Mësime të Presidentëve
Kapitulli 20: ‘Ushqeni Delet e Mia’


Kapitulli 20

“Ushqeni Delet e Mia”

“Ne të gjithë duhet të mësojmë të jemi barinj të vërtetë. Ne duhet t’u shfaqim të tjerëve të njëjtën dashuri që Bariu i Mirë ka për të gjithë ne. Çdo shpirt është i çmuar për Të.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Presidenti Ezra Taft Benson tregoi për një përvojë që pati, kur ishte duke shërbyer si këshilltar në një presidencë kunji.

“Në një mbledhje presidence në Boisi të Ajdahos, vite më parë, ne po përpiqeshim të përzgjidhnim një president për kuorumin më të dobët dhe më të vogël të pleqve në kunj. Nëpunësi ynë kishte sjellë një listë të të gjithë pleqve të atij kuorumi dhe në listë ishte emri i një burri të cilin e kisha njohur për disa vite. Ai vinte nga një familje e fortë shenjtore e ditëve të mëvonshme, por ai nuk ishte shumë aktiv në Kishë.

Nëse peshkopi bënte thirrje për të bërë disa punë në kishë, ai zakonisht përgjigjej, dhe nëse pleqtë donin të luanin softboll, ndonjëherë do ta gjenit duke luajtur me ta. Ai kishte aftësi udhëheqjeje; ai ishte president i një klubi shërbimesh dhe po bënte një punë të mirë.

I thashë presidentit të kunjit: ‘A do të më autorizoni që të shkoj dhe ta takoj këtë njeri, dhe ta ftoj që ta përshtatë jetën e tij me standardet e Kishës e të marrë udhëheqjen në kuorumin e tij? E di që ka pak rrezik te kjo, por ai e ka aftësinë’.

Presidenti i kunjit tha: ‘Ti vazhdo dhe Zoti të bekoftë’.

… Shkova në shtëpinë e këtij burri. Nuk do ta harroj kurrë pamjen në fytyrën e tij ndërsa hapi derën dhe pa një anëtar të presidencës së kunjit të tij duke qëndruar atje. Ai më ftoi brenda me ngurrim; bashkëshortja e tij po përgatiste darkën dhe unë mund ta ndieja aromën e kafesë që vinte nga kuzhina. I kërkova që bashkëshortja e tij të bashkohej me ne dhe, kur u ulëm, unë i tregova përse kisha ardhur. ‘Nuk do ta kërkoj përgjigjen tuaj sot’, i thashë atij. ‘Gjithçka që dua të bëni është të më premtoni se do të mendoni për të, do të luteni për të, mendoni për të në lidhje me atë që do të thotë për familjen tuaj dhe pastaj, unë do të kthehem javën që vjen për t’ju parë. Nëse vendosni të mos e pranoni, ne do të vazhdojmë t’ju duam’, shtova unë.

Të dielën e ardhshme, sapo ai hapi derën pashë se kishte ndodhur një ndryshim. Ai ishte i lumtur të më shihte dhe me shpejtësi më ftoi të hyja brenda dhe e thirri bashkëshorten e tij që të na bashkohej. Ai tha: ‘Vëllai Benson, ne kemi bërë siç na thatë. Ne menduam për të e u lutëm për të dhe kemi vendosur ta pranojmë thirrjen. Nëse ju vëllezër keni kaq mirëbesim tek unë, unë jam i gatshëm ta përshtat jetën time me standardet e Kishës, një gjë që duhet të kisha bërë kohë më parë.’

Ai tha gjithashtu: ‘Nuk kam pirë asnjë kafe qëkurse ishit këtu javën e kaluar dhe nuk kam për të pirë më’.

Ai u veçua si president i kuorumit të pleqve dhe pjesëmarrja në kuorumin e tij filloi të rritej – dhe vazhdoi të rritej. Ai doli, u hodhi krahun pleqve më pak aktivë dhe i solli brenda. Pak muaj më vonë unë u shpërngula nga kunji.

Vitet kaluan dhe një ditë në Sheshin e Tempullit në Solt-Lejk-Siti, një burrë u afrua tek unë, zgjati dorën dhe tha: ‘Vëllai Benson, ju nuk më mbani mend apo jo?’

