Seminari
Abraham 3: Jeta Para Lindjes


“Abraham 3: Jeta Para Lindjes”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Abraham 3: Jeta Para Lindjes”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Moisiu 1; Abraham 3: Mësimi 3

Abraham 3

Jeta Para Lindjes

Jezu Krishti krijon tokën

Në një vegim, Jehova i tregoi Abrahamit veprat dhe krijimet e Tij. Ai gjithashtu i tregoi Abrahamit ekzistencën para lindjes, përfshirë shpirtrat fisnikë e të mëdhenj, të zgjedhur për të qenë udhëheqës në vdekshmëri. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si njohuria për jetën para lindjes në planin e Atit Qiellor mund t’i ndihmojë ata në jetën e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta pyesin një shok/shoqe ose një pjesëtar të familjes se çfarë di rreth jetës para lindjes dhe se si njohuria rreth jetës para lindjes mund ta ndihmojë atë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Sa vjeç je?

Ftojini disa nxënës të tregojnë sa vjeç janë.

Vini në dukje se mosha që treguan, është koha që kanë qenë në trupin e tyre fizik gjatë jetës së tyre. Shpirtrat tanë kanë ekzistuar shumë kohë më gjatë sesa trupat tanë fizikë. Përpara lindjes, ne jetuam me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin Jezu Krisht. Ne e quajmë këtë jeta jonë para lindjes.

Kërkojuni nxënësve tʼi shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Cilat janë disa gjëra që ti i di rreth jetës para lindjes?

  • Si mund të të ndihmojë tani njohuria për jetën para lindjes?

Inkurajojini nxënësit të shtojnë fjalë në përgjigjet e tyre ndërsa e vazhdojnë këtë mësim. Inkurajojini ata të kërkojnë ndihmë nga Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të mësuar se si mund t’i ndihmojë ata njohuria rreth jetës para lindjes.

Ajo që mësojmë nga Abrahami

Për t’i ndihmuar nxënësit të dinë se nga erdhi Libri i Abrahamit, mund t’i ftoni të tregojnë atë që dinë, ose tregoni disa nga ato në vijim me fjalët tuaja.

Abrahami shënoi një përvojë që mund të na ndihmojë të kuptojmë më shumë rreth jetës para lindjes. Abrahami lindi rreth 2000 vjet përpara lindjes së Jezu Krishtit. Ai shënoi disa hollësi të jetës së tij së bashku me vegimet që mori nga Perëndia, të cilat mund të gjenden në librin e Abrahamit. Ky anal e pati fillesën nga rrotulla papirusi të zbuluara në Egjipt dhe të blera nga anëtarë të Kishës. Ky anal më pas iu zbulua Profetit Jozef Smith me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

Lexo tek Abraham 3:11–12, 21 për të parë se çfarë i mësoi Zoti Abrahamit.

  • Çfarë të bëri përshtypje nga këto vargje?

  • Çfarë të vërtetash mësove rreth Zotit?

    Ndërsa nxënësit flasin, ftojini ata të vënë në dukje fraza ose vargje nga vijnë pikëpamjet e tyre, në mënyrë që nxënësit e tjerë të mund t’i shenjojnë nëse do të duan.

  • Si mund të ndikojë tani tek ti kuptueshmëria për këto të vërteta rreth Jezu Krishtit?

  • Si i ke dëshmuar ose përjetuar këto të vërteta rreth Shpëtimtarit në jetën tënde?

Jeta jonë para lindjes

Pasi mësoi për madhështinë e Jezu Krishtit në jetën para lindjes (shih tek Abraham 3:16–21), Abrahami mësoi edhe rreth ekzistencës sonë para lindjes. Përpara se ta lexosh atë që Zoti i tregoi Abrahamit, imagjino si do të ishte po të kishe mundësi ta shihje jetën tënde para lindjes me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Përsiat se si mund të ndikonte kjo tek ti.

Lëruni nxënësve kohë të mjaftueshme që ta përfytyrojnë efektin e vrojtimit të vetvetes në gjendjen e tyre para lindjes me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

ikona e zotërimit doktrinor Abraham 3:22–23 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

Lexo tek Abraham 3:22–23 duke kërkuar atë që mësoi Abrahami në vegimin e tij për jetën para lindjes. Mund të jetë e dobishme të dish se fjala “inteligjencat” në këto vargje u referohet shpirtrave para lindjes.

