Seminari
Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 1: “Sytë e të Dyve u Hapën”


“Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 1: ‘Sytë e të Dyve u Hapën’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 1: ‘Sytë e të Dyve u Hapën’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Mësimi 11

Moisiu 4:5–32; 5:1–15, Pjesa 1

“Sytë e të Dyve u Hapën”

Adami dhe Eva

Pavarësisht nëse e kuptojmë ose jo, Rënia e Adamit dhe e Evës na prek drejtpërsëdrejti të gjithëve çdo ditë. Në fakt, pa të, ne as nuk do të kishim lindur. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë pasojat e Rënies në planin e Atit Qiellor dhe në jetën e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta mësojnë përmendsh fragmentin e zotërimit doktrinor te 2 Nefi 2:25 dhe ta pyesin një prind ose udhëheqës të Kishës se çfarë kuptimi ka ai për të.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

E mirë apo e keqe?

Për ta filluar mësimin, ndihmojini nxënësit të mendojnë se si disa gjëra të vështira mund të jenë bekime në planin e Perëndisë. Një mënyrë për ta bërë këtë është të përdorni renditjen vijuese. Mund të zgjidhni të shfaqni figura që përshkruajnë fjalët që nxënësit do të renditin.

  • Në një shkallë nga 1–10 (ku 1 = e keqe, 10 = e mirë), si mendon se do t’i renditnin shumica e njerëzve gjërat vijuese?

Puna e zellshme

Sprovat

Hidhërimi

Vdekja

  • Duke i parë këto nga këndvështrimi i përjetshëm i planit të Atit Qiellor, a do ta renditje ndryshe ndonjërën nga këto? Nëse po, përse?

Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Adamit dhe Evës, si ajo në fillim të këtij mësimi. Nëse dëshironi, mund ta lini për pjesën e mbetur të mësimit.

Shumë nga vështirësitë me të cilat përballemi në jetë, vijnë si rrjedhojë e një zgjedhjeje të bërë nga prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva.

  • Si mendon se do ta renditnin shumë njerëz Rënien e Adamit dhe Evës në një shkallë nga 1–10? Përse?

Përsiat se sa mirë e kupton Rënien e Adamit dhe Evës dhe domethënien e saj në jetën tënde. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • A mendon se Rënia ishte e mirë apo e keqe?

  • Si mund të ndikojë kuptueshmëria jote për Shlyerjen e Jezu Krishtit në përgjigjen tënde?

Ndërsa studion kapitujt te Moisiu 4–5 sot, kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar ta kuptosh më mirë Rënien e Adamit dhe Evës. Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë të kuptosh se Rënia ishte pjesë e planit të Atit Qiellor për të na ndihmuar të përparojmë dhe të bëhemi më shumë si Ai.

Pasojat e Rënies

Ftojini nxënësit ta përmbledhin atë që dinë rreth Kopshtit të Edenit dhe Rënies së Adamit dhe Evës. Nëse kanë nevojë për ndihmë, ftojini ata të kërkojnë te 2 Nefi 2:22–23; Moisiu 3:16–17; 4:6–12, duke kërkuar hollësi. Mund edhe ta përmblidhni duke shfaqur materialin filmik nga Tregimet e Shkrimeve të Shenjta nga Dhiata e Vjetër “Adam and Eve” [“Adami dhe Eva”] (1:53), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

1:53

Më pas, ndihmojini nxënësit të mësojnë rreth pasojave të Rënies së Adamit dhe Evës dhe pasardhësve të tyre. Për t’i ndihmuar nxënësit ta organizojnë atë që mësojnë, jepuni atyre një letër dhe paraqitni udhëzimet vijuese. Mund t’i ftoni nxënësit të punojnë së bashku në dyshe për ta kryer këtë veprimtari. (Shënim: Mësimi 21: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1” sugjeron që nxënësit t’iu referohen broshurave që krijojnë në këtë veprimtari për t’i ndihmuar të shpjegojnë pasojat e Rënies.)

Merreni parasysh ta kufizoni kohën që marrin nxënësit për krijimin e broshurave të tyre, në mënyrë që të kenë kohë për të kryer pjesën tjetër të mësimit.

Për të të ndihmuar ta organizosh atë që mëson rreth Rënies, krijo një broshurë duke përdorur udhëzimet vijuese. Imagjino sikur do ta përdorësh këtë broshurë për t’u dhënë mësim të tjerëve rreth Rënies dhe arsyes pse ishte thelbësore në planin e Atit Qiellor. Ji krijues/e në personalizimin e broshurës sate.

  1. Palose letrën në dysh. Krijo një kopertinë me një titull si “Rënia në Planin e Atit Qiellor”. Shto një vizatim ose figurë që të kujton Rënien, si një pemë frutore ose një frutë.

  2. Brenda broshurës, titulloje faqen e majtë “Pasojat e Rënies”.

  3. Studio te Moisiu 4:13–16, 22–25, 28–29; 5:1–4. Rendit ose vizato figura të pasojave të Rënies për fëmijët e Perëndisë. Përfshiji në broshurën tënde vargjet ku mësove rreth secilës pasojë.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa nxënës t’ia tregojnë broshurat e tyre klasës. Ftojini nxënësit të shtojnë në broshurat e tyre ndonjë gjë që u ka shpëtuar.

