  2. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 430.

  3. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 430.

  4. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 429.

  5. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 474–475.

  6. Gordon B. Hinckley, “Come and Partake”, Ensign, maj 1986, f. 47.

  7. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 345.

  8. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 372.

  9. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 375–376.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 371.

  11. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 371.

  12. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 455.

  13. God, Family, Country: Our Three Great Loyalties (1974), f. 126.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 375.

  15. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 377.

  16. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 375.

  17. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 375.

  18. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 371.

  19. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 372.

  20. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 370.

  21. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 371.

  22. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 147.

  23. The Teachings of Ezra Taft Benson, 376–377.

  24. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 345.

  25. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 378.

  26. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 378.

  27. God, Family, Country, f. 135–136.

  28. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 379.

  29. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 379–380.

  30. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 379.

  31. God, Family, Country, f. 140.

  32. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 371.

  33. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 372.

  34. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 372–373.

  35. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 373.