Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23: ‘Forco Kunjat e Tua’


Kapitulli 23

“Forco Kunjat e Tua”

“Kunjet dhe distriktet e Sionit janë simbole të vendeve të shenjta, për të cilat flet Zoti, ku shenjtorët e Tij duhet të mblidhen në ditët e fundit si një strehim prej stuhisë.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Më 13 janar 1935 anëtarë të Kunjit të Boisit në Ajdaho e mbështetën Ezra Taft Bensonin 35 vjeçar si këshilltarin e parë të presidencës së kunjit të tyre. Nën drejtimin e Presidentit Skot S. Braun, Presidenti Benson pati shumë mundësi për të shërbyer, udhëhequr dhe dhënë mësim. Për shembull, ai luajti një rol të rëndësishëm për ta ndihmuar një mbajtës së Priftërisë Melkizedeke të kthehej në aktivitet në Kishë1 dhe ndihmoi për t’i udhëhequr përpjekjet e kunjit që të vinin në jetë programin e Kishës për mirëqenien.2

Në vitin 1938, kunji ishte rritur në më shumë se 8.000 anëtarë, kështu që Presidenca e Parë dha udhëzimin që ai të ndahej në tre kunje. Presidenti Benson tha se u “habit shumë” kur, më 27 nëntor 1938, ai u thirr të kryesonte mbi një prej atyre kunjeve. Gruaja e tij, Flora, u tha fëmijëve të tyre se ishte bekim për atin e tyre që ta merrte këtë thirrje.3

Shërbimi i Presidentit Benson si president kunji ishte një bekim për mbarë kunjin. Ai vazhdoi t’ua mësonte parimet e mirëqenies dhe i kushtoi vëmendje të veçantë rinisë. Përpara një sesioni të një konference kunji, ai vuri re një grup djemsh të rinj duke u përpjekur të largoheshin pa rënë në sy nga shtëpia e mbledhjes. “Ata filluan të ecnin me ngadalë poshtë korridorit drejt derës së pasme, duke i mbajtur sytë nga hyrja, për t’u siguruar që dalja e tyre nuk po vihej re. Pothuajse në atë kohë [ai] doli nga zyra e tij, e kuptoi gjendjen dhe i shtriu krahët e tij përmes korridorit me qëllim që djemtë të binin drejtpërdrejt në to. ‘Gëzohem shumë që ju shoh, djem’, tha ai. ‘Le të shkojmë në konferencë së bashku.’ Ai i udhëhoqi për te karriget e radhëve të para dhe më vonë i thirri ata që të jepnin dëshmitë e tyre.”4

Më pak se dy muaj pasi Presidenti Benson filloi shërbimin si president i kunjit, atij i erdhi një e papritur tjetër e këndshme. Iu ofrua një punë si sekretari ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Kooperativave të Fermerëve, e cila do të kërkonte që ai të punonte në Uashington, D.K. Fillimisht ai nuk e pranoi punën e ofruar, por pasi u këshillua me Florën dhe Presidencën e Parë, vendosi ta pranonte atë.5 Kur u lirua nga detyra e presidentit të kunjit më 26 mars 1939, ai shkroi se ajo ishte “dita më e vështirë që kam përjetuar ndonjëherë. … Në fjalët e mia [drejtuar anëtarëve të kunjit], unë u bekova shumë nga Zoti, por pata vështirësi të madhe për t’i kontrolluar ndjenjat e mia. Nuk ka njerëz më të mirë në të gjithë botën [dhe] unë e dua secilin prej tyre.”6

Familja Benson u vendos në Betesda të Merilendit, pranë Uashington, D.K. Diçka më shumë se një vit më vonë, Presidenti Raxhër Kllosën, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plaku Albert E. Bouen, gjithashtu i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, e vizituan zonën për të organizuar një kunj të ri. Presidenti Kllosën u takua me Ezra Taft Bensonin dhe tha: “Vëlla Benson, Zoti dëshiron që ju të jeni presidenti i këtij kunji. Çfarë keni për të thënë lidhur me këtë?” Përsëri Presidenti Benson pati një të papritur. Ai vërejti: “Nuk i njoh këta njerëz. Kam jetuar këtu për më pak se një vit.”7 Por me përulësi e pranoi thirrjen dhe kryesoi mbi rreth 2.000 anëtarë të kunjit në një kunj gjeografikisht të madh. Flora komentoi për shërbimin e tij si president kunji: “Ai e do shumë atë. Nuk është titulli që ka rëndësi për të, por është gëzimi i të qenit i aftë për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, që të kuptonin të vërtetën e ungjillit.”8