‘Po, të mbaj mend’ i thashë, ‘por nuk më kujtohet emri juaj’.

Ai tha: ‘A ju kujtohet që erdhët në shtëpinë e një plaku shkelës në Boisi, shtatë vjet më parë?’ Dhe atëherë, natyrisht, m’u kujtua gjithçka. Pastaj ai tha: ‘Vëllai Benson, unë kurrë nuk do të jetoj mjaftueshëm gjatë sa t’ju falënderoj që erdhët në shtëpinë time atë të diel pasdite. Tani jam një peshkop. Mendoja se isha i lumtur, por nuk e dija se çfarë ishte lumturia e vërtetë.’”1

Duke qenë i frymëzuar nga kjo përvojë dhe të tjera, Presidenti Benson i nxiti shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme t’u zgjatin dorën anëtarëve të Kishës që jetojnë “veçan Kishës dhe ndikimit të ungjillit”2. Në konferencën e përgjithshme në prill të vitit 1984, ai tha: “Ne jemi të kënaqur me aktivizimin e shumë prej vëllezërve dhe motrave tona. Ne i nxitim udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave ndihmëse që ta vazhdojnë këtë përpjekje.”3 Po atë javë, ai i foli një grupi të udhëheqësve të priftërisë rreth nevojës për të shoqëruar burrat në Kishë, që ende nuk janë shuguruar pleq:

“Zemra ime ndien dhembshuri për ata burra, krerë të familjeve. … Unë nuk besoj se ne kemi një sfidë më të madhe sot në Kishë sesa t’i aktivizojmë ata burra dhe t’i sjellim në një pikë, ku ata mund t’i çojnë familjet e tyre në shtëpinë e Zotit dhe të sigurojnë për ta bekimet më të mëdha të njohura për burrat e gratë, në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Vëllezër, shpresa dhe lutja jonë është që ju do ta shikoni këtë përpjekje aktivizimi më shumë sesa thjesht një program të përkohshëm. Ne shpresojmë se, kur kjo periudhë e historisë së Kishës të regjistrohet, do të thuhet se shënoi një kohë kur shumë shpirtra endacakë dhe të humbur u shpëtuan nga Kisha e Perëndisë.”4

Pamja
Christ sitting wiatching a flock of sheep.

“Tani është koha që të zbatojmë mësimet e Shpëtimtarit për bariun e mirë.”

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Si ndjekës të Zotit, pjesë e misionit tonë është që t’u zgjatim dorën vëllezërve dhe motrave tona që e kanë larguar veten e tyre nga Kisha.

Qëllimi i kishës së Zotit është që të çojë më tej përparimin e çdo biri dhe bije të Perëndisë, drejt bekimeve përfundimtare të jetës së përjetshme …

Unë dëshiroj të diskutoj misionin tonë për të përsosur shenjtorët, veçanërisht sfidën për të aktivizuar ata që e kanë larguar veten e tyre nga aktiviteti i plotë në Kishë. Këta anëtarë, që janë vëllezërit e motrat tona, aktualisht jetojnë veçan nga Kisha dhe ndikimi i ungjillit.

Në këtë grup anëtarësh më pak aktivë, ka shumë që nuk marrin pjesë të cilët mund të jenë indiferentë dhe moskokëçarës. Të përfshirë janë edhe ata që janë përkohësisht të humbur, sepse ne nuk i njohim vendndodhjet e tyre. Disa prej këtyre janë të kthyer të rinj në besim, që me sa duket nuk e morën vëmendjen dhe mësimet ushqyese që do t’i kishte bërë të jenë “bashkëqytetarë me shenjtorët”. (Shih Efesianëve 2:19.) Shumë janë beqarë në moshë madhore.

Të gjithë personave të tillë, ne, si anëtarë të Kishës dhe ndjekës të Zotit, duhet t’u japim e t’u përtërijmë dashurinë tonë dhe ftesën e bërë me zemër për t’u kthyer. “Kthehuni. Kthehuni dhe ushqehuni në tryezën e Zotit, dhe shijoni sërish frytet e ëmbla dhe të kënaqshme të shoqërimit me shenjtorët.” (Ensign, mars 1986, f. 88.)

