“Moisiu 4:1–4: ‘Vullneti Yt u Bëftë dhe Lavdia Qoftë e Jotja Përgjithmonë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Moisiu 4:1–4: ‘Vullneti Yt u Bëftë dhe Lavdia Qoftë e Jotja Përgjithmonë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Mësimi 10
Moisiu 4:1–4
“Vullneti Yt u Bëftë dhe Lavdia Qoftë e Jotja Përgjithmonë”
Në jetën para lindjes, Ati Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari në planin e Tij. Jezu Krishti i bindet vazhdimisht vullnetit të Atit Qiellor, edhe kur është e vështirë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kenë dëshirë për ta ndjekur shembullin e bindjes së Jezu Krishtit ndaj Atit Qiellor.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth njerëzve që ata i njohin, shembujt e të cilëve i frymëzojnë për të qenë më të bindur ndaj Atit Qiellor. Kërkojuni të vijnë të përgatitur për të dhënë shembuj.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Bërja e vullnetit të Atit Qiellor
Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh të tregoni një rast kur një adoleshenti/eje iu kërkua nga Ati Qiellor të bënte diçka të vështirë. Kjo mund të jetë një përvojë vetjake ose një përvojë që e keni dëgjuar. Historia vijuese është një shembull që mund ta përdorni. Inkurajojini nxënësit të mendojnë për raste kur mund të kenë pasur ndjenja të ngjashme.
Vëllai M. Xhozef Brof, që më parë ishte në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve, tregoi historinë vijuese rreth së bijës:
“Të rinj, Perëndia kërkon gjëra të vështira nga ju. Një e re 14‑vjeçare mori pjesë në basketboll konkurrues. Ajo ëndërronte që të luante basketboll në shkollën e mesme si motra e saj më e madhe. Më pas, ajo mori vesh se prindërit e saj ishin thirrur për të kryesuar në një mision në Guatemalë.
Pasi mbërritën, ajo zbuloi se disa nga orët e saj mësimore do të ishin në spanjisht, një gjuhë që ende nuk e fliste. Në shkollën e saj nuk kishte as edhe një ekip të vetëm sportiv për vajzat. Ajo jetonte në katin e 14‑të të një ndërtese me nivel të lartë sigurie. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ajo nuk mund të dilte vetëm jashtë për arsye sigurie.
Prindërit e saj e dëgjuan atë të qante e vetme para se të flinte çdo natë për muaj të tërë.” (“Ngrijeni Kokën dhe Gëzohuni”, Liahona, nëntor 2018, f. 14)
-
Po të ishe në situatën e kësaj të reje, çfarë do të kishte qenë më e vështirë për ty?
Reflekto për pyetjet që vijojnë:
-
Cila është një gjë e vështirë që Perëndia ta ka kërkuar ose mund të ta kërkojë?
-
Sa i/e gatshëm/me je ta bësh këtë gjë të vështirë? Përse?
-
Çfarë do që të mësosh ose të ndiesh në këtë mësim që mund të të ndihmojë të jesh më i/e gatshëm/me për ta bërë atë që kërkon Perëndia?
Ndërsa nxënësit studiojnë te Moisiu 4:1–4, ata do të mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe gatishmërisë së Tij për të bërë gjërat e vështira që kërkon Ati Qiellor. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë për të ditur se si mund t’i ndihmojë shembulli i Shpëtimtarit për gjërat e vështira që Perëndia mund t’u kërkojë t’i bëjnë.
Karakteri i Krishtit
Nëse dëshironi, mund të shpjegoni informacionin në paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin e fragmentit që do të studiojnë sot.
Ne jetuam në jetën para lindjes me Atin tonë Qiellor. Ndërkohë që ishim atje, na u mësua plani i Tij për të na ndihmuar të bëhemi si Ai. Moisiu 4:1–4 përmban një rrëfim të Këshillit në Qiell kur Jezu Krishti u zgjodh për të qenë Shpëtimtari ynë. Në këto vargje ne shohim karakterin e Jezu Krishtit dhe të Satanit teksa secili prej tyre i përgjigjet vullnetit të Atit Qiellor në mënyra të ndryshme.
Mund të merrni parasysh të bëni një grafik të thjeshtë si ai në vijim në tabelë për t’i ndihmuar nxënësit t’i shohin qartë ndryshimet mes Jezu Krishtit dhe Satanit.
|
Jezu Krishti |
Satani |
|---|---|
Lexo te Moisiu 4:1–4, duke kërkuar atë që mund të mësosh rreth shtysave dhe qëndrimeve të Jezu Krishtit dhe Satanit.
Ftojini nxënësit t’i shkruajnë pikëpamjet e tyre në tabelë dhe të diskutojnë për atë që kanë mësuar. (Nxënësit mund të përmendin se sa herë Satani e përdor fjalën “unë” dhe dëshirën e tij për të marrë nderime. Në kundërshtim me këtë, ata mund të vënë re përdorimin e fjalës “yt” nga Shpëtimtari dhe dëshirën e Tij që lavdia të ishte e Atit. Nxënësit mund të vënë re se si Satani “ngriti krye kundër” Atit dhe “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur”. Në kundërshtim me këtë, ata mund të vënë në dukje dëshirën e Shpëtimtarit për t’iu bindur vullnetit të Atit dhe për ta pranuar planin e Atit.)
-
Çfarë mëson nga këto vargje rreth marrëdhënies midis Jezu Krishtit dhe Atit të Tij?
