“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 1: Moisiu 1–5; Abraham 1–3; Zanafilla 37; 39; 41”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 1: Moisiu 1–5; Abraham 1–3; Zanafilla 37; 39; 41”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shtojca
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 1
Moisiu 1–5; Abraham 1–3; Zanafilla 37; 39; 41
Reflektimi për të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të afrohemi më pranë Shpëtimtarit. Ky vlerësim mund të të ndihmojë ta kujtosh dhe vlerësosh mënyrën se si përvojat e tua me studimin e librave Moisiu 1–5; Abraham 1–3 dhe Zanafilla 37; 39; 41, të kanë ndihmuar të rritesh shpirtërisht dhe të afrohesh më shumë me Jezu Krishtin. Kërko mundësi për t’ua treguar disa nga përgjigjet e tua miqve ose pjesëtarëve të familjes.
Shënim: Përpara se ta përfundosh këtë vlerësim, sigurohu që të përfundosh pjesët e kërkuara për lexim nëse nuk e ke bërë ende: Moisiu 1–5; Abraham 1–3; Zanafilla 37; 39; 41.
Çfarë po mëson? Si po rritesh shpirtërisht?
Mendo për procesin e një fare që bëhet një lule.
-
Cilat janë disa nga gjërat që i nevojiten një fare për të përmbushur potencialin e vet?
-
Në çfarë mënyrash është procesi i të bërit më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i ngjashëm me procesin e një fare që bëhet lule?
Shpenzo disa minuta për të shkruar në ditarin tënd të studimit rreth përparimit tënd për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndërsa ke studiuar Dhiatën e Vjetër. Ndërsa shkruan, Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë të kujtosh të vërtetat që ke mësuar. Shpirti mund të të ndihmojë gjithashtu të dallosh mënyrat se si je rritur shpirtërisht.
Shpjegimi i pasojave të Rënies dhe rolit të Jezu Krishtit si Shëlbuesi ynë
Është e rëndësishme që ta kuptojmë Rënien si pjesë të planit të Atit Qiellor dhe rolin e Shpëtimtarit si Shëlbuesi ynë nga pasojat e Rënies. Përzgjidh njërën nga temat më poshtë. Rishikoji vargjet te Moisiu 4:6–13; 22–25; 5:5–12 dhe mendo se si do ta shpjegoje temën që zgjodhe.
-
Zgjedhja e Adamit dhe Evës çoi drejt Rënies
-
Pasojat e Rënies për Adamin dhe Evën dhe të gjithë fëmijët e Atit Qiellor
-
Si na shëlbon Shpëtimtari nga pasojat e Rënies
Shëno në ditarin tënd të studimit se si do ta shpjegoje temën që zgjodhe dhe ushtrohu duke ia shpjeguar këto tema një pjesëtari të familjes, miku ose mësuesit tënd të seminarit.
Shtimi i dëshirës për të përmbushur identitetin dhe qëllimin tonë hyjnor
Vizato përvijimin e një njeriu që mund të të përfaqësojë. Brenda këtij përvijimi, ose pranë tij, shkruaj të vërtetat rreth identitetit tënd hyjnor që i ke mësuar kohët e fundit te Dhiata e Vjetër. Nëse është e mundur, bëji këto pohime vetjake duke përdorur përemrat “mua” ose “unë”. Merr parasysh të përdorësh disa ose të gjitha shkrimet e shenjta të mëposhtme që ke studiuar kohët e fundit, për të të ndihmuar:
Zanafilla 1:26–27
Pastaj përzgjidh njërën nga veprimtaritë vijuese për ta përfunduar:
Mundësia A: Përshkruaj disa rrethana ku njohuria jote për këto të vërteta mund të ndihmojë dikë tjetër. Shpjego se si këto të vërteta mund të ndihmojnë në secilën rrethanë.
Mundësia B: Plotësoji frazat vijuese:
Njohja e këtyre të vërtetave mund të më ndihmojë kur
-
mendoj për veten sepse …
-
përballem me tundimin sepse …
-
ndërveproj me të tjerët sepse …
-
marr vendime sepse …
Pjesëmarrja në mbledhjen e Izraelit
Në Dhiatën e Vjetër, ne mësojmë rreth premtimit të Zotit ndaj shtëpisë së Izraelit, të njohur si Besëlidhja e Abrahamit. Lexo tek Abraham 2:8–11 për të rishikuar se çfarë është kjo besëlidhje. Presidenti Rasëll M. Nelson, e inkurajoi rininë e Kishës që t’i ndihmonte të tjerët të hynin në këtë besëlidhje me Zotin. Kjo njihet si mbledhja e Izraelit. Presidenti Nelson tregoi se si mund të marrim pjesë në këtë kauzë:
“Në çfarëdo kohe që bëjmë çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën anë të velit – që të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e veta me Perëndinë, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 93).
Mendo se si mund të marrësh pjesë aktivisht në mbledhjen e Izraelit duke krijuar një diagram si më poshtë në ditarin tënd të studimit. Shkruaji mendimet dhe ndjenjat e tua në secilin rreth.
Vazhdo të kërkosh ndihmën e Frymës së Shenjtë për të ditur mënyrat se si mund të marrësh pjesë në mbledhjen e Izraelit. Ndonëse mund të mos kesh bërë shumë përpjekje për të ndihmuar të mblidhet Izraeli, mund të fillosh tani. Zoti do të të bekojë ty dhe të tjerët ndërsa vë planin tënd në veprim.