Sfida përpara nesh është e madhe. … Ne duhet të ushtrojmë besim të madh, energji dhe zotim nëse do t’i ndihmojmë këta vëllezër e motra. Por ne duhet ta bëjmë atë. Zoti pret që ne ta bëjmë. Dhe ne do ta bëjmë!5

2

Ndërsa kërkojmë t’i ushqejmë ata që kanë shkuar në rrugë të gabuar, ne duhet t’i zbatojmë mësimet e Shpëtimtarit për bariun e mirë.

Tani është koha që t’i zbatojmë mësimet e Shpëtimtarit për bariun e mirë ndaj sfidës që është para nesh, për të rigjetur delet e humbura dhe qengjat e pabindur.

“Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?

Dhe nëse i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, sesa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.” (Mateu 18:12–13.)

Në kohën e Jezusit, bariu palestinez e njihte çdo dele të tij. Delet e njihnin zërin e tij dhe i besonin atij. Ato nuk do të ndiqnin një të huaj. Kështu, kur thirreshin, delet vinin tek ai. (Shih Gjoni 10:1–5, 14.)

Natën, barinjtë do t’i udhëhiqnin delet e tyre për në vathë ose stan. Stanin e rrethonin mure të larta dhe vendoseshin gjemba në krye të mureve, për t’i penguar kafshët e egra dhe hajdutët nga ngjitja mbi mur. Megjithatë, ndonjëherë, një kafshë e egër e nxitur nga uria kërcente mbi mure në mes të deleve, duke i frikësuar dhe kërcënuar ato.

Një situatë e tillë e veçonte bariun e vërtetë – një njeri që i donte delet e tij – nga mëditësi që punonte vetëm për para. Bariu i vërtetë ishte i gatshëm të jepte jetën e tij për delet. Ai do të shkonte në mes të deleve dhe luftonte për mirëqenien e tyre. Mëditësi, nga ana tjetër, e vlerësonte sigurinë e tij vetjake mbi atë të deleve, dhe zakonisht largohej nga rreziku.

Jezusi e përdori këtë ilustrim të zakonshëm të kohës së Tij për të shpallur se Ai ishte Bariu i Mirë, Bariu i Vërtetë. Për shkak të dashurisë së Tij për vëllezërit e motrat e Tij, Ai do ta jepte me dëshirë dhe vullnetarisht jetën e Tij për ta. (Shih Gjoni 10:11–18.)

Në fund, Bariu i Mirë e dha jetën e Tij për delet – për ju dhe mua, për të gjithë ne.

Simbolika e bariut të mirë nuk është pa ngjashmëri domethënëse në Kishë sot. Delet kanë nevojë të udhëhiqen nga barinj vigjilentë. Shumë po enden. Disa po joshen nga zbavitje të çastit. Të tjera kanë humbur plotësisht.

Ne e kuptojmë, si në kohët e kaluara, se disa nga delet do të ngrenë krye dhe janë “si një kope e egër e cila ikën me vrap nga bariu”. (Mosia 8:21.) Por pjesa më e madhe e problemeve tona rrjedh nga mungesa e kujdestarisë me dashuri e vëmendje, dhe më shumë barinj duhet të rriten.

Me kujdesin e bariut, anëtarët tanë të rinj, ata që sapo kanë lindur në ungjill, duhet të ushqehen nga miqësi të vëmendshme ndërsa rriten në njohurinë e ungjillit e fillojnë të jetojnë standarde të reja. Një vëmendje e tillë do të ndihmojë për të siguruar që ata nuk do t’u rikthehen zakoneve të vjetra.

Me kujdesin e dashur të një bariu, të rinjtë tanë, qengjat tanë të vegjël, nuk do të kenë aq shumë prirje për t’u endur. Dhe nëse e bëjnë, kërraba e shkopit të bariut – një krah i dashur dhe një zemër mirëkuptuese – do t’i ndihmojë për t’i rikthyer.

Me kujdesin e një bariu, shumë prej atyre që tani janë të pavarur nga kopeja, mund të shpëtohen ende. Shumë njerëz që janë martuar jashtë Kishës dhe kanë zgjedhur të jetojnë një mënyrë jetese si të botës, mund t’i përgjigjen një ftese për t’u kthyer në tufë.6

Pamja
A young couple with a baby are talking to another young couple as they sit in a classroom.

