Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Mbajtja e Ligjit të Dëlirësisë


Kapitulli 17

Mbajtja e Ligjit të Dëlirësisë

“Kodi moral i qiellit si për burrat dhe për gratë, është dëlirësi absolute përpara martese dhe besnikëri e plotë pas martese.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Nga udhëtimet shumta si udhëheqës fetar dhe politik, Presidenti Ezra Taft Benson ishte fort i vetëdijshëm për rënien e vazhdueshme morale kudo në botë, sidomos lidhur me ligjin e dëlirësisë. Ai mbajti një qëndrim të fortë kundër kësaj rënieje, duke dhënë mësim se “ligji i dëlirësisë është një parim me rëndësi të përjetshme”1. Ai shpalli se “në Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë, dëlirësia nuk do dalë kurrë jashtë mode, pavarësisht se çfarë mund të thotë ose të bëjë bota”2. Ai dha mësim më tej: “Ne duhet të jemi botën asnjanëse ndaj moralit dhe të pamoralshme, … por jo prej saj. Ne duhet të jemi në gjendje që të biem të flemë natën, pa pasur nevojë t’i këndojmë së pari ninulla ndërgjegjes sonë.”3

Për ta ilustruar rëndësinë e të qëndruarit të pastër nga ndikimet e pamoralshme të botës, Presidenti Benson tregoi historinë vijuese:

“Më kujtohet historia e një të reje, e cila me djalin që do të dilte në takim, po shkonte në një vend me nam jo të mirë, kundër këshillës së urtë të prindërve të saj. Pyetja e saj ishte: ‘Çfarë të keqe ka të hysh brenda për të parë se çfarë bëhet atje?’ Prindërit e saj me sa duket u dorëzuan dhe sugjeruan që ajo të vishte fustanin e saj të bardhë të bukur për këtë rast. Përpara se i riu të mbërrinte, babai i saj tha: ‘A do të më bësh një nder përpara se të ikësh dhe të shkosh te dhoma e tymosjes e të më sjellësh një fetë proshutë?’

Vajza u shtang nga kjo kërkesë dhe tha: ‘Me veshjen time më të mirë? Nuk do të më hiqej kurrë ajo erë të tmerrshme.’ Nëna e saj tha: ‘Ke të drejtë, ti nuk mund të shkosh te dhoma e tymosjes pa marrë disa ndikime prej atje. Ne mendojmë se ti je mjaft e zgjuar për të mos shkuar në një vend nga ku mund të dalësh më pak e bukur dhe më pak e pastër sesa kur hyre brenda.’ Me atë këshillë të urtë, kjo e re mori vendimin e duhur për ta mbajtur veten e saj të panjollosur dhe të pastër nga ndikimet e liga në botë.”4

Pamja
An Hispanic couple with temple bags walking outside the Los Angeles California Temple.

Bindja ndaj ligjit të dëlirësisë sjell një “ndjenjë gëzimi dhe lumturie të thellë dhe domethënëse”.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Perëndia e ka vendosur standardin e dëlirësisë për fëmijët e Tij.

Në këtë periudhë ungjillore, Zoti e përsëriti urdhërimin e dhënë në Sinai, kur Ai tha: “Mos bëj … shkelje kurore, … as mos bëj diçka të ngjashme” (DeB 59:6, theksimi i shtuar). Që nga fillimi i kohës, Zoti ka vendosur një standard të qartë dhe të pagabueshëm të pastërtisë seksuale. Gjithmonë ka qenë, është tani e gjithmonë do të jetë i njëjti. Ai standard është ligji i dëlirësisë. Është i njëjti për të gjithë – për burra e gra, për të moshuar e të rinj, për të pasur e të varfër.5

Kisha nuk ka standard të dyfishtë për moralin. Kodi moral i qiellit si për burrat dhe për gratë është dëlirësi absolute përpara martese dhe besnikëri e plotë pas martese.6

Në Librin e Mormonit, profeti Jakob na thotë se Zoti kënaqet në dëlirësinë e fëmijëve të Tij (shih Jakobi 2:28). A e dëgjoni këtë, vëllezër dhe motra të miat? Zotit jo thjesht i pëlqen kur ne jemi të dëlirë; Ai kënaqet në dëlirësi. Mormoni i mësoi të njëjtën gjë birit të tij Moronit, kur shkroi se dëlirësia dhe virtyti janë “më [të] dashur[at] dhe më [të] çmueshme[t] përmbi të gjitha gjërat” (Moroni 9:9).7

