“Moisiu 1:12–26: ‘Largohu Këtej, Satan’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Moisiu 1:12–26: ‘Largohu Këtej, Satan’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Moisiu 1; Abraham 3: Mësimi 5
Moisiu 1:12–26
“Largohu Këtej, Satan”
Të gjithë ne i kemi ndier tundimet e Satanit. Megjithatë, si Moisiu, kur kujtohemi se kush jemi në të vërtetë, ne mund të marrim forcë nga Perëndia për ta mposhtur Satanin dhe tundimet e tij në jetën tonë. Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të marrin forcë nga Perëndia për t’i mposhtur tundimet e tyre vetjake.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin një nga tundimet me të cilat përballen vetë, dhe të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të mësuar se si ta mposhtin atë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përballja me tundimin
Për t’i përgatitur nxënësit që të mësojnë rreth mposhtjes së tundimeve, merreni parasysh të tregoni thënien dhe pyetjet vijuese.
Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ne flasim [me guxim] pasi Satani është një qenie e vërtetë, e vendosur t’ju shkatërrojë dhe ju përballeni me ndikimin e tij në një moshë gjithmonë e më të re”. (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Liahona, nëntor 2011, f. 45)
-
Si ndihesh rreth këtij citimi nga Presidenti Holland?
-
Cilat janë disa nga tundimet me të cilat përballen adoleshentët shenjtorë të ditëve të mëvonshme?
Mund të jetë e dobishme t’i shkruani në tabelë tundimet që përmendin nxënësit. Do t’u kërkoni nxënësve të reflektojnë mbi këto më vonë në mësim.
Për pyetjet vijuese, mund të merrni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në një ditar studimi.
Përsiat një tundim me të cilin je përballur ose me të cilin lufton. Merre parasysh sa vijon:
-
Çfarë e bën të vështirë t’i bësh ballë atij tundimi?
-
Çfarë bën për të kërkuar ndihmë dhe forcë për t’i bërë ballë?
-
Sa me efektshmëri ndien se po e mposht tundimin tënd?
Ndërsa studion te Moisiu 1:1–26 sot, kërko udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë për të përcaktuar të vërteta që mund të të forcojnë teksa përballesh me tundimin.
Moisiu tundohet nga Satani
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që kujtojnë nga mësimi i mëparshëm, ose mund të përsëritin shkurtimisht vargjet te Moisiu 1:1–10 dhe të reflektojnë mbi atë që mësuan. Nëse është e nevojshme, kujtojuni atyre se Moisiu e “pa Perëndinë ballë për ballë e foli me të” (Moisiu 1:2) dhe se Perëndia i mësoi Moisiut tri herë se ai është biri i Tij (shihni vargjet 4, 6 dhe 7).
Ndonëse Moisiu ishte një profet i fuqishëm, edhe ai u përball me tundim të madh. Pak pas përvojës së Moisiut me Perëndinë, ai pati një përvojë tej mase të vështirë ku “Satani erdhi ta tundonte” (Moisiu 1:12). Për shkak të asaj që Moisiu dinte dhe bëri, ai mundi të triumfonte. Lexo te Moisiu 1:12–22, duke kërkuar se çfarë e ndihmoi Moisiun t’i mposhtte tundimet e Satanit. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.
Mund të merrni parasysh ta shfaqni materialin filmik “I Am a Son of God” [“Unë Jam një Bir i Perëndisë”] nga kodi kohor 2:50 deri në 6:30, ose të gjithë materialin filmik nëse nuk ua shfaqët nxënësve pjesën e parë në mësimin e mëparshëm. Pas materialit filmik, mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë vargjet, duke kërkuar atë që e ndihmoi Moisiun t’i mposhtte tundimet e Satanit. Nxënësit më pas mund ta diskutojnë pyetjen vijuese në dyshe ose grupe të vogla:
-
Çfarë mëson nga përvoja e Moisiut që mund të na ndihmojë t’i mposhtim tundimet tona?
Merreni parasysh ta shkruani parimin vijues të paplotë në tabelë: Ne mund të marrim ndihmën e Perëndisë për t’i mposhtur tundimet duke … Ftojini nxënësit të vijnë në tabelë dhe ta përfundojnë parimin me fjalët e tyre. Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund t’i udhërrëfeni ata duke u bërë pyetje si këto në vijim:
-
Si e quajti Satani Moisiun te vargu 12 dhe si u përgjigj Moisiu te vargu 13?
-
Çfarë solli ndër mend Moisiu nga përvoja e tij shpirtërore me Perëndinë që e ndihmoi atë kur u përball me tundimin?
