2018
Mbledhjet e të Dielës së Dytë dhe të Tretë
maj 2018


Mbledhjet e të Dielës së Dytë dhe të Tretë

Në të dielat e dyta dhe të treta të çdo muaji, kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës do të studiojnë mësimet e udhëheqësve të Kishës nga konferenca e përgjithshme më e fundit. Theksim duhet t’u vihet mesazheve nga anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjithsesi, nisur nga nevojat vendore dhe frymëzimi nga Shpirti, mund të diskutohet çfarëdo mesazhi nga konferenca më e fundit.

Në shumicën e rasteve, presidenca e kuorumit të pleqve ose presidenca e Shoqatës së Ndihmës do të përzgjedhë një mesazh nga konferenca për t’u studiuar në bazë të nevojave të anëtarëve, ndonëse peshkopi ose presidenti i kunjit mund të japë sugjerime. Udhëheqësit mund të zgjedhin një mesazh të lidhur me temën e diskutuar në një mbledhje të kohës së fundit të këshillit të dielën e parë ose mund të zgjedhin një mesazh me një temë të ndryshme nisur nga frymëzimi i Shpirtit.

Udhëheqësit dhe mësuesit duhet të gjejnë mënyra për t’i nxitur anëtarët që t’i lexojnë mesazhet e përzgjedhura paraprakisht dhe të vijnë të përgatitur për të shprehur të vërteta të ungjillit dhe ide rreth mënyrës se si të veprohet me to. Veprimtaritë mësimore të sugjeruara më poshtë, të cilat bazohen në parimet e manualit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, mund t’i ndihmojnë anëtarët që të mësojnë nga mesazhet e konferencës së përgjithshme.

Pamja
President M. Russell Ballard

M. Rasëll Ballard, “Dhurata të Çmuara nga Perëndia”, f. 9–11

Mesazhi i Presidentit Ballard flet për një larmi temash – përfshirë profetët, besimin te Krishti, sakramentin dhe shërbimin – dhe anëtarët e kuorumit tuaj ose të Shoqatës suaj të Ndihmës mund të gjejnë tema të ndryshme veçanërisht domethënëse. Ftojini anëtarët të tregojnë diçka nga ky mesazh që i frymëzon ata. Çfarë ftesash ose bekimesh të premtuara i gjejmë në mesazhin e Presidentit Ballard? Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët të përsiatin për disa minuta atë që ndihen të frymëzuar ta bëjnë si rrjedhojë e këtij diskutimi.

Pamja
Elder Gary E. Stevenson

Geri E. Stivenson, “Zemra e një Profeti”, f. 17–20

Për t’i ndihmuar anëtarët ta “kuptojnë madhështinë” e thirrjes së një profeti të ri, ju mund t’i ftoni anëtarët të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Stivenson, duke kërkuar të vërteta dhe ide që i ndihmojnë ta kuptojnë rëndësinë dhe shenjtërinë e këtij procesi hyjnor. Merreni parasysh t’i ftoni anëtarët të tregojnë se çfarë ndien gjatë kuvendit solemn në të cilin Presidenti Nelson u mbështet si President i Kishës. Ju gjithashtu mund të vizatoni një zemër në tabelë dhe t’u kërkoni anëtarëve të shkruajnë brenda saj fjalë ose fraza që e përshkruajnë zemrën dhe karakterin e Presidentit Nelson. Çfarë na ka mësuar ai, gjë e cila na ka bekuar ne?