Dëshira e natyrshme e burrave dhe grave për të qenë së bashku vjen nga Perëndia. Por një shoqërim i tillë lidhet nga ligjet e tij. Ato gjëra që ruhen siç duhet për martesë, kur merren brenda lidhjes së martesës, janë të drejta dhe të kënaqshme përpara Perëndisë dhe përmbushin urdhërimin për t’u shumuar dhe për të mbushur tokën. Por ato gjëra, kur bëhen jashtë lidhjes martesore janë një mallkim.8

Shkoni tek altari i martesës të kulluar dhe të pastër. Ruajini për lidhjen martesore ato shoqërime të ëmbla dhe intime që Perëndia i Qiellit i caktoi se duhej të ishin pjesë e martesës dhe të mos plotësoheshin jashtë besëlidhjes së martesës. Mua nuk më intereson se çfarë thotë bota, por këto janë standardet e mbretërisë së Perëndisë.9

2

Mëkati pllakosës i këtij brezi është pamoralshmëria seksuale.

Mëkati pllakosës i këtij brezi është pamoralshmëria seksuale. Ky, tha Profeti Jozef Smith, do të ishte burimi i më shumë tundimeve, më shumë goditjeve dhe më shumë vështirësive për pleqtë e Izraelit sesa ndonjë [mëkat] tjetër.10

Pamoralshmëria seksuale është një nepërkë që po godet jo vetëm botën, por edhe Kishën sot. Të mos e pranosh këtë do të thotë të jesh rrezikshmërisht i kënaqur ose sikur të fshehësh kokën në rërë. Në kategorinë e krimeve, vetëm vrasja dhe mohimi i Frymës së Shenjtë vijnë përpara marrëdhënieve seksuale të ndaluara, të cilat ne i quajmë kurvërim kur përfshijnë një individ të pamartuar, ose mëkati më i rëndë i shkeljes së kurorës kur përfshijnë një individ që është i martuar. Unë e di se ligjet e vendit nuk e konsiderojnë padëlirësinë po aq të rëndë sa e konsideron Perëndia, as nuk e ndëshkojnë po aq ashpër sa bën Perëndia, por kjo nuk e ndryshon natyrën e neveritshme të saj. Në sytë e Perëndisë ka vetëm një standard morali për burrat dhe gratë. Në sytë e Perëndisë dëlirësia nuk do të dalë kurrë jashtë mode. …

Asnjë mëkat nuk po e shkakton më shumë humbjen e Shpirtit të Zotit midis njerëzve tanë sot sesa shthurja seksuale. Ajo po i bën njerëzit tanë të pengohen, duke ndaluar rritjen e tyre, duke errësuar fuqitë e tyre shpirtërore dhe duke i bërë ata objekt të mëkateve të tjera.11

Ka rrezik të madh në ndërtimin e shoqërimeve tuaja paramartesore mbi baza trupore. … Efektet e dëmshme të shoqërimeve të tilla të paligjshme mbarten në jetën martesore, duke sjellë zhgënjim, dëshpërim dhe dobësim të strukturës së shtëpisë.12

Pastërtia morale është një parim i përjetshëm. Shpirti i Perëndisë “nuk banon në tempuj jo të shenjtë” [shih Helamani 4:24]. Pastërtia është jetëdhënëse; papastërtia është vdekjeprurëse. Ligjet e shenjta të Perëndisë nuk mund të thyhen pa u ndëshkuar. Kombe të mëdha kanë rënë kur u bënë të korruptuara moralisht sepse mëkatet e pamoralshmërisë i lanë popujt e tyre si krijesa me vurrata dhe keqformime, të cilët nuk ishin në gjendje të përballonin sfidën e kohës së tyre.13

Padëlirësia është më e dënueshmja nga të gjitha të ligat, ndërsa pastërtia morale është një nga mburojat më të mëdha të ngritjes me sukses të familjes. Shtëpitë e lumtura dhe të suksesshme nuk mund të ndërtohen mbi pamoralshmërinë.14

Disa do ta justifikonin pamoralshmërinë e tyre me arsyen se kufizimet kundër tij janë thjesht rregulla fetare, rregulla që janë pa kuptim sepse në të vërtetë nuk ka Perëndi. Ky, ju do ta kuptoni, është thjesht një arsyetim i pavërtetë që synon të justifikojë oreksin mishtor, epshin dhe pasionin e dikujt. Ligji i Perëndisë është i pakthyeshëm. Ai zbatohet për të gjithë, besojnë apo jo në Perëndi. Gjithsecili është objekt ndaj dënimeve të tij, pavarësisht se si dikush përpiqet t’i arsyetojë apo t’i injorojë ato.

