Mësime të Presidentëve
Hyrje


Hyrje

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësime të Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar t’i afroheni Atit tuaj Qiellor dhe të thelloni kuptimin tuaj mbi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime të reja kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Vëllimet në këtë seri janë hartuar që të përdoren si për studim vetjak, ashtu edhe për udhëzim të dielave. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime ose biseda të tjera dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi doktrinën e Kishës.

Ky libër paraqet mësime të Presidentit Ezra Taft Benson, që shërbeu si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga 10 nëntori 1985 deri më 30 maj 1994.

Pamja
Protraits of the First Presidency and other General Authorities [cac. 1962, 1971-1974] Ezra Taft Benson. Black and white version.
Pamja
Signature of Ezra Taft Benson.

Studimi Vetjak

Ndërsa i studioni mësimet e Presidentit Ezra Taft Benson, kërkoni plot lutje frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë të përsiatni mbi mësimet e Presidentit Benson, t’i kuptoni dhe t’i zbatoni ato. Idetë vijuese mund t’ju ndihmojnë gjithashtu:

  • Shkruajini mendimet dhe ndjenjat që ju vijnë nga Fryma e Shenjtë ndërsa studioni.

  • Nënvizoni fragmente që dëshironi t’i mbani mend. Merrni parasysh t’i mësoni përmendsh këto fragmente ose t’i shënoni në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargjeve me të cilët lidhen.

  • Lexojeni mbi një herë një kapitull ose fragment, në mënyrë që të mund ta kuptoni më thellësisht.

  • Bëjini vetes pyetje si këto që vijojnë: Si e rritin mësimet e Presidentit Benson të kuptuarin e parimeve të ungjillit prej meje? Çfarë dëshiron Zoti që unë të mësoj nga këto mësime?

  • Ndajeni atë çfarë mësoni me anëtarë të familjes dhe miq.

  • Pyeteni veten se si mund t’ju ndihmojnë mësimet në këtë libër lidhur me sfida dhe shqetësime vetjake.

Mësimdhënia nga Ky Libër

Ky libër është hartuar për përdorim në shtëpi dhe në mbledhjet e Kishës. Orientimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të jepni mësim nga ky libër.

Përgatituni të Jepni Mësim

Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Studiojeni plot lutje kapitullin që ju është caktuar, që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Presidentit Benson. Ju do të jepni mësim me sinqeritet dhe fuqi më të madhe kur fjalët e tij t’ju kenë ndikuar personalisht (shih DeB 11:21).

Nëse po jepni një mësim për Priftërinë Melkizedeke ose Shoqatën e Ndihmës, ju nuk duhet ta lini mënjanë këtë libër apo të përgatitni mësime nga materiale të tjera. Përzgjidhni me lutje nga kapitulli ato mësime që ju ndieni se do të jenë më të dobishmet për ata të cilëve u jepni mësim. Disa kapituj përmbajnë më shumë material nga sa do të jeni në gjendje të diskutoni gjatë orës së mësimit.

Nxitini pjesëmarrësit ta studiojnë kapitullin përpara mësimit dhe ta sjellin librin me vete. Kur e bëjnë këtë, ata do të përgatiten më mirë për të marrë pjesë në diskutime dhe për të lartësuar njëri-tjetrin.

Gjatë përgatitjes tuaj për të dhënë mësim, kushtojini vëmendje të veçantë pjesës “Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie” në fund të çdo kapitulli. Nën këtë titull, do të gjeni pyetje, shkrimet e shenjta përkatëse dhe një ndihmë për studimin ose ndihmë për mësimdhënien. Pyetjet dhe shkrimet e shenjta përkatëse lidhen veçanërisht me kapitullin në të cilin gjenden. Ndihmat për studim dhe ndihmat për mësimdhënie mund t’ju udhëzojnë në të gjitha përpjekjet tuaja për ta mësuar dhe jetuar ungjillin dhe për t’i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Paraqiteni Kapitullin

Ndërsa e paraqitni kapitullin dhe gjatë gjithë mësimit, përpiquni të krijoni një atmosferë ku Shpirti të mund t’i prekë zemrat dhe mendjet e atyre që u jepni mësim. Për ta nisur mësimin, ndihmojini ata të cilëve u jepni mësim që të përqendrohen te mësimet në kapitull. Ju mund të dëshironi të përdorni njërën ose më shumë nga idetë vijuese:

  • Lexojeni e diskutoni për pjesën me titull “Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit” në fillim të kapitullit.