Pamja
Elder Neil L. Andersen

Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, f. 24–27

Diskutimi i mesazhit të Plakut Andersen mund ta forcojë besimin e anëtarëve te profetët e gjallë. Ju mund t’i ftoni ta shqyrtojnë mesazhin e tij për diçka që i ndihmon ta kuptojnë përse Perëndia ka profetë në tokë dhe përse ne i ndjekim ata. Si jemi bekuar ngaqë kemi një profet? Anëtarët mund të tregojnë se si e kanë fituar dëshminë që Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Zotit dhe Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pamja
Elder David A. Bednar

Dejvid A. Bednar, “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, f. 30–33

Për të frymëzuar një diskutim rreth mesazhit të Plakut Bednar, ju mund të shkruani në tabelë Zemërbutësia është … dhe Zemërbutësia nuk është … Anëtarët më pas mund të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Bednar dhe të shkruajnë në tabelë fraza që i gjejnë, të cilat i plotësojnë këto thënie. Çfarë mësojmë nga ky mesazh që na frymëzon të jemi më zemërbutë? Për çfarë shembujsh zemërbutësie mund të mendoni? Si mund ta vëmë në jetë këshillën e Plakut Bednar që të jemi më zemërbutë?

Pamja
Sister Bonnie L. Oscarson

Boni L. Oskarson, “Të Rejat në Punë”, f. 36–38

Pyetjet janë një mënyrë për ta ftuar përsiatjen. Merreni parasysh të shkruani në tabelë disa pyetje të cilave u jep përgjigje mesazhi i Motrës Oskarson, të tilla si sa vijon: Si mund t’i përfshijmë të rejat në punën e Zotit? Ftojini anëtarët ta shqyrtojnë mesazhin e saj për përgjigje të këtyre pyetjeve dhe të diskutojnë se çfarë mësojnë. Çfarë bekimesh vijnë kur të rejat përfshihen në dhënien e shërbesës? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja që i kanë pasur për dhënien e shërbesës përkrah të rejave. Nisur nga diskutimi ynë, çfarë ndihemi të frymëzuar të bëjmë?

Pamja
Elder Dale G. Renlund

Dejll G. Renland, “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, f. 46–49

Plaku Renland foli për vegimin e Ezekielit të një tempulli me ujë duke gulçuar jashtë prej tij (shih Ezekiel 47:8–9). Ndoshta një anëtar i kuorumit ose një anëtare e Shoqatës së Ndihmës mund të bëjë një vizatim të këtij vegimi në tabelë. Si janë bekimet e punës në tempull dhe të punës së historisë familjare të ngjashme me ujin në vegimin e Ezekielit? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë për bekime të punës në tempull dhe të historisë familjare që i kanë përjetuar. Çfarë mund të bëjmë që ta bëjmë historinë familjare dhe punën në tempull një pjesë më të rregullt të jetës sonë?

Pamja
Elder D. Todd Christofferson

D. Tod Kristoferson, “Kuorumi i Pleqve”, f. 55–58.

Në kuorumin e pleqve, ju mund të ftoni anëtarë të kuorumit që të lexojnë pjesën e mesazhit të Plakut Kristoferson të titulluar “Qëllimi i Këtyre Ndryshimeve”. Çfarë mund të bëjmë që të sigurojmë që i përmbushim këto qëllime? Në Shoqatën e Ndihmës, ju mund t’i kërkoni dikujt t’i pëmbledhë ndryshimet e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke që i përshkruan Plaku Kristoferson. Më pas, motrat mund të përcaktojnë parime që nënkuptohen në këto ndryshime, të cilat mund të zbatohen në punën e Shoqatës suaj të Ndihmës. Në kuorumin e pleqve ose Shoqatën e Ndihmës, anëtarët mund të diskutojnë se çfarë mësojnë nga historia e Vëllait Gouts dhe se si ajo gjen zbatim në punën e tyre.

Pamja
Elder Ronald A. Rasband

Ronald A. Rasband, “Shih! Një Ushtri Mbret’rore”, f. 58–61

Ndoshta të kënduarit, dëgjimi ose leximi i fjalëve të himnit “Shih! Një Ushtri Mbret’rore”, (Himne, nr. 160) së bashku mund të frymëzojë diskutim rreth mesazhit të Plakut Rasband. Si janë kuorumet e priftërisë dhe Shoqatat e Ndihmës të ngjashme me një ushtri mbretërore? Anëtarët gjithashtu mund të kërkojnë dhe diskutojnë për “një numër të madh bekimesh” që Plaku Rasband i përmend se do të vijnë nga ristrukturimi i kuorumeve të priftërisë. Çfarë bekimesh të tjera kemi marrë – ose shpresojmë t’i marrim – nga vënia në zbatim e këtyre ndryshimeve? Si mund t’i marrin edhe Shoqatat e Ndihmës në mënyrë më të plotë bekime të tilla si “larmi … dhuratash” dhe “këshillim”?

