“Zanafilla 1:28–31; 2:1–25: ‘Familja Është Thelbësore në Planin e Krijuesit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 1:28–31; 2:1–25: ‘Familja Është Thelbësore në Planin e Krijuesit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 1–2; Moisiu 2–3; Abraham 4–5: Mësimi 9
Zanafilla 1:28–31; 2:1–25
“Familja Është Thelbësore në Planin e Krijuesit”
Pas krijimit të Adamit dhe Evës, Ati Qiellor i bashkoi ata në martesë. Ai i urdhëroi të shumoheshin dhe të mbushnin tokën dhe të bashkoheshin me njëri‑tjetrin. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rolin thelbësor të martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor për shpëtimin.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, duke kërkuar mësime që përshkruajnë arsyen pse familja është qendrore në planin e Atit Qiellor për shpëtimin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kur të diskutoni rëndësinë e martesës dhe familjes në planin e Atit Qiellor për shpëtimin, kuptojeni se shumë nxënës aktualisht nuk përjetojnë situata ideale familjare. Jini të ndjeshëm ndaj nevojave dhe pyetjeve të nxënësve.
Gjërat që janë thelbësore
Merreni parasysh të shkruani në tabelë një ose më shumë fjali të paplota që ilustrojnë se si një send, veprimtari, person e kështu me radhë mund të jetë thelbësor për arritjen e diçkaje. Shembujt vijues mund të jenë të dobishëm. Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si do t’i plotësonin vendet bosh, më pas kërkojuni nxënësve të ndryshëm t’ia japin përgjigjet e tyre klasës. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se fjala thelbësore mund të ketë edhe kuptimin qendrore ose më e rëndësishmja.
është thelbësore për suksesin në shkollë sepse .
është një pjesë thelbësore e një jete të lumtur sepse .
luan një rol thelbësor në jetën time sepse .
Pasi nxënësit të kenë dhënë përgjigjet e tyre, paraqiteni thënien vijuese nga dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” dhe ftojeni një nxënës ta lexojë atë me zë të lartë. Kërkojini klasës të kërkojë një aspekt thelbësor të planit të Atit tonë Qiellor për shpëtimin.
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” shpall:
“Ne, Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, solemnisht shpallim se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”. (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Si mendon, pse martesa dhe familja luajnë role kaq të rëndësishme në planin e Atit Qiellor për shpëtimin?
-
Në çfarë mënyrash mund ta shohësh Satanin të veprojë për t’i sulmuar martesat dhe familjet në kohën tonë?
Ftojini nxënësit të mendojnë për disa nga pyetjet që ata ose të tjerët mund të kenë rreth martesës dhe familjes. Ata mund t’i shkruajnë pyetjet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Inkurajojini ata ndërsa studiojnë sot që të kërkojnë të vërteta dhe t’u kushtojnë vëmendje mbresave shpirtërore që mund të ndihmojnë për t’i udhërrëfyer ata në gjetjen e përgjigjeve për këto pyetje.
Mësime nga shkrimet e shenjta
Shpjegoni se ajo që bëri Ati Qiellor pas Krijimit të tokës, mund të na ndihmojë ta kuptojmë rolin thelbësor të martesës dhe familjes në planin e Tij. Paraqitini udhëzimet dhe burimet vijuese dhe jepuni nxënësve kohë për t’i studiuar ato. Mund t’i studioni këto së bashku si klasë, ose mund t’i organizoni nxënësit në grupe për t’i studiuar dhe diskutuar këto burime së bashku.
Teksa nxënësit i lexojnë vargjet nga Zanafilla 2, nëse dëshironi, mund të shpjegoni se fjalët ndihmë që i leverdis te vargu 18 i referohet “një ndihmëse të përshtatshme, të denjë ose që i përket” Adamit. Mund edhe të shpjegoni se rrëfimi për Evën që krijohet nga brinja e Adamit është simbolik dhe mund të përfaqësojë partneritetin e barabartë mes bashkëshortit dhe bashkëshortes (shihni te Russell M. Nelson, “Lessons from Eve”, Ensign, nëntor 1987, f. 87).
Studio thënien dhe shkrimet e shenjta vijuese, duke kërkuar fakte mbi rëndësinë e martesës dhe familjes për Perëndinë.
Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim:
“Zoti … [i solli] së bashku Adamin dhe Evën, mashkulli i Tij i parë dhe femra e Tij e parë në këtë tokë, dhe kr[eu] një ceremoni të shenjtë martesore për t’i bërë ata burrë e grua”. (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 192)
Shkrimet e shenjta për t’i studiuar:
Zanafilla 1:27–28 (Urdhërimi i Perëndisë drejtuar Adamit dhe Evës)
Zanafilla 2:18, 21–24 (Krijimi i Evës)
Zanafilla 2:24 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 (Mësimet e Zotit nëpërmjet Profetit Jozef Smith)
-
Çfarë të vërtetash gjete që demonstrojnë rëndësinë e martesës dhe familjes për Perëndinë?