Ndërsa ushqejmë miqësinë në lagjet e degët tona, ne e ndihmojmë njëri-tjetrin të qëndrojë në tufën e Bariut të Mirë.

3

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme që kanë shkuar në rrugë të gabuar, kanë nevojë për shqetësim të vërtetë, që buron nga zemra, prej barinjve të vërtetë e të dashur.

Nuk ka zgjidhje të reja për këtë problem të vjetër të endjes së deleve diku për ushqim. Porosia që Jezusi i dha Pjetrit, të cilën Ai e theksoi duke e përsëritur tri herë, është zgjidhja e provuar: “Kulloti qengjat e mi. Ruaji delet e mia. Kulloti delet e mia.” (Shih Gjoni 21:15–17.)

Si në këshillën e lavdishme të Librit të Mormonit, ata që u pagëzuan në kishën e Krishtit duhet “të kujtohe[n] dhe të ushqehe[n] [vazhdimisht] nga fjala e mirë e Perëndisë”. (Moroni 6:4.)

Përgjigjja, atëherë, gjendet te kullotja dhe ushqimi plot lutje i tufës – me fjalë të tjera, përkujdesje vetjake. Duhet të ketë një shqetësim real, që buron nga zemra e një bariu të vërtetë dhe të dashur, jo thjesht një shqetësim të cekët që mund të shfaqë një mëditës.

Ndërsa diskutojmë për konceptin e një bariu të vërtetë, ne e pranojmë se Zoti ua ka dhënë këtë përgjegjësi mbajtësve të priftërisë. Por edhe motrat kanë thirrje të “përkujdesjes” në shërbimin me dashuri hyjnore dhe të dashur që ato i japin njëra-tjetrës e të tjerëve. Pra, ne të gjithë duhet të mësojmë të jemi barinj të vërtetë. Ne duhet t’u shfaqim të tjerëve të njëjtën dashuri që Bariu i Mirë ka për të gjithë ne. Çdo shpirt është i çmuar për Të. Ftesa e Tij i drejtohet çdo anëtari – çdo biri e bije të Perëndisë.

“Vini re, ai u dërgon të gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj. …

Ejani tek unë dhe do të hani nga fruti i pemës së jetës; …

Po, ejani tek unë dhe sillni vepra drejtësie.” (Alma 5:33–35.)

Asnjërit nuk i mohohet ftesa e Tij. Janë të mirëpritur të gjithë ata që e pranojnë ftesën e Tij hirplotë për të marrë nga ungjilli i Tij. Delet – disa të shpërqendruara, disa të painteresuara, disa të shqetësuara – duhet të gjenden dhe të kthehen me dashuri në aktivitet. Çdo burim priftërie dhe organizate ndihmëse duhet të përdoret për të ndihmuar në këtë përpjekje.

Kjo sfidë nuk do të përmbushet kurrë derisa udhëheqësit e kunjit, lagjes, kuorumit e organizatave ndihmëse dhe anëtarë besnikë kudo, të ushtrojnë vullnetin dhe besimin e tyre për t’i sjellë më pak aktivët në aktivitet të plotë në Kishë.

Ndërsa përpiqeni me zell për ta përmbushur këtë qëllim të denjë, ne ju këshillojmë që t’i jepni një theks të përtëritur mësimeve të efektshme të shtëpisë, të priftërisë dhe vizitave mësimore të efektshme të Shoqatës së Ndihmës. Mësimet e shtëpisë dhe vizitat mësimore janë programe të frymëzuara. Ato janë caktuar për të ndihmuar secilin anëtar të Kishës çdo muaj, si aktivët edhe më pak aktivët. Ju lutem, jepuni një theks më të madh mësimeve të shtëpisë dhe vizitave mësimore.7

4

Ndërsa vazhdojmë t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona, ne mund t’i ndihmojmë ata të marrin të gjitha bekimet dhe ordinancat e ungjillit.

Lutjet tona sot duhet të jenë me të njëjtin intensitet dhe shqetësim siç ishin lutjet e Almës, kur kërkonte shpëtimin e zoramitëve të përhumbur, të cilët ishin larguar nga Zoti:

“O Zot, na jep mundësi që të kemi sukses për t’i sjellë ata përsëri në Krisht.

