Seminari
Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor: Ide për Përsëritjen e Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore


“Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor: Ide për Përsëritjen e Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Shtojca

Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor

Ide për Përsëritjen e Parimeve të Marrjes së Njohurisë Shpirtërore

Gjatë çdo mësimi të Ushtrimit të Zotërimit Doktrinor, mund të jetë e dobishme t’u jepni nxënësve një mundësi për t’i përsëritur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Kjo do t’i ndihmojë ata të përgatiten më mirë për t’i zbatuar këto parime edhe në skenarët në orën mësimore, edhe në situatat nga jeta reale.

Sa vijon janë disa shembuj të mënyrave se si mund t’i ndihmoni nxënësit t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore:

Thuajini përmendsh parimet. Pyetini nxënësit a mund t’i përsëritin të tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore përmendsh. Nxënësit mund t’i shkruajnë individualisht parimet në ditarët e studimit, ose pjesëtarë të ndryshëm të klasës mund t’i thonë përmendsh parimet me zë të lartë. Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë, ata mund t’i referohen paragrafit 4 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” në materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Mund të jepni edhe të dhëna, të tilla si një veprimtari për plotësimin e hapësirave bosh ose dhënia e shkronjës së parë për secilën fjalë në parimet e ndryshme.

Përkojini fjalitë me parimin e saktë. Renditini të tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në tabelë. Më pas lexoni ose paraqitni fjali ose fraza të ndryshme nga paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” në materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Ftojini nxënësit të tregojnë se me cilin prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore lidhet më mirë fjalia.

Shpjegoni kuptimin. Ftoni nxënës të ndryshëm t’i shpjegojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore me fjalët e tyre. Kjo mund të bëhet duke pyetur nxënës të ndryshëm rreth parimeve të ndryshme, ose mund t’i ndani nxënësit në grupe me nga tre veta dhe t’i caktoni çdo nxënësi njërin prej parimeve. Nëse është e nevojshme, ata mund t’i përsëritin këto parime në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” në materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor përpara se t’u kërkohet të shpjegojnë.

Përmblidhini me 10 fjalë ose më pak. Ftojini nxënësit të krijojnë një përmbledhje për secilin prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore që është 10 fjalë ose më pak. Ftoni nxënës të ndryshëm të japin përmbledhjet e tyre dhe të shpjegojnë përse zgjodhën fjalët që zgjodhën.

Krijoni një figurë ose ikonë. Ftojini nxënësit të krijojnë një simbol, figurë ose ikonë për secilin prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Krijimi i tyre duhet të përfaqësojë atë që jepet mësim nga parimet. Kur nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ata t’ua tregojnë krijimin e tyre të tjerëve dhe të shpjegojnë përse përfshinë atë që përfshinë.

Përsëritni gjatë diskutimit të skenarit. Pasi të tregoni një skenar real, ftojini nxënësit të studiojnë paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Nxënësit mund të kërkojnë dhe tregojnë mësime nga këta paragrafë që mund ta ndihmojnë personin nga skenari 1) të veprojë me besim, 2) të shqyrtojë konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm dhe 3) të kërkojë kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

Jepni përvoja. Nxënësve mund t’u kërkohet të tregojnë përvojat që kanë pasur me përdorimin e parimeve të marrjes së njohurive shpirtërore. Ata mund të shpjegojnë se si ato parime i ndihmuan ata për pyetjet ose situatat e tyre ose se si ishin në gjendje t’i përdornin parimet për t’i ndihmuar të tjerët.

Zgjidhni një frazë. Caktojeni çdo nxënës të përqendrohet në njërin prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Jepuni atyre kohë të zgjedhin një frazë nga secili paragraf në pjesën që u është caktuar, që ata e ndiejnë se e përfaqëson më mirë atë që jepet mësim në atë paragraf. Më pas ftojini nxënësit të lëvizin nëpër klasë dhe të gjejnë dikë të cilit iu caktua i njëjti parim, dhe t’i krahasojnë frazat që zgjodhën. Nxënësit mund të gjejnë më pas nxënës të cilëve u janë caktuar dy parimet e tjera dhe të tregojnë frazat që zgjodhën.

Ide për Përsëritjen e Fragmenteve të Zotërimit Doktrinor

Shpenzoni kohë gjatë gjithë vitit për të përsëritur rregullisht fragmentet e zotërimit doktrinor që po studiojnë nxënësit. Kjo mund të ndihmojë të rritet aftësia e nxënësve tuaj për të kujtuar referencat e shkrimit të shenjtë dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë. Kjo gjithashtu mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë, shpjegojnë dhe zbatojnë më mirë doktrinën që jepet mësim në fragmentet e zotërimit doktrinor. Një listë e fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë mund të gjendet në materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.

Më poshtë janë disa veprimtari që mund të përdoren ose përshtaten për t’i ndihmuar nxënësit tuaj t’i shqyrtojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një shumëllojshmëri mënyrash.