Më vonë, si Apostull, Presidenti Benson vizitoi kunje nëpër të gjithë botën. Ai komentoi: “Nganjëherë i kam thënë gruas sime, ndërsa kthehesha nga vizitat nëpër kunje, se nuk e di se si do të jetë me saktësi parajsa, por nuk mund të kërkoja asgjë më të mirë atje se sa të kisha kënaqësinë dhe gëzimin e shoqërimit me llojin e burrave dhe të grave që takoj në udhëheqjen e kunjeve dhe të lagjeve të Sionit dhe të misioneve të tokës. Me të vërtetë ne jemi shumë të bekuar.”9

Pamja
Ward council members being taught using the Worldwide Leadership Training video.

Një qëllim i një kunji është “t’i bashkojë dhe t’i përsosë anëtarët … duke përçuar tek ata programet e Kishës, ordinancat dhe udhëzimet e ungjillit”.

Mësime të Ezra Taft Benson

1

Si anëtarë të Kishës ne mblidhemi në kunjet e Sionit.

Joanëtarët nganjëherë pyesin: “Çfarë është një kunj?” Anëtarët po ashtu pyesin: “Cila është domethënia e një kunji? Çfarë kuptimi ka ai për ne si anëtarë?”

Për joanëtarët, një kunj është i ngjashëm me një dioqezë në kishat e tjera. Një kunj është një zonë gjeografike që përmbledh një numër lagjesh (grumbullimesh vendore) dhe kryesohet nga një presidencë.

Për anëtarët, fjala kunj është një shprehje simbolike. Përfytyroni në mendjen tuaj një çadër të madhe, që mbahet nga litarë të zgjatur te shumë kunja, të cilët janë siguruar fort në tokë. Profetët e krahasuan Sionin e ditëve të mëvonshme me një çadër të madhe që qarkon tokën [shih Isaia 54:2; 3 Nefi 22:2]. Ajo çadër mbështetej nga litarë të mbërthyer te kunja. Ata kunja, sigurisht, janë organizatat e ndryshme gjeografike të shpërndara në mbarë tokën. Tashmë Izraeli po mblidhet në kunjet e ndryshme të Sionit.10

Një kunj ka të paktën katër qëllime:

1. Secili kunj, i kryesuar nga tre priftërinj të lartë dhe i mbështetur nga dymbëdhjetë burra të njohur si këshilli i lartë, bëhet një kishë në miniaturë për shenjtorët në një zonë të veçantë gjeografike. Qëllimi është t’i bashkojë dhe t’i përsosë anëtarët që jetojnë brenda atyre kufijve, duke iu drejtuar atyre programet e Kishës, ordinancat dhe udhëzimet e ungjillit.

2. Anëtarët e kunjeve duhet të jenë modele ose standarde të drejtësisë.

3. Kunjet duhet të jenë një mbrojtje. Anëtarët e bëjnë këtë ndërkohë që bashkohen nën drejtuesit e tyre vendorë të priftërisë dhe e përkushtojnë vetveten për ta kryer detyrën e tyre dhe për t’i mbajtur besëlidhjet e veta. Ato besëlidhje, nëse mbahen, bëhen një mbrojtje nga gabimi, ligësia ose fatkeqësia.

Ne ndërtojmë tempuj vetëm atje ku kemi kunje. Bekimet dhe ordinancat e tempullit e përgatitin një njeri për ekzaltimin. Sigurisht, nuk është e mundur për çdo kunj që të ketë një tempull, por ne tani po dëshmojmë disa zhvillime mbresëlënëse, po, të mrekullueshme, në ndërtimin e tempujve në pjesë të ndryshme të botës. Një program i tillë i lejon anëtarët e Kishës që t’i marrin bekimet e plota të Zotit.

4. Kunjet janë një strehim nga stuhia që do të derdhet mbi të gjithë tokën.11

2

Kunjet organizohen për t’i ndihmuar prindërit që t’ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre dhe që t’i udhëheqin ata drejt ordinancave të ungjillit.

Në Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë:

“Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e saj që organizohen, të cilët nuk u mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve. Sepse ky do të jetë një ligj për banorët e Sionit, ose në ndonjë nga kunjat e tij, që organizohen.” (68:25–26; kursivet e shtuara.)

Këtu ju shihni një nga qëllimet më të mëdha të kunjeve. Ata organizohen që t’i ndihmojnë prindërit “që kanë fëmijë në Sion” për t’u mësuar atyre ungjillin e Jezu Krishtit dhe për t’u administruar ordinancat e shpëtimit. Kunjet formohen për t’i përsosur shenjtorët dhe ai zhvillim fillon në shtëpi me udhëzimin e efektshëm të ungjillit.12

3

Ndërsa anëtarët e kunjit e pasqyrojnë standardin e Zotit për shenjtërinë, kunji bëhet një emblemë e bukur për t’u parë nga e gjithë bota.