Vër re, O Zot, shpirtrat e tyre janë të çmueshëm dhe shumë prej tyre janë vëllezërit tanë, prandaj, na jep, O Zot, fuqi dhe urtësi që të mund t’i sjellim këta, vëllezërit tanë përsëri tek ti.” (Alma 31:34–35; kursivet shtuar.) …

Parimet për të aktivizuar shpirtrat nuk ndryshojnë. Ato janë:

1. I humburi ose më pak aktivi duhet të gjendet dhe të kontaktohet.

2. Duhet shfaqur shqetësim me dashuri. Ata duhet ta ndiejnë dashurinë tonë.

3. Atyre duhet t’u mësohet ungjilli. Ata duhet ta ndiejnë fuqinë e Frymës së Shenjtë nëpërmjet mësuesve.

4. Ata duhet të përfshihen në shoqërimin tonë.

5. Ata duhet të kenë përgjegjësi kuptimplota në Kishë.

Me fjalët e Librit të Mormonit, ne duhet të “vazhdo[jmë] t’u shërbe[jmë]”. (3 Nefi 18:32.)

Ne jemi veçanërisht të shqetësuar që të kthyerit e rinj në besim të bashkohen në shoqërim të plotë në Kishë. Ata duhet të mirëpriten me krahë të hapura.

Le të bashkohemi në përpjekjet tona për t’i sjellë më pak aktivët, në aktivitet të plotë në Kishë. Duke bërë kështu, të gjithë ne do të përshtatemi më shumë së bashku në përmbushjen e misionit të Kishës – për ta sjellë ungjillin, me të gjithë bekimet dhe ordinancat e tij, më plotësisht në jetën e të gjithë anëtarëve të Kishës. Kisha “ka nevojë për çdo [anëtar]” (DeB 84:110) dhe çdo anëtar ka nevojë për ungjillin, Kishën dhe gjithë ordinancat e saj.

Le të kërkojmë të gjithë ne bekimet e Zotit, për të na forcuar e për të na dhënë fuqinë dhe ndikimin e duhur, për të cilat do të kemi nevojë ndërsa punojmë së bashku në këtë punë të madhe të dashurisë.8

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Cilat janë ndjenjat tuaja ndërsa mendoni rreth anëtarëve të familjes ose miqve të cilët “jetojnë veçan nga Kisha dhe ndikimi i ungjillit”? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar ata? (Shih pjesën 1.)

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Benson rreth ndryshimeve midis një mëditësi dhe një bariu (shih pjesën 2). Çfarë mund të bëjmë për të qenë barinj më të mirë?

  • Presidenti Benson na kujtoi se njerëzit kanë nevojë për një “shqetësim real, që buron nga zemra e një bariu të vërtetë dhe të dashur” (pjesa 3). Si mund të zhvillojmë një shqetësim që buron nga zemra për të tjerët? Ndërsa e përsiatni këtë pyetje, mendoni rreth shërbimit tuaj si mësues i shtëpisë apo mësuese vizitore.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “vazhdo[jmë] t’u shërbe[jmë]”? (3 Nefi 18:32). Merrini parasysh pesë parimet që tregoi Presidenti Benson, për të na ndihmuar t’u shërbejmë atyre që kanë nevojë të kthehen në aktivitet në Kishë (shih pjesën 4). Në çfarë mënyrash secili prej këtyre parimeve, mund ta ndihmojnë dikë për të marrë bekimet e ungjillit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 9:10–12; Lluka 15; 22:32; 1 Pjetri 5:2–4; Moroni 6:4; DeB 18:10–16; 84:106

Ndihmë për Studimin

“Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë njësoj. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele dhe lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatim, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet e shenjta” (Henri B. Ajring, “Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60).

Shënime

  1. “Feed My Sheep”, Ensign, shtator 1987, f. 4–5.

  2. “Feed My Sheep”, f. 3.

  3. “Counsel to the Saints”, Ensign, maj 1984, f. 8.

  4. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 234.

  5. “Feed My Sheep”, f. 3.

  6. “Feed My Sheep”, f. 3–4.

  7. “Feed My Sheep”, f. 4.

  8. “Feed My Sheep”, f. 4, 5.