Mësojini Përmendsh

Kartat e mësimit përmendsh. Ftojini nxënësit të krijojnë karta të mësimit përmendsh me referencën e shkrimit të shenjtë të shkruar mbi njërën anë të një cope letre dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë të shkruar në anën tjetër. Nxënësit mund të krijojnë karta për fragmente të shumta të zotërimit doktrinor në një copë letre të vetme dhe më pas t’i presin kartat e mësimit përmendsh. Ata mund të punojnë më pas vetë ose me një partner për të ushtruar mësimin përmendsh të referencave dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë. Këto përsëritje me anë të kartave të mësimit përmendsh mund të bëhen në mënyrë periodike gjatë gjithë vitit.

Programi Kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor]. Përdorini veprimtaritë e mësimit përmendsh në programin kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor]. Nëse është e mundur, mund ta lidhni pajisjen tuaj celulare me një projektor ose një televizor për të paraqitur përmbajtjen e programit kompjuterik në mënyrë që nxënësit të mund të plotësojnë veprimtaritë e mësimit përmendsh si klasë. Gjithashtu, mund t’i ftoni nxënësit që kanë aparate celulare, ta përdorin programin për të shpenzuar kohë duke bërë veprimtaritë e mësimit përmendsh në klasë ose jashtë klase.

Të thënit përmendsh në orën mësimore. Pasi të thoni një referencë të shkrimit të shenjtë, klasa mund ta përsëritë frazën kyç të shkrimit të shenjtë njëzëri. Mund të thoni edhe një frazë kyç të shkrimit të shenjtë dhe ta ftoni klasën të përsëritë referencën përkatëse të shkrimit të shenjtë njëzëri.

Figura të lidhura me të. Gjeni figura ose vizatime që lidhen me mësimet e fragmenteve të zotërimit doktrinor. Tregojuani nxënësve këto figura ndërsa ushtrojnë mësimin përmendsh të referencave të shkrimit të shenjtë dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë. Nxënësit mund edhe të ftohen të gjejnë ose krijojnë figurat e tyre që i ndihmojnë t’i mësojnë përmendsh fragmentet. Nëse të njëjtat figura përdoren nga e gjithë klasa kur mësojnë përmendsh fragmentet e dhëna, mund t’i ngrini herë pas here figurat gjatë seancave të orës mësimore të ardhshme për të parë nëse nxënësit mund t’i mbajnë ende mend frazat dhe referencat.

Vendosini në rendin e duhur. Paraqitini fjalët e referencës së shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë në një rend të çrregullt dhe ftojini nxënësit t’i renditin në rendin e duhur.

Shkronjat e para. Paraqitni vetëm shkronjën e parë të çdo fjale për referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe ftojini nxënësit të përpiqen të thonë me saktësi referencën dhe frazën kyç. Fshini gjithnjë e më shumë prej shkronjave të para ndërsa rritet aftësia e nxënësve për të thënë përmendsh referencën dhe frazën kyç.

Plotësojeni hapësirën bosh. Paraqiteni referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë me disa prej fjalëve që mungojnë. Ftojini nxënësit t’i thonë përmendsh referencën dhe frazën kyç ndërkohë që plotësojnë hapësirat bosh. Fshini gjithnjë e më shumë prej fjalëve ndërsa rritet aftësia e nxënësve për të thënë përmendsh referencën dhe frazën kyç.

Përkimi. Paraqitni referenca të shumta të shkrimit të shenjtë dhe fraza kyç të shkrimit të shenjtë në dy kolona. Në kolonën e parë, renditini referencat e shkrimit të shenjtë në mënyrë të njëpasnjëshme. Në kolonën e dytë, renditini frazat kyç të shkrimit të shenjtë në rend rastësor. Më pas ftojini nxënësit t’i përkojnë referencat dhe frazat kyç të sakta të shkrimit të shenjtë.

Kuptoni dhe shpjegoni

Referencat-kryq. Ftojini nxënësit të gjejnë referenca-kryq të shumta që lidhen me një fragment të zotërimit doktrinor. Më pas, ata mund t’ua mësojnë shokëve të klasës atë që mësuan, duke përfshirë mënyrën se si shkrimet e shenjta shtesë që i studiuan, lidhen me fragmentin e zotërimit doktrinor. Mund të sugjeroni se disa prej referencave-kryq që ata i gjejnë, vijnë nga fragmentet e zotërimit doktrinor në librat e tjerë të shkrimit të shenjtë.

Lidhuni me Jezu Krishtin. Caktojuni nxënësve një fragment të zotërimit doktrinor për ta studiuar dhe kërkojuni atyre të mendojnë rreth mënyrave të ndryshme se si ai fragment lidhet me Jezu Krishtin. Ata mund të mendojnë dhe të diskutojnë për atë që fragmenti i caktuar i ndihmon të kuptojnë më mirë rreth Jezu Krishtit, doktrinës së Tij ose planit të shpëtimit. Ata gjithashtu mund të kërkojnë shembuj të mënyrës se si Shpëtimtari e dha mësim ose e mishëroi të vërtetën që gjendet në fragment.

