“Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 2: ‘Ngaqë Ke Rënë, Ti të Mund të Shëlbehesh’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 2: ‘Ngaqë Ke rënë, Ti të Mund të Shëlbehesh’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Mësimi 12
Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 2
“Ngaqë Ke Rënë, Ti të Mund të Shëlbehesh”
Rënia e Adamit dhe Evës paraqiti sfida që ata nuk i kishin përjetuar në Kopshtin e Edenit. Ata u ndanë nga prania e Perëndisë dhe tani do të përjetonin mëkatin, vdekjen fizike dhe vështirësi të tjera të vdekshmërisë. Megjithatë, Ati ynë i dashur në Qiell siguroi një Shpëtimtar për të dalë fitimtar mbi pasojat e Rënies. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë gëzimin e shëlbimit nga Rënia nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë pasojat e Rënies së Adamit dhe Evës kudo përreth tyre. Këto mund të përfshijnë lindjen, vdekjen, trupat fizikë, mëkatin, urinë, sëmundjen e kështu me radhë. Kërkojuni nxënësve të përsiatin se si Jezu Krishti mund të ndihmojë për çdo pasojë që ata përcaktojnë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Nevoja jonë për një Shëlbues
Fillojeni orën mësimore duke i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë nevojën tonë për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë, është duke përdorur idenë vijuese të përshtatur nga biseda “Shlyerja e Jezu Krishtit” (Ted R. Kelister, Liahona, maj 2019, f. 85). Paraqitni fotografinë e dikujt duke rënë nga një aeroplan dhe ftojini nxënësit të diskutojnë sa vijon:
Imagjino sikur re nga një aeroplan, mijëra metra nga tokë, pa një parashutë ose ndonjë mjet tjetër.
-
Çfarë mund të bësh që të përpiqesh ta ngadalësosh rënien tënde?
-
Çfarë shprese do të kishe për mbijetesë?
Në kundërshtim me këtë, imagjino sikur përpara se të bije nga aeroplani, një shok ose shoqe pati mundësi të të vendosë një parashutë në trup.
-
Sa ndryshe do të ndiheshe rreth rënies sate?
-
Çfarë do të ndieje për shokun ose shoqen tënde?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta lidhin diskutimin e mëparshëm me nevojën tonë për Shlyerjen e Jezu Krishtit, ata mund t’i diskutojnë pyetjet vijuese me një partner. Nëse nxënësit krijuan broshura rreth pasojave të Rënies në mësimin e mëparshëm, së pari mund t’i ftoni ata t’i rishikojnë shkurtimisht këto broshura. Nëse nxënësit nuk krijuan broshura, mund t’i modifikoni veprimtaritë që u referohen atyre.
-
Si mund ta krahasojmë këtë shembull me Rënien e Adamit dhe Evës dhe me rolin e Shlyerjes së Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor?
-
Cilat janë disa nga pasojat e Rënies për të cilat na duhet ndihma e Jezu Krishtit që t’i kapërcejmë?
Sipas nevojës, kujtojuni nxënësve që për shkak të Rënies, ne të gjithë përjetojmë vdekje shpirtërore. Kjo do të thotë se ne lindim në një botë të ndarë nga prania e Perëndisë dhe se ne kryejmë mëkat, i cili gjithashtu na ndan prej Tij. Për shkak të Rënies, ne gjithashtu përballemi me vështirësi, sëmundje, dobësi dhe përfundimisht me vdekje fizike.
Ftojini nxënësit të përsiatin sa vijon:
-
Cili nga pohimet vijuese është i vërtetë për ty?
-
Nuk e di pse kam nevojë për Shpëtimtarin.
-
E kuptoj pse kam nevojë për Shpëtimtarin, por nuk mendoj se mund t’ia shpjegoj atë dikujt tjetër.
-
Mund t’ia shpjegoj dikujt tjetër nevojën tonë për Shpëtimtarin.
-
Ndiej dashuri dhe mirënjohje për Jezu Krishtin dhe atë që Ai ka bërë për mua.
-
Inkurajojini nxënësit ta ftojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë duke marrë pjesë aktivisht gjatë gjithë mësimit.
