“Zanafilla 6–8: ‘Noeu Bëri … Ashtu siç i Kishte Urdhëruar Zoti’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 6–8: ‘Noeu Bëri … Ashtu siç i Kishte Urdhëruar Zoti’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 6–11; Moisiu 8: Mësimi 20
Zanafilla 6–8
“Noeu Bëri … Ashtu siç i Kishte Urdhëruar Zoti”
Perëndia na kërkon me dashuri që t’iu bindemi urdhërimeve të Tij. Disa urdhërime mund të jenë të vështira për t’u kuptuar, por ato janë gjithmonë për të mirën tonë. Familja e Noeut u shpëtua nga një përmbytje e paprecedent, e mbinatyrshme për shkak se iu bind urdhërimit të Perëndisë për të ndërtuar një arkë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet dëshira për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin dhe të vijnë të përgatitur për të treguar se si një urdhërim i caktuar e tregon dashurinë e Atit Qiellor për ne dhe dëshirën e Tij për të na mbrojtur.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Urdhërimet e Perëndisë
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke i inkurajuar nxënësit të përsiatin mbi atë pse Ati ynë i dashur në Qiell na jep urdhërime. Një mënyrë për ta bërë këtë është të paraqitni fotografitë vijuese dhe të nisni një diskutim duke përdorur pyetjet më poshtë. Një mënyrë tjetër është t’i vini nxënësit të tregojnë rregullat që prindërit e tyre kanë vendosur për ta mbajtur të sigurt fëmijën e tyre.
Përfytyro sikur po kujdesesh për një grup të madh fëmijësh të vegjël në këtë vendfushim.
-
Çfarë rregullash të caktuara mund t’u japësh fëmijëve për t’i mbajtur të sigurt?
-
Po të zemëroheshin fëmijët me ty ngaqë u vendose rregulla, çfarë do t’u shpjegoje atyre?
Ftojini nxënësit t’i tregojnë një partneri se si mund ta krahasojnë këtë situatë me urdhërimet e Atit Qiellor për ne.
Më pas, ftojini nxënësit t’i shënojnë ndjenjat vetjake rreth Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij në ditarët e tyre të studimit duke përdorur pyetje si ato në vijim. Mund të ftoni disa vullnetarë ta tregojnë atë që shkruan.
-
Si mendon, pse Perëndia do që ti personalisht t’i mbash urdhërimet e Tij?
-
Sa i/e gatshëm/me je të bindesh për atë që kërkon Perëndia, edhe nëse nuk e kupton arsyen e atij urdhërimi? Përse?
Njerëzit në kohën e Noeut
Merreni parasysh të paraqitni figurën e Noeut në fillim të mësimit. Kërkojuni nxënësve të tregojnë se çfarë dinë tashmë rreth koncepteve vijuese. Ftojini ata të përdorin fragmentet e sugjeruara të shkrimeve të shenjta nëse është nevoja.
-
Gjendja shpirtërore e popullit në kohën e Noeut dhe ajo që bëri Perëndia si rrjedhojë (shih te Moisiu 8:17, 20, 22, 28–29)
-
Ajo që Perëndia i urdhëroi Noeut të bënte për të shpëtuar të bindurit (shih te Moisiu 7:43)
Ndërsa nxënësit vazhdojnë të studiojnë, inkurajojini ata të kërkojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë për ta kuptuar dashurinë e Perëndisë për ne. Gjithçka që bën Perëndia, përfshirë përmbytjen, merr shtysë nga dashuria (shihni te 2 Nefi 26:24). Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Jezu Krishti vuajti për mëkatet e njerëzve që vdiqën gjatë përmbytjes, në mënyrë që ata të mund të mësonin dhe pendoheshin në botën e shpirtrave (shihni te Moisiu 7:38–40; 1 Pjetër 3:18–20). Gjithashtu, zgjedhja e Perëndisë për të dërguar përmbytjen i mbrojti fëmijët e Tij të tjerë shpirtërorë që të mos lindeshin në rrethana aq të rrezikshme dhe të liga (shihni te John Taylor, në Journal of Discourses, 19:158–159).
