“Hyrje te Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Hyrje te Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Hyrje te Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë është “të ndihmoj[në] rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta thellojnë kthimin e tyre në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetë të përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (“Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë” [2022], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Për të ndihmuar të arrihet ky synim, ky manual u jep nxënësve një shumëllojshmëri përvojash të të mësuarit nëpërmjet dy llojeve të ndryshme mësimesh: mësimet nga Dhiata e Vjetër dhe mësimet nga pjesa “Përgatitja për Jetën”. Mësimet nga Dhiata e Vjetër përputhen me blloqet e shkrimeve të shenjta të theksuara çdo javë tek Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën. Mësimet nga “Përgatitja për Jetën” i ndihmojnë nxënësit të mësojnë të marrin forcë nga Jezu Krishti dhe t’i vënë në zbatim mësimet e Tij për t’u përgatitur për sfidat e jetës.
Duke përdorur sugjerimet e mësimdhënies që gjenden në këto mësime dhe duke ndjekur drejtimin e Shpirtit, ju mund t’i ndihmoni nxënësit të mbështeten te fuqia e Jezu Krishtit në shumë aspekte të jetës së tyre. Ju do t’i ndihmoni gjithashtu të përgatiten për të ardhmen e tyre me besim te Jezu Krishti.
Ky manual i mësuesit gjendet te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org me një format PDF në dispozicion për ta shkarkuar. Një variant i shtypur i manualit mund të kërkohet nga bashkërenduesi vendor ose administratori i programit.
Mjete që t’ju Ndihmojnë të Përgatiteni për të Dhënë Mësim
Mjetet vijuese do t’ju ndihmojnë të përgatiteni për të dhënë mësim edhe mësimet nga Dhiata e Vjetër, edhe mësimet “Përgatitja për Jetën”.
Shkrimet e Shenjta
Studimi së bashku me bllokun e shkrimeve të shenjta tek Eja, Më Ndiq është një mënyrë e rëndësishme për t’u përgatitur për t’u dhënë mësim nxënësve. Mësimet që përmban ky manual, kanë nevojë për një mësues, i cili i studion rregullisht shkrimet e shenjta dhe kërkon shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ndërsa e bëni këtë, mund të jeni i/e sigurt se Ati Qiellor do t’ju frymëzojë nëpërmjet Shpirtit të Tij me mënyrën se si t’i përdorni këto materiale për të plotësuar nevojat e nxënësve tuaj.
Vështrime të Përgjithshme
Një vështrim i përgjithshëm jepet në fillim të çdo jave të mësimeve nga Dhiata e Vjetër dhe të çdo kategorie të mësimeve nga “Përgatitja për Jetën”. Këto vështrime të përgjithshme japin informacion specifik për mësimin për t’ju ndihmuar t’i përgatitni paraprakisht materialet, duke përfshirë sa vijon:
-
Qëllimet e mësimit (këto gjithashtu janë të përfshira si fjalia e fundit e hyrjes të çdo mësimi)
-
Idetë për përgatitjen e nxënësve
-
Një listë të mësimeve me sende, fletushkave, figurave, materialeve filmike apo materialeve të tjera që mund të nevojiten të përgatiten paraprakisht
Gjejeni vështrimin e përgjithshëm javor për javën e ardhshme të mësimeve që do të jepni.
-
Çfarë informacioni gjeni këtu që është i dobishëm për ta ditur paraprakisht?
-
Si mund ta përdorni këtë informacion ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim?
Këshilla për Mësimdhënien
Çdo vështrim i përgjithshëm që iu paraprin mësimeve nga Dhiata e Vjetër, përmban një këshillë për mësimdhënien që shpjegon praktikat ose parimet e rekomanduara nga materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë. Këto këshilla shenjohen me këtë ikonë: . Ndërsa ndiheni gati, përpiquni t’i zbatoni këto praktika dhe parime gjatë mësimdhënies. Do të vini re se përfshirja e këtyre sugjerimeve mund të ndihmojë për përmirësimin e aftësive tuaja mësimdhënëse.
