2018
Mbledhjet e të Dielës së Katërt
maj 2018


Mbledhjet e të Dielës së Katërt

Në të dielën e katërt të çdo muaji, kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës diskutojnë një temë të përzgjedhur nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Tema e të dielës së katërt do të përditësohet pas çdo konference të përgjithshme. Nga tani deri në konferencën e përgjithshme të ardhshme tema do të jetë “Dhënia e Shërbesës ndaj të Tjerëve”. Çdo muaj, udhëheqësit ose mësuesit mund të zgjedhin të udhëheqin diskutime mbi njërin prej parimeve vijuese që lidhen me dhënien e shërbesës.

Çfarë do të thotë të japësh shërbesë?

Çfarë do të thotë dhënia e shërbesës për anëtarët e lagjes ose degës suaj? Për ta zbuluar këtë gjë, ju mund të shkruani në tabelë Dhënia e Shërbesës dhe më pas ftojini anëtarët të shkruajnë fjalë përreth kësaj, të cilat i lidhin me dhënien e shërbesës. Anëtarët mund të gjejnë fjalë ose fraza për t’ia shtuar listës nga shkrime të shenjta si ato që vijojnë: Mateu 25:34–40; Lluka 10:25–37; 2 Nefi 25:26; Mosia 18:8–9; 3 Nefi 18:25; dhe Doktrina e Besëlidhje 81:5. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth dhënies së shërbesës? Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të japin shembuj që i kanë parë për dhënien e shërbesës. Si mund të ndihmojë dhënia jonë e shërbesës për të plotësuar nevojat shpirtërore dhe materiale të njerëzve? Si mund t’i ndihmojë ajo njerëzit që të vijnë më pranë Krishtit?

Shpëtimtari është shembulli ynë i përkryer i dhënies së shërbesës.

Që të mësojnë se si të japin shërbesë në mënyrë të efektshme, anëtarët mund të tregojnë histori nga shkrimet e shenjta në të cilat Shpëtimtari u dha shërbesë të tjerëve – disa shembuj mund të gjenden te Gjoni 4–6 dhe Marku 2:1–12. Anëtarët mund të tregojnë se çfarë u bën përshtypje rreth këtyre historive dhe çfarë parimesh mësojnë rreth dhënies së shërbesës. Për shembull, si e përshtati Shpëtimtari shërbimin e Tij ndaj të tjerëve? Si i plotësoi Ai nevojat shpirtërore të njerëzve si edhe nevojat materiale? Anëtarët e klasës mund të tregojnë raste kur i kanë parë njerëzit t’i përdorin këto parime në dhënien e shërbesës prej tyre.

Dhënia e shërbesës nxitet nga dashuria si e Krishtit.

Për ta shqyrtuar fuqinë e dhënies së shërbesës, të nxitur nga dashuria si e Krishtit, ju mund të shkruani fjalitë vijuese në tabelë dhe t’i ftoni anëtarët të sugjerojnë mënyra se si t’i plotësojnë hapësirat bosh: Kur i dua me të vërtetë njerëzit të cilëve u shërbej, unë. Kur shërbej për arsye të tjera, unë. Çfarë mund të bëjmë që të sigurohemi se dhënia e shërbesës sonë për të tjerët nxitet nga dashuria e ngjashme me të Krishtit? Si zhvillojmë dashuri si e Krishtit për ata të cilëve jemi caktuar t’u japim shërbesë? (Shih Moroni 7:45–48.) Ndoshta anëtarët mund të japin shembuj të dhënies së shërbesës që u frymëzua nga dashuria si e Krishtit.

Perëndia do që fëmijët e Tij të vëzhgohen dhe për ta të tregohet kujdes.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre” (“Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 69). Sipas mësimit që na jep Presidenti Nelson, cilat janë disa prej mënyrave të “organizuar[a], [të] drejtur[a]” sipas të cilave Kisha mund të na ndihmojë që të kujdesemi më mirë për individët? Përse janë këto përpjekje “një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit”? (Shih Mosia 18:21–22 dhe Moroni 6:4–6 për disa ide.) Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tuaj ose në jetën e të tjerëve ngaqë njerëzit dhanë shërbesë në thirrjet e tyre në Kishë ose në caktimet e tyre?

Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.