Pamja
President Henry B. Eyring

Henri B. Ajring, “Dhënia e Frymëzuar e Shërbesës”, f. 61–64

Presidenti Ajring tregon për dy biseda mbledhjesh sakramenti rreth dhënies së shërbesës, të cilat i lanë mbresa atij. Ndoshta ju mund t’i kërkoni gjysmës së anëtarëve të kuorumit ose të Shoqatës së Ndihmës që të shqyrtojnë fjalët e djaloshit 14‑vjeçar dhe gjysmës tjetër të shqyrtojnë historinë rreth mësuesit të shtëpisë. Teksa lexojnë, anëtarët mund të mendojnë për këshillën që mund t’ia japin një të riu ose të reje, që sapo është caktuar t’i japë shërbesë dikujt. Si mund “të bëhemi edhe më të frymëzuar e dashamirës në shërbimin tonë për dhënien e shërbesës”?

Pamja
President Dallin H. Oaks

Dallin H. Ouks, “Fuqitë e Priftërisë”, f. 65–68

Për ta filluar diskutimin, ju mund t’i shkruani në tabelë titujt e katër pjesëve të mesazhit të Presidentit Ouks. Më pas, ftojeni secilin anëtar të lexojë një pjesë në heshtje dhe më pas shkruani në tabelë një fjali që e përmbledh mesazhin kryesor të asaj pjese. Pastaj anëtarët mund të tregojnë se çfarë ndihen të frymëzuar të bëjnë për shkak të asaj që lexuan. Si mund të përmirësohet shërbimi ynë si mbajtës të priftërisë ose si motra të Shoqatës së Ndihmës kur i vëmë në jetë mësimet në mesazhin e Presidentit Ouks?

Pamja
President Russell M. Nelson

Rasëll M. Nelson, “Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, f. 68–75

Presidenti Nelson i fton mbajtësit e priftërisë të “çohen” dhe ta përdorin priftërinë për t’i bekuar fëmijët e Atit Qiellor. Ftojini anëtarët e kuorumit tuaj ose të Shoqatës suaj të Ndihmës të shqyrtojnë shembujt që jep ai, dhe të diskutojnë se si na ndihmojnë ata që të kuptojmë se si priftëria mund të përdoret për t’i bekuar familjet e tyre dhe të tjerët. Çfarë përvojash mund të tregojmë kur jemi bekuar nga fuqia e priftërisë? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët ose veten tonë që të kemi besim për ta përdorur priftërinë e Perëndisë që të “japim shërbesë në emër të Tij”?

Pamja
Sister Reyna I. Aburto

Rejna I. Aburto, “Me një Mendje të Vetme”, f. 78–80

Mesazhi i Motrës Aburto siguron një mundësi që kuorumi ose Shoqata juaj e Ndihmës ta vlerësojë se sa mirë po punojnë në unitet për ta bërë punën e Zotit. Për t’i ndihmuar anëtarët që ta bëjnë këtë gjë, ju mund të tregoni figura të fluturave monarke, të vizitës së Shpëtimtarit te nefitët (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 82, 83, 84) dhe të punës humanitare të Kishës (shih LDS.org). Anëtarët mund ta shqyrtojnë mesazhin dhe të zbulojnë se si Motra Aburto i përdori këta shembuj që të jepte mësim rreth qëllimeve dhe bekimeve të punës në unitet. Çfarë mund të bëjmë që të punojmë “me një mendje të vetme”?

