2025
Ndërtimi i Shtëpive dhe Dëshmive
Janar 2025


Ndërtimi i Shtëpive dhe Dëshmive

Sipërmarrja e ndërtimit e Sarës po lulëzonte. Por asaj i duhej të merrte një vendim.

e re

Fotografitë nga Christina Smith, përveçse kur shënohet ndryshe

Për Noeun ishte një arkë. Mbreti Beniamin përdori një kullë. Vëllai i Jaredit gjeti zgjidhje me maunat. Po Sara Kristenseni nga Montana e SHBA‑së? Epo, ajo vendosi se donte të ndërtonte shtëpi.

Motra Kristensen, tani një misionare kohëplotë që po shërben në Misionin e Mineapolisit të Minesotës, dikur u acarua paksa që misioni po i bëhej pengesë për synimet e saj për ndërtimin dhe nuk ishte as misioni i saj!

Le t’ia nisim nga fillimi.

“E kam ndihmuar tim atë të ndërtonte gjëra gjatë gjithë jetës”, – thotë ajo. “U mësova me mjete elektrike dhe ndërtimin dhe thjesht arrita t’i doja fort ato. Prandaj, kur isha 16 vjeçe, vendosa se doja të nisja një sipërmarrje ndërtimi timen.”

babai dhe vajza duke ndërtuar një shtëpi

“Babi më ka mësuar t’i bashkoj gjërat, nga dy dërrasa deri në një shtëpi të mirëfilltë”, – thotë Sara.

Ndërtimi i një Sipërmarrjeje

Sara fillimisht rimodeloi një shtëpi një vit gjatë verës. I pëlqeu aq shumë saqë mori një projekt tjetër rimodelimi një vit më vonë. Përfundimisht, ajo vendosi të merrej me një projekt edhe më të madh, një shtëpi për treg, ose ndryshe një shtëpi që ajo dhe ekipi i punëtorëve që pajtonte, do ta ndërtonin nga themelet, me shpresën se do ta shitnin për të marrë fitim.

e re me një çekan në një kantier ndërtimi

Dita e shembjes! Sara hedh në tokë me çekiç banjën e njërit prej projekteve të saj.

Nisja e një sipërmarrjeje nuk ishte një projekt i lehtë, veçanërisht sepse Sara ishte ende e zënë me shkollën e mesme dhe vrapimin në natyrë.

e re duke punuar me çekiç në një kantier ndërtimi

Sara e nisi firmën e saj të ndërtimit kur ishte 16 vjeçe.

“Mësova shumë”, – thotë ajo. “M’u desh të përdorja një bllok çeqesh për të paguar njerëzit, gjë që nuk e kisha bërë kurrë më parë. M’u desh të mësohesha për të folur me të panjohur që ishin punëtorët që unë pajtoja. Kam mësuar edhe se si të përballoja stresin e drejtimit të një firme, gjë që nuk ishte gjithmonë qejf. Është gjithmonë meraku se nuk do t’i fitosh paratë e nevojshme për të nxjerrë kostot kur shet një shtëpi.”

Asnjëherë Vetëm

Por pavarësisht nga shqetësimet dhe streset që vijnë nga drejtimi i një sipërmarrjeje, Sarës kurrë nuk iu desh të përballej vetëm me ëndrrat e saj të mëdha.

“Gjërat gjithmonë zgjidheshin dhe e di se ishte për shkak të Zotit”, – thotë ajo. “Kjo puna e sipërmarrjes nuk ishte e mundur pa Të. Ai më ndihmoi gjatë ditëve të këqija, punës së rëndë, në gjithçka.”

e re duke ndihmuar një djalë të shpojë me trapan në një kantier ndërtimi

Marrëdhënia e ngushtë që Sara ka me familjen e saj, vjen nga të punuarit bashkë.

Familja e Sarës gjithashtu e përkrahu atë në çdo hap, gjë që na kthen tek ai mision që po ndërhynte te planet e saj.