Arka
Merreni parasysh t’u jepni letra grupeve të vogla të nxënësve dhe t’u jepni një kohë të shkurtër për të plotësuar veprimtarinë vijuese së bashku. (Kini kujdes që të lini kohë pas kësaj veprimtarie që nxënësit ta diskutojnë atë që mësojnë dhe ta lidhin atë me jetën e tyre.)
-
Lexo te Zanafilla 6:14–22; 7:1–12, 23; 8:13–17, duke kërkuar atë që na mëson ky tregim rreth Perëndisë dhe asaj që mund të mësojmë nga Noeu.
-
Bëj një vizatim të thjeshtë të asaj që ndodhi.
-
Përfshi në vizatimin tënd një gjë që mësove rreth Perëndisë dhe një gjë që mësove nga shembulli i Noeut.
Ftojini grupet t’ia tregojnë dhe shpjegojnë vizatimet e tyre një grupi tjetër (edhe nëse janë të papërfunduara). Më pas, ftojini grupet t’ia tregojnë klasës atë që mësuan rreth Perëndisë dhe atë që mësuan nga shembulli i Noeut.
Një e vërtetë që mund të përcaktojnë nxënësit nga ky tregim, është se ndërsa i bindemi Zotit me besim, Ai do të na bekojë e do të na mbrojë.
Merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese dhe t’i ftoni grupet që ta lexojnë dhe të diskutojnë se si gjen zbatim ajo sot për ne.
Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha disa arsye pse Noeut dhe familjes së tij i nevojitej besim te Krishti për të përmbushur urdhërimin për të ndërtuar arkën.
“Deri në atë kohë nuk kishte prova të shiut dhe përmbytjes. Populli i [Noeut] e talli dhe e quajti atë të pamend. Predikimi i tij ra në vesh të shurdhër. Paralajmërimet e tij u konsideruan të paarsyeshme. Nuk kishte asnjë precedent; kurrë nuk ishte bërë e ditur se një rrebesh [ose përmbytje] mund ta mbulonte tokën. Sa marrëzi të ndërtoje një arkë në tokë të thatë me diellin që shndriste dhe jetën që shkonte përpara si zakonisht!” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 140–141)
-
Cilat janë disa nga urdhërimet e Zotit që njerëzit i shpërfillin ose përqeshin sot?
-
Çfarë di rreth Perëndisë dhe profetëve të Tij që mund të na ndihmojë t’i bindemi Zotit pavarësisht nga kundërshtimi?
Ftojini nxënësit të tregojnë urdhërimet që besojnë se janë mbrojtje me dashuri nga Perëndia.
Bindja ndaj Perëndisë në jetën tonë
Merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese së bashku me nxitjet për reflektim vetjak më poshtë.
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha një nga mësimet më të mëdha që mund të mësojmë në jetën tonë.
“Noeu pati besimin e palëkundur për t’i ndjekur urdhërimet e Perëndisë. Bëfshim edhe ne gjithmonë të njëjtën gjë! Kujtofshim se urtësia e Perëndisë shpesh duket si marrëzi për njerëzit; por mësimi më i madh që mund të mësojmë në vdekshmëri, është se, kur Perëndia flet dhe ne bindemi, do të jemi gjithnjë në rregull.” (“Models to Follow”, Liahona, nëntor 2002, f. 61)
Shëno në ditarin tënd të studimit:
-
Si mendon se lidhet thënia e Presidentit Monson me situatat ose urdhërimet në jetën tënde.
-
Çfarë mësove ose ndjeve sot rreth Atit Qiellor dhe urdhërimeve të Tij.
-
Çfarë beson se do të donte Ati Qiellor të bëje për të ndjekur shembullin e bindjes me besnikëri të Noeut.
Mund ta mbyllni mësimin duke i ftuar nxënësit të shenjojnë shembullin e Noeut te Zanafilla 7:5 dhe ta bëjnë referencë‑kryq me shembullin e Shpëtimtarit para lindjes te Moisiu 4:2. Merreni parasysh të dëshmoni që Perëndia do t’i bekojë nxënësit tuaj për përpjekjet e tyre besnike për të ndjekur shembullin e bindjes së Shpëtimtarit.