Sigurohuni që nxënësit të renditin faktin se Adami dhe Eva dhe pasardhësit e tyre tani do të:

  1. Ndiheshin të papërgatitur për të qenë në praninë e Perëndisë (Moisiu 4:13–16).

  2. Ishin në gjendje të kishin fëmijë (Moisiu 4:22; 5:2–3).

  3. Përjetonin hidhërim, dhembje dhe vështirësi (Moisiu 4:22–24).

  4. Kishin nevojë të punonin shumë për të jetuar (Moisiu 4:25; 5:1–3).

  5. Njihnin të mirën nga e keqja (Moisiu 4:28).

  6. Vdisnin fizikisht (Moisiu 4:25).

  7. Ndaheshin nga prania e Perëndisë (vdekja shpirtërore) (Moisiu 5:4).

Shpjegoni se ndarja nga Perëndia quhet “vdekje shpirtërore” – diçka që e përjetojmë të gjithë.

Përsiat se si pasojat e veçanta të Rënies mund të na ndihmojnë të përparojmë për te “pavdekësia dhe jeta e përjetshme” (Moisiu 1:39).

  • Si e tregon urtësinë dhe dashurinë për fëmijët e Tij fakti që Perëndia lejoi që Adami dhe Eva të binin?

Përsiat se cilat pasoja të Rënies të duken më të vështira në jetën tënde.

Shpjegojuni nxënësve që ata do t’i përfundojnë broshurat e tyre gjatë mësimit të ardhshëm teksa studiojnë për rolin e Shpëtimtarit në mposhtjen e pasojave negative të Rënies.

Roli thelbësor i Rënies

Profeti Lehi nga Libri i Mormonit e shpjegoi domethënien e Rënies.

Studio te 2 Nefi 2:22–25, duke kërkuar arsyen pse Rënia ishte diçka e mirë.

  • Çfarë mësove rreth Rënies?

Nxënësit mund të përmendin një numër të vërtetash, por sigurohuni që ata ta kuptojnë se Rënia ishte thelbësore për përparimin tonë në planin e Atit Qiellor.

Nëse doni, mund edhe t’i ndihmoni nxënësit tuaj të kuptojnë se Ati Qiellor u mundësoi Adamit dhe Evës dhe pasardhësve të tyre të përjetonin gëzim nëpërmjet Rënies. Ftojini ata të shkruajnë fjalën “gëzim” në broshurën e tyre poshtë titullit “Pasojat e Rënies”. Merreni parasysh të pyesni a mund ta thotë ndonjëri nga nxënësit tuaj vargun te 2 Nefi 2:25 përmendsh.

Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi pse Rënia është thelbësore në jetën tonë:

Presidenti Xhefri R. Holland

“Rënia ishte një pjesë thelbësore e planit hyjnor të Atit Qiellor. Pa të, asnjë fëmijë i vdekshëm nuk do tʼiu kishte lindur Adamit dhe Evës dhe nuk do të kishte pasur asnjë familje njerëzore që të provonte kundërshtim dhe rritje, liri morale të zgjedhjes dhe gëzimin e ringjalljes, shëlbimin dhe jetën e përjetshme.” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 207)

Shikoje edhe një herë faqen “Pasojat e Rënies” te broshura jote.

  • Si është ndikuar përparimi yt i përjetshëm në mënyrë pozitive për shkak të Rënies?

  • Prej cilës nga pasojat e Rënies kemi nevojë të shpëtohemi?

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se, mes të tjerash, ne nuk mund ta shpëtojmë veten nga vdekja fizike ose vdekja shpirtërore.

Lexoje fjalinë e parë te 2 Nefi 2:26, duke kërkuar lajmin e mirë për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

  • Çfarë gjete?

Informojini nxënësit se mësimi i ardhshëm do të përqendrohet te roli i Mesias në shëlbimin tonë nga pasojat negative të Rënies.

Ftojini nxënësit të kujtojnë veprimtarinë e renditjes nga fillimi i mësimit. Pyetini ata se si do ta renditnin tani Rënien e Adamit dhe Evës në një shkallë nga 1–10. Nxënësit më pas mund t’i shpjegojnë nxënësit që kanë afër arsyen pse Rënia ishte diçka e mirë dhe si ndikon ajo në jetën e tyre dhe në përparimin e tyre në planin e Atit Qiellor.

Merreni parasysh ta mbyllni me dëshminë tuaj për urtësinë dhe dashurinë e Atit Qiellor për ne, të cilën Ai e demonstroi duke dërguar Birin e Tij për të na shëlbuar nga Rënia.

(Kujtojuni nxënësve që t’i mbajnë broshurat e tyre – ose t’jua dorëzojnë juve – në mënyrë që të mund ta mbarojnë krijimin e tyre në mësimin e ardhshëm.)