Një e vërtetë që nxënësit mund ta përcaktojnë gjatë diskutimit, është se Jezu Krishti i bindet përulësisht Atit tonë në Qiell.
Rrëfimet vijuese rreth Shpëtimtarit mund t’i ndihmojnë nxënësit të mësojnë nga shembulli i Tij. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se të mësuarit më shumë rreth bindjes së Shpëtimtarit ndaj Atit, edhe kur ishte e vështirë, mund të na e shtojë dëshirën për ta ndjekur shembullin e Tij.
Lexoji rrëfimet vijuese, duke kërkuar dëshirën e vazhdueshme të Jezu Krishtit për t’iu bindur Atit Qiellor, edhe kur ishte e vështirë.
-
Lluka 2:49 (kur ishte 12 vjeç)
-
Gjoni 8:28–29 (kur ishte i rritur)
-
Mateu 26:36–39 (në Kopshtin e Gjetsemanit)
-
3 Nefi 11:10–11 (si një qenie e ringjallur)
Diskutoni me nxënësit se çfarë po mësojnë rreth Jezu Krishtit nga këta shembuj. Më pas ftojini ata të japin shembuj të tjerë nga jeta e Shpëtimtarit kur Ai iu bind përulësisht vullnetit të Atit.
Ftojini nxënësit të sjellin ndër mend gjënë e vështirë në jetën e tyre për të cilën menduan në fillim të orës mësimore. Për t’i ndihmuar ta lidhin atë që po mësojnë rreth Jezu Krishtit, me jetën e tyre, bëni pyetje si ato në vijim:
-
Çfarë tha ose bëri Jezu Krishti që mund ta frymëzojë dikë të zgjedhë t’i bindet Atit Qiellor edhe kur është e vështirë?
-
Cilin njeh që është një shembull i mirë i bindjes ndaj vullnetit të Atit Qiellor? Çfarë ke mësuar nga shembulli i tij ose i saj?
-
Çfarë të jep shtysë t’i bindesh vullnetit të Atit Qiellor, edhe kur është e vështirë?
Ndjekja e shembullit të Krishtit
E reja nga historia në fillim të mësimit është e bija e Vëllait Brof. Nëse e treguat historinë e së bijës, thuajuni nxënësve se ajo i përballoi me guxim tre vitet kur prindërit e saj shërbyen si udhëheqës misioni në Guatemalë.
Tregojeni vazhdimin e historisë së saj në vijim, duke i ftuar nxënësit të kërkojnë cilësi të ngjashme me të Krishtit që i shohin në shembullin e saj. Nëse treguat një histori tjetër në fillim të orës mësimore, merreni parasysh të tregoni një ecuri, si përfundimin e historisë ose një përvojë tjetër në jetën e të njëjtit person. Ftojini nxënësit të kërkojnë cilësi të ngjashme me të Krishtit tek ai person.
Vëllai Brof vazhdoi:
“Gjatë përfundimit të misionit tonë, e pyeta vajzën time nëse do të shërbente në një mision kohëplotë. Përgjigjja e saj ishte: ‘Jo, Babi, kam shërbyer tashmë’.
U mjaftova me përgjigjen e saj! Por rreth gjashtë muaj më vonë, Shpirti më zgjoi natën nga gjumi me këtë mendim: ‘E kam thirrur vajzën tënde që të shërbejë në një mision’.
Reagimi im ishte: ‘Atë Qiellor, ajo ka dhënë aq shumë’. Shpejt Shpirti më korrigjoi dhe arrita të kuptoj se shërbimi i saj misionar kërkohej nga Zoti.
Pa vonuar e mora vajzën time për drekë. Nga ana tjetër e tavolinës thashë: ‘Ganzi, a e di përse jemi këtu?’
Ajo tha: ‘Po, Babi. Ti e di që unë duhet të shërbej në një mision. Nuk dua të shkoj, por do të shkoj.’
Për shkak se ajo iu nënshtrua vullnetit të Atit Qiellor, ajo i shërbeu Atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e saj. Ajo i ka mësuar babit të saj se si ta bëjë një gjë të vështirë.” (“Ngrijeni Kokën dhe Gëzohuni”, Liahona, nëntor 2018, f. 14)
-
Mendo për vargjet që lexove rreth Jezu Krishtit sot. Si e ndoqi kjo e re shembullin e Tij?
Bërja e pyetjeve që nuk marrin përgjigje me “po” ose “jo”, mund t’i ndihmojë nxënësit tuaj t’i zbulojnë dhe zbatojnë të vërtetat e ungjillit në rrethanat e tyre vetjake. Merreni parasysh të përdorni pyetje si ato në vijim për t’i lejuar nxënësit të shprehin atë që mësuan dhe mënyrën se si mund ta zbatojnë atë në jetën e tyre. (Për trajnim shtesë mbi këtë, shihni pjesën “Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.)
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj një përgjigje për dy pyetjet vijuese, duke u kushtuar vëmendje mendimeve ose mbresave nga Shpirti:
-
Çfarë ke mësuar sot rreth Jezu Krishtit që mund të të ndihmojnë t’i bindesh Atit Qiellor, edhe kur Ai të kërkon të bësh gjëra të vështira?
-
Çfarë ndien nxitjen të bësh për shkak të asaj që ke mësuar ose ndier sot?
Dëshmoni për shembullin e Jezu Krishtit dhe aftësinë e Tij për të na ndihmuar të bëjmë atë që Perëndia ka kërkuar.