Shumica e këshillave për mësimdhënien ju drejtojnë te një mësim që demonstron praktikën ose parimin e rekomanduar. Ikona e trajnimit në mësim thekson një shembull të mënyrës se si ta përdorni këshillën. Këto këshilla për mësimdhënien theksojnë pjesën Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve, që mund t’ju ndihmojë të mësoni më shumë rreth praktikës së rekomanduar ose parimit të theksuar. Zbatimi i këtyre praktikave dhe parimeve mund t’ju ndihmojë të përmirësoni aftësitë tuaja të mësimdhënies.
Shqyrtojeni këshillën për mësimdhënien te vështrimi i përgjithshëm për një nga javët e ardhshme të mësimeve që do të jepni mësim.
-
Si mund ta ushtroni këtë sugjerim për mësimdhënien?
Sugjerimet për Ritmin Mësimor
Shumica e vështrimeve të përgjithshme për kategoritë e mësimeve “Përgatitja për Jetën” përfshijnë sugjerime për ritmin mësimor. Këto sugjerime japin ide se ku mund të përfshihen këto mësime në një udhëzues ritmi. Bashkërenduesit dhe administratorët e programit mund t’i përdorin këto sugjerime ndërsa krijojnë udhëzuesin e tyre të ritmit.
Për një shembull, shihni sugjerimin për ritmin mësimor te pjesa Vështrim i Përgjithshëm për mësimin Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja.
Përgatitja e Nxënësve
Çdo vështrim i përgjithshëm përfshin sugjerime për t’i ftuar nxënësit ta përgatitin mendjen dhe zemrën për çdo mësim. Ju mund t’i shqyrtoni këto ide në fillim të javës dhe të përzgjidhni plot lutje ato që mendoni se do t’i ndihmojnë më mirë nxënësit tuaj. Nuk është nevoja që ta përdorni çdo sugjerim për përgatitjen e nxënësve. Ju mund t’i përshtatni ato ose të krijoni idetë tuaja. Këto ftesa të sugjeruara janë krijuar që t’u jepen nxënësve të paktën një ditë para përvojës së të mësuarit.
Shqyrtojini idetë për përgatitjen e nxënësve te vështrimi i përgjithshëm për një nga javët e ardhshme të mësimeve që do të jepni. Merreni parasysh se cilat ide do të përdorni, përshtatni ose cilat nuk do të përdorni. Nëse vendosni t’i ftoni nxënësit tuaj të përgatiten, si do t’ua tregoni atyre idenë për përgatitjen? Për shembull, mund t’ua tregoni atë me fjalë ose ta paraqitni në fund të orës pararendëse mësimore. Si të jetë e nevojshme, mund ta dërgoni atë përmes programit Wise ose një programi për dërgimin e mesazheve.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çdo mësim përmban ide mënyrash të mundshme se si mund t’i qaseni përvojës së të mësuarit. Që nxënësit tuaj të kenë përvojën më të mirë të mundshme, përdoreni përmbajtjen e kësaj pjese si udhërrëfyes në vend se si një skenar. Nëse sapo keni filluar si mësues seminari, mund të jetë më mirë të filloni duke i ndjekur me kujdes veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit. Me shtimin e përvojës, aftësia juaj për ta përshtatur përmbajtjen e këtij manuali për të plotësuar më së miri nevojat e nxënësve, do të rritet.
Shumë veprimtari të sugjeruara të të mësuarit do t’i ftojnë nxënësit të përdorin një ditar studimi. Një ditar studimi në format PDF-je është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org/si/seminary/manuals. Kur është në dispozicion, nxënësit mund të përdorin edhe funksionin e bllokut të shënimeve në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për t’iu përgjigjur nxitjeve për ditar në mësime.
Udhëzime për Mësimdhënien
Në mësime, do të vini re kuti që përmbajnë udhëzime të mësimdhënies për mësuesit. Këto udhëzime janë krijuar për t’ju ndihmuar t’i përgatitni dhe përdorni veprimtaritë e të mësuarit që sugjerohen në mësim. Ato mund të shpjegojnë qëllimin e veprimtarive të mësimit ose të ofrojnë sugjerime rreth mënyrës se si ta përshtatni përmbajtjen e mësimit për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve. Këto sugjerime mund të përfshijnë qasje, pyetje apo veprimtari të tjera që ju ndihmojnë të rregulloni përmbajtjen dhe veprimtaritë sipas nevojës.