Përvojat e bijve të Mosias tregojnë se mënyra se si i shohim njerëzit e ndikon mënyrën se si u japim shërbesë atyre. Mund të shkruani në tabelë: Si i shihnin nefitët lamanitët? dhe Si i shihnin bijtë e Mosias lamanitët?. Më pas ftojini anëtarët të shqyrtojnë Mosian 28:1–3 dhe Almën 26:23–26 për të gjetur fjalë dhe fraza që t’i shkruajnë nën secilën prej këtyre thënieve. Çfarë na mëson ky krahasim se si ndikohet mënyra se si u japim shërbesë njerëzve nga mënyra se si i shohim ata? Si mund të mësojmë t’i shohim njerëzit më shumë siç i sheh ata Perëndia? (Shih DeB 18:10–16.)

Shërbestarët e vërtetë përqendrohen te nevojat e të tjerëve.

Për t’i ndihmuar anëtarët që ta kuptojnë më mirë vlerën e përqendrimit te nevojat e atyre të cilëve u japim shërbesë, ju mund ta krahasoni dhënien e shërbesës me dhënien dhe marrjen e dhuratave. A kemi marrë ndonjëherë një dhuratë domethënëse nga dikush që dukshëm e dinte se çfarë na nevojitej apo çfarë dëshironim? Ku ngjason dhënia e shërbesës me dhënien e një dhurate të menduar mirë? Merreni parasysh të diskutoni histori nga konferenca e përgjithshme më e fundit, të cilat tregojnë se si njerëzit dhanë shërbesë sipas nevojave të të tjerëve (shih, për shembull, Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018). Anëtarët mund të tregojnë edhe histori të tjera që e paraqitin këtë parim.

Si mund të mësojmë se cilat janë nevojat e të tjerëve? Ftojeni secilin anëtar të bëjë një listë të disa prej njerëzve të cilëve u japin shërbesë. Pranë çdo emri ata mund të shkruajnë një përgjigje për pyetjen: “Çfarë i nevojitet këtij njeriu që të vijë më pranë Krishtit?” Si të gjejë zbatim, nxitini anëtarët të përfshijnë ordinancat që mund të ketë nevojë t’i marrë çdo njeri. Ftojini anëtarët të vazhdojnë të mendojnë për këtë pyetje dhe të kërkojnë frymëzim për t’i ndihmuar që të plotësojnë nevojat e të tjerëve.

Zoti do që ne ta pranojmë dhënien e shërbesës nga të tjerët.

Plaku Robert D. Hejls tha: “Plani i ungjillit kërkon dhënie dhe marrje. … Individët në vështirësi shpesh thonë: ‘Do ta bëj vetë’, … ‘Mund të kujdesem për veten time’. Është thënë që askush nuk është aq i pasur sa të mos ketë nevojë për ndihmën e dikujt tjetër, askush nuk është aq i varfër sa të mos jetë i dobishëm në njëfarë mënyre për bashkënjeriun e tij. Prirja për të kërkuar ndihmë nga të tjerët me vetëbesim dhe për ta dhënë atë me mirësi, duhet të jetë pjesë e vetë natyrës sonë” (“We Can’t Do It Alone”, Ensign, nëntor 1975, f. 91, 93). Përse jemi nganjëherë ngurrues që të pranojmë ndihmë nga të tjerët? Në ç’mënyrë gatishmëria jonë për të pranuar ndihmë i bekon njerëzit që na shërbejnë? Jepuni anëtarëve disa çaste që të përsiatin mënyra se si mund të jenë më të çiltër ndaj pranimit të dhënies së shërbesës nga të tjerët. Çfarë sugjeron 1 Korintasve 12:13–21 rreth arsyes përse kemi nevojë për njëri‑tjetrin?

Ka shumë mënyra se si mund t’u japim shërbesë të tjerëve.

Për t’i ndihmuar anëtarët që të marrin në shqyrtim mënyrat e shumta se si mund t’i japim shërbesë njëri‑tjetrit, ju mund t’i ftoni të rishikojnë mesazhin e Plakut Xhefri R. Holland “Jini me Ta e Forcojini Ata” (Liahona, maj 2018, f. 101–103; shih edhe “Parime të Dhënies së Shërbesës” në botimet e ardhshme të Liahonës). Anëtarët mund të ndahen në grupe të vogla dhe secili grup mund të mendojë për disa skenarë në të cilët një njeri mund të ketë nevojë për ndihmë. Më pas mund të shkëmbejnë mendime për mënyra të ndryshme sipas të cilave njerëzit mund të japin shërbesë ndaj nevojave shpirtërore dhe materiale të individëve në skenarët. Kërkojuni grupeve t’i tregojnë idetë e tyre dhe të përsiatin nëse ndonjë prej ideve të diskutuara mund t’i bekojë njerëzit të cilëve ata u japin shërbesë.