Shlyerja e Jezu Krishtit
Si pjesë e Rënies, Adamit dhe Evës iu desh të largoheshin nga Kopshti i Edenit. Zoti vazhdoi t’i bekojë ata duke iu siguruar veshje (shih te Moisiu 4:27) dhe duke u dhënë urdhërime për t’i ndihmuar ta kapërcenin Rënien.
Merreni parasysh ta paraqitni figurën në fillim të këtij mësimi dhe t’i lexoni vargjet vijuese si klasë. Ndaloni herë pas here për t’i ftuar nxënësit të tregojnë atë që po mësojnë. Për shembull, pas leximit të vargjeve 5–7, ata mund të diskutojnë se si ofrimi i të parëlindurve të tufave të tyre simbolizonte flijimin e Jezu Krishtit. Ose mund t’i pyesni nxënësit se çfarë mësojnë nga shembulli i bindjes së Adamit dhe mënyrën se si mund ta zbatojnë këtë shembull në jetën e tyre.
Lexo te Moisiu 5:5–9, duke kërkuar atë që urdhëroi Perëndia.
-
Çfarë mësuan Adami dhe Eva nga engjëlli dhe Fryma e Shenjtë?
Nxënësit mund të përcaktojnë se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të shëlbehemi nga Rënia. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shenjojnë fjalët ose frazat te vargjet 7 dhe 9 që na e mësojnë këtë të vërtetë. Mund të shpjegoni se i shëlbuar do të thotë të jesh i shpëtuar ose i çliruar.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë të vërtetë, paraqitni udhëzimet vijuese dhe jepuni nxënësve fletushkën e mëposhtme. Mund t’i vendosni nxënësit në grupe me nga tre veta dhe ta ftoni çdo nxënës brenda grupit që të studiojë një pjesë të ndryshme të fletushkës. Nxënësit më pas mund t’u tregojnë grupeve të tyre atë që mësuan dhe të krijojnë faqen vijuese të broshurës së tyre së bashku. (Shënim: Mësimi 21: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1” sugjeron që nxënësit t’u referohen broshurave që krijojnë në këtë veprimtari, për t’i ndihmuar ta shpjegojnë rolin e Jezu Krishtit si Shëlbuesi ynë.)
-
Brenda broshurës sate, emërtoje faqen e djathtë (që është bosh) “Shlyerja e Jezu Krishtit”.
-
Studioje materialin e fletushkës për të mësuar se si Shlyerja e Jezu Krishtit na shëlbon nga pasojat e Rënies. Ti mund t’i kesh renditur pasojat e Rënies në faqen e mëparshme të broshurës sate.
-
Në faqen e re të broshurës sate, shkruaj një ose dy fjali që e përmbledhin atë që mëson nga secila pjesë e fletushkës. Kërko ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të dalluar se si këto mësime lidhen me ty.
Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës ta tregojnë atë që shkruan në broshurat e tyre. Nxënësit e tjerë mund ta shtojnë atë që mësojnë nga shokët e tyre të klasës, në broshurat e tyre.
Gëzimi i shëlbimit
Ftojini nxënësit ta emërtojnë kapakun e pasëm të broshurës së tyre “Gëzimi i Shëlbimit Tim”. Inkurajojini ata ta kopjojnë thënien vijuese në atë faqe, duke lënë vend për të shkruar poshtë saj.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Kur mund ta ndiejmë Shlyerjen e Shpëtimtarit që vepron në jetën tonë, ne do të mbushemi me gëzim”. (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 84)
Lexo te Moisiu 5:10–11, duke kërkuar atë që vëzhguan Adami dhe Eva rreth rrjedhojave edhe të Rënies, edhe të Shlyerjes së Shpëtimtarit.
-
Çfarë të bie në sy nga fjalët e tyre?
Jepuni nxënësve kohë për ta përfunduar faqen e fundit të broshurave të tyre, të cilën mund ta bëjnë duke shkruar një variant të personalizuar të vargjeve te Moisiu 5:10–11. Si Adami dhe Eva, ata mund të shkruajnë arsyet që kanë për të ndier gëzim për shkak të Shëlbuesit të tyre.
Merreni parasysh ta përmbyllni duke i ftuar disa nxënës ta tregojnë atë që shkruan.