Shqyrtojini disa nga udhëzimet për mësimdhënien në mësimin që do të jepni së shpejti.
-
Çfarë vini re rreth mënyrës se si këto udhëzime mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni për të dhënë mësim?
Burime Shtesë
Shumica e mësimeve përmbajnë një pjesë “Burime Shtesë” në fund të mësimit. Kjo pjesë përfshin informacione që mund t’ju ndihmojnë ta thelloni të mësuarit. Ju mund të gjeni pyetjet që mund të kenë nxënësit dhe thënie nga udhëheqësit e Kishës që mund të ndihmojnë për t’i trajtuar këto pyetje. Këto thënie nga udhëheqësit e Kishës mund të përfshihen në mësim. Kjo pjesë është në dispozicion vetëm në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Pjesa “Burime Shtesë” nuk është e përfshirë në variantin PDF të manualit të mësuesit.
Shihni a e përfshin pjesën “Burime Shtesë” mësimi i radhës që do të jepni.
-
A ka ndonjë burim në këtë pjesë që mund të jetë me dobi për t’ua treguar nxënësve tuaj?
Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit
Kjo pjesë, e përfshirë gjithashtu në fund të mësimit, ka ide shtesë për qasjen në përvojën e të mësuarit. Këto veprimtari të të mësuarit përfshijnë mënyra për t’i përshtatur veprimtaritë e tanishme në mësim, ose mënyra për të dhënë mësim materialin që nuk përfshihet te mësimi. Veprimtaritë plotësuese të të mësuarit janë të përfshira vetëm në manualin e mësuesit nëse ju po e përdorni atë nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Kjo pjesë nuk është e përfshirë në variantin PDF të manualit të mësuesit.
Nëse mësimi juaj i ardhshëm e përfshin pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”, shqyrtojini këto veprimtari.
-
A ka ndonjë veprimtari që mendoni se mund të jetë me dobi të përdoret me nxënësit tuaj krahas veprimtarive të të mësuarit të përfshira te pjesa kryesore e mësimit ose në vend të tyre?
Mësimet nga Dhiata e Vjetër dhe Mësimet “Përgatitja për Jetën”
Nxënësve duhet t’u jepen mësim si mësimet nga Dhiata e Vjetër, ashtu edhe mësimet nga “Përgatitja për Jetën” gjatë gjithë vitit. Informacioni vijues mund t’ju ndihmojë të kuptoni qëllimin e mësimeve të ndryshme në manualin e mësuesit.
Mësimet nga Dhiata e Vjetër
Mësimet nga Dhiata e Vjetër përputhen me blloqet e shkrimeve të shenjta të theksuara çdo javë tek Eja, Më Ndiq. Këto mësime u japin nxënësve mundësi për të pasur përvoja të thella me studimin e fjalës së Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. Mësimet nga “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor” dhe mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” janë të përfshira në pjesën e mësimeve nga Dhiata e Vjetër të manualit.
Mësimet nga “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor”
Mësimet nga “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor” kanë për synim t’i ndihmojnë nxënësit të punojnë drejt arritjes së rezultateve të zotërimit doktrinor. Këto rezultate përfshijnë ndihmën që nxënësit të bëjnë sa vijon:
T’i mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.
Të zotërojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor dhe doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit që mësojmë prej tyre.
Zotërimi i fragmenteve të përzgjedhura dhe doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit që këto fragmente japin mësim, do të thotë se nxënësit do të jenë në gjendje të bëjnë sa vijon:
Do ta dinë dhe kuptojnë doktrinën që jepet mësim në fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor.
Do ta shpjegojnë doktrinën në mënyrë të qartë duke përdorur fragmentet shoqëruese të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor.
Do ta vënë në zbatim doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në zgjedhjet e tyre të përditshme dhe në përgjigjet e tyre ndaj çështjeve dhe pyetjeve doktrinore, vetjake, shoqërore dhe historike.
Do t’i mbajnë mend dhe gjejnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe do t’i mësojnë përmendsh frazat kyç të shkrimeve të shenjta.