Pamja
President Henry B. Eyring

Henri B. Ajring, “Të Keni Shpirtin e Tij me Ju”, f. 86–89

Për të na e shtuar dëshirën dhe aftësinë për ta marrë Frymën e Shenjtë, Presidenti Ajring tregon disa përvoja vetjake dhe jep udhëzim të veçantë. Pasi t’i rishikoni përvojat e tij, çfarë kujtimesh të ngjashme mund të tregojnë anëtarët e kuorumit tuaj ose anëtaret e Shoqatës suaj të Ndihmës kur Fryma e Shenjtë ua preku zemrën dhe ua pohoi të vërtetën? Ndoshta anëtarët mund t’i renditin në tabelë udhërrëfimet që jep Presidenti Ajring për të na ndihmuar “që t’i hapim zemrat tona për ta marrë shërbesën e Shpirtit”. Si do të na ndihmojë ndjekja e udhëzimit të tij në jetën tonë dhe në familjet tona? Në kuorumin ose Shoqatën tonë të Ndihmës?

Pamja
President Dallin H. Oaks

Dallin H. Ouks, “Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, f. 89–92

Mesazhi i Presidentit Ouks përmban metafora që na mësojnë se si gjëra të vogla dhe të thjeshta mund të kenë ndikim të fuqishëm për mirë ose për keq. Këto metafora përfshijnë tri rrënjë, një ekip vozitësish, fibra litari dhe derdhjen e ujit. Anëtarët mund t’i lexojnë këto metafora dhe të diskutojnë atë që na japin mësim ato rreth fuqisë së bërjes së gjërave të vogla dhe të thjeshta vazhdimisht. Cilat janë gjërat e vogla dhe të thjeshta që e sjellin ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën tonë? Ftojini anëtarët që të përsiatin se çfarë kanë mbresë të bëjnë për ta ndjekur këshillën e Presidentit Ouks.

Pamja
President Russell M. Nelson

Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, f. 93–96

Në mesazhin e tij Presidenti Nelson na lutet që ta rritim “aftësinë [tonë] shpirtërore për të marrë zbulesë”. Për t’i ndihmuar anëtarët ta ndjekin udhëzimin e tij, ju mund të shkruani në tabelë pyetje si ato që vijojnë: Përse kemi nevojë për zbulesën? Si mund ta rritim aftësinë tonë për të marrë zbulesë – si në mënyrë individuale ashtu edhe kur këshillohemi së bashku? Çfarë bekimesh premtoi Presidenti Nelson nëse vërtet do të kërkojmë zbulesë? Ndajini anëtarët në grupe dhe ftojeni secilin grup të gjejë dhe të japë përgjigje ndaj njërës prej pyetjeve.

Pamja
Elder Gerrit W. Gong

Gerit W. Gong, “Zoti Krisht Ësht’ Ngritur Sot”, f. 97–98

Çfarë mund të mësojnë anëtarët e kuorumit tuaj ose Shoqatës suaj të Ndihmës nga mesazhi i Plakut Gong rreth besëlidhjeve tona dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit? Ju mund t’i ftoni anëtarët ta shqyrtojnë mesazhin, të kërkojnë bekimet që Shlyerja e Shpëtimtarit dhe besëlidhjet tona – duke vepruar së bashku – na ofrojnë ne. Më pas merrni parasysh të bëni pyetje si ato që vijojnë, për atë që gjejnë: Si veprojnë së bashku besëlidhjet tona dhe Shlyerja që të na “bëjnë të zotë dhe fisnikë”? Te çfarë na ndihmojnë të mbahemi fort dhe nga çfarë të largohemi?

