2025
Profeti dhe Shpëtimtari i Tij
Janar 2025


Profeti dhe Shpëtimtari i Tij

Në një mënyrë, historia e Rivendosjes është historia e afrimit të Jozef Smithit më shumë me Jezu Krishtin.

Jezu Krishti

Every Knee Shall Bow [Çdo Gju do të Përkulet], nga Dan Wilson

Historia e jetës së Jozef Smithit është më shumë sesa thjesht historia e jetës së tij.

Kur e tregojmë historinë e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, shpesh e fillojmë duke treguar historinë e Jozef Smithit. Kjo ka kuptim. Ai vetë e tregoi historinë e viteve të para të jetës së tij disa herë të ndryshme për t’i ndihmuar njerëzit të kuptonin se si filloi Rivendosja. Por në një formë, historia e jetës së Jozef Smithit është historia e afrimit të tij më shumë me Jezu Krishtin.

Një Vegim Faljeje

I riu Jozef Smith ndihej i pështjelluar rreth fesë. Kishte një tjetër ndjesi që e shtyu atë të lutej në atë korije pemësh ku pati Vegimin e Parë: “Unë e ndjeva se duhet të vajtoja për mëkatet e mia”.

Kur Shpëtimtari i foli Jozefit, Ai tha: “Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur”.

Jozefi e mësoi vetë se Jezu Krishti jeton. Ai gjithashtu mësoi se Jezu Krishti është mëshirëplotë dhe i fal mëkatet. Kjo njohuri vetjake qe e rëndësishme për Jozefin. “Shpëtimi i shpirtit tim ka rëndësinë më të madhe për mua [sepse] unë di për një siguri të gjërave të përjetshme”, – tha ai dikur.

Kjo njohuri rreth Jezu Krishtit ishte gjithashtu e rëndësishme në punën që u thirr të bënte Jozefi si profet. Ai dha dëshmi të fuqishme për hirin dhe mëshirën e Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës. Për shembull, ai dikur dha mësim: “Të gjitha zemrat duhet të pendohen e të jenë të dëlira dhe Perëndia do t’i mbajë parasysh e do t’i bekojë në atë mënyrë sa ata nuk do të mund të bekohen në asnjë mënyrë tjetër”.

Gabimet dhe Mëshira

Puna që Jozef Smithi u thirr të bënte, ishte tejet me rëndësi. Jozefi mësoi t’i merrte seriozisht urdhërimet dhe këshillat e Zotit, pjesërisht nëpërmjet gabimeve që bëri.

Për shembull, kur u humbën faqet e dorëshkrimit të Librit të Mormonit, Zoti ia hoqi dhuntinë e përkthimit Jozefit dhe më pas i tha: “Sa shpesh ti i ke shkelur urdhërimet dhe ligjet e Perëndisë. … Nuk duhet të frikësohesh më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia” (Doktrina e Besëlidhje 3:6–7).

Por Zoti kishte edhe këtë mesazh për Jozefin: “Kujto, Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu” (Doktrina e Besëlidhje 3:10).

Jozefi u pendua njëmend dhe iu dha përsëri dhuntia e përkthimit. E gjithë përvoja mund të ketë qenë e dhembshme për të, por ai nxori mësime të rëndësishme, përfshirë faktin që ne mund të pendohemi dhe të bekohemi për shkak se Zoti është i mëshirshëm.

Shpëtimtar dhe Mik

Jozef Smithi përjetoi një numër vegimesh, vizitash dhe zbulesash në të cilat pa ose dëgjoi Zotin Jezu Krisht ose mësoi rreth natyrës, karakterit dhe misionit të Tij (shih, për shembull, te Doktrina e Besëlidhje 19; 76; 93; 110).

Një e vërtetë që mësoi, ishte se puna shëlbuese e Shpëtimtarit është për të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në këtë botë dhe të gjitha botët ku banojnë bijtë dhe bijat e Perëndisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 76:24).

Në të njëjtën kohë që po mësonte se sa e gjerë është puna e Shpëtimtarit, Jozefi po mësonte edhe se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e njohin dhe e duan secilin prej nesh individualisht. Ata duan një marrëdhënie më të ngushtë me secilin prej nesh. Ata duan që ne të bëjmë besëlidhje, t’i mbajmë ato dhe të durojmë besnikërisht deri në fund. Kjo marrëdhënie e thelluar do të na sjellë gëzim dhe siguri në vete.

Marrëdhënia vetjake e Jozefit me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, u bë aq e thellë sa në njërin nga çastet më të vështira të jetës së vet, ndërkohë që ishte i burgosur në Burgun e Libertisë, ai qe në gjendje të thoshte:

“Do të përpiqem të jem i kënaqur me fatin tim, duke e ditur që Perëndia është miku im. Tek ai do të gjej ngushëllim. E kam lënë jetën time në duart e tij. Jam i përgatitur të shkoj kur të më thërrasë. Unë dëshiroj të jem me Krishtin.”

Ndërsa i studion jetën dhe mësimet e Jozef Smithit, mund të ndjekësh shembullin e tij. Pendohu, bëj dhe mbaj besëlidhje dhe vazhdo besnik/e. Më pas, edhe ti mund ta dish se Shpëtimtari është Miku yt.