Nxënësit mund të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me ato që vijojnë:
Perëndia i ka urdhëruar bashkëshortët dhe bashkëshortet që të kenë fëmijë (Zanafilla 1:28).
Bashkëshorti dhe bashkëshortja duhet të jenë një dhe të veprojnë si partnerë të barabartë (Zanafilla 2:18, 24).
Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia (Doktrina e Besëlidhje 49:15).
Toka u krijua që të sigurohej një vend ku fëmijët e Perëndisë mund të lindeshin në familje dhe të përparonin së bashku (Doktrina e Besëlidhje 49:16–17).
Si pjesë e diskutimit tuaj për këto të vërteta, mund të jetë e dobishme të diskutoni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson.
Presidenti Rasëll M. Nelson e theksoi rolin e rëndësishëm që do të luanin familjet pasi toka të ishte krijuar nga Perëndia:
“Madhështor siç është, planeti Tokë është pjesë e diçkaje edhe më madhështore – atij plani të madhërishëm të Perëndisë. E përmbledhur thjesht, toka u krijua që familjet të mund të jenë. Shkrimi i shenjtë shpjegon se një bashkëshort dhe një bashkëshorte ‘duhet të jenë një mish, dhe kjo e gjitha, që toka të mund të përmbushë qëllimin e krijimit të saj’ [Doktrina e Besëlidhje 49:16].” (“The Creation”, Ensign, maj 2000, f. 85)
-
Si mund të ndikojë të kujtuarit e rolit thelbësor të martesës dhe familjes në planin e Perëndisë në zgjedhjet që bën në jetën tënde?
-
Si mund të na ndihmojnë këto të vërteta dhe mësime që të përgjigjemi kur shohim se doktrina e martesës ose e familjes po kritikohet ose i ulet vlera?
-
Si mendon se mund të të ndihmojë ndjekja e standardeve të Atit Qiellor për martesën dhe familjen që të bëhesh më shumë si Ai?
Krijo një përgjigje
Për t’i ndihmuar nxënësit ta shpjegojnë atë që kanë mësuar rreth rëndësisë së martesës dhe familjes në planin e Perëndisë, merreni parasysh të tregoni një skenar si ai në vijim. Mund ta përshtatni këtë skenar që të jetë më i lidhur me kulturën tuaj dhe jetën e nxënësve tuaj. Pasi ta tregoni skenarin, paraqitini udhëzimet që nxënësit të krijojnë një përgjigje.
Në një nga orët mësimore të shkollës së Elsës, ndodhi një diskutim rreth martesës dhe familjes. Elsa tregoi disa nga pikëpamjet e saj rreth martesës që bëhet mes një burri dhe një gruaje dhe rëndësisë së të pasurit të fëmijëve nga çiftet e martuara. Shumë nga shokët e klasës të Elsës dhanë mendime që qenë shumë të ndryshme nga të sajat. Pas orës mësimore, një i ri që quhej Isli, i cili gjithashtu ishte në orën mësimore të seminarit me Elsën, e pyeti atë pse kishte kaq mendime të prapambetura rreth martesës dhe familjes.
Duke përdorur atë që mësove sot, krijo një përgjigje që Elsa mund t’ia japë Islit. Përfshi sa vijon në përgjigjen tënde:
-
Një shpjegim rreth arsyes pse martesa dhe familja janë të rëndësishme për Atin Qiellor dhe planin e Tij për shpëtimin
-
Një ose më shumë mësime nga shkrimet e shenjta ose udhëheqësit e Kishës
-
Një ftesë që Elsa mund t’ia bëjë Islit që mund ta ndihmojë atë
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për t’u përgatitur, jepuni atyre një mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre. Ata mund t’ia tregojnë ato një partneri ose një grupi të vogël. Disa nxënës të gatshëm mund të ftohen gjithashtu që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës ose që ta interpretojnë me role skenarin.
Jepuni nxënësve kohë për të reflektuar për atë që mësuan dhe ndien sot. Ata mund të mendojnë për të vërtetat që mësuan, të cilat u dhanë përgjigje disave prej pyetjeve të tyre. Ftojini ata ta mbajnë shënim në ditarët e tyre të studimit çdo mbresë shpirtërore që kanë pasur. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh gjatë këtij mësimi referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargun te Zanafilla 2:24 është: “Njeriu … do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.