“Zanafilla 1:26–27: ‘Perëndia Krijoi Njeriun Sipas Shëmbëlltyrës së Vet’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 1:26–27: ‘Perëndia Krijoi Njeriun Sipas Shëmbëlltyrës së Vet’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5: Mësimi 8
Zanafilla 1:26–27
“Perëndia Krijoi Njeriun Sipas Shëmbëlltyrës së Vet”
Gjatë periudhës së gjashtë të krijimit, Perëndia krijoi burrin dhe gruan. Çdo person në tokë është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe ka një natyrë e fat hyjnor. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e identitetit dhe potencialit të tyre si bij dhe bija të prindërve qiellorë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i mësojnë përmendsh ose t’i përsëritin rreshtat hyrës të temave të Të Rejave dhe të Priftërisë Aarone dhe të reflektojnë për domethënien e secilës deklaratë:
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Identitetet dhe etiketimet
Merreni parasysh të vizatoni një bosht kohor në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të krijojnë boshtin e vet kohor në ditarët e tyre të studimit. Më poshtë jepet një model i një boshti kohor.
Vizato një vijë horizontale që përfaqëson jetën tënde, dhe emërtoje atë me identitete ose tituj të ndryshëm që ke pasur në të kaluarën, që ke tani ose që pret të kesh në të ardhmen. Këto mund të përfshijnë etiketimet “shok/shoqe” “nxënës/e” ose një titull pozicioni në punë apo thirrje që ke pasur. Sa vijon është një shembull:
-
Cilat janë disa identitete ose tituj që zgjodhe të vendosësh në boshtin tënd kohor? Përse?
-
Në çfarë mënyrash mund të ndikojnë këto identitete ose tituj në zgjedhjet që bën?
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se si mund të ndikojnë te ne mënyrat si e etiketojmë veten.
“Etiketimet mund të jenë zbavitëse dhe tregojnë përkrahjen tuaj për çfarëdo gjërash pozitive. Shumë etiketime do të ndryshojnë për ju me kalimin e kohës. Dhe jo të gjitha etiketimet kanë vlerë të barabartë. Por nëse ndonjë etiketim zëvendëson përcaktuesit tuaj më të rëndësishëm, rezultatet mund të jenë mbytëse nga ana shpirtërore.” (“Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
-
Në ç’mënyrë mendon se disa etiketime mund të jenë mbytëse nga ana shpirtërore?
Fëmijë të prindërve qiellorë
Lexo te Zanafilla 1:26–27 dhe deklaratën vijuese nga dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, duke kërkuar pikëpamje rreth identitetit tënd hyjnor.
Zanafilla 1:26–27 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
“Të gjitha qeniet njerëzore, meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. Gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit të jetës para lindjes, të jetës në vdekshmëri dhe jetës së përjetshme të individit.” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org)
-
Çfarë pikëpamjesh more rreth identitetit tënd të përjetshëm?
Një e vërtetë që nxënësit mund ta kenë përcaktuar, është se ne jemi bij dhe bija të prindërve qiellorë, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së tyre. Nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë, ftojini nxënësit t’i shkruajnë fjalët “Fëmijë i Perëndisë” në boshtin e tyre kohor.
-
Çfarë mendon se do të thotë të krijohesh sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha pikëpamjen në vijim rreth të qenit të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
“Perëndia, Ati ynë, ka veshë me të cilët t’i dëgjojë lutjet tona. Ka sy me të cilët t’i shohë veprimet tona. Ka gojë me të cilën të na flasë. Ka zemër me të cilën të ndiejë dhembshuri e dashuri. Ai është i vërtetë. Ai është i gjallë. Ne jemi fëmijët e Tij, të bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ne dukemi si Ai dhe Ai duket si ne.” (“I Know That My Redeemer Lives”, Ensign, prill 1990, f. 6)
-
Pse mendon se do të ishte e rëndësishme ta vije identitetin tënd si fëmijë i Perëndisë mbi çdo identitet tjetër që ke?
