Tema e Rinisë për Vitin 2025
Shih te Krishti
Tema e Rinisë për vitin 2025, do të të ndihmojë të zgjedhësh mirëbesimin në vend të dyshimit dhe besimin në vend të frikës.
Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Keili kishte qenë në një ekip nxitësesh të tifozëve derisa një aksident rezultoi në një dëmtim tronditës të trurit. Faza e riaftësimit e pengoi të frekuentonte shkollën dhe ajo filloi të ndihej e izoluar dhe e vetmuar. Kishte vështirësi emocionale dhe nuk dinte ku të kërkonte ndihmë. Një shoqe i sugjeroi të dëgjonte misionarët. Ata i dhanë mësim rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Të mësuarit më shumë rreth Krishtit i dha asaj shpresë dhe ajo u ndje sikur Vetë Perëndia po i vinte në ndihmë.
Keili i tha mamit: “Nuk e kam ndier kurrë se Perëndia më donte. Por tani e di se Ai më do.”
Nëna e saj, Mishela, u befasua paksa. Ajo dhe bashkëshorti, Broku, ishin larguar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur Keili kishte qenë shtatë vjeçe për shkak të pyetjeve, dyshimeve dhe shqetësimeve të ndryshme. Ata menduan se e bija do të ishte më e lumtur pa gjithë ato mbledhje e urdhërime. Ata nuk menduan kurrë se zgjedhja e tyre do ta pengonte Keilin të kishte një lidhje të afërt me Perëndinë. Teksa Mishela dhe Broku vëzhguan se si Keili ndryshoi, ata e kuptuan se kishte kaluar një kohë e gjatë qëkurse qenë ndier pranë Perëndisë dhe donin të ndiheshin ashtu përsëri.
Ata u takuan me peshkopin e tyre dhe shpejt familja, përfshirë vëllanë e Keilit, Bredënin, u kthye në kishë. Të ndierit pranë Perëndisë dhe rilidhja me Të, veçanërisht nëpërmjet lutjes, ua riktheu besimin. Kthimi në kishë nuk ua zgjidhi gjithë pyetjet ose shqetësimet, por ata e kuptuan se pasja e një lidhjeje më të fortë vetjake me Perëndinë qe më e rëndësishme se mosbesimi i tyre.
E gjitha kjo nisi kur një shoqe, një adoleshente si ti, e ftoi Keilin të shihte te Krishti. Dhe ajo e bëri!
Jezu Krishti ka thënë: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë” (Doktrina e Besëlidhje 6:36). Ky është frymëzimi që qëndron pas Temës së Rinisë për vitin 2025. Na lejo të të tregojmë se si mund të zgjedhësh mirëbesimin në vend të dyshimit dhe besimin në vend të frikës ndërsa sheh te Krishti:
Nga e majta në të djathtë: Motra Runia, Presidentja Friman, Motra Spanaus
Tamara W. Runia
Kur jam në vështirësi, më ndihmon gjithnjë të imagjinoj Jezu Krishtin me krahët të shtrira. Kur shoh tek Ai, më kujtohen fjalët e këngës: “Do të Eci me Krishtin”: “Kurr’ s’do më lër’ t’vetëm dhe kur të dështoj”.
Emili Bell Friman
Kur e lexoj këtë shkrim të shenjtë të temës, më kujtohet Pjetri në detin e Galilesë. Përqendrimi te stuhia ia shtoi frikën dhe dyshimin, duke bërë që ai të zhytej nën dallgët e stuhisë. Por përqendrimi te Shpëtimtari i mundësoi të arrinte diçka që nuk e kishte bërë kurrë: ai eci mbi ujë! Është vërtet mbresëlënëse! Çfarë mund të arrish ndërsa sheh tek Ai?
Andrea Munjoz Spanaus
Kur nis të ndihem e frikësuar, pavarësisht nga vendi ose situata ku jam, mendoj qëllimisht për marrëdhënien time me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Në mendje e përsërit disa herë fjalinë: UNË JAM NJË BIJË E PERËNDISË. Vazhdoj ta bëj këtë derisa filloj të ndihem më mirë. Funksionon gjithmonë!
Nga e majta në të djathtë: Vëllai Uilkoks, Presidenti Land, Vëllai Nelson
Bredli R. Uilkoks
Pyete veten se kush interesohet për ty dhe të do më shumë. A janë prindërit dhe udhëheqësit e Kishës? A janë njerëzit në rrjetet sociale për të cilët mund të jesh veçse një numër? Shih tek Ati Qiellor dhe Krishti. Ata interesohen vërtet!
Stiven J. Land
Mbaje mend atë që të kujtohet kur thua përmendsh temat e Kuorumit të Priftërisë Aarone dhe të Të Rejave: Ju jeni një bir ose bijë e dashur e Perëndisë. Ki besim se Ati ynë ka një plan për ty. Të parit te Krishti do të thotë të shohësh se Shlyerja e Tij është pikërisht në qendër të atij plani.
Majkëll T. Nelson
Leximi i shkrimeve të shenjta është të shohësh te Krishti! Dyshimet dhe frika zhduken natyrshëm kur na kujtohen mrekullitë dhe mësimet e Jezusit. Jemi kaq me fat që kemi qasje te fjalët e Tij. Ato gjejnë zbatim në çdo situatë që përjetojmë në jetë.