Zoti shpall: “Sepse Sioni duhet të rritet në bukuri dhe në shenjtëri; kufijtë e tij duhet të zgjerohen; kunjat e tij duhet të forcohen; po, në të vërtetë unë ju them, Sioni duhet të ngrihet dhe të veshë rrobat e tij të bukura.” (Doktrina e Besëlidhje 82:14.)

Këtu Zoti shpall një tjetër qëllim të madh të një kunji: që të jetë një emblemë e bukur për t’u parë nga e gjithë bota. Shprehja “të veshë rrobat e tij të bukura” i drejtohet, sigurisht, shenjtërisë së brendshme që duhet të fitohet nga çdo anëtar ose anëtare që e quan veten një shenjtor apo një shenjtore. Sioni është “të kulluarit në zemër”. (Doktrina e Besëlidhje 97:21.)

Kunjet e Sionit forcohen dhe kufijtë e Sionit zgjerohen ndërkohë që anëtarët i pasqyrojnë standardet e shenjtërisë që Zoti pret prej popullit të Tij të zgjedhur.13

4

Secili kunj shërben si mbrojtje dhe strehim ndaj armiqve të dukshëm e të padukshëm.

Përsëri një tjetër zbulesë nga Zoti jep këtë shpjegim për qëllimin e kunjeve: “Në të vërtetë unë ju them ju të gjithëve: Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet; Dhe që mbledhja së bashku mbi tokën e Sionit dhe në kunjat e tij të mund të jetë për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”. (Doktrina e Besëlidhje 115:5–6.)

Në këtë zbulesë gjendet një urdhër për ta lejuar dritën tonë që të shkëlqejë me qëllim që ajo të bëhet një flamur për kombet. Një flamur është një mjet matës me anë të të cilit dikush përcakton saktësi ose përsosmëri. Shenjtorët duhet të jenë një flamur shenjtërie për botën për ta parë. Ajo është bukuria e Sionit.

Zoti më pas zbulon se kunjet e Sionit duhet të jenë “për një mbrojtje dhe për një strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”. Kunjet janë një mbrojtje për shenjtorët nga armiqtë si të dukshëm ashtu edhe të padukshëm. Mbrojtja është drejtimi i siguruar nëpërmjet kanaleve të priftërisë që e forcon dëshminë dhe e nxit solidaritetin në familje dhe drejtësinë individuale.

Në parathënien e Tij për zbulesat e Tij në Doktrina e Besëlidhje, Zoti paralajmëroi: “Dita shpejt vjen; ora nuk është ende, por është afër, kur paqja do të merret nga toka dhe djalli do të ketë pushtet mbi sundimin e tij” [Doktrina e Besëlidhje 1:35].

Sot … ne shohim plotësimin e këtij parashikimi ku Satani, në tërbim të padobësuar, po shpalos fuqi mbi “sundimin e tij” – tokën. Kurrë nuk ka qenë ndikimi i tij kaq i madh dhe vetëm ata që e kanë marrë Frymën e Shenjtë si udhërrëfyesin e tyre – dhe e kanë ndjekur këshillën e udhëheqësve të priftërisë – do të kursehen nga pështjellimi i ndikimit të tij të lig.

Zoti gjithashtu deklaron në atë zbulesë paraprake se Ai do të ketë fuqi mbi shenjtorët e Tij dhe se “dhe do të mbretërojë mes tyre” [Doktrina e Besëlidhje 1:36]. Ai e bën këtë ndërsa vepron nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur dhe autoriteteve të kunjeve e të lagjeve.14

Pamja
An African congregation gathered in sacrament meeting.

Duke u mbledhur me bashkëshenjtorët, ne kuptojmë se një kunj mund të jetë “për një mbrojtje dhe për një strehim nga stuhia” (DeB 115:6).

