“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1: Moisiu 1 – Zanafilla 11”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1: Moisiu 1 – Zanafilla 11”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 6–11; Moisiu 8: Mësimi 21
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1
Moisiu 1 – Zanafilla 11
Reflektimi për të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të afrohemi më shumë te Shpëtimtari. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë për synimet që kanë vendosur dhe rritjen që kanë përjetuar gjatë studimit të tyre nga Moisiu 1 deri te Zanafilla 11.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar atë që kanë mësuar ose mënyra se si janë rritur shpirtërisht që nga fillimi i studimit në këtë vit të librave Dhiata e Vjetër dhe Perla me Vlerë të Madhe. Mund të sugjeroni që ata të rishikojnë ditarët e studimit ose shënimet në shkrimet e tyre të shenjta për t’i ndihmuar të vënë re rritjen dhe të mësuarit e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Studimi si klasë nga Moisiu 1 deri te Zanafilla 11 mund të jetë përqendruar në rezultate të ndryshme nga ato që vlerësohen në këtë mësim. Nëse është kështu, përshtatini veprimtaritë për të vlerësuar rritjen që përjetuan nxënësit nga rezultatet ku u përqendruan.
Në këtë mësim, nxënësit do të kenë mundësinë të vlerësojnë përparimin e tyre për sa i përket:
-
Thellimit të kthimit të tyre në besimin te Jezu Krishti dhe bërjes dishepulli/ja i/e Tij.
-
Studimit të shkrimeve të shenjta çdo ditë.
-
Shpjegimit të pasojave të Rënies dhe rolit të Jezu Krishtit si Shëlbuesi ynë. (Shënim: Kjo veprimtari bazohet te mësimnxëniet nga Mësimi 11: “Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 1” dhe Mësimi 12: “Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 2”.)
-
Shtimit të dëshirës për të përmbushur identitetin dhe qëllimin e tyre hyjnor. (Shënim: Kjo veprimtari bazohet te Mësimi 3: “Abraham 3”, Mësimi 4: “Moisiu 1:1–11”, Mësimi 5: “Moisiu 1:12–26” dhe Mësimi 8: “Zanafilla 1:26–27”.)
Thellimi i kthimit në besimin te Jezu Krishti dhe bërja dishepulli/ja i/e Tij
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se rritja shpirtërore do kohë, merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese të popullit të Enokut.
Ftojini nxënësit të lexojnë te Moisiu 7:18–21 për t’iu kujtuar përparimin shpirtëror që bëri populli i Enokut përpara se të merrej në qiell nga Zoti.
-
Çfarë të bën përshtypje nga ky përshkrim i popullit të Enokut?
Te vargu 21, thuhet se “me kalimin e kohës, [ata] u mor[ën] në qiell”. Lexo te Moisiu 7:68 për të parë sa zgjati “kalimi [i] kohës”.
-
Çfarë mund të na mësojë kjo rreth rritjes shpirtërore si dishepuj të Shpëtimtarit?
Inkurajojini nxënësit të kremtojnë përparimin e tyre si dishepuj të Krishtit, edhe nëse ai po zgjat më shumë nga sa do të donin. Me kohën, përparimi i ngadaltë dhe i qëndrueshëm do të çojë në një marrëdhënie me Shpëtimtarin të ngjashme me atë që zhvilloi përfundimisht populli i Enokut.
Ftojini nxënësit të shohin prapa te rritja shpirtërore dhe të mësuarit e tyre gjatë dy muajve të kaluar. Ata mund të përpiqen të dallojnë edhe përparimin në dukje të vogël në njohurinë, dëshirat dhe veprimet e tyre që i kanë ndihmuar të bëhen dishepuj më të zotuar të Jezu Krishtit. Ju mund të sugjeroni që nxënësit të kërkojnë nëpër ditarët e studimit ose shënimet në shkrimet e tyre të shenjta. Nëse do t’i ndihmonte nxënësit tuaj për ta vënë re përparimin e tyre, mund të paraqitni ose bëni pyetje si ato në vijim:
-
Çfarë ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që është e rëndësishme për ty?