Vëllai më i madh i Sarës, Tajleri, planifikoi ta ndihmonte atë të ndërtonte një shtëpi kur të kthehej nga misioni. Por një ditë, ai i telefonoi me lajmin se i kishin kërkuar ta zgjaste shërbimin e tij misionar.

“Sa u inatosa me të”, – pranon ajo. “I thashë: ‘Tajler, nuk mund ta pranosh këtë. Unë kam bërë plane.’ Ai tha: ‘Puna e Zotit është më e rëndësishme se puna jote.’ Kjo më solli në vete. E dija se kishte të drejtë dhe se duhej t’i mirëbesoja planit të Perëndisë.”

familja

Familja e Sarës e mirëpriti vëllanë e saj, Tajlerin, në shtëpi pasi e zgjati misionin.

Fotografia me mirësinë e Sarah Christensen

baba e bijë në një kantier ndërtimi

Qoftë nëse po merr ndihmë nga i ati ose ndihmë nga Ati Qiellor, Sara e di që nuk është vetëm.

Një Mision të Sajin

Shembulli i Tajlerit e frymëzoi Sarën që të fillonte të mendonte për të shërbyer në një mision të sajin. “E kuptova sa shumë njerëz ndihmoi vëllai im që të vinin te Krishti, dhe e pashë sa shumë ai vetë kishte ardhur te Krishti. Doja të kisha përvoja të ngjashme”, – thotë Motra Kristensen. “Nisa ta studioj me seriozitet ungjillin dhe zbulova se, sa më shumë rritej dëshmia dhe marrëdhënia ime me Shpëtimtarin, aq më shumë doja ta ndaja me të tjerët atë që kisha.”

Sara bëri zgjedhjen për ta lënë pezull sipërmarrjen e saj të ndërtimit dhe për t’i shërbyer Zotit. Ky vendim i ka dhënë asaj këndvështrime të reja të fuqishme.

“Gjëja kryesore që më ka mësuar ky mision, është se ungjilli ta ndryshon tërësisht jetën”, – thotë Motra Kristensen. “Rritja në Kishë ma bëri të vështirë ta kuptoja sa domethënës ishte ungjilli në jetën time.

Këtu në mision, jam e rrethuar nga njerëz që nuk kanë njohuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kur ata mësojnë se janë fëmijë të Perëndisë dhe se Ai ka një plan për ta, kjo ua ndryshon jetën. Është gjëja më e hatashme që mund të dëshmosh dhe ku të jesh pjesë. Kisha një kuptueshmëri për këtë përpara misionit, por tani e di se ungjilli i Jezu Krishtit është thelbësor për gëzim në këtë botë dhe në botën tjetër.”

motra misionare me rula boje

Motrës Kristensen (në të djathtë) dhe shoqes së saj të misionit Motrës Tejlor (në të majtë) u pëlqen shumë të shërbejnë në çdo mënyrë që munden.

Fotografia me mirësinë e Sarah Christensen

Besim në Vend të Frikës

Të rinjve dhe të rejave të tjera që po mendojnë për të shërbyer në një mision, Motra Kristensen u thotë: “Kini besim dhe mos kini frikë. Misionet nuk janë të lehta, por ia vlejnë. Perëndia do t’ju bekojë në mënyra të paimagjinueshme kur merrni vendimin për të qenë njëri nga shërbëtorët e Tij.”

Megjithëse e merr malli që të ndërtojë shtëpi ndërkohë që shërben, Motra Kristensen nuk pendohet për zgjedhjen e saj. “Patjetër, sipërmarrja ime mund të kishte pasur një rritje të mundshme gjatë kësaj kohe që po shërbej si misionare kohëplotë”, – thotë ajo. “Por e di se Zoti do ta bekojë sakrificën që bëra duke e lënë atë pas për ca kohë. Sipërmarrja ime mund të presë, por puna e Zotit jo!”