Pamja
Elder Ulisses Soares

Ulises Soares, “Profetët Flasin nëpërmjet Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë”, f. 98–99

Mesazhi i Plakut Soares mund të na frymëzojë të veprojmë me besim kur ndihemi të papërshtatshëm që të bëjmë vullnetin e Zotit. Si mori Plaku Soares ngushëllim dhe siguri kur mori thirrjen e tij të re si Apostull? Çfarë mësoi nga përvoja e tij kur u thirr si president misioni? Çfarë mund të mësojmë ne nga përvojat e tij? Jepuni anëtarëve kohë të tregojnë përvoja kur ata u ndien të pasigurt rreth diçkaje që Zoti i donte të bënin. Çfarë bënë për të gjetur besimin që të ecnin përpara?

Pamja
Elder Jeffrey R. Holland

Xhefri R. Holland, “Jini me Ta e Forcojini Ata”, f. 101–103

Kur anëtarët e kuorumit tuaj ose anëtaret e Shoqatës suaj të Ndihmës mësuan rreth ndryshimeve në “koncept[in e] saposhpallur [të] dhënies së shërbesës nga priftëria dhe Shoqata e Ndihmës”, çfarë pyetjesh kishin ata? Mesazhi i Plakut Holland mund të japë përgjigje. Anëtarët mund të kërkojnë parime të ungjillit që Plaku Holland na mëson se janë themeli i këtyre ndryshimeve. Çfarë ftesash i gjejmë në mesazhin e tij? Çfarë bekimesh premtohen? Si mund të na ndihmojnë këto mënyra të reja të dhënies së shërbesës që të bëhemi “dishepujt e vërtetë të Krishtit”?

Pamja
Sister Jean B. Bingham

Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari”, f. 104–107

Në mesazhin e saj, Motra Bingham na fton t’i bëjmë vetes pyetje që mund t’i udhërrëfejnë përpjekjet tona për dhënien e shërbesës. Anëtarët mund të diskutojnë se si këto pyetje mund t’i udhërrëfejnë përpjekjet e tyre dhe më pas kërkoni përgjigje ndaj pyetjes së Motrës Bingham: “Cilët janë disa shembuj të dhënies së shërbesës?” Ju mund të shpenzoni kohë duke shqyrtuar disa nga shembujt që jep Motra Bingham për individët që japin shërbesë, dhe ftojini anëtarët që të japin shembuj nga vetja. Çfarë gjejmë te mesazhi i Motrës Bingham që na e shton kuptueshmërinë për arsyen përse dhe mënyrën se si të japim shërbesë?

Pamja
Elder Dieter F. Uchtdorf

Diter F. Uhtdorf, “Shiheni Njeriun!”, f. 107–110

Si do ta ndihmonim dikë që të kuptonte se flijimi shlyes dhe Ringjallja e Jezu Krishtit ishin ngjarjet më të rëndësishme në historinë e botës? Ftojini anëtarët ta përsiatin këtë pyetje teksa lexojnë pjesë nga mesazhi i Plakut Uhtdorf. Çfarë gjejnë që do të ndihmonte për të shpjeguar arsyen përse këto ngjarje janë kaq të rëndësishme për ta? Pas këtij diskutimi, anëtarët e klasës mund të flasin rreth asaj që do të thotë për ta që ta “sh[ohin] njeriun”. Si kemi mësuar që ta “sh[ohim] njeriun”?

Pamja
Elder Quentin L. Cook

Kuentin L. Kuk, “Përgatituni që të Takoni Perëndinë”, f. 114–117

Ju mund ta filloni diskutimin tuaj për mesazhin e Plakut Kuk duke e ftuar një anëtar të përmbledhë rivendosjen e çelësave të priftërisë në Tempullin e Kirtlandit. Sipas mesazhit të Plakut Kuk, çfarë përgjegjësish ka Kisha të cilat lidhen me këta çelësa? Si shfaqen këto përgjegjësi në Kishë sot? Shkruajini në tabelë fjalët drejtësi, unitet e barazi dhe kërkojuni anëtarëve të japin ide që i fitojnë për secilin prej këtyre parimeve nga mesazhi i Plakut Kuk. Si na ndihmojnë këto parime që t’i përmbushim përgjegjësitë e shenjta të Kishës?