-
Cilat janë disa mënyra se si je afruar më shumë me Ta?
-
Cila është diçka që e ke zbatuar nga studimi i shkrimeve të shenjta, për të të ndihmuar si dishepull/e i/e Krishtit?
Pas një kohe për të përsiatur, ftoni vullnetarë të tregojnë përparimin që vënë re te vetja.
Studimi i shkrimeve të shenjta çdo ditë
Nëse doni, mund t’u kujtoni nxënësve se leximi te Moisiu 1–5; Abraham 1–3 dhe Zanafilla 37, 39, 41 është kërkesë për të marrë kreditet e seminarit për këtë semestër. Këta kapituj u përzgjodhën me kujdes për shkak të thellësisë dhe pasurisë së tyre doktrinore.
Krahas kësaj, nxënësit inkurajohen të krijojnë një synim vetjak për studimin e shkrimeve të shenjta. Ky synim nuk është kërkesë për kreditet, por do t’i ndihmojë ata të gjejnë forcë çdo ditë në fjalën e Perëndisë. Nëse nuk kanë vendosur ende një synim, inkurajojini ata ta bëjnë këtë sot. Ata mund ta përshtatin këtë synim në çdo kohë.
Për të ndihmuar që nxënësit të përkrahen për përmbushjen e synimeve të tyre për leximin dhe studimin vetjak që kërkohen, merreni parasysh t’i jepni çdo nxënësi një shirit të vogël letre. Ata do ta dorëzojnë këtë letër në fund të orës mësimore. Ju mund ta përdorni informacionin që ata japin në letrat e tyre, për ta inkurajuar siç duhet çdo nxënës për synimet e veta. Mund të paraqitni sa vijon si sugjerime për atë se çfarë të përfshihet në letrat e tyre.
-
Emri yt.
-
Kapitujt e kërkuar që i ke përfunduar.
Nëse zgjedh t’ia tregosh mësuesit/es synimin tënd për studim vetjak, përfshi edhe:
-
Cili është synimi yt dhe si po ecën me të.
-
Si po të ndihmon synimi yt që ta mësosh ungjillin dhe të arrish ta njohësh më mirë Jezu Krishtin.
Mund t’u kërkoni vullnetarëve t’ia tregojnë klasës përgjigjet për dy nxitjet e fundit ose t’i vini nxënësit t’i tregojnë në grupe më të vogla. Nëse e bëni këtë, sigurohuni që nxënësit ta dinë se nuk ka pse t’i tregojnë synimet e tyre për studimin e shkrimeve të shenjta nëse nuk dëshirojnë ta bëjnë. Nxënësit nuk duhet të ndihen asnjëherë nën presion për të folur.
Shpjegimi i pasojave të Rënies dhe rolit të Jezu Krishtit si Shëlbuesi ynë
Të kuptuarit e pasojave të Rënies dhe rolit të Jezu Krishtit si Shëlbuesi ynë nga Rënia është i rëndësishëm për të kuptuar planin e Atit Qiellor. Gjithsesi, këto të vërteta thelbësore mund të jenë sfiduese për t’u kuptuar nga të tjerët dhe për t’ua shpjeguar atyre.
Merreni parasysh t’u jepni kohë nxënësve për të rishikuar broshurat që krijuan te Mësimi 11: “Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 1” dhe Mësimi 12: “Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 2”. (Nëse nxënësit nuk bënë broshura, merreni parasysh të paraqitni një copë frutë dhe një figurë të Jezu Krishtit si një mënyrë e thjeshtë pamore për t’ua kujtuar nxënësve këto tregime në shkrimet e shenjta. Nxënësit më pas mund të rishikojnë shkurtimisht vargjet te Moisiu 4:6–13, 22–25; 5:8–12 që të përgatiten për diskutimin më poshtë.)