Programi kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] mund t’i ndihmojë nxënësit të arrijnë disa rezultate të zotërimit doktrinor. Ai është hartuar për t’i ndihmuar nxënësit që të ushtrojnë mësimin përmendsh të referencave dhe frazave kyç të shkrimeve të shenjta për secilin prej fragmenteve të zotërimit doktrinor. Nëse dëshironi, mund ta përdorni këtë program kompjuterik në klasë dhe t’i nxitni nxënësit ta shkarkojnë atë në pajisjet e veta, nëse është e mundur. Ai është në dispozicion për pajisjet me sistem iOS dhe Android.
Për më shumë informacion rreth qëllimeve të zotërimit doktrinor, shikoni “What Is Doctrinal Mastery?” [“Çfarë Është Zotërimi Doktrinor?”] (3:56), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Për më shumë informacion rreth mënyrës se si t’i ndihmoni nxënësit t’i arrijnë rezultatet e zotërimit doktrinor, shihni pjesën “Trajnimi për Zotërimin Doktrinor” te materiali Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit.
Mësimet nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”
Vlerësimi është pjesë e rëndësishme e të mësuarit. Mundësitë për të ndaluar dhe për të reflektuar mbi të mësuarit mund të jenë një përvojë pozitive për nxënësit. Vlerësimet periodike mund t’i ndihmojnë nxënësit në rritjen dhe zhvillimin e tyre të vazhdueshëm për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Duke e vlerësuar të mësuarit e tyre, nxënësit mund të bëhen pjesëmarrës aktivë në procesin e të mësuarit dhe marrin më tepër përgjegjësi për të mësuarit vetjak.
Mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” u japin nxënësve mundësi të shpjegojnë doktrinën kyç nga Dhiata e Vjetër, të reflektojnë për ndjenjat, qëndrimet e dëshirat e tyre lidhur me planin e Atit Qiellor dhe ungjillin e Jezu Krishtit; dhe të rishikojnë planet ose synimet me të cilat po punojnë për ta zbatuar atë që po mësojnë dhe për të thelluar dishepullimin e tyre ndaj Jezu Krishtit. Këto mësime mund t’i ndihmojnë nxënësit të dallojnë rritjen e tyre dhe të përcaktojnë fusha të ardhshme për përparim të mëtejshëm. Nxënësit do të marrin kreditet e kursit duke marrë pjesë në të paktën një mësim “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” në secilën gjysmë të kursit.
Për më shumë informacion rreth mënyrës se si t’i zbatoni mësimet nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”, shihni pjesën “Trajnimi për Vlerësimet” në materialin Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit.
Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”
Mësimet nga “Përgatitja për Jetën” u japin mundësi nxënësve për t’i vënë në zbatim mësimet e Shpëtimtarit për sa vijon:
-
Për të përballuar pyetjet e vështira dhe rrethanat e vështira të jetës
-
Për të bërë zgjedhje të frymëzuara duke përdorur mësimet e Jezu Krishtit dhe profetëve të Tij.
-
Për të ndërtuar mbështetjen te vetja për të siguruar për veten dhe familjen e tyre.
-
Për t’u bërë më të shëndetshëm fizikisht dhe emocionalisht.
-
Për të bërë plane për t’u përgatitur për arsimimin dhe punësimin e ardhshëm.
-
Për të zhvilluar aftësi për të dalë me sukses në shkollë.
-
Për t’u përgatitur për shërbimin misionar dhe atë në kishë.
-
Për t’u përgatitur për të bërë e mbajtur besëlidhjet në tempull.
Përpiquni të jepni dy mësime çdo javë nga “Përgatitja për Jetën”. Disa javë mund të jepni më shumë mësime se kaq dhe javë të tjera mund të jepni më pak mësime, por mesatarisht duhet të përpiqeni të jepni dy mësime në javë, sa më shpesh të jetë e mundur. Kjo do të sigurojë një mundësi që nxënësve t’u jepen të gjitha mësimet gjatë vitit shkollor.
Sigurohuni që të merrni një kopje të një udhëzuesi ritmi që jua jep bashkërenduesi ose administratori juaj i programit.
Për më shumë informacion rreth mësimeve “Përgatitja për Jetën”, shihni pjesën “Trajnimi për Mësimet ‘Përgatitja për Jetën’” në materialin Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit.