2018
Plaku Robert C. Gei
maj 2018


Plaku Robert C. Gei

Presidenca e Të Shtatëdhjetëve

Pamja
Plaku Robert C. Gei

Ndërsa shërbente si president misioni në Ganë, Plaku Robert C. Gei mori një mbresë një ditë që të ndalonte dhe të ndihmonte një djalë që po qante. Fillimisht, ai e shpërfilli atë mbresë, por më vonë dërgoi një anëtar të Kishës që ta gjente dhe ta sillte djalin tek ai.

Plaku Gei, i mbështetur si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve më 31 mars 2018, mësoi se djali shiste peshq të tharë për kujdestarin e tij. Atë ditë djali i kishte humbur paratë e fituara për shkak të një vrime në xhepin e vet.

“Nëse do të kthehej pa paratë, atë do ta quanin gënjeshtar, me shumë gjasa do ta rrihnin dhe më pas do ta flaknin në rrugë”, tha Plaku Gei. “Ne e qetësuam nga ajo gjendje frike, ia zëvendësuam fitimin e humbur dhe e kthyem në shtëpi te kujdestari i tij.”

Sikurse shpjegoi ai në konferencën e përgjithshme të tetorit 2012, ajo përvojë i mësoi Plakut Gei dy të vërteta të mëdha: “Së pari, e dija si asnjëherë më parë se Perëndia di çdo gjë rreth secilit prej nesh dhe nuk do të na braktisë kurrë; dhe së dyti, e dija se ne gjithmonë duhet t’ia vëmë veshin zërit të Shpirtit brenda nesh dhe të shkojmë ‘menjëherë’ kudo që ai na çon, pavarësisht nga frikërat tona apo ndonjë shqetësim”.

Plaku Gei u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 31 mars 2012. Në kohën kur u thirr në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, ai po shërbente si President i Zonës së Azisë Veriore. Më përpara ai shërbeu në zyrat qendrore të Kishës si kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Mbështetjes te Vetja dhe Fondit të Qarkullueshëm Arsimor, me përgjegjësi për shërbimet mbarëbotërore të mbështetjes te vetja.

Përpara thirrjes së tij në Të Shtatëdhjetët, ai ishte drejtori ekzekutiv kryesues i një firme investimesh në të cilën ishte njëri nga themeluesit. Ai gjithashtu ishte njëri nga themeluesit dhe shërbeu si drejtor i disa organizatave humanitare mbarëbotërore dhe punoi në bankën investuese në Uoll‑Strit, si këshilltar administrimi dhe si profesor i lëndës së ekonomisë në Universitetin e Harvardit.

Plaku Gei mori një diplomë universitare për ekonomi me një theksim në statistikat nga Universiteti i Jutës dhe një doktoratë për ekonominë e biznesit nga Universiteti i Harvardit.

Plaku Gei ka shërbyer si misionar kohëplotë në Spanjë, si udhëheqësi i grupit të priftërinjve të lartë, president i Të Rinjve të lagjes, këshilltar i lartë, këshilltar në peshkopatë dhe I Shtatëdhjetë Zonal.

Ai u lind në Los Anxhelos të Kalifornisë në SHBA më 1 shtator 1951. U martua me Linet Nilsenin në prill të vitit 1974. Ata janë prindërit e shtatë fëmijëve.