Përgatitu të shpjegosh sa vijon me fjalët e tua:
-
Zgjedhjen e Adamit dhe Evës që shkaktoi Rënien
-
Rrjedhojat e Rënies tek Adami dhe Eva dhe mënyrën se si ato rrjedhoja ndikojnë tek të gjithë ne ende sot
-
Mënyrën se si Rënia qe e domosdoshme në planin e Atit Qiellor për ne
-
Atë që bëri Shpëtimtari për të na shëlbuar nga pasojat specifike të Rënies
Ftojini nxënësit të zgjedhin një partner. Vini një nxënës t’ia shpjegojë partnerit pikat 1 dhe 2. Pastaj ftojeni nxënësin tjetër të shpjegojë pikat 3 dhe 4.
Kur të mbarojnë, mund t’i ftoni ata ta bëjnë edhe një herë veprimtarinë, këtë herë duke i ndërruar pikët që shpjegon secili.
Shtimi i dëshirës për të përmbushur identitetin dhe qëllimin tonë hyjnor
Gjatë studimit të fundit të Dhiatës së Vjetër, nxënësit mund të kenë pasur disa përvoja të të mësuarit që u përqendruan tek identiteti dhe qëllimi i tyre hyjnor si fëmijë të Perëndisë. Jepuni nxënësve një mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si kanë ndikuar të vërtetat që kanë mësuar, te dëshira e tyre për të përmbushur potencialin e tyre hyjnor.
Vizato skicën e një njeriu që mund të të përfaqësojë. Brenda kësaj skice, ose pranë saj, shkruaj të vërtetat rreth identitetit tënd hyjnor që i ke mësuar kohët e fundit te Dhiata e Vjetër. Nëse është e mundur, bëji këto pohime vetjake duke përdorur fjalët “mua” ose “unë”. Këtu janë disa shkrime të shenjta të cilave mund t’u referohesh:
Zanafilla 1:26–27
Sa vijojnë janë disa të vërteta që nxënësit mund t’i shkruajnë. Ato janë përshtatur nga Mësimet 3, 4, 5 dhe 8.
Perëndia më zgjodhi mua mes shpirtrave fisnikë e të mëdhenj që të lindja sot (Abraham 3:22–23).
Si fëmijë i Perëndisë, Ai ka një punë për t’u bërë posaçërisht nga unë (Moisiu 1:6).
Për shkak se jam një bijë ose bir i Perëndisë, mund të gjej forcë tek Ai për t’i rezistuar tundimit (Moisiu 1:13, 16).
Për shkak se jam krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, unë mund të bëhem si Ai (Zanafilla 1:26–27).
Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si këto të vërteta mund t’i ndihmojnë, mund të zgjidhni një nga veprimtaritë vijuese që t’i bëjnë nxënësit si klasë ose në grupe të vogla. Ose mund t’i vini nxënësit të zgjedhin se cilën veprimtari do të donin të bënin.
Mundësia A: Përshkruaj disa rrethana ku mund të të ndihmojë njohja e këtyre të vërtetave. Përcakto se si këto të vërteta mund ta ndihmojnë dikë në secilën rrethanë.
Mundësia B: Plotësoji frazat vijuese:
Njohja e këtyre të vërtetave mund të më ndihmojë kur
-
mendoj për veten sepse …
-
përballem me tundimin sepse …
-
ndërveproj me të tjerët sepse …
-
marr vendime sepse …
Kur nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ta shënojnë në ditarët e tyre të studimit çdo mendim ose përvojë të mënyrës se si këto të vërteta kanë ndikuar në dëshirën e tyre për ta përmbushur potencialin e tyre hyjnor. Mund edhe t’i ftoni nxënësit të shënojnë se si këto të vërteta mund të ndikojnë tek ata në një situatë të ardhshme me të cilën do të përballen.
Kur nxënësit të mbarojnë, ftojeni çdo nxënës të gatshëm të tregojë diçka nga ajo që shkroi.