Jepuni kohë nxënësve për të përsiatur se sa i rëndësishëm është aktualisht për ta identiteti i tyre si fëmijë të Perëndisë. Bërja e kësaj mund ta ftojë Frymën e Shenjtë të dëshmojë për të vërtetën ose të ndihmojë që mendjet dhe zemrat e nxënësve të përgatiten për të marrë mësim.
-
Çfarë pengesash mund ta bëjnë të vështirë që ta besosh ose ta kujtosh identitetin tënd si fëmijë i Perëndisë, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij?
Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjen e mëparshme. Përgjigje të mundshme mund të jenë që disa njerëz mund të mos e kuptojnë pse ka rëndësi të qenit fëmijë i Perëndisë, ata e kanë të vështirë ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë ose shpërqendrohen nga identifikues më pak të rëndësishëm. Nëse nxënësit kanë pyetje rreth gjinisë, ndiqni shembullin e Shpëtimtarit ndërsa e jepni mësim doktrinën e Tij në një mënyrë që sjell mirëkuptim, shpresë dhe shërim. Dëshmoni se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe do t’i ndihmojë nxënësit t’i zgjidhin pyetjet e tyre ndërsa i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Për një ide se si t’i ndihmoni nxënësit për pyetjet rreth gjinisë, shihni pjesën Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit.
Fjalë nga shkrimet e shenjta dhe profetët
Jepuni nxënësve fletushkën e titulluar “Unë Jam një Fëmijë i Perëndisë”. Ftojini nxënësit të kërkojnë frymëzim nga Perëndia ndërsa studiojnë për t’i ndihmuar ta dallojnë domethënien e identitetit të tyre hyjnor. Krahas fletushkës, mund t’i ftoni nxënësit të rishikojnë mësimet që gjenden tek temat e Të Rejave dhe të Priftërisë Aarone. Nxënësit mund ta bëjnë këtë individualisht ose në grupe të vogla.
Kur nxënësit të kenë mbaruar së studiuari, mund t’i ftoni të tregojnë se çfarë mësuan si klasë ose në grupe të vogla. Ju mund të bëni edhe pyetje si ato që vijojnë:
-
Çfarë gjete nga burimet që studiove, që qe kuptimplotë për ty?
-
Si mund të ndikojë njohuria për identitetin tënd si fëmijë i Perëndisë te mënyra se si e sheh veten dhe të tjerët?
-
Si ka ndikuar njohuria për identitetin dhe potencialin tënd hyjnor në jetën tënde?
Nëse nxënësit do të kishin dobi nga të parit e një shembulli për mënyrën se si njohuria për identitetin e tyre të përjetshëm mund të ndikojë tek ata, merreni parasysh të shihni materialin filmik “Running Toward the Light” [“Duke Vrapuar drejt Dritës”] (17:34), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 11:00 deri në 15:19. Në këtë material filmik, Plaku Piter M. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi përvojën e tij kur mësoi se është një fëmijë i Perëndisë dhe ndikimin që ajo njohuri ka pasur në jetën e tij. Pas materialit filmik, mund t’i ftoni disa nxënës që të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje nga mesazhi i Plakut Xhonson.
Reflekto për identitetin tënd
Jepuni kohë nxënësve për të reflektuar mbi atë që kanë mësuar rreth identitetit dhe potencialit të tyre si bija dhe bij të prindërve qiellorë. Ftojini ata ta shënojnë në ditarët e tyre të studimit çdo mbresë ose pikëpamje që kanë pasur, të cilën do të donin ta mbanin mend. Merreni parasysh ta përmbyllni duke kënduar si klasë këngën “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, më pas të jepni dëshminë tuaj rreth të qenit fëmijë i Perëndisë.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh gjatë këtij mësimi referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë te Zanafilla 1:26–27 është “Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.