Pamoralshmëria … gjithmonë sjell me vete brejtje të ndërgjegjes. Një individ nuk mund të përfshihet në marrëdhënie të pamoralshme pa i vuajtur pasojat e këqija që vijnë prej tyre. Ai nuk mund të bëjë keq dhe të ndihet mirë – është e pamundur. Sa herë që njeriu thyen një ligj të Perëndisë, ai vuan një dënim me pikëllim, me trishtim, me brejtje të ndërgjegjes, me mungesë respekti për veten dhe largohet nga kontakti me Shpirtin e Perëndisë.15

3

Për të qëndruar moralisht të pastër, ne duhet ta përgatitim veten tonë për t’i bërë ballë tundimit.

Pjesa më e madhe e njerëzve bien në mëkat seksual në një përpjekje të gabuar për të përmbushur nevoja bazë njerëzore. Të gjithë ne kemi nevojë të ndiejmë se na duan dhe që ia vlejmë. Të gjithë ne kërkojmë të kemi gëzim dhe lumturi në jetën tonë. Duke e ditur këtë, Satani shpesh i josh njerëzit në pamoralshmëri duke përfituar nga nevojat e tyre bazë. Ai premton kënaqësi, lumturi dhe përmbushje.

Por ky, në fakt, është një mashtrim. Ashtu siç thotë shkruesi i Fjalëve të Urta: “Ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend: ai që e bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij” (Fjalët e Urta 6:32). Samuel Lamaniti dha mësim të njëjtën gjë kur tha: “Ju keni kërkuar lumturi duke bërë paudhësi, gjë e cila është në kundërshtim me natyrën e … drejtësi[së]” (Helamani 13:38). Alma e tha më thjeshtë: “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10).16

Ka një thënie të vjetër që thotë: Është më e lehtë të përgatitesh dhe të parandalosh sesa të rregullosh dhe të pendohesh. Sa e vërtetë është kjo për ligjin e dëlirësisë. Vija e parë e mbrojtjes në mbajtjen e vetes sonë moralisht të pastër është ta përgatitim veten tonë për t’i bërë ballë tundimit dhe për ta ndaluar veten tonë nga rënia në mëkat.17

Mendimet e pastra

Kontrollojini mendimet tuaja. Asnjë njeri nuk futet në pamoralshmëri menjëherë. Farat e para të pamoralshmërisë mbillen gjithmonë në mendje. Kur ne i lejojmë mendimet tona të zvarriten në gjëra të fëlliqura ose të pamoralshme, është bërë hapi i parë në rrugën e pamoralshmërisë. Unë ju paralajmëroj veçanërisht kundër të ligave të pornografisë. Ne dëgjojmë vazhdimisht nga ata që janë zënë në grackën e mëkatit të thellë, që shpesh hapi i parë në rrugën e tyre të mëkatit, filloi me materiale pornografike. Shpëtimtari dha mësim se ai që sheh një grua për ta dëshiruar, ose me fjalë të tjera, kur i lejon mendimet e tij të fillojnë të dalin jashtë kontrollit, ai tashmë ka kryer shkelje kurore me të në zemrën e tij (shih Mateu 5:28; DeB 63:16).18

Ata që mendojnë mendime të pastra, nuk bëjnë veprime të turpshme. Ju nuk jeni përgjegjës përpara Perëndisë vetëm për veprimet tuaja por edhe për kontrollimin e mendimeve tuaja. Jetoni në atë mënyrë që nuk do të turpëroheshit nëse mendimet dhe veprat tuaja do të mund të shfaqeshin në një ekran në kishën tuaj. Fjala e urtë është ende e vërtetë, se ju mbillni mendime dhe korrni veprime, mbillni veprime dhe korrni zakone, mbillni zakone dhe korrni karakter dhe karakteri përcakton fatin tuaj të përjetshëm. “Ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai.” (Shih Fjalët e Urta 23:7.)19

Merrni parasysh me kujdes fjalët e profetit Alma për djalin e tij të çoroditur, Koriantonin: “Hiq dorë nga mëkatet e tua dhe mos shko më pas epsheve të syve të tu”. (Alma 39:9.)