  • Diskutoni mbi një figurë ose shkrim të shenjtë nga kapitulli.

  • Këndoni së bashku një himn që lidhet me kapitullin.

  • Tregoni shkurt një përvojë vetjake mbi temën.

Nxitni një Diskutim mbi Mësimet e Presidentit Benson

Ndërsa jepni mësim nga ky libër, ftojini të tjerët të shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje dhe të mësojnë njëri-tjetrin. Kur marrin pjesë aktivisht, ata do të jenë më të përgatitur të mësojnë dhe të marrin zbulesë personale. Lejoni që të vazhdojnë diskutime të mira në vend që të përpiqeni t’i trajtoni të gjitha mësimet. Për ta nxitur diskutimin, përdorni pyetjet në fund të çdo kapitulli. Ju gjithashtu mund të hartoni vetë pyetjet tuaja posaçërisht për ata që po u jepni mësim.

Alternativat vijuese mund t’ju japin ide të tjera:

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë se çfarë kanë mësuar nga studimi i tyre vetjak i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të kontaktoni me disa pjesëmarrës gjatë javës dhe t’u kërkoni të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë kanë mësuar.

  • Caktoni pjesëmarrës që të lexojnë pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit (qoftë individualisht ose në grupe të vogla). Thuajuni të kërkojnë në kapitull mësime që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini të shprehin mendimet dhe pikëpamjet e tyre.

  • Lexojini së bashku disa prej mësimeve të Presidentit Benson në kapitull. Kërkojuni pjesëmarrësve të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga vetë përvoja e tyre që i ilustrojnë ato mësime.

  • Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë për atë që kanë mësuar.

Nxitni Tregimin dhe Zbatimin

Mësimet e Presidentit Benson do të jenë shumë kuptimplote për pjesëmarrësit që ua tregojnë ato të tjerëve dhe i zbatojnë në jetën e tyre. Ju mund të dëshironi të përdorni njërën ose më shumë nga idetë vijuese:

  • Pyetini pjesëmarrësit si mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Benson në përgjegjësitë e tyre në shtëpi dhe në Kishë. Për shembull, ju mund t’i ndihmoni që të meditojnë dhe të diskutojnë rreth mënyrës se si mund t’i zbatojnë mësimet e tij si bashkëshortë, bashkëshorte, prindër, bij, bija, mësues shtëpie ose mësuese vizitore.

  • Nxitini pjesëmarrësit t’ua tregojnë disa nga mësimet e Presidentit Benson anëtarëve të familjes dhe miqve.

  • Ftojini pjesëmarrësit ta zbatojnë atë që kanë mësuar dhe të tregojnë përvojat e tyre në fillimin e orës tjetër mësimore.

Përmbylleni Diskutimin

Përmblidheni shkurtimisht mësimin ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Jepni dëshmi për mësimet që keni diskutuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të japin dëshmitë e tyre.

Informacion mbi Burimet e Cituara në Këtë Libër

Mësimet në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga predikime, artikuj, libra të botuar dhe ditarë të Presidentit Ezra Taft Benson. Citimet nga burime të botuara kanë ruajtur shenjat e pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Për këtë arsye, mund të vini re mospërputhje të vogla në tekst. Për shembull, përemra që i drejtohen Hyjnisë janë me germë të vogël në disa citime dhe me të madhe në të tjera.

Gjithashtu, Presidenti Benson i përdorte shpesh terma të tilla si burra, burrë, ose njerëzimi për t’iu drejtuar të gjithë njerëzve, si meshkujve edhe femrave. Ai shpesh i përdorte përemrat ai, i tij dhe atë për t’iu drejtuar të dyja gjinive. Kjo qe e zakonshme në gjuhën e kohës së tij. Me gjithë ndryshimet mes këtyre shprehjeve gjuhësore dhe përdorimit të tanishëm, mësimet e Presidentit Benson gjejnë zbatim si për gratë edhe për burrat.