  • Çfarë të vërtetash mendon se mund të ketë mësuar apo kuptuar më mirë Abrahami për shkak të kësaj përvoje?

    Shkruajini në tabelë të vërtetat e ndryshme që tregojnë nxënësit. Nëse nxënësit nuk e përmendin, shtoni sa vijon: Perëndia i zgjodhi fëmijët e Tij shpirtërorë fisnikë dhe të mëdhenj përpara se të lindeshin, që të bëheshin sundues. Kësaj shpesh i referohen si parashugurim.

  • Si mendon se do të ndryshonte përkufizimi sipas botës i fjalëve “fisnik dhe [i] m[a]dh” nga përkufizimi i Zotit?

A jemi ne pjesë e fisnikëve dhe të mëdhenjve?

Në një takim shpirtëror mbarëbotëror, Presidenti Rasëll M. Nelson foli për një mënyrë se si e vërteta që jepet mësim tek Abraham 3, gjen zbatim për ty.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju! … Ju jeni nga më të mirët që Zoti ka dërguar ndonjëherë në këtë tokë. Ju keni kapacitetin për të qenë më të zgjuar e më të mençur dhe për të pasur më shumë ndikim mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm!” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], f. 8, 16)

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë shkrimet e tyre të shenjta në një mënyrë që do t’i ndihmojë ta mbajnë mend atë që dha mësim Presidenti Nelson. Pas vargut 22 ata mund të shkruajnë frazën “përfshirë dhe mua” ose mund të shkruajnë emrin e tyre sipër emrit të Abrahamit te vargu 23, ose mund ta lidhin vargun tek Abraham 3:22–23 me thënien e mësipërme të Presidentit Nelson te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Nëse është e dobishme, jepuni nxënësve ca kohë për të mësuar më shumë rreth jetës para lindjes. Ata mund të studiojnë zërin “Jetë para lindjes” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ose nxënësit mund të bëjnë një zinxhir shkrimesh të shenjta, duke lidhur vargje rreth jetës para lindjes si Jeremia 1:4–5; Alma 13:3–4 dhe Doktrina e Besëlidhje 138:55–56. Kërkojuni nxënësve ta tregojnë atë që gjetën dhe përse është kuptimplotë për ta.

Bëni sa vijon në grupe të vogla dhe më pas paraqitjani klasës disa nga mendimet e tyre.

Imagjino sikur dikush në klasën tënde është i/e pasigurt për mënyrën se si vargu tek Abraham 3:22–23 gjen zbatim për të.

Përgatit sa vijon:

  • Një përmbledhje të asaj që mësojmë nga vargu tek Abraham 3:22–23 dhe asaj që dha mësim Presidenti Nelson.

  • Ide për mënyrën se si ti ose të rinj të tjerë mund të ndikoni tek të tjerët për mirë ose t’i sillni ata më pranë Jezu Krishtit.

  • Mënyrën se si ndien se kuptueshmëria jote për jetën para lindjes, mund të të ndihmojë në jetë.

ikona e trajnimit për seminarinTeksa nxënësit flasin, kërkoni mënyra të përshtatshme për të theksuar se Ati Qiellor i dërgoi ata këtu në këtë kohë për t’i ndihmuar të tjerët të afrohen më shumë me Të. Gjithashtu, bëjuni përgëzime dhe lavdërime të sinqerta nxënësve për gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë. Bërja e kësaj i ndihmon nxënësit ta dinë se e vlerësoni kontributin e tyre. Përpjekjet tuaja mund të ndihmojnë të rritet shtysa e tyre për t’i dhënë mendimet e tyre në klasë përsëri.

Për trajnim shtesë, shihni pjesën “Krijoni një mjedis ku të gjithë të respektohen dhe të dinë se ndihmesat e tyre vlerësohen” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.

Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për të vërtetat në këtë mësim.

Mësoni Përmendsh

Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh gjatë këtij mësimi referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Si shpirtra ne ʻu organizua[m] përpara se bota të ishteʼ”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.