“Epsheve të syve të tu.” Në kohën tonë, çfarë do të thotë kjo shprehje?

Filma, programe televizive dhe regjistrime me video që janë si provokuese edhe të turpshme.

Revista dhe libra që janë të pahijshëm dhe pornografikë.

Ne ju këshillojmë … të mos i ndotni mendjet tuaja me përmbajtje të tilla degjeneruese, sepse mendja nga e cila kalon kjo fëlliqësi, më pas, nuk është më kurrë e njëjta.20

Jini të pastër. Jini të virtytshëm në mendimet e veprimet tuaja. Lexoni libra të mirë. Mos e lejoni kurrë mendjen tuaj t’i nënshtrohet pornografisë. … Në fjalët e Zotit: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë. Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm.” (DeB 121:45–46.)21

Lutje për forcë

Lutuni gjithmonë për fuqinë që t’i bëni ballë tundimit. Tundimi do të na vijë të gjithëve ne. Ai mund të marrë shumë forma dhe mund të shfaqet me shumë maska, por Zoti na ka dhënë çelësin për t’i bërë ballë atij. Ai i tha Profetit Jozef Smith: “Lutu gjithmonë që të mund të dalësh fitues: po, që ti të mund të mposhtësh Satanin dhe që ti të mund t’u shpëtosh duarve të shërbëtorëve të Satanit që vërtet përkrahin veprën e tij” (DeB 10:5). Duhet të jetë pjesë e lutjeve tona të përditshme që t’i kërkojmë Zotit forcë të vazhdueshme për t’i bërë ballë tundimit, veçanërisht tundimeve që përfshijnë ligjin e dëlirësisë.22

Nuk ka tundim që vendoset para jush, të cilin ju nuk mund ta shmangni. Mos e lejoni veten tuaj të viheni në pozita ku është e lehtë të biesh. Dëgjojini nxitjet e Shpirtit. Nëse jeni përfshirë në gjëra ku ju ndieni se nuk mund të luteni dhe të kërkoni bekimet e Zotit për atë që po bëni, atëherë ju jeni përfshirë në llojin e gabuar të veprimtarisë.23

Shmangia e situatave të papërshtatshme

Burra dhe gra që janë të martuara, ndonjëherë flirtojnë dhe ngacmojnë anëtarë të seksit të kundërt. Organizohen mbledhje të ashtuquajtura të padëmshme ose harxhohen sasi kohe të tepërta së bashku. Në të gjitha këto raste, njerëzit arsyetojnë duke thënë se këto janë shprehje të natyrshme të miqësisë. Po ajo çfarë mund të duket ngacmim i padëmshëm ose thjesht të bërit pak qejf me dikë të seksit të kundërt, mund të çojë lehtësisht në përfshirje më më të rënda dhe tradhti përfundimtare.

Një pyetje e mirë që mund t’ia bëjmë vetes është kjo: A do të ishte bashkëshorti/ja im/e i/e kënaqur nëse ai ose ajo do ta dinte se po e bëj këtë?24

Nëse jeni të martuar, shmangni të qenit vetëm me anëtarë të seksit të kundërt kurdo që është e mundur. Shumë nga tragjeditë e pamoralshmërisë fillojnë me një burrë dhe një grua që janë vetëm në zyrë, ose në kishë apo duke i dhënë makinës. Në fillim mund të mos ketë qëllim ose madje mendim për mëkat. Por rrethanat sigurojnë një farishtë pjellore për tundimin. Një gjë çon në një tjetër dhe shumë shpejt mund të pasojë tragjedia. Është shumë herë më e lehtë t’i shmangësh rrethana të tilla që nga fillimi, kështu që tundimi nuk ka shanse për t’u ushqyer.25

Thjeshtësia

Jini të thjeshtë. Thjeshtësia në veshje dhe gjuhë, dhe sjellje është një shenjë e vërtetë e përsosjes dhe vula e një shenjtori të virtytshëm të ditëve të mëvonshme. … Shmangni të ndyrën dhe vulgaren, dhe provokuesen.26

Pamja
Young adults in San Diego, California.