Shpjegime të thjeshta. Ftojini nxënësit të përgatiten për t’ia shpjeguar doktrinën që jepet mësim në fragmente të ndryshme të zotërimit doktrinor dikujt që nuk ka njohuri për ato mësime. Ata mund të imagjinojnë sikur po ia shpjegojnë këto mësime një fëmije ose dikujt që nuk është një anëtar i Kishës. Ftojini ata ta shkruajnë shpjegimin e tyre në ditarët e studimit dhe më pas t’ia tregojnë atë një shoku të klasës.

Rresht pas Rreshti. Tregojuni nxënësve shembuj të disa prej faqeve Rresht pas Rreshti nga revista Për Forcën e Rinisë në të cilën analizohen fjalë ose fraza të rëndësishme nga fragmentet e shkrimit të shenjtë. Një shembull i një faqeje të tillë është materiali “Line upon Line: A Watchman” (For the Strength of Youth, tetor 2022, f. 32). Ftojini nxënësit të krijojnë variantin e tyre të një faqeje Rresht pas Rreshti. Kërkojuni atyre të përzgjedhin disa fjalë kyç nga një fragment i zotërimit doktrinor dhe të përfshijnë shkrime të shenjta, thënie nga udhëheqësit e Kishës dhe përkufizime që lidhen me to, që ndihmojnë të thellohet kuptueshmëria rreth atyre fjalëve kyç.

Bëni pyetje. Ftojini nxënësit të zgjedhin një fragment të zotërimit doktrinor që do të donin ta kuptonin më mirë. Ftojini ata ta lexojnë fragmentin dhe të renditin dy ose tri pyetje që kanë rreth atij fragmenti. Këto pyetje mund të lidhen me fjalët ose frazat që ata do të donin t’i kuptonin më mirë ose përse fragmenti është i rëndësishëm për t’u kuptuar. Pasi nxënësit t’i kenë renditur pyetjet e tyre, ftojini të përdorin burime të tilla si programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ose mjete të tjera të studimit për të gjetur përgjigjet për pyetjet e tyre. Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan.

Paraqitje pamore. Nxënësit mund të krijojnë një vizatim, një kolazh, një meme, vepër arti me tekst, një grup fjalësh ose një paraqitje tjetër pamore që ndihmon të përshkruhet ajo që jepet mësim në një fragment të zotërimit doktrinor. Më pas, nxënësit mund t’ua tregojnë krijimin e tyre të tjerëve dhe të shpjegojnë se si ai lidhet me fragmentin e zotërimit doktrinor ku u përqendruan.

Zbatoni

Skenarët. Jepni skenarë të ndryshëm që lidhen me situatat, sfidat ose pyetjet shpirtërore që mund të kenë adoleshentët. Ftojini nxënësit të tregojnë një ose më shumë fragmente të zotërimit doktrinor që ata e ndiejnë se mund të gjejnë zbatim në skenar, dhe të shpjegojnë se si mendojnë se mund të ndihmojnë këto fragmente.

Jepni përvoja. Nxënësit mund të zgjedhin njërin prej fragmenteve të zotërimit doktrinor që e kanë zbatuar kohët e fundit në jetën e tyre ose që do të donin ta zbatonin më plotësisht në jetën e tyre. Nxënësit mund të ftohen të tregojnë se si këto mësime kanë ndikuar tek ata.

Studiojini fragmentet me rrethanat vetjake në mendje. Ftojini nxënësit të mendojnë për një rrethanë, pyetje ose vendim me të cilin përballen. Ftojini ata të gjejnë fragmente të zotërimit doktrinor që do të ndihmonin në situatat e tyre dhe të tregojnë atë që iu duk e dobishme.

Ndihmoni një adoleshent/e. Ftojini nxënësit të vizatojnë një figurë të një adoleshenti/eje dhe të shkruajnë emrin, moshën dhe situatën familjare të tij ose saj dhe çdo pyetje, problem ose sfidë me të cilin po përballet aktualisht. Më pas, nxënësit mund të përcaktojnë fragmente të zotërimit doktrinor që e ndiejnë se do ta ndihmonin këtë adoleshent/e. Ata mund të shpjegojnë doktrinën në fragmentin e tyre të zgjedhur dhe të bëjnë sugjerime për veprimet e mundshme që mund të ndërmarrë ky/kjo adoleshent/e.

Përgatitni një takim shpirtëror ose bisedë. Jepuni mundësi nxënësve për t’i përdorur fragmentet e zotërimit doktrinor për të përgatitur mesazhin e një takimi shpirtëror ose një bisedë të shkurtër. Mund të merrni parasysh të planifikoni që çdo nxënës ta tregojë mesazhin shpirtëror ose bisedën e tij në fillim të orës mësimore gjatë gjithë semestrit. Ndihmojini ata të përgatiten për ta përmbledhur kontekstin dhe të shpjegojnë të vërtetat që jepen mësim në fragmentet. Ftojini nxënësit të tregojnë përvoja kuptimplota ose shembuj të zbatimit të të vërtetave nga fragmentet që zgjodhën, dhe të dëshmojnë për të vërtetat që jepen mësim në këto fragmente.