Nxënësit mund ta përfundojnë parimin në mënyra të shumta, përfshirë disa nga vijueset:
… kujtuar se jemi fëmijë të Perëndisë
… sjellë ndër mend përvojat shpirtërore të së shkuarës
… i bërë thirrje Perëndisë për forcë
Pasi të jenë përcaktuar parime të shumta, merreni parasysh t’i përdorni citimin dhe pyetjet vijuese për të ndihmuar që të thellohet kuptueshmëria e nxënësve për të vërtetat që zbuluan.
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi sa vijon rreth fuqisë së të kujtuarit se jemi fëmijë të Perëndisë:
“Miqtë e mi të dashur, ju jeni në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. Keni kënduar për këtë të vërtetë që kur mësuat fjalët e këngës ‘Fëmi’ i Per’ndis’ Jam’. Por a është skalitur ajo e vërtetë e përjetshme në zemrën tuaj? A ju ka shpëtuar kjo e vërtetë kur jeni përballur me tundimin?” (“Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022])
-
Çfarë mendon se do të thotë ta kesh të skalitur në zemrën tënde të vërtetën se je fëmijë i Perëndisë?
-
Si mund të na forcojë të kujtuarit se jemi fëmijë të Perëndisë kur përballemi me tundimin?
-
Pse mendon se kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë që ta mposhtim tundimin?
Ftojini nxënësit të japin shembuj të rasteve kur Perëndia e ka forcuar dikë kundrejt tundimit. Kjo mund të jetë nga shkrimet e shenjta, nga njerëzit të afërm me ta ose nga vetë jeta e tyre. Duke qenë se tundimet janë vetjake, kujtojuni nxënësve të mos tregojnë asnjë tundim konkret.
Mposhtja e tundimeve vetjake
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si mund t’i jetojnë parimet e diskutuara sot, ftojini ata të përzgjedhin një ose dy tundime që u shkruan në tabelë më herët në mësim. Si klasë ose në grupe të vogla, ftojini nxënësit të mendojnë mënyra praktike se si mundet një person që përballet me atë tundim, t’i përdorë këto parime për ta mposhtur atë tundim.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë idetë e tyre në tabelë, ose ju mund të paraqitni disa nga idetë vijuese.
Mënyrat për ta zbatuar atë që mësojmë te Moisiu 1:12–26:
-
Shëno në ditarin tënd një rast kur e ndjeve dashurinë e Zotit dhe e kuptove se ishe fëmijë i Perëndisë. Mund ta rishikosh këtë gjatë kohëve të tundimit.
-
Mëso përmendsh dhe risill në mendje shkrime të shenjta frymëzuese, himne apo lutje të sakramentit për tʼi përsëritur me vete kur të tundohesh. (Kjo ishte strategjia që përdori Shpëtimtari te Mateu 4:1–11.)
-
Lutu përditë për forcën dhe fuqinë e Zotit që ta mposhtësh tundimin. Raportoji Atit Qiellor çdo mbrëmje për ta falënderuar Atë, për të pranuar ndonjë dobësi, për të kërkuar falje dhe jepi fjalën që do të vazhdosh të përpiqesh (shih tek 3 Nefi 18:15, 18).
-
Sill ndër mend përvoja shpirtërore të së shkuarës që ke pasur dhe shkruaji ato në një ditar. Referoju këtyre kur të vijë tundimi.
-
Diskuto me prindërit ose me të rritur apo shok/shoqe të mirëbesuar se si i kanë ndihmuar këto parime ata dhe mënyrat se si do të të rekomandonin që t’i zbatoje ato.
Ftojini nxënësit të bëjnë një plan që t’i ndihmojë ata t’i mposhtin tundimet me të cilat përballen. Mund ta bëni këtë duke u dhënë udhëzimet vijuese:
Sill ndër mend tundimin që përsiate në fillim të mësimit ose një tjetër me të cilin lufton.
Jepni dëshminë tuaj rreth fuqisë dhe forcës së Zotit që e keni përjetuar në jetën tuaj, dhe për dëshirën e Tij për t’i ndihmuar nxënësit tuaj që t’i mposhtin tundimet e tyre. Shprehni sigurinë tuaj tek ata dhe tek aftësia e tyre për t’i mposhtur tundimet e tyre me ndihmën e Perëndisë.
Duke i kërkuar udhërrëfim Atit Qiellor, plotësoje pohimin vijues në ditarin tënd të studimit ose në mendjen tënde: “Në mënyrë që të më ndihmojë të përgatitem kundër këtij tundimi, unë do të ”.