“Për ata që janë beqarë dhe dalin në takime, planifikoni me kujdes veprimtari pozitive dhe dobiprurëse.”

Veprimtaritë e shëndetshme, pozitive

Mposhteni të ligën me të mirën. Ju mund të mposhtni shumë prirje të liga nëpërmjet ushtrimit të mirë fizik dhe veprimtarive të shëndetshme. Një shpirt i shëndetshëm, i lirë nga ndikimet topitëse të alkoolit dhe duhanit ndaj trupit dhe shpirtit, është në gjendje më të mirë për ta mposhtur djallin.27

Për ata që janë beqarë dhe dalin në takime, planifikoni me kujdes veprimtari pozitive dhe dobiprurëse, kështu që të mos mbeteni vetëm duke mos pasur çfarë të bëni veçse të ndani dashuri fizike. … Ky është parimi i mbushjes së jetës së dikujt me veprimtari pozitive, kështu që negativja nuk ka shanse për të lulëzuar.28

Mbusheni jetën tuaj me burime pozitive fuqie. Nuk është thjesht e mjaftueshme që të përpiqemi t’i bëjmë ballë tundimit ose ta boshatisim jetën tonë nga mëkati. Ne gjithashtu duhet ta mbushim jetën tonë me drejtësi. Ne duhet të përfshihemi në veprimtari që sjellin fuqi shpirtërore.

Unë flas për veprimtari të tilla si zhytja e vetes sonë në shkrimet e shenjta. Ka një fuqi që rrjedh në jetën tonë kur ne i lexojmë dhe i studiojmë shkrimet e shenjta përditë, që nuk mund të merret në ndonjë mënyrë tjetër. Lutja e përditshme është një burim tjetër i fuqisë së madhe. Agjërimi për forcë të veçantë ose bekime të veçanta mund të na forcojë përtej aftësive tona normale. Shërbimi i krishterë, pjesëmarrja në kishë, shërbimi në mbretëri – të gjitha mund t’i shtojnë rezervës sonë të forcës dhe fuqisë.

Ne duhet të bëjmë më shumë se sa thjesht të heqim ndikimet negative nga jeta jonë. Ne duhet t’i zëvendësojmë ato me veprimtari të drejta, që na mbushin me forcën dhe vendosmërinë për të jetuar ashtu siç duhet.29

4

Nëpërmjet pendimit të duhur, ata që përfshihen në mëkat seksual, mund të bëhen sërish të pastër.

Mund të ketë disa njerëz për të cilët këshilla për tʾu përgatitur dhe për të parandaluar është tepër e vonë. Ju mund të jeni tashmë të përfshirë në mëkat të rëndë. Nëse është kështu, nuk ka asnjë zgjidhje tani përveçse ta ndreqni jetën tuaj dhe të pendoheni për mëkatet tuaja. Juve unë do t’ju sugjeroja pesë gjëra të rëndësishme që mund të bëni, për t’u kthyer në një gjendje të pastërtisë morale. Largohuni menjëherë nga çdo situatë ku jeni, që ose po ju bën të mëkatoni ose mund t’ju bëjë të mëkatoni. Përgjërojuni Zotit për fuqinë që ta mposhtni. I lini udhëheqësit tuaj të priftërisë që t’ju ndihmojnë për ta zgjidhur shkeljen dhe për t’u kthyer në shoqërim të plotë me Zotin. Pini nga burimi hyjnor dhe mbusheni jetën tuaj me burime pozitive fuqie. Mbani mend se, nëpërmjet pendimit të duhur, ju mund të bëheni sërish të pastër.

Për ata që paguajnë çmimin e kërkuar nga pendimi i vërtetë, premtimi është i sigurt. Ju mund të bëheni sërish të pastër. Dëshpërimi mund të hiqet. Paqja e ëmbël e faljes do të vërshojë në jetën tuaj. Në këtë periudhë ungjillore, Zoti foli me qartësi kur tha: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet, dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” (DeB 58:42).30

5

Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të jetojnë ligjin e dëlirësisë.