Ndërsa rritet Kisha, është shumë e rëndësishme që ne të ndërtojmë në mënyrë të qëndrueshme dhe mirë, dhe që kunjet tanë të ardhshëm të kenë përbërësit bazë që janë të domosdoshëm për sukses dhe që kunjet ekzistuese të veprojnë në mënyrë të palodhshme për të qenë kunje tërësore lidhur me arritjen shpirtërore. Këto kunje duhet të jenë vendet e mbledhjes për Sionin e sotëm dhe ata kanë nevojë të jenë shenjtërore shpirtërore dhe të jenë të mbështetura te vetja në sa më shumë mënyra që është e mundur.15

Kunjet dhe distriktet e Sionit janë simbole të vendeve të shenjta, për të cilat flet Zoti, ku shenjtorët e Tij duhet të mblidhen në ditët e fundit si një strehim prej stuhisë. Ju dhe fëmijët tuaj do të mblidheni këtu për të adhuruar, për të bërë ordinanca të shenjta, për t’u shoqëruar, për të mësuar, për të dhënë shfaqje me muzikë, vallëzim, drama, sporte dhe në përgjithësi për ta përmirësuar vetveten dhe njëri-tjetrin. Shpesh mendohet e rëndësishme që godinat tona kishtare të kenë mbi to një majë të ngritur lart, me një kulm drejt qiejve për të simbolizuar se si jeta jonë duhet të jetë përherë duke lëvizur lart drejt Perëndisë.16

Profeti i Librit të Mormonit, Nefi, parashikoi kohën kur shenjtorët do të shpërndaheshin në kunje nëpër të gjithë botën. Ai pa kohën kur Zoti do ta shtrinte mbrojtjen e Tij drejt tyre, kur të rrezikoheshin nga stuhitë e shkatërrimit që kërcënonte ekzistencën e tyre. Nefi profetizoi: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”. (Libri i Mormonit, 1 Nefi 14:14.)

Nëpërmjet zbulesës ne e dimë se do të ketë rreziqe, fatkeqësi dhe përndjekje në ditët e mëvonshme, por nëpërmjet drejtësisë shenjtorët mund të kursehen. Premtimi i Zotit në Librin e Mormonit është i sigurt: “Ai do t’i ruajë të drejtët nëpërmjet fuqisë së tij”. (1 Nefi 22:17.)17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Pas leximit të pjesës 1, si do t’i përgjigjeshit dikujt që pyet përse anëtarët e Kishës organizohen në kunje?

  • Presidenti Benson na kujtoi se kunjet i ndihmojnë prindërit që t’u mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre dhe sigurojnë ordinancat e priftërisë për ta (shih pjesën 2). Në çfarë mënyrash i ka forcuar kunji juaj përpjekjet tuaja në shtëpi?

  • Kur i keni parë anëtarët e një kunji të mblidhen së bashku që të japin një shembull “për t’u parë nga e gjithë bota”? (Shih pjesën 3.) Si keni përfituar ju nga këto veprimtari?

  • Në çfarë mënyrash siguron një kunj mbrojtje “nga armiqtë si të dukshëm ashtu edhe të padukshëm”? (Shih pjesën 4.) Çfarë mundësish kemi që të marrim pjesë në kunjin tonë? Cilat janë disa bekime që mund të marrim kur e bëjmë këtë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 25:3–5; Mateu 5:14–16; Moroni 10:31–33; DeB 101:17–21; 133:7–9

Ndihmë për Mësimdhënien

“Një mësues i aftë nuk mendon ‘Çfarë do të bëj në klasë sot?’ por pyet ‘Çfarë do të bëjnë studentët e mi në klasë sot?’; jo ‘Çfarë do të jap mësim sot?’ por, përkundrazi, ‘Si do t’i ndihmoj studentët e mi që të zbulojnë atë që ata kanë nevojë të dinë?’” (Virxhinia H. Pearce, “The Ordinary Classroom – A Powerful Place for Steady and Continued Growth”, Ensign, nëntor 1996, f. 12; duke cituar Teaching the Gospel: A Handbook for CES Teachers and Leaders [1994], f. 13).

Shënime

  1. Shih kapitullin 20 në këtë libër.

  2. Shih kapitullin 21 në këtë libër.

  3. Shih Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 122; Francis M. Gibbons, Ezra Taft Benson: Statesman, Patriot, Prophet of God (1996), f. 104.

  4. Sheri L. Dew, bazuar në rrëfimin nga Don Schlurf, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 122.

  5. Shih kapitullin 1 në këtë libër.

  6. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 144.

  7. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 156–157.

  8. Flora Amussen Benson, cituar në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 159.

  9. Në Conference Report, tetor 1948, f. 98.

  10. Come unto Christ (1983), f. 101.

  11. Come unto Christ, f. 104–105.

  12. Come unto Christ, f. 101–102.

  13. Come unto Christ, f. 102.

  14. Come unto Christ, f. 103–104.

  15. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 151.

  16. The Teachings of Ezra Taft Benson f. 151–152.

  17. Come unto Christ, f. 104.