Prindërit duhet t’u japin fëmijëve të tyre udhëzime të posaçme mbi dëlirësinë në një moshë të hershme, si për mbrojtjen e tyre fizike edhe për atë morale.31

Nëse prindërit e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin dhe nëse në ortakërinë e tyre të shenjtë ka mbështetje të plotë dhe besnikëri të padiskutueshme, këto veti themelore do të kalohen në shtëpitë e së nesërmes. Në të kundërt, nëse ka grindje, mosmarrëveshje dhe mungesë harmonie në shtëpi e pjesëmarrje në praktikën e rrezikshme të flirtimeve me të tjerët kur janë larg, atëherë shtëpitë e së nesërmes, si rezultat, do të dobësohen. …

… Shtëpitë tona duhet të bëhen mburoja të forcës nëpërmjet kurorëzimit të drejtësisë dhe duke sjellë në to paqe, unitet dhe mungesë egoizmi që burojnë nga pastërtia vetjake, besnikëria e padiskutueshme dhe përkushtimi i thjeshtë familjar. Prindërit duhet ta pranojnë martesën si një institucion të shenjtë dhe ta nderojnë priftërinë. Fëmijët duhet të frymëzohen nga parimi dhe shembulli në përgatitjen për martesë, për t’u ruajtur nga padëlirësia sikur të ishte një sëmundje e neveritshme, dhe për t’i vënë në jetë virtytet e tjera themelore të krishtera.32

Pamja
A father sitting on a stone fence with his teenage son. The father and son are looking at each other as they counsel together. Posed by models.

Presidenti Ezra Taft Benson i këshilloi prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre rreth ligjit të dëlirësisë.

6

Perëndia na e ka dhënë ligjin e dëlirësisë për të na sjellë gëzim.

Ati ynë Qiellor nuk dëshiron asgjë tjetër për ne veçse të jemi të lumtur. Ai na tregon vetëm ato gjëra që do të na sjellin gëzim. Dhe një nga parimet më të sigurta të dhëna nga Perëndia për të na ndihmuar ta gjejmë atë gëzim, është ligji i dëlirësisë. Unë lutem me gjithë zemrën time që ju t’i merrni parasysh me shumë seriozitet, pasojat e gëzueshme të mbajtjes së këtij ligji dhe pasojat tragjike të dhunimit të tij.33

Një arsye për virtytin – e cila përfshin dëlirësinë vetjake, mendime dhe praktika të pastra e integritet moral – është që ne duhet të kemi Shpirtin dhe fuqinë e Perëndisë në jetën tonë për të bërë punën e Perëndisë. Pa atë fuqi e ndikim ne nuk jemi më të mirë se individët në organizata të tjera. Ai virtyt shkëlqen dhe do t’i ndikojë të tjerët drejt një jete më të mirë dhe do t’i bëjë joanëtarët të kërkojnë për besimin tonë.34

Jini të vërtetë ndaj ligjeve të shenjta të Perëndisë. Mbani mend, ato nuk mund të thyhen pa u ndëshkuar. Nëse do të donit të ishit të lumtur dhe të suksesshëm në shoqërimet tuaja tokësore, daljet në takime dhe formimin e shtëpisë, përshtateni jetën tuaj me ligjet e përjetshme të qiellit. Nuk ka mënyrë tjetër.35

Nuk ka lumturi të përhershme në pamoralshmëri. Nuk mund të gjendet gëzim në thyerjen e ligjit të dëlirësisë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë. Mund të ketë kënaqësi të çastit. Për një farë kohe mund të duket sikur gjithçka është e mrekullueshme. Por shpejt marrëdhënia do të bëhet e thartë. Fillojnë faji dhe turpi. Ne frikësohemi se mëkatet tona do të zbulohen. Ne duhet të ikim vjedhurazi dhe të fshihemi, të gënjejmë dhe të mashtrojmë. Dashuria fillon të vdesë. Mëria, xhelozia, zemërimi e madje urrejtja fillojnë të rriten. Të gjitha këto janë pasojat e natyrshme të mëkatit e shkeljes.

Nga ana tjetër, kur i bindemi ligjit të dëlirësisë dhe e mbajmë veten tonë të pastër moralisht, ne do të përjetojmë bekimet e dashurisë dhe të paqes së shtuar, besim e respekt më të madh për partnerët tanë të martesës, zotim më të thellë ndaj njëri-tjetrit dhe, si pasojë, një ndjenjë gëzimi e lumturie të thellë dhe domethënëse.36

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson tha se standardi i Zotit për pastërtinë seksuale është i “qartë dhe [i] pagabueshëm” (pjesa 1). Si ndryshon ky standard nga mesazhet e botës?

  • Cilat janë disa nga pasojat e dhunimit të ligjit të dëlirësisë? (Për disa shembuj shih pjesën 2.)

  • Çfarë janë disa gjëra të veçanta që ne mund të bëjmë për ta ruajtur veten tonë e familjet tona nga tundimi seksual? (Për disa shembuj, shih pjesën 3.)

  • Rishikoni këshillën e Presidentit Benson për ata që bëjnë “mëkat të rëndë” (pjesa 4). Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa e përsiatni premtimin e Zotit për ta mirëpritur pendimtarin “në shoqërim të plotë”?

  • Përse mendoni se është e rëndësishme që prindërit t’u “japin fëmijëve të tyre udhëzime të posaçme mbi dëlirësinë në një moshë të hershme”? Si ndikon besnikëria e prindërve ndaj njëri-tjetrit në ndjenjat e fëmijëve të tyre rreth martesës dhe ligjit të dëlirësisë? (Shih pjesën 5.)

  • Cilat janë disa nga “pasojat e gëzueshme” të mbajtjes së ligjit të dëlirësisë? (Për disa shembuj, shih pjesën 6.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Zanafilla 39:7–21; 1 Korintasve 6:18–20; Galatasve 5:16; Alma 38:12; 39:3–5; 3 Nefi 12:27–30; DeB 42:22–25

Ndihmë për Mësimdhënien

“Nxitini ata që ju i mësoni, të vijnë në klasë të përgatitur për të mësuar dhe për të marrë pjesë. Kur ata përpiqen individualisht për ta mësuar ungjillin, ata kanë më shumë gjasa të kontribuojnë në atmosferën e të mësuarit gjatë orëve mësimore” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 80).

Shënime

  1. “The Law of Chastity”, New Era, janar 1988, f. 4.

  2. “To ‘the Rising Generation’”, New Era, qershor 1986, f. 6.

  3. The Teachings of Ezra Taft Benson, (1988), f. 285.

  4. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 282–283.

  5. “The Law of Chastity”, f. 4.

  6. “To ‘the Rising Generation’”, f. 5–6.

  7. “The Law of Chastity”, f. 4.

  8. Në Conference Report, tetor 1964, f. 59.

  9. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 281.

  10. “Cleansing the Inner Vessel”, Ensign, maj 1986, f. 4; deklarimi nga Jozef Smithi është cituar te Brigam Jangu, “Instructions to Missionaries”, Deseret News, 13 qershor 1860, f. 113.

  11. Në Conference Report, tetor 1964, f. 59.

  12. “Your Charge: To Increase in Wisdom and Favor with God and Man”, New Era, shtator 1979, f. 43.

  13. Në Conference Report, tetor 1959, f. 113.

  14. Në Conference Report, prill 1949, f. 196.

  15. This Nation Shall Endure (1977), f. 97.

  16. “The Law of Chastity”, f. 4–5.

  17. “The Law of Chastity”, f. 6.

  18. “The Law of Chastity”, f. 6.

  19. Në Conference Report, tetor 1964, f. 60.

  20. “To the ‘Youth of the Noble Birthright’”, Ensign, maj 1986, f. 45; shih edhe “To the Young Women of the Church”, Ensign, nëntor 1986, f. 81.

  21. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 285.

  22. “The Law of Chastity”, f. 6.

  23. Në Conference Report, tetor 1964, f. 60.

  24. “The Law of Chastity”, f. 6.

  25. “The Law of Chastity”, f. 6.

  26. “To the Young Women of the Church”, Ensign, nëntor 1986, f. 83.

  27. Në Conference Report, tetor 1964, f. 60.

  28. “The Law of Chastity”, f. 6.

  29. “The Law of Chastity”, f. 7.

  30. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 284.

  31. Në Conference Report, tetor 1964, f. 59.

  32. Në Conference Report, prill 1949, f. 197, 198.

  33. “The Law of Chastity”, f. 7.

  34. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 278.

  35. “Your Charge: To Increase in Wisdom and Favor with God and Man”, f. 43.

